Lexo PDF

 

SHKREPTIMA E NËNTËMBËDHJETË

TRAJTESA LIDHUR ME KURSIMIN

[Kjo trajtesë është rreth kursimit e mjaftueshmërisë dhe paralajmëron për të mos tepruar në shpenzime dhe për të mos prishur pa hesap]

Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

“Hani e pini, por mos shpërdoroni me prishje pa hesap (e me harxhime pa masë)”.[1]

Ky vërset jep udhëzimin më të rëndësishëm dhe më të urtë në formën e urdhrit të prerë për të bërë kursime dhe në mënyrë të qartë ndalon nga prishja pa hesap dhe nga harxhimi i tepërt.

Kjo çështje përmban shtatë pika.

Krijuesi Mëshirëplotë kërkon falënderime si shkëmbim për mirësitë që Ai i ka dhuruar njerëzimit, kurse harxhimi i tepërt është në kundërshtim me falënderimet dhe është fyerje ndaj mirësisë dhe shkakton humbje të madhe.

Kursimi tregon respekt ndaj mirësisë dhe është fitimprurës. Po, kursimi është edhe një lloj falënderimi dhe tregon respekt ndaj mëshirës Hyjnore e manifestuar në mirësitë, dhe është një shkak i sigurt vendimtar për bereqet.

Po kështu, kursimi është boshti i shëndetit të mirë për trupin ashtu si dieta.. dhe meqenëse ai e shpëton njeriun nga poshtërimi i asaj që në efekt është lypje, është shkaku i vetënderimit -i sedrës.. Ai gjithashtu është një mjet i fuqishëm për të përjetuar e ndjerë kënaqësinë që gjendet në mirësitë dhe të shijojë ëndjen në mirësitë të cilat në dukje nuk japin kënaqësi. Sa për shpenzimin e tepërt ose prishjen pa hesap, meqenëse është në kundërshtim me këto shembuj urtësie që u përmendën lart, pasojat e saj janë të rënda.

Krijuesi i Gjithurtë e krijoi trupin njerëzor në formën e një pallati të mrekullueshëm duke i ngjasuar një qyteti të mirësistemuar. Shqisa e të shijuarit në gojë është si një portier, ndërsa nervat dhe enët e gjakut si tela telefoni e telegrafi; ato janë mjete nëpërmjet të cilave shqisa e të shijuarit komunikon me stomakun, i cili është qendra e trupit, dhe e njofton atë për ushqimin që futet në gojë. Në qoftë se trupi dhe stomaku nuk e përdorin atë, ai thotë: “Ndal, ndalohet hyrja” dhe e nxjerr atë. Dhe ndonjëherë ushqimi është i dëmshëm dhe i hidhur si dhe jo i dobishëm për trupin, dhe ai e nxjerr, e vjell atë menjëherë.

Kështu meqenëse shqisa e të shijuarit në gojë kryen rolin e portierit -rojtarit- dhe stomaku është prijësi dhe sunduesi për sa ka të bëjë me administrimin, atëherë në qoftë se dhuratat që arrijnë në pallat ose në qytet dhe ato që i jepen sunduesit të pallatit kanë vlerën e njëqind lirave, vetëm vlera e pesë lirave i lejohet t’i jepet rojtarit dhe jo më shumë në formën e një bakshishi me qëllim që ai të mos bëhet mendjemadh, të mos harrojë detyrën e tij dhe të mos fusë në pallat çdo element turbullues e keqbërës i cili do t’i jepte bakshish më të madh. Duke u mbështetur mbi këtë mister, ne tani do të imagjinojmë dy kafshata, njëra përbëhet nga një lëndë ushqyese si djathi dhe veza, dhe kushton dyzet para, ndërsa kafshata tjetër është nga ëmbëlsirat më të zgjedhura. Para se të hynë në gojë nuk ka ndryshim midis dy kafshatave për sa ka të bëjë me trupin; pra ato janë të njëllojta. Kurse pasi të kalojnë poshtë gurmazit, ato përsëri janë njëlloj, të njëjta, lidhur me të ushqyerit e trupit. Madje, ndonjëherë djathi, i cili kushton dyzet para, është më ushqyes se sa kafshata tjetër. Atëherë vetëm lidhur me llastimin -përkëdheljen- e shqisës së të shijuarit në gojë, ka një ndryshim që nuk zgjat veçse gjysëm minuti. Ti mund të shikosh nga kjo se çfarë harxhimi i pakuptim e i dëmshëm do të ishte të shpenzosh dhjetë qindarka në vend të një qindarke të vetme për hir të një gjysme minuti.

