Lexo PDF

 

SHKREPTIMA E GJASHTËMBËDHJETË

 

Me Emrin e Tij, qoftë Ai i lavdëruar!

“Dhe s’ka ndonjë gjë që të mos e lëvdojë Lartësinë e Tij”.

Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi ju!

Vëllezërit e mi të dashur e besnikë, Hoxha Sabri, Hafiz Ali, Mes’ud, Mustafatë, Husrev, Refet, Bekir Beu, Rushtu, Lutfitë, Hafiz Ahmet, Shejh Mustafa, dhe të tjerët! Më erdhi në zemrën time që t’ju shpjegoj në mënyrë të përmbledhur e instruktive katër çështje të vogëla të cilat kanë qenë subjekt kureshtjeje dhe pyetjesh.

■ E Para

Disa nga vëllezërit tonë si Çaprazzade Abdull-llah efendi kishte dëgjuar të tregohet prej atyre që zbulojnë realitetet, se në këtë Ramazanin e fundit një lehtësim nga vështirësitë dhe një fitore do të ndodhë për Sunnitët -për Ehl-es-Sunneh Vel-Xhemaah-, ndërsa ajo nuk ndodhi. Ata më pyetën mua: Përse Njerëzit e shenjtërisë dhe të ndriçimit të tillë si ai bëjnë parashikime që janë në kundërshtim me realitetin? Dhe përmbledhja e saj që ua dhashë si përgjigje, me të cilën unë u inspirova, ëshë kjo:

Disa herë fatkeqësia bie mbi një person, por ajo ndeshet me sadekanë -lëmoshën- dhe e largon atë (fatkeqësinë)[1]. Kuptimi i nënkuptuar i këtij Hadithi tregon se kur vijnë ngjarjet e paracaktuara nga e padukshmja, vijnë të lidhura me disa kushte.

Ndodhja e tyre vonohet me vonimin e kushteve. Gjithashtu vonohen edhe ngjarjet e paracaktuara të cilat i shikojnë Evlijatë nga njerëzit e zbulesës, pasi ato nuk janë ngjarje të paracaktuara absolute, por të kufizuara me kushte dhe, për shkak të mosqënies së atyre kushteve, nuk ndodh ajo ngjarje; sepse ajo ngjarje është si exheli i lidhur i cili është shkruar e paracaktuar në Tabelën e zhdukjes dhe të ripohimit –në Pllakën e fshirjes dhe të vërtetimit- që është një lloj nga llojet e regjistrit të Pllakës së Parapërjetshme. Zbulesat, tepër rrallë, mund të ngjiten tek Pllaka e Parapërjetshme, madje pjesa më e madhe e zbulesave nuk mund të ngjitet atje. Atëherë duke u mbështetur në këtë:

Parashikimet që u bënë si rezultat i interpretimeve ose zbulesave -ndriçimeve- në këtë Ramazan dhe në Festën e Kurban Bajramit dhe në kohë të tjera nuk ndodhën, nuk u bënë realitet, sepse kushtet mbi të cilat ato vareshin nuk u plotësuan. Parashikuesit e atyre ngjarjeve nuk përgënjeshtrohen, sepse ato ngjarje ishin paracaktuar, por ato nuk ndodhin veçse kur përmbushen kushtet; pra, në qoftë se nuk vijnë kushtet, nuk ndodh ngjarja.

Po, duatë e sinqerta që bëjnë shumica e Sunnitëve -Ehli-es-sunneh Vel Xhemaah- në Ramazanin e bekuar për të larguar bidatet, ishin një kusht dhe një shkak i rëndësishëm, por meqenëse bidatet kishin hyrë nëpër xhami në Ramazan, ato formuan një pengesë për pranimin e duave, dhe lehtësimi e fitorja nuk erdhi. Ashtu si në përputhje me Hadithin e lartëpërmendur që sadekaja e largon fatkeqësinë, edhe duatë e sinqerta të bëra nga shumica tërheqin e sjellin një lehtësim të përgjithshëm, por meqenëse forca tërheqëse nuk erdhi në ekzistencë, ai lehtësim edhe ajo fitore nuk u dhanë.

■ Pyetja e Dytë Kureshtare:

Në dy muajt e fundit ka qenë një situatë e gjallë politike përballë të cilës ndonjë përpjekje duhej të ishte bërë për të lehtësuar kushtet edhe për veten time, edhe për vëllezërit me të cilët unë jam lidhur. Ndërsa kishte një mundësi të fortë që kjo mund të ishte arritur, unë nuk i dhashë rëndësi situatës, por në kundërshtim me këtë, unë kisha një ide në mbështetje të “njerëzve të dhënë vetëm pas kësaj dynjaje” të cilët më ngushtojnë e më shtypin mua! Disa njerëz u çuditën për këtë. Ata thanë: “Çfarë mendon rreth politikave të cilat i ndjekin ata njerëz të bidateve që janë kundra teje dhe një grup nga hipokritët kryesues të cilët të mundojnë ty, saqë ti nuk po i sulmon ato?

Një përmbledhje e përgjigjes sime është sa vijon:

Rreziku më i madh me të cilin përballen muslimanët në këtë kohë është prishja e zemrave dhe lëkundja e besimit që vjen nëpërmjet çudhëzimit që buron nga shkenca dhe nga filozofia. Ilaçi i vetëm për rregullimin e zemrës dhe për shpëtimin e besimit, është drita, është t’ua shfaqësh dritën që ata të reformohen. Në qoftë se dikush do të vepronte me topuzin e politikave dhe i sundon ata, mohuesit do të zbrisnin në shkallën e hipokritëve. Dhe hipokritët janë më të këqinj se sa mohuesit. Domethënë, topuzi nuk mund ta rregullojë zemrën në këtë kohë, pasi mohimi zbret e futet në thellësitë e zemrës, fshihet atje dhe transformohet në hipokrizi.

