Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

“Edhe nëse të vjen ndonjë pëshpëritje e ligë prej shejtanit, atëherë kërko mbrojtje e mbështetje tek All-llahu. Vërtetë Ai është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.”[1]

Një provë e Kur’anit kundër shejtanit dhe partisë së tij. Kjo trajtesë e shpartallon me argumente shejtanin, i hesht ata që ngrenë krye, duke i lënë pa gojë nëpërmjet refuzimit në mënyrën më të qartë të një dredhie të tmerrshme e finoke të shejtanit, të cilin ai e nxiti, e pëshpëriti, brenda një diskutimi logjik asnjanës. Kjo ka të bëjë me një pjesë të një ngjarjeje të cilën e kam përshkruar në formë të shkurtuar para dhjetë vjetësh në veprën e të titulluar “El-Lemeat”. Ajo është sa vijon:

Para njëmbëdhjetë vitesh kjo trajtesë u shkrua në muajin e Ramazanit, kur unë po dëgjoja recitimin e Kur’anit tek Xhamia Bajazit në Stamboll. Papritmas, megjithëse nuk mund të shikoja askënd, mua m’u duk se dëgjova një zë jotokësor, i cili më tërhoqi të gjithë vëmendjen time. Unë e dëgjova atë me imagjinatën time, dhe kuptova se ai po më thonte: “Ti e konsideron Kur’anin të jetë tej mase i lartë dhe i ndritshëm. Ji i paanshëm, asnjanës, për një minutë dhe shqyrtoje atë përsëri.

Domethënë, supozoje atë të jetë fjalë njeriu. Pastaj, pas këtij supozimi unë do të doja të di nëse ti akoma do të shikoje të njëjtat cilësi dhe bukuri në të?”

Në të vërtetë unë u mashtrova nga zëri dhe e supozova Kur’anin  si fjalë e shkruar nga njeriu. Dhe ashtu si xhamia Bajazit që zhytet në errësirë kur ulet çelësi elektrik i cili shuan dritat, po ashtu unë shikova se, me atë supozim, dritat vezulluese të Kur’anit filluan  të shuheshin. Tek ajo pikë unë kuptova se ishte shejtani ai që po më fliste mua. Ai po më tërhiqte drejt humnerës.

Unë kërkova ndihmë nga vetë Kur’ani dhe, menjëherë një dritë u lëshua tek zemra ime duke më dhënë fuqi të qëndrueshme për mbrojtje. Dhe në çast fillova të debatoj me shejtanin, duke i thënë:

“O Shejtan! Të menduarit asnjanës, është të marrësh një qëndrim midis dy anëve. Ndërsa mendimi asnjanës,  për tek i cili ti dhe nxënësit e tu midis njerëzve bëni ftesë, është të marrësh anën kundërshtare; ajo nuk është paanësi, por është dalje nga besimi përkohësisht.

Sepse, ta konsiderosh Kur’anin se është fjalë njeriu dhe ta gjykosh atë si të tillë, është të marrësh anën kundërshtare; është të favorizosh diçka të pabazë e të pavlefshme. Ajo nuk është çështje paanësie, por është anëmbajtje dhe prirje për të marrë të shtrembërën dhe për ta përkrahur atë.”

Shejtani u përgjigj: “Mirë; atëherë mos thuaj për të se është as Fjala e Zotit dhe as fjalë njeriu, por supozoje atë se është midis të dyve. Unë iu kundërpërgjigja: “Kjo gjithashtu është e pamundur, sepse në qoftë se do të kishte ndonjë pronësi të diskutueshme për të cilën ndodhen dy pretendentë dhe pretendentët janë afër njëri-tjetrit dhe pronës, atëherë prona ose do t’i jepej një personi  tjetër, përveç atyre të dyve, ose ajo pronë do të vendosej në një vend të arritshëm me qëllim që cilido që do ta provonte pronësinë, ta merrte atë. Por, në qoftë se dy pretendentët janë shumë larg njëri-tjetrit, ashtu si të ishte njëri në lindje dhe tjetri në perëndim, atëherë sipas rregullit të njohur, prona do të mbetej tek ai që e ka në dorë, që e ka në përdorim, sepse nuk është e mundur të lihet pasuria në një rrugë të mesme midis tyre.