Atëherë, t’i japësh rojtarit një shpërblim nëntë herë më të madh se sa e meriton nga dhuratat që arrijnë për sundimtarin e pallatit, padyshim do ta çonte atë në mburrje e do ta bënte të korruptuar. Dhe si rrjedhojë, ai do të thonte:

“Unë jam sundimtari”, dhe do të lejonte të hynte cilido që i jep atij bakshishin më të madh dhe kënaqësinë më të madhe, duke shkaktuar prishjen e rregullit atje dhe duke bërë të shpërthente revolucioni e të ndizej zjarri. Atëherë, ai do të detyrohej të bërtiste duke kërkuar ndihmë “Oh! Thirreni doktorin të ma shuajë këtë zjarr në stomakun tim dhe të më ulë temperaturën!”

Kështu, kursimi dhe mjaftueshmëria janë në harmoni me urtësinë Hyjnore; ato e trajtojnë shqisën e të shijuarit si një portier dhe e paguajnë atë sipas asaj detyre. Sa për harxhimin e tepërt, meqenëse ajo vepron në kundërshtim me urtësinë, ajo merr shpejt ndëshkim, e zemëron stomakun dhe e bën oreksin e vërtetë të humbasë. Duke prodhuar nga shumëllojshmëritë e panevojshme të ushqimit një oreks të rremë dhe artificial dhe shkakton mostretje dhe sëmundje.

Ne thamë në pikën e dytë se shqisa e të shijuarit luan rolin e një portieri. Po, ajo gjithashtu tek të pakujdesurit të cilët nuk kanë përparuar shpirtërisht dhe nuk kanë avancuar në rrugën e dhënies së falënderimeve dhe që nuk janë ngjitur në shkallët e saj, ajo është si një derëtare. Po, nuk duhet të zhytesh në harxhim të tepërt -si shpenzimi me një çmim dhjetë herë më të lartë vetëm për t’i dhënë kënaqësi ndjenjës së të shijuarit. Kurse shqisa e të shijuarit e atyre që janë vërtetë në rrugën e dhënies së falënderimeve, e atyre që kërkojnë realitetin, dhe e atyre që i afrohen asaj me zemrat e tyre, është si një mbikёqyrëse dhe inspektore në kuzhinat e mëshirës Hyjnore, ashtu siç është shpjeguar në krahasimin tek Fjala e Gjashtë. Detyra e saj është të njohë e të peshojë shumëllojshmëritë e mirësive Hyjnore me peshat e saj të vockëla e të shumta sa numri i ushqimeve, dhe për t’i dërguar trupit dhe stomakut lajmet rreth ushqimit në formën e falënderimeve.

Në këtë drejtim, shqisa e të shijuarit nuk shikon vetëm tek stomaku fizik; përkundrazi, meqenëse ajo shikon gjithashtu tek zemra, shpirti dhe mendja, ajo ka një pozitë dhe një rëndësi më të lartë se për detyrën e stomakut. Me kusht që të mos harxhojë tepër, të plotësojë detyrën e saj të falënderimeve dhe të njohë e të kapë shumëllojshmëritë e mirësive Hyjnore dhe, me kusht që të jetë e ligjshme dhe mos të çojë në poshtërim e lypje, ajo mund ta ndjekë kënaqësinë për vetveten. Në fakt ushqimi i shijshëm mund të preferohet me qëllim që ta përdorim gjuhën e cila mban shqisën e të shijuarit në dhënien e falënderimeve. Kjo ç’ka vijon është një shembull, nga kerametet e Shejh Gejlanit, iu shenjtëroftë sekreti i tij, që aludon për këtë të vërtetë.

Një djalë i vetëm i një gruaje të respektuar merrte mësim dhe edukim nga Shejh Gejlani (iu shenjtëroftë sekreti i tij). Një ditë gruaja e nderuar kishte shkuar në qelën -dhomëzën- e djalit të saj dhe kishte parë se ai nuk kishte asgjë për të ngrënë përveç një cope buke të thatë e të zezë. Kjo gjendje nxiti dhembshurinë e saj prej nëne dhe nga gjendja e tij i dobësuar për shkak të asketizmit të tij. Asaj i erdhi shumë keq për të dhe pastaj shkoi tek  Gauth el-Aëdham me qëllim që t’i ankohej dhe e pa shejh Gejlanin që i ishte përveshur pulës së pjekur. Për shkak të shqetësimit të saj ajo i tha atij: O mësues, o Shejh! Djali im po vdes nga uria ndërsa ti po ha pula! Ndërkaq shehu i tha pulës. “Ngrihu, me leje të Zotit xh.sh.” Menjëherë, kockat e pulës së pjekur u grumbulluan dhe u hodhën duke dalë jashtë enës si një pulë e gjallë. Kjo ngjarje është treguar me unanimitet nëpërmjet shumë kanaleve të besueshëm e të dokumentuara si një keramet i dikujt; kerametet e të cilit janë me famë botërore. Shejh Gejlani i tha asaj: “Kur djali yt ta arrijë këtë nivel, atëherë edhe ai gjithashtu mund të hajë pula”. Kështu, kuptimi i fjalëve të Sheh Gejlanit është ky: Sa herë që shpirti i djalit tënd të sundojë trupin e tij dhe zemra të sundojë dëshirat e nefsit të tij dhe arsyeja të sundojë stomakun e tij dhe ai ta dëshirojë kënaqësinë për hir të dhënies së falënderimeve, atëherë ai mund të hajë gjëra të shijshme.