Pastaj, në këtë kohë, një person i pafuqishëm si unë, nuk mund t’i përdorë edhe dritën, edhe topuzin njëherësh. Prandaj unë jam i detyruar ta përqafoj dritën me të gjithë fuqinë time dhe duhet të mos kthehem tek topuzi i politikave si do që të jetë lloji i tij. Çfarëdo që të kërkoj Xhihadi fizik, ne nuk jemi të ngarkuar me atë detyrë aktualisht -tani. Po, topuzi është për të ndaluar agresionet dhe sulmet e mohuesve ose të felëshuesve; por ne kemi vetëm dy duar. Madje edhe në qoftë se do të kishim njëqind duar, ato do të ishin të mjaftueshme vetëm për dritën. Ne nuk kemi ndonjë dorë tjetër me të cilën të mbahet topuzi i politikës!

■ Pyetja e Tretë Kureshtare

Sulmet e të huajve si ato të Anglisë dhe të Italisë mbi këtë qeveri në këtë kohën e fundit çojnë në nxitjen e zellit islamik -pikën e vërtetë të mbështetjes dhe burimin e fuqisë morale të qeverisë së këtij vendi qysh prej një kohe të gjatë dhe do të ishin një mjet deri diku për rigjallërimin e shenjave islame- dhe për t’i larguar e zmbrapsur deri diku bidatet -risitë.. Përse e kundërshtove me vrull këtë luftë dhe i bëre lutje Allahut që çështja të zgjidhet me mjete paqësore, dhe u bëre i bashkuar e në favor të një qeverie që bën bidate. A nuk është kjo me rezultatet e saj një mbështetje e tërthortë për bidatet?

Përgjigjja: Ne duam lehtësim, qetësi, lumturi dhe fitore, por jo me shpatën e mohuesve.. le të jenë shpatat e mohuesve fundi i tyre! Ne nuk kemi nevojë për asnjë avantazh që vjen nga shpatat e tyre. Në fakt janë ata europianë kryeneçë të cilët i kanë vendosur hipokritët për t’u rënë në qafë besimtarëve dhe kanë zhvilluar e edukuar ateistët midis tyre.

Sa për fatkeqësinë e luftës, ajo do të shkaktonte një dëm të madh për shërbimin tonë ndaj Kur’anit. Meqenëse shumica e vëllezërve tonë më të çmueshëm e vetësakrifikues janë nën moshën dyzet e pesë vjeç, ata do të detyroheshin për shkak të luftës të lënë shërbimin e tyre të shenjtë ndaj Kur’anit dhe do të shkonin ushtarë. Në qoftë se unë do të kisha pasur para, do të paguaja me kënaqësi një mijë lira të domosdoshme për ta liruar secilin prej atyre vëllezërve të vlefshëm nga shërbimi ushtarak. Qindrat e vëllezërve të mi të vlefshëm duke lënë shërbimin Kur’anor të Risale-i Nurit dhe duke ushtruar xhihadin fizik, do të ishte një dëm i madh për shërbimin tonë, unë ndjej se ajo humbje është më shumë se njëqind mijë lira, madje këto dy vitet e shërbimit ushtarak të Zekais kanë shkaktuar ndoshta që të humbasin njëqind mijë lirat e përfitimit të tij jolëndor.

Sidoqoftë ashtu si i Gjithëfuqishmi i Gjithëlavdishëm i Cili e pastron për një minut atmosferën e mbushur me re dhe shfaq diellin e shndritshëm në qiejt e pastër, po ashtu Ai mund t’i largojë këto re të zeza e të pamëshirshme dhe t’i shfaqë të vërtetat e sheriatit si dielli ndriçues me të gjithë lehtësinë e kollajllëkun dhe pa humbje. Ne e presim atë nga mëshira e Tij e gjërë dhe i lutemi Atij xh.sh. që Ai të mos na i shesë ato ne shtrenjtë. U dhëntë Ai mend kokave të atyre që janë në kryesi dhe u dhëntë besim zemrave të tyre. Ajo do të ishte e mjaftueshme, dhe atëherë çështjet do të drejtoheshin e do të rregulloheshin.

■ Pyetja e Katër Kureshtare

Ata thonë: “Meqenëse ajo që ju e mbani në duart tuaja është dritë, dhe jo topuz, drita nuk mund të kundërshtohet, dhe as nuk mund të iket prej saj dhe as dëm nuk mund të vijë nga shfaqja e saj. Atëherë, përse i porosisni shokët tuaj që të kujdesen e të ruhen dhe i pengoni ata që t’u shfaqin njerëzve pjesët e shumta të mbushura me dritë të Risale-i Nurit?

Një përgjigje për këtë pyetje është kjo: Kokat e shumicës së atyre që janë në kryesi janë të dehura dhe nuk mund t’i lexojnë. Edhe në qoftë se do t’i lexonin, ata nuk mund t’i kuptojnë; ata u japin atyre kuptim të gabuar, dhe ndërhyjnë e sulmojnë. Me qëllim që ata të mos ndërhyjnë, ato nuk duhet t’u tregohen atyre derisa të vijnë vetë.

Pastaj ndodhen shumë njerëz të padrejtë të cilët nga inati, ose nga ambicia ose nga frika, e mohojnë dritën, ose i mbyllin sytë e tyre ndaj saj. Prandaj, unë i këshilloj vëllezërit e mi të jenë të kujdesshëm dhe të mos ua japin të vërtetat atyre të cilët janë të papërshtatshëm, dhe të mos bëjnë gjëra që nxisin dyshimet e “Njerëzve të dhënë vetëm pas kësaj Dynjaje”[2].