“Kështu, Kur’ani është një pasuri e çmueshme dhe e lartë e All-llahut xh.sh. dhe largësia midis anëve është një largësi absolute e pakufishme, pasi ajo është largësia midis Fjalës së Zotit të të gjithë botëve dhje ajo e fjalës së njeriut. Prandaj nuk është e mundur që të lihet Kur’ani midis dy anëve, të cilat janë aq shumë larg njëra-tjetrës si plejadat me tokën, sepse ato janë të kundërta ashtu si ekzistenca dhe mosekzistenca; nuk mund të ketë pikë të mesme ndërmjet tyre. Prandaj Zotëruesi i Kur’anit është ana Hyjnore; dhe çështja duhet të pranohet kështu, d.m.th. që ai është në Dorën e Zotit xh.sh., dhe provat e pronësisë duhet të vlerësohen në atë mënyrë. Veçse në qoftë se ana kundërshtare do të mund t’i refuzonte të gjitha argumentet që provojnë se ai është Fjala e Zotit xh.sh., vetëm atëherë ajo mund të pretendojë pronësinë e tij, përndryshe nuk mundet.

Ruajna Zot! Çfarë do të mund t’i shkulë gozhdat që e kanë kapur atë xhevahir të madh të shtrenjtë me fronin më të lartë të Zotit xh.sh., i cili është mbërthyer me mijëra nga provat e sigurta dhe, kush mund të guxojë t’i thyejë shtyllat e tij mbështetëse, e duke e bërë atë të bie?”

“Dhe kështu, pavarësisht inatit tënd, o shejtan, njerëzit e së vërtetës dhe të drejtësisë gjykojnë në këtë mënyrë të arsyeshme e të drejtë. Ata e shtojnë besimin e tyre nëpërmjet Kur’anit, madje edhe me më të voglën e dëshmive. Ndërsa sipas mënyrës së treguar nga ti dhe nga nxënësit e tu, domethënë, në qoftë se Kur’ani do të supozohej të ishte fjalë njeriu, sikur vetëm njëherë, domethënë, në qoftë se ai xhevahir i mbërthyer tek  Arshi do të binte në tokë, atëherë do të duhej të ekzistonte një argument i fuqishëm dhe madhështor më i lartë se të gjitha provat dhe t’i përfshinte të gjithë treguesit, me qëllim që të kishte fuqi për ta ngritur atë nga toka dhe që ta mbërthente atë edhe njëherë tjetër me Fronin dhe, vetëm kështu do të mund të shpëtonte nga errësira e mosbesimit dhe do të arrinte dritat e besimit.

Por, kjo është një çështje shumë e vështirë për t’u bërë në këtë kohë dhe, për këtë arsye, në këtë kohë shumë njerëz e humbasin besimin e tyre për shkak të dredhive të tua, duke i imagjinuar vetvetet e tyre se janë duke bërë gjykime të paanshme, asnjanëse.

Shejtani, u kthye dhe tha: “Kur’ani i ngjason fjalës së njeriut.” Ai është i ngjashëm me mënyrën që bisedojnë njerëzit. Atëherë kjo do të thotë se ai është fjalë prej njeriu. Në qoftë se do të ishte Fjala e Zotit xh.sh., ai do të ishte i përshtatshëm për Të dhe do të  ishte krejtësisht i jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet e tij. Ashtu si arti i Tij që nuk i përngjason artit të njeriut, po ashtu edhe Fjala e Tij nuk do t’i përngjasojë fjalës së njeriut.

Unë iu përgjigja:Kjo mund të kuptohet siç vijon: Përveç mrekullive të Tij dhe atributeve të veçantë, Profeti Muhammed a.s.m. është një qënie njerëzore në të gjitha veprimet, në etikën dhe në sjelljet. Ai iu nënshtrua dhe qe i përshtatshëm me ligjet Hyjnore dhe me urdhëresat e manifestuara në krijim. Ai gjithashtu vuajti nga i ftohti, provoi dhimbje dhe kështu me radhë dhe, prandaj atij nuk iu dhanë çudira të jashtëzakonshme në të gjitha gjendjet dhe në periudhat e tij, dhe kjo për arsye që ai të ishte model i komunitetit të tij me anë të veprave të tij, udhërrëfyes për ta nëpërmjet etikës së tij dhe që t’i mësonte ata nëpërmjet sjelljeve të tij. Në qoftë se ai do të kishte qenë i jashtëzakonshëm në të gjitha sjelljet e tij, atëherë ai nuk do të kishte qenë udhëheqës për të gjithë njerëzit dhe nuk do të kishte qenë mëshirë për të gjitha botët në të gjitha gjendjet e tij.