Në përputhje me hadithin, kuptimi i të cilit është:  “Ai që është kursimtar nuk do të ketë vështirësi familjare lidhur me mjetet e jetesës”[2], nikoqiri dhe njeriu ekonomik nuk do të vuajnë shumë shqetësim e vështirësi në mbështetjen e familjes së tij.

Ndodhen prova të panumërta se rezultatet e kursimit janë, shtimi i bereqetit dhe themeli i jetesës së mirë. Për shembull, unë kam parë vetë dhe mund të them sipas dëshmisë së atyre që më kanë mbështetur në shërbimin tim dhe kanë mbajtur shoqëri me mua me sinqeritet se për shkak të kursimit, unë ndonjëherë kam parë një shtim të dhjetëfishtë bereqeti, po kështu kanë pasur edhe shokët e mi. Madje para nëntë vitesh[3] disa kryetarë fisesh të cilët ishin syrgjynosur në Burdur së bashku me mua ndërhynë për shkak të mendimit të tyre të mirë që kishin për mua që të më bënin të pranoja zeqatin e tyre me qëllim që të mos vuaja skamje dhe poshtërim nga mungesa e parave. Unë u thashë atyre kryetarëve të pasur:

“Megjithëse unë kam shumë pak para, unë jam kursimtar e nikoqir dhe i mësuar me mjaftueshmëri. Unë jam më i pasur se ju”. Unë i refuzova ofertat e tyre të përsëritura e ngulmuese. Ia vlen të përmendet se dy vite më vonë disa nga ata që më kishin dhënë zeqatin e tyre ishin në borxh për shkak se nuk kishin qenë kursimtarë. Lavdi Zotit, qysh prej shtatë vitesh, nëpërmjet bereqetit duke rezultuar nga kursimi, ajo shumë e vogël (parash) ka qenë ende e mjaftueshme për mua; ajo nuk më ka poshtëruar, as nuk më ka detyruar të paraqes nevojat e mia tek njerëzit dhe as nuk më ka bërë të shmangem nga rruga ime e vetëmjaftueshmërisë dhe nga të qënurit i pavarur nga njerëzit, i cili është njëri nga parimet e jetës sime.

Ai që nuk është kursimtar, sigurisht do të poshtërohet e do të bie në varfëri dhe në efekt në lypje. Në këtë kohë, paraja që përdoret në harxhime të tepërta e në prishje pa hesap, është jashtëzakonisht e shtrenjtë, saqë ndonjëherë një njeri shet nderin e tij, sedrën e krenarinë dhe merr ryshfete për ta shtënë në dorë atë; madje ndonjëherë shiten edhe gjërat e shenjta të fesë, pastaj para ogurzeza merren si shkëmbim. Domethënë, artikuj materialë me vlerën e dhjetë kurushëve -qindarkave- lëndorë merren si shkëmbim e në llogari të qindra lirave prej kurushëve jolëndorë. Ndërsa në qoftë se njeriu është kursimtar dhe i ngushton e i kufizon nevojat e tij tek elementet e domosdoshëm, tek gjërat kryesore, atëherë sipas kuptimit të aluduar e të nënkuptuar të vërsetit,

“Vërtet që Allahu, Ai është pa dyshim Gjithëfurnizuesi, Zotëruesi i Fuqisë, i Përhershmi më i Fortë,”[4] dhe sipas kuptimit të qartë të vërsetit,

“Nuk ka krijesë të gjallë në tokë që të mos e ketë furnizimin e përshtatur nga Allahu…”,[5] ai do të gjejë një mënyrë të paparashikuar furnizimi të bollshëm për të jetuar, sepse këtë e garanton vërseti Kur’anor.

Po, ndodhen dy lloje furnizimi -rizku:

 Lloji i parë është furnizimi i vërtetë tek i cili varet e kushtëzohet jeta e njeriut. Ashtu siç dekreton vërseti, ky furnizim garantohet nga Krijuesi. Për sa kohë që të mos ndërhyjë prirja e njeriut ndaj së keqes apo zgjedhja e keqe e tij, ai do ta gjejë këtë furnizim të domosdoshëm sido që të jenë rrethanat. Ai nuk do të detyrohet të sakrifikojë fenë e tij, as nderin e tij dhe as sedrën e tij.

Lloji i dytë është furnizimi metaforik. Me këtë, nëpërmjet keqpërdorimit, nevojat jo të domosdoshme bëhen si ato të domosdoshmet dhe si rezultat i sprovimit me fatkeqësinë e traditës, njerëzit bëhen të dhënë pas tyre dhe nuk mund t’i braktisin. Meqenëse ky furnizim nuk është i garantuar nga Furnizuesi, futja e tij në dorë është tepër i shtrenjtë -dhe sidomos në këtë kohë. Këto artikuj të pafrytshëm e orëzi futen në dorë para së gjithash duke sakrifikuar nderin e sedrën dhe duke pranuar poshtërimin dhe ndonjëherë duke u përkulur para asaj që në efekt është lypje, puthje e këmbëve të të ligëve dhe ndonjëherë duke sakrifikuar gjërat e shenjta të fesë të cilat janë drita e jetës së përhershme.

