Lexo PDF 

 

SHKREPTIMA E NJËZET E NËNTË

 

Bismil-lahir-rahmanir Rahim

 Trajtesa e reflektimit të lartë rreth besimit, dhe e Njohjes së Njësisë së lartë.

 

Me Emrin e Tij, qoftë Ai i lavdëruar!

Vëllezërit e mi!

Kjo trajtesa e reflektimit është shumë e lartë dhe e vlefshme, dhe emërtimi që i dha imam Aliu, Zoti qoftë i kënaqur prej tij, duke e quajtur El-Ajetul-Kubra, Shenja më e madhe -nga një aspekt- e shpjegon plotësisht vlerën e saj të lartë.

Kjo është një trajtesë rreth Njohjes së besimit, e cila erdhi në zemër me shkallën e Shikimit të besimit të sigurt, gjatë kohës që po recitoja Dhikrin e tesbihatet e namazit dhe kjo prodhoi shumë trajtesa të Risale-i Nurit. Kjo u bë ushqim për mendjen e për mendimin dhe ilaç për ato të dyja për një kohë tridhjetë vjeçare. Atëherë do të ishte më e përshtatshmja që kjo të përfshihej midis koleksionit të Lemeatit dhe të botoheshin dyzet apo pesëdhjetë kopje prej saj.

Said Nursi

 

 

Kjo shkreptimë u shkrua gjatë një privimi absolut në Burgun Eskishehir para njëzet vitesh.

 

Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

Dhe Atij ne i kërkojmë ndihmë.

Lavdërimi i takon Zotit të të gjitha botëve, dhe bekimet, paqja e përshëndetjet qofshin për profetin Muhammed a.s.m. dhe mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë Sahabët e tij.

 

Sqarim

Para trembëdhjetë vitesh, zemra ime u kombinua me mendjen time dhe më shtynë mua për tek rruga e mendimit Reflektiv të cilën e Urdhëron Kurani i shpjegimit  të mrekullueshëm me vërsete të tilla si,

“… me qëllim që të mendoni, reflektoni,…”[1]

“Me qëllim që mbase ju mendoni”.[2]

“Se ndoshta mund të reflektojnë”.[3]

A nuk mendojnë thellë në veten e tyre? Allahu nuk i ka krijuar qiejt dhe tokën me gjithë ç’është ndërmjet tyre veçse me të vërtetën e me drejtësi…”[4]

“Vërtet që në këto gjëra ka shenja e tregues për njerëzit që reflektojnë, mendojnë”,[5] e të tjerë.

Hadithi profetik, kuptimi i të cilit është

 “mendimi reflektiv i një ore është më i mirë se sa adhurimi (vullnetar) i një viti”, pohon se në raste të ndryshme reflektimi i një ore mund të jetë i barabartë me adhurimin e një viti. Gjithashtu ai jep nxitje të fuqishme për mendimin reflektiv.

Për veten time, me qëllim që t’i ruaj dritat e shtrira dhe të vërtetat e zgjatura të cilat iu shfaqën mendjes dhe zemrës sime gjatë trembëdhjetë viteve, unë e kam ndjekur këtë rrugë. Unë kam shënuar një numër frazash nëpërmjet treguesve, jo për t’i treguar ato drita, por për të treguar ekzistencën e tyre, për të lehtësuar reflektimin në to dhe për të ruajtur rregullin e tyre. Unë i recitoja ato fraza me gojë në terma shumë të ndryshme arabe kur unë mora përsipër rrugën e reflektimit.

Duke bërë përsëritje me mijëra herë gjatë kësaj periudhe të gjatë kohe, unë as nuk u bëra i mërzitur, as kënaqësia që ato më dhanë nuk u pakësua, dhe as nevoja e shpirtit për to nuk u pakësua. Sepse, meqenëse gjithë ai reflektim përbëhej nga shkreptimat e vërseteve Kur’anore, cilësitë e mosdhënies mërzi dhe ruajtjes së ëmbëlsive të tyre, të cilat janë cilësitë e vërseteve, përfaqësoheshin në pasqyrën e atij mendimi reflektiv.

Unë në kohët e fundit kuptova se burimi i fuqishëm i jetës dhe dritat e shndritshme në pjesët e ndryshme të Risale-i Nurit janë shkreptimat e atyre vargjeve të mendimit, reflektimit. Duke menduar se ato do të kishin të njëjtin ndikim mbi të tjerët ashtu siç patën ndikuar tek unë, bëra nijet që t’i regjistroja e t’i grumbulloja aty nga fundi i jetës sime. Sigurisht, pjesët shumë të rëndësishme të tyre janë përfshirë në Risale-i Nurin, por një forcë e mëtejshme dhe një vlerë do të gjendet në to në tërësinë e tyre.

Meqenëse fundi i jetës nuk është i qartë, dhe meqenëse kushtet e burgimit tim këtu në Eskishehir kanë marrë një formë më të keqe se sa ajo e vdekjes, duke mos e pritur fundin e jetës, dhe me ngulmimin dhe imponimin e vëllezërve të mi, ato vargje mendimesh, reflektimesh u shkruan, pa i ndryshuar, si Shtatë ‘kapitujt’.

[Gjashtë kapitujt e mbetur të kësaj shkreptime janë publikuar në botimet e shumëfishuara me dorë të Shkreptimave dhe nuk janë përfshirë këtu]

 

 

Kapitulli i Tretë

 

 

Rreth shkallëve të ‘All-llahu Ekber’!

Ne do të përmendim shtatë prej tridhjetë e tre shkallëve të këtij kapitulli. Një pjesë e rëndësishme e atyre shkallëve është shpjeguar në Stacionin e Dytë të Letrës së Njëzet, dhe në fundin e vendqëndrimit të Dytë të Fjalës së Tridhjetë e dytë, dhe në fillimin e vendqëndrimit të tretë.

Ata që dëshirojnë ta kuptojnë realitetin e atyre shkallëve, le t’u referohen atyre pjesëve të Risale-i Nurit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shkalla e Parë

“Dhe thuaj: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun i Cili nuk ka lindur bir dhe i Cili nuk ka asnjë shok a të barabartë në mbisundimin e Tij, as nuk është Ai aq poshtë sa të ketë veli (ndihmues, mbrojtës). Dhe lartësoje Atë me gjithë Madhështinë e Madhërinë, thuaj Alla-llahu Ekber (Allahu është më i madhi!)”[6]