Po ashtu është çështja me Kur’anin e shpjegimit të mrekullue-shëm; Kur’ani i gjithurtë është udhëheqësi i të vetëdijshmive, është udhëzuesi i xhindeve dhe i njerëzve, mësuesi i atyre që arrijnë plotësimin dhe instruktori i atyre që kërkojnë realitetin. Atëherë domosdoshmëria kërkon që ai të jetë në formë të njëjtë e në stil si bisedimi i njeriut, sepse njerëzit dhe xhindet i marrin duatë e tyre prej tij dhe i mësojnë lutjet e tyre prej tij; ata i shprehin kërkesat dhe çështjet e tyre në gjuhën e tij dhe mësojnë prej tij rregullat e sjelljes shoqërore, dhe kështu me radhë. Çdo besimtar e merr atë si udhëzuesin e tij dhe si pikë referimi tek i cili kthehet.

Atëherë, në qoftë se Kur’ani do të kishte qenë në formën e ligjëratës Hyjnore të cilën e dëgjoi Musai a.s. në malin Tur, Sinai, njerëzimi nuk do të mund ta dëgjonte  dhe nuk do të ishte i aftë për t’ia vënë veshin, as nuk do të mund ta bënte atë si pikë referimi për të gjitha çështjet e tij. Musai a.s., njëri nga pesë profetët më të mëdhenj, nuk mundi të durojë për të dëgjuar as edhe pak fjalë, sa që tha: A kështu është ligjërata jote? Zoti iu përgjigj:

“Unë kam fuqinë e të gjitha gjuhëve”

Pastaj shejtani tha: Shumë njerëz përmendin çështjet fetare të ngjashme me ato të Kur’anit, atëherë, a nuk është e mundur që një qënie njerëzore të sillte ndonjë gjë të ngjashme me Kur’anin në emrin e fesë?

Nëpërmjet dritës së Kur’anit, unë iu përgjigja si më poshtë:

Së pari: Nga dashuria për fenë, ai që është fetar, thotë: E vërteta është kjo; realiteti i çështjes është ky. Zoti i Gjithëfuqishëm urdhëron, “Por ai nuk do të fliste me Emrin e Zotit sipas dëshirave të tij, as nuk do të kalonte cakun e tij deri në një shkallë të pafundme, sa të pretendonte se ai flet me emrin e Zotit ose flet rreth tij dhe ta imitonte Zotin në fjalën e Tij xh.sh. dhe nuk do ta bënte Fjalën e Zotit t’i përshtatet vetes së tij, por përkundrazi, ai do të dridhej përpara dekretit Hyjnor.  “Kush bën atëherë më tepër padrejtësi se sa ai i cili shpif gënjeshtër kundër All-llahut.”[2]

Së dyti: Nuk është kurrsesi e mundur për një qënie njerëzore të ishte i suksesshëm në bërjen e një gjëje të tillë vetë; në fakt është krejtësisht e pamundur. Individët që u ngjasojnë njëri-tjetrit, mund ta imitojnë njëri-tjetrin. Ata të të njëjtit lloj mund të marrin format e njëri-tjetrit. Ata të cilët janë të afërt me njëri-tjetrin në rang ose në status, në gjendje, mund ta imitojnë njëri-tjetrin dhe përkohësisht mund t’i mashtrojnë njerëzit, por ata nuk mund ta bëjnë këtë përgjithmonë. Gjithësesi, gënjeshtra dhe artificializmi në sjelljen e tyre do ta demaskonin mashtrimin e tyre përpara njerëzve të dijes dhe të njohjes dhe gënjeshtra e tyre nuk do të zgjaste. Në qoftë se ai që dëshiron të imitojë një tjetër është shumë larg këtij të fundit, si për shembull, në qoftë se një njeri i thjeshtë e i pashkolluar do të imitonte në dije një gjeni të tillë si Ibnu Sina, ose një bari të merrte pozitën e një mbreti, natyrisht nuk do të mashtronin absolutisht askënd, ata vetëm se do të tregoheshin budallenj, sepse çfarëdo lloj që ata do të bënin, ajo do të thërriste, ky është një mashtrues.

