Lexo PDF

 

[Shtojca e Shkreptimës së Njëzet e pestë]

 

NJË LETËR NGUSHËLLIMI PËR VDEKJEN E NJË FËMIJE

“Me Emrin e Tij  që s’ka gjë që të mos e lëvdojë lartësinë e Tij.”[1]

 

Vëllai im i dashur i Ahiretit, Hafiz Halid Efendi!

Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti! “Dhe jepu lajme të gëzueshme durimtarëve të cilët thonë kur u bie fatkeqësi, ‘Vërtet të All-lahut jemi dhe padyshim tek Ai do të kthehemi.”[2]

Vëllai im, vdekja e fëmijës tënd më ka pikëlluar. Por “Urdhri është i All-llahut,” kënaqësia me vendimin Hyjnor dhe nënshtrimi ndaj Kaderit Hyjnor është një kusht i Islamit. Zoti i Gjithëfuqishëm ju dhëntë ju të gjithëve durim. Dhe Zoti e bëftë të ndjerin një mbështetës dhe ndërmjetësues për ju në Ahiret. Unë do të shpjegoj “Pesë Pika” të cilat janë vërtet Lajme të Mira dhe ngushëllim real për ju dhe  për besimtarët e devotshëm si ju.

Ÿ Pika e parë: Kuptimi i frazës:  “(Do t’ju shërbejnë) djelmosha të pavdekshëm”[3] në Kur’anin e gjithurtë është ky: Me këtë frazë, vërseti tregon dhe jep lajme të gëzueshme se fëmijët e besimtarëve të cilët vdesin para se të arrijnë pjekurinë, do të qëndrojnë përjetë si të amshuar, fëmijë të dashur në një formë të denjë për parajsë, se ata do të jenë mjet i përhershëm lumturie në përqafimin e baballarëve të tyre dhe të nënave të cilët shkojnë në Parajsë; se ata do të jenë mjeti për të siguruar për prindërit e tyre më të ëmblën e kënaqësive si dashuria dhe përkëdhelja e fëmijëve.

Meqenëse të gjitha gjërat e këndshme do të gjenden në Xhennet, atëherë pohimet e atyre që thonë se “Parajsa nuk është vend për riprodhim dhe nuk do të ketë dashuri e përkëdhelje fëmjësh” nuk janë të sakta. Përkundrazi; atje është fitimi më i madh me dashurinë dhe përkëdheljen e pastër e pa dhimbje të fëmijëve të amshuar gjatë miliona viteve, në vend të një kohe të shkurtër si dhjetë vitet e dashurisë dhe të përkëdheljes së fëmijëve të përziera me hidhërime në këtë dynja. Të gjithë këtë e vërteton vërseti Kur’anor me frazën: “Djelmosha të pavdekshëm”, dhe ky është një burim i madh lumturie për besimtarët.

Ÿ Pika e dytë: Një herë, një njeri ishte në burg. Ata i dërguan atij njërin nga fëmijët e tij të dashur. I burgosuri fatkeq vuajti edhe nga pikëllimet e veta dhe, meqenëse nuk mundi ta bënte fëmijën e tij të rehatohej, ai u pikëllua gjithashtu në mundimin e tij. Ndërkohë sundimtari zemërdhembshur i dërgoi një njeri atij me një mesazh i cili i tha:

“Sigurisht ky fëmijë është i yti, por ai është nënshtetasi im dhe nga njerëzit e mi. Unë do ta marr atë, do të kujdesem për të dhe do ta ushqej në një pallat të bukur.”

Njeriu nisi të qajë me ankth e angështi, dhe tha: “Unë nuk do të ta jap fëmijën tim i cili është ngushëllimi im!”

