Lexo PDF

Kjo fjalë përbëhet nga dy kapituj

 

بِسْمِ اللّهِ الرَّحْمنِ الرَّحِيمِ

لَقَدْ خَلَقْنَا اْلاِنْسَانَ فِى اَحْسَنِ تَقْوِيمٍ , ثُمَّ رَدَدْنَاهُ اَسْفَلَ سَافِلِينَ , اِلاَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَ عَمِلُوا الصَّالِحَاتِ….

 

Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti

“Vërtet që Ne e krijuam njeriun në ndërtimin, modelin më të bukur. Pastaj ne e ulëm atë mu në fund të fundit. Përveç atyre të cilët besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi”.[274]

 

KAPITULLI I PARË

Do të sqarojmë në pesë pika, vetëm pesë nga mijëra vlerat e virtyteve të besimit. 

 

Pika e parë

Njeriu nëpërmjet dritës së besimit ngjitet në shkallën më të lartë dhe fiton një vlerë të denjë për parajsë. Kurse nëpërmjet errësirës së mosbesimit ai zbret në shkallën më të ulët duke rënë në një pozitë që i shkon për shtat vetëm ferrit; kjo, për arsye se besimi është lidhje me Krijuesin e Gjithëlavdishëm. Kështu njeriu fiton një vlerë shumë të madhe në sajë të Mjeshtërisë Hyjnore dhe të skalitjeve të Emrave Hyjnorë që shfaqen tek ai përmes besimit. Mosbesimi e këput këtë lidhje dhe, si rrjedhojë, arti Hyjnor fshihet. Atëherë vlera e njeriut do të gjente shprehje vetëm në botën materiale dhe meqenëse në materie rrjedh një jetë e shkurtër, kalimtare e shtazore, domethënia dhe brendia e këtyre vlerave do të degjenerohej në pothuajse asgjë. Këtë mister do ta sqarojmë nëpërmjet një krahasimi.

Për shembull: Nëse do të marrim parasysh artet e njeriut, vlera e materialeve të përdorura dhe vlera e artit në punimin e tyre janë krejtë-sisht të ndryshme. Ndonjëherë ato janë të barabarta; në disa raste materiali është më i çmueshëm; nganjëherë ndodh që një vlerë arti prej pesë monedhash ari të gjendet në materiale si hekuri i cili vlen pesë qindarka dhe në raste të tjera ndonjë vepër antike arti mund të vlejë miliona, ndërkohë që materiali prej të cilit përbëhet nuk kap vlerën e pesë qindarkave.

Atëherë, në qoftë se një vepër antike e tillë arti, një punë e një mjeshtri të përkryer e virtuoz i kohëve të lashta, do të ekspozohej në një treg antikash dhe të bëhej e njohur duke përmendur piktorin dhe artin e tij, pa dyshim ajo mund të shitej me miliona dollarë. Ndërsa po të dërgohej ajo vepër arti për t’u ekspozuar tek një tregtar hedhurinash industriale apo kovaçhane, ndoshta askush nuk do të shkonte për ta blerë, ose çmimi me të cilin do të vlerësohej, do të ishte i barabartë me vlerën e saj materiale, pra jo më tepër se pesë qindarkat e metalit në të cilin vepra do të ishte punuar.

Kështu pra, njeriu është një vepër antike e përkryer arti, i punuar nga Krijuesi i Gjithëditur. Ai është mrekullia më e hijshme dhe e hollë e të Gjithëfuqishmit, i Cili e krijoi që t’i shfaqë tek ai të gjithë Emrat e Tij së bashku me mbishkrimet dhe skalitjet e tyre në formën e një modeli të zvogëluar të universit.

Në qoftë se drita e besimit do të futej në qënien e njeriut, atëherë të gjitha skalitjet kuptimplote tek ai do të mund të lexoheshin me atë dritë. Pasi ai që e ndien pulsin e besimit nëpërmjet kësaj lidhje, i lexon me vetëdije ato duke i bërë edhe të tjerët që t’i lexojnë. Kjo do të thotë se arti Hyjnor tek njeriu bëhet i dukshëm nëpërmjet kuptimit të të vërtetave si: “Unë jam krijesa dhe produkti i Krijuesit të Gjithëlavdishëm. Shikoni se si shfaqet tek unë mëshira dhe bujaria e Tij.” Me fjalë të tjera, besimi i cili përbëhet nga të qënit i lidhur me Krijuesin, bën të qartë të gjithë artin Hyjnor tek njeriu dhe me këtë përcaktohet vlera e njeriut e cila është në harmoni me atë art dhe me shkëlqimin e asaj pasqyre të Krijuesit Absolut. Nga ky këndvështrim, ky njeri i parëndësishëm shndërrohet duke zënë vendin më të lartë midis krijesave; duke u bërë i denjë për të marrë mesazhet Hyjnore dhe të arrijë nderin e të qënit mysafir i parajsës.

Ndërsa në qoftë se hyn mosbesimi tek qënia e njeriut, që do të thotë prishje e marrëdhënieve me Krijuesin, atëherë të gjitha mbishkrimet kuptimplote të Emrave Hyjnorë do të zhyteshin në errësirë dhe nuk do të mund të lexoheshin, sepse po të harrohet Krijuesi, atëherë aftësitë shpirtërore që e perceptojnë Atë dhe që janë të orientuara drejt Tij, nuk do të kuptoheshin, madje ato do të përmbyseshin. Shumica e atyre arteve sublime dhe skalitjeve të bukura kuptimplote do të fshiheshin dhe pjesa tjetër, domethënë ato që mund të kapen me sy, do t’u atribuoheshin shkaqeve të rëndomta, natyrës dhe rastësisë duke u zhvlerësuar kështu krejtësisht. Në një kohë kur secila nga ato është një diamant brilant, ajo do të bëhej si një copë e zezë dhe e errët qelqi dhe që i ka humbur shkëlqimi. Kështu, rëndësia e tij do të kufizohej vetëm tek qënia fizike e shtazore. Ashtu siç thamë, qëllimi dhe rezultati i qënies së tij fizike apo materiale është vetëm kalimi i një jete të shkurtër e të pjesshme, të cilën njeriu e jeton si më i pafuqishmi, më nevojtari dhe më i dëshpëruari nga të gjitha krijesat. Pastaj ai kalbet e mbaron. Shiko pra se si mosbesimi e shkatërron natyrën njerëzore dhe si e transformon atë nga diamanti në qymyr.

 

Pika e dytë

Besimi është drita që e ndriçon njeriun dhe  që ia bën të lexueshme e të qarta të gjitha mesazhet e Krijuesit të cilat janë skalitur tek ai; në të njëjtën kohë besimi ndriçon universin si dhe shpëton të kaluarën dhe të ardhmen nga errësira. Këtë mister do ta sqarojmë me një krahasim që lidhet me një mister të vërsetit Kur’anor:

اَللّهُ وَلِىُّ الَّذِينَ آمَنُوا يُخْرِجُهُمْ مِنَ الظُّلُمَاتِ اِلَى النُّورِ

 “Zoti është Mbrojtësi i atyre që besojnë; Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë”[275].

Krahasimi është si më poshtë: Unë pashë në atë vizion një urë madhështore të ngritur në dy male të lartë e të vendosur përballë njëri tjetrit… Nën urë ndodhej një luginë shumë e thellë… Unë ndodhesha përmbi urë. Një errësirë e dendur kishte mbuluar të gjitha anët e dynjasë. Hodha vështrimin nga ana e djathtë, por ç’të shohësh, një varr i madh gjendej në atë terr të pafund. Kështu m’u përfytyrua. Më vonë kur ktheva shikimin nga ana e majtë, sikur pashë se po përgatiteshin stuhi të tërbuara dhe fatkeqësi të grumbulluara midis dallgëve të lemerishme të asaj errësire. Kur vështrova poshtë urës përfytyrova se pashë një humnerë të thellë. Me vete kisha një elektrik dore, drita e të cilit u zbeh përballë atij terri të tmerrshëm.

Megjithatë unë e përdora dhe munda të shoh paksa me dritën e tij të zbehët. Por një situatë më e llahtarshme u shfaq për mua. U dukën aq shumë kuçedra e kafshë grabitqare rreth e rrotull dhe mbi urë, saqë unë bërtita me të madhe: “Ah sikur mos ta kisha këtë fener dore dhe mos t’i kisha parë këto gjëra të çuditshme!” Nga cilado anë që e ktheja atë fener, merrja të njëjtat frikësime. Ndërkohë thashë: “ah, medet! Ky fener më solli shumë telashe.” Atëherë, me zemërim e flaka përtokë. Ndërsa po e copëtoja, errësira befas u largua, në një mënyrë sikur unë të kisha ngritur çelësin e një llambe gjigante të tillë sa rrezet e saj ndriçonin të gjithë botën! Tashmë çdo anë ishte mbushur me dritën e llampës e cila tregonte gjithçka ashtu siç ishte në realitet.

Atëherë pashë se ura që më ishte shfaqur, ishte një rrugë që kalonte përmes një fushe të sistemuar; kuptova qartë se varret e mëdha që kisha parë në anën e djathtë, nga maja gjer në fund, ishin vetëm kopshte të blerta e të bukura që ngjallnin qetësi e kënaqësi shpirtërore; se ato ishin vende shërbimi e kuvendimi, për të përmendur e për ta adhuruar Zotin xh.sh., dhe të gjitha këto realizoheshin nën drejtimin e njerëzve dritëdhënës. Sa për humnerat dhe trazirat në të majtën time të cilat i kisha përfytyruar të tërbuara e të stuhishme, tani i shoh se ato ishin vende gostie, argëtimi, vende shëtitje dhe kënaqësie përtej maleve dhe ishin të këndshme e të zbukuruara; ndërsa krijesat që i përfytyroja të llahtarshme, tani i pashë se ishin kafshë të buta si deve, buaj, dele e dhi. Atëherë duke deklaruar:

اَلْحَمْدُ لِلّٰهِ عَلَى نُورِ اْلا۪يمَانِ

“I lavdëruar eshtë All-llahu për dritën e besimit”

Unë recitova ajetin Kur’anor:

اَللّهُ وَلِىُّ الَّذِينَ آمَنُوا يُخْرِجُهُمْ مِنَ الظُّلُمَاتِ اِلَى النُّورِ

 “Zoti është Mbrojtësi i atyre që besojnë; Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë.”

      Dhe u zgjova nga ajo gjendje. Malet ishin fillimi dhe mbarimi i jetës: Domethënë kjo botë dhe bota e ndërmjetme (Berzah). Ura ishte rruga e jetës; ana e djathtë ishte koha e shkuar, ndërsa ana e majtë ishte e ardhmja. Feneri i dorës ishte krenaria egoiste njerëzore e cila nuk u bindet urdhëresave Hyjnore, por veçse njohurisë apo diturisë vetiake; është ajo njohuri e mangët që të çon drejt humbjes, që i ngjason varrit të madh në terrin e pafund. Kjo ego e cila krijimin e gjithësisë ia atribuon rastësisë, duke qenë vetëdashëse, ajo mbështetet në atë që njeh, që arrin të perceptojë me pesë shqisat dhe nuk i kushton vëmendje shpalljes qiellore. Gjërat që m’u përfytyruan si përbindësha e kuçedra ishin ngjarjet dhe krijesat e habitshme të botës.