 

Përfundim

Sot unë mora një letër nga Refet Bej. Në lidhje me pyetjen e tij rreth mjekrës së Profetit a.s.m, unë them këtë:

Është vërtetuar nga hadithe se numri i qimeve nga mjekra e bekuar e Profetit a.s.m. ishte i kufizuar pavarësisht qënies së tyre të pakta në numër, rreth tridhjetë, dyzet, pesëdhjetë ose gjashtëdhjetë; fakti se ndodhen qime prej mjekrës së bekuar në mijëra vende më bëri mua të mendoj shumë në një kohë rreth saj. Në atë kohë m’u shfaq në zemrën time, sa vijon:

Qimet e mjekrës së bekuar që gjenden tani, në çdo vend, nuk janë vetëm qimet e mjekrës së bekuar, por ndoshta janë edhe qimet e kokës së tij të bekuar, sepse Sahabët e nderuar, të cilët nuk neglizhonin asgjë, i ruajtën flokët e kokës së tij të bekuar, kur ai i qethte. Flokët e Tij të bekuara, të cilat mbetën përgjithmonë, numërohen me mijëra dhe mund të jenë të barabarta me ato që janë ekzistuese tani.

Gjithashtu unë isha kureshtar të dija në atë kohë nëse është vërtetuar me hadithe të sakta ose jo për qimet që gjenden në çdo xhami a ishin të Profetit a.s.m. me qëllim që vizitat tona të ishin të arsyeshme në të, ndërkohë papritmas m’u shfaq sa vijon:

Të vizituarit e atyre qimeve janë thjesht një Vesile –një mjet-; është një shkak për të kënduar salevate për profetin Muhammed a.s.m., dhe është boshti i dashurisë për të dhe i respektit e nderimit ndaj tij. Meqenëse ai ishte mjeti –vesileja-, natyra esenciale e gjësë nuk merret në konsideratë, por natyra e saj si një mjet. Prandaj, edhe në qoftë se ajo nuk ishte qimja e vërtetë nga qimet e profetit Muhammed a.s.m., ajo e kryen misionin e atij mjeti përderisa konsiderohet -nga ana e jashtme- të jetë kështu dhe njerëzit e kanë marrë atë se është njëra nga qimet e tij a.s.m.. Dhe meqenëse ajo qime është mjet për nderimin e tij, për dashurinë e tij dhe për të kënduar salevate mbi të, atëherë nuk është e domosdoshme për ta përcaktuar saktë dhe për të vërtetuar saktësinë e qimes por do të ishte e mjaftueshme, veçse në qoftë se do të kishte ndonjë dëshmi të sigurt për të kundërtën; sepse mendimet e mbajtura në përgjithësi dhe pranueshmëria që ka treguar komuniteti iskamik konsiderohet si një lloj prove.

Edhe në qoftë se disa njerëz të përkushtuar -me takva- do t’i kundërshtonin çështje të këtilla qoftë nga aspekti i frikës ndaj Zotit -takvasë- ose nga aspekti i marrjes së masave për t’u ruajtur, ose nga aspekti i të vepruarit me Azimen -vendosmëri-, ata kundërshtojnë qime të veçanta. Edhe në qoftë se ata do ta quanin një veprim të tillë si bidat -risi- përsëri ai përfshihet brenda “Bidatit Haseneh” -bidate të lavdërueshme, të miratueshme-, sepse ai është mjet për të kënduar salevate për Profetin Muhammed a.s.m..

Refet Bei tha në letrën e tij: “Kjo çështje ka qenë shkak debati e diskutimi midis vëllezërve”. Unë i këshilloj vëllezërit e mi që të mos debatojnë në një mënyrë që do të shkaktonte grindje e përçarje; ata duhet të mësohen t’i diskutojnë gjërat si një shkëmbim idesh, pa hyrë në polimika.

* * *

 

Me Emrin e Tij, qoftë Ai i lavdëruar!

“Dhe s’ka ndonjë gjë që të mos e lëvdojë Lartësinë e Tij”.

Vëllezërit e mi të dashur e besnikë nga Senirkenti[3], Ibrahim, Shukru, Hafiz Bekkir, Hafiz Husejn, Hafiz Rexhep Efendi!

Ateistët, për një kohë të gjatë kanë kundërshtuar tri çështjet të cilat ti i dërgove nëpërmjet Hafiz Teufikut.

E Para

Sipas kuptimit të qartë të vërsetit,

“Derisa, kur arriti vendperëndimin e Diellit, pa që ai perëndonte, në një vend ku buronte ujë i zi i nxehtë i turbulluar”,[4] ai pa diellin duke perënduar në një burim uji të nxehtë e me baltë.

E Dyta

Ku është: Pengesa e Dhul-Karnejnit?

E Treta

Kjo është rreth Isait -Jezusit- a.s. që do të vijë në Fundin e kohës dhe që do të vrasë Dexhalin.

Përgjigjet për këto pyetje janë të gjata, por ne do t’i tregojmë ato në mënyrë të shkurtuar dhe themi: Meqenëse vërsetet e Kur’anit i shprehin çështjet sipas stileve të gjuhës Arabe, në përshtatje me paraqitjet e jashtme, në një mënyrë që t’i kuptojnë njerëzit në përgjithësi, ato shpeshherë i shpjegojnë gjërat në formën e metaforave, të alegorive dhe të krahasimeve.

Atëherë vërseti  “pa që ai perëndonte, në një vend ku buronte ujë i zi i nxehtë i turbulluar”, do të thotë: Dhul-Karnejni shikoi diellin duke perënduar në brigjet e oqeanit Atlantik, i cili u duk si të ishte një burim me ujë të valuar e me baltë, ose e pa atë të perëndojë në një grykë të zjarrtë e të tymosur vullkanik. Domethënë, në shikimin e jashtëm, Oqeani Atlantik u duk për Dhul-Karnejnin në largësi si një pellg i një burimi të madh i rrethuar nga një moçal me një nxehtësi të fortë të diellit të verës duke lëshuar avull dhe si i turbullt; ai e pa perëndimin e dukshëm të diellit në një pjesë të tij. Ose ai e pa diellin, syrin e qiejve, duke u fshehur në një pellg të zjarrtë në majë të vullkanit, i cili po villte llavë dhe ishte i përzier me dhé, me shkëmbinj dhe me minerale të lëngshme.