Allahu është më i madhi, Ai është i lartësuari! Në lidhje me fuqinë dhe me njohjen Ai është më i madh se çdo gjë tjetër; sepse Ai është Krijuesi, Shpikësi, Formëdhënësi, i Cili nëpërmjet fuqisë së Tij e krijoi dhe e modeloi njeriun si universin; Ai e shkroi universin me penën e kaderit të Tij ashtu siç e shkroi njeriun po me të njëjtën penë; sepse ajo botë e madhe ashtu si kjo botë e vogël, të dyja janë krijuar nga fuqia e Tij dhe të skalituara nga Pena e Kaderit të Tij. Ai e krijoi botën e madhe si një vend sexhdeje, ndërsa i dha ekzistencë botës së vogël duke e bërë atë të bie në sexhde; Ai e solli të parën në ekzistencë dhe e bëri atë si një pronë, ndërsa i dha ekzistencë të dytës duke e bërë si të pronësuar dhe të nevojshëm për pronë; Arti në të parën e shfaq atë si një libër, ndërsa ngjyrimi i dytë në të dytën shndrit nëpërmjet ligjëratës; fuqia e Tij në të parën shfaq madhështinë e Tij, kurse mëshira e Tij në të dytën rendit, radhit mirësinë e Tij; Madhështia e Tij në të parën dëshmon se Ai është Një; ndërsa mirësia e Tij në të dytën shpall se Ai është i Vetëm, i Pandashëm; Stampa e Tij në të parën është mbi të gjitha gjërat, në universalet dhe në të pjesshmet, qofshin në pushim apo në lëvizje, ndërsa vula e Tij në të dytën është mbi trupin, mbi gjymtyrët, në qelizat e tyre dhe në grimca.

Tani, soditi veprat e Tij si një e tërë: ti do të shohësh aq qartë si drita e ditës një shumicë, bollëk brenda një rregullshmërie e një sistemi absolut; në një shpejtësi absolute me një drejtpeshim absolut, në një lehtësi absolute me një mjeshtëri absolute, në një gjërësi absolute me një bukuri absolute arti, në një largësi absolute me një unitet të plotë të llojit, në një përzierje absolute me një dallueshmëri absolute, në një lirshmëri absolute -mungesë shpenzimi- së bashku me një vlerë absolute. Kjo situatë e shikuar dëshmon për mendjen e shëndoshë verifikuese dhe i detyron hipokritët të pranojnë se ky art dhe ky unitet janë vepra e Një të Vetmi i Cili Zotëron Fuqi Absolute dhe që është i Gjithëditur Absolut.

Në unitet ndodhet një lehtësi absolute, ndërsa në shumësi dhe në të përshkruarit ortakë me Zotin ndodhen vështirësi të pakuptueshme.

Në qoftë se të gjitha gjërat do t’i atribuoheshin një të Vetmi, atëherë krijimi i universit është aq i lehtë sa krijimi i një druri palme, dhe druri i palmës është aq i lehtë sa fruti.

Por, në qoftë se gjërat do t’i atribuoheshin shumësisë, atëherë krijimi i një druri palme do të ishte aq i vështirë sa krijimi i universit, dhe secili frut do të ishte aq i vështirë sa pema, kështu aq i vështirë sa të jetë e pamundur, sepse me një akt të vetëm, një person i vetëm mund të sigurojë një rezultat dhe një situatë për gjëra të shumta pa vështirësi dhe pa përdorur mjete të tjera. Ndërsa në qoftë se ajo situatë dhe ai rezultat do t’i referoheshin shumësisë, do të ishte e pamundur që t’i arrije ato veçse me vështirësi të mëdha, duke ndjekur mjete të tjera dhe me kundërshtime. Do të ishte si një oficer që ua referon detyrën ushtarëve, mjeshtri ndërtues t’ua referonte gurëve të ndërtesës, toka planetëve, ujëvara pikave të ujit dhe pika qëndrore e një rrethi t’ua referonte të gjitha pikave në perimetër.

Nëpërmjet misterit të ‘lidhjeve’ një fuqi e pakufishme është e pranishme në unitet. Një gjë apo një shkak nuk detyrohet të mbajë burimet e forcës së saj, dhe puna që rezulton prej shkakut fiton madhështi në lidhje me gjënë mbi të cilën ai mbështetet. Por kur shoqërohen e përshkruhen ortakë me Allahun, të gjitha shkaqet detyrohen t’i mbajnë vetë burimet e fuqisë së tyre, dhe punët që rezultojnë prej tyre zvogëlohen deri në shkallën e vëllimit të tyre. Për shkak të kësaj, një bletë dhe një mizë shpartalluan tiranët, dhe një bërthamë e vogël mban mbi vete një pemë të madhe.

Në qoftë se të gjitha gjërat do t’i atribuoheshin një të Vetmi, nuk do të kishte nevojë për të krijuar nga mosekzistenca absolute, përkundrazi, krijimi përbëhet nga transferimi i një qënieje që ka ekzistencë në njohje për tek ekzistenca e jashtme, ashtu si transferimi i imazhit, fotos në pasqyrë për tek letra fotografike duke vërtetuar kështu ekzistencën e saj të jashtme me lehtësi të plotë, ose si duke zbuluar fjalët e shkruara me bojë të padukshme me anë të shpërndarjes së një substance të veçantë mbi shkrim e cila e shfaq shkrimin e fshehur.

Kur gjërat u atribuohen shkaqeve dhe shumësisë, kjo do të bënte të domosdoshme që ato të ishin krijuar nga një mosekzistencë absolute, dhe kjo në qoftë se nuk do të ishte e pamundur, do të ishte më e vështira e gjërave. Në unitet është një lehtësi; është aq e lehtë derisa është e domosdoshme. Kurse në shumësi është një vështirësi e madhe; është aq e vështirë sa është e pamundur.

Në përputhje me urtësinë, me unitetin, është e pamundur të krijosh një qënie nga mosekzistenca absolute.

Domethënë, ta krijosh një qënie nga mosqënia e pastër menjëherë në çast, pa lëndë, dhe t’i derdhësh grimcat në kallëpin që ka ekzistencë në njohje pa vështirësi apo ngatërresë. Ndërsa, ashtu siç pajtohen në mendim të gjithë njerëzit e arsyes, me shumësinë dhe me të përshkruarit ortakë me Zotin xh.sh., krijimi origjinal është i pamundur nga mosekzistenca, sepse për ekzistencën e një krijese të gjallë, duhet të grumbullohen së bashku grimcat dhe elementet e shpërndara gjithandej tokës.

Dhe kur nuk ka kallëp, model ekzistues në njohje, për t’i ruajtur grimcat në trupin e një krijese të gjallë, secila grimcë duhet të posedonte një njohje gjithëpërfshirëse e të gjithanshme dhe një dëshirë absolute.