Gjithashtu, në këtë kohë varfërie e mundimi, dhimbja që përjetojnë ata me ndërgjegje në ankthin e urisë, dhimbjet që vuajnë nevojtarët, e prishin kënaqësinë e arritur nga paratë e fituara në rrugë të paligjshme. Në kohë të çuditshme si këto, njeriu duhet të mjaftohet me minimumin e nevojshëm në mallrat e dyshimta, sepse sipas rregullit,  “Domosdoshmëria paracaktohet sipas shtrirjes (masës) së saj”, kur je i detyruar, mund të merret nga mallrat e paligjshme masa e minimumit të nevojshëm, dhe jo më shumë. Dikush në nevojë të madhe mund të hajë mish të vdekur, por jo të mbushë e ngopë stomakun e tij; ai mund të hajë aq sa t’i mjaftojë për të mos vdekur. Gjithashtu, nuk hahet ushqimi me lakmi e grykësi në prani të njëqind njerëzve të cilët janë të uritur.

Tregimi që vijon tregon se kursimi është shkaku i dinjitetit dhe i shquarsisë:

Njëherë, Hatim Taijju, i cili ishte me famë botërore për bujarinë e tij, u dha dhurata me tepricë miqve të tij në një gosti të madhe. Pastaj ai doli për të shëtitur në shkretëtirë dhe pa një plak të varfër i cili mbante mbi shpinë një peshë të rëndë me dru dhe me shkurre me gjemba. Gjembat po çjerrnin lëkurën e tij dhe po e përgjaknin. Hatimi i tha atij: “Hatimi Taijju ka shtru një gosti të madhe dhe po jep dhurata të shumta. Shko edhe ti atje se ndoshta ti do të marrësh pesëqind kurush si shpërblim për peshën tënde me vlerë pesë kurush. Plaku kursimtar iu përgjigj: “Unë e ngrej dhe e mbaj këtë peshë me gjemba me vetënderimin tim e me krenari, unë nuk kam ndërmend të bëhem i obliguar e borxhli ndaj Hatim Taijjut”.

Pastaj, Hatim Taijju u pyet një ditë: “A ke takuar ndokënd më bujar dhe me të shquar se sa ti?” Ai u përgjigj: “Plaku i moshuar të cilin e takova në shkretëtirë ishte më i shquar, më i lartësuar dhe më bujar se sa unë”.

Nga Bujaria e Tij e plotë. Allahu i Plotëfuqishëm e bën një njeri të varfër të kuptojë kënaqësinë e mirësive të Tij ashtu siç i bën t’i kuptojnë të pasurit. Kështu, i varfëri e përjeton kënaqësinë dhe e ndjen njëlloj si mbreti. Në të vërtetë, kënaqësia që merr një njeri i varfër prej një cope buke të thatë të zezë për shkak të urisë dhe kursimit është më e madhe se kënaqësia që arrin një mbret apo një njeri i pasur nga ëmbëlsira e ngrënë me mërzitje dhe me mungesë oreksi që shkaktohet nga tepria e prishja pa hesap. Është vërtet për t’u çuditur se si disa njerëz të shthurur e prishanikë guxojnë t’i akuzojnë kursimtarët e nikoqirët duke u thënë ‘kurnacë’, e ‘koprracë’. Ruajna Zot! Kursimi është dinjitet dhe bujari ndërsa koprracia dhe poshtërsia janë fytyra e brendshme e një bujarie të sipërfaqshme të njerëzve të shthurur e prishanikë të cilët bëjnë harxhime të tepruara. Ndodhet një ngjarje që e mbështet këtë fakt i cili ndodhi në dhomën time në Isparta në vitin kur u shkrua kjo trajtesë. Ajo është siç vijon:

Njëri nga studentët e mi ngulmoi shumë që të pranoja dhuratën e tij prej mjalti që peshonte dy okka e gjysëm, gjë e cila ishte në kundërshtim me rregullin tim dhe me parimin e jetës sime. Sado që u përpoqa për t’ia shpjeguar domosdoshmërinë për t’iu përmbajtur parimit tim, ai nuk u bind. Unë u detyrova ta pranoj atë i detyruar me nijetin që të merrnin pjesë tre vëllezër me mua në dhomë dhe të hanin prej tij me kursim për tridhjetë ose dyzet ditë në muajt Shaëban e Ramazan me qëllim që ai që e solli si dhuratë të merrte sevab dhe ata të mos mbeteshin pa ndonjë ëmbëlsirë për ta ngrënë. Prandaj unë i porosita ata që ta pranonin dhuratën duke ditur se unë vetë kisha gjithashtu një okë mjalt. Megjithëse shokët e mi ishin të matur dhe e vlerësonin kursimin, por duke ia dhënë mjaltin njëri-tjetrit, duke ledhatuar ndjenjat e njëri-tjetrit dhe secili duke preferuar tjetrin mbi vetveten, gjë e cila nga një drejtim është si një cilësi e mirë, ata harruan rreth të qënurit kursimtarë. Për tre netë ata mbaruan dy okë e gjysëm mjalt. Duke u buzëqeshur unë u thashë:

