Përputhshmëria e “Kaderit” me “fuqinë e zgjedhjes” se individit është në shtatë mënyra…

E para: I Drejti i Vetëm dhe i Gjithurtë, urtësinë dhe drejtësinë e të Cilit e dëshmon universi me gjuhën e rregullit dhe të ekuilibrit, i dha njeriut një fuqi zgjedhjeje të një natyre të panjohur me qëllim që ajo të jetë mjet shpërblimi dhe dënimi për të. Ashtu siç nuk njohim shumë nga aspektet e mëdha në numër të urtësisë së të Drejtit të vetëm dhe të të Gjithurtit, gjithashtu, mosnjohja jonë se si pajtohet Fuqia e zgjedhjes me Kaderin Hyjnor nuk tregon mosekzistencën e asaj pajtueshmërie.

E dyta: Nga domosdoshmëria, çdonjëri ndijon në vetvete një dëshirë e një zgjedhje; Ai e njeh atë me anë të ndërgjegjjes së tij. Të njohësh natyrën e qënieve është një gjë, dhe të njohësh se ato ekzistojnë është diçka e ndryshme. Ka shumë gjëra që megjithëse ekzistenca e tyre është e vetëkuptueshme për ne, mirëpo natyra e vërtetë e tyre është e panjohur nga ne… Kështu, fuqia e zgjedhjes mund të përfshihet brenda sferës së njohurive dhe jo çdo gjë përkufizohet brenda sferës së njohurive tona, dhe mosnjohja jonë nuk e provon mosekzistencën e tyre.

E treta: Fuqia e zgjedhjes nuk e kundërshton Kaderin Hyjnor, përkundrazi, Kaderi e mbështet fuqinë e zgjedhjes, sepse Kaderi është një lloj i Njohjes Hyjnore. Njohuria Hyjnore është lidhur me dëshirën dhe me zgjedhjen tonë, prandaj ajo e mbështet zgjedhjen dhe nuk e shfuqizon atë.

E katërta: Kaderi është një lloj njohje. Njohja është e varur nga gjëja e njohur. Domethënë, ajo është e lidhur me, si dhe në ç’mënyrë do të jetë ajo. Gjëja e njohur nuk është e varur nga njohja. Domethënë, parimet e njohjes nuk janë themelore për të drejtuar gjënë e njohur nga këndvështrimi i ekzistencës së jashtme. Sepse esenca e gjësë së njohur dhe ekzistenca e saj e jashtme shikon tek dëshira dhe mbështetet tek fuqia. Pastaj, parapërjetësia nuk është maja e një zinxhiri të së shkuarës  që të merret si bazë në ekzistencën e gjërave dhe si një detyrim i imagjinuar në përputhje me të. Por, parapërjetësia rrethon e përfshin të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, duke i shikuar ato nga lart si një pasqyrë. Atëherë, nuk do të ishte e vërtetë të imagjinosh majën a fillimin e kohës së shkuar e cila shtrihet brenda sferës së mundësive, dhe ta quash atë parapërjetësi, dhe të supozosh se gjërat futen me radhë në atë njohje parapërjetësie, dhe se njeriu  e pandeh vetveten jashtë saj, dhe pastaj të arsyetonte sipas saj.

Shqyrtoje shembullin e mëposhtëm me qëllim që të zbulohet ky mister: Në qoftë se do të ndodhej një pasqyrë në dorën tënde dhe ta supozoje hapësirën në të djathtën tënde si të shkuarën, kurse hapësirën në të majtën si të adhmen, ajo pasqyrë reflekton veçse atë që është përballë saj. Atëherë me një lëvizje, duke e vendosur në një pozicion të caktuar, ajo i përfshin të dyja anët, por nuk mund të përfshijë pjesën më të madhe të tyre. Sa më ulët të mbahet pasqyra, aq më pak do të reflektohet sipërfaqja në të, por sa më lartë të ngrihet ajo, aq më shumë zgjerohet sipërfaqja që është përballë saj, derisa ajo duke u ngritur gradualisht mund t’i përfshijë të dyja anët plotësisht në të njëjtën kohë. Kështu, çfarëdo që të ndodhë në dy hapësirat e shfaqura në pasqyrë  në këtë pozicion, nuk mund të thuhet se gjendjet që ndodhin tek njëra, paraprijnë dhe ndjekin njëra-tjetrën, apo i përshtaten ose kundërshtojnë njëra-tjetrën.