Përveç kësaj, nuk ekziston absolutisht nevoja për ato gjëra që supozohen të jenë ortakë me Zotin xh.sh. ashtu siç është e pamundur për to që të jenë ortakë. Atëherë të pretendosh se ato janë ortakë, ky pretendim do të ishte një arbitraritet i pastër; nuk ka asgjë në qënie që sugjeron se ato kanë ndonjë rol në krijimin e tyre, dhe asnjë shenjë nuk ekziston për të; sepse krijimi i qiejve dhe i tokës bën të domosdoshëm një fuqi të plotë e të pakufishme, e cila të mos ketë absolutisht asnjë nevojë për ortakë; ose përndryshe, nëse do të kishte ortakë, do të bëhej e domosdoshme ta përkufizosh dhe ta sjellësh në përfundim një fuqi të plotë të pafundme në kohë të pafundme me një fuqi që ka fund, megjithëse nuk ka domosdoshmëri për këtë, madje ndonëse e kundërta është e domosdoshme; dhe kjo është e pamundur në pesë drejtime. Atëherë ortakë të tillë janë të pamundur dhe të papranuar. Për më tepër, qëniet në asnjë mënyrë nuk sugjerojnë dhe as nuk tregojnë për ekzistencën e tyre.

Ne e kemi shpjeguar këtë çështje në vendqëndrimin e Parë të Fjalës së Tridhjetë e dytë, duke treguar se si të gjitha gjërat nga grimcat e vockëla deri tek planetët, dhe nga planetët për tek tiparet individuale të fytyrës në vendqëndrimin e Dytë, e refuzojnë të përshkruarin ortakë me Zotin xh.sh. dhe shfaqin stampën e Unitetit Hyjnor mbi të gjitha ato.

Ashtu siç nuk ka Ai ortakë, po ashtu Ai nuk ka as ndihmës as ministër. Shkaqet nuk janë gjë tjetër veçse perde të holla për drejtimin e Fuqisë së parapërjetshme; në realitet ato nuk kanë efekt krijues -në asnjë gjë-; sepse më e larta e shkaqeve, dhe ai me dëshirën më të shtrirë është njeriu; dhe nga njëqind pjesët e akteve më të dukshme të vullnetshme të tilla si të ngrënit, të folurit dhe të menduarit, ai ka vetëm një pjesë të dyshimtë.

Në qoftë se fuqia e vërtetë në dispozicion e më të lartit të shkaqeve dhe ai me dëshirën më të shtrirë është kështu i kufizuar siç e keni parë, atëherë si do të ishte e mundur për kafshët e për krijesat e gjalla të kenë pjesë në krijimin dhe në Hyjninë e Krijuesit të qiejve e të tokës?

Ashtu si zarfi në të cilin një mbret ka vendosur një dhuratë, ose shamia në të cilën ai mbështjell një dhuratë ose mbajtësi, shoqëruesi, i cili e sjell dhuratën tek ty, të cilët nuk mund të jenë partnerë në sovranitetin e mbretit, po ashtu shkaqet nëpërmjet të cilave dërgohen dhuratat për tek ne, nuk mund të jenë partnerë apo ndihmës për Zotin, apo ndërmjetësi që të kenë ndonjë efekt.

Shkalla e Dytë

Allahu është më i madh, Ai është më i lartësuari; Në lidhje me fuqinë dhe me njohjen, Ai është më i madh se sa çdo gjë tjetër.

Ai është Krijuesi, i Gjithëdituri, Autori i Gjithurtë, i Gjithëmëshirshmi dhe Mëshirëploti; sepse qëniet e tokës dhe trupat e lartë qiellorë në kopshtin e universit, në mënyrë të vetëkuptueshme, janë mrekullitë e fuqisë së Krijuesit të Gjithëditur, dhe këto bimë të stolisura e shumëngjyrëshe të shpërndara në parkun e tokës dhe shumë lloje të kafshëve të shfaqura e të shpërndara gjithandej parkut janë në mënyrë të domosdoshme çudirat e jashtëzakonshme të artit të një Autori të Gjithurtë; dhe lulet buzëqeshëse dhe frutat e zbukuruara në kopshtet e këtij parku janë në mënyrë të qartë dhuratat e mëshirës së të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotë.

Këto mrekullira të Fuqisë, këto çudira të jashtëzakonshme të artit dhe këto dhurata të mëshirës dëshmojnë, thërrasin dhe shpallin se Krijuesi i tyre, Modelisti dhe Dhuruesi është i Plotëfuqishëm mbi të gjitha gjërat, i Njeh të gjitha gjërat dhe Mëshira dhe njohja e Tij i rrethojnë dhe i përfshijnë të gjitha gjërat.

Në lidhje me fuqinë e Tij, grimcat dhe yjet janë të barabarta; e pakta dhe e shumta janë njëlloj; e vogla dhe e madhja, e fundmja -e kufizuara- dhe e pafundmja janë të barabarta. Të gjitha ngjarjet e së shkuarës dhe ndodhitë e saja të çuditshme, janë mrekullitë e artit  të Krijuesit të Gjithurtë dhe dëshmojnë se ky Krijues është i Gjithëfuqishëm për të gjitha mundësitë e së ardhmes dhe për ndodhitë e saja të çuditshme, sepse Ai është Krijuesi i Gjithëditur, i Larti dhe i Gjithurti.

Lavdia i takon Atij i Cili e bëri parkun e tokës ekspozitën e artit të Tij, vendtubimin e krijesave të Tij, manifestimin e fuqisë së Tij, boshtin e urtësisë së Tij, kopshtin e mëshirës së Tij, fushën e kultivueshme të Parajsës së Tij, vendkalimin e krijesave, vendi nëpërmjet të cilit vërshojnë qëniet, dhe masën e artifakteve të Tij.

Kafshët e stolisura, zogjtë e zbukuruar, pemët e bëra frytdhënëse dhe bimët e zbukuruara me lule janë mrekullitë e njohjes së Tij, çudirat e jashtëzakonshme të modelimit të Tij, dhuratat e Bujarisë së Tij dhe provat e mirëbërësisë së Tij.

Lulet duke buzëqeshur me stolinë e frutave, zogjt duke kënduar në flladin e mëngjesit të hershëm, shiu duke kërcitur në petalet e luleve, nënat duke përqafuar me dhembshuri e butësi të vegjëlit e tyre, që të gjitha bëjnë të njohur të Dashurin e Vetëm, bëjnë të dashur të Gjithëmëshirshmin e Vetëm dhe Dashamirësin Gjithëbujar për xhindet e për njerëzit, për qëniet shpirtërore, për melekët dhe për kafshët.

Farërat dhe frutat, kokrrat dhe lulet janë mrekullitë e Fuqisë, çudirat e Artit, dhuratat e mëshirës, provat e unitetit; ato dëshmojnë për mirësitë e Tij në botën e Ahiretit. Ato janë dëshmitarë të vërtetë që dëshmojnë se Krijuesi i tyre është i Gjithëfuqishëm mbi të gjitha gjërat dhe i Gjithëditur për të gjitha gjërat; që me mëshirën e Tij, me njohjen, krijueshmërinë e planifikimin, artin dhe modelimin, Ai i rrethon dhe i përfshin të gjitha gjërat. Në lidhje me krijimin e Tij, planifikimin, artin dhe modelimin, dielli është si një farë e vockël, një yll si një lule, dhe toka si një kokërr drithi; sepse farërat dhe frutat janë pasqyrat e unitetit në çdo pjesë të shumësisë; ato tregojnë Kaderin Hyjnor; ato janë shenjat e Fuqisë që tregojnë unitetin e burimit të kësaj shumësie. Duke ardhur nga ai burim, ato dëshmojnë unitetin e artit dhe të modelimit të Krijuesit të tyre. Atëherë, duke ardhur në fund në unitet, ato përmendin urtësinë e krijueshmërisë dhe të planifikimit të Krijuesit.