“Nijeti im ishte që t’ju bëja ta provonit shijen e mjaltit tridhjetë ditë ose më shumë, por ju e harxhuat atë vetëm për tre ditë.. Ju pastë bërë mirë!” Ndërsa unë e kam përdorur okën time të mjaltit me kursim dhe e kam përdorur në ngrënie gjatë dy muajve Shaëban e Ramazan, përveç faktit se ai u bë -lavdi Zotit- shkak për një sevab të madh, pasi i dhashë secilit prej atyre vëllezërve nga një lugë prej tij në kohën e Iftarit në çdo mbrëmje. Ndoshta ata që e panë këtë sjelljen time menduan se ajo ishte koprraci ndërsa sjelljen e vëllezërve të mi në tri netë si dorëgjërësi. Por në fakt unë pashë se e fshehur nën atë koprraci të dukshme qëndronte një dinjitet i lartë, një shtim bereqeti e bollëk dhe një sevab i madh. Ndërsa nën atë dorëgjërësi e harxhim të tepruar -në qoftë se nuk do të ishin lënë- do të lindte diçka shumë më e ulët se sa koprracia, si lypja, të shikuarit e dorës së tjetrit me lakmi dhe pritja për të marrë gjëra të tjera si këto.

Ndodhet një ndryshim i madh ndërmjet kursimit dhe koprracisë. Ashtu si modestia që është prej cilësive të lavdërueshme dhe që në mënyrë të sipërfaqshme është e ngjashme por e ndryshme nga cilësia e keqe e servilizmit dhe, ashtu si dinjiteti që është një virtyt i lavdërueshëm dhe i ngjashëm në sipërfaqe por i ndryshëm nga cilësia e keqe e mendjemadhësisë, po ashtu kursimi, i cili ishte njëri nga cilësitë e lartësuara të Profetit a.s.m., madje njëri nga boshtet mbi të cilin rrotullohet rregulli i urtësisë Hyjnore që mbisundon në univers, nuk ka asnjë lidhje me koprracinë e cila është një përzierje prej poshtërsisë, lakmisë, kurnacërisë dhe makutërisë. Ndodhet vetëm një përngjasim i sipërfaqshëm. Kjo që vijon është një ngjarje që e mbështet këtë fakt:

“Abdull-llah Ibn Umer i cili ishte njëri nga sahabët e shquar të Profetit a.s.m. dhe njëri nga ‘Shtatë Abdull-llahët’ ishte më i madhi e më i rëndësishmi i kalifit Umer El-Faruku el-Adham, dhe njëri midis më të dalluarve e më të diturve të Sahabëve.

Një ditë ndërsa po tregtonte në pazar, me qëllim që të ishte kursimtar, të ruante mirëbesimin, pastërtinë dhe integritetin mbi të cilat varej tregtia, ai polemizoi me zemërim për diçka me vlerë pesë kurush, qindarka. Njëri nga Sahabët e pa dhe, duke imagjinuar emirin e besimtarëve, kalifin në tokë, se po grindet për pesë qindarka të ishte një akt koprracie i jashtëzakonshëm, e ndoqi atë për në shtëpinë e tij që të kuptonte diçka nga gjendjet e tij. Pastaj ai pa se Abdullahu kaloi ca kohë me një njeri të varfër tek dera dhe shkëmbeu fjalë me të me mirësjellje e dashuri; pastaj doli nga dera e dytë e shtëpisë dhe pa një njeri tjetër të varfër; ai bisedoi edhe me të për pak kohë; edhe njeriu i dytë i varfër u largua. Ndërkohë, sahabiu i nderuar, i cili po vështronte nga larg, u bë kureshtar të dinte për këtë çështje. Ai shkoi me nxitim tek të dy të varfërit dhe i pyeti: A nuk do të më thoni se çfarë bëri Ibnu Umer kur ndaloi për pak kohë me ju të dy? Të dy ata u përgjigjën:”Ai na dha ne të dyve nga një monedhë ari”. Ai mendoi me vete dhe tha me habi, “Ja subhanall-llah!… Sa e çuditshme qenka: Si është e mundur që ai u grind në atë mënyrë për pesë qindarka në Pazar, dhe pastaj dha me shumicë si dhuratë dyqind kurush në shtëpinë e tij pa dijeninë e ndokujt?”