Dhe kështu, Kaderi Hyjnor është nga njohja e parapërjetësisë. Në fjalët e hadithit, “Njohja e parapërjetësisë është në një stacion të lartë i cili nga një pikë e lartë vështrimi rrethon gjithçka që ka qenë dhe që do të jetë nga parapërjetësia për tek paspërjetësia.” Ne dhe arsyetimi ynë nuk mund të jenë jashtë kësaj njohje, që ne ta përfytyrojmë atë si një pasqyrë që ndodh në hapësirën  e së shkuarës.

E pesta: Kaderi ka një lidhje me shkakun dhe pasojën. Domethënë, kjo pasojë do të ndodhë nëpërmjet këtij shkaku. Kështu, nuk mund të thuhet se “Meqenëse vdekja e filan njeriut është paracaktuar të ndodhë në filan kohë, atëherë çfarë faji ka personi i cili e qëlloi atë me pushkë nëpërmjet fuqisë së tij të zgjedhjes, pasi edhe në qoftë se nuk do ta kishte qëlluar, ai përsëri do të kishte vdekur?”

Pyetje: Pse ajo mund të mos thuhet?

Përgjigjja: Sepse Kaderi përcaktoi se vdekja e tij do të ndodhte nëpërmjet pushkës së atij personi. Në qoftë se ti supozon se ai nuk qëlloi me pushkë, atëherë ti je duke supozuar se kaderi Hyjnor nuk ka lidhje me të. Atëherë me çfarë do ta dekretoje vdekjen e tij! Në qoftë se ti i imagjinon të ndara shkakun dhe pasojën, ashtu si grupi heretik Xheberijjeh, të cilët përfytyrojnë një Kader për shkakun dhe një Kader për pasojën, ose në qoftë se ti do ta mohoje Kaderin ashtu si grupi heretik Mu’tezilitët, ti do të braktisje shkollën sunnite dhe do të futeshe te grupet e humbura. Ndërsa ne, njerëzit e së vërtetës, themi: “Në qoftë se ai nuk do ta kishte qëlluar me pushkë, vdekja e tij është e panjohur tek ne.” Xheberijtë thonë: “Në qoftë se ai nuk do ta kishte qëlluar, ai përsëri do të kishte vdekur.” Ndërsa Mu’tezilitët thonë: “Në qoftë se ai nuk do ta kishte qëlluar atë, ai nuk do të kishte vdekur.”

E gjashta:Sipas Maturidive, prirja, esenca dhe themeli i fuqisë së zgjedhjes, është një çështje teorike dhe mund t’i atribuohet shërbëtorëve të Zotit xh.sh., por prirja është një çështje ekzistuese tek Esh’aritë, ajo nuk është në dorën e robit. Megjithatë, sipas Esh’arive, fuqia e vendosjes në prirje është një çështje teorike, ku në çdo rast, prirja dhe vendosja janë një çështje relative. Ato nuk kanë një ekzistencë të jashtme të përcaktuar. Sa për çështjet teorike, ato nuk kërkojnë shkaqe të plota nëpërmjet të cilave, për ekzistencën e tyre, të ndërhynte domosdoshmëria e të hiqte dëshirën dhe fuqinë e zgjedhjes.. Por, në qoftë se shkaku i çështjeve teorike do të kërkonte peshën e preferencës, atëherë çështja teorike mund të bëhet e vërtetë dhe ekzistuese, dhe mund të braktiset në atë çast kritik. Kur’ani mund të thonte për një person në atë pikë: “Kjo është e keqe! Mos e bëj!”

Po, në qoftë se njeriu do të ishte krijuesi i veprimeve të tij dhe do të kishte pasur fuqinë për të krijuar, atëherë dëshira do të hiqej, sepse rregulli i vendosur në shkencat e fesë e të filozofisë është:

مَا لَمْ يَجِبْ لَمْ يُوجَدْ “Në qoftë se një gjë nuk është e domosdoshme, ajo nuk vjen në ekzistencë (nga vetvetja).” Domethënë: duhet të jetë një shkak, dhe atëherë ajo mund të vijë në ekzistencë. Shkaku domosdoshmërisht kërkon pasojën. Atëherë fuqia e zgjedhjes nuk do të mbetej.

