Lexo PDF

 

SHKREPTIMA E NJËZET E KATËRT

 

Trajtesa e Hixhabit, e veshjes islame për gratë.

[Ndërsa duke qenë çështja e dytë dhe e tretë e shënimit të pesëmbëdhjetë, kjo trajtesë u bë shkreptima e Njëzet e Katërt për shkak të rëndësisë së saj.]

Me Emrin e All-llahut i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

O Pejgamber! Thuaju bashkëshorteve të tua dhe bijave të tua edhe bashkëshorteve të besimtarëve të lëshojnë vellon (mbulesën) e tyre mbi personat e tyre (kur janë jashtë shtëpisë së tyre). Deri në fund të vërsetit[1]…”

Ky vërset urdhëron mbulesën e grave. Ndërsa civilizimi i shthurur e kundërshton këtë urdhër të Kur’anit; ai nuk e shikon mbulesën e grave si një çështje të natyrshme për to, por e konsideron hixhabin si një lloj skllavërie e robërie për to.[2]

Përgjigjja: Ne do të shpjegojmë vetëm katër prej shumë shembujve të urtësisë që tregon se kjo urdhëresë e Kur’anit është krejtësisht e natyrshme, kurse ata që e kundërshtojnë atë, dalin kundra gjendjes së natyrshme të grave.

Shembulli i parë i urtësisë

Hixhabi -mbulesa- është një çështje e natyrshme dhe këtë e kërkon vetë natyra e tyre; sepse gratë janë të dobëta e delikate dhe, meqenëse ato kanë nevojë për mbrojtjen dhe ndihmën e një burri për veten e tyre dhe për fëmijët të cilët ato i duan më shumë se sa jetën e tyre; ato kanë një dëshirë të natyrshme për t’i bërë vetvetet e tyre të dashura për të tjerët dhe jo të urryera, dhe jo të kundërshtohen -të hidhen poshtë.

Gjithashtu, shtatë nga dhjetë gra janë të vjetra ose të shëmtuara dhe ato nuk dëshirojnë që t’ia tregojnë moshën e tyre dhe shëmtinë gjithkujt. Ose ato janë xheloze dhe nuk duan të shfaqen të shëmtuara në lidhje me të tjerat të cilat janë më të bukura. Ose ato kanë frikë nga sulmet ose nga shpifjet e përgojimet, dhe dëshirojnë nga natyra të mbulojnë vetveten me qëllim që të mos pësojnë sulme dhe të mos akuzohen për mungesë besnikërie në sytë e bashkëshortëve të tyre. Në qoftë se do të vërehej me kujdes, ato që e fshehin vetveten më shumë janë të moshuarat. Dhe nga dhjetë gra, vetëm dy ose tre mund të gjenden se janë edhe të reja edhe të bukura dhe nuk bezdisen e nuk ngushtohen nga shfaqja e bukurive të tyre (e pjesëve joshëse).

Është e qartë se njerëzit bezdisen e ngushtohen nga shikimet e atyre që ata nuk i duan ose që i gjejnë të mërzitshëm; ata shqetësohen prej tyre. Në qoftë se një grua e bukur e veshur në mënyrë të pahijshme gjen kënaqësi e dëshiron ta shikojnë dy ose tre burra të cilët janë të huaj me kanon -ligj-, por ajo përfundimisht mërzitet nga shikimet e shtatë ose tetë prej tyre, madje bezdiset prej tyre. Gjithashtu, meqenëse një grua, moralet e së cilës janë të paprishura, është e ndjeshme dhe preket lehtë, ajo sigurisht do të dëshpërohej nga shikimet e pista të cilat kanë një ndikim fizik si helmi, ashtu siç është provuar. Madje ne dëgjojmë se shumë gra në Europë, që është vendi i rrobave të hapura dhe i zbulimit të grave, bezdisen duke qenë objekt i shikimit dhe ankohen në polici, duke thënë: këta njerëz të ulët brutalë na shqetësojnë duke na ndjekur me shikime.”

Kjo do të thotë se heqja e mbulesës për gratë nga civilizimi i sotëm dhe zbulimi i tyre është në kundërshtim me natyrën e tyre. Dhe së bashku me qënien në përputhje me natyrën e tyre, urdhri i Kur’anit për mbulesën e tyre i shpëton gratë, ato thesare mëshire të cilat mund të jenë shoqëruese të dashura e të denja për bashkëshortët e tyre për të gjithë  përjetësinë, -i shpëton- nga degradimi e poshtërimi që në efekt është skllavëri e mjerim.