Farërat dhe frutat janë gjithashtu aluzionet e urtësisë duke treguar se Krijuesi i universales sheh me shikimin e Tij gjithëpërfshirës tek e pjesshmja dhe pastaj tek pjesët e saj, sepse frutat janë qëllimi më i qartë i krijimit të pemës. Kështu, njeriu është qëllimi i universit dhe qëllimi kryesor i Krijuesit të qënieve.

Zemra e njeriut është si një farë dhe pasqyra më e ndritshme e Krijuesit të krijesave. Për shkak të kësaj urtësie në univers, njeriu i vogël është boshti kryesor, dhe arsyeja për ringjalljen e këtyre qënieve, për shkatërrimin, transformimin, ndryshimin, dhe për ripërtëritjen e këtij universi.

Allahu është më i Madhi!

O Madhështor i Vetëm!

Mendjet nuk mund të depërtojnë tek Esenca e Madhështisë Tënde!

Të gjitha qëniet thonë bashkarisht: La ilahe il-la Hu, Nuk ka Zot tjetër përveç Atij!

Në mënyrë të përsëritur duke kërkuar plotësimin e nevojave të tyre, ato deklarojnë:

Ja Hakk!, o i Vërtetë!

Së bashku ato recitojnë duke thënë:

Ja Hajj, o i Gjallë i Përjetshëm!

Shkalla e Tretë[7]

Kjo është shpjeguar e sqaruar në fillimin e vendqëndrimit të Tretë të Fjalës së Tridhjetë e Dytë.

Allahu Ekber! Allahu është më i Madhi, lavdia i takon Atij! Në lidhje me fuqinë dhe njohjen Ai është më i Madhi se sa të gjitha gjërat, sepse Ai është i Gjithëfuqishëm, Përcaktues, i Gjithëditur, i Gjithurtë, Formëdhënës, Gjithëbujar, Hirplotë, Zbukurues, Mirëbërës, I Dashur, Ai që e bën të njohur Madhështinë e Vet, I Gjithëmëshirshëm, Mëshirëplotë, Dashamirës, I Bukur, Hirploti i Vetëm që Zotëron bukuri e plotësi absolute, Skalitësi i parapërjetshëm, që realitetet e universit si një tërësi apo me pjesët e tij, dhe me nivelet e tij dhe faqet dhe në lidhje me ekzistencën e tyre dhe me qëndrueshmërinë, realitetet e tyre janë veçse:

  • Shkrime të mirërenditura e të drejtpeshuara të Penës së Kaderit e të Vendimit të Tij, në përputhje me njohjen dhe urtësinë;
  • Janë përshkrimet e skalitjet e kompaseve të Njohjes dhe të urtësisë së Tij të shkruara me art;
  • Janë zbukurimet e Dorës vezulluese të Artit të Tij dhe dhënia e formës, zbukurimi i Tij dhe ndriçimi, me mirësi e bujari;
  • Janë lulet e hollësive të mirësisë së Tij dhe të bujarisë, të bërjes së njohur e të dashur të Vetvetes së Tij, bujarisht e me mëshirë;
  • Janë frutat e begatisë së pranverës së mëshirës së Tij dhe të mirësisë së Tij dhe të butësisë, me bukuri e plotësim;
  • Dhe janë shkreptimat e bukurisë së përjetshme, të plotësimit të vazhdueshëm, të dëshmuara nga përkohshmëria e pasqyrave dhe nga rrjedhshmëria e vendeve të reflektimit së bashku me vazhdimësinë e manifestimit të bukurisë nëpërmjet kalimit të stinëve, të shekujve dhe të epokave, së bashku me vazhdimin e mirëbërësisë gjatë kalimit të krijesave, të kohës dhe të qënieve.

Po, natyra kalimtare e pasqyrave dhe kalimi i qënieve së bashku me manifestimet e vazhdueshme dhe me shkëlqimet tregojnë me qartësinë më të madhe se ajo bukuri e qartë dhe Ai plotësim i shndritshëm nuk u përkasin vendeve të manifestimit; ato provojnë në mënyrën më të qartë e me elokuencë se ato i përkasin Bukurisë së shenjtë, Dhuruesit të Shenjtë, Ekzistuesit të Vetëm të domosdoshëm, Të Qëndrueshmit dhe të Dashurit.

Sepse një vepër e plotë në mënyrë të vetëkuptueshme tregon një akt të plotë. Dhe një akt i plotë në mënyrë të domosdoshme tregon një emër të plotë dhe një autor të plotë të aktit. Dhe një emër i plotë, padyshim, tregon një atribut të plotë. Dhe një atribut i plotë padyshim tregon një cilësi të plotë. Dhe një cilësi e plotë sigurisht që tregon plotësinë në një mënyrë të denjë për esencën e Tij. Kjo është absolutisht e sigurtë.

Shkalla e Katërt

Allahu Ekber, Allahu është më i Madhi. I Lartësuar është Vetëm Ai! Sepse Ai është i Drejtë, Gjykatësi i Përjetshëm i Gjithurtë dhe Sovrani Absolut i Cili e themeloi trungun e pemës së Universit për gjashtë ditë në përputhje me parimet e Urtësisë dhe të Dëshirës së Tij. Ai e ndau atë në pjesë në përputhje me rregullat e Kaderit dhe të Vendimit të Tij. Ai e organizoi atë nëpërmjet ligjeve të Praktikave të Tij. Ai e stolisi dhe e zbukuroi në përputhje me ligjet e mëshirës dhe të përkujdesjes së Tij. Ai e ndriçoi atë nëpërmjet manifestimeve të Emrave dhe të Atributeve të Tij. E gjitha kjo dëshmohet nga sistemi, dhe nga rregullshmëria e artifakteve të Tij, nga zbukurimi i qënieve të Tij, nga ngjashmëria dhe harmonia e tyre e ndërsjellë, nga ndihma dhe nga bashkëveprimi i ndërsjellë dhe nga përqafimi i tyre me njëri-tjetrin dhe nga arti i vetëdijshëm e plot mjeshtëri në të gjitha gjërat në përputhje me masën e kapaciteteve të tyre të specifikuar nga Kaderi Hyjnor.

