Lexo PDF

 

“Me Emrin e Tij, të Cilit i takon lavdërimi, Dhe s’ka gjë që të mos e lëvdojë lartësinë e Tij. [1] Paqja qoftë mbi ju dhe mbi shokët tuaj!”

 

Vëllezërit e mi të dashur!

Ju më bëtë një pyetje atë natë, të cilës unë nuk iu përgjigja, sepse nuk është e lejueshme të polemizosh e të hahesh me fjalë mbi çështjet e besimit. Diskutimi juaj rreth tyre ishte në formë grindjeje e kundërshtimi. Tani unë po ju shkruaj një përgjigje të shkurtër për tre pyetjet tuaja të cilat ishin themeli i debatit tuaj: Ju do t’i gjeni detajet tek “Fjalët”, emrat e të cilave i ka shkruar farmacisti. Veçse nuk më erdhi në mend “Fjala e Njëzet e Gjashtë”, që lidhet me Kaderin Hyjnor dhe me vullnetin e lirë të njeriut, me zgjedhjen, dhe prandaj unë nuk ua thashë. Shikoje edhe atë gjithashtu, por mos e lexo atë si një gazetë. Arsyeja për referimin tim tek Farmacisti për studimin e atyre Fjalëve, është kjo: dyshimet rreth çështjeve të atij lloji burojnë nga dobësia e besimit në shtyllat e fesë. Ato Fjalë i provojnë plotësisht  të gjitha shtyllat e imanit.

 

q PYETJA E PARË: Cila është urtësia lidhur me nxjerrjen e Hazreti Ademit a.s. nga Xhenneti? Dhe cila është urtësia për futjen e disave prej bijve të Ademit në Xhehennem?

Përgjigjja: Urtësia e saj lidhet ne ngarkimin e detyrave… Ademi a.s. u dërgua në tokë i ngarkuar me një detyrë të tillë dhe me një mision të madh, saqë rezultatet e asaj detyre janë të gjitha llojet e përparimit shpirtëror të njerëzimit, zbulimi i të gjitha mundësive, i potencialeve të njerëzimit, zhvillimi i tyre, dhe bërja dhe qënia e natyrës esenciale të njeriut një pasqyrë gjithëpërfshirëse për të gjithë Emrat e bukur Hyjnorë. Në qoftë se Hazreti Ademi do të kishte mbetur në Parajsë, rangu i  tij do të kishte qenë i fiksuar ashtu si ai i melekëve; mundësitë -potencialet- njerëzore nuk do të ishin zbuluar. Ndërsa melekët, rangu i të cilëve është i përcaktuar, janë të shumtë, dhe nuk lind nevoja për njeriun që të kryejë atë lloj adhurimi. Po, urtësia Hyjnore kërkoi një botë përgjegjshmërie të përshtatshme për mundësitë e njeriut, i cili do të kalonte shkalla e stacione të pafundme, prandaj Ademi a.s. u nxor e u dëbua nga Xhenneti për mëkatin e tij të mirënjohur, mëkat i cili duke qenë kërkesa e natyrës së njeriut dhe në kundërshtim me atë të melekëve; domethënë, ashtu si nxjerrja e Hazreti Ademit a.s. nga Xhenneti që është thjesht urtësi dhe mëshirë e pastër, po ashtu futja e mohuesve në Ferr është e drejtë dhe drejtësi.

Ashtu siç u përmend në Treguesin e Tretë të Fjalës së Dhjetë, kafiri, mohuesi, edhe në qoftë se ka bërë vetëm një mëkat në një jetë të shkurtër, por ama brenda mëkatit ishte një padrejtësi e krim i pafundmë, sepse mosbesimi është  një fyerje për të gjithë universin, ai e pakëson vlerën e të gjitha qënieve, ai mohon dëshminë e unitetit Hyjnor të të gjithë krijesave dhe është përçmim ndaj Emrave Hyjnorë, manifestimet e të cilëve shihen në pasqyrat e qënieve. Prandaj, me qëllim që të shpaguhen, të merret haku i të drejtave të qënieve tek jobesimtari, Monarku i qënieve, Detyruesi i Vetëm i Lavdisë, i flak jobesimtarët në Ferr të përhershëm dhe kjo është thjesht e drejtë dhe drejtësi e pastër, sepse një krim i pafundmë kërkon një dënim të pafundmë.