Për më tepër, nga natyra gratë janë të frikësuara nga burrat të cilët janë të huaj, dhe janë të shqetësuara prej tyre. Kjo frikë natyrisht kërkon mbulesën e grave dhe moszbulimin e tyre; sepse përveç vuajtjes së vështirësisë së mbajtjes së një fëmije për tetë ose nëntë muaj, gjë e cila hidhëron dhe acaron kënaqësinë e paligjshme të tetë ose nëntë minutave; gjithashtu pastaj ekziston mundësia e vuajtjes së fatkeqësisë së rritjes  së fëmijës për tetë ose nëntë vite pa mbrojtës. Dhe meqenëse këto mundësi ndodhin shpesh, gratë nga natyra i kanë frikë vërtetë burrat e huaj dhe dëshirojnë në mënyrë të natyrshme që të fshihen prej tyre. Duke qenë të dobëta, krijimi i tyre kërkon që nëpërmjet mbulimit të personave të tyre ato nuk i nxisin epshet e burrave jashtë shkallëve të paracaktuara të farefisnisë, dhe parandalojnë ndonjë rast për t’u sulmuar; natyra e tyre e dobët jep një paralajmërim të fuqishëm. Kjo tregon se mantelet -mbulesat- e tyre janë mburoja dhe kështjella të fortifikuara.

Sipas njoftimeve që kemi marrë, një lustraxhi këpucësh u vu përballë bashkëshortes së një burri me pozitë të lartë në dynja e cila ishte shalëjashtë dhe e tundoi atë në mes të ditës, në mes të kryeqytetit të vendit në ‘Ankara’! A nuk është ky veprim i shëmtuar një goditje e fuqishme në fytyrat e paturpshme të atyre që e kundërshtojnë hixhabin -mbulimin- e grave!

Shembulli i dytë i urtësisë

Lidhja e fortë e besueshme dhe dashuria e thellë mes burrit dhe gruas nuk burojnë vetëm nga nevojat e jetës së kësaj dynjaje. Po, gruaja nuk është vetëm një shoqe për bashkëshortin e saj në jetën e kësaj dynjaje, përkundrazi, ajo është shoqja e tij gjithashtu në jetën e përhershme. Atëherë përderisa ajo është shoqja e bashkëshortit të saj, në jetën e amshuar, atëherë ajo duhet të mos tërheqë shikimet e të tjerëve përveç ato të bashkëshortit të saj, mikut dhe shokut të saj të përjetshëm, dhe nuk duhet ta fyejë e ta bëjë atë xheloz. Si rrjedhojë e misterit të besimit, lidhjet e marrëdhëniet e bashkëshortit të saj me të nuk përkufizohen vetëm tek jeta e kësaj dynjaje, dhe dashuria e tij nuk është shtazore dhe e përkohshme vetëm gjatë kohës së rinisë dhe bukurisë së saj; ai mban një dashuri e respekt të sinqertë për të për sa ka të bëjë me qënien e saj si shoqja e tij në jetën e përhershme. Dhe ai e mban atë dashuri e respekt për të jo vetëm gjatë rinisë së saj kur ajo është e bukur, por gjithashtu edhe kur ajo është e vjetër dhe e shëmtuar. Atëherë përballë kësaj, gruaja gjithashtu duhet t’ia tregojë bukuritë e saj vetëm atij dhe ta përkufizojë dashurinë e saj vetëm për të; kjo kërkohet nga humanizmi. Përndryshe, ajo do të fitonte shumë pak dhe do të humbiste shumë.

Sipas sheriatit, burri duhet të jetë një bashkëshort i mirë për gruan. Domethënë, ata duhet të jenë të përshtatshëm për njëri-tjetrin. Aspekti më i rëndësishëm i kësaj përshtatshmërie është nga këndvështrimi i fesë. I lumtur është ai burrë i cili shikon fenë e qëndrueshme të bashkëshortes dhe e ndjek atë, e imiton atë, dhe vetë bëhet i përkushtuar në fe me qëllim që të mos e humbasë shoqen e tij besnike në jetën e amshuar! Dhe e lumtur është gruaja e cila e shikon qëndrueshmërinë në fe të bashkëshortit dhe vetë bëhet e devotshme në besim me qëllim që të mos e humbasë shokun e saj të përjetshëm.

Sa keq për burrin që bie në shthurje dhe të cilin do ta humbasë përgjithmonë gruaja e tij e mirë dhe e drejtë.

Dhe sa keq për gruan që nuk e ndjek bashkëshortin e saj të devotshëm dhe humbet shokun e saj të bekuar, fatlum, të përhershëm.

Dhe një mijë mjerime për bashkëshortin e bashkëshorten fatkëqinj të cilët e imitojnë njëri-tjetrin në mëkat, në të liga e në shthurje, duke e ndihmuar njëri-tjetrin për të hyrë në zjarrin e Xhehennemit.

Shembulli i tretë i urtësisë

Lumturia familjare në jetë fillon vetëm nëpërmjet mirëbesimit reciprok mes bashkëshortit e bashkëshortes dhe respektit të përzemërt dhe dashurisë së pastër ndërmjet tyre.