Po, shprehjet elokuente e të mrekullueshme të Kur’anit të gjithurtë udhëzojnë nëpërmjet kësaj fjalie në çështje të shumta:

Së pari, duke shpjeguar se udhëtimi i Dhul-karnejnit për në perëndim përkoi e koinçidoi me nxehtësinë e fortë të verës, me zonën e moçalit, me kohën e perëndimit të diellit dhe me kohën e një shpërthimi vullkanik, vërseti aludon për shumë mësime udhëzuese të tilla, si: Pushtimi i plotë i Afrikës nga Dhul-karnejni dhe mbisundimi i tij në të.

Dihet qartë se lëvizja e dukshme e diellit është vetëm se një lëvizje e jashtme, dhe ajo tregon lëvizjen e fshehur të tokës dhe të pandjeshme; pra, ajo njofton atë lëvizje. Dhe çfarë ajo synon nuk është perëndimi i vërtetë i diellit.

Gjithashtu fjala ‘Burim’ është një metaforë, sepse një det i madh shikohet nga larg si një pellg i vogël. Shëmbëllimi i detit duke u shfaqur pas moçaleve dhe, mjegullat e avujt duke u ngritur prej tij për shkak të nxehtësisë, me ‘një burim të turbullt’; po ashtu përdorimi i Fjalës Ajn, e cila në arabisht ka kuptimin edhe burim, edhe diell, edhe sy, është më kuptimplota dhe më me vend në përputhje me misteret e elokuencës.[5]

Dhe siç u duk kështu perëndimi -i diellit- për Dhul-karnejnin nga largësia, po ashtu edhe adresimi qiellor i Kur’anit duke ardhur nga Froni më i madh dhe duke sunduar mbi trupat qiellorë, pohon se dielli i nënshtruar, i cili kryen detyrën e një llambeje në këtë bujtinë të të Gjithëmëshirshmit të Vetëm, është i fshehur në një burim Hyjnor ashtu si Oqeani Atlantik, dhe kjo është e përshtatshme për lartësinë, madhështinë dhe epërsinë e adresimit qiellor; nëpërmjet stilit të tij të mrekullueshëm, ai e shfaq detin të jetë një burim i nxehtë dhe një sy plot avull. Po, kështu duket deti për sytë qiellorë.

Shkurtazi: Duke e quajtur oqeanin Atlantik një burim me ujë të nxehtë e të turbulluar, tregon se Dhul-karnejni e shikoi atë oqean të madh si një burim për shkak të largësisë. Mirëpo për shkak se Kur’ani e shikon çdo gjë nga afër, ai nuk e pa atë që pa Dhul-karnejni, i cili ishte një lloj iluzioni. Në të vërtetë, meqenëse Kur’ani vjen nga qiejt dhe i shikon ato, ai e shikon tokën ndonjëherë si një faqe. Kështu, duke e quajtur Ajn -burim- detin madhështor i cili është Oqeani Atlantik që është mbuluar me mjegulla dhe me avuj, ai sigurisht tregon lartësinë, epërsinë dhe madhështinë e tij.

* * *

 

Pyetja  juaj e dytë

Ku ndodhet pengesa e Dhul-karnejnit? Kush ishin Xhuxh Maxhuxhët -Gog e Mangogët?

Prej shumë kohësh unë pata shkruar një trajtesë rreth kësaj pyetjeje. Ateistët mbetën të heshtur prej saj në atë kohë. Por unë nuk e kam atë trajtesë tani. Për më tepër, kujtesa ime nuk është në punë dhe nuk po më ndihmon. Gjithashtu kjo çështje është diskutuar pak në Degën e Tretë të Fjalës së Njëzet e Katërt. Prandaj, ne do të tregojmë në mënyrë shumë të shkurtuar vetëm dy ose tre pika rreth saj, sa vijon:

Sipas shpjegimeve të dhëna nga dijetarët shqyrtues e hetues, dhe siç tregohet nga titulli i Dhul-karnejnit, emrat që fillojnë me Dhu, si “Dhul-Jazan”, përdoreshin nga mbretërit e Jemenit, prandaj ky Dhul-Karnejn nuk ishte Aleksandri -Leka- i madh. Përkundrazi, ai ishte njëri nga mbretërit e Jemenit që jetoi në kohën e Ibrahimit a.s dhe mori mësim e udhëzim nga Hizri a.s.. Ndërsa Aleksandri grek jetoi afërsisht treqind vjet para krishtit -Hazreti Isait a.s.- dhe mori mësim nga Aristoteli.