Ndërkaq, ai shkoi tek Abdullahu dhe i tha: “O imam! A do të ma zgjidhësh mua këtë vështirësi? Në treg ti veprove ashtu ndërsa në shtëpinë tënde ti veprove kështu”. Abdullahu iu përgjigj duke i thënë:

“Në treg nuk ishte koprraci, por një sjellje që buronte nga kursimi; një veprim i tillë ishte krejtësisht i arsyeshëm; unë veprova ashtu për të ruajtur amanetin dhe ndershmërinë, të cilat janë bazat dhe shpirti i tregtisë. Ndërsa sjellja në shtëpinë time buroi nga dhembshuria e zemrës dhe nga shpirtmadhësia e plotësia e shpirtit. As e para nuk ishte koprraci, as e dyta nuk ishte tepri -mospërmbajtje.

Duke aluduar për këtë, Imam Ebu Hanifeja tha:

“Nuk mund të ketë tepri në mirësi ashtu siç nuk ka mirësi në tepri”. Domethënë, ashtu siç nuk ka tepri – harxhime të tepërta- në veprat e mira e në mirëbërësi për atë që e meriton, po ashtu nuk ka absolutisht asnjë të mirë në prishjen pa hesap e në mospërmbajtje.

Tepria dhe prishja pa hesap çojnë në lakmi dhe lakmia ka tri pasoja:

E Para: është pakënaqësia, mungesa e mjaftueshmërisë. Kjo pakënaqësi shkatërron përpjekjen dhe entuziazmin për punë dhe e bën personin e pakënaqur, me mungesë mjaftueshmërie, që të ankohet në vend të dhënies së falënderimeve dhe e bën atë dembel. Një njeri i tillë i braktis pasuritë të cilat ndonëse të pakta në numër janë hallall -të ligjshme[6]– dhe kërkon pasuri të cilat janë të paligjshme e pamundim. Dhe Ai sakrifikon sedrën e tij në këtë rrugë, madje edhe nderin e tij.

Pasoja e dytë e lakmisë është zhgënjimi dhe humbja. Njeriu lakmitar e prish -e humbet- atë që ai dëshiron, gjendet i papëlqyer, i mërzitur dhe privohet nga ndihma e përkrahja. Madje për të bëhet realitet thënia:  “Njeriu lakmitar është i pasuksesshëm dhe pëson humbje”.

Lakmia dhe kënaqësia -mjaftueshmëria- kanë efektet e tyre në botën e gjallesave në përputhje me një ligj të shtrirë e të gjithanshëm. Për shembull, mjaftueshmëria e natyrshme e pemëve dhe e bimëve të nevojshme për furnizim -ushqim- e bën ushqimin e tyre të nxitojë për tek ato; kjo tregon dobitë e mëdha të mjaftueshmërisë -kënaqësisë. Ndërsa kafshët duke rendur pas ushqimit të tyre me lakmi, me vështirësi e me mangësi, kjo demonstron humbjen e madhe të lakmisë.

Gjithashtu mjaftueshmëria e dukshme nëpërmjet gjuhëve të prirjeve të tyre të natyrshme të të gjithë të vegjëlve të dobët dhe ushqimi i këndshëm si qumështi duke vërshuar për ta nga vende të paparashikuara, ndërsa kafshët e egra duke sulmuar me lakmi ushqimin e tyre të mangët e të ndotur, e provojnë pretendimin tonë në mënyrën më të qartë.

Gjithashtu, qëndrimi i mjaftueshëm, i kënaqur, i peshqive të dhjamuar, të trashë e jo të zgjuar për arritjen e ushqimeve tek ato në mënyrë të plotë, kurse kafshët e zgjuara si dhelprat e majmunët duke qëndruar të dobëta e shëndetliga për shkak se ato nuk mund të gjejnë ushqim të mjaftueshëm, megjithëse ato e ndjekin atë me lakmi, përsëri tregon se deri në çfarë shkalle është lakmia shkaku i vështirësisë, ndërsa mjaftueshmëria -kënaqësia- është shkaku i lehtësisë. Ashtu si ushqimi i siguruar nga ana e çifutëve nëpërmjet rrugëve të paligjshme dhe i përzier me poshtërimin dhe mjerimin e tyre për shkak të lakmisë së tyre, të marrjes me kamatë dhe për shkak të dredhive e mashtrimeve të tyre dhe, qëndrimi i mjaftueshëm dhe i kënaqur i nomadëve dhe të jetuarit e tyre me dinjitet dhe duke gjetur ushqim të mjaftueshëm, e provon edhe më shumë në mënyrë vendimtare atë që ne themi.

Gjithashtu, shumë dijetarë e figura letrare duke rënë në varfëri për shkak të lakmisë së tyre që buron nga inteligjenca e tyre, dhe se shumë njerëz të trashë e të paaftë duke u bërë të pasur nëpërmjet mjaftueshmërisë së tyre të bashkëlindur, provon prerazi se ushqimi hallall -i lejuar- vjen nëpërmjet pafuqisë dhe nevojës dhe jo nëpërmjet aftësisë dhe vullnetit. Madje ushqimi hallall është në raport të kundërt me aftësinë, dëshirën e zgjedhjes; sepse sa më shumë të shtohet aftësia dhe zgjedhja e fëmijëve, aq më shumë pakësohet ushqimi i tyre dhe largohet e vështirësohet arritja për tek ai.