Veshjet e pahijshme dhe sjellja e parezervuar, e shpenguar dhe moskokëçarëse shkatërrojnë mirëbesimin dhe prishin respektin dhe dashurinë e ndërsjellë, sepse nëntë nga dhjetë gra me veshje të pahijshme, të zbuluara, hasin para tyre burra që janë më tërheqës e më të mirë se sa burrat e tyre, ndërkohë që shikon se vetëm njëra prej tyre nuk përpiqet që ta bëjë vetveten të pëlqehet nga të huajt për shkak se nuk i gjen burrat e tjerë më tërheqës se sa bashkëshortin e saj. Dhe vetëm një nga njëzet burra nuk do t’i gjente gratë e tjera më të bukura e më tërheqëse se sa bashkëshorten e tij. Atëherë përveç zhdukjes së dashurisë së vërtetë dhe respektit të ndërsjellë, kjo gjendje mund të nxiste ndjenja shumë të shëmtuara e të ulëta, siç vijon:

Nga natyra, burrat nuk ndjejnë ndonjë epsh ndaj të afërmve, farefisit si motrat e tyre, sepse meqenëse fytyrat e të afërmve të tillë zgjojnë një dhembshuri, mirësi dhe një dashuri të vërtetë për shkak të lidhjes së tyre farefisnore, kjo ndjenjë e lartë fisnike anulon e prapëson çdo prirje epshi e sensualiteti. Por lënia të zbuluar pjesët e trupit të cilat sipas sheriatit nuk lejohen të zbulohen për të afërmit si këmbët, shalët, mund t’i japë shkas zgjimit të ndjenjave tej mase të shëmtuara tek burrat me karakter të ulët, sepse fytyra e një të afërmi i kujton njeriut atë afëri farefisnore dhe nuk i ngjan fytyrës së dikujt jashtë lidhjeve të farefisnisë, prandaj kur zbulohen ato pjesë të trupit që me sheriat janë të palejueshme, atëherë në këtë barazohen ato të të afërmve me ato jashtë lidhjeve fisnore.

Për shkak të mosekzistencës së atyre shenjave dalluese që kërkojnë parandalimin e shikimit të ndaluar, është e mundur që tek disa të afërm nga fisi të zgjohen ndjenjat epshore, sensuale! Të shikosh gjëra të tilla do të ishte një degjenerim nga i cili të rrënqethet trupi.

Shembulli i katërt i urtësisë

Është e qartë se gjithësecili dëshiron të ketë shumë fëmijë. Nuk ka komb apo shtet që të mos mbështesë shtimin e popullsisë.

Profeti më i nderuar, Muhammedi a.s.m. ka thënë:

 “Martohuni që të shtoheni, sepse në Ditën e fundit unë do të krenohem me ju për numrin tuaj të madh.”[3]

Por braktisja e veshjes islame për gratë dhe zbulimi i tyre nuk e shton martesën, sepse sado i shthurur e i lirshëm të jetë i riu modern, ai e dëshiron gruan e tij të jetë e dëlirë dhe e ndershme; ai nuk e dëshiron atë të jetë e veshur në mënyrë banale, domethënë të pakujdesshme në çështjet e veshjes dhe të moraleve ashtu si vetja e tij. Prandaj ai preferon më mirë të rrijë beqar se sa të martohet. Dhe ndoshta mund të nxitet edhe pë të ushtruar prostitucion. Kurse gruaja nuk është si burri pasi ajo nuk mund ta përkufizojë sjelljen e bashkëshortit të saj deri në atë shkallë.

Gruaja, meqenëse është drejtuese për të gjitha punët e brendshme të shtëpisë, dhe e ngarkuar me mbrojtjen dhe ruajtjen e të gjitha gjërave që i përkasin burrit të saj, pasurinë dhe fëmijët, atëherë veçoritë më të mëdhaja e kryesore të grave janë besnikëria dhe besueshmëria. Zbulimi i saj, pakujdesia në veshje e në moral e prish këtë besnikëri; edhe bashkëshorti i saj gjithashtu e humbet besueshmërinë tek ajo dhe e bën atë të vuajë dhimbjen e ndërjegjjes. Madje, edhe në qoftë se dy cilësitë, trimëria dhe bujaria të cilat janë të lavdërueshme tek burrat, do të gjendeshin tek gratë, ato do të konsideroheshin si cilësi të këqija, sepse shkatërrojnë këtë besnikëri e besueshmëri meqë ato çojnë në pafytyrësi e në prishje pa hesap. Por meqenëse detyra e burrit nuk përkufizohet vetëm tek ruajtja e pasurive të saj dhe lidhjes me të, por përfshin mbrojtjen e saj, mëshirën për të dhe respektin ndaj saj; dhe nuk obligohet siç obligohet gruaja; domethënë, nuk mund të kufizohet zgjedhja e tij me një grua të vetme, ai mund të martohet edhe me gra të tjera.

Vendet tona nuk mund të krahasohen me ato të Europës, sepse atje nderi mund të mbrohet deri diku nëpërmjet mjeteve të forta të tilla si dyluftimi e të tjera si kjo, pavarësisht veshjes së pahijshme -zbulimit. Një njeri që shikon ligësht gruan e një njeriu sedërmadh -krenar- ai do të duhej më parë që ta marrë qefinin e vet në qafën e tij. Gjithashtu njerëzit e Europës janë të ftohtë e të ngrirë si klima e tyre.