Historia njerëzore daton në mënyrë të rregullt afërsisht që prej tre mijë vitesh. Ky shikim i mangët e i shkurtër i historisë nuk është i saktë lidhur me ngjarjet para kohës së Ibrahimit a.s.. Ajo ose i përmend ato si bestytni, ose i mohon ose i sjell në mënyrë shumë të shkurtuar. Arsyeja që ky Dhul-karnejni i Jemenit u bë i njohur qysh prej kohëve të hershme në komentimin e Kur’anit me emrin Aleksandër, ishte ose për shkak se ai ishte njëri nga Emrat e tij, dhe kështu ai Aleksandri i Madh ose Aleksandri i kohëve të lashta, ose ndryshe për shkak se Kur’ani duke e përmendur për qënien e saj si një majë e ngjarjeve universale, dhe kështu Aleksandri i madh i cili ishte Dhul-karnejni ndërtoi një barrierë -pengesë- ndërmjet njerëzve të cilët ishin shtypës dhe midis atyre që ishin të shtypur dhe ndërtoi murin kinez për të penguar sulmet e atyre armiqve mizorë. Gjithashtu, shumë mbretër të fuqishëm dhe pushtues të botës si Aleksandri Grek ndoqën rrugën e Dhul-karnejnit -në aspektin material- ndërsa një grup prej Profetëve dhe poleve shpirtërorë -Evlijave- të cilët janë mbretërit e botës shpirtërore të njerëzimit, e ndoqën atë në aspektin e çështjeve shpirtërore dhe të udhëzimit.. Ata ndërtuan barriera ndërmjet maleve, njëra nga mjetet më të efektshme për t’i mbrojtur të shtypurit nga shtypësit, dhe më vonë ndërtuan kala në maje të maleve. Ata i ndërtuan vetë ato barriera ose nëpërmjet fuqisë së tyre materiale, ose nëpërmjet udhëzimit tё tyre, orientimit e planimetrive të tyre. Pastaj ata ndërtuan mure përreth qyteteve dhe kështjella brenda qyteteve dhe, së fundi ata prodhuan mitralozë të lehtë koracata, topa e mburoja, të cilat ishin si kështjella të lëvizshme. Barriera më e famshme në tokë, muri më i madh kinez, mbulon një distancë të barabartë me shtatë ditë udhëtimi dhe u ndërtua për të ndaluar sulmet kundra njerëzve të shtypur të indisë e të kinës nga fiset e egra barbare të njohura në Kur’an si Xhuxh e Maxhuxh -Gog e Magog- ose si ndryshe të njohur nga historia si Mongolë e Mançurianë. Këto fise disa herë e kanë shkatërruar qytetërimin njerëzor. Duke u shfaqur nga prapa Maleve të Himalajës, ata shkatërruan njerëzit dhe rrënuan vendet në lindje e në perëndim. Kështu, ai mur, ajo barrierë e ndërtuar ndërmjet dy maleve afër vargmaleve të Himalajës u bë për një kohë të gjatë një pengesë përballë sulmeve të shpeshta të këtyre njerëzve të egër barbarë. Ashtu siç e ndërtoi Dhul-karnejni këtë barrierë, po ashtu u ndërtuan barriera të tjera të shumta nëpërmjet përpjekjeve të Mbretërve të Persisë së lashtë, të cilët i ngjasuan Dhul-karnejnit, në malet e Kaukazit, në krahinën e Darbandit -Darit, për të penguar sulmet e befasishme të popujve grabitqarë e plaçkitës të Tartarit. Ndodhen shumë barriera të këtij lloji: Meqenëse Kur’ani i gjithurtë i flet të gjithë njerëzimit, ai përmend atë që në dukje është një ngjarje e veçantë, duke të sjellë ndërmend të gjitha ngjarjet e ngjashme me të.

Për shkak të këtij këndvështrimi, rrëfenjat dhe thëniet e komentatorëve rreth Barrierës dhe Xhuxh e Maxhuxhëve, janë të gjitha të ndryshme.

Për më tepër, për sa ka të bëjë me temat e lidhura e të treguara, Kur’ani i gjithurtë kalon nga njëra ngjarje për tek një ngjarje e largët prej saj. Dikush që nuk mendon për këtë lidhje, i supozon dy ngjarjet se janë afër në kohë. Kështu, njoftimi i Kur’anit për ndodhjen e kijametit menjëherë pas shembjes së Barrierës, nuk është në lidhje me dy ngjarjet duke qenë afër njëra-tjetrës në kohë, por për dy pika të holla për sa ka të bëjë me lidhjen e subjekteve. Domethënë, ashtu siç do të shembet kjo barrierë, gjithashtu do të shembet edhe kjo dynja. Pastaj ashtu si malet që janë barriera të natyrshme Hyjnore e të ngulura fort dhe do të shkatërrohen vetëm në fundin e botës, po ashtu kjo barrierë e fortë si një mal, do të rrafshohet me tokën vetëm me shkatërrimin e Dynjasë në Kijamet. Madje edhe në qoftë se ajo do të pësojë dëmtime e shkatërrime nga sulmet e kohës, por pjesa më e madhe e saj do të mbetet e padëmtuar.

Por, megjithëse muri i madh kinez, i cili është njëri kuptim i pjesshëm e i veçantë nga kuptimi universal i Barrierës së Dhul-karnejnit ka mbetur për mijëra vite dhe akoma është për të gjithë për ta shikuar, ai lexohet si një rresht i gjatë i mishëruar, i gurëzuar dhe kuptimplotë nga historia e lashtë e shkruar nga dora e njeriut në faqen e tokës.

* * *

 

Pyetja juaj e Tretë

“Ndodhen përgjigje të shkurtëra lidhur me Isain a.s. -Jezusin- duke e vrarë Dexhalin, edhe në Mektubin –Letrёn- e Parë edhe në Mektubin e Pesëmbëdhjetë , të cilat janë të mjaftueshme për ju dhe janë tepër të përmbledhura.

* * *

 

Me Emrin e Tij, qoftë Ai i lavdëruar!

“Dhe s’ka ndonjë gjë që të mos e lëvdojë Lartësinë e Tij”.

Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi ju!

Vëllezërit e mi vetësakrifikues, besnikë e të përgjegjshëm, Hoxha Sabri dhe Hafiz Ali!

Megjithëse pyetja juaj e rëndësishme rreth vërsetit në fundin e Sures Lukman rreth Pesë gjërave të fshehura meriton një përgjigje të rëndësishme, fatkeqësisht as gjendja ime e tanishme e mendjes e as rrethanat e mia fizike nuk e lejojnë një përgjigje të tillë. Megjithatë, unë do të aludoj në mënyrë shumë të përmbledhur vetëm për disa pika që lidhen me pyetjen tuaj.

Pyetja juaj tregon se ateistët, të cilët janë shmangur nga rruga e vërtetë e fesë, kanë bërë kundërshtime e kritika lidhur me natyrën e embrionit në mitër që janë prej pesë gjërave të fshehura. Ata kanë thënë: “Instrumentet në observator mund të zbulojnë kohën kur bie shiu, atëherë këtë gjithashtu e di edhe dikush tjetër përveç Zotit xh.sh..

Gjithashtu edhe seksi i embrionit mund të njihet nëpërmjet rrezeve Rëntgen. Kjo do të thotë se është e mundur të njihen ‘Pesë gjërat e Fshehura’.