  • Urtësia universale në rregullin e Universit,
  • Përkujdesja e Plotë në zbukurimin e tij,
  • Mëshira e gjithanshme në mirësinë që i është dhuruar atij,
  • Ushqimi -rizku- dhe furnizimet gjithëpërfshirëse për të ushqyer qëniet e tij,
  • Nëpërmjet shfaqjes së tij të Atributeve esenciale të Krijuesit të tij, jetës së çuditshme dhe artit që ai shfaq,
  • Dhe bukuritë e synuara të zbukurimit të tij,
  • Dhe pavarësisht përkohshmërisë së tij, manifestimi i vazhdueshëm i bukurisë së reflektuar në të,
  • Dhe dashuria e vërtetë në zemrën e tij për Atë të Vetëm të Cilin e adhuron,
  • Dhe tërheqja e dukshme në ekstazën e saj,
  • Dhe pajtueshmëria në mendim e të gjithë të plotësuarve në të, lidhur me Unitetin e Krijuesit të tij,
  • Dhe dobitë e njëpasnjëshme në të gjitha pjesët e tij,
  • Dhe rezultatet e tij të arritura nëpërmjet planit të gjithurtë dhe planifikimi i gjithurtë i bimëve të tij.
  • Të ushqyerit bujarisht e me bollëk i qënieve të tij,
  • Rregulli i plotë në ndryshimet e elementeve kryesore të tij
  • Qëllimet e mëdhaja të ndjekura në rregullin e tërësisë së tij,
  • Dhe krijimi i menjëhershëm, në çast, me një art krejtësisht të plotë, pa pasur nevojë as për kohë e as për lëndë,
  • Individualitetet e urta që u janë dhënë qënieve të tij ngurruese midis mundësive të pakufishme,
  • Nevojat më të shumta e të ndryshme të qënieve të tij që u plotësohen në kohët më të përshtatshme në mënyra të paparashikuara, dhe madje edhe dëshirat e tyre më të vogëla, duart e të cilave nuk mund t’i arrijnë ato nevoja, nuk mund t’i plotësojnë.
  • Fuqia absolute e manifestuar në mineralin e dobësisë së tij,
  • Forca absolute e manifestuar në burimin e pafuqisë së tij,
  • Jeta e shfaqur në pagjallërinë e tij, në pajetësinë.
  • Vetëdija e gjithanshme e shfaqur në paditurinë e tij;
  • Rregulli i plotë brenda ndryshimeve të tij, duke bërë të domosdoshme ekzistencën e një Tjetri i Cili është i Pandryshueshëm,
  • Pajtimi në tesbihatet e tij si rrathë bashkëqëndrorë të përqëndruar në një pikë,
  • Pranueshmëria e tre llojeve të duave të bëra nëpërmjet gjuhëve të gjendjeve të tyre të natyrshme, me gjuhën e nevojave të tyre të bashkëlindura dhe me gjuhën e kërkesës së domosdoshme.
  • Lutjet, shikimet dhe shkëlqimet në adhurimin e tij,
  • Rregulli në paracaktimin e tij,
  • Qetësia e gjetur në përmendjen e Krijuesit të tij,
  • Adhurimi në të duke qenë një mjet për ta sjellë bashkë fillimin e tij dhe fundin, dhe shkaku i plotësimeve të tij duke u bërë të dukshme dhe qëllimet e Krijuesit të tij duke u realizuar,
  • Dhe së bashku me këto, të gjitha atributet e tjera të universit, gjendjet dhe rrethanat dëshmojnë se të gjitha qëniet e tij janë nën drejtimin e një Planifikuesi të Vetëm të Gjithurtë, dhe të mbështetur nga një Furnizues i Vetëm Gjithëbujar; se ato të gjitha janë shërbëtorët e Një Udhëzuesi të Vetëm; nën drejtimin e një Drejtuesi të Vetëm, dhe se burimi i tyre është fuqia e një të Vetmi, vulat e shumta të Unitetit të të Cilit janë të dukshme në të gjitha letrat e të gjitha faqeve të qënieve të Tij:

Po, të gjitha lulet, frutat, bimët, pemët, kafshët, gurët dhe madje edhe grimcat dhe balta, në të gjitha luginat dhe mbi të gjitha malet, dhe shkretëtirat dhe djerrinat janë vula midis skalitjeve dhe veprave, për ata që shikojnë me vëmendje, ato tregojnë se Ai që e bëri veprën, është pikërisht Ai që e shkroi mbishkrimin i cili përfshin vendin. Ai gjithashtu është Shkruesi e Skalitësi i faqes së tokës dhe poshtë deteve. Ai gjithashtu i skaliti diellin dhe hënën në faqen e qiejve të cilët përmbajnë shumë mesazhe të tilla. Lavdia i takon Skalitësit të Lartësuar të tyre! All-llahu Ekber! Allahu është më i Madhi!

Bota dhe gjithçka që ndodhet brenda saj recitojnë bashkërisht: “Nuk ka Zot tjetër përveç Tij”.

Shkalla e Pestë[8]

Allahu Ekber! Zoti është më i Madhi! Sepse Ai është Krijuesi, i Gjithëdituri, Formëdhënësi dhe Gjithëshikuesi për Hyjninë dhe Madhështinë e të Cilit këto trupa qiellorë dhe yjet e shndritshëm vezullues janë prova; ato janë rreze që dëshmojnë Hyjninë dhe Madhështinë e Tij. Ato dëshmojnë e shpallin Sovranitetin e Tij të ndritshëm dhe Hyjninë e Tij; ato shpallin shtrirjen e gjërë të sundimit të Tij e të Urtësisë së Tij, si dhe gjërësinë Madhështore të Fuqisë së Tij.

Dëgjoje vërsetin:

“A nuk e kanë parë qiellin mbi ta, si Ne e kemi ndërtuar atë dhe zbukuruar, dhe s’ka asnjë të çarë në të?”[9]

Pastaj hidhe vështrimin tek faqja e qiejve, ti do të shohësh se si ai është i heshtur në qetësinë e vet, si ai është në lëvizje me urtësi, si ai është vezullues me madhështi, si ai buzëqesh me zbukurimin e tij, brenda rregullit të krijimit të tij, simetrisë së artit të tij.

Shkëlqimi i llambës së tij -diellit- për ndryshimin e stinëve, fazat e fenerit të tij -hënës- për të ndriçuar gjurmët dhe vezullimi i yjeve të tij për të stolisur botërat shpallin për ata, të cilët mendojnë, një sovranitet të pakufishëm e të pafundmë duke rregulluar këtë botë.

Kështu, Krijuesi i Gjithëfuqishëm është i Gjithëditur për të gjitha gjërat, Dëshira e Tij është e gjithanshme; ajo që Ai ka dashur është, dhe ajo që Ai nuk ka dashur nuk është. Ai është i Gjithëfuqishëm mbi të gjitha gjërat nëpërmjet fuqisë së Tij esenciale gjithëpërfshirëse absolute. Ashtu siç nuk është as e mundur dhe as e imagjinueshme për diellin sot të ekzistonte pa dritë e pa nxehtësi, po ashtu është e pamundur dhe e paimagjinueshme ekzistenca e një Zoti, Krijues i qiejve dhe i tokës, të ekzistonte pa njohje gjithëpërfshirëse dhe pa fuqi absolute. Nga domosdoshmëria, Ai është i Gjithëditur për të gjitha gjërat me njohuri gjithëpërfshirëse esenciale për Qënien e Tij. Nga domosdoshmëria një njohuri e tillë është e lidhur me të gjitha gjërat; nëpërmjet misterit të prezencës, të shikimit, depërtimit dhe të gjithëpërfshirjes së ndritshme, asgjë nuk ka mundësi të jetë e ndarë, e shkëputur, apo jashtë një njohjeje të tillë.