Prandaj ai që mbështetet tek egoja e tij, ai që bie në errësirën e shkujdesjes dhe provohet me terrin e rrugës së shtrembër, i ngjason gjendjes sime të parë në vizion, njeriut me fenerin e dobët që, për shkak të rrugës së gabuar dhe të njohurive të mangëta, e shikoi të shkuarën në formën e një varri të madh në mes të errësirës së mosekzistencës, dhe të ardhmen si një vend të frikshëm vetmie plot furtuna duke ia atribuuar rastësisë së verbër. Ajo ego i përfytyroi përbindësha e kuçedra ndodhitë dhe qëniet në një kohë kur secila prej tyre ishte nëpunës i nënshtruar i Zotit të Gjithëditur e të Gjithëmëshirshëm. Një njeri i tillë sikur vërteton kuptimin e vërsetit:

وَالَّذِينَ كَفَرُوا اَوْلِيَاؤُهُمُ الطَّاغُوتُ يُخْرِجُونَهُمْ مِنَ النُّورِ اِلَى الظُّلُمَاتِ

“Ata që mohojnë besimin, mbrojtësit e tyre janë të ligët; ata i nxjerrin nga drita në errësirë” [276].

Mirëpo, në qoftë se një njeriu të tillë i vjen udhëzimi Hyjnor, në qoftë se besimi hyn në zemrën e tij, në rast se tirania e egos mbi shpirtin e tij copëtohet dhe i kushton vëmendje librit të Zotit, ai do t’i ngjasonte gjendjes sime të dytë të vizionit. Atëherë gjithësia, papritmas, do të merrte formën dhe ngjyrën e dritës dhe do të mbushet me dritën Hyjnore. Dhe bota do të recitojë vërsetin:

اَللّهُ نُورُ السَّموَاتِ وَاْلاَرْضِ

All-llahu është drita e qiejve dhe e tokës”[277]

Atëherë ai do të shikojë me sytë e zemrës se e shkuara nuk është varr i madh, por një vend paqe e prehje për shpirtërat e pastër që kanë jetuar në çdo shekull,të cilët duke mbushur detyrat e tyre të adhurimit nën udhëheqjen e profetit ose të evlijave, thërrasin  اَللّٰهُ اَكْبَرُ  “Zoti është më i madhi”, dhe kalojnë në të ardhmen duke fluturuar lart për tek vendbanimet e larta.

Kur kthen shikimin nga e majta, nëpërmjet dritës së besimit, dallon nga një largësi e madhe vende argëtimi e pallate lumturie në kopshtet e parajsës që qëndrojnë përtej përmbysjeve dhe revolu-cioneve të mëdha të së tashmes dhe të së ardhmes. Ai e di se stuhitë, tërmetet dhe sëmundjet ngjitëse që të gjitha janë nëpunës të bindur që i nënshtrohen vullnetit të Zotit. Gjithashtu ngjarje të tilla si shiu dhe stuhitë pranverore, në dukje të ashpra, i sheh, në kuptim, si shkaqe të shumë dhuratave të bukura. Ai madje do ta shikojë vdekjen si një fillim për jetën e përhershme dhe varrin do ta shohë si derën e lumturisë së përhershme. Ju mund të bëni krahasime në më shumë aspekte për veten tuaj. Përdoreni realitetin për krahasimin.

 

Pika e tretë

Besimi është edhe dritë edhe forcë. Po, njeriu që arrin një besim të vërtetë mund të sfidojë gjithë universin dhe është i shpëtuar nga të gjitha trysnitë e ndodhive duke qenë i mbështetur në forcën e besimit. Duke thënë: “Unë e kam mbështetur besimin tim tek Zoti”, ai me siguri të plotë, udhëton në anijen e jetës përmes dallgëve të trazuara të ngjarjeve. Ai të gjitha peshat e tij i lë në dorën e Fuqisë së vetme Absolute. Udhëton përmes botës me qetësi mendore dhe shpirtërore. Pastaj bën pushim në botën e ndërmjetme (Berzah) dhe më vonë mund të fluturojë më lart në parajsë me qëllim që të hyjë në lumturinë e përhershme. Nga ana tjetër, në qoftë se ai nuk mbështetet tek Zoti, jo vetëm që nuk mund të fluturojë për në parajsë, por përkundrazi, peshat e botës do ta tërhiqnin poshtë duke e zbritur në nivelin më të ulët.

Prandaj, besimi bën të domosdoshëm vërtetimin e Njësisë së Zotit; Njësia të çon në nënshtrim dhe në përulësi ndaj Tij; përulësia dhe nënshtrimi i sjellin mbështetje tek Ai dhe mbështja tek Zoti domosdoshmërisht të siguron lumturinë në këtë botë dhe në tjetrën.

Por nuk duhet keqkuptuar; natyrisht mbështetja tek Zoti nuk i mohon krejtësisht shkaqet materiale që sjellin pasojat. Do të ishte më mirë të dihej se shkaqet janë perde apo maska në dorën e fuqisë Hyjnore që i përdor ato. Duke pranuar se respektimi i shkaqeve është një lloj lutje aktuale, ndërsa kërkimi i rezultateve është vetëm nga Zoti xh.sh. dhe vetëm Ai duhet të falënderohet, Atij i duhet ditur për nder rezultati.

Ata që mbështesin besimin e tyre tek Zoti xh.sh. dhe ata që nuk mbështeten tek Ai, krahasohen me dy burrat në këtë tregim:

Njëherë dy burra u ngarkuan me pesha të rënda në shpina e në bel. Pasi prenë biletat, hipën në një anije të madhe. Me të hipur në të, njëri nga ata e uli barrën e tij në kuvertën e anijes dhe, ndërsa rrinte ulur, e shikonte për ta ruajtur. Kurse tjetri, meqenëse ishte i marrë dhe arrogant, nuk e uli peshën e tij por e mbante në kurriz.

Kur iu tha atij: “Lëshoje atë barrë të rëndë që të rehatohesh,”

Ai u përgjigj: “Jo, unë nuk do ta ulë, se mbase humbet.” Dhe shtoi: “Unë jam i fortë dhe do e ruaj pronën time në kurriz e në kokë.”

Atij përsëri iu tha: “Kjo anije madhështore dhe e sigurt e cila po të mban ty është më e fortë, sigurisht ajo do ta mbrojë mallin më mirë se ti, se kushedi, ndoshta të merren mendtë dhe bie në det së bashku me barrën tënde dhe gradualisht do të humbasësh fuqinë dhe pak nga pak ato pesha do të bëhen më të rënda.

Si rrjedhim, kurrizi yt i dalë dhe koka jote pa tru nuk do të kenë më fuqi t’i mbajnë ato. Përveç kësaj, në qoftë se të shikon kapiteni në këtë gjendje, ai, ose do të të thotë që ti je i marrë e do të dëbojë nga anija, ose do të mendonte që ti je mosmirënjohës, ose do të lëshonte urdhër arresti e të të fuste në burg duke thënë: “Ky tradhtar akuzon anijen tonë dhe tallet me ne”. Për më tepër, ti tregohesh si keqdashës përpara çdo njeriu, sepse ti duke treguar mendjemadhësinë, e cila fsheh në vetvete dobësi ashtu siç e shohin mendjehollët, dëshmon mungesë fuqie nëpërmjet mburrjes, poshtërsi e hipokrizi me anë të shtirjes, dhe e bën veten tënde objekt talljeje në sytë e të gjithëve që po qeshin me ty. Pasi i dëgjoi të gjitha këto fjalë, ai njeri fatkeq erdhi në vete dhe në çast lëshoi peshën e tij mbi kuvertën e anijes dhe u ul mbi të. Atëherë i tha tjetrit: “Ah! Zoti qoftë i kënaqur me ty, shpëtova nga ajo peshë, shpëtova nga burgu dhe nga të vepruarit si budalla.”

Dhe kështu, o njeri që nuk e mbështet besimin tek Zoti! Ti gji-thashtu eja në vete si ai në anije dhe mbështetu tek Krijuesi me qëllim që të shpëtosh nga shtrirja e dorës para gjithësisë, të shpëtosh nga mundimi, nga mburrja, nga të vepruarit si budalla, nga mjerimi në botën tjetër si dhe nga burgu i trysnive të kësaj bote.

 

Pika e katërt

Besimi e bën njeriun njeri të vërtetë. Madje ai e bën atë mbret. Meqë është kështu, detyra themelore e njeriut është besimi dhe lutja drejtuar Zotit xh. sh.. Ndërsa mosbesimi e bën njeriun një egërsirë, jashtë mase të pafuqishme.

Këtu do të paraqesim një tregues të qartë dhe një provë vendimtare nga mijëra argumente që lidhen me këtë çështje. Është ajo e ndryshueshmërisë. Këto ndryshime midis ardhjes së kafshës dhe të njeriut në këtë dynja, tregojnë se njeriu merr tipare njerëzore nëpërmjet besimit, domethënë integriteti njerëzor arrihet me besim, sepse kur shfaqen kafshët në dynja, ato vijnë të plotësuara në të gjitha anët në përputhje me nevojat e tyre sikur ato të kishin qenë plotësuar në një botë tjetër dhe të tilla të dërgoheshin që andej. Ato i mësojnë të gjitha domosdoshmëritë e jetës së tyre, marrëdhëniet me krijesat e tjera dhe ligjet e jetës, ose për dy orë, ose për dy ditë, ose për dy muaj, duke u bërë të afta brenda këtij limiti kohor. Kafshët, si trumcakët dhe bletët, brenda njëzet ditëve fitojnë fuqinë për të mbijetuar dhe aftësinë e eksperiencën në punët që ato kryejnë, ndërkohë që njeriut i duhen njëzet vjet. Kjo vjen se ato inspirohen kështu nga ana e Zotit xh.sh., që do të thotë se detyra kryesore e tyre nuk është që ato të plotësohen nëpërmjet mësimit duke fituar njohuri, as duke kërkuar ndihmë apo me anë të lutjeve duke zbuluar pafuqinë e tyre, por ndoshta, duke punuar e vepruar në përputhje me aftësitë që u janë dhënë. Detyra e tyre është adhurim aktiv.

Ndërsa njeriu ka nevojë të mësojë çdo gjë kur vjen në botë; ai është i paditur, madje ai nuk mund t’i mësojë plotësisht kushtet e jetës për një hark kohor njëzet vjeçar. Në të vërtetë atij i kërkohet të vazhdojë të mësojë deri në përfundimin e jetës së tij. Gjithashtu ai dërgohet në këtë botë në formën më të dobët e të pafuqishme. Ai mund të ngrihet në këmbët e tij vetëm pasi të ketë mbushur dy vjeç; vetëm kur mbush të pesëmbëdhjetat ai mund të dallojë midis të mirës dhe të keqes dhe në sajë të eksperiencës njerëzore, ai mund të tërheqë pranë vetes gjërat e dobishme dhe të largojë të tjerat që janë të dëmshme. Ai duhet të pyesë! Me mëshirën e kujt po drejtohem në jetë? Me dëshirën dhe dashurinë e kujt po përsosem unë? Kush është Ai, që me përkëdhelitë e të Cilit unë po ushqehem dhe udhëzohem me kaq delikatesë? Të njohësh, të duash dhe t’i lutesh me gjuhën e të pafuqishmit Atij që na i përmbush mijërat e nevojave tona, është detyra e natyrshme e njeriut me qëllim që ai të përsoset me anë të dijes duke shprehur lutjet dhe adhurimin e tij ndaj Zotit xh.sh. duke qenë rob i devotshëm ndaj Tij dhe duke fluturuar me fletët (krahët) e pafuqisë e të varfërisë në rangun më të lartë të adhurimit.