Përgjigjja: Meqenëse koha e rënies së shiut nuk lidhet me ndonjë ligj, atëherë ajo lidhet drejtpërdrejtë me Dëshirën Hyjnore. Një shembull urtësie në shfaqjen e tij nga thesari i Mëshirës duke u varur nga një dëshirë e veçantë Hyjnore është sa vijon:

E vërteta më e rëndësishme në univers dhe esenca më e çmueshme në të është ekzistenca, jeta, drita dhe mëshira; këto të katërta orientohen drejtpërdrejtë dhe pa ndërmjetësi e perde tek Fuqia Hyjnore dhe tek dëshira e Tij e veçantë. Tek krijesat e tjera, shkaqet e jashtme janë perde për ushtrimin e Fuqisë Hyjnore, dhe ligjet e caktuara dhe parimet deri diku janë një perde për dëshirën dhe për vullnetin Hyjnor, veçse ama ato perde e mbulesa nuk janë vënë para jetës, dritës dhe mëshirës, për shkak të mosrrjedhjes së urtësisë së ekzistencës së tyre në ato gjëra.

Meqenëse të vërtetat më të rëndësishme në ekzistencë janë mëshira dhe jeta, dhe shiu është burimi i jetës dhe boshti i mëshirës, madje ai është vetë mëshira, atëherë sigurisht ndërmjetësitë nuk mund të jenë perde para saj, as ligjet nuk mund ta mbulojnë dëshirën e veçantë Hyjnore për të, dhe kjo me qëllim që të detyrohet çdo individ në çdo kohë dhe për çdo çështje të japë falënderime e të bëjë adhurim, dua e lutje. Në qoftë se shiu do të kishte qenë përfshirë nën ndonjë ligj, atëherë gjithkush do të kishte qenë mbështetur tek ai ligj dhe, si rrjedhojë, dera e dhënies së falënderimeve dhe e bërjes së duave do të ishte mbyllur. Është e qartë se ndodhen dobi të shumta në lindjen e diellit. Por meqenëse ai lidhet me një ligj të caktuar, nuk i bëhen lutje Allahut për lindjen e tij, as nuk i bëhet ndonjë falënderim i veçantë.

Dhe meqenëse nëpërmjet atij ligji njihet nga njohuria njerëzore se ai do të lind të nesërmen, ajo nuk konsiderohet midis çështjeve të së Padukshmes. Por meqenëse ndodhitë e veçanta të shiut nuk ndjekin ndonjë ligj, njerëzit detyrohen në çdo kohë që të drejtojnë lutjet tek dera e Mëshirës Hyjnore dhe të kërkojnë mirësitë e Tij. Dhe meqenëse njohuria njerëzore ka qenë e pamundur që të përcaktojë kohën e reshjes së shiut, ata e kanë konsideruar atë si një mirësi të veçantë që buron vetëm nga thesari i mëshirës, dhe i bëjnë falënderime të vërteta Allahut për të.

Për shkak të kësaj, vërseti e përfshin kohën e rënies së shiut midis pesë gjërave të fshehura.

Nxjerrja e përfundimeve paraprake të rënies së shiut nëpërmjet instrumenteve në observatore dhe pastaj përcaktimi i kohëve të reshjes nuk është njohje e së padukshmes, por nëpërmjet studimit të disa shenjave paraprake kur ato janë shfaqur nga Bota e Padukshme dhe afrohen tek bota e Dukshme.

Kur ndodhin ngjarjet më të fshehta të së padukshmes, ose kur ato janë afër ndodhjes, kjo nuk konsiderohet njohje e së padukshmes, por është njohje për diçka ekzistuese ose për qënien e saj afër ekzistencës. Madje unë vetë, nëpërmjet një ndjeshmërie në nervat e mia e kapja dhe e parandjeja ardhjen e shiut, dhe ndonjëherë e parandjeja Njëzet e katër orë para se ai të vinte. Domethënë, shiu ka shenja paraprake, shenja paralajmëruese. Ato e shfaqin vetveten nëpërmjet një lagështire duke bërë të njohur se pas saj do të vijnë reshjet e shiut. Kjo gjendje, ashtu si një ligj, është një mjet për të arritur njohja njerëzore tek çështjet të cilat e kanë lënë Botën e Padukshme, por nuk kanë hyrë akoma në Botën e dukshme. Ndërsa njohja e rënies së shiut i cili nuk i ka vënë akoma këmbët në Botën e dukshme, as nuk kanë dalë akoma prej mëshirës së veçantë Hyjnore nëpërmjet dëshirës së Tij të veçantë, kjo është e posaçme për njohjen e të Gjithëditurit të së Padukshmes.

* * *

 

Çështja e Dytë

Njohja nëpërmjet rrezeve Rëntgen nëse një fëmijë në mitër është mashkull apo femër nuk është në kundërshtim me kuptimin e vërsetit,

“Dhe ai di se çfarë ka në mitra”,[6] i cili i referohet të Padukshmes, sepse ajo që synohet nga vërseti janë shenjat paraprake të aftësisë së veçantë të fëmijës, rrjedhja e caktuar e jetës së tij dhe boshti i saj, të cilat ai do t’i fitojë në të ardhmen, madje edhe stampa e çuditshme i të Adhuruarit të Përjetshëm në fytyrën e tij – që fëmija të njihet në këtë mënyrë, kjo është e veçantë për njohjen e të Gjithëditurit të së Padukshmes. Edhe në qoftë se do të kombinoheshin qindra e mijëra rreze rëntgen, si mendjet e njerëzve, ato përsëri nuk do të mund t’i zbulonin tiparet e tij të vërteta, secila nga ato tipare është një shenjë që e dallon fëmijën nga çdo individ prej individëve të të gjithë njerëzimit. Atëherë si do të mundeshin ata t’i zbulonin tiparet jolëndore të aftësive të tij, të cilat janë njëqind herë më shumë të çuditshme se sa tiparet e tij fizike.