 

q PYETJA E DYTË: Përse janë krijuar shejtanët? Zoti i Gjithëfuqishëm i krijoi shejtanët dhe të këqijat, çfarë urtësie është në të? Sepse krijimi i së keqes është e keqe dhe krijimi i të shëmtuarës është e shëmtuar.

Përgjigjja: Ruajna Zot!.. Krijimi i së keqes nuk është e keqe, por dëshira ose prirja për të keqen është e keqe, sepse krijimi dhe sjellja në ekzistencë shikojnë tek të gjitha pasojat dhe tek përfundimet që lidhen me to, ndërsa një dëshirë e tillë shikon tek një rezultat i veçantë, meqenëse ajo është një lidhje e veçantë. Për shembull, ndodhen mijëra pasoja -rezultate- nga rënia e shiut, dhe të gjitha ato janë të mira. Në qoftë se nëpërmjet zgjedhjes së keqe, disa njerëz pësojnë dëm nga shiu, ata nuk mund të thonë, se “Krijimi i shiut nuk është mëshirë,” ata nuk mund të pohojnë se “Krijimi i shiut është e keqe.” Përkundrazi, ai u bë i keq për shkak të zgjedhjes së keqe të tyre dhe të prirjes që është e keqe për ta. Gjithashtu, ndodhen dobi të shumta në krijimin e zjarrit, dhe të gjitha ato janë të mira. Por në qoftë se disa njerëz pësojnë dëm nga zjarri nëpërmjet keqpërdorimit të tij dhe të zgjedhjes së gabuar të tyre, ata nuk mund të thonë se “krijimi i zjarrit është e keqe.” Sepse ai nuk u krijua vetëm për t’i djegur ata. Por ata i fusin duart e tyre në zjarr ndërsa janë duke gatuar ushqimin nëpërmjet zgjedhjes së keqe të tyre dhe e bëjnë armiqësor atë shërbëtor ndaj vetes së tyre.

Shkurtazi: E keqja më e vogël është e pranueshme për një të mirë më të madhe. Në qoftë se do të lihej një e keqe e cila të çon tek një e mirë më e madhe, me qëllim që të mos jetë një e keqe më e vogël, atëherë do të ndodhte një e keqe më e madhe. Për shembull, sigurisht ndodhen disa dëme të vogëla materiale e fizike për ushtarët duke luftuar në atë xhihad, por ndodhet një e mirë më e madhe në xhihad, pasi shpëton Islami nga sundimi i mohuesve. Në qoftë se do të braktisej xhihadi për shkak të atyre të këqijave më të vogëla, atëherë do të vinte e keqja më e madhe pasi të ketë ikur e mira më e madhe. Dhe ky është një gabim absolut, është pikërisht padrejtësia. Dhe për shembull, të presësh, një gisht i cili është infektuar me gangrenë (brejë) dhe duhet të pritet, është e mirë dhe e drejtë, megjithëse kjo në dukje është e keqe, sepse në qoftë se nuk pritet gishti, atëherë duhet të pritet dora, dhe kjo do të ishte një e keqe më e madhe.

Kështu, krijimi dhe sjellja në ekzistencë, dëmet, vuajtjet, provat e rënda, shejtanët dhe gjërat e dëmshme në gjithësi nuk janë as e keqe, as e shëmtuar, sepse këto janë krijuar për shumë rezultate të rëndësishëm. Për shembull, melekët nuk kanë shkallë apo përparim, dhe kjo për shkak të mossundimit të shejtanëve mbi to, prandaj pozita, shkalla e tyre është e fiksuar, nuk ndryshon. Po kështu kafshët, shkallët e tyre janë të fiksuara e të mangëta për shkak të mossundimit të shejtanëve. Ndërsa në botën e njeriut, shkallët e progresit dhe të rënies janë të pafundme. Ndodhet një distancë tej mase e gjatë nëpërmjet të cilës për të përparuar duke filluar nga Nimrudët dhe Faraonët dhe duke përfunduar tek të vërtetit, evlijatë dhe profetët.