Ndërsa këtu në vendet islame, ato janë nga vendet e nxehta në krahasim me Evropën. Është i mirënjohur fakti se ambjenti ka një ndikim të madh në moralin e njerëzve. Ndoshta në ato vende të ftohta veshjet e pahijshme, zbulimi, nuk e nxisin epshin dhe nuk i zgjojnë dëshirat sensuale të atyre njerëzve të ftohtë, dhe nuk mund të jenë mjete abuzimi. Ndërsa veshja e pahijshme e cila vazhdimisht nxit epshet shtazore të njerëzve të ndjeshëm të vendeve të nxehta të cilët ndikohen shpejt, sigurisht bëhet shkak për shumë abuzime, shthurje, dhe për dobësimin e brezit të ri, e pasardhësve dhe për humbjen e fuqisë. Në vend të përgjigjjes së nevojave natyrale një herë në muaj ose në çdo tri javë e kështu, burri e konsideron të domosdoshme në çdo pak ditë.

Atëherë, meqenëse ai është i detyruar t’i shmanget gruas së tij për ndoshta dy javë të çdo muaji për shkak të mundësive si menstruacionet, në qoftë se ai do të mposhtej nga epshi i tij, ai do të prirej e nxitej për tek shtëpitë famëkeqe.

Pastaj, banorët e qytetit nuk duhet të imitojnë banorët e fshatrave dhe të nomadëve në jetën e tyre shoqërore dhe të heqin hixhabin mes tyre, sepse banorët e fshatrave janë të zënë me prokopinë e jetesës dhe ata janë të detyruar të harxhojnë shumë energji trupore për të siguruar jetesën e tyre. Shumë shpesh gratë marrin pjesë në punë të lodhshme, prandaj nuk i nxit ajo çfarë mund të zbulohet prej trupave të tyre të ashpra dëshirat shtazore tek të tjerët.

Për më tepër, meqenëse nuk gjenden në fshatra burra dembelë e parazitë aq sa janë në qytete, atëherë as një në dhjetë prej njerëzve imoralë të qyteteve të mëdha nuk mund të gjendet midis tyre. Prandaj nuk mund të krahasohen qytetet me fshatërat dhe vendet nomade.

* * *

 

 

 

 

Një bashkëbisedim me gratë, motrat e mia besimtare të Ahiretit.

 

Me Emrin e Tij, qoftë Ai i lavdëruar!

Në kohën kur u riktheva në Ispartën e bekuar për herë të tretë, e cila mban kuptimin e Medresetu Ez-Zehra, unë pata parë interesimin e sinqertë e të entuziazmuar i treguar nga gratë për Risale-i Nurin në disa provinca të tjera dhe, pata kuptuar se ato kishin besim në mësimet dhe udhëzimet e mia që u përkasin dritës në një mënyrë që tejkalonte shumë hakun e meritës time. Pastaj unë dëgjova se gratë në Isparta, motrat e mia të bekuara të Ahiretit, po prisnin për të marrë mësim nga unë, si shembulli i dhënies së dersit dhe vazit -mësimeve, predikimeve- në xhami. Unë isha i sëmurë me pesë a gjashtë sëmundje të ndryshme në një gjendje të mjeruar, madje nuk kisha fuqi as për të folur e menduar. Megjithatë iu shfaq zemrës sime në këtë natë një inspirim i fuqishëm, siç vijon:

Ti shkrove para pesëmbëdhjetë vitesh “Udhëzuesin për të rinjtë” me kërkesën e disa të rinjve dhe nga ajo vepër përfituan shumë. Ndërsa gratë kanë shumë nevojë si shembulli i këtij ‘udhëzuesi’ në këtë kohë.

Pavarësisht dobësisë sime të madhe, mjerimit dhe pafuqisë, përballë këtij inspirimi, unë shkrova në mënyrë shumë të përmbledhur në tre pika një numër të çështjeve të domosdoshme të cilat tani do t’ua shpjegoj motrave të mia të bekuara, të rejave dhe bijave të mia shpirtërore.

Meqenëse njëri nga parimet themelore të Risale-i Nurit është “Dhembshuria” dhe se gratë janë kampionet e mëshirës, dhembshurisë, ato nga natyra janë më të lidhura ngushtë me Risale-i Nurin se sa të tjerët. Lavdi Zotit, kjo simpati natyrale, kjo lidhje e natyrshme, ndjehet në shumë vende. Vetëflijimi brenda kësaj dhembshurie nuk kërkon asgjë në shkëmbim dhe shpreh sinqeritetin e vërtetë dhe gjithashtu ka rëndësinë më të madhe në këtë kohë.

Po, fakti se duke mos kërkuar asgjë si shkëmbim, një nënë do të vetëflijonte edhe jetën e saj për të shpëtuar nga rreziku fëmijën e saj, si kërkesën e natyrës së saj dhe me sinqeritet të vërtetë, tregon se gratë janë të afta për heroizëm të madh. Nëpërmjet zhvillimit të këtij heroizmi, ato mund t’i shpëtojnë jetët e tyre edhe në këtë dynja, edhe në Ahiret nëpërmjet tij.

Përndryshe, kjo cilësi e rëndësishme nuk do të zbulohej nën ndikimin e disa rrymave të këqija mendimi, ose ato rryma do ta shfrytëzonin këtë cilësi duke e keqpërdorur e duke e orientuar pa vend.

