Pyetje: Përse ndodh që njerëzit e udhëzimit, të cilët janë “Partia” e Zotit xh.sh., mposhten aq shumë herë nga njerëzit e çudhëzimit, të cilët janë “partia” e shejtanit? Pavarësisht se ata të udhëzuarit janë të rrethuar nga përkujdesja dhe nga mëshira Hyjnore dhe marrin shumë ndihmë e favore nga Krijuesi, dhe në krye të radhëve të tyre qëndrojnë pejgamberët e nderuar, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi ta dhe ata të gjithë i udhëheq Krenaria e Botës a.s.m.? Cila ishte arsyeja për hipokritët e Medinesë që këmbëngulnin në çudhëzim dhe që nuk e përqafuan udhëzimin, pavarësisht se ata ishin afër Profetit më të nderuar a.s.m., profetësia dhe mesazhi i të cilit ndriçojnë si dielli dhe ai u kujton Kur’anin e mrekullueshëm i cili ndikon në shpirtëra si elikziri më i madh dhe i udhëzon ata me të vërtetat Kur’anore, të cilat i tërheqin të gjithë me një fuqi më të madhe se sa ligjet universale të gravitetit?

Përgjigjja: Është e domosdoshme të shpjegohet një parim i thellë me qëllim që të zgjidhim dy pjesët e kësaj pyetje të çuditshme. Ai është sa vijon:

Krijuesi i gjithësisë ka dy lloj Emrash, ato që i përkasin Madhështisë së Tij dhe ato që i përkasin Bukurisë së Tij. Meqenëse këto Emra kërkojnë të demonstrojnë shkallët e tyre nëpërmjet manifestimeve të ndryshme, Krijuesi i Gjithëlavdishëm i ka kombinuar së bashku të kundërtat në univers. Duke i sjellë ato ballë për ballë, Ai u dha atyre pozita agresive dhe mbrojtëse, në formën e një lloji urtësie dhe të një kundërshtimi të dobishëm. Duke i bërë të kundërtat të tejkalojnë limitet e njëra-tjetrës, Ai solli konfliktin në qënie, dhe e bëri universin t’i nënshtrohet ligjit të ndryshimit e të transformimit dhe parimeve të përparimit dhe të progresit. Prandaj Ai e bëri njeriun, i cili është fruti gjithëpërfshirës i pemës së krijimit, ta ndjekë atë ligj kundërshtimi në formën më të çuditshme, domethënë ligjin e dyluftimit dhe të mbrojtjes, dhe duke hapur para tij derën e “Luftës e të përpjekjes”, e cila do të ishte boshti për të gjithë përparimin njerëzor dhe për plotësimet, Ai i dha partisë së shejtanit disa aftësi me të cilat ata të kenë mundësi të përballen me Partinë e Allahut në fushën e betejës. Për shkak të këtij misteri të hollë, profetët shpesh mposhteshin para njerëzve të çudhëzimit. Dhe njerëzit e çudhëzimit, që janë shumë të dobët e të pafuqishëm, triumfojnë përkohësisht mbi njerëzit e së vërtetës, të cilët në realitet janë shumë të fuqishëm, dhe luftojnë kundra tyre. Urtësia në këtë kundërshtim të çuditshëm është sa vijon:

Në çudhëzim e në mohim është edhe mosekzistenca edhe mohimi, kështu që ai është shumë i lehtë dhe nuk kërkon lëvizje a veprim.. dhe në të është gjithashtu shkatërrimi, i cili është jashtëzakonisht i kollajtë dhe për të cilin nevojitet vetëm një lëvizje e pakët.. Gjithashtu në të ndodhet agresion, ku një veprim i pakët dhe i kollajtë prej tij shkakton dëm tek shumë, dhe nga këndvështrimi i kërcënimit ndaj të tjerëve dhe lidhur me kënaqjen e dëshirës së nefsit për fuqi, ai bën të fitojë rang dhe pozitë për një person..

Pastaj njeriu ka shqisa lëndore dhe forca shtazore e vegjetale të cilat nuk i shohin pasojat fundin dhe as nuk mendojnë për to dhe të cilat magjepsen e pushtohen nga kënaqësitë e tanishme të çastit. Të kënaqurit e këtyre forcave, përmbushja e dëshirave dhe orekseve të tyre dhe t’i lësh të lira, i bën aftësitë e holla të njeriut si mendja dhe zemra, të heqin dorë nga detyrat e tyre themelore, të cilat janë ndjenjat e larta njerëzore që marrin në konsideratë pasojat e përfundimin.

Sa për rrugën e shenjtë të njerëzve të udhëzimit dhe atë të profetëve me në krye të Dashurin e Zotit të të gjitha botëve a.s.m., ajo i përket ekzistencës, është pozitive dhe ndërtimore; gjithashtu ajo bazohet mbi parime të rëndësishme si të vepruarit, maturia -mesi i artë, e drejta-, merr në konsideratë pasojat dhe adhurimin e pastër; gjithashtu ajo e copëton tiraninë e nefsit urdhërues për të liga dhe pavarësinë e tij. Për shkak të kësaj, hipokritët e kohës së profetit në Medine i mbyllën sytë e tyre para atij dielli rrezatues, ashtu si lakuriqësat, dhe duke ua nënshtruar vetet e tyre forcës zmbrapëse të shejtanit, mbetën në çudhëzim dhe nuk u tërhoqën nga ajo tërheqje e madhe e Kur’anit dhe e të vërtetave të tij të përjetshme.

 

Bediuzzaman / LETRAT