Shokët e tij në burg i thanë : “Brenga jote është e pakuptim. Në qoftë se ty të dhimbset fëmija e të vjen keq për të, mësoje se ai do të shkojë tek një pallat madhështor i gjërë dhe lumturie në vend të këtij burgu të ndyrë,të neveritshëm dhe pikëllues. Në qoftë se ti pikëllohesh për veten tënde dhe po kërkon përfitimet dhe dobitë e tua, nëse fëmija jot mbetet këtu, ti do të vuash shumë hidhërime e dhimbje tek vështirësitë e fëmijës për hir të përfitimit tënd të vetëm të dyshimtë e të përkohshëm. Në qoftë se ai shkon atje, do të ketë një mijë avantazhe për ty, sepse ai do të jetë shkak për tërheqjen e mëshirës së Mbretit dhe do të jetë si një ndërmjetës për ty. Mbreti do të dëshirojë që të të bëjë ty të takohesh me të. Sigurisht, ai nuk do ta dërgojë atë në burg me qëllim që ti të mund ta shohësh; ai  do të të lirojë ty nga burgu, do të të dërgojë ty tek ai pallat dhe do të të lejojë të takohesh me fëmijën atje, por me kusht  që ti të kesh besim tek mbreti dhe t’i bindesh Atij…”

Vëllai im i dashur! Në dritën e këtij krahasimi, ti duhet të mendosh sa vijon, ashtu si ti, duhet të mendojnë edhe besimtarët e tjerë kur u vdesin fëmijët e tyre: Fëmija ishte i pafajshëm dhe Krijuesi i tij është Mëshirëplotë dhe Gjithëbujar. Ai e ka marrë atë tek Mëshira dhe tek përkujdesja e Tij e plotë në vend të edukimit dhe të dhembshurisë sime të mangët për të. Ai e ka liruar atë nga burgu i trishtueshëm, i kobshëm dhe i vështirë i kësaj bote dhe e ka dërguar atë në kopshtet e Parajsës së Tij. O sa lumturi për atë fëmijë! Në qoftë se ai do të kishte qëndruar në këtë dynja, kush e di se si do të sillej dhe çfarë do të punonte.

Prandaj, mua nuk më vjen keq për të, përkundrazi, unë e shoh atë të jetë i gëzuar, fatlum. Sa për dobitë që mbeten për veten time, mua nuk më vjen keq për to dhe as nuk pikëllohem e të jem i brengosur, sepse në qoftë se do të kishte mbetur në dynja, ai do të kishte siguruar dhjetë vite të një dashurie të përkohshme fëmije të përziera me dhimbje. Në qoftë se ai do të kishte qenë i drejtë dhe në qoftë se do të kishte qenë i aftë në çështjet e dynjasë, ndoshta ai do të më kishte ndihmuar mua. Por me vdekjen e tij, ai është bërë si ndërmjetësues i cili është mjeti për të garantuar një dashuri fëmije prej dhjetë milion vitesh në Parajsën e amshuar dhe për të hyrë në lumturinë e përjetshme. Sigurisht, ai që humbet ndonjë përfitim të dyshimtë të çastit dhe fiton një mijë dobi të sigurta, të shtyra për më vonë, ai nuk shfaq hidhërim e brengë, ai nuk qan në dëshpërim.

Ÿ Pika e tretë: Fëmija që ka vdekur ishte vetëm se krijesë e një Krijuesi Gjithëbujar dhe një rob i Tij, dhe së bashku me të gjitha gjymtyrët e tij është artifakti i Tij, dhe i përket Atij; ai ishte një shok për prindërit e tij, i cili iu ishte dhënë përkujdesjes së tyre përkohësisht. Ai i bëri babain dhe nënën shërbyes për fëminë. Si shpërblim për ato shërbime të tyre, Ai u dha atyre dhembshuri të këndshme si një shpërblim i shpejtë. Tani, në qoftë se, si kërkesë e mëshirës dhe e urtësisë, Ai Krijues Mëshirëplotë, i Cili është Pronari i vërtetë i fëmijës, që ka në pronësi nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë pjesë prej një mijë pjesëve të fëmijës, e merr fëmijën prej teje dhe i jep fund shërbimit tënd, atëherë të qash në dëshpërim e pikëllim për shkak të asaj pjese të vetme të dukshme, të jashtme, përpara Pronarit të vërtetë të një mijë pjesëve në një mënyrë që të kujton ankesën, kjo nuk i ka hije besimtarit, përkundrazi kjo u përshtatet njerëzve të pakujdesisë dhe të çudhëzimit.