Kjo do të thotë se njeriu erdhi në këtë botë për t’u plotësuar nëpërmjet njohurive dhe lutjeve. Për sa i përket natyrës së tij dhe aftësive, gjithçka lidhet me njohurinë. Baza, burimi, drita dhe shpirti i gjithë dijes së vërtetë është njohja e Zotit xh. Sh., kurse esenca ose themeli i saj është besimi i sinqertë në Zotin xh.sh..

Përveç kësaj, meqenëse njeriu përballet me prova e mundime të pafundme dhe meqë sulmohet nga armiq të shumtë dhe është nevojtar për kërkesa të pafundme, pasi ai është shumë i dobët dhe i pafuqishëm, atëherë pas besimit të sinqertë, detyra e tij themelore e natyrshme është lutja që i drejtohet Krijuesit. Dhe për sa i përket lutjes, ajo është esenca e adhurimit.

Për të realizuar një dëshirë apo kërkesë që nuk mund ta arrijë, fëmija, ose do të qajë ose do ta kërkojë. Domethënë, ai ose do të lutet nëpërmjet gjuhës së pafuqisë, ose aktivisht, ose gojarisht duke u bërë kështu i suksesshëm në përmbushjen e tyre. Në këtë mënyrë, njeriu është i ngjashëm me një fëmijë të dobët, delikat e të përkëdhelur në botën e gjallesave. Ai ose duhet të qajë në praninë e të Gjithëmëshirshmit duke shprehur dobësinë dhe paaftësinë e tij, ose t’i drejtohet me lutje duke shprehur nevojën dhe varfërinë që ka, me qëllim që t’i përmbushen kërkesat dhe t’i realizohen dëshirat. Duke vepruar kështu, ai shpreh falënderim e mirënjohje për realizimin e tyre. Përndryshe, në qoftë se ai thotë me arrogancë ashtu si një fëmijë i marrë i cili qan madje edhe për shkak të një mize, “Me fuqinë time unë i nënshtroj e i mposht gjërat”, në një kohë që ai është i pamundur t’i nënshtrojë gjërat që janë një mijë herë më të fuqishme se ai, ose thotë: Unë i bëj ato të më binden sipas ideve të mia dhe që marr masat.” Në këtë mënyrë ai zhytet në mosmirënjohje ndaj mirësive të Zotit xh.sh.; dhe pikërisht kjo është kundër natyrës së njeriut. Kështu ai e bën veten të meritojë një dënim të rreptë.

 

Pika e pestë

Besimi bën të domosdoshëm lutjen si mjetin më të sigurt për plotësimin e nevojave. Dhe ashtu si natyra njerëzore që ka një dëshirë të zjarrtë për lutjen, njëkohësisht edhe Zoti i Gjithëfuqishëm dekreton:

قُلْ مَا يَعْبَؤُا بِكُمْ رَبِّى لَوْلاَ دُعَاؤُكُمْ

 “Thuaj; Zoti im kujdeset për ju vetëm nga duaja juaj drejtuar Atij.”[278] …e cila ka kuptimin: “Ç’rëndësi do të kishit ju në qoftë se nuk do të më drejtonit lutje?.” Gjithashtu All-llahu urdhëron:  اُدْعُونِى اَسْتَجِبْ لَكُمْ “Më drejtoni Mua lutje që Unë t‘ju përgjigjem”[279]

Në qoftë se ti do të thoje: Ne shpesh bëjmë lutje, por ato nuk pranohen, megjithëse vërseti Kur’anor në përgjithësi deklaron se; “Për çdo lutje ka përgjigje.”

Përgjigjja do të ishte: Përgjigjja e lutjes është një gjë, ndërsa pranimi i saj është krejtësisht gjë tjetër. Çdo lutje gjen përgjigjje, veçse pranimi dhe realizmi i saj varen vetëm nga urtësia e Krijuesit.

Për shembull, në qoftë se një fëmijë i sëmurë do t’i thërriste mjekut duke i thënë: “Doktor! Më vizito!” dhe ndërkohë ai t’i përgjigjej: “Ja ku jam, çfarë dëshiron?” dhe fëmija t’i thoshte: “Më jep atë ilaç!.” Mjeku ose do t’ia jepte pikërisht atë që kërkon, ose diçka më të mirë e më të dobishme për të, ose duke e ditur se ajo është e dëmshme për sëmundjen e tij, s’do t’ia jepte fare.

Në të njëjtën mënyrë, Krijuesi i Gjithëfuqishëm duke qenë i Gjithurti Absolut, Kontrollues e Vëzhgues, në çdo çast u përgjigjet lutjeve të robërve të Tij me anë të prezencës e të pranimit. Ai ia transformon dëshpërimin, shkretimin dhe vetminë në shpresë, miqësi e qetësi. Por sigurisht Zoti nuk e bën këtë që të jetë në përputhje me kërkesat kapriçoze e të pavend të njeriut, por në harmoni me kërkesat e urtësisë Hyjnore; kështu Ai ose i plotëson njeriut pikërisht kërkesat sipas lutjeve që i ka drejtuar, ose çfarë është më e mirë se ajo, ose nuk i jep asgjë.

Gjithashtu lutja është formë adhurimi. Rezultatet e lutjes lidhen me botën tjetër. Për sa i përket qëllimeve të kësaj bote, ajo lloj duaje janë kohët e lutjes dhe të adhurimit, dhe jo synimi dhe përfundimi i tyre. Për shembull, duatë ose lutjet për shi janë një formë adhurimi. Kohët e atij adhurimi janë mosrënia e shiut. Adhurimi dhe lutjet e këtij lloji nuk bëhen vetëm me qëllimin që të sjellin shi. Në rast se ajo dua dhe ai ibadet bëhen vetëm me atë qëllim, atëherë nuk do të ishin të denja për pranim, pasi ato nuk janë lutje të bëra vetëm për hir të Zotit xh.sh.. Dhe ashtu si koha e perëndimit të diellit që është njoftim për kohën e namazit të akshamit dhe koha e eklipseve të diellit e të hënës është koha e dy ibadeteve të veçantë të njohur si “Salat-i Kusuf” dhe “Salat-i Husuf,” domethënë, Zoti xh.sh. u bën thirrje robërve të Tij në atë kohë për një lloj falje për shkak të mbulimit të dy shenjave ndriçuese të natës e të ditës të cilat shpallin madhështinë e Tij. Kjo falje nuk bëhet vetëm me qëllim që dielli dhe hëna të shfaqen, shfaqja e të cilave si dhe kohëzgjatja e eklipsit llogariten edhe nga astronomët. Dihet se errësira është e kufizuar e do të vazhdojë derisa të lindë dita e re.

Në këtë mënyrë duhet të kuptohet edhe thatësira që është koha e namazit për shi. Dhe sundimi i fatkeqësive dhe vuajtja e sprovimi me të këqija është koha e disa lutjeve të veçanta, kur njeriu në ato kohë kupton pafuqinë e vet dhe me anë të lutjeve e përgjërimeve kërkon mbrojtje tek dera e të Gjithëfuqishmit Absolut.

Edhe po të mos i largohen ato vuajtje, pavarësisht nga lutjet e shumta që ai bën, nuk mund të thuhet se “ato nuk janë pranuar”, por më mirë duhet të thuhet se “koha e lutjes akoma nuk ka mbaruar.” Në qoftë se Krijuesi i Vërtetë xh.sh., me mirësinë dhe bujarinë e Tij ia largon ato fatkeqësi dhe ia lehtëson dhimbjet, në këtë moment koha e lutjes ka mbaruar, pasi halli u zgjidh. Atëherë me këtë, lutja është një mister i adhurimit. Sa për faljen dhe adhurimin ndaj Zotit xh.sh, ato duhet të jenë të sinqerta dhe të mirëfillta për hir të Krijuesit. Njeriu duhet të kërkojë mbrojtje dhe të shfaqë pafuqinë e tij nëpërmjet faljeve e lutjeve. Ai nuk duhet të ndërhyjë në kompetencat e Krijuesit, por duhet t’ia lërë vetëm Atij marrjen e masave si dhe të mbështetet në urtësinë e Tij dhe të mos e akuzojë mëshirën e Zotit duke prerë shpresat nga kjo mëshirë.

Po, në vërsetet Kur’anore vërtetohet se të gjitha qëniet bëjnë adhurim dhe lavdërim me mënyrat e tyre të veçanta ndaj Krijuesit Absolut, ajo është një dua që ngjitet tek porta Hyjnore nga i gjithë universi.

Kjo, ose realizohet me anë të gjuhës së aftësisë së natyrshme siç është lutja e bimeve ku çdonjëra prej tyre kërkon një formë me gjuhën e aftësisë së saj të veçantë nga Dhuruesi absolut në të cilën shfaqen Emrat e bukur të Krijuesit;

Ose nëpërmjet gjuhës së nevojës së natyrshme, të cilat janë lutje për nevojat e tyre esenciale jashtë mundësisë së tyre për t’i arritur dhe që paraqiten nga të gjitha qëniet nëpërmjet kësaj gjuhe. Pra, çdo qënie e gjallë kërkon nga Mirëbërësi Absolut disa gjëra për vazhdimësinë e jetës së saj si një lloj ushqimi;

Ose është lutje me anë të gjuhës së ngushticës nëpërmjet të cilës të gjitha qëniet me shpirtëra kur gjenden në halle apo telashe, bëjnë lutje dhe kërkojnë ndihmë urgjente nga një Mbrojtës i panjohur. Në të vërtetë, ato kthehen tek Furnizuesi i Gjithëmëshirshëm që ua përmbush nevojat dhe u jep strehimin. Këto tre lloje lutjesh gjithmonë pranohen nëse nuk ka ndonjë pengesë.

Lloji i katërt i lutjes është lutja jonë më e mirënjohur. Kjo gjithashtu është dy llojesh:

Njëra është aktive duke marrë masat e duhura, ndërsa tjetra është me fjalë dhe me zemër.

Për shembull: duke përdorur shkaqet ne bëjmë dua aktive, duke qenë të vetëdijshëm se thjesht grumbullimi i shkaqeve nuk do të thotë se ato do të japin rezultatin, por tregon që kemi marrë një pozitë të përshtatshme gjë e cila e kënaq Zotin xh.sh.. Kjo sigurisht bëhet me qëllim që të kërkosh rezultatin prej Krijuesit të vërtetë nëpërmjet gjuhës së marrjes së masave apo të përgatitjes. Të plugosh një fushë do të thotë të trokasësh në derën e Thesarit të Mëshirës Hyjnore. Meqenëse kjo lloj lutje aktive drejtohet për tek Emri dhe tek Titulli i Gjithëbujarit Absolut, ajo është e pranueshme në shumicën e rasteve.

