Lexo PDF

 

SHKREPTIMA E NJËZET E DYTË

 

Me Emrin e Tij, qoftë Ai i lavdëruar!

Kjo trajtesë e shkurtër të cilën e shkrova para njëzet e dy vitesh ndërsa isha në fshatin e Barlës në provincën e Ispartës, është një trajtesë private për vëllezërit e mi më të afërm e më të zgjedhur e të sinqertë, gjithashtu e shkrova në fshehtësinë më të madhe. Meqenëse kjo ka lidhje me familjet dhe me administratën e Ispartës, unë po ia kushtoj guvernatorit të drejtë të Ispartës dhe zyrtarëve në sferat e drejtësisë dhe të rendit. Në qoftë se është e përshtatshme, disa kopje duhet të shkruhen nga makina e shkrimit ose me shkronjat e vjetëra ose me shkronjat e reja me qëllim që ato që më kanë mbajtur nën mbikёqyrje dhe kanë hetuar sekretet e mia gjatë këtyre njëzet e pesë viteve mund ta mësojnë se unë nuk kam asnjë sekret të fshehur!

Said Nursi

 

Tre Tregues

[Ndërsa duke qenë çështja e tretë e Shënimit të Shtatëmbëdhjetë të Shkreptimës së Shtatëmbëdhjetë, për shkak të rreptësisë dhe gjithëpërfshirjes së pyetjeve, të fuqisë dhe shkëlqimit të përgjigjeve, u përfshi në koleksionin e Shkreptimave si Shkreptima e Njëzet e Dytë e Letrës së Tridhjetë e Njëtë. Shkreptimat duhej t’i jepnin asaj një vend. Kjo është një trajtesë private dhe e veçantë për vëllezërit e mi më të zgjedhur, të sinqertë e besnikë.]

 

 

Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

“Dhe kushdo që mbështetet e vë shpresat tek Allahu, atëherë Ai do t’i mjaftojë atij plotësisht. Padyshim që Allahu do t’ia përmbushë qëllimin atij. Sigurisht që Allahu ka vendosur masë për çdo gjë”.[1]

Kjo çështje përbëhet nga tre Tregues:

Një pyetje e rëndësishme rreth personit tim dhe Risale-i Nurit: Shumë njerëz pyesin: “Përse ndërhyjnë njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje në çështjet e Ahiretit tënd sa herë që t’u jepet rasti, ndonëse ti nuk ndërhyn në çështjet e dynjasë së tyre? Duke ditur se ligjet e asnjë qeverie nuk ndërhyjnë tek çështjet e atyre që jetojnë në vetmi dhe që kanë hequr dorë nga dynjaja?”

 Përgjigjja: Përgjigjja e Saidit të Ri ndaj kësaj pyetjeje është heshtja. Saidi i Ri thotë: “Le të japë përgjigje për mua Kaderi Hyjnor”.

Megjithatë, ai thotë me mendjen e Saidit të vjetër për të cilën u detyrua që ta huazojë: Ata që duhet t’i japin përgjigje kësaj pyetje janë autoritetet e provincës së Ispartës dhe njerëzit e saj, sepse këta pushtetarë zyrtarë dhe njerëzit janë të lidhur më shumë se unë me kuptimin që përmban kjo pyetje.

Meqenëse administrata e cila përbëhet nga mijëra njerëz dhe njerëzit që numërohen me qindra e mijëra janë të detyruar ta shqyrtojnë e ta mbrojnë atë në vendin tim, përse duhet të flas unë me prokurorët më kot, pa qenë nevoja, që të mbroj vetveten?

Unë kam qenë në këtë provincë që prej nëntë vitesh dhe gradualisht po ia kthej shpinën time gjithnjë e më shumë dynjasë së tyre. Asnjë aspekt i jetës sime nuk ka mbetur i fshehur. Madje edhe trajtesat e mia private kanë qarkulluar nëpër duart e pushtetarëve në qeveri dhe tek disa deputetë. Në qoftë se do të kisha ndërhyrë sado pak ose nëse do të kisha bërë ndonjë përpjekje për të turbulluar e trazuar dynjanë e tyre ose madje në qoftë se thjesht do të kisha menduar për këtë çështje, nuk do ta kishin preferuar heshtjen këta autoritete e prokurorë ndaj meje e të mos më kishin shqetësuar, pavarësisht se ata më mbajnë nën mbikёqyrje, më përgjojnë dhe kanë vendosur spiunë kundra meje gjatë nëntë viteve.