Ÿ Pika e katërt: Në qoftë se dynjaja do të kishte qenë e përjetshme dhe, në qoftë se njeriu do të mbetej në të përjetësisht, ose në qoftë se ndarja do të kishte qenë përjetësisht, atëherë brenga pikëlluese dhe dhimbja dëshpëruese do të kishin ndonjë kuptim. Por, meqenëse kjo dynja është një bujtinë, dhe atje ka shkuar fëmija i vdekur, edhe ti, edhe ne gjithashtu, do të shkojmë atje. Për më tepër, kjo vdekje nuk është e veçantë për të, përkundrazi, ajo është një rrugë që e përshkojnë të gjithë. Dhe meqenëse ndarja nuk është përgjithmonë, ai do të takohet në të ardhmen, si në botën e ndërmjetme, ashtu edhe në Ahiret e në Xhennet.

Prandaj njeriu duhet të thotë:  “Urdhri është i All-llahut.” Ai  e dha atë dhe Ai e mori përsëri. Dhe gjithashtu njeriu duhet të thotë: “I gjithë lavdërimi i takon All-llahut xh.sh. për çdo gjendje!”, dhe të bëjë falënderime me durim.

Ÿ Pika e pestë: Dhembshuria, njëra nga manifestimet më të holla, më të bukura, më të këndshme dhe më të ëmbëla të Mëshirës Hyjnore, është një elikzir i ndritshëm. Ajo është më e mprehtë se sa dashuria e apasionuar, e zjarrtë. Dhe ajo është mjeti më i shpejtë për të arritur tek i Vërteti, Zoti i Gjithëfuqishëm. Ashtu si dashuria metaforike dhe dashuria për dynjanë të cilat transformohen në dashuri të vërtetë me vështirësinë më të madhe dhe e gjejnë Zotin e Gjithëfuqishëm, po ashtu dhembshuria (mëshira) –por pa vështirësi– e lidh zemrën me All-llahun xh.sh., që ta çojë njeriun tek Zoti xh.sh. nëpërmjet një rruge më të shkurtër dhe në një mënyrë më të pastër. Që të dy, babai dhe nëna e duan fëmijën e tyre më shumë se sa gjithë dynjanë. Kur fëmija e tyre u merret atyre të dyve, në qoftë se ata janë fatbardhë dhe në qoftë se janë besimtarë të vërtetë, ata i largojnë fytyrat e tyre nga dynjaja, i kthejnë kurrizin dynjasë, gjejnë Dhuruesin e Vërtetë të mirësive dhe thonë: “Meqenëse dynjaja është e përkohshme, atëherë ajo nuk është e denjë që të lidhësh zemrën me të..” Kudo që të ketë shkuar fëmija, ata gjejnë një lidhje me atë vend dhe fitojnë një rang shpirtëror të lartë.

Njerëzit e shkujdesjes dhe të çudhëzimit janë të privuar nga lumturia dhe nga lajmet e gëzueshme të këtyre “Pesë pikave”. Ju mund të shikoni nga sa vijon se sa pikëlluese është situata e tyre: Ata e shohin fëmijën e tyre të vetëm në agonitë e vdekjes dhe për shkak se ata e imagjinojnë dynjanë të jetë e përjetshme dhe, si një rezultat i shkujdesjes së tyre dhe çudhëzimit, ata e mendojnë se vdekja është mosekzistencë dhe ndarje e përjetshme. Ata mendojnë menjëherë gjumin e tij në dheun e varrit në vend të shtratit të tij të butë dhe, për shkak të shkujdesjes së tyre dhe pavëmendshmërisë, ata nuk mendojnë për Parajsën e mëshirës dhe qiellin e mirësisë së të Gjithëmëshirshmit Mëshirëplotë. Ju mund ta krahasoni se çfarë brenge pikëlluese dhe çfarë dhimbje vuajnë ata. Ndërsa Imani dhe Islami që janë mjete për të dyja botët, i thonë besimtarit: Krijuesi i tij Mëshirëplotë do ta nxjerrë këtë fëmijën tënd, i cili është në agonitë e vdekjes, nga kjo dynja e përkohshme dhe do ta çojë atë në Parajsë. Ai do ta bëjë atë edhe ndërmjetësues për ty, edhe një fëmijë të përjetshëm. Ndarja është e përkohshme, prandaj mos u shqetëso;

duro pak, dhe thuaj   “Urdhëri është i All-llahut. “All-llahut ne i përkasim dhe tek Ai do të kthehemi.”

I Qëndrueshmi i vetëm. Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!

Said Nursi

* * *

[1] Kur’an, 17: 44

[2] Kur’abn, 2: 155-156

[3] Kur’an, 56: 17

Leave a Reply