Drejtpeshimi dhe rregulli që vëzhgohen në të gjitha qëniet, përpjestueshmëria e rregullt dhe e drejtpeshuar, urtësia universale, mirëbërësia e plotë, rregullshmëria e mirëbalancuar, prodhimtaria -frytëzimi- i paracaktuar, çasti i përcaktuar i vdekjes, furnizimi me rregull, përsosuria e plotë dhe saktësia, siç vërtetohet nga shkenca, bukuria e kujdesshme, dallueshmëria krejtësisht e përkryer, drejtpeshimi, rregulli, mjeshtëria dhe lehtësia absolute, që të gjitha këto dëshmojnë njohjen gjithëpërfshirëse mbi të gjitha gjërat të Njohësit të së Padukshmes.

Vërseti, “A nuk e di Ai i Cili i ka krijuar? Dhe Ai është më i Buti dhe më Dashamirësi (ndaj robëve të Tij), i Mirënjohuri për çdo gjë”.[10]  tregon se ekzistenca e një gjëje bën të domosdoshme njohjen rreth saj, dhe drita e ekzistencës së gjërave bën të domosdoshme dritën e njohjes rreth tyre.

Krahasimi ndërmjet artit të bukur të njeriut duke treguar zgjuarsinë e tij me dëshminë e krijimit të njeriut për njohjen e Krijuesit të tij, është si krahasimi i dritës pambarimisht e vogël e një xixëllonje në një natë të errët me shkëlqimin madhështor të diellit në mesditë mbi faqen e tokës.

Dhe ashtu siç është Ai i gjithëditur për gjithçka, po ashtu Ai është Dëshirues për gjithçka, sepse nuk është e mundur për diçka që të realizohet pa u dëshiruar. Ashtu si fuqia që është e efektshme, që ndikon dhe njohja bën dallueshmërinë, po ashtu dëshira specifikon e përcakton; pastaj realizohet ekzistenca e gjërave.

Ndodhen dëshmi për ekzistencën e Dëshirës Hyjnore dhe për zgjedhjen aq sa numri i gjendjeve, i fazave dhe i cilësive të gjërave.

Po, të gjitha gjërave duke iu dhënë rregulli dhe duke u përcaktuar me cilësi të veçanta midis mundësive të pakufishme, midis rrugëve shterpa prej rrjedhave të ngatërruara të elementeve të paujdisura, duke iu dhënë një rregull të tillë të hollë e të ndjeshëm, dhe duke iu dhënë atyre një drejtpeshim me një balancë të tillë të hollë e të ndjeshme, ashtu siç vëzhgohen qartë; dhe krijimi i qënieve të gjalla të mirërregulluara nga lënda e thjeshtë e pajetë -si njeriu dhe sistemet e tij fizike nga sperma- dhe zogjt dhe gjymtyrët e tyre nga vezët, dhe pemët dhe pjesët e tyre të ndryshme nga farërat- tregojnë se të gjitha gjërat specifikohen dhe përcaktohen me anë të Dëshirës së Tij, të zgjedhjes dhe të vullnetit. Ashtu si gjërat e të njëjtit lloj që i korrespondojnë njëra-tjetrës dhe gjymtyrët e të njëjtës specie që i ngjasojnë njëra-tjetrës për sa ka të bëjë me gjymtyrët bazë, gjë e cila tregon se nga domosdoshmëria Krijuesi i tyre është Një i Vetëm, po ashtu çdo gjymtyrë duke pasur një individualitet të urtë duke përmbajtur shenja e tipare dalluese të mirërregulluara, tregon se Ai Krijues i Vetëm, Një, është Veprues me dëshirë e me zgjedhje, i Cili vepron siç dëshiron dhe urdhëron çfarë të dojë.

Dhe ashtu si Ai Krijues i Gjithëditur e Dëshirues që ka njohuri për të gjitha gjërat dhe është Dëshirues për çdo gjë dhe ka njohje gjithëpërfshirëse, dëshirë të gjithanshme dhe zgjedhje të plotë; po ashtu Ai ka një fuqi të domosdoshme, esenciale dhe të plotë, e cila buron nga Esenca e Tij dhe është e domosdoshme për atë Esencë. Ndërhyrja e të kundërtës së saj është e pamundur, sepse ajo do të bënte të domosdoshme bashkimin e të kundërtave, gjë e cila është e pamundur, ashtu siç pajtohen të gjithë me këtë mendim. Atëherë nuk ka shkallë në fuqinë e Tij. Grimcat dhe yjet janë të barabarta në lidhje me atë fuqi, ashtu siç janë të barabarta për të; e shumta dhe e pakta, e vogla dhe e madhja, e pjesshmja dhe universalja, pjesa dhe e tëra, njeriu dhe Universi dhe bërthama dhe pena.

  • Nëpërmjet misterit të ‘Dritësisë’, ‘Tejdukshmërisë’, ‘Reciprocitetit’, ‘drejtpeshimit’, ‘Rregullit’ dhe ‘përshtatjes’.
  • Sipas dëshmisë së rregullit absolut, drejtpeshimit absolut, dallueshmërisë absolute, së bashku me shpejtësinë absolute, lehtësinë dhe shumësinë.
  • Nëpërmjet misterit të ‘Mbështetjes së Unitetit’, ‘Lehtësisë së Unitetit’, dhe Manifestimit të Njësisë.
  • Nëpërmjet urtësisë së ‘Domosdoshmërisë’, ‘Shkëputjes -veçimit- të plotë dhe çlirimit’ dhe ‘tjetërisë së plotë të Esencës’.
  • Nëpërmjet misterit të ‘pakufizueshmërisë’, duke mos qenë i lidhur nga hapësira, dhe nga ‘pandashmëria’;
  • Nëpërmjet urtësisë së transformimit të pengesave dhe të vështirësive në mjete për lehtësim nëse do të ishte nevoja, ndonëse nuk ka asnjë nevojë -si venat dhe damarët e njeriut dhe si telat metalikë për përcjelljen e elektricitetit dhe të forcave të holla.
  • Nëpërmjet urtësisë së grimcave që nuk janë më me pak elokuencë se sa yjet, as të pjesshmet nuk janë më me pak elokuencë se sa universalet, as pjesët nuk janë më me pak elokuencë se sa të tërat, as të paktat nuk janë më me pak elokuencë se sa të shumtat, as të voglat nuk janë më me pak elokuencë se sa të mëdhatë, as njeriu nuk është më me pak elokuencë se sa bota dhe as farërat nuk janë më me pak elokuencë se sa pema.
  • Në përputhje me të gjitha këto, grimcat janë të barabarta me yjet përpara asaj fuqie, të paktat janë të barabarta me të shumtat, të voglat janë të barabarta me të mëdhatë, pjesët janë të barabarta me të tërat, të pjesshmet janë të barabarta me universalet, njeriu është i barabartë me botën, dhe fara është e barabartë me pemën; nuk mund të vlerësohet si e pagjasë se Ai që krijon të parën, krijon edhe të dytën, sepse qëniet që janë gjithëpërfshirëse janë shembuj të zvogëluar të universit duke rrethuar e gjithëpërfshirë qëniet, dhe si mesazhe të vogla, ose si pika të distiluara prej tyre. Domethënë, gjëja që është e gjithëpërfshirë duhet të jetë në kapjen e Fuqisë së Krijuesit të gjësë së rrethuar me qëllim që shembulli i zvogëluar i qënies së rrethuar mund të përfshihet brenda gjësë së rrethuar nëpërmjet parimeve të njohjes së Tij, dhe përmbledhja e gjësë së rrethuar të mund të shtypet prej saj në përputhje me balancën e urtësisë së Tij. Atëherë fuqia që i krijon këto të pjesshme, nuk e ka të vështirë që t’i krijojë ato universale.