Lloji i dytë është të paraqesësh lutje me gjuhë dhe zemër, domethënë, të kërkosh realizimin e disa dëshirave të cilat nuk mund t’i arrijë dora. Aspekti më i rëndësishëm i kësaj lutje, përfundimi i saj më i bukur dhe fruti i saj më i shijshëm është se ai që lutet kupton se gjendet dikush që dëgjon dëshirat e zemrës së tij, dora e të Cilit arrin gjithçka. Ai është i Gjithëfuqishëm që t’u përgjigjet të gjitha dëshirave dhe shpresave, i mëshirshëm ndaj pafuqisë së tij dhe që i përgjigjet mjerimit të tij.

Prandaj, o njeri i pafuqishëm dhe nevojtar! Mos neglizho lutjen e cila është çelësi i thesarit të mëshirës së fuqisë së pafund; Kapu fort pas saj! Ngjitu në shkallët më të larta të humanizmit! Përfshi në lutjet e tua edhe krijesat e tjera duke e bërë këtë si pjesë të lutjes tënde, ashtu si një mbret! dhe si një shërbëtor universal dhe si përfaqësues i përgjithshëm, thuaj اِيَّاكَ نَسْتَع۪ينُ “dhe vetëm Ty të mbështetemi e të kërkojmë ndihmë”; dhe bëhu modeli më i bukur i universit!

* * *

 

 

 

               KAPITULLI I DYTË                  

Përfshin Pesë Pika Në Lidhje Me Lumturinë Dhe Mjerimin E Njeriut

[Meqenëse njeriu u krijua në modelin më të bukur dhe iu dhanë aftësitë e gjithanshme, ai u lëshua në arenën e sprovave ku mund të ngjitet ose mund të bjerë nga pozita, nivele dhe grada, duke filluar nga shkalla më e ulët për tek ajo më e lartë, nga toka për tek Froni Hyjnor dhe nga grimca më e vogël për tek dielli. Ai është dërguar në këtë botë si një mrekulli e fuqisë Hyjnore, si rezultat i krijimit dhe çudi e artit Hyjnor përpara të cilit janë hapur të dyja rrugët që të nxjerrin ose tek ngjitja e pakufishme ose tek zbritja e pafund. Ne do ta shpjegojmë në pesë pika misterin e këtij përparimi madhështor ose të rënies së njeriut.]

 

Pika e parë:

Njeriu ka nevojë për shumicën e qënieve të larmishme të universit dhe është i lidhur ngushtë me to. Nevojat e tij përhapen në të gjitha anët e botës dhe dëshirat e shpresat e tij shtrihen deri në përjetësi. Njeriu ashtu siç dëshiron një lule, ashtu dëshiron pranverën madhështore; ashtu siç dëshiron një kopsht, po ashtu aspiron parajsën e përhershme; ashtu siç i qan zemra të shikojë një mik, po kështu digjet nga malli për të parë Krijuesin Hirplotë; ashtu siç e merr malli për të parë një të dashur në një vend tjetër dhe aspiron që dera e të dashurit të tij të jetë e hapur për të, në të njëjtën mënyrë ai ka nevojë të vizitojë botën e ndërmjetme, me qëllim që të vizitojë nëntëdhjetë e nëntë për qind të të dashurve të tij të cilët kanë udhëtuar atje dhe kështu të shpëtojë nga ankthi i ndarjes prej tyre. Ai ka nevojë të kërkojë mbrojtje tek dera e të Gjithëfuqishmit Absolut, i Cili do ta mbyllë derën e kësaj dynjaje të gjerë dhe do të hap derën e botës tjetër, e cila është një ekspozitë mrekullirash e çudirash dhe është Ai i Cili do ta heqë këtë botë e në vendin e saj do të vendosë botën tjetër duke e shpëtuar këtë njeri nga dhimbja e ndarjes së përhershme.

Prandaj, për njeriun në këtë pozitë, i Adhuruari i Vetëm do të jetë vetëm Ai, në dorën e të Cilit janë drejtimi dhe kontrolli i gjithçkaje; është Ai që zotëron thesaret e çdo gjëje; që vëzhgon gjithçka, që është i pranishëm kudo, që është jashtë nocionit të hapësirës e të kohës, nuk kufizohet në hapësirë a kohë; që është i përjashtuar nga pafuqia dhe që është pa të meta dhe larg çdo defekti; është i Gjithëlavdishëm, i Gjithëfuqishëm, i Gjithëmëshirshëm, Hirplotë, i Gjithurtë, Zotëruesi i Plotësimit Absolut. Sepse nuk mundet askush t’u përgjigjet nevojave të pafundme të njeriut përveç Atij i Cili ka fuqi të pafundme dhe i Cili është Zotëruesi i një njohurie gjithëpërfshirëse. Atëherë, askush tjetër nuk meriton adhurim përveç Atij.

Kështu, o njeri, në qoftë se do të ishe vetëm rob i Atij, do të fitoje një vend i cili do të të jepte epërsi ndaj të gjitha krijesave. Mirëpo nëse ti do të refuzoje për të qenë robi i Zotit xh.sh., madje do ta shpërfillje robërinë ndaj tij, atëherë ti do të bëheshe një skllav i fyer e i poshtëruar përpara krijesave të pafuqishme. Në qoftë se ti do të mbështeteshe tek egoja dhe forca jote duke hequr dorë nga lutja dhe mbështetja tek Ai, natyrisht kjo do të përbënte arrogancë dhe shmangie nga e drejta. Si pasojë, do të zbrisje më ulët se sa milingona dhe bleta në lidhje me mirësinë dhe mjeshtërinë dhe do të bëheshe më i dobët se sa merimanga apo miza; dhe ti do të bëheshe më i rëndë se sa mali dhe më i dëmshëm se sa murtaja, për sa i përket të keqes dhe shkatërrimit.

Po, o njeri! Ti ke dy aspekte:

Njëri aspekt: është ai i aftësisë mjeshtërore i të mirës, ekzistencës, veprimit dhe pozitivizmit. Ndërsa aspekti tjetër: është ai i shkatërrimit, i mosekzistencës, i së keqes, negativizmit dhe i pasivitetit. Në lidhje me aspektin e parë, ti je më i ulët se sa një bletë apo një harabel dhe më i dobët se sa një merimangë apo një mizë; kurse në lidhje me aspektin e dytë, ti mund të kalosh malet, tokën dhe qiejt pasi more përsipër një barrë, një amanet, para së cilës ato shprehën pafuqinë e tyre për ta mbajtur atë barrë nga e cila u tërhoqën. Ti zë një sferë më të shtrirë dhe më të gjerë se sa ato, sepse kur ti ndërmerr një vepër të mirë ose prodhon diçka të dobishme, je në gjendje ta bësh këtë vetëm sipas shkallës së aftësisë tënde, sipas shkallës së përpjekjes dhe fuqisë tënde, aq sa mund të arrijë dora jote. Ndërsa kur ti kryen një akt të shëmtuar ose bën shkatërrim, atëherë e keqja jote përmbyt, dhe shkatërrimi yt përhapet e përgjithësohet.

Për shembull: Mosbesimi, në vetvete është e keqe, është shka-tërrim dhe përgënjeshtrim. Por kjo e keqe e vetme përfshin fyerje për të gjithë universin dhe përmban përçmim e shpërfillje ndaj të gjithë Emrave Hyjnorë, gjithashtu fyen dhe përçmon të gjithë njerëzimin. Kjo ndodh për faktin se këto krijesa kanë pozita të larta dhe kryejnë funksione shumë të rëndësishme. Me fjalë të tjera, ato janë komunikata Hyjnore, janë pasqyra Hyjnore dhe nëpunës Hyjnorë. Mirëpo, mosbesimi i heq ose i shkarkon ato nga pozita e të  qënit pasqyrë dhe nëpunës të nënshtruar që kryejnë funksione me shumë domethënie.

Gjithashtu mosbesimi i zbret ato në nivelin e kotësisë duke i konsideruar si lodra të rastësisë dhe nëpërmjet shkatërrimit të ndarjes dhe të zhdukjes ai i zbret ato në një shkallë ku konsiderohen kalimtare e që do të kalben shpejt, i quan pa rëndësi e pa vlerë deri tek qënia e tyre si hiç asgjë. Kështu, nëpërmjet përgënjeshtrimit, mosbesimi fyen Emrat Hyjnore, injoron skalitjet dhe shfaqjet e tyre, bukuritë e të cilave shihen anembanë universit në pasqyrën e qënieve saqë ajo që quhet ‘humanizëm’, e cila është një poemë e urtë e vargëzuar, shpall në mënyrë të bukur të gjitha shfaqjet e Emrave të Shenjtë Hyjnorë dhe është një mrekulli brilante gjithëpërfshirëse e Fuqisë, ashtu si bërthama për elementet dhe për anëtarët e një peme të vazhdueshme. Ky mosbesim e ul shumë poshtë atë njeri i cili mban pozitën e kalifit –përfaqësuesit të Zotit në tokë– duke e marrë pra amanetin më të madh me të cilin u bë më i lartë se toka, se qielli dhe se malet, si dhe fitoi epërsi ndaj engjëjve. Këtë njeri, mosbesimi e zbret në një nivel më të ulët e më të dobët, më të pafuqishëm dhe më të varfër se sa kafsha më e ulët e përkohshme.

Përmbledhje: Nefsi i njeriut që urdhëron për të kryer vepra të këqia, në lidhje me shkatërrimin e të keqen, mund të kryejë krime të panumërta, por për sa i përket mjeshtërisë dhe bërjes së të mirës, fuqia e tij është jashtëzakonisht e pakët dhe e pjesshme. Po, njeriu mund ta shkatërrojë shtëpinë për një ditë, ndërsa për ta ndërtuar kërkon njëqind ditë.

Megjithatë, në qoftë se shpirti heq dorë nga egoizmi dhe kërkon të mirën dhe ekzistencën nga ndihma Hyjnore duke i dalë para së keqes dhe shkatërrimit dhe mbështetet tek Zoti si një rob i vërtetë duke i kërkuar Atij falje, atëherë do të shfaqet misteri i vërsetit Kur’anor: يُبَدِّلُ اللّهُ سَيِّئَاتِهِمْ حَسَنَاتٍ “Zoti xh.sh. do t’ua ndryshojë të keqen e tyre me të mira.”[280] Aftësia e tij e pakufishme për të keqen do të transformohet në aftësi të pakufishme për të mirën. Ai do të fitojë vlerën e “Modelit më të bukur” dhe do të ngjitet në shkallën më të lartë.

Kështu pra o njeri i pavëmendshëm! Shikoje bujarinë e zemër-gjërësinë e Krijuesit. Megjithëse do të ishte drejtësi që një vepër e keqe të regjistrohet sa njëmijë vepra të tilla dhe një vepër e mirë sa një e tillë ose të mos regjistrohet fare, All-llahu e regjistron një vepër të keqe si një vepër e tillë, kurse një vepër të mirë me dhjetë të tilla, nganjëherë një vepër e mirë regjistrohet sa për shtatëdhjetë ose shtatëqind dhe në disa raste madje shtatë mijë. Ti gjithashtu do të kuptosh nga kjo pikë se të dërgohesh në atë Xhehennem të tmerrshëm është dënimi për veprën e keqe që ke bërë dhe është pikërisht drejtësi. Ndërsa të futesh në xhennet -parajsë- është vetëm mëshira dhe bujaria e All-llahut xh.sh..

