Në përputhje me farzet, sunetet dhe etikën (adabin), abdesi merret kështu:

* Merret një qëndrim që uji të mos i spërkasë rrobat dhe, mundësisht, kthehet nga kibla.

* Fillohet duke bërë nijet dhe thuhet Besmele, lahen tri herë duart bashkë me nyjet duke fërkuar edhe hapësirat ndërmjet gishtave.

* Pastrohen lëndët që mund të ndodhen mbi lëkurë, si brumi, boja, ngjitësit, etj. Nëse në gishta ka unaza, unazat lëvizen me qëllim që uji të kalojë edhe nën to dhe ta pastrojë vendin e tyre. Me misvak ose furçë dhëmbësh, ose, në mungesë të tyre, me gishtat e dorës së djathtë, pastrohen dhëmbët.

Në këtë mes dëshirojmë të tërheqim vëmendjen mbi një specifikë.

Esenciale në abdes është kontakti i ujit me lëkurën dhe thoin. Çdo gjë që e pengon këtë kontakt, është pengesë për abdesin. Edhe makijazhi i thonjve është pengesë për abdesin meqë pengon kontaktin e ujit me thoin.

Këtu, në mendje mund të vijë pyetja se ç’ndryshim ka midis makijazhit dhe kënasë. Pas lyerjes së kënasë, në lëkurë mbetet vetëm ngjyra, por jo një cipë siç ndodh pas lyerjes me çfarëdo lënde që përdoret për makijazh. Kjo cipë e cila e pengon ujin ta lagë thoin ose lëkurën, është pengesë për abdesin.

* Me ujë të marrë me pëllëmbën e djathtë, shpëlahet dhe pastrohet goja tri herë.

* Me ujë të marrë me pëllëmbën e majtë tërhiqet ujë dhe pastrohet hunda tri herë.

* Lahet fytyra tri herë. Po të ketë mjekër, gishtat futen nëpër mjekër duke siguruar arritjen e ujit gjer në fundet e qimeve.

* Lahet tri herë parakrahu i djathtë bashkë me bërrylin, pastaj tri herë parakrahu i majtë bashkë me bërrylin.

* Laget dora e djathtë dhe, me pëllëmbën dhe gishtat e shtrirë, fërkohet një herë koka sipër. Edhe nëse është i mjaftueshëm fërkimi në këtë mënyrë i një të katërtës së kokës, është sunet që të fërkohet me të dy duart e gjithë koka.

* Lagen duart përsëri dhe me gishtin e madh fërkohet ana e jashtme, kurse me gishtin tregues ose gishtin e vogël, ana e brendshme e llapës së veshit, pastaj, me të prapmen e dy duarve fërkohet zverku.

* Më parë e djathta, pastaj e majta, lahen këmbët duke filluar nga majat e gishtave e duke përfshirë thembrat dhe kockat e nyjeve. Tregohet kujdes për larjen e hapësirave mes gishtave.

* Pas abdesit, këndimi i Fjalës së Dëshmisë (shehadet), pirja pak prej ujit të abdesit nëse pihet dhe këndimi i sures Kadr janë veprime-pjesë të etikës së abdesit.

 

Leave a Reply