Pyetje: Imamët Mutezilitë e konsideruan krijimin e të keqes se është e keqe dhe, prandaj ata nuk ia atribuuan krijimin e mosbesimit dhe të çudhëzimit Allahut xh.sh; ata me këtë sikur po e shfajësonin dhe po e shenjtëronin Atë. Ata thanë: “Njeriu është krijuesi i veprave të tij”, dhe me këtë ata u çudhëzuan, shkuan në drejtim të gabuar. Ata gjithashtu thanë: “Një besimtar i cili kryen një gjynah të madh humbet besimin e tij”, sepse vërtetimi i besimit në Allahun nuk është i pajtueshёm me kryerjen e gjynaheve të tilla të mëdha. Nga frika e dënimit prej një burgimi të përkohshëm në këtë botë, njeriu përmbahet e ruhet nga të vepruarit në kundërshtim me ligjin, atëherë në qoftë se ai kryen gjynahe të mëdha duke mos e përfillur zemërimin e Krijuesit Madhështor dhe as dënimin e përjetshëm të Xhehennemit, sigurisht kjo tregon mungesën e tij të besimit”.

Përgjigjja për pjesën e parë të pyetjes: Siç është shpjeguar në trajtesën rreth “Kaderit Hyjnor”, krijimi i të keqes nuk është e keqe; por prirja drejt të keqes, është e keqe; sepse krijimi dhe sjellja në ekzistencë shikojnë tek rezultatet e përgjithshme. Meqenëse ekzistenca e një të keqeje të vetme është parathënie për rezultate të shumta të mira, atëherë krijimi i të keqes bëhet e mirë për sa ka të bëjë me ato rezultate; domethënë ajo sikur është e mirë. Për shembull, zjarri ka njëqind rezultate të mira, mirëpo disa njerëz të cilët nëpërmjet zgjedhjes së tyre të keqe të keqpërdorimit dhe, duke e bërë atë të keqe për veten e tyre nuk mund të thonë se krijimi i zjarrit është e keqe. Në të njëjtën mënyrë, krijimi i shejtanëve ka rezultate të urta e të shumta për njeriun, si ngjitja e tij në shkallët e plotësimit e të përparimit; Kështu në qoftë se një njeri shpartallohet nga shejtani për shkak të dëshirës dhe zgjedhjes së tij të gabuar dhe të prirjeve të gabuara, ai nuk mund të thotë se krijimi i shejtanit është e keqe, sepse ai e bëri të keqen për vetveten për shkak të prirjes së tij të keqe.

Po, meqenëse prirja është një lidhje e pjesshme e çështjes, ajo ka një rezultat të keq të veçantë dhe bëhet e keqe. Por meqenëse krijimi shikon tek të gjitha rezultatet, krijimi i të keqes nuk është e keqe, në të vërtet ajo është e mirë. Për shkak se Muëtezilitët nuk e kuptuan këtë mister, ata thanë:

“Krijimi i së keqes është e keqe dhe krijimi i të shëmtuarës është e shëmtuar”. Dhe me qëllim që ta shpallin Allahun e Plotëfuqishëm të pastër e të përjashtuar nga gabimet, ata nuk ia atribuuan krijimin e të keqes Atij; ata ranë në çudhëzim dhe e interpretuan gabimisht shtyllën e besimit  ‘Besimin në Kaderin Hyjnor, si e mira e tij po ashtu dhe e keqja e tij janë prej Allahut’.

Përgjigjja për pjesën e dytë të pyetjes: “Si mund të mbetet besimtar ai që kryen gjynahe të mëdhaja?”

Së pari, gabimi i tyre është kuptuar qartë në treguesit e mëparshëm, kështu që nuk është nevoja që të përsëritet.

Së Dyti, nefsi urdhërues për të liga i njeriut preferon një ons prej një kënaqësie të tanishme të menjëhershme mbi një ton të një kënaqësie të mëvonshme të fshehur; gjithashtu ai stepet nga frika e një shuplake të tanishme më shumë se sa dënimi i një viti në të ardhmen. Për më tepër, në qoftë se emocionet -ndjenjat- janë mbisunduese tek një njeri, ato nuk i kushtojnë vëmendje arsyetimit të mendjes. Dëshirat dhe iluzionet sundojnë dhe ai preferon një kënaqësi shumë të vogël të tanishme mbi shpërblimin shumë më të madh në të ardhmen. Dhe ai shmanget nga një shqetësim i pjesshëm i tanishëm më shumë se sa një ndëshkim i tmerrshëm i mëvonshëm. Dhe meqenëse dëshirat, iluzionet dhe emocionet nuk e shikojnë të ardhmen; madje ato mund ta mohojnë atë, dhe meqenëse ato nxiten e ndihmohen nga nefsi, atëherë zemra dhe mendja, të cilat janë vendi i imanit, heshtin dhe mposhten në çështjen e tyre. Kështu kryerja e gjynaheve të mëdha nuk buron nga mungesa e besimit, por nga mposhtja e zemrës dhe e mendjes nëpërmjet mbisundimit të emocioneve, dëshirave dhe iluzioneve.