Në qoftë se ti thua: “Preferenca pa një shkak ose pa një atribut për ta shkaktuar atë, do të ishte e pamundur. Ndërsa çështja teorike të cilën ne e quajmë fitim njerëzor, ndonjëherë bën një gjë dhe ndonjëherë nuk e bën; në qoftë se nuk ka asgjë që ta shkaktojë preferencën, atëherë do të bëhej e domosdoshme preferenca pa diçka që do ta shkaktonte atë. Sa për këtë, kjo shkatërron njërën nga bazat më të rëndësishme të teologjisë?..”

Përgjigjja: Preferenca pa një shkak ose pa një atribut që ta shkaktojë atë është e pamundur. Domethënë, të qënit i preferuar ose më i mirë pa një shkak ose pa një atribut për ta bërë atë, është e pamundur. Mirëpo, preferenca pa diçka që ta shkaktojë atë, është e lejueshme dhe ndodh. Dëshira Hyjnore është një nga Atributet e All-llahut xh.sh., dhe shenja e saj është mundësia për ta kryer një veprim të tillë.

Në qoftë se ti thua: “Meqenëse Ai i Cili krijoi vrasjen është Zoti i Gjithëfuqishëm, atëherë përse më quani mua vrasës?”

Përgjigjja: Sepse sipas rregullave të gramatikës, pjesorja aktive –Emri veprues- rrjedh nga paskajorja, forma e thjeshtë, e cila është një çështje relative, por ajo nuk mund të ndahet nga forma e thjeshtë, që është një çështje e vërtetë apo ekzistuese. Paskajorja, -forma e thjeshtë- është fitimi ynë; dhe ne e marrim titullin e vrasësit. Forma e thjeshtë është Krijesa e Zotit të Gjithëfuqishëm. Ndonjëherë ajo që jep një aluzion përgjegjësie nuk mund ta ketë prejardhjen nga forma e thjeshtë.

E shtata: Sigurisht, dëshira e pjesshme e njeriut dhe fuqia e tij e zgjedhjes janë të dobëta dhe një çështje teorike, por Zoti i Gjithëfuqishëm, i Gjithurti Absolut, e bëri atë dëshirë të dobët e të pjesshme një kusht të thjeshtë për t’u lidhur me Dëshirën e Tij të përgjithshme. Domethënë, Ai në kuptim thotë: “O shërbëtori Im! Çfarëdo rruge që dëshiron të ndjekësh me zgjedhjen tënde, Unë do të të çoj tek ajo rrugë. Prandaj, përgjegjësia është e jotja!” Për shembull (natyrisht krahasimet janë të pakundërshtueshme), në qoftë se ti merr mbi supet e tua një fëmijë të pafuqishëm e të dobët dhe ia lë zgjedhjen atij duke i thënë: “Kudo që dëshiron të shkosh, unë do të të çoj atje. Ndërkohë fëmija dëshiron të ngjitet në një mal të lartë dhe ti e çon atje, mirëpo ai ose sëmuret ose bie. Atëherë, natyrisht ti do ta kritikoje ashpër duke i thënë, “Ti deshe të shkoje atje”, dhe i jep atij një shuplakë. Kështu, Zoti i Gjithëfuqishëm, më i Urti i Gjykatësve, e bën dëshirën e robit të Tij, i cili është pafundësisht i dobët, një kusht të thjeshtë për Dëshirën e Tij universale.

Shkurtazi: O njeri! Ti ke një dëshirë të njohur si ‘fuqia e zgjedhjes’ e cila është shumë e dobët, por dora e saj në veprat e këqija dhe në shkatërrim është shumë e gjatë, kurse në veprat e mira është shumë e shkurtër. Atëherë, jepia njërës nga dy duart e asaj dëshirës tënde lutjen, me qëllim që ajo të arrijë parajsën e cila është një nga frutat e zinxhirit të veprave të mira, dhe të shtrihet për tek lumturia e përjetshme që është një lule nga lulet e saj…dhe jepia dorës tjetër të saj istigfarin -kërkimin e faljes- me qëllim që të shkurtohet dora e saj për veprat e këqija dhe të mos e arrijë frutin e pemës së mallkuar të zekkumit të Ferrit. Domethënë, ashtu si duaja dhe mbështetja tek Zoti xh.sh. që e forcojnë shumë prirjen për te e mira, po ashtu pendimi dhe kërkimi i faljes e ndërpresin prirjen për tek e keqja dhe copëtojnë shkeljet e tejkalimet e saj.