 

Pika e dytë

Njeriu ka dy fytyra:

E para lidhet me egon, që shikon nga jeta e kësaj bote. Ndërsa tjetra lidhet me adhurimin dhe devocionin ndaj Zotit xh.sh. dhe shikon për tek jeta e amshuar.

Për sa i përket fytyrës së parë, ai është një krijesë e mjerë e tillë, kapitali i të cilit përbëhet si më poshtë: Nga dëshira; Ai ka një fuqi të pjesshme zgjedhjeje aq të vogël sa një fije floku; nga një aftësi e vogël për të fituar; nga jeta ka një shkëlqim që shuhet shpejt; nga një jetëgjatësi që kalon gjatë një intervali shumë të shkurtër kohor dhe nga një trup i vogël në ekzistencë që kalbet shpejt. Por megjithatë, njeriu është delikat e i dobët midis individëve të panumërt të gjallesave që janë të shpërndara në nivelet e gjithësisë.

Në lidhje me fytyrën e dytë dhe veçanërisht për sa i përket pafuqisë dhe varfërisë të cilat drejtohen tek adhurimi, njeriu ka vërtet një hapësirë të gjërë dhe një rëndësi shumë të madhe, sepse Krijuesi i Gjithurtë ka përfshirë në natyrën shpirtërore të njeriut një dobësi të pafund dhe një skamje të pakufishme, me qëllim që ai të mund të jetë një pasqyrë me shtrirje shumë të gjërë që nxë shfaqje të panumërta të të Gjithëfuqishmit dhe të të Gjithëmëshirshmit, fuqia e të Cilit është Absolute, dhe manifestime të Dhuruesit të Pashembullt, pasuria dhe bujaria e të Cilit janë të pashtershme.

Po, vërtet njeriu i ngjason një fare. Kësaj fare i janë dhënë shumë aparatura jolëndore të rëndësishme nga ana e Zotit xh.sh. si dhe i është dhënë një program pune i hollë e i vlefshëm me qëllim që ajo të mund të punojë brenda tokës dhe duke dalë nga bota e ngushtë për në botën e gjërë të ajrit. Së fundi, ajo duke i kërkuar Krijuesit me gjuhën e mobilizimit të vet që të jetë një pemë, gjen një përkryerje të përshtat-shme për të. Në qoftë se për shkak të natyrës së keqe, ajo farë do t’i përdorte ato aparatura jolëndore për të tërhequr lëndë të dëmshme nën dhé, atëherë në një kohë të shkurtër ajo do të kalbej e prishej në atë vend të ngushtë pa asnjë dobi e përfitim.

Nga ana tjetër, në qoftë se ajo farë do të vepronte konform urdhërit: فَالِقُ الْحَبِّ وَالنَّوَى Zoti xh.sh. është çarësi (zbërthyesi) i farës, i kores së saj dhe bërthamës (së pemës)”[281], si dhe do t’i përdorte mirë ato aparatura jolëndore, ajo do të dilte nga ajo botë e ngushtë që të plotësohej duke u bërë një pemë frutdhënëse, ku realiteti i saj i vogël e i pjesshëm dhe shpirti i saj jolëndor do të merrnin formën e një realiteti të madh universal.

Në të njëjtën mënyrë, ashtu si tek fara, tek materia njerëzore janë vendosur aparatura të rëndësishme dhe programe të çmueshme nga Fuqia Absolute dhe nga kaderi i Tij.

Në rast se njeriu i përdor ato aparatura jolëndore për të plotësuar dëshirat e nefsit dhe i përdor për gjëra të dorës së dytë në kufijtë e ngushtë të botës tokësore, nën dheun e jetës së dynjasë, ai do të kalbej dhe dekompozohej midis vështirësive në një jetë të shkurtër e në një vend të ngushtë, ashtu si një farë e kalbur dhe pastaj do të mbante përgjegjësi shpirti i tij i mjerë, duke u larguar nga kjo botë i humbur e fatkeq.

Por në qoftë se ai e vadit farën e aftësive të tij me ujin e Islamit dhe e zhvillon atë me dritën e besimit, nën dheun e adhurimit e të devocionit dhe vepron konform urdhërave të Kur anit dhe orienton aftësitë e tij mendore e fizike në drejtim të qëllimeve të vërteta, pa dyshim ato do të prodhojnë degë e sythe në botën e ndërmjetme dhe në botën e shëmbëllesës. Ai do të jetë një farë e një vlere të madhe dhe një aparat ndriçues që përmban elementet dhe pjesëtarët e një peme të përjetshme, e një të vërtete të përhershme të cilat do të jenë mjetet e mirësive dhe të përsosmërisë së pafund në Parajsë dhe në botën e Ahiretit. Kështu, ai do të jetë një frut i bekuar e i ndritshëm nga pema e universit.

Po, progresi i vërtetë është që të orientosh fytyrën tënde të zemrës, shpirtin, mendjen si dhe përfytyrimin dhe aftësitë e tjera të holla që i janë dhënë njeriut, në drejtim të jetës së përhershme dhe për secilën nga ato të jesh i preokupuar me një detyrë të veçantë adhurimi të denjë për to. Progresi nuk është ashtu siç e imagjinojnë njerëzit e rrugës së çudhëzimit, që zhyten në jetën e kësaj bote në të gjitha hollësitë me qëllim që të shijojnë çdo lloj kënaqësie, madje dhe ato më të ulëtat duke ia nënshtruar nefsit të gjitha gjymtyrët e tij, midis tyre edhe zemrën dhe mendjen; duke i vënë të gjitha në shërbim të tij. Ky nuk do të ishte përparim, por është theqafje e rrëzim.

Unë e pashë këtë realitet në një vizion, dhe do ta shpjegoj me këtë krahasim:

Njëherë po futesha në një qytet të madh. Kur hodha vështrimin, pashë se ai kishte plot pallate të mëdhenj. Tek dyert e disa prej këtyre pallateve ndodheshin vende argëtimi të ngjashme me kinoteatro të ndritshëm. Ato tërheqnin vëmendjen e çdo njeriu dhe e zbavisnin atë. Duke soditur me kujdes, pashë se pronari i këtyre pallateve kishte ardhur tek dera. Ai luante me një qen dhe po ndihmonte dëfrimet dhe zbavitjet. Gratë po dëfreheshin me biseda ngashënjyese me të rinj të shthurur; vajza të rritura po organizonin lojra fëmijësh. Portieri kishte marrë rolin e drejtimit të të tjerëve. Në këtë moment, kuptova se ana e brendshme e atij pallati të madh ishte krejt bosh, pra e zbrazur nga banorët e tij. Të gjitha detyrat dhe funksionet që ishin përcaktuar të kryheshin nuk vepronin, pasi ishin paralizuar; morali dhe etika e banorëve të tij kishin rënë, ndërgjegjja u kishte vdekur, prandaj ato kishin marrë këtë rol para derës.

Vazhdova të eci derisa arrita tek një pallat tjetër po aq i madh. Tek ky pashë se para derës gjendej një qen besnik dhe një portier i rreptë e i pafjalë. Përpara pallatit nuk kishte asgjë që të tërhiqte vëmendjen. Kjo qetësi e heshtje më habiti! Isha shumë kureshtar të dija rreth shkakut, pasi nuk ngjasonte fare me gjendjen që pashë tek pallati tjetër. Hyra brenda dhe pashë se ai ishte shumë i këndshëm e i hareshëm në të gjitha katet. Njerëzit e pallatit ishin të zënë sipas kateve me detyrat e tyre të ndryshme që u ishin ngakuar t’i zbatonin. Burrat në katin e parë vëzhgonin administrimin dhe drejtimin e pallatit. Në katin sipër tij vajzat dhe fëmijët merrnin mësim; tek kati i tretë gratë bënin zbukurime e qëndisje të mahnitshme nëpër modele të ndryshme veshjesh, kurse tek kati i fundit ndodhej pronari i cili shkëmbente informacione telefonike me mbretin dhe ishte i preokupuar me detyra të larta të denja për të, që të siguronte paqen dhe qetësinë e njerëzve si dhe për të arritur qëllimin dhe përparimin e tij. Gjithësecili prej tyre kryente detyrën sipas specialitetit dhe vendit të përshtatshëm. Pata mundësi të endesha nëpër anët e pallatit duke soditur me qetësi meqë për ato isha i padukshëm; më vonë e lashë pallatin dhe shëtita nëpër qytet.

Gjithandej gjendeshin vetëm këto dy lloje pallatesh. Kur pyeta për këtë, mua m’u tha: “Pallatet që ishin pa njerëz brenda por që ishin të stolisur e argëtues nga jashtë derës, u përkasin drejtuesve të mohuesve, jobesimtarëve të përparuar dhe njerëzve të çudhëzuar nga e drejta, ndërsa pallatet e tjera u përkasin muslimanëve të mëdhenj, të nderuar e të shquar.”

Pastaj në një qoshe unë kalova tek një pallat mbi të cilin ishte shkruar Emri im “Said”. Isha kurioz për të. Shikova më nga afër dhe sikur pashë imazhin tim në të. Dhe duke bërtitur me habi, erdha në vete dhe u zgjova. Tani do ta interpretoj këtë vizion për ju, do Zoti të përfitoni prej tij.

Qyteti është jeta shoqërore humane dhe qyteti i njerëzve të qytetëruar. Secili nga ato pallate ishte një qënie njerëzore. Njerëzit e pallatit ishin gjymtyrët e njeriut si sytë, veshët, zemra, misteri, gjërat e këndshme të zemrës, shpirti, mendja si dhe anët negative, si: epshi kapriçoz, tekat si dhe forcat e lakmisë, të zemërimit, urrejtjes etj. Secila nga këto aftësi të çdo njeriu ka detyra të veçanta adhurimi si dhe kënaqësi e dhimbje të ndryshme. Nefsi, kapriçoja, lakmia, epshi, zemërimi e urrejtja etj.. janë si portieri dhe qeni në tregimin e mësipërm. Kështu t’ia nënshtrosh ato aftësi të holla e të larta nefsit kapriçoz duke shkaktuar harrimin e detyrave themelore, sigurisht ajo është theqafje e jo përparim. Ti mund t’i interpretosh aspektet e tjerë.

 

Pika e tretë

Në lidhje me punët e veprat si dhe me mundimin e tij, njeriu është një kafshë e dobët dhe një krijesë e pafuqishme. Shtrirja e fuqisë që ai ka në dispozicion dhe pronësia që lidhet me këtë, është shumë e kufizuar dhe e ngushtë. Është e ngushtë, aq sa mund të arrijë krahu i tij, madje edhe kafshët e buta shtëpiake, frerët e të cilave i ka në dorë njeriu, janë të influencuara dhe secila prej tyre kanë marë pjesë nga dobësia e tij, nga pafuqia dhe nga dembelizmi. Kështu, në qoftë se ato krahasohen me formën e tyre natyrore të egër, do të dukej një ndryshim i madh midis tyre (si dhitë, delet dhe lopët shtëpiake me lopët e dhitë e egra).