Për më tepër, ashtu siç kuptohet nga treguesit e mëparshëm, rruga e pasioneve dhe e së keqes është shkatërrim e rrënim dhe, prandaj ajo është shumë e lehtë. Shejtanët prej xhindëve dhe njerëzve i shtyjnë njerëzit me shumë lehtësi për tek ajo rrugë.

Është shumë e çuditshme kur shikon se një prej njerëzve të dobët i ndjekin gjurmët e shejtanit duke preferuar kënaqësitë e kësaj dynjaje kalimtare, të cilat janë të barasvlershme me krahun e një mize, mbi kënaqësitë e asaj bote të përjetshme, në një kohë që siç vërtetohet nga hadithi sherif: “Një dritë sa krahu i një mize prej botës së përjetësisë krahasohet dhe ua kalon të gjitha kënaqësive dhe mirësive që merr një njeri gjatë gjithë jetës së tij në këtë dynja”.

Për këto arsye e urtësi, Kur’ani i gjithurtë, në mënyrë të përsëritur e me këmbëngulje dhe me inkurajime e kërcënime, i ndalon besimtarët nga bërja e gjynaheve dhe i nxit ata për të bërë vepra të mira e të drejta.

Një herë ky udhëzim i fortë i Kur’anit të gjithurtë më dha idenë se këto paralajmërime të vazhdueshme dhe këto përkujtues i shfaqin besimtarët se janë të paqëndrueshëm dhe të mangët në veprat e mira. Kjo nxjerr si rrjedhim një pozitë që nuk i përshtatet nderit e prestigjit të njeriut, sepse përsëritja e një urdhri të vetëm për nëpunësin nga eprori i tij do ta bënte atë të mendonte se ai gjendet në një pozitë sikur të ishte i akuzuar për sinqeritetin e tij dhe për devocionin, dhe do të ofendohej rëndë në qoftë se eprori e përsërit dhjetë herë të njëjtin urdhër? Megjithatë, Kur’ani i gjithurtë i përsërit urdhëresat e tij me këmbëngulje për besimtarët më të sinqertë?

Në kohën që kjo ide po shqetësonte mendjen time, ishin me mua dy apo tre nga shokët e mi besnikë. Unë në mënyrë të vazhdueshme i paralajmëroja dhe ua kujtoja me qëllim që ata të mos mashtrohen nga intrigat e njerëzve djallëzorë, dhe unë nuk pashë asnjë shenjë tek ata që tregojnë se mbetën të ofenduar dhe asnjëri prej tyre nuk tha: Ti po na akuzon ne për sinqeritetin tonë. Kurse unë i flisja vetes sime dhe thoja: Unë jam duke i fyer ata me këto paralajmërime të vazhdueshme. Unë po i akuzoj ata për mungesë besnikërie dhe për paqëndrueshmëri. Ndërkaq, papritmas m’u zbulua e vërteta e shpjeguar dhe e provuar në treguesit e lartëpërmendur. Unë kuptova se këmbëngulja e Kur’anit të gjithurtë dhe përsëritjet ishin me vend dhe ekzaktësisht siç kërkohen nga situata të urta dhe as të tepërta e as fyese; ato ishin thjesht urtësi e pastër dhe elokuencë e pastër.

Gjithashtu, unë kuptova arsyen se përse ata shokët e mi besnikë nuk u ofenduan nga përsëritja e atyre paralajmërimeve.

Një përmbledhje e asaj të vërtete është kjo: Veprimi i pjesshëm dhe i pakët i cili buron nga shejtanët bëhet shkak që të ndodhin të këqija të shumta, meqë ai është shkatërrim e rrënim.

Prandaj, ata që marrin rrugën e të vërtetës dhe të udhëzimit janë shumë në nevojë për të qenë të kujdesur e të vëmendshëm dhe për paralajmërime të përsëritura dhe për ndihmesë të vazhdueshme. Për këtë arsye, Allahu i Gjithëfuqishëm u jep ndihmë njerëzve të besimit nëpërmjet një mijë e një Emrave të Tij të Bukur lidhur me ato përsëritje dhe shtrin mijërat e duarve të mëshirës dhe të dhembshurisë për t’i ndihmuar ata. Ai nuk e shkatërron nderin e tyre, por e mbron. Ai nuk e zhvlerëson dhe nuk e përçmon dinjitetin e njeriut, por shfaq se e keqja e shejtanit është e madhe.

O Njerëzit e së vërtetës dhe o njerëzit e udhëzimit! Rruga për të shpëtuar nga të këqijat dhe nga dredhitë e lartëpërmendura të xhindëve dhe të njerëzve djallëzorё është kjo: Bëjeni selinë -vendtakimin- tuaj shkollën e njerëzve të së vërtetës, Sunitët, ose Ehl es-suneh vel- xhemaah; hyni në kalanë e fortifikuar të çështjeve të pakundërshtueshme të Kur’anit të shpjegimit të mrekullueshëm; dhe merreni sunnetin e profetit Muhammed a.s.m. si udhëzuesin tuaj dhe gjeni shpëtim me ndihmën e Zotit xh.sh.!