Gjithashtu unë nuk kam ngurruar që t’i nxjerr të fshehtat e mia për ata që më kanë vizituar; autoritetet kanë qëndruar të heshtur dhe nuk më kanë ngacmuar. Në qoftë se do të kisha pasur ndonjë faj që mund të kishte qenë i dëmshëm për lumturinë e këtij vendi, për të ardhmen e tij ose për popullin e tij gjatë këtyre viteve, të gjithë individët e qeverisë duke filluar nga guvernatori deri tek zyrtari më i ulët, shefi i policisë së këtij fshati, do të mbanin përgjegjësi, do ta bënin vetveten përgjegjës. Ata janë të detyruar të më mbrojnë përballë atyre që e bëjnë qimen tra, që e bëjnë mizën buall; ata duhet t’i zvogëlojnë ato çfarë zmadhuan ata. Prandaj unë ua referoj atyre përgjigjjen e kësaj pyetje.

Arsyeja pse njerëzit e kësaj province janë më shumë të detyruar për të më mbrojtur mua se sa unë, është se nëpërmjet qindra trajtesave të cilat kanë demonstruar efektshmërinë e tyre në mënyrë të ndjeshme e lëndore dhe në fakt, unë kam punuar gjatë këtyre nëntë viteve për jetën e përhershme të këtyre njerëzve, për të mbështetur fuqinë e besimit të tyre dhe për lumturinë e jetës, të cilët janë edhe vëllezër, edhe shokë edhe të mirë e të bekuar. Dhe asnjë shqetësim apo dëm nuk ka pësuar askush për shkak të këtyre trajtesave, sepse nuk është vërejtur prej tyre as edhe shenja më e vogël prej ndonjë synimi politik apo ndonjë përfitimi që lidhet me këtë dynja. Dhe, lavdi Zotit xh.sh., nëpërmjet Risale-i Nurit kjo Provincë e Ispartës ka fituar, lidhur me fuqinë e besimit dhe me qëndrueshmërinë në fe, një shkallë të tillë bekimi që i ngjason bekimit që fitoi Damasku në kohët e hershme dhe bekimit të universitetit të Al-Az’harit në Egjipt që është shkolla e botës islame në përgjithësi; Risale-i Nuri e ka bërë fuqinë e besimit të dominojë mbi indiferentizmin dhe e ka bërë dëshirën për adhurim të dominojë mbi shthurjen e mbi të keqen në provincë duke e bërë atë një provincë më fetare se sa provincat e tjera. Prandaj,meqenëse çështja është kështu, të gjithë njerëzit e saj, madje edhe nëse do të supozonim se ndodhet ndonjë ateist, janë të detyruar të më mbrojnë mua dhe Risale-i Nurin.

Ndërsa ata kanë të drejta të tilla të rëndësishme për mbrojtje, e drejta ime e parëndësishme dhe e pjesshme nuk më shtyn mua për të mbrojtur veten time dhe sidomos në një kohë kur unë e kam plotësuar detyrën time, Lavdi Zotit, kur mijëra nga studentët kanë punuar e punojnë në vendin tim, në vendin e këtij të pafuqishmi. Atëherë, Ai që ka mijëra avokatë e përfaqësues nuk e mbron vetë çështjen e tij.

Përgjigjja për një pyetje kritike.

Njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje pyesin:

“Përse ti je i zemëruar me ne dhe nuk na je drejtuar dhe nuk na ke bërë kërkesë as edhe një herë të vetme, dhe rri i heshtur? Pastaj, ti ankohesh shumë rëndë ndaj nesh duke thënë se ne jemi të padrejtë ndaj teje. Mirëpo ne kemi parimet tona, ne kemi rregullat tona të veçanta siç kërkohet nga ky shekull, ndërsa ti nuk i zbaton këto parime për veten tënde dhe i refuzon ato, duke ditur se kush e zbaton ligjin nuk është tiran, ndërsa ai që nuk e pranon ligjin është rebel, i pabindur. Për shembull, në këtë kohë lirie dhe në epokën e re republikane, të cilën e kemi filluar, vepron parimi i heqjes së shtypjes dhe i mbisundimit ndaj të tjerëve, sepse barazia është një ligj themelor i fesë sonë, kurse ti që po përpiqesh të tërheqësh shikimin dhe vëmendjen e njerëzve drejt teje një herë me mantelin e dijes dhe njëherë me asketizëm dhe përpiqesh të formosh një fuqi dhe një rang shoqëror jashtë influencës së shtetit.

Kështu, kuptohet nga sjellja jote e jashtme dhe kështu na e tregon rrjedha e jetës tënde të mëparshme. Kjo mund të duket e dëshirueshme -sipas terminologjisë së sotme- brenda tiranisë arbitrare të borgjezisë. Por meqenëse parimet e socializmit të pastër dhe të bolshevizmit, të cilat janë shfaqur me zgjimin e njerëzve tonë të zakonshëm dhe me epërsinë e tyre, janë më të përshtatshme me interesat tona, ne i kemi pranuar ato, ndërsa pozita jote është e papëlqyeshme për ne; ajo del kundër parimeve tona. Për këtë arsye, ti nuk ke të drejtë të shfaqësh ankesa e të zemërohesh për shqetësimet që të vijnë nga ne.

Përgjigjja: Në qoftë se ai i cili hap një rrugë të re në jetën e shoqërisë njerëzore ose themelon një lëvizje nuk vepron në harmoni me ligjet natyrale që janë në fuqi në univers, ai nuk mund të jetë i suksesshëm në veprat e dobishme dhe në përparim. Të gjitha veprat e tij bëhen për llogarinë e së keqes dhe të shkatërrimit. Meqenëse veprat duhet të jenë në harmoni me ligjet natyrale, atëherë zbatimi i ligjit të barazisë absolute nuk është i mundshëm veçse duke ndryshuar natyrën e njeriut dhe duke hequr urtësinë themelore në krijimin e llojit njerëzor.

Po, përsa ka të bëjë me prejardhjen dhe me mënyrën e të jetuarit, unë vij nga shtresa e njerëzve të zakonshëm dhe jam njëri nga ata që, nga natyra dhe me arsye kam pranuar “Barazinë e të drejtave”. Dhe për shkak të mëshirës dhe të drejtësisë që burojnë nga islami, unë jam njëri nga ata që për një kohë të gjatë kam kundërshtuar dhe kam punuar kundër despotizmit dhe shtypjes së shtresës së lartë, klasës së lartë e quajtur borgjezi. Prandaj, unë e mbështes drejtësinë e plotë me të gjithë fuqinë time dhe e kundërshtoj tiraninë, shtypjen, forcën arbitrare dhe despotizmin.

Megjithatë, natyra njerëzore dhe urtësia që gjendet në krijimin e llojit njerëzor janë kundra ligjit të barazisë absolute, sepse me qëllim që të demonstrojë fuqinë e Tij të Plotë dhe urtësinë e Tij Absolute, Krijuesi i Gjithurtë prodhon shumë prodhime nga një gjë e vetme, bën që të shkruhen shumë libra në një faqe të vetme dhe bën të kryhen shumë funksione nga një gjë e vetme; dhe në të njëjtën mënyrë, Ai realizon nëpërmjet llojit njerëzor detyrat e mijëra specieve.