Ndërsa në lidhje me pasivitetin, me pranimin dhe lutjet, njeriu është një mysafir i nderuar në këtë bujtinë të botës. Ai është mysafir i Krijuesit të Gjithëmëshirshëm e Gjithëbujar, thesaret e pasosura të mëshirës i janë hapur atij si dhe shpikje të veçanta të panumërta janë shërbëtore të nënshtruara të tij. Një rreth shumë i madh është përgatitur për argëtimin e zbavitjen e këtij mysafiri, ku vetëm gjysma e diametrit të atij rrethi është aq e gjatë dhe e gjërë, aq sa mund të shtrihet imagjinata.

Kështu, në qoftë se njeriu do të mbështetej tek egoizmi i tij duke pasur botën materiale si synimin e vet, dhe përpiqet për të plotësuar disa kënaqësi të përkohshme brenda luftës për mbijetesë, ai kështu do të zhytej në një rreth shumë të ngushtë. Atëherë, përpjekja e tij do të zhdukej pa lënë asnjë vlerë. Të gjitha gjymtyrët dhe aparaturat e holla që iu dhanë, do të dëshmojnë kundër tij ditën e kijametit.

Ndërsa po qe se ai do ta dinte se është një mysafir e do ta shpen-zonte kapitalin e jetës së tij brenda rrethit të hallallait -të lejimit dhe të ligjshmes- të Krijuesit Gjithëbujar tek i Cili ai ka shkuar mysafir, atëherë puna dhe aktiviteti i tij do të zhvilloheshin brenda një sfere shumë të gjerë ku do të shtrihen deri tek jeta e amshuar. Atëherë ai do të jetojë në paqe e qetësi dhe më vonë mund të ngjitet në sferat e larta. Për më tepër, të gjitha gjymtyrët dhe sistemet që iu dhanë njeriut, do të ishin të kënaqura me të dhe do të dëshmonin në favor të tij në botën tjetër.

Pa dyshim, këto aparatura të mrekullueshme nuk iu dhanë njeriut për jetën e parëndësishme tokësore, por për një jetë të përhershme e kuptimplote, sepse në rast se do të krahasonim njeriun me kafshët, do të vërenim se njeriu është njëqind herë më i pasur për sa u përket gjymtyrëve dhe organeve. Kurse në kënaqësitë e jetës materiale ai zbret njëqind shkallë më poshtë se kafshët.

Kjo ndodh sepse njeriu në çdo kënaqësi që arrin, gjen shenjat e mijëra dhimbjeve e plagëve, dhimbjet e së kaluarës, frikësimet e së ardhmes si dhe hidhërimet e kohës së zbrazur. Gjithashtu, ndodhen dhimbje edhe si rezultat i frikës për zhdukjen e kënaqësisë së pranishme. Të gjitha këto prishin shijet dhe kënaqësitë, pasi çdo kënaqësi lë nga pas shenja dhimbjeje.

Kurse kafshët janë ndryshe. Ato i marrin kënaqësitë pa dhimbje dhe gjejnë argëtim pa brengosje. As hidhërimet e së shkuarës nuk u shkaktojnë vuajtje atyre, dhe as frikësimet e së ardhmes nuk u japin ankth. Ato jetojnë në rehati dhe shprehin falënderime ndaj Krijuesit me gjuhën e tyre të veçantë.

Kjo do të thotë: Në qoftë se njeriu, i cili u krijua në modelin më të bukur, e ngushton ose e kufizon mendimin e tij vetëm për jetën e kësaj bote, atëherë ai do të binte njëqind herë më poshtë se sa një krijesë si trumcaku, pavarësisht se qëndron më lart se kafshët. Këtë fakt e kam sqaruar në një vend tjetër nëpërmjet një krahasimi, por meqenëse lidhet me këtë, do ta përsëris.

Një person i dha njërit prej shërbëtorëve të tij dhjetë monedha ari dhe e porositi “që të qepte një kostum nga lloji më i mirë i stofrave.” Ndërsa një shërbëtori tjetër i dha njëmijë monedha ari dhe së bashku me këtë shumë i dha një listë të vogël, në të cilën kishte shënuar gjërat që kërkonte, dhe pasi e futi në xhepin e shërbëtorit shumën e monedhave të arit dhe listën, i nisi ata për në treg. Shërbëtori i parë bleu një kostum të shkëlqyer nga stofi më i bukur me dhjetë monedha ari. Kurse tjetri nuk  e përdori fare arsyen dhe nga budallallëku i tij dhe pa e lexuar fare listën e shkruar në xhep, imitoi shërbëtorin e parë dhe i dha tregtarit të gjithë shumën prej një mijë monedhash ari dhe kërkoi prej tij një kostum burrash prej stofrave që gjendeshin aty. Mirëpo shitësi i pandershëm e hileqar i dha atij një kostum nga një stof me cilësi shumë të dobët. Pastaj shërbëtori fatkeq u kthye tek pronari dhe mori një qortim të ashpër e ndëshkim të rëndë. Natyrisht edhe njeriu më mendjetrashë do ta kuptonte se një mijë monedha ari që iu dhanë shërbëtorit të dytë nuk ishin të destinuara për blerjen e një kostumi, por për të zhvilluar një tregti me rëndësi.

Në të njëjtën mënyrë, njeriut të cilit iu dhuruan këto aparatura shpirtërore e këto gjymtyrë të holla që secila nga ato po të krahasoheshin me gjymtyrët e kafshës, do të dukej qartë se ato të njeriut janë njëqind herë më të larta në grada e më të mëdha se ato të kafshëve. Për shembull: merr në konsideratë organe të tilla si sytë e njeriut, të cilët mund të dallojnë të gjitha shkallët e bukurisë; shqisa e shijes e cila mund të dallojë shumëllojshmëritë e shijeve të veçanta të të gjitha ushqimeve; mendja e tij e cila depërton në thelbin e realiteteve dhe në detajet e tyre; zemra e tij e cila dëshiron e digjet për çdo lloj përsosmërie e plotësimi, ku janë këto me gjymtyrët e thjeshta të kafshëve, të cilat kanë të zhvilluara vetëm një ose dy grada!.. Bëjnë përjashtim disa veprime të veçanta që varen nga aparate të veçantë në një specie të veçantë, ku ky aparat e kryen detyrën e tij në një mënyrë që ka epërsi ndaj njeriut, i cili nuk i ka për mision këto detyra!

Sekreti i epërsisë së njeriut në lidhje me gjymtyrët e holla dhe me aparaturat shpirtërore është ky: Shqisat e njeriut dhe ndjenjat e tij kanë fituar shumë zhvillim dhe shtrirje, pasi ai ka mendjen dhe mendimin. Shumë emocione dhe ndjeshmëri të holla kanë ardhur në ekzistencë për shkak të shumëllojshmërisë së nevojave të tij. Shqisat e tij janë shfaqur të shumëllojshme.

Dhe për shkak se posedon një natyrë gjithëpërfshirëse, ai është bërë një bosht për dëshira e shpresa të shumta të cilat drejtohen për tek synime të pafundme. Duke parë detyrat e tij të shumta për shkak të natyrës, gjymtyrët dhe aparatet e tij janë shtrirë shumë. Dhe meqë ai është krijuar me një natyrë të aftë për të bërë çdo lloj adhurimi, atij i janë dhënë aftësitë që të përqafojë farërat e gjithë përsosmërisë.

Prandaj kjo pasuri e madhe në aparaturat dhe në kapitalin e shumtë, sigurisht nuk i është dhënë njeriut për të siguruar vetëm jetën e përkohshme të kësaj bote, por detyra themelore e tij është të zbatojë obligimet e tij të cilat drejtohen për tek synime të panumërta; të shpallë pafuqinë, varfërinë dhe të metat e tij në formën e adhurimit dhe duke i vëzhguar tesbihatet e krijesave me shikim universal, të dëshmojë për to, duke parë shembujt e ndihmës së të Gjithëmëshirshmit e ta falënderojë; të shikojë me vëmendje të gjitha mrekullitë e fuqisë Hyjnore në qëniet duke i soditur ato me qëllim që të nxjerrë përfundime të logjikshme.

O njeri, që adhuron këtë botë dhe që do botën kalimtare, që je i pavëmendshëm ndaj kuptimit se je modeli më i bukur”! Saidi i Vjetër e shikoi realitetin e jetës tokësore në një vizion. Ai vizion e transformoi atë në Said të Ri. Gjithashtu edhe ti dëgjoje tregimin e tij në formën e krahasimit të komentuar nga ai vetë.

Unë pashë se isha një udhëtar e vazhdoja një udhëtim të gjatë; domethënë po dërgohesha në një vend të largët. Pronari im kishte caktuar për mua një shumë prej gjashtëdhjetë monedhash ari dhe më jepte që të harxhoja çdo ditë nga pak prej asaj vlere. Unë i harxhova ato dhe erdha tek një hotel ku kishte zbavitje e dëfrime të të gjitha llojeve. Në një natë tek ai hotel unë harxhova dhjetë monedha ari duke luajtur kumar, duke dëfryer si dhe për qejf e famë. Në mëngjesin e së nesërmes nuk më kishin mbetur më para. Përveç kësaj unë nuk kisha bërë fare tregti e nuk kisha blerë ndonjë gjë që do të më nevojitej për vendin ku do të shkoja. E gjitha ajo që kishte mbetur tek unë nga paratë, ishin dhimbjet dhe mëkatet; dhe ajo që më kishte mbetur nga dëfrimet, ishin plagët dhe pikëllimet. Ndërsa isha në atë gjendje të dëshpëruar, papritur u shfaq një burrë para meje dhe më tha:

“Ti e ke prishur të gjithë kapitalin tënd dhe meriton të dënohesh. Ti po shkon në destinacionin tënd i falimentuar e me duar bosh. Por nëse ke sadopak mend, dera e pendesës është e hapur. Kur të marrësh pesëmbëdhjetë monedhat e fundit që të kanë mbetur, rezervoje gjysmën e tyre. Domethënë mos i ço dëm ato me qëllim që të marrësh gjërat më të domosdoshme në vendin ku do të shkosh.” E pashë nefsin, por ai nuk ra dakort me të. Atëherë ai tha: “Të paktën një të tretën e asaj vlere.” Akoma nefsi im nuk u bind. Pastaj ai tha: “Po për çerekun?” Mirëpo shpirti i lig nuk mund të hiqte dorë nga zakonet dhe veset me të cilat ishte mësuar. Në fund, me zemërim burri më ktheu shpinën dhe u largua.

Papritmas, skena ndryshoi. Isha në një tunel në një tren, i cili ecte shumë shpejt dhe sikur shkonte poshtë pingul. Më kapi frika, por çfarë mund të bëja, s’kisha rrugë shpëtimi ndokund. Çuditërisht, u shfaqën lule joshëse dhe fruta të këndshme në të dyja anët e trenit. Ndërkohë unë si një i çmendur i papërvojë, pasi i vështrova, zgjata dorën time duke u orvatur t’i këpus lulet e frutat, por ato ishin mbushur me gjemba dhe i bëra duart gjak kur i preka. Me lëvizjen e trenit duart e mia u çorrën kur po ndaheshin nga lulet.