Ne thamë në fillim se ekzistenca, jeta dhe mëshira janë të vërtetat më të rëndësishme në univers, dhe pozita më e lartë në të është ajo e tyre. Prandaj, një arsye për atë të vërtetë gjithëpërfshirëse të jetës duke shikuar me të gjitha pikat e saj të holla dhe me hollësitë e saj tek Vullneti dhe Mëshira Hyjnore, të cilat janë të posaçme për Allahun e Gjithëfuqishëm, është kjo:

Për shkak se jeta me të gjitha aftësitë e saj është burimi për dhënien e falënderimeve dhe boshti për adhurim e për tesbihate, ligjet dhe njëtrajtësia që janë një perde për dëshirën, e cila është vetëm e Allahut, dhe ndërmjetësitë e jashtme që mbulojnë mëshirën, e cila është e veçantë për Zotin e Gjithëfuqishëm, nuk janë vënë mbi të. Allahu i Plotëfuqishëm shfaq dy manifestime në tiparet fizike dhe jofizike të fëmijëve të palindur -të embrionit.

I Pari shfaq Unitetin Hyjnor, Njësinë dhe përjetshmërinë e Tij absolute, sepse embrioni -fëmija- dëshmon Unitetin e Krijuesit të tij dhe të Shpikësit nëpërmjet përshtatshmërisë së gjymtyrëve të tij themelore dhe harmonisë së organeve njerëzore me qëniet e tjera humane. Me këtë gjuhë, ai fëmijë thërret e bërtet: “Ai i Cili m’i dha këto tipare dhe gjymtyrë është Ai që ua dha ato të gjitha qënieve njerëzore, të cilët kanë ngjashmëri me mua lidhur me gjymtyrët themelore dhe Ai është Krijuesi i të gjitha qënieve të gjalla”.

Kështu, kjo gjuhë e fëmijës në mitër nuk i përket të padukshmes; ajo mund të njihet meqenëse ajo ndjek një ligj, vepron sipas një rregulli të caktuar dhe mbështetet tek natyra e embrionit -llojit. Kjo njohje është një gjuhë folëse dhe një degë e cila është varur nga bota e padukshme për tek Bota e dukshme.

Aspekti i Dytë: Nëpërmjet gjuhës së tipareve të aftësive të tij të veçanta dhe të veçorive individuale, embrioni -fëmija- shpall zgjedhjen e Krijuesit të tij, dëshirën e Tij absolute, vullnetin e Tij të posaçëm dhe mëshirën e Tij të veçantë. Kjo gjuhë është një gjuhë e së padukshmes duke ardhur prej andej; askush nuk ka mundësi ta shohë atë para se të vijë në ekzistencë përveç Njohjes së Parapërjetshme. Dhe këto tipare e veçori nuk mund t’i rrethojë a t’i përfshijë askush tjetër përveç Tij xh.sh..

Shkurtazi: Në tiparet e aftësisë së brendaqenësishme të embrionit dhe në tiparet e tij fizike ndodhen edhe dëshmia për Unitetin Hyjnor, edhe provat e Vullnetit Hyjnor dhe të Dëshirës Hyjnore.

Në qoftë se Allahu i Plotëfuqishëm do të japë sukses, do të shkruhen disa pika rreth ‘Pesë gjërave të fshehura’. Por për tani unë nuk kam më shumë kohë dhe gjendja ime nuk e lejon atë dhe, kështu po e mbyll fjalën time.

I Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!

Said Nursi

 

* * *

 

 

 

 

 

Me Emrin e Tij, qoftë Ai i lavdëruar!

“Dhe s’ka ndonjë gjë që të mos e lëvdojë Lartësinë e Tij”.

Vëllai im i dashur, besnik e kureshtar, Refet Bei!

Ti në letrën tënde pyet rreth Dhjetë aftësive të holla. Nuk është e përshtatshme që të jap udhëzim për Tarikatin Sufi në kohën e tanishme; sidoqoftë ndodhen veprat e dijetarëve Nakshibendi lidhur me Dhjetë aftësitë e holla. Detyra jonë në kohën e tanishme është të zbulojmë misteret e Kur’anit, dhe jo të tregojmë çështjet ekzistuese tashmë të njohura! Mos u ofendo, unë nuk mund të jap hollësira. Unë vetëm do të them këtë:

Imam Rabbani i përcaktoi dhjetë aftësitë e holla si zemra, shpirti, sekreti -zemra e brendshme-, e fshehta dhe më e fshehta. Ai përmendi se secili element nga katër elemetet tek njeriu ka një aftësi njerëzore të përshtatshme e në harmoni me të. Ai në mënyrë të përmbledhur përmendi përparimin dhe ngjitjen e secilës prej atyre aftësive dhe të gjendjeve të tyre në çdo shkallë të udhëtimit shpirtëror.

Unë vetë shikoj se ndodhen aftësi të shumta të holla të përfshira në natyrën gjithëpërfshirëse të njeriut dhe në mundësitë e tij jetike prej të cilave dhjetë janë bërë më të famshmet; saqë  filozofët dhe dijetarët e aspekteve të jashtme të gjërave i morën ato Dhjetë aftësi si bazat e teorive të tyre në një formë tjetër, duke i quajtur ato pesë shqiset e jashtme dhe pesë shqiset e brendshme, të cilat janë dritaret ose modelet e atyre Dhjetë aftësive. Në fakt, dhjetë aftësitë e holla, të cilat njihen si nga njerëzit e ditur ashtu edhe nga njerëzit e zakonshëm, lidhen me dhjetë aftësitë e holla të Tarikateve Sufi, dhe janë në harmoni me to. Për shembull, në qoftë se aftësitë, si: ndërgjegjja, nervat, ndjenjat, mendja, dëshirat, fuqia e dëshirave shtazore dhe fuqia e zemërimit do t’u shtoheshin a bashkëngjiteshin zemrës, shpirtit dhe zemrës së brendshme, atëherë dhjetë aftësitë e holla do të shfaqeshin në një formë tjetër. Përveç këtyre, ndodhen shumë aftësi të tjera të holla, si parandjenja dhe fuqitë e ndryshme shtytëse e stimuluese. Në qoftë se do të shkruhej realiteti i kësaj çështje, do të zgjatej shumë. Prandaj unë detyrohem ta pres shkurt duke mos hyrë në detaje meqenëse e kam kohën shumë të kufizuar.