Një shembull i vogël nga qindra të tillë është sa vijon:

Një nënë zemërdhembshur ndërmerr çdo lloj vetëflijimi me qëllim që fëmija e saj të mos bie në rrezik në jetën e kësaj bote dhe me qëllim që ta bënte atë të përfitojë në dynja; dhe ajo e rrit fëmijën e saj mbi këtë parim, dhe shpenzon të gjithë pasurinë e saj me qëllim që i biri i saj të bëhet pasha, dinjitoz e drejtues. Ti e sheh nënën ta marrë djalin e saj prej shkollave të dijeve fetare dhe e dërgon atë në Evropë, duke mos menduar për jetën e përhershme të djalit të saj që i kërcënohet me rreziqe. Ajo përpiqet ta shpëtojë atë nga burgu në këtë botë dhe nuk shqetësohet për rënien e tij në burgun e xhehennemit të përhershëm. Dhe duke vepruar në mënyrë krejtësisht të kundërt me natyrën e saj të brendaqenësishme, ajo e bën djalin e saj të pafajshëm një pretendues kundra saj në Ahiret, në një kohë që ai duhet të ishte një ndërmjetësues për të, për shefaat. Djali do të ankohet për të duke i thënë: “Përse nuk e forcove besimin tim dhe kështu u bëre shkak që unë të humbas?” Edhe në këtë dynja gjithashtu, meqenëse ai nuk mori një edukim të përshtatshëm islam ai nuk mund t’i përgjigjet dhembshurisë së jashtëzakonshme të nënës së tij në mënyrën që ajo e meriton; madje ai mund të neglizhojë shumë në përmbushjen e të drejtës së saj.

Por, në qoftë se përpiqet ajo nënë për ta shpëtuar djalin e saj të dobët prej burgut të përhershëm i cili është xhehennemi dhe nga asgjësimi i përhershëm i cili është vdekja në çudhëzim, nëpërmjet dhembshurisë së saj të vërtetë të natyrshme duke mos e keqpërdorur, atëherë djali i saj në mënyrë të vazhdueshme do t’i dërgojë drita shpirtit të saj pas vdekjes së saj, pasi shkruhen në regjistrin e punëve të saj barasvlera e të gjitha veprave të mira që i kryen djali. Gjithashtu në Ahiret, ai nuk do të jetë një ankues e pretendues kundra saj, por me të gjithë shpirtin dhe jetën e tij do të jetë një ndërmjetësues për të dhe një djalё i bekuar për të gjithë përjetësinë.

Po, profesori i parë i njeriut dhe mësuesi me ndikim më të madh për të është nëna e tij. Në lidhje me këtë, unë do t’ju shpjegoj këtë kuptim të cilin e kam ndjerë gjithmonë fort në personin tim i cili është sa vijon:

Unë jam tetëdhjetë vjeç dhe kam marrë mësime prej tetëdhjetë mijë njerëzve. Por betohem në Zotin xh.sh. se mësimet më të ngulitura dhe më të vërteta që kam marrë, janë ato të ngulitura tek unë nga nëna ime e ndjerë, mësime të cilat kanë mbetur gjithmonë të freskëta tek unë. Ato janë ngulitur në natyrën time si të ishin farëra të mbjella në qënien time fizike. Unë vëzhgova se mësimet e tjera që kam marrë janë ndërtuar mbi ato farëra. Domethënë, mësimet e ngulitura në natyrën dhe në shpirtin tim nga nëna ime kur isha një vjeç, unë tani i shoh në moshën e tetëdhjetave si farërat themelore midis të vërtetave të mëdhaja. Për shembull:

Dhembshuria që është parimi më i rëndësishëm prej katër parimeve të rrugës e të metodës sime në jetë.. dhe butësia dhe mëshira të cilat janë gjithashtu e vërteta më e madhe prej të vërtetave të Risale-i Nurit, i shoh ato të dyja me siguri se ato burojnë nga veprat e asaj nëne të dhembshur dhe nga gjendjet e saja të mëshirshme dhe prej mësimeve të saj shpirtërore.

Po, dhembshuria dhe butësia e amësisë -e nënës- të cilat mbajnë sinqeritetin e vërtetë dhe vetëflijimin e vërtetë, po keqpërdoren në kohën aktuale, pasi nëna nuk mendon për thesaret që do të fitojë djali i saj në Ahiret të cilat janë më të çmueshme se sa diamanti, madje ajo ia kthen fytyrën drejt kësaj dynjaje, e cila u ngjason copave të përkohshme të xhamit dhe e shfaq dhembshurinë dhe butësinë ndaj djalit të saj në këtë aspekt të jetës. Dhe një sjellje e tillë është keqpërdorimi i asaj dhembshurie.

Një provë e këtij heroizmi të grave lidhur me dhembshurinë, e cila nuk kërkon asnjë shpërblim dhe absolutisht asgjë si shkëmbim apo kompensim dhe pa marrë asnjë përfitim për veten e tyre pa ndonjë hipokrizi dhe pa dashur t’i bëjnë personat e tyre të duken, është gatishmëria e tyre për të vetëflijuar edhe shpirtërat e tyre për hir të fëmijës. Provë për këtë është se pula e cila mban një shembull të zvogëluar të asaj dhembshurie, mëshire -dhembshurinë e nënës-, do ta sulmonte edhe luanin, dhe jetën e saj për të ruajtur zogjtё e saj të vegjël.