Për shkak të asaj urtësie madhështore, Allahu xh.sh. e krijoi njeriun me një natyrë gjithëpërfshirëse që do të prodhonte filizat e mijëra specieve dhe do të shfaqte nivelet e mijëra specieve të tjera të krijesave të gjalla. Allahu Fuqiplotë nuk vendosi asnjë limit tek forcat e njeriut, tek aftësitë e tij të holla dhe tek shqiset e tij, ashtu siç është rasti me kafshët; përkundrazi, Ai e la atë të lirë dhe i dha një aftësi nëpërmjet së cilës ai të ishte në gjendje të shëtisë e të bredhë përmes shkallëve të pafundme; Dhe ndërsa duke qenë një lloj i vetëm, njerëzimi bëhet si mijërat e specieve. Për këtë arsye, njeriu u bë kalif i Zotit në tokë.. rezultati i universit.. dhe monarku i kafshëve.

Kështu, fara -tharmi- më i rëndësishëm dhe mekanizmi për shumëllojshmërinë e llojit njerëzor është gara -konkursi, provat- dhe virtyti i vërtetë që buron nga besimi. Virtyti nuk mund të hiqet veçse duke ndryshuar natyrën njerëzore, duke shuar arsyen, duke vrarë zemrën dhe duke asgjësuar shpirtin.

Nuk është e mundur nëpërmjet tiranisë dhe padrejtësisë ta shkatërrosh lirinë. Përpiqu ta heqësh vetëdijen, ndërgjegjen po të mundesh, nga lloji njerëzor![2]

Unë në vend të këtyre rreshtave them:

“Është e pamundur nëpërmjet tiranisë dhe padrejtësisë ta shkatërrosh realitetin. Përpiqu ta asgjësosh zemrën, po të mundesh, nga lloji njerëzor”. Ose është e pamundur nëpërmjet tiranisë dhe padrejtësisë ta shkatërrosh virtytin; provo ta asgjësosh ndërgjegjen nga lloji njerëzor, nëse do të mundeshe.

Po, ashtu siç nuk mund të jetë mjet për shtypje virtyti që buron nga besimi, po ashtu ai nuk mund të jetë shkaku i despotizmit. Shtypja dhe despotizmi arbitrar tregojnë mungesën e virtytit. Dhe rruga më e rëndësishme e njerëzve të virtytit në veçanti është të ndërhyjnë në jetën e shoqërisë vetëm nëpërmjet pafuqisë, varfërisë dhe modestisë. Lavdi Zotit, jeta ime ka kaluar në këtë rrugë dhe vazhdon të kalojë në përputhje me këtë rrugë. Unë nuk pretendoj nga krenaria duke thënë se jam pronar i virtytit. Unë e them këtë që vijon me qëllimin e dhënies së falënderimeve ndaj Zotit xh.sh. dhe me nijetin e bërjes së njohur të një mirësie Hyjnore mbi mua:

Nëpërmjet mirësisë dhe Bujarisë së tij, Allahu i Plotëfuqishëm më dhuroi mua virtytin e punës për shkencat e besimit dhe të Kur’anit. Lavdi Zotit, gjatë jetës sime unë e kam shpenzuar këtë mirësi Hyjnore për dobinë e lumturinë e këtij kombi musliman. Dhe ashtu siç nuk e kam bërë atë asnjëherë mjetin e dominimit e të shtypjes së të tjerëve, po ashtu për një arsye të rëndësishme, unë e urrej orientimin e vëmendjes së njerëzve dhe të qenurit i pëlqyer nga ana e tyre, gjëra të cilat janë të dëshiruara nga njerëzit e pakujdesshëm; unë iki prej tyre. Njëzet vite nga jeta ime e mëparshme humbën për shkak të tyre. Prandaj unë i konsideroj ato të dëmshme për mua. Por meqenëse i shoh ato të dyja si një shenjë e drejtimit të vëmendjes së publikut ndaj Risale-i Nurit duke e pëlqyer atë, unë nuk do t’i zemëroj ata.

O Njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje! Unë në asnjë mënyrë nuk kam ndërhyrë në dynjanë tuaj, as nuk kam patur ndonjë lidhje me parimet tuaja, as nuk kam pasur ndonjë qëllim të ndërhyj përsëri në dynja, madje nuk kam aspak dëshirë për të, siç dëshmon për këtë jeta ime, të cilën e kalova si i zënë rob në internim për nëntë vjet. Atëherë, në përputhje me cilin ligj më keni dhënë gjithë këtë mbikёqyrje e shtypje sikur të kisha qenë një tiran i vjetër që paska qenë gjithmonë i gatshëm për të shfrytëzuar çdo rast dhe që paska mbështetur tiraninë dhe despotizmin? Asnjë qeveri në botë nuk do të dilte e të vepronte mbi ligjin dhe nuk do ta lejonte një trajtim të tillë të keq me të cilin trajtohem unë dhe të cilin nuk do ta pranonte asnjë njeri cilido qoftë.

Këto keqtrajtime që i bëni ndaj meje nuk ngjallin vetëm zemërimin tim, përkundrazi, ato indinjojnë të gjithë llojin njerëzor dhe, madje të gjithë universin nëse do të perceptonte.

Një pyetje e cila vjen në formë marrëzie e të pabazuar.

Disa anëtarë të gjyqësorit thonë: Meqenëse ti banon në këtë vend, ti duhet t’u përmbahesh ligjeve Republikane. Përse mundohesh ta shpëtosh vetveten duke iu shmangur atyre ligjeve nën perden e të jetuarit i veçuar nga njerëzit?

Për shembull, ai që ushtron fuqi e influencë mbi të tjerët jashtë detyrës së shtetit duke marrë ndonjë virtyt apo meritë për veten e tij kundërshton ligjin e qeverisë së tanishme dhe njërin nga parimet republikane i cili ka në themel barazinë. Përse i bën njerëzit të të puthin dorën ndonëse ti nuk ke ndonjë pozitë në shtet? Përse ti merr një pozitë duke reklamuar vetveten e duke thënë: “Le të më dëgjojnë mua njerëzit?”

Përgjigjja: Ata që e zbatojnë ligjin, duhet së pari ta zbatojnë për veten e tyre, pastaj mund ta zbatojnë atë për të tjerët. Të zbatosh një parim për të tjerët të cilin nuk e zbatoni për veten tuaj ju po shkelni e po kundërshtoni parimin dhe ligjin tuaj para çdokujt, sepse ju kërkoni ta zbatoni tek unë këtë ligj të barazisë absolute në një kohë që ju nuk e zbatoni për veten tuaj. Atëherë unë them këtë:

Sa herë që një ushtar i thjeshtë ngrihet në rangun shoqëror të një mareshalli dhe ndan respektin e nderimin që i drejtojnë atij njerëzit, do ta fitonte njëlloj si ai atë vlerësim të njerëzve dhe atë respekt ose sa herë që mareshalli do të bëhej si një ushtar i thjeshtë dhe do të merrte pozitën e ulët të ushtarit, ai do të humbiste të gjithë vlerën jashtë detyrës së tij.. Dhe gjithashtu sa herë që një komandant ushtarak mendjemprehtë i cili e çon ushtrinë në fitore, do të barazohej me një ushtar torollak në marrjen e vlerësimit të publikut, respektit dhe dashurisë, atëherë, siç kërkohet nga ky ligj i juaj i barazisë, ju mund të më thoni mua: “Mos e quaj veten tënde Hoxhë! Mos prano respekt nga njerëzit, mohoje virtytin tënd! Shërbeji shërbëtorit tënd dhe shoqëro lypësit.”

Në qoftë se ju thoni: “Ky respekt, ky rang shoqëror dhe vëmendja publike janë të posaçme për zyrtarët gjatë ushtrimit të tyre të funksioneve të tyre, ndërsa ti nuk ke funksion, kështu ti nuk mund ta pranosh respektin e njerëzve ashtu si zyrtarët”.

Përgjigjja: Në qoftë se njeriu do të përbëhej vetëm nga trupi.. dhe do të jetonte në këtë botë përgjithmonë.. dhe në qoftë se dera e varrit do të mbyllej.. dhe vdekja do të vritej.. dhe detyrat e funksionet do të kufizoheshin vetëm tek ata në ushtri dhe tek zyrtarët në qeveri.. atëherë fjala që ju thoni do të kishte ndonjë kuptim. Por meqenëse njeriu nuk përbëhet vetëm nga trupi dhe zemra e tij, gjuha, mendja e truri nuk mund të shkulen për të ushqyer trupin e tij; ato nuk mund të asgjësohen; ato gjithashtu duhet të administrohen.