Në përputhje me hadithin profetik: “Mjaftueshmëria (kënaqësia) është një thesar i pashtershëm[7], kënaqësia është një thesar për një jetë të mirë dhe për rehati në jetë, ndërsa lakmia është minerali i humbjes dhe i poshtërimit.”

Pasoja e Tretë: Lakmia shkatërron sinqeritetin dhe dëmton veprat që lidhen me Ahiretin, sepse në qoftë se një njeri i devotshëm do të vuante nga lakmia, ai do të dëshironte vlerësimin e njerëzve. Dhe ai që konsideron vlerësimin e të tjerëve, nuk mund të ketë sinqeritet të plotë. Kjo pasojë është shumë e rëndësishme dhe e denjë për t’u vërejtur.

Shkurtazi: Harxhimi i tepërt dhe prishja pa hesap çojnë në mungesë kënaqësie, në mungesë mjaftueshmërie, pakënaqësia shkatërron entuziazmin për punë, shkakton dembeli, hap derën e ankesës për jetën dhe e bën njeriun e pakënaqur të ankohet vazhdimisht[8]. Gjithashtu mungesa e mjaftueshmërisë shkatërron vetënderimin -sedrën, dinjitetin dhe i tregon atij rrugën e lypsarisë.

Sa për kursimin dhe ekonominë, këto sjellin kënaqësi, vetëmjaftueshmëri. Sipas Hadithit,  “Personi i kënaqur (që ka mjaftueshmëri) është i respektuar, ndërsa personi lakmitar është i përbuzur”, një pasojë e vetëmjaftueshmërisë është sedra -vetënderimi. Ajo gjithashtu nxit përpjekjen dhe punën. Ajo shton entuziazmin dhe nxit për të vepruar. Për shembull, një njeri punoi për një ditë. Për shkak të kënaqësisë së tij -vetëmjaftueshmërisë, me pagën e vogël që mori në mbrëmje, ai punoi përsëri në ditën e dytë. Kurse për shkak se personi prishanik dhe i papërmbajtur nuk ishte i vetëmjaftueshëm, ai nuk punoi përsëri në ditën vijuese. Ose në qoftë se ai do të punonte, do të punonte pa entuziazëm.

Gjithashtu, vetëmjaftueshmëria që buron nga kursimi hap derën e falënderimeve dhe mbyll derën e ankesës. Gjatë gjithë jetës së tij, njeriu i vetëmjaftueshëm është mirënjohës. Dhe përderisa ai është i pavarur nga të tjerët nëpërmjet vetëmjaftueshmërisë së tij, ai nuk kërkon vlerësimin e njerëzve. Dera e sinqeritetit hapet dhe dera e hipokrizisë mbyllet.

Unë kam vërejtur dëme të mëdha e pasoja të rënda të cilat shkaktohen nga harxhimi i tepërt dhe nga mospërdorimi i kursimit; Unë i kam vëzhguar ato të trupëzuara në një shkallë të gjërë e të shtrirë siç vijon:

Para nëntë vitesh, unë vizitova një qytet të bekuar. Meqenëse ishte stinë dimri, unë nuk munda t’i shihja burimet e pasurisë dhe aspektet e prodhimit të atij qyteti.

Disa herë, myftiu i qytetit, Zoti e mëshiroftë, më tha, “Njerëzit tonë këtu janë të varfër”, këto fjalë më prekën. Për pesë ose gjashtë vite, unë ndjeva keqardhje për njerëzit e qytetit. Tetë vite më vonë në stinën e verës, unë përsëri e vizitova qytetin. Hodha vështrimin tek kopshtet e tij dhe m’u kujtuan fjalët e myftiut të ndjerë. Unë thashë me habi, “Ja subhanall-llah! Prodhimet e këtyre kopshteve janë shumë më të larta se sa nevojat e qytetit. Njerëzit e tij duhet të jenë shumë të pasur”. Unë mbeta shumë i habitur. Pastaj unë kuptova nëpërmjet të kujtuarit të një fakti i cili nuk më kishte mashtruar asnjëherë dhe është udhëzuesi për kuptimin e të vërtetave të tjera, se bereqeti e bollëku ishin zhdukur për shkak të harxhimit të tepërt dhe të prishjes pa hesap, saqë ndonëse qyteti kishte burime të tilla pasurie, Myftiu i ndjerë më thonte: “Njerëzit tonë janë të varfër”.

Po, ashtu si dhënia e zeqatit dhe qënia kursimtar dhe i përmbajtur që janë provuar me eksperimente se janë shkaku për shtimin e bereqetit dhe të begatisë në mirësi e në pasuri, po ashtu harxhimi i tepërt dhe mosdhënia e zeqatit janë shkaku për të ikur bereqeti e begatia.