Ndërkaq, papritmas rojtari i trenit tha: “Më jep mua pesë qindarka dhe unë do të të jap sa të duash prej atyre luleve e frutave. Dëmi që i ke shkaktuar vetes duke u përgjakur me përpjekjet e tua, është më tepër se njëqind monedha në vend të pesë qindarkave. Përveç kësaj, ti do të dënohesh pasi nuk mund t’i këpusësh ato pa leje.”

Në gjendje të dëshpëruar unë nxora kokën tek dritarja e trenit dhe hodha vështrimin përpara me qëllim që të mund të shihja fundin e tunelit. Ndërkohë pashë se në vendin e hyrjes së tunelit kishte shumë gropa. Njerëzit flakeshin në to nga një tren i gjatë. Në këtë moment pashë një gropë përballë meje. Në çdo anë të saj ndodhej nga një gur varri. Shikova me habi dhe vërejta se në atë gur varri ishte emri “Said”, i shkruar me shkronja të mëdha. Atëherë me habi e frikë, thirra: O bo bo! Sa keq! Ndërkohë, befas dëgjova zërin e burrit i cili më pat dhënë këshilla tek dera e hotelit.

Ai tha: “A erdhe në vete?” Unë iu përgjigja: “Po, por është shumë vonë tani, dhe nuk më ka mbetur më fuqi…” Atëherë ai tha: “Pendohu dhe mbështetu tek Zoti.”  Unë iu përgjigja pozitivisht! Në këtë moment u zgjova dhe e pashë veten time si Saidin e Ri, kurse Saidi i Vjetër tashmë ishte zhdukur.

Ky ishte vizioni i Saidit të Vjetër, shpresoj që Zoti xh.sh. ta bëjë të dobishëm këtë vizion. Unë do të interpretoj një ose dy pjesë prej tij, ndërsa aspektet e tjera mund t’i interpretoni vetë.

Ai udhëtim, është rruga që kalon nga bota e shpirtërave, nga periudhat e mitrave të nënave, nga rinia, pleqëria, nga varri, nga bota e ndërmjetme, nga ringjallja, nga Ura e Siratit për në jetën e amshuar.

Gjashtëdhjetë monedhat e arit ishin gjashtëdhjetë vitet e jetës. Kur e pashë atë vizion unë e mendoja veten përafërsisht dyzet e pesë vjeç. Nuk kisha asnjë garanci për të jetuar deri tek të gjashtëdhjetat, por një student i sinqertë i Kur’anit më këshilloi që ta shpenzoja gjysmën e të pesëmbëdhjetave që më kishin mbetur për botën tjetër. Hoteli për mua ishte Stambolli… Treni ishte koha, çdo vagon ishte një vit. Tuneli është jeta e kësaj bote, lulet me gjemba dhe frutet ishin kënaqësitë e paligjshme dhe dëfrimet e ndaluara të cilat shkaktojnë dhimbje kur je në to. Përfytyrimi i ikjes së tyre dhe parashikimi i ndarjes i shkakton njeriut dhimbje të thellë në zemër dhe ia copëton atë, duke e bërë të vuajë dënim.

Portieri në tren i tha atij që t’i jepte pesë qindarka me qëllim që ai t’i jepte sa të donte nga lulet. Kuptimi i kësaj është siç vijon: Dëfrimet dhe kënaqësitë që i fiton njeriu nëpërmjet përpjekjes hallall që janë brenda caqeve të të lejuarës, janë të mjaftueshme për lumturinë dhe qetësinë e tij. Kështu, s’ka arsye për të hyrë tek harami, tek e ndaluara. Pjesën tjetër mund ta interpretosh vetë.

 

Pika e katërt

Njeriu në këtë botë i ngjason një fëmije delikat e të përkëdhelur. Gjendet një forcë e madhe në dobësinë e tij dhe një fuqi e madhe në pafuqinë e tij, sepse atij me fuqinë e kësaj dobësie dhe me forcën e kësaj pafuqie i janë nënshtruar këto qënie.

Në qoftë se njeriu do ta kuptonte dobësinë e tij dhe do të bënte lutje me gojë, me gjendje e sjellje, do të pranonte pafuqinë dhe do të kërkonte ndihmë dhe njëkohësisht do të falënderonte për nënshtrimin e atyre qënieve ndaj tij, ai do të arrinte qëllimet, do t’i plotësoheshin dëshirat në një mënyrë që ai nuk do të arrinte as një të dhjetën e tyre me fuqinë e tij. Ai nganjëherë, gabimisht ia atribuon fuqisë së tij, atë çka arriti me anë të një lutjeje drejtuar Krijuesit nëpërmjet gjuhës së gjendjes së tij.

Për shembull, forca e fshehur në dobësinë e një zogu pule e bën nënën pulë të sulmojë madje edhe një luan! Kështu, forca e fshehur në dobësinë e drangut -këlyshit- të luanit nënshtron për vete atë nënë të egër luaneshë duke e lënë atë të uritur për të qenë vetë i ngopur, megjithëse është i vogël dhe i dobët. Shikoje pra këtë fuqi të madhe në dobësinë dhe në shfaqjen e Mëshirës Hyjnore, e cila vlen të përmendet…

Ashtu edhe një fëmijë i përkëdhelur, megjithëse delikat, arrin të nënshtrojë të fortët nëpërmjet qarjes ose kërkesave dhe me gjendjen e dëshpëruar në një kohë që as një të një mijëtën e atyre kërkesave nuk mund ta realizonte me fuqinë e vet. Pra, dobësia dhe pafuqia e tij është mëshirë dhe një shtysë mbrotjeje ndaj tij në atë shkallë, saqë fëmija me gishtin e tij të vockël mund të nënshtrojë trimat e mëdhenj, madje edhe mbretërit dhe emirët. Në rast se fëmija do ta mohonte atë mëshirë dhe do ta akuzonte atë mbrojtje duke thënë me marrëzi e mburrje: “Unë me fuqinë time i nënshtrova këto.” natyrisht, ai meriton të marrë një shup-lakë.

Në të njëjtën mënyrë, kur njeriu mohon mëshirën e Krijuesit të tij dhe akuzon Urtësinë e tij dhe thotë ashtu siç tha Karuni duke mohuar mirësitë e Zotit xh.sh.

اِنَّمَا اُوتِيتُهُ عَلَى عِلْمٍ

Ajo më është dhënë vetëm për llogari të dijes që kam”[282].

Me fjalë të tjera, duke thënë: “Unë e fitova këtë nëpërmjet dijes dhe fuqisë sime.” Duke treguar mosmirënjohje e duke mohuar mëshirën e Krijuesit të tij dhe duke akuzuar Urtësinë e tij, ai padyshim meriton një goditje ndëshkuese.

Kjo do të thotë se sundimi i njeriut, përparimi njerëzor dhe arritjet e qytetërimit të cilat duhet të respektohen, nuk i janë nënshtruar njeriut me tërheqjen, mposhtjen, ose pushtimin që u bëri, po për shkak të dobësisë së tij: Ai u ndihmua për shkak të pafuqisë ; ato iu dhanë për shkak të varfërisë; u inspirua me to për shkak të injorancës, ato iu dhuruan atij për shkak të nevojave, dhe arsyeja e sundimit ndaj tyre nuk është forca dhe fuqia e njohjes, por mëshira dhe dhembshuria e Krijuesit dhe mëshira e urtësia Hyjnore që ia nënshtruan ato gjëra. Po, njeriu që mposhtet para një akrepi të pasy dhe para një gjarpri të pakëmbë, natyrisht nuk është fuqia e tij që e bëri atë të veshë mëndafshin nga një krimb i vogël, e ta ushqejë veten me mjaltë nga një insekt helmues. Por e gjitha kjo është frut i dobësisë së tij që sjell nënshtrimin e tyre nga Furnizuesi dhe i Gjithëmëshirshmi.

O njeri! Meqenëse e vërteta është kështu, hiq dorë nga mendje-madhësia dhe egoizmi! Nëpërmjet gjuhës së të kërkuarit ndihmë, deklaro pafuqinë tënde para derës së madhështisë Hyjnore dhe me anë të gjuhës së lutjeve e të devocionit, njofto varfërinë dhe nevojat e tua dhe deklaro që ti je rob i sinqertë i All-llahut duke thënë:

 

حَسْبُنَا اللّهُ وَنِعْمَ الْوَكِيلُ

 “All-llahu vetëm na mjafton ne, dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve.”  Thuaje këtë dhe lartësohu.  

Gjithashtu mos thuaj: “Çfarë jam unë dhe çfarë rëndësie kam që të nënshtrohet ky univers në mënyrë të qëllimshme nga ana e Zotit të Gjithëditur derisa kërkohet prej meje lutje e përgjithshme universale, sepse ti sigurisht nuk je asgjë për sa i përket formës dhe nefsit tënd, por nga këndvështrimi i detyrës dhe i pozitës, ti je një spektator vëzhgues e i vëmendshëm i këtij universi madhështor; ti je gjuha folëse me elokuencë që flet në emër të këtyre krijesave me urtësi… Ti je lexuesi i kuptueshëm dhe studiuesi i vëmendshëm i këtij libri të universit; ti je shikuesi admirues në këto krijesa që bëjnë tesbihate. Ti je si një profesor i nderuar me përvojë, dhe mjeshtëri kryesor i këtyre qënieve që bëjnë adhurim.

Po, o njeri! Në lidhje me trupin tënd bimor dhe me nefsin tënd shtazor, ti je një pjesë e shurdhët dhe një grimcë e vockël, je krijesë e varfër, je një kafshë e dobët që përkundet në valët e frikshme të lumnajës së qënieve. Por ti me plotësimin nëpërmjet dritës së besimit e cila përfshin rrezatimin e dashurisë Hyjnore, dhe duke përparuar me edukimin e islamit ndriçues që është ndriçuar me dritën e imanit në këndvështrimin njerëzor, ti je mbret në këtë gjendje robërie, je i tëri brenda të pjesshmes tënde, je një botë e gjërë në vogëlsinë tënde; ti gëzon një pozitë dinjitoze me gjithë uljen tënde, dhe je drejtues i atij rangu të lartë dhe i asaj sfere të gjerë, sa mund të thuash: “Krijuesi im i Gjithëmëshirshëm e ka bërë botën një shtëpi për mua; diellin dhe hënën i ka bërë drita për atë shtëpi; e ka bërë për mua pranverën një tufë lulesh, e ka bërë për mua verën tryezë mirësish, i ka bërë për mua kafshët shërbëtore të bindura dhe së fundi i ka bërë për mua bimët orendi të stolisura për shtëpinë time.”

Për ta mbyllur: Në qoftë se i kushton vëmendje djallit dhe nefsit, ti do të biesh në shkallën më të ulët, por nëse i kushton vëmendje të vërtetës dhe Kur’anit, ti do të ngjitesh në shkallën më të lartë duke u bërë kështu “modeli më i bukur” i universit.

 

Pika e pestë

Njeriu është dërguar në këtë botë si një mik dhe si një nëpunës i urdhëruar dhe i janë dhuruar shumë aftësi e talente tepër të rëndësishme, dhe mbi këto aftësi mbështeten detyrat e tij të rëndësishme. Me qëllim që të aktivizohet njeriu për përmbushjen e atyre qëllimeve e detyrave, janë bërë nxitje të fuqishme dhe kërcënime të rrepta. Këtu do të përmbledhim themelet e adhurimit dhe detyrat e njeriut të cilat i kemi shpjeguar me hollësi gjetkë me qëllim që misteri i “Modelit më të bukur” të mund të kuptohet.