Në ditët e sotme, gjëja më e domosdoshme dhe parimi më i rëndësishëm në edukimin islam dhe në punët e Ahiretit është ‘sinqeriteti’. Një sinqeritet i tillë duhet të gjendet në heroizmin e këtij lloji dhembshurie. Në qoftë se këto dy pika fillojnë të zhvillohen në atë grupim të bekuar, në grupin e grave, sigurisht ato do të ishin boshti i lumturisë më të madhe në botën islame.

Sa për vetëflijimin e baballarëve, burrave, ai nuk mund të jetë kurrë për asgjë apo pa kompensim; ata gjithmonë kërkojnë kompensim në ndoshta njëqind mënyra. Të paktën ata kërkojnë lavdi e famë. Por, me keqardhje, gratë e bekuara praktikojnë hipokrizinë dhe shtirjen në një formë tjetër me qëllim që të shpëtojnë nga e keqja dhe shtypja e burrave tiranikë; ky lloj buron nga dobësia dhe pafuqia e tyre.

Këtë vit, pavarësisht tërheqjes sime nga jeta shoqërore dhe qënies sime i veçuar në vetmi, hodha vështrimin tek dynjaja për hir të disa vëllezërve e motrave të mia të cilët ishin studentët e Risale-i Nurit. Nga shumica e shokëve të mi të cilët erdhën për vizitë tek unë dëgjova ankesa rreth jetës së tyre familjare. U dëshpërova thellë nga kjo dhe thashë:

“Ah sa keq! A paska filluar edhe kjo të prishet gjithashtu? Jeta familjare është kështjella e fortifikuar e njeriut dhe veçanërisht e muslimanëve; Ajo është si xhenneti i tij i zvogëluar dhe bota e tij e vogël”.

Ndërkohë kërkova të gjej arsyen e prishjes së saj dhe kuptova se ndodheshin organizata të fshehta që përpiqeshin të humbisnin të rinjtë dhe t’i prishnin ata duke i nxitur tek të ligat nëpërmjet epsheve të tyre me qëllim që të prishin jetën sociale të islamit dhe, si rrjedhojë t’i shkaktonin dëm fesë islame.

Unë gjithashtu kuptova se organizatat punonin në fshehtësi dhe në mënyrë të goditur për t’i shtyrë gratë e shkujdesura në rrugë të gabuar. Unë kuptova gjithashtu se një goditje e fuqishme do t’i vinte këtij kombi musliman nga ai drejtim. Dhe kështu unë deklaroj prerazi ç’ka vijon për ju motrat e mia dhe për bijat e mia shpirtërore.

Ilaçi i vetëm i dobishëm për shpëtimin e lumturisë së grave, dhe lumturia e tyre në këtë botë si dhe ruajtja e cilësive të tyre të larta të bashkëlindura, nga korrupsioni, është edukimi i tyre fetar brenda sferës së gjërë të islamit; nuk ka mjet tjetër shpëtimi. Ju dëgjoni rreth situatës në të cilën kanë rënë gratë e mjera të Rusisë!

Është thënë në një pjesë të Risale-i Nurit:

Burri i mençur nuk e ndërton dashurinë e tij mbi një bukuri të jashtme kalimtare që vazhdon nga pesë deri në dhjetë vite; përkundrazi, ai duhet ta ndërtojë dashurinë e tij për të mbi dhembshurinë e saj e cila është më e qëndrueshmja dhe më e mira e bukurisë, dhe e lidh atë me sjelljen e saj të mirë e cila është e veçantë për qënien e saj femër, me qëllim që të vazhdojë dashuria e tij për të sa herë që ajo grua e mjerë përparon në moshë, në vite, sepse bashkëshortja e tij nuk është vetëm një ndihmëse dhe një shoqe e përkohshme në jetën e kësaj dynjaje, por një shoqe e përjetshme dhe e dashur për jetën e amshuar. Prandaj sa më shumë të plaken aq më shumë shtohet dashuria, dhembshuria dhe respekti për njëri-tjetrin.

Ndërsa jeta familjare, e cila zhvillohet nën maskën e civilizimit modern, është e zbuluar para shkatërrimit e prishjes, meqë ajo e ndërton lidhjen mbi një shoqërim të përkohshëm që ndiqet nga një ndarje e përjetshme.

Gjithashtu është thënë në një pjesë tjetër të Risale-i Nurit:

“Fatlum është ai bashkëshort i cili imiton gruan e tij të drejtë dhe bëhet edhe vetë i drejtë, që të mos humbasë shoqen e tij të përjetësisë.

Dhe e lumtur është gruaja e cila duke e parë bashkëshortin të jetë i drejtë, e ndjek atë në fe me qëllim që të mos e humbasë shokun dhe mikun e saj të përjetshëm.

Fatkeq është burri i cili e ndjek gruan e tij në mëkat, që nuk e bën atë të heqë dorë nga mëkati por e shoqëron atë në mëkat.