Platoni i filozofëve muslimanë, shejhu i mjekëve dhe profesori i filozofëve, gjeniu i famshëm Ibnu Sina e shpjegoi vërsetin,  “Hani e pini, por mos shpërdoroni me prishje pa hesap”[9] vetëm nga këndvështrimi i mjekësisë, siç vijon:

“Unë e përqëndrova -grupova- mjekësinë në dy vargje poezie,

Fjala më e mirë është ajo më e shkurtëra;

Kur ti të hash, ha pak, dhe jo të hash përsëri pas katër apo pesë orësh.

Shëndeti qëndron në tretje. Domethënë, ha aq sa mund ta tretësh me lehtësi.

Gjëja më e rëndë e më e lodhshme për stomakun tënd është të ngrënit e shumë gjërave njëra mbi tjetrën”.[10]

 

 

Një koinçidencë e jashtëzakonshme dhe instruktive:

Në të gjitha kopjet e trajtesës rreth kursimit të shkruara nga pesë apo gjashtë shkrues -tre prej të cilëve ishin të papërvojë, në shkrim dhe ishin në vende të ndryshme të largëta nga njëri-tjetri, e shkruan atë prej kopjeve të ndryshme, dorëshkrimi i të cilëve ishte krejt i ndryshëm dhe të cilët nuk i morrën fare në konsideratë Elifat; Elifat të cilët përkuan e koinçiduan me numrin “pesëdhjetë e një” të çdo kopjeje -pa dua- ose të numrit pesëdhjetë e tre me dua.

Këto numra koinçidonin me datën në të cilën u shkrua e u kopjua trajtesa rreth kursimit, datë e cila ishte [13]51 sipas kalendarit diellor dhe [13]53 sipas kalendarit hënor, padyshim kjo nuk mund të jetë rastësi. Ajo është një tregues se bekimet e bereqetit që shkaktohen nga kursimi ngjiten deri në shkallën e kerametit, dhe se ky vit është i përshtatshëm të quhet “Viti i kursimit”.

Po, ky keramet i kursimit u provua dy vite më vonë gjatë luftës së dytë Botërore, nga një uri e përhapur gjërë, nga një shkatërrim dhe nga një harxhim i tepruar, dhe njerëzimi dhe gjithësecili u detyruan të jenë të kursyer”.

“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë që vetëm Ti i Gjithëdituri, i Gjithurti”.[11]

* * *

 

[1] Kur’an, 7:31

[2] Transmetojnë Ahmedi nga Ibnu Mes’udi

[3] Domethënë në vitin 1926, Përkthyesi

[4] Kur’an, 51:58

[5] Kur’an, 11:6

[6]Konsumatorët shtohen dhe prodhuesit pakësohen si rrjedhojë e harxhimit të tepruar dhe mungesës së kursimit. Gjithësecili i fikson sytë tek dera e qeverisë. Atëherë industria, tregtia dhe bujqësia mbi të cilat varet jeta shoqërore ulen e pakësohen. Dhe kombi bie dhe varfërohet.

[7] Veziri i Persisë Shah Nushirvan, i drejti dhe i urti, pyeti Bozorgmehrin: Përse shikohen dijetarët nëpër dyert e sundimtarëve dhe nuk shikohen sundimtarët tek dyert e dijetarëve, në një kohë që dija është më e lartë se sa sundimi?” Ai u përgjigj: “Për shkak të diturisë së dijetarëve dhe të injorancës së sundimtarëve. Domethënë, sundimtarët nuk dinë vlerën e dijes dhe prandaj nuk vijnë tek dyert e dijetarëve që ta kërkojnë atë, kurse dijetarët e dinë vlerën e saj tek dyert e sundimtarëve!

Kësaj përgjigjje të hollë, elegante e komike, për lakminë e dijetarëve që buron nga zgjuarsia e tyre duke i çuar ata në poshtërim e në varfëri, Bozorgmehri iu përgjigj në një mënyrë të përsosur.

Nënshkroi Husrevi

Një ngjarje që e mbështet këtë: Në Francë, një autorizim lypësi u jepet figurave letrare për shkak se ata ishin mjeshtër, njohës të lypjes. Nënshkroi:

Sulejman Rushtu

[7] Në të vërtetë, sa herë që takohesh me një njeri prishanik e të papërmbajtur, ti dëgjon ankesa. S’ka rëndësi se sa i pasur është; gjuha e tij përsëri ankohet. Ndërsa kur ti takon personin më të varfër por të kënaqur (të vetëmjaftueshëm), ti dëgjon vetëm falënderime.

[9] Kur’an, 7:31

[10] Domethënë gjëja më e dëmshme për trupin është mosdhënia atij një afat ndërmjet vakteve të ushqimit -pra një afat rreth 4-5 orë- ose mbushja e stomakut duke futur ushqim në mënyrë të pandërprerë për hir të ëndjes, shijes. Autori

[11] Kur’an, 2:32

Leave a Reply