Dhe ashtu si një kopje e Kuranit të urtësisë e shkruar në një atom në grimcat e eterit që nuk është më me pak elokuencë se sa një kopje madhështore e Kuranit e shkruar në faqet e qiejve me bojën e diellit e të yjeve, po ashtu krijimi i një blete apo i një mize nuk është më me pak elokuencë se sa krijimi i një hurme arabie ose i një elefanti, dhe arti i një luleje, trëndafili, nuk është më me pak elokuencë se sa ai i një ylli vezullues. Dhe kështu me rradhë, mund të bëhen shembuj të tjerë në të njëjtën mënyrë.

Për më tepër, lehtësia e plotë në krijimin e gjërave i ka çuar njerëzit e çudhëzimit që të ngatërrojnë formimin e gjërave me vetëformimin, gjë e cila do të bënte të domosdoshme pamundësi besëtytnore, të cilat jo vetëm mendjet i refuzojnë, por ftohen e largohen prej tyre madje edhe iluzionet, kurse për njerëzit e së vërtetës dhe të Realitetit, ajo provon me siguri dhe në mënyrë të domosdoshme se përpara fuqisë së Krijuesit të Universit, yjet dhe grimcat janë të barabarta.

Lavdia i takon Atij, E lartësuar është madhështia e Tij; dhe s’ka Zot tjetër përveç Atij.

Shkalla e Gjashtë[11]

I Lartësuar, i Lavdëruar dhe i Shenjtëruar është Allahu! Allahu Ekber! Zoti është më i Madhi! Në lidhje me fuqinë dhe me njohjen, Ai është më i madh se çdo gjë, sepse Ai është i Drejti, i Gjithurti, i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdituri, Një, i Vetmi dhe Sulltani i Parapërjetshëm. Të gjitha botërat janë brenda kapjes së rregullit dhe të balancës së Tij, brenda organizimit dhe drejtpeshimit të Tij, brenda drejtësisë së Tij, urtësisë, njohjes së Tij dhe Fuqisë; ato manifestojnë unitetin e Tij dhe njësinë, ashtu siç mund të kapet me intuitë në mënyrë të sigurtë, dhe madje mund të vëzhgohet, sepse nuk ndodhet asgjë në ekzistencë e cila të jetë jashtë limiteve të rregullit, balancës, organizimit dhe drejtpeshimit. Ato janë dy dyer prej Regjistrit të Qartë, dhe Librit të Qartë, këto janë dy tituj:

E Para është prej njohjes dhe urdhrit të të Gjithëditurit dhe të Gjithurtit, dhe i dyti i fuqisë dhe i Dëshirës së Madhështorit dhe të Mëshirëplotit; sepse rregulli dhe balanca e këtij Libri dhe Regjistri janë dy prova të shndritshme për ata që kanë arsye në kokë dhe që kanë dy sy në fytyrën e tyre se, absolutisht asgjë në ekzistencë apo në kohë nuk është jashtë kapjes së Fuqisë së një të Gjithëmëshirshmi të Vetëm, organizimit të Një Dashamirësi të Vetëm, stolisjes së Një Zemërbuti të Vetëm dhe drejtpeshimit të Një Shpaguesi të Vetëm.

Shkurtazi: Manifestimet e Emrave Hyjnorë El-Ev-Velu Vel-A’hiru, I Pari dhe i Fundit shikojnë tek fillimet dhe përfundimet e qënieve, tek origjinat e tyre dhe tek pasardhjet, tek e shkuara dhe e ardhmja dhe tek Urdhri Hyjnor dhe njohja; ato tregojnë Regjistrin e Qartë. Ndërsa manifestimet e Emrave Hyjnorë Edh-Dhahir, El-Bàtin, i Dukshmi dhe i Padukshmi në krijimin e gjërave tregojnë Librin e Qartë.

Sepse universi është si një pemë e gjërë, dhe botërat brenda tij janë gjithashtu si pemë. Prandaj ju mund të bëni një krahasim midis krijimit të një peme të pjesshme me atë të universit së bashku me të gjitha llojet dhe botërat e tij. Kjo pemë e pjesshme ka një origjinë e një burim që është bërthama mbi të cilën ajo mbin, dhe ajo ka një pasardhje e cila i vazhdon funksionet e saj pas vdekjes së saj që është bërthama në frutin e saj.

Kështu, fillimi i saj dhe fundi janë manifestimet e Emrave Hyjnorë, El-Ev-vel dhe El-A’hir, i Pari dhe i Fundit. Nëpërmjet rregullit dhe urtësisë fillimi i saj dhe fara origjinale sikur janë një indeks dhe një program që përfshijnë të gjitha ligjet e formimit të pemës. Bërthamat, farat, në frutat e saj, të cilat janë fundi i saj, janë vendi i manifestimit të Emrit Hyjnor El-A’hiru, i Fundit.

Ato farëra në frutet e saj të krijuara me urtësi të plotë janë si arka të vogëla, sunduqe, në të cilat janë vënë një indeks dhe një program për formimin e një peme të ngjashme. Të përshkruara e të skalitura në to me Penën e Kaderit Hyjnor janë ligjet e formimit të pemëve të së ardhmes.

Aspekti i jashtëm i pemës është manifestimi i Emrit Hyjnor Edh-Dhahiru, i Jashtmi, i Dukshmi, sepse paraqitja e saj e jashtme shfaq një rregull të përkryer, një balancim dhe urtësi, sikur të ishte një mantel i zbukuruar dhe i stolisur me të cilin është veshur pema me urtësi të plotë dhe me mirësi në përputhje me masën e shtatit të saj.