Sa fatkeqe është ajo grua e cila e shikon shthurjen dhe mëkatimin e burrit të saj, e ndjek atë në një mënyrë tjetër!

Dhe sa keq për bashkëshortin dhe bashkëshorten të cilët e ndihmojnë njëri-tjetrin për hedhje në zjarr. Domethënë, të cilët e ndjekin njëri-tjetrin për të përqafuar të këqijat e civilizimit”.

Kuptimi i këtyre rreshtave nga Risale-i Nuri është ky: Në këtë kohë mjeti i vetëm për edukimin dhe zhvillimin e jetës familjare dhe për gjetjen e lumturisë në këtë botë dhe në Ahiret, dhe për t’i zhvilluar cilësitë e lavdërueshme të grave, është etika islame brenda limiteve të sheriatit.

Tani, pika më e rëndësishme në jetën familjare është kjo: në qoftë se gruaja shikon sjellje të keqe, pabesi e tradhëti tek bashkëshorti i saj dhe, për inat të tij edhe ajo heq dorë dhe braktis detyrën e saj familjare e cila është besnikëria dhe besueshmëria duke u prishur të dy, atëherë si rrjedhojë, sistemi i asaj familje mjegullohet e ngatërrohet plotësisht tamam si prishja e disiplinës në ushtri. Prandaj gruaja duhet të përpiqet të plotësojë mangësinë e bashkëshortit të saj dhe të rregullojë gabimet me qëllim që ta shpëtojë shokun e saj të përjetësisë.

Në qoftë se ajo fillon ta shfaqë vetveten tek të tjerët duke e zbuluar vetveten dhe përpiqet ta bëjë vetveten tërheqëse për të tjerët, kjo do të ishte e dëmshme në çdo drejtim. Sepse ai që e braktis besnikërinë, e gjen dënimi edhe në këtë botë gjithashtu, sepse natyra e saj është e frikësuar dhe e shqetësuar nga shikimet e atyre jashtë caqeve të farefisit, dhe u shmanget atyre. Ajo shqetësohet dhe ruhet nga shikimet e tetëmbëdhjetë prej njëzet personave të huaj, kurse burri mund të shqetësohet nga shikimi i një gruaje të vetme prej njëqind grave të cilat janë të huaja për të. Gruaja ashtu siç vuan tortura nga ky drejtim dhe gjithashtu mund të akuzohet për pabesi e tradhëti, po ashtu për shkak të dobësisë së saj, ajo nuk do të jetë në gjendje të mbrojë të drejtat e saj.

Shkurtazi: Ashtu si në aspektin e dhembshurisë që gratë nuk u ngjasojnë burrave në heroizëm e në sinqeritet dhe burrat nuk mund të krahasohen me ato në atë drejtim -në mëshirë-, po ashtu gratë e pafajshme nuk munden kurrësesi të krahasohen me burrat në të keqe. Për këtë arsye, nga natyrat e tyre dhe nga dobësia, ato janë vërtet të frikësuara nga të huajt dhe i gjejnë vetvetet e tyre të detyruara që të mbrohen me Hixhab -mbulesë- sepse në qoftë se një burrë bën mëkat, abuzon, për kënaqësinë e tetë minutave, ai vuan dhe pëson vetëm një dëm prej tetë lirash. Ndërsa si dënim për kënaqësinë e mëkatit të tetë minutave, në këtë botë gjithashtu gruaja mban një peshë të rëndë për tetë muaj dhe pastaj ka vuajtjen dhe mundimin e rritjes së fëmijës së pambrojtur për tetë vite. Prandaj ajo nuk mund të konkurojë me burrat në shthurje e në imoralitet dhe si rrjedhojë, ajo paguan një gjobë njëqind herë më të madhe se sa ajo e burrave.

Këto incidente jo të rralla tregojnë se gratë nga natyra janë burimi i moraleve të lartësuara; kështu atyre pothuajse u mungon kapaciteti për shthurje e poshtërsi lidhur me kënaqësitë e kësaj dynjaje.

Domethënë, gratë janë një lloj prej krijesave të bekuara, të krijuara për të kaluar jetë të lumtura në familje brenda caqeve të etikës islame.

Zoti i mallkoftë ato organizata të fshehta që përpiqen t’i prishin këto krijesa të bekuara! Dhe i lutem Allahut të Plotëfuqishëm që t’i mbrojë motrat e mia nga e keqja e këtyre fatkëqinjve të shthurur.

Motrat e mia! Unë kam këtë për t’jua thënë juve privatisht:

Më mirë se sa të hyni nën dominimin e një bashkëshorti të shthurur, imoral e me zakone perëndimore për shkak të ngushticës ekonomike, përpiquni të bëni kursim e t’i siguroni mjetet tuaja të jetesës ashtu si gratë e mira fshatare me mjaftueshmëri e me kursimtari të cilat janë të ngulitura në natyrën tuaj, mos përpiqi ta shisni veten tuaj. Në qoftë se fati i ndonjërës prej jush është të ketë një bashkëshort i cili është i papërshtatshëm për ju, le të kënaqet me fatin e saj dhe t’i nënshtrohet atij, se mbase Allahu do ta regullojë bashkëshortin e saj nëpërmjet kënaqësisë dhe nënshtrimit të saj. Por t’u drejtohesh gjykatave për divorc siç dëgjojmë në kohën e tanishme, kjo nuk i shkon aspak nderit të islamit dhe emrit të mirë të këtij kombi!