Dhe meqenëse dera e varrit nuk mbyllet, dhe meqenëse ankthi për të ardhmen përtej varrit është çështja më e rëndësishme për gjithësecilin, atëherë detyrat që mbështeten mbi respektin dhe bindjen ndaj kombit kufizohen tek detyrat shoqërore, politike dhe ushtarake të cilat i përkasin jetës së kësaj dynjaje të kombit. Po, ashtu siç është një detyrë që t’u japësh një pashaportë atyre që udhëtojnë jashtë, po ashtu është detyrë t’u japësh pashaportë atyre që udhëtojnë për në paspërjetësi dhe t’u japësh atyre një dritë për atë rrugë të errët, dhe ajo është një detyrë e tillë saqë asnjë detyrë tjetër nuk e mban rëndësinë e saj. Atëherë, mohimi i një detyre të madhe si kjo nuk është e mundur veçse duke mohuar vdekjen dhe duke përgënjeshtruar dëshminë e tridhjetë mijë xhenazeve të cilat në çdo ditë vërtetojnë pretendimin:  “Vdekja është një realitet”. Meqenëse ka detyra morale e shpirtërore që mbështeten mbi nevoja morale e shpirtërore dhe më të rëndësishmet e atyre detyrave të tij janë besimi, forcimi i tij, dhe udhëzimi për tek ai janë pashaporta drejt rrugës për në paspërjetësi, pishtari i zemrës në errësirat e botës së ndërmjetme dhe çelësi i banesës së lumturisë së përjetshme, atëherë nuk ka dyshim se të diturit që e kryejnë atë detyrë, detyrën e imanit, nuk i zhvlerësojnë me mosmirënjohje mirësitë Hyjnore që u janë dhuruar atyre, as nuk i përçmojnë virtytet e besimit që ua ka dhënë Zoti xh.sh., as nuk bien në nivelin e mëkatarëve dhe të të shthururve dhe as nuk e ndotin vetveten me bidatet dhe me të ligat e njerëzve të ulët. Kështu, të jetuarit i vetmuar e i veçuar nga njerëzit gjë të cilën ju nuk e pëlqeni dhe që e supozoni të jetë në kundërshtim me pabarazinë është për shkak të kësaj.

Përveç kësaj të vërtete, unë u them sa vijon jo atyre si ju që më torturoni e më mundoni dhe që me egoizmin tuaj dhe me shpërfilljen ndaj ligjit të barazisë jeni aq arrogantë sa Faraoni -sepse arrogantët e pandehin modestinë të jetë poshtërim -përulësi- kështu njeriu nuk duhet të jetë i përulur përpara arrogantëve- përkundrazi, unë u them të paanshmive, modestëve dhe të drejtëve prej njerëzve të urtë:

Lavdi Zotit, unë i njoh gabimet e mia dhe pafuqinë. Unë nuk pretendoj me arrogancë ndonjë pozitë respekti më të lartë ndaj muslimanëve që kërkojnë respekt. Përkundrazi, në mënyrë të vazhdueshme unë i shoh mangësitë e mia të pafundme dhe parëndësinë time. Duke gjetur ngushëllim nëpërmjet istigfarit -kërkimit të faljes- unë nuk kërkoj respekt nga njerëzit, por duatë e tyre. Unë besoj se kjo sjellja ime është e njohur tek të gjithë. Veçse ama ndodh diçka që ndërsa duke i shërbyer Kur’anit të gjithurtë dhe duke dhënë mësim të vërtetat e besimit, me qëllim që të mbroj dinjitetin dhe krenarinë e dijes të cilat i kërkon një rang i tillë, për llogari të atyre të vërtetave dhe në nderim të Kur’anit dhe me qëllim që të mos përkulem para njerëzve të mosbesimit, unë përkohësisht e marr atë pozitë plot dinjitet. Unë nuk mendoj se ligjet e kësaj bote mund t’i kundërshtojnë këto pika!