Sa për pyetjen tënde të dytë rreth aspektit të gjërave të cilat shikojnë tek vetvetja dhe aspektit i cili shikon tek Krijuesi i tyre –Mana-ismi dhe Maëna harfijj-, ato janë shpjeguar në fillimin e të gjitha librave të gramatikës së arabishtes. Për më tepër, ndodhen shpjegime të mjaftueshme për to, së bashku me krahasimet, në veprat e shkencës së Hakikatit -realitetit- të quajtura Fjalët dhe Letrat. Për dikë të zgjuar e të saktë si shembulli yt, një diskutim i mëtejshëm do të ishte tepër i panevojshëm.

Në qoftë se ti do ta shikoje pasqyrën lidhur me qënien e saj si xham, ti do të shihje materialin e saj prej xhami, dhe imazhi i shfaqur në të do të dukej si diçka dytësore. Kurse në qoftë se qëllimi yt është për ta shikuar pasqyrën me qëllim që të shohësh imazhin e shfaqur në të -fytyrën tënde-, atëherë imazhi shfaqet i qartë para teje saqë të shtyn ty të thuash: “I shenjtëruar është Allahu, më i Miri i krijuesve”,[7] dhe xhami i pasqyrës do të mbetej diçka dytësore.

Shikimi i parë përfaqëson kuptimin Ismijj i cili shikon tek vetë gjëja. Domethënë, xhami i pasqyrës është kuptimi i synuar, kurse imazhi i njeriut që shfaqet në të është kuptim Harfijj, jo i synuar. Ndërsa tek Shikimi i dytë, imazhi i personit që shfaqet në të është i synuar, atëherë ky është kuptimi Ismijj, kurse xhami është kuptimi Harfijj.

Në librat e gramatikës thuhet lidhur me përkufizimin e ismit -emrit- se ai tregon një kuptim në vetvete, ndërsa Harfi tregon diçka tjetër përveç vetvetes. Sipas shikimit Kur’anor, të gjitha qëniet në univers janë shkronja duke shprehur një kuptim tjetër përtej vetvetes; domethënë ato shprehin manifestimet e Emrave të bukur Hyjnorë dhe Atributet Madhështore të Krijuesit Fuqiplotë që shfaqen tek krijesat.

Ndërsa shikimi i pashpirt -i vdekur- i filozofisë në shumicën e rasteve i shikon qëniet në përputhje me kuptimin i cili shikon tek vetë gjëja; dhe u shmang e ra në moçalin e natyrës.

Megjithatë… unë nuk kam kohë tani për të folur më shumë. Në fakt, unë madje nuk mund të shkruaj as pjesën e fundit të rëndësishme të indeksit e cila është shumë e lehtë dhe e kollajtë. Përcjellua selamet e mia shokëve të tu në studim dhe në mënyrë të veçantë, Husrevit, Bekirit, Rushdiut, Lutfiut, Shejh Mustafa, Hafiz Ahmedit, Sezaiut, Mehmetëve dhe Hoxhallarëve dhe unë lutem për fëmijët tuaj të pafajshëm e të bekuar në shtëpinë tuaj të bekuar.

I Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është I Qëndrueshmi i Vetëm!

Vëllai juaj, Said Nursi

 Lavdia të takon Ty! Ne nuk kemi njohuri përveç asaj që Ti na e ke mësuar. Në të vërtetë Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti.”

* * *

 

[1] Hakim, el Mustedrek

[2] Një anektodë rreth një çështjeje që do të kishte çuar në ngjarje serioze. Dje në mëngjes Sejjid Muhammed i cili ishte dhëndri i njërit prej shokëve të mi erdhi tek unë dhe tha i gëzuar dhe si dikush që jep lajme të gëzueshme: Kanë botuar në Isparta një libër prej librave të tu dhe shumë njerëz e lexojnë. Unë i thashë: Ai nuk është botim i ndaluar por është ai i cili është marrë prej kopjeve, është shumëfishuar me hektograf -makinë shumëfishimi-, dhe për atë qeveria nuk thotë asgjë. Unë i thashë gjithashtu; ki kujdes që mos t’ua thuash këtë shokëve të tu hipokritë, pasi ata kërkojnë gjëra që t’i përdorin si pretekst për të sulmuar. O shokët  e mi! Njeriu ishte dhëndri i njërit prej shokëve të mi, dhe me këtë lidhje ai konsiderohet nga të dashurit e mi, por ama nëpërmjet qënies berber, ai është shoku i mësuesit të pandërgjegjshëm dhe i drejtorit hipokrit. Këtë haber e dha njëri nga vëllezërit tonë atje duke qenë i pavetëdijshëm për të. Kështu ishte gjë e mirë që ai më njoftoi më parë dhe i thashë të kujdeset. Dhe me rolin tim i paralajmërova edhe vëllezërit gjithashtu. Dhe me të u bllokua fesadi -e keqja. Dhe makina shumëfishuese botoi mijëra kopje nën këtë perde. Autori.

[3] Një qytet pranë Barlas, në të cilin u internua Ustadhi.

[4] Kur’an, 18:86

[5] Fjala “burim” –ajn– tek  “një burim me ujë të nxehtë e të turbulluar” aludon për një kuptim të hollë në përputhje me misteret e retorikës, siç vijon:

Fytyra e qiellit pasi shikon nëpërmjet syrit të diellit bukurinë e mëshirës Hyjnore në faqen e tokës, dhe faqja e tokës pasi të shikojë nëpërmjet syrit të detit madhështinë Hyjnore në qiell, mbulohen dy sytë njëri brenda tjetrit dhe mbulohen burimet në faqen e tokës: vërseti Kur’anor me një fjalë të vetme dhe me një elokuencë të bukur e përmend këtë kuptim të hollë duke aluduar për atë që përfundon detyrën e syve, burimeve. Autori.

[6] Kur’an, 32:34

[7] Kur’an, 23:14