Aspekti i brendshëm i pemës është manifestimi i Emrit Hyjnor El-B’atinu, i Brendshmi, i Padukshmi. Ai shfaq një rregull të plotë dhe një planifikim dhe i çudit mendjet.

Ai shpërndan lëndët e nevojshme për jetën e pemës tek të gjitha pjesët e ndryshme të saj me rregullsi të plotë, sikur ky aspekt i brendshëm të ishte një makineri e jashtëzakonshme që punon me drejtpeshimin më të skajshëm të mirorganizuar.

Kështu, origjina e saj është një program i jashtëzakonshëm dhe fundi i saj është një indeks i çuditshëm, që të dyja duke treguar Regjistrin e Qartë. Kurse aspekti i saj i jashtëm është si një mantel i mrekullueshëm plot art, dhe aspekti i saj i brendshëm është si një makineri me një rregullsi të skajshme; që të dy tregojnë Librin e Qartë.

Dhe ashtu si aftësia e kujtesës së njeriut që tregon El-leuhul-Mahfudh, Pllakën e Ruajtur dhe është një provë për të, po ashtu bërthamat origjinale të të gjitha pemëve dhe frutat e tyre tregojnë Regjistrin e Qartë. Kurse aspektet e tyre të jashtëm e të brendshëm aludojnë për Librin e Qartë. Atëherë krahasimet mund të bëhen ndërmjet kësaj peme të pjesshme, pemës së tokës dhe të shkuarës dhe të ardhmes së saj, dhe pemës së universit, fillimit të tij dhe të ardhmes së tij dhe pemës së  njeriut me paraardhësit e tij dhe me pasardhësit. Dhe kështu me rradhë.

 Lartësuar dhe i Gjithëlavdishëm është Allahu! Nuk ka Zot tjetër përveç Atij!

O i Lartësuar! Ti nuk i drejton mendjet për tek Esenca e vërtetë e Madhështisë Tënde, dhe as nuk arrijnë mendimet tek Substanca e Madhësisë Tënde të jashtëzakonshme absolute -sepse mendja është e pafuqishme për t’i kapur ato.

Shkalla e Shtatë

I Lartësuar dhe i Gjithëlavdishëm është Zoti xh.sh.! Allahu Ekber! Allahu është më i Madhi! Në lidhje me fuqinë dhe me njohjen Ai është më i Madh se të gjitha gjërat, sepse Ai është Krijuesi[12], Hapësi, Vepruesi, Njohësi, Dhuruesi, Rrezatuesi, Dielli i Parapërjetshëm. Universi së bashku me botërat e tij dhe me qëniet është një hije prej Dritave të Tij; ato janë veprat e akteve të Tij, dhe ngjyrat e skalitjeve të llojeve të manifestimeve të Emrave të Tij, dhe vijat e shkruara nga Pena e Kaderit dhe e vendimit të Tij, dhe pasqyrat për manifestimet e Atributeve të Tij, të bukurisë së Tij, të lavdisë dhe të plotësisë.

  • Sipas konsensusit të dëshmitarit të parapërjetshëm, i njohur nëpërmjet të gjithë librave të Tij dhe shkrimeve të mëparshme, vërseteve të Tij Kuranore dhe shenjave krijuese.
  • Nëpërmjet konsensusit të tokës me të gjitha botërat e saj, së bashku me kërkesat dhe nevojat e tyre esenciale dhe totale, dhe pasurisë e mbushullisë absolute të shfaqura tek ato.
  • Nëpërmjet konsensusit të të gjithë Profetëve, Evlijave, shenjtorëve, dijetarëve të pastër, njerëzve të ndriçimit me shpirtëra të ndritur, zemrave të mbushura me dritë dhe mendjeve të ndriçuara, nëpërmjet kërkimeve të të gjithë atyre, zbulesave, shkëlqimeve dhe duave e përgjërimeve të tyre…
  • Ata të gjithë kanë qenë të pajtuar në mendim, nga toka për tek trupat e lartë e të ulët me dëshmitë e tyre të pafundme të sigurta dhe me vërtetimin e tyre të sigurt, me pranueshmërinë e tyre të dëshmisë së shenjave krijuese dhe të vërseteve Kuranore, të librave të shpallur dhe të shkrimeve qiellore të cilat janë pikërisht dëshmia e Ekzistuesit të Vetëm të domosdoshëm, se të gjitha qëniet janë veprat e Fuqisë së Tij, letrat dhe mesazhet e Kaderit të Tij, pasqyrat e Emrave të Tij të bukur dhe përfaqësimet e Dritave të Tij.

I Lartësuar dhe i Madhëruar është Ai, nuk ka Zot tjetër përveç Atij!

* * *

 

[1] Kur’an, 2:219

[2] Kur’an, 2:266

[3] Kur’an, 7:176

[4] Kur’an, 30: 8

[5] Kur’an, 13: 3

[6] Kur’an, 17:117

[7] Kjo shkallë e tretë merr në konsideratë një lule dhe një grua të bukur. Pranvera e madhe është një lule, po kështu është parajsa. Ato janë vendet e manifestimit të kësaj shkalle. Ashtu si bota që është një qënie humane e bukur dhe e madhe, po ashtu huritë, qëniet shpirtërore -kafshët dhe njerëzit, që të gjithë ashtu si botërat e qënieve mbajnë kuptimin e qënies humane, si të ishin një njeri i madh e i bukur që nëpërmjet fletëve të tyre, ato reflektojnë Emrat e bukur Hyjnorë të cilët i përshkruan dhe i paraqet kjo shkallë.

[8] Kjo është shpjeguar e ilustruar në Shtojcën e Vendqëndrimit të Parë të Fjalës së Tridhjetë e Dytë dhe në Stacionin e Dytë të Fjalës së Tridhjetë

[9] Kur’an, 50: 6

[10] Kuran, 67:14

[11] Në qoftë se kjo shkalla e gjashtë do të ishte shkruar ashtu si shkallët e tjera, do të kishte qenë shumë e zgjatur, sepse “Libri i Qartë”, dhe “Regjistri i Qartë” nuk mund të shpjegohen në terma të përmbledhura. Megjithatë, meqenëse ajo është diskutuar pak në Fjalën e Tridhjetë, ne e kemi prerë shkurt diskutimin këtu, dhe e kemi lënë shpjegimin e detajuar të saj për t’u studiuar gjatë mësimit”. Autori

[12] Duke shikuar nëpërmjet teleskopëve të këtyre Emrave të Bukur Hyjnorë dhe akteve dhe veprave Hyjnore nën manifestimet e tyre pas këtyre qënieve mund të kalohet tek Ai i Cili quhet Dhil Xhelali-Vel Ikram, Zotëruesi i Gjithëlavdisë  dhe i Bujarisë e i Mirëbërësisë.