Një trajtim i çuditshëm: Është i mirënjohur fakti se kudo mësuesit, tek njerëzit e njohjes, i gjykojnë dhe i peshojnë çështjet me peshoret e dijes e të njohjes. Kudo që ata gjejnë njohje të saktë dhe tek cilido që ata hasin njohje e dije, ata do të ushqejnë shoqërinë dhe respektin për personin për shkak të rrugës së dijes. Madje edhe në qoftë se një profesor nga një vend armik do të vinte për ta vizituar këtë vend, mësuesit do ta vizitonin atë për shkak të respektit për njohjen dhe dijen e tij dhe i shfaqin atij respekt.

Kur këshilli më i lartë shkencor i kishës Anglikane kërkoi nga meshihati islam një përgjigje me gjashtëqind fjalë për gjashtë pyetje, e cila i erdhi meshihatit, një dijetar dhe një mësues i cili hasi mosrespekt prej autoriteteve të arsimit këtu, nga njerëzit e këtij vendi, iu përgjigj atyre gjashtë pyetjeve me gjashtë Fjalë saqë përgjigja që ai dha gjeti miratim dhe admirim. Ai iu përgjigj me njohje e me dije të vërtetë parimeve më të rëndësishme e themelore të europianëve dhe të filozofëve të tyre dhe i shpartalloi. Nëpërmjet fuqisë që mori nga Kur’ani, ai i sfidoi ata filozofë europianë. Dhe në Stamboll gjashtë muaj para shpalljes së lirisë, ai u bëri ftesë dijetarëve fetarë dhe dijetarëve të shkencës moderne për të debatuar, dhe përgjigjja e tij ndaj pyetjeve të tyre pa e pyetur atë askush për ndonjë gjë; dhe ai iu përgjigj krejtësisht në mënyrë të saktë pa përjashtim të gjitha pyetjeve që iu bënë.[3]

Ata të cilët i shkaktuan pikëllimin më të madh këtij dijetari e mësuesi, i cili ia ka kushtuar të gjithë jetën e tij lumturisë së këtij kombi dhe, duke botuar qindra trajtesa në gjuhën e tij, në gjuhën turke, i ka ndriçuar ata, është edhe bashkëqytetar edhe njëfetar, i së njëjtës fe, dhe mik e vëlla, ata që kanë ushqyer armiqësi ndaj tij dhe në të vërtetë kanë qenë të parespekt ndaj tij kanë qenë disa anëtarë të institucionit arsimor si dhe disa hoxhallarë zyrtarë.

Dhe kështu, hajde, çfarë ke për të thënë për këtë? A civilizim është ky? A dashuri për dijen dhe njohjen është kjo? A patriotizëm është ky? A nacionalizëm është ky? Apo thirrje për t’u kapur pas objektivave të republikanizmit? Ruajna Zot! kjo nuk është asgjë fare!

Përkundrazi, ai është Kaderi i Drejtë Hyjnor që shfaqi nëpërmjet njerëzve të dijes armiqësi ndaj këtij personi, kur ky dijetar e mësues shpresoi miqësi e shoqëri nga ana e tyre, me qëllim që të mos përzihej në dijen e tij hipokrizia për shkak të pritjes së respektit dhe që të mund të fitonte sinqeritetin.

* * *

 

Përfundim

Një sulm që në këndvështrimin tim ishte i çuditshëm, por ishte mjet për të dhënë falënderime!

Arrogantët dhe egoistët prej njerëzve të dhënë vetëm pas kësaj dynjaje, me një egoizëm të jashtëzakonshëm, kanë një ndjeshmëri të fortë në njohjen e egoizmit e të vetëmburrjes, saqë në qoftë se ai trajtim do të kishte qenë me vetëdije prej tyre, do të konsiderohej keramet ose një gjenialitet i madh. Kjo është si më poshtë vijon:

Nëpërmjet balancës së ndjeshme të egoizmit dhe të mendjemadhësisë së tyre, ata kapën tek unë një egoizëm të pakët hipokrizie të cilin unë nuk e pata kapur me nefsin e me mendjen time, dhe në mënyrë të tërbuar i dalin përballë këtij egoizmit tim të cilin unë nuk e kisha kuptuar.