Kështu, ta supozosh, – ruajna Zot njëqind mijë herë!- Kur’anin të jetë fjalë njeriu, është krejtësisht e pamundur, asnjë qënie e arsyeshme nuk do ta pranonte atë si të mundur, një gjë e tillë do të ishte një përçartje, ashtu si ta imagjinoje të mundur diçka që, në mënyrë të  vetëkuptueshme, është e pamundur ashtu si të shihej një xixëllonjë nga astronomët si një yll i vërtetë për një mijë vite; ose një mizë të dukej për shikuesit në formën e vërtetë të një palloi për një vit; ose një ushtar i thjeshtë duke u shtirur si një mareshall i famshëm dhe i lartë në ushtri duke marrë pozitën e tij dhe duke mbetur në të për një periudhë të gjatë pa e zbuluar mashtrimin e tij, ose si një shpifës, gënjeshtar, pa iman duke u shtirur e duke marrë formën dhe pozitën e besimtarit më të vërtetë, më besnik dhe më të drejtë gjatë gjithë jetës së tij dhe duke u dukur krejtësisht i qetë, pa ngurrim e shqetësim, madje edhe para shikimeve të inspektorëve më të përpiktë duke e fshehur mashtrimin e tij prej tyre.

Po kështu, në qoftë se Kur’ani do të supozohej të ishte fjalë njeriu, atëherë – Ruajna Zot! – do të duhej të supozohej se ai Libër i qartë, i cili është ylli vezullues i realitetit, madje ai diell ndriçues i plotësimeve, i cili përhap vazhdimisht dritat e realiteteve në qiellin e botës së Islamit, ashtu siç shihet qartë, do të duhej të supozohej ajo dritë vezulluese si një xixëllonjë, si një lloj mashtrimi e sajuar nga një njeri i shtirur, dhe ata të cilët janë afër tij dhe që e studiojnë atë me vëmendjen më të madhe të mos e dallonin atë; përkundrazi, ata e shohin atë si një yll të lartë dhe si një burim të përjetshëm i të vërtetave.

Prandaj ajo do të ishte një pamundësi në njëqind pamundësi. Përveç kësaj, o shejtan, sikur ti të vazhdoje e të kaloje njëqind herë më shumë  se sa tani në intrigat e tua djallëzore, ti nuk do të mundeshe ta bëje të mundshme këtë pamundësi dhe, nuk do të mundeshe të mashtroje asnjë njeri me mendje të shëndoshë! Vetëm ndonjëherë ti i mashtron njerëzit duke ua paraqitur çështjet nga larg dhe ua shfaq atyre yllin vezullues aq të vogël sa një xixëllonjë.

Së treti: Gjithashtu, në qoftë se Kur’ani do të imagjinohej të ishte fjalë prej njeriu, kjo do të bënte të domosdoshme që realiteti i fshehur i Furkanit – i dalluesit të së vërtetës nga e shtrembëra, Kur’anit- i cili është i mrekullueshëm në shpjegimin e tij dhe, nëpërmjet dëshmisë së fruteve të tij, rezultateve dhe efekteve është i zbukuruar me cilësitë më jetëdhënëse e shpirtërore dhe, me të vërteta që sjellin lumturinë e amshuar, dhe më gjithëpërfshirëse e të larta në botën e njerëzimit…, atëherë do të duhej të supozohej që ky Kur’an i gjithurtë dhe të vërtetat e tij të mëdha, të ishin -ruajna Zot!- një shpikje e një njeriu të paditur dhe të pandihmuar dhe, do të duhej që ata gjeni të mëdhenj dhe dijetarë të ndritshëm, të cilët e vëzhguan atë nga afër dhe që e studiuan me kujdes të tepruar, të mos vërenin asnjë shenjë shtirje apo mashtrimi në të  por gjithmonë e gjetën atë serioz, origjinal e të sinqertë.