Me ardhjen në këtë botë, njeriu ka “dy aspekte” të adhurimit. Njëri aspekt është adhurimi, shqyrtimi e reflektimi në mungesë të të Adhuruarit. Ndërsa aspekti i dytë është adhurimi dhe lutja në praninë e Atij të Adhuruari duke u orientuar për tek Ai drejtpërdrejt.

Aspekti i parë: Është vërtetimi, nënshtrimi dhe përulja ndaj sovranitetit Hyjnor të shfaqura në univers, vështrimi i përsosmërisë së Tij dhe i mirësisë së Tij me admirim e nderim.

Pastaj duhet të deklarosh e të përhapësh mrekullitë e Tij, mësimet dhe artet e holla të skalitura nga Emrat e Shejntë Hyjnorë si dhe t’ua prezantosh ato të tjerëve.

Pastaj vlerëso me peshoren e perceptimit diamantet e Emrave Hyjnorë ku çdo diamant është si një thesar shpirtëror i fshehur.Pastaj me mirënjohje poho vlerat dhe virtytet e tyre me dritat e vlerësimit, të madhështisë e të mëshirës, të cilat burojnë nga zemra.

Pastaj studio dhe mendo me admirim mbi mrekullitë e çudirat e faqeve të qënieve dhe të fletëve të tokës e të qiellit, të cilat ngjasojnë me komunikata e mesazhe nga Pena e Fuqisë Absolute.

Pastaj nëpërmjet soditjes me admirim të zbukurimeve dhe të arteve të holla në qëniet, duhet të ndjesh dashuri për njohjen e Krijuesit, Autorit të bukur të tyre e të dëshirohesh për t’u ngritur tek prania e Shpikësit të tyre Absolut, me qëllim që të marrësh mirësi prej Tij.

Aspekti i dytë: Kjo është pozita e pranisë dhe e adresimit ku njeriu kalon nga ‘i ndikuar në Ndikues’ dhe shikon se Shpikësi Hirplotë dëshiron ta bëjë të njohur Veten nëpërmjet mrekullive të artit të Tij dhe ndërkohë, ai -besimtari- i përgjigjet me njohje e besim.

Pastaj ai sheh se: Krijuesi Mëshirëplotë dëshiron ta bëje Veten të dashur nëpërmjet fruteve të këndshme e të shijshme të mëshirës së Tij. Ndërkohë me anë të dashurisë së pastër dhe të adhurimit të sinqertë, besimtari e bën veten të dashur tek Ai.

Pastaj shikon se: Dhuruesi Gjithëbujar e ushqen atë me kënaqësitë e mirësive qofshin materiale apo shpirtërore dhe si reagim ndaj këtyre, besimtari i paraqet Krijuesit falënderime, lavdërime, vepra të mira, sjellje, fjalë, madje nëse do të mundej me të gjitha gjymtyrët dhe shqisat e tij.

Pastaj ai shikon se: Krijuesi Hirplotë bën të njohur madhështinë e vet, përsosmërinë, lavdinë dhe bukurinë në pasqyrat e këtyre qënieve dhe tërheq shikime ngulmuese tek ato. Ndërkohë robi i drejtë si përgjigje ndaj këtyre, deklaron: All-llahu ekber” Allahu është më i madhi. Subhanall-llah Lavdia i takon Zotit, dhe me përulësi bie për tokë duke i bërë sexhde me admirim e dashuri.

Pastaj ai shikon se: Ai Pronar i pasurisë Absolute po ekspozon pasurinë e Tij të pashtershme dhe thesaret e pasosura midis një bujarie absolute, ndërkohë adhuruesi i sinqertë si përgjigjje ndaj saj, duke e lavdëruar e madhëruar Atë i lutet dhe i kërkon që t’ia plotësojë nevojat e mëdha që ka.

Pastaj ai shikon se: Një Krijues i Gjithëlavdishëm e ka bërë faqen e tokës si një ekspozitë ku shfaq të gjitha veprat  antike të Tij, ndërkohë besimtari i devotshëm si përgjigjje thërret me vlerësim: “Mashaall-llah.” Çfarë çudirash ka dashur Zoti! Ç’mrekulli ka bërë Zoti!, duke shprehur admirim, thotë “Barekall-llah”Çfarë bekimesh ka dhuruar Zoti!”, duke shprehur habi thotë: “Subhanall-llah”Lavdi Zotit” dhe duke u mahnitur, thotë: “All-llahu Ekber” Zoti është më i madhi!

Pastaj ai sheh se në pallatin e tij të universit, vetëm Një i Vetëm Unik i ka vënë ato vula, pasi ato janë të posaçme për Të dhe janë të paimitueshme në nënshkrimin e tyre, pra janë vula personale dhe kode të veçanta për Të; sheh se Ai skalit mbi të shenjat e Njësisë së Tij, ka ngritur flamujt e Njësisë së Tij në çdo rajon të botës duke shpallur Hyjninë e Tij, ndërkohë robi i përkushtuar i përgjigjet me vërtetim, besim, njësim, nënshtrim, adhurim dhe me dëshmim ndaj Hyjnisë së Tij.

Kështu, nëpërmjet adhurimit dhe reflektimit të këtij lloji ai bëhet një njeri i vërtetë dhe e paraqet veten e tij se është në modelin më të bukur. Ndërkaq me anë të besimit ai bëhet kalif i besuar i Zotit në tokë dhe i denjë për të mbajtur amanetin.

O njeri i pavëmendshëm që je krijuar në modelin më të bukur, e që zbret në shkallën më të ulët nëpërmjet keqpërdorimit të vullnetit tënd të lirë! Dëgjomë! Në pakujdesinë që shkaktohet nga dehja dhe jeta rinore, edhe unë ashtu si ti mendova se bota ishte e bukur dhe e dashur. Atëherë në momentin që u zgjova në mëngjesin e pleqërisë, unë pashë se sa e shëmtuar është fytyra e dynjasë që nuk është orientuar drejt Ahiretit, të cilën më parë unë e kisha imagjinuar të bukur. Ndërsa fytyra e vërtetë e dynjasë që orientohet drejt Ahiretit, sa e bukur dhe e këndshme është! Shiko dhe vërè dy tabelat e vërteta të shkruara në Stacionin e Dytë të Fjalës së  Shtatëmbëdhjetë.

Tabela e parë: Përshkruan realitetin e botës së njerëzve të shkuj-desur, të cilët në të shkuarën, ashtu si njerëzit e rrugës së çudhëzimit, i pashë nëpërmjet perdes së shkujdesjes por duke mos qenë i dehur.

Tabela e dytë: Tregon realitetin e botës së njerëzve të udhëzuar dhe të zemrave të qeta. Unë s’kam ndryshuar asgjë nga ato dy tabela por i kam lënë ashtu siç ishin më parë. Ato i ngjasojnë poezisë, veçse nuk janë poezi…

سُبْحَانَكَ لاَ عِلْمَ لَنَا اِلاَّ مَا عَلَّمْتَنَا اِنَّكَ اَنْتَ الْعَلِيمُ الْحَكِيمُ

رَبِّ اشْرَحْ لِى صَدْرِى وَيَسِّرْ لِى اَمْرِى وَاحْلُلْ عُقْدَةً مِنْ لِسَانِى يَفْقَهُوا قَوْلِى

اَللّهُمَّ صَلِّ وَ سَلِّمْ عَلَى الذَّاتِ الْمُحَمَّدِيَّةِ اللَّطِيفَةِ اْلاَحَدِيَّةِ شَمْسِ سَمَاءِ اْلاَسْرَارِ وَ مَظْهَرِ اْلاَنْوَارِ وَ مَرْكَزِ مَدَارِ الْجَلاَلِ وَ قُطْبِ فَلَكِ الْجَمَالِ اَللّهُمَّ بِسِرِّهِ لَدَيْكَ وَ بِسَيْرِهِ اِلَيْكَ آمِنْ خَوْفِى وَ اَقِلْ عُثْرَتِى وَ اَذْهِبْ حُزْنِى وَ حِرْصِى وَ كُنْ لِى وَ خُذْنِى اِلَيْكَ مِنِّى وَ ارْزُقْنِى الْفَنَاءَ عَنِّى وَ لاَ تَجْعَلْنِى مَفْتُونًا بِنَفْسِى مَحْجُوبًا بِحِسِّى وَاكْشِفْ لِى عَنْ كُلِّ سِرٍّ مَكْتُومٍ يَا حَىُّ يَا قَيُّومُ يَا حَىُّ يَا قَيُّومُ يَا حَىُّ يَا قَيُّومُ ,  وَ ارْحَمْنِى وَارْحَمْ رُفَقَائِى وَ ارْحَمْ اَهْلِ اْلاِيمَانِ , وَ الْقُرْآنِ آمِينَ يَا اَرْحَمَ الرَّاحِمِينَ وَ يَا اَكْرَمَ اْلاَكْرَمِينَ,

وَ آخِرُ دَعْوَيهُمْ اَنِ الْحَمْدُ لِلّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ

“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti: Vërtet që vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti.”[283]

O Furnizuesi im! Zgjeroma kraharorin tim dhe m’i bëj të lehta punët e mia; zgjidhe nyjën nga gjuha ime që ata të mund të kuptojnë fjalët e mia.”[284]

O Zot! Jepi bekimet e tua profetit Muhammed (paqja dhe bekimi qofshin mbit të), Diellit në qiejt e mistereve dhe shfaqjes së dritave; qendrës së orbitës së Lavdisë dhe polit të sferës së Bukurisë.

O Zot! Për hir të misterit të tij në prezencën Tënde dhe të udhëtimit të tij për tek Ti më siguro nga frika ime, drejto gabimet dhe shkarjen time, largoma hidhërimin dhe lakminë time; Ji i imi.

O Zot, më merr për tek Ti, më bëj ta asgjësoj nefsin. Mos më bëj t’i robërohem nefsit tim të mbuluar nga shqisat e mia. Më zbulo sekretet e fshehura.

O i Gjalli i Përjetshëm dhe o Vetekzistues i Përhershëm! 

O i Gjalli i Përjetshëm dhe o Vetekzistues i Përhershëm!

O i Gjalli i Përjetshëm dhe o Vetekzistues i Përhershëm!

 Dhuro mëshirë mbi mua dhe mbi shokët e mi dhe mbi njerëzit e besimit të sinqertë të Kur’anit. Amin.

 O i Gjithëmëshirshëm! O Mëshirëplotë! O Furnizues e Gjithëbujar i pashok! Dhe lutja e fundit e tyre do të jetë: Gjithë lavdia i takon All-llahut, Zhvilluesit të të gjitha Botëve!        

* * *

[274] Kur’an, 95:4-6

[275] Kur’an:2:257

[276] Kur’an:2:257

[277] Kur’an 24:35

[278] Kur’an 25:77

[279] Kur’an 40:60

[280] Kur’an:25:70

[281] Kur’an 6: 95

[282] Kur’an 28:78

[283] Kur’an 2:32

[284] Kur’an 20: 25-8

***

 

Leave a Reply