Gjatë këtyre tetë apo nëntë viteve unë kam përjetuar tetë ose nëntë herë sa vijon: pasi ata më kanë trajtuar mua padrejtësisht e keq, unë kam bërë shqyrtime lidhur me Kaderin Hyjnor dhe kam hulumtuar rreth dredhive të nefsit tim, duke thënë:

“Përse Kaderi Hyjnor i ka bërë këta të më mundojnë mua?”

Në çdo herë unë kuptoja se nefsi im me vetëdije dhe natyrshëm prirej nga egoizmi e nga mendjemadhësia, ose ndryshe ai me dijeni më ka mashtruar mua. Atëherë unë thashë se brenda padrejtësisë së atyre tiranëve, Kaderi Hyjnor ka vepruar me drejtësi ndaj meje.

Për shembull, në këtë verë shokët e mi më bënë mua të hipi mbi një kalë të këndshëm dhe unë e ngava atë në një fshat. Sapo u zgjua një dëshirë e përzier me egoizëm në nefsin tim për kënaqësitë e kësaj bote duke qenë i pavetëdijshëm për të, njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje e kundërshtuan atë dëshirë të fshehur timen aq me tërbim saqë ata nuk e shkatërruan vetëm atë, por gjithashtu edhe dëshirat e mia për shumë gjëra të tjera.

Në këtë herë, pas muajit të bekuar të Ramazanit dhe në një atmosferë prej sinqeritetit të vëllezërve të nderuar, devocionit të tyre dhe respektit të vizitorëve dhe mendimit të mirë të tyre, menjëherë pas vëmendjes që drejtoi drejt nesh një imam i madh i lartë i kohëve të hershme nëpërmjet një kerameti të së padukshmes, nefsi im, pa vetëdijen time, deshi, me krenari të merrte një pozitë shtinjake nën perden e të qenurit mirënjohës. Papritmas me ndjeshmërinë e tyre të fortë dhe në një mënyrë, në të cilën pikërisht grimcat e hipokrizisë të mund të ndjeheshin, njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje më sulmuan mua. Unë falënderoj Allahun e Plotëfuqishëm që tirania e tyre u bë një mjet për të fituar sinqeritetin.

“Dhe thuaj: “Zoti im! Të mbështetem Ty (të më ruash) nga pëshpëritjet e Shejtanit”.

Dhe të mbështetem Ty, O Zoti im! Se përndryshe ata do të më afroheshin”.[4]

O Zot! O Mbrojtës! O Ruajtës! O më i Miri i mbrojtësve! Më ruaj mua dhe shokët nga e keqja e nefsit dhe nga e njerëzve të çudhëzimit e të mosbindjes.

Amin. Amin. Amin.

“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë që vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti”.[5]

* * *

 

[1] Kur’an, 65:3

[2] Kjo fjalë serioze u paraqit gabimisht në fytyrën e një personi shumë të rëndësishëm i cili nuk e meritonte një goditje të tillë, por me këtë fjalë, me këto rreshta, vlen të goditet fytyra tradhëtare e këtij shekulli që mban tiraninë e tmerrshme nën maskën e lirisë.

[3]  Saidi i ri thotë: Unë nuk shoqëroj Saidin e vjetër në këto Fjalët e tij të cilat i thotë me krenari këtu në këtë pozitë, por unë nuk mund ta hesht atë meqenëse unë i dhashë fjalën me të drejtë në këtë trajtesë. Duke menduar, le të shfaqë ai pak egoizëm përpara egoistëve, unë preferoj të rri i heshtur ndaj tij.

[4] Kur’an, 23:97-98

[5] Kur’an, 2:32

Leave a Reply