Kështu, nëpërmjet krijimit të shejtanëve dhe nëpërmjet misterit të përgjegjshmërisë së njeriut dhe me dërgimin e profetëve, një arenë prove e sprovimi, lufte e gare është hapur, me qëllim që shpirtërat e ulët si qymyri të mund të dallohen e të ndahen nga shpirtërat e lartë si diamanti. Në qoftë se nuk do të kishte pasur luftë dhe garë, mundësitë në thesarin e humanizmit të cilat janë si diamante dhe qymyri, do të kishin mbetur të barabartë. Shpirti i Ebu Bekrit, të Drejtit, që është tek lartësia më e lartë, do të kishte mbetur tek i njëjti nivel si ai i Ebu Xhehlit tek ultësia më e ulët. Kjo do të thotë se meqenëse krijimi i shejtanëve dhe i të këqinjve shikon tek rezultatet e mëdha dhe universale, sjellja e tyre në ekzistencë nuk është as e keqe, as e shëmtuar. Madje të këqijat dhe të shëmtuarat, të cilat burojnë nga abuzimet dhe nga shkaqet e veçanta të njohura si prirje ose zgjedhje, i përkasin zgjedhjes së njeriut dhe jo krijimit Hyjnor.

Në qoftë se ju pyesni: Shumica e njerëzimit bëhen jobesimtarë për shkak të ekzistencës së shejtanit dhe përqafojnë kufrin -mosbesimin- dhe vuajnë dëm pavarësisht dërgimit të profetëve. Në qoftë se, në përputhje me rregullin “shumica e ka fjalën”, shumica vuan të keqen si përfundim, atëherë krijimi i së keqes është e keqe dhe, madje mund të thuhet se dërgimi i profetëve nuk është mëshirë. Apo jo?

Përgjigjja: Sasia nuk ka rëndësi në lidhje me cilësinë. Shumica e vërtetë shikon cilësinë.

Për shembull, në qoftë se ndodhen njëqind bërthama të një druri hurme dhe ato nuk janë vënë poshtë dheut dhe nuk vaditen me ujë, domethënë, në qoftë se nuk ndodh ndonjë reaksion kimik: me fjalë të tjera, në qoftë se nuk shfaqet një luftë për jetën, ato janë vetëm se njëqind bërthama që vlejnë vetëm njëqind lekë. Por në qoftë se ato vaditen dhe i nënshtrohen luftës për jetën, dhe pastaj tetëdhjetë nga njëqind kalben për shkak të përbërjes -natyrës- së tyre të keqe, por njëzet bëhen pemë frytdhënëse, hurmash, atëherë a mund të thuash se “të vaditurit e tyre është e keqe për shkak se shumica e tyre u kalbën?” Natyrisht, ti nuk mund ta thuash atë, sepse ato njëzet bërthama janë bërë si njëzet mijë. Ai që humbet tetëdhjetë por fiton njëzet mijë nuk vuan dëm dhe kjo nuk mund të jetë e keqe.

Dhe, për shembull, në qoftë se një pallua femër bën njëqind vezë dhe ato kanë një vlerë prej pesëqind qindarkash. Në qoftë se pula ngroh njëqind vezë dhe tetëdhjetë prishen, kurse njëzet çelin (zogjtë pallua), a mund të thuhet se “pati një humbje të lartë dhe veprimi ishte i keq, se është e keqe ta vësh pulën që bie klloçkë mbi vezë dhe një e keqe ndodhi?” Jo, nuk është kështu, përkundrazi, kjo është gjë e mirë, sepse specia e pallonjve dhe lloji i vezëve humbën tetëdhjetë vezë me vlerë katërqind qindarka, por fituan njëzet pallonj me vlerën e tetëdhjetë lirave.

Kështu, nëpërmjet dërgimit të profetëve dhe misterit të përgjegjshmërisë së njeriut, nëpërmjet përpjekjes dhe të luftuarit kundër shejtanëve, si shpërblim lloji njerëzor ka fituar qindra e mijëra profetë, dhe miliona evlija dhe miliarda të pastër, të cilët janë si diejt, hënat dhe yjet e botës së humanizmit; njerëzimi ka humbur mosbesimtarët dhe hipokritët, të cilët janë të shumtë në lidhje me sasinë, por të parëndësishëm në lidhje me cilësinë dhe që janë si kafshë të dëmshme.

 

q PYETJA E TRETË: Zoti i Gjithëfuqishëm dërgon fatkeqësi dhe jep goditje me prova të rënda e mundime: A nuk është kjo tiranike, një padrejtësi ndaj të pafajshmive në mënyrë të veçantë dhe madje edhe ndaj kafshëve?