Motrat e mia të dashura!

Duhet të jeni të sigurta se, ashtu siç është demonstruar me prova të fuqishme dhe me shembuj në Risale-i Nur, të pranishme në kënaqësitë dhe në ëndjet jashtë limiteve të së lejuarës ndodhen dhimbje dhe pikëllime dhjetë herë më të mëdhaja. Ju mund t’i gjeni shpjegimet e saj të detajuara të kësaj në Risale-i Nur. Për shembull Fjala e Gjashtë, e Shtata dhe e teta prej ‘Fjalëve të vogëla’ dhe ‘udhëzuesi për të rinjtë’ e sqarojnë për ju këtë të vërtetë në mënyrë të plotë në vendin tim. Prandaj, mjaftohuni me kënaqësitë e ligjshme dhe jini të kënaqura me to. Biseda juaj me fëmijët tuaj të pafajshëm dhe ledhatimi i tyre në shtëpitë tuaja është më e këndshme se sa njëqind kinema.

Ju gjithashtu duhet ta dini me siguri se kënaqësia e vërtetë në jetën e kësaj bote qëndron në besim dhe në caqet e besimit.

Dhe në çdo vepër të mirë ndodhet një kënaqësi shpirtërore. Risale-i Nuri ka provuar me qindra dëshmi vendimtare se madje në këtë botë vuajtja më e hidhur dhe më e dhimbshme është e pranishme në çudhëzim e shthurje. Unë vetë e kam përjetuar në raste të shumta dhe kam provuar me aq siguri sikur ta shikoja me sytë e mi se e pranishme në besim është një farë e Parajsës, ndërsa në shthurje e çudhëzim është një farë e Ferrit.

Kjo e vërtetë përsëritet shumë herë në Risale-i Nur. Megjithëse Risale-i Nuri ka rënë në duart e atyre që e kundërshtojnë me kryeneçësinë më të madhe dhe me shumë ashpërsi, prapseprapë ata nuk kanë qenë në gjendje që ta hedhin poshtë këtë të vërtetë, as grupet e ekspertëve zyrtarë dhe as gjykatat.

Tani, motrat e mia të bekuara e të pafajshme dhe ju bijat e mia që jeni si fëmijët e mi shpirtërorë, me në krye trajtesën e Hixhabit, Udhëzuesi për të rinjtë dhe Fjalët e vogëla, le të jenë këto që t’ju japin juve mësim në vendin tim.

Kam dëgjuar se ju dëshironi që unë t’ju jap mësim në xhami. Por rrethanat e mia të vështira, sëmundja ime dhe shumë arsye të tjera më pengojnë për të. Prandaj unë kam vendosur që t’ju përfshij ju, o motrat e mia që e pranoni këtë instruksionin tim të cilin e kam shkruar për ju, në të gjitha duatë e mia dhe në përfitimet e mia shpirtërore, ashtu si sudentët e Risale-i Nurit.

Në qoftë se mund ta merrni Risale-i Nurin, ta lexoni atë ose ta dëgjoni në vendin tim, atëherë ju do të bëheni pjesmarrëse në duatë dhe në të gjitha përfitimet shpirtërore të studentëve të Risale-i Nurit, vëllezërve tuaj, sipas rregullit të përcaktuar.

Unë do të dëshiroja t’ju shkruaja më shumë se kaq, por jam shumë i sëmurë, shumë i dobët dhe shumë i vjetër dhe kam shumë detyra si korrigjimin e kopjeve të Risale-i Nurit, kështu sa për tani jam mjaftuar me kaq.

I Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!

Vëllai juaj i cili ka shumë nevojë për duatë tuaja

Said Nursi

* * *

 

[1] Kur’an, 33:59

[2] Kjo është pjesë e mbrojtjes sime për gjykatën e apelit, e cila e kundërshtoi gjykatën e Eskishehirit dhe e bëri atë të heshtë: Unë i them kësaj gjykate të drejtësisë se, në qoftë se ka ndonjë drejtësi në faqen e tokës, ajo sigurisht do ta shfuqizonte vendimin që dënon një person i cili ka shpjeguar të vërtetën më të shenjtë dhe parimin më të drejtë Hyjnor i cili ka qenë në fuqi në jetën shoqërore të treqind e pesëdhjetë milionë njerëzve në çdo shekull për një mijë e treqind e pesëdhjetë vjet, duke u mbështetur në konfirmimin dhe unanimitetin e treqind e pesëdhjetë mijë komentatorëve të Kur’anit dhe i cili ndjek besimin e stërgjyshërve tonë për një mijë e treqind e pesëdhjetë vite; ajo sigurisht do ta shfuqizonte një vendim të tillë.

[3] Transmetojnë Bejhekiu… etj

Leave a Reply