“Kjo do të ishte krejtësisht e pamundur, kjo është një ide aq absurde, saqë edhe vetë shejtani do të turpërohej prej saj, është si të ëndërroje e të fantazoje një situatë krejtësisht të pamundur, sepse ajo do të shkaktonte ta supozoje atë, i cili gjatë gjithë jetës së tij demonstroi dhe dha mësim amanetin, besimin, mirëbesimin, sinqeritetin, seriozitetin dhe drejtësinë nëpërmjet të gjitha sjelljeve të tij, fjalëve e veprave dhe, që i udhëzoi dhe i  edukoi ndjekësit e vërtetë mbi ato cilësi të larta, dhe i cili u pranua se kishte virtytet më të larta e më të ndritshme, me këtë supozim – ai duhej të ishte një njeri që s’ia ke besën, i pasinqertë dhe i pa fe. Dhe kjo për arsye se çështja nuk ka pikë të mesme midis të dyjave.

“Në qoftë se, për të supozuar të pamundurën, Kur’ani nuk do të ishte Fjala e Zotit, ai do të binte duke rënë nga Froni Hyjnor në tokë, ai nuk do të mbetej diku në mes ndërmjet tyre. Dhe ndërsa duke qenë vendtakimi i të vërtetave, ai do të bëhej burimi i bestytnisë dhe i përrallave. Dhe në qoftë se – ruajna Zot – ai, i cili e shpalli atë dekret Hyjnor, nuk do të ishte i dërguari i Zotit, atëherë me këtë supozim – do të bëhej e domosdoshme që ai të binte nga lartësia më e lartë për tek ultësira më e ulët dhe, nga shkalla e të qënit burimi i plotësimeve për tek niveli i të qënit një minierë (burim) i mashtrimit dhe i intrigave; ai nuk do të mbetej midis të dyjave, sepse ai i cili gënjen e sajon në Emrin e Zotit, bie tek më i ulëti i niveleve. Ashtu si, sa e pamundur do të ishte që,  në mënyrë të vazhdueshme, të shihej një mizë si një pallua dhe gjatë gjithë kohës të shiheshin cilësitë e palloit në një mizë, po ashtu, edhe kjo çështje është gjithashtu e pamundur. Vetëm dikush të cilit i mungon arsyeja, do të mund ta imagjinonte atë si të mundur.

Së katërti: Gjithashtu, në qoftë se do të imagjinohej Kur’ani të jetë Fjala e njeriut, kjo do të bënte të domosdoshme të supozoje se Kur’ani- i cili është komandanti i shenjtë dhe drita udhëzuese e komunitetit të Muhammedit a.s.m. që përfaqëson ummetin më të madh dhe ushtrinë më të fuqishme të njerëzimit – të ishte, ruajna Zot!, një fjalë e pafuqishme, e pavlerë dhe një trillim i pabazë.

Në një kohë që, në mënyrë të vetëkuptueshme, nëpërmjet ligjeve të tij të fuqishme, parimeve të shëndosha dhe urdhërave depërtuese, ai e ka pajisur atë ushtri të madhe materialisht, moralisht dhe shpirtërisht, u ka dhënë atyre një sistem e rregull dhe u ka imponuar një disiplinë sa që ata janë të tillë që të pushtojnë si këtë botë ashtu edhe tjetrën; ai ka instruktuar mendjet e individëve, ka zhvilluar zemrat  e tyre, ka nënshtruar shpirtërat e tyre, ka pastruar ndërgjegjjet e tyre dhe ka vënë në punë gjymtyrët e tyre, në përputhje me shkallën e gjithësecilit, atëherë, ta imagjinosh atë të jetë një shpikje, sajesë, do të bënte të domosdoshme të pranoje një pamundësi të njëqindfishtë.