Përgjigjja: Ruajna Zot! E gjithë prona është e Tij. Ai vepron në Pronat e Veta si të dojë. Për më tepër, një mjeshtër i aftë të bën ty një model kundrejt një shpërblimi dhe të vesh ty një rrobe të zbukuruar dhe të modeluar në mënyrën më artistike. Pastaj me qëllim që të shfaqë artin dhe mjeshtërinë, ai e shkurton atë dhe e zgjat, e mat dhe e ndreq dhe të bën ty të ulesh dhe të qëndrosh në këmbë. Atëherë a mund t’i tuash ti atij: “Ti e ke bërë rrobën, e cila më bën të bukur, të shëmtuar? Ti më ke shkaktuar shqetësim, duke më bërë mua të ulem dhe të qëndroj në këmbë.” Natyrisht, ti nuk mund ta thuash këtë. Në qoftë se e thua, ti do të ishe i çmendur.

Në të njëjtën mënyrë, Autori i Gjithëlavdishëm të ka veshur një trup të zbukuruar artistikisht, me aftësi të holla, si: syri, veshi dhe gjuha. Me qëllim që të shfaqë qëndisjet e ndryshme të Emrave të Tij, Ai të bën ty të sëmurë, të godet me fatkeqësi, të bën të uritur, të ngop, të bën të etur dhe të bën të rrotullohesh në gjendje si këto… Me qëllim që të forcohet esenca e jetës dhe të shfaqet manifestimi i Emrave të Tij, Ai të bën të udhëtosh  në shumë rrethana të tilla. Në qoftë se ti thua: “Përse Ai më sprovon me këto fatkeqësi?” Ashtu siç u tregua në krahasimin e kaluar, njëqind shembuj urtësie do të të heshtin ty.

Prandaj qetësia, pushimi, dembelia, monotonia, papunësia dhe ndërprerja nga veprimet, janë forma mosekzistence dhe dëmi. Veprimi dhe ndryshimi janë ekzistencë dhe e mirë. Jeta gjen plotësimin e saj nëpërmjet të vepruarit, ajo përparon nëpërmjet provave dhe mundimeve. Jeta shfaq veprime të ndryshme nëpërmjet manifestimit të Emrave Hyjnorë dhe pastrohet, gjen forcë, zhvillohet, zgjerohet dhe bëhet një penë e lëvizshme për të shkruar rrjedhën e përcaktuar të saj; ajo kryen detyrën e saj dhe fiton të drejtën për të marrë shpërblim në Ahiret.

Kështu, përgjigjjet për të trija pyetjet në debatin tuaj, ishin shkurt këto. Shpjegimet e tyre gjenden në Tridhjetë e tre Fjalët tek koleksioni i “Fjalëve” .

Vëllai im i dashur; Lexoje këtë letër për Farmacistin dhe për ata që e dëgjuan debatin të cilët ti i mendon të përshtatshëm. Dhe jepi përshëndetje studentit tim të ri, farmacistit dhe i thuaj atij çka vijon:

“Nuk është e lejueshme të diskutosh çështje të holla të besimit si ato që u përmendën lart në një tubim shoqëror në formën e një debati të çekuilibruar. Si një debat i pakontrolluar, ndërsa duke qenë një bar -ilaç- për të gjitha sëmundjet, ai bëhet helm. Ai bëhet i dëmshëm si për ata që flasin, po ashtu edhe për ata që dëgjojnë. Është e lejueshme t’i diskutosh ato çështje të tilla në mënyrë të arsyeshme, me maturi, me drejtësi e me ndershmëri si një shkëmbim idesh.” Dhe i thuaj atij: “Në qoftë se të ndodhin dyshime në çështjet e këtij lloji dhe ti nuk mund të gjesh përgjigjen tek Fjalët, atëherë më shkruaj mua privatisht…”

Dhe i thuaj farmacistit: “Kuptimi i mëposhtëm më ndodhi mua lidhur me ëndrrën që ai pati me babain e tij të ndjerë: meqenëse babai i tij i ndjerë ishte doktor, ndoshta ai ka qenë i dobishëm për disa prej atyre që janë të afërm me Zotin xh.sh. dhe në kohën e vdekjes së tij, shpirtërat e atyre njerëzve të bekuar që kanë qenë të kënaqur prej tij dhe patën dobi, u shikuan nga djali i tij më i afërt me të, në formë të zogjve; ajo m’u shfaq se ato erdhën ta takojnë atë me një mirëseardhje që do të ishte ndërmjetësim për shpirtin e tij,” Unë u dërgoj përshëndetje të gjithë shokëve që ishin bashkë këtu atë natë dhe bëj lutje për ta.

I Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!

Said Nursi

* * *

[1] Kur’an, 17: 44