Si të mos gëzojmë për muajin e Ramazanit kur në të na jepet mirësia e shefatit. Ditën që nuk bën dobi askush për asgjë: “Atë ditë nuk bën dobi ndërmjetësimi (shefati), përveç atij, të cilin e ka lejuar i Gjithëmëshirshmi të ndërmjetësojë dhe për të cilin e pëlqeu ndërmjetësimin.”
Myslimanët e presin Ramazanin me përmallim dhe gëzim duke kërkuar dobitë që ka agjërimi në këtë muaj. E si të mos gëzohen ata që e dinë se Ramazani është mëshirë nga Allahu për robërit e Tij, mirësi të cilën e përcakton vetëm Ai. Këtë nuk e kuptojnë veç të zotët e mendjes.
Përse të mos hapen gjokset në Ramazan, kur ai për të varfrit është moment kënaqësie, për udhëtarët lehtësim, për të sëmurët shërim, për mëkatarët pendim dhe për të udhëzuarit, forcim dhe shtim i besimit…
E si të mos hapen kraharorët me ardhjen e muajit të mirësive, të fitoreve, të leximit të Kur’anit dhe shtimit të bamirësisë…
E si jo kur ditët janë të gjallëruara, shtëpitë parfumosen me leximin e Kur’anit, toka pastrohet me djersët dhe lotët e rukuve dhe sexhdeve…
Në çdo natë, qielli përqafon duatë që dërgojnë krijesat te Krijuesi i tyre, pra ringjallen zemrat pas “vdekjes” së tyre dhe trupi shërohet nga sëmundjet e tij.
E si të mos hapen kraharorët e besimtarëve në Ramazan, ku për çdo natë lirohen shpirtrat që meritojnë hyrjen në zjarr, hapen dyert e Xheneteve dhe shtohen radhët e atyre që hyjnë në Rejan (emri i portës së Xhenetit në të cilën hyjnë vetëm agjëruesit)…
Përse të mos përkushtohen të mençurit me agjërim kur Allahu i Lartësuar thotë në një hadith kudsij: “Çdo punë e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe Unë di si shpërblej për të. Era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa aroma e miskut.”
A nuk është i nevojshëm agjërimi ditën kur do të vendoset peshorja dhe kur llogaria do të jetë për çdo gjë? Ruajeni pra veten nga gabimet dhe mangësitë.
O robër të Allahut. Në agjërim shfaqet forca e besimit dhe vendosmëria në adhurim. Në agjërim shpirtrat e besimtarëve manifestojnë nënshtrim ndaj urdhrave të Allahut. Duke u larguar nga dëfrimet dhe pasionet, agjëruesit lënë mënjanë dëshirat për premtimin e Xhenetit që nuk e kanë parë.
Si të mos gëzojmë për muajin e Ramazanit kur në të na jepet mirësia e shefatit. Ditën që nuk bën dobi askush për asgjë: “Atë ditë nuk bën dobi ndërmjetësimi (shefati), përveç atij, të cilin e ka lejuar i Gjithëmëshirshmi të ndërmjetësojë dhe për të cilin e pëlqeu ndërmjetësimin.”
Në Ramazan shtohet leximi i Kur’anit për të cilin Profeti a.s. ka thënë: “Agjërimi dhe Kur’ani ndërmjetësojnë (për robin) Ditën e Kiametit. Agjërimi thotë: O Allah. Unë e privova nga ushqimi, prandaj lejomë të ndërmjetësoj për të. Dhe Kur’ani thotë: O Allah. Unë e privova nga gjumi, prandaj lejomë të ndërmjetësoj për të, dhe të dyve iu pranohet shefati.”
E si mos të gëzohen agjëruesit në Ramazan kur dyert e qiellit hapen për ata që luten dhe Allahu ua pranon lutjet…
Allahu i Lartë thotë pas ajeteve të agjërimit: “Kur të pyesin robërit e Mi për Mua, Unë jam pranë tyre, i përgjigjem lutjes së thirrësit kur ai më lutet, pra le të më përgjigjen Mua dhe të më besojnë, me qëllim që të jenë të udhëzuar.” (Bekare, 186)
E si të mos gëzohen myslimanët me muajin e Ramazanit kur ai është shkak për faljen e mëkateve…
Profeti a.s. thotë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe bindje (në arritjen e shpërblimit), i falen të gjitha gjynahet e kaluara.”
O bashkësi e Kur’anit. Mirësitë e muajit të Ramazanit janë të shumta saqë nuk mund t’i përmendim këtu, por do mjaftohemi vetëm me disa prej tyre:
Qëllimi i vërtetë është ruajtja e dy gjërave të rëndësishme, për të cilat ka këshilluar Sheriati i ndritur; së pari: Imani-besimi dhe llogaritja e shpërblimit: “Kush falet Natën e Kadrit me besim dhe duke llogaritur shpërblimin (me sinqeritet), i falen të gjitha mëkatet e kaluara; dhe kush agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe duke llogaritur shpërblimin, i falen të gjitha mëkatet e kaluara.”
Dijetarët kanë thënë: Nijeti është kusht që punët të bëhen për afrim tek Allahu. Qëllimi për besimin është: besimi se me të vërtetë agjërimi është detyrim. Kurse fjala ihtisab, do të thotë pritje e shpërblimit vetëm prej Allahut të Lartë.
Së dyti, ruajtja e agjërimit. Kjo arrihet duke qëndruar larg nga gënjeshtra dhe veprat e pahijshme. Profeti a.s. ka thënë: “Kush nuk e lë gënjeshtrën dhe të punuarit me të, Allahu s’ka nevojë që të lërë të ngrënit dhe të pirit.”
Largimi nga gënjeshtra është edukim që plotëson agjërimin.
Si mund ta mendojë dikush veten e tij agjërueshëm kur nuk largohet nga gënjeshtra dhe të punuarit me të?!
Bejdavi ka thënë: “Sheriati nëpërmjet agjërimit nuk ka si qëllim privimin e njeriut me uri dhe etje, por është një adhurim që thyen epshin duke nënshtruar veten për të mbrojtur shpirtin e bindur. Nëse nuk ndodh kjo, Allahu nuk e shikon atë adhurim me shikim pranimi. Agjëruesi i sinqertë agjëron me gjuhën e tij nga gënjeshtra, përgojimi dhe thashethemet, nga fjala dhe dëshmia e rrejshme. Agjëron të dëgjuarit e tij nga dëgjimi haram.
Syri i tij agjëron nga shikimi i haramit. Agjëruesi i sinqertë nuk e lidh zemrën e tij me mëkate, gabime, mashtrime dhe urrejtje për myslimanët. Ai nuk bën padrejtësi dhe as nuk i përbuz të tjerët. Kush nuk i kupton ashtu siç duhet këto dobi të mëdha të agjërimit dhe faljen gjatë tij, atëherë ai do të jetë ashtu siç e përshkruan i Dërguari i Allahut a.s.: “Ndoshta agjëruesi nuk përfiton nga agjërimi i tij asgjë tjetër veç urisë dhe etjes; ndoshta ai që falet (natën gjatë Ramazanit), nuk përfiton veç qëndrimit të tij pa gjumë.”
“Thuaj: Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë” (Junus, 58)