Kjo pamundësi bën të lindë një pamundësi tjetër e plotë, atë të supozimit se ai që nëpërmjet etikës së tij të matur gjatë gjithë jetës së tij i mësoi njerëzimit ligjet e Zotit të Gjithëfuqishëm, që me anë të sjelljes së tij të ndershme e instruktoi njerëzimin në parimet e së vërtetës, që nëpërmjet fjalëve të tij të sinqerta dhe të arsyeshme shfaqi dhe vendosi rrugën e drejtë të maturisë -të istikametit- dhe rrugën e lumturisë dhe, ashtu siç e dëshmon e gjithë jeta e tij, ai ndjeu frikën më të madhe prej ndëshkimit Hyjnor dhe e njohu All-llahun më mirë dhe më shumë se çdokush tjetër dhe, i cili në një mënyrë të shkëlqyer ka komanduar për njëmijë e treqind e pesëdhjetë vjet një të pestën e njerëzimit dhe gjysmën e globit dhe, nëpërmjet cilësive të shquara të tij ai është në të vërtetë bosht i krenarisë së njerëzimit, madje krenaria e botërave… atëherë – me atë supozim – ai duhej të ishte, ruajna Zot! një mijë herë!, mosnjohës i Zotit, as i frikësuar prej dënimit të Tij dhe, duhet të ishte në nivelin e një njeriu të zakonshëm dhe të mos kishte ndonjë krenari.

Sepse në këtë çështje nuk ka pikë të mesme ndërmjet të dyjave, pasi në qoftë se, për të supozuar të pamundurën, Kur’ani nuk do të ishte Fjala e Zotit, në qoftë se ai do të binte nga Froni Hyjnor në tokë, ai nuk mund të mbetej diku ndërmjet të dyjave, madje ai do të duhej të pranohej si prona e ndonjërit prej gënjeshtarëve në tokë.

Dhe prandaj, o shejtan, madje edhe sikur ti të ishe njëqind herë më shumë djallëzor, ti nuk do të mundeshe të mashtroje ndonjë mendje e cila nuk është e mangët, as nuk do të mundeshe të bindësh ndonjë zemër që nuk është e prishur.

Shejtani i ktheu përgjigje: Si unë nuk do të mundem t’i mashtroj ata? Unë kam mashtruar shumicën e njerëzimit dhe mendimtarët e tyre më të shquar duke i shtyrë ata në mohimin e Kur’anit dhe të Muhammedit a.s.m..

Ndërkohë, unë iu përgjigja:

Së pari: Kur shikohet nga një largësi e madhe, edhe gjëja më e madhe shfaqet e njëjta si ajo më e vogëla. Madje një yll duket si një qiri.

Së dyti: Gjithashtu, kur shikohet si dytësore dhe përciptas, ndonjë gjë që është krejtësisht e pamundur mund të duket të jetë diçka e mundur. “Një herë një burrë i vjetër po vështronte drejt qiellit me qëllim që të shihte Hënën e Re të Ramazanit, kur ndërkohë një qime e bardhë floku ra mbi syrin e tij. Duke e imagjinuar atë të jetë hëna, ai dha njoftimin: “Unë kam parë Hënën e Re”. Tani është e pamundur që qimja e bardhë të ketë qenë Hëna, por meqenëse ai kishte si qëllim të shikonte vetëm Hënën e Re, dhe ajo qime e bardhë u shfaq para tij e varur – domethënë dytësore, ai nuk  i kushtoi vëmendje asaj, dhe atë pamundësi e mendoi të ishte e mundur.

Së treti: Gjithashtu, mospranimi është një gjë dhe mohimi është diçka krejt e ndryshme. Mospranimi është indiferencë, mosinteresim, është mbyllje e syve para realiteteve dhe mohim me injorancë,dhe nuk është gjykim. Shumë gjëra krejtësisht të pamundura mund të fshihen nën këtë perde, sepse ai nuk e vë mendjen në punë për ato gjëra. Sa për mohimin, ai nuk është mospranim, por pranim i mosekzistencës;  ai është një gjykim. Personi detyrohet  ta vërë mendjen në punë.

Dhe mbi këtë mundësi, një shejtan si ti, mund t’ia marrë mendjen një njeriu dhe pastaj e mashtron atë duke e çuar në mohim. Pastaj, duke e paraqitur gënjeshtrën si të vërtetë dhe të pamundurën si të mundur nëpërmjet dredhive djallëzore, si: pakujdesia, çudhëzimi, arsyetimi i pabazuar, kryeneçësia, argumentet e rreme, krenaria, mashtrimi dhe imitimi, ti o shejtan, i bën ato krijesa të mjera në formën njerëzore të gëlltisin mosbesimin dhe mohimin, megjithëse ato përmbajnë pamundësi të panumërta.

Së katërti: Gjithashtu, në qoftë se Kur’ani do të supozohej se është fjalë njeriu, kjo do të bënte të domosdoshme të përfytyrohej një libër i cili ashtu siç shihet qartë, ka udhëzuar të pastërtit, evlijatë e vërtetë dhe udhëheqësit shpirtërorë, të cilët shndërisin si yjet në qiejt e botës së njerëzimit dhe, që vazhdimisht ka instruktuar çdo nivel të njerëzve të plotësimit, në të vërtetë e në drejtësi, në vërtetësi e besnikëri, në fe e besueshmëri dhe, që ka siguruar lumturinë dhe, që ka siguruar lumturinë e të dyja botërave nëpërmjet të vërtetave të shtyllave të imanit dhe të parimeve të shtyllave të islamit dhe, nëpërmjet dëshmisë së këtyre arritjeve, ai, nga domosdoshmëria, është libri i vërtetë i qartë dhe, e vërteta e pastër e papërzier; ai është e vërteta origjinale, autentike, është e drejta absolute dhe më seriozi… atëherë do të bëhej e domosdoshme me këtë supozim, ruajna Zot!, se ky libër përfshika të kundërtat e këtyre cilësive, efekteve dhe dritave.

Dhe ta vlerësosh atë si një koleksion trillimesh dhe gënjeshtrash, është vetëm se një çmenduri e mosbesimit, sa që madje edhe sofistët dhe shejtanët do të turpëroheshin dhe do t’i bënte të dridheshin.

“Dhe kjo pamundësi bën të domosdoshme pamundësinë  tjetër më të shëmtuar dhe më të neveritshme se ai i cili, sipas dëshmisë së sheriatit të përnderuar Islam të cilin ai e shpalli dhe, sipas treguesve të përkushtimit e frikës së jashtëzakonshme që ai shfaqi – e cila tregohet me unanimitet – dhe adhurimin e pastër e të sinqertë që e demonstroi gjatë gjithë jetës së tij, dhe ashtu siç është bërë e domosdoshme nga cilësitë e mira morale të dëshmuara me unanimitet tek ai dhe, sipas vërtetimit të njerëzve të së vërtetës dhe të plotësimit të cilët i edukoi, ai ishte më besimtari, më i qëndrueshmi, më besniku dhe më i vërteti,,, me atë supozim, ai duhej të ishte, ruajna Zot, dhe përsëri ruajna Zot, pa besim, pa besnikëri dhe që nuk e paska patur frikë Zotin xh.sh.; ta imagjinosh këtë, do të bënte të domosdoshme të imagjinoje formën më të neveritshme të pamundësisë, dhe të bëje llojin më të lig e të mbrapshtë të çudhëzimit.

Shkurtazi: Ashtu siç është pohuar në Shenjën e Tetëmbëdhjetë të Letrës së Nëntëmbëdhjetë, njerëzit e zakonshëm që kuptimi i Kur’anit nga ana e tyre arrihet vetëm duke e dëgjuar atë, thanë: Në qoftë se Kur’ani do të krahasohej me të gjithë librat që ne kemi dëgjuar si dhe me të gjithë librat e tjerë në botë, ai sigurisht nuk do të ishte i ngjashëm me asnjërin prej tyre; ai nuk është i të njëjtit lloj me to, as i të njëjtës shkallë.” Atëherë, Kur’ani, ose është, nga skalla, sipër atyre të gjithëve, ose është poshtë tyre. Që të jetë poshtë tyre, është krejtësisht e pamundur dhe, asnjë armik dhe madje as shejtani, nuk do ta pranonin; Kur’ani qëndron mbi të gjithë librat dhe prandaj është një mrekulli. Në të njëjtën mënyrë, ne themi sipas provës kategorike, të prerë, e cila quhet “Pjesa e mbetur”, sipas shkencave të metodës dhe të logjikës:

“O shejtan dhe o nxënësit e shejtanit! Kur’ani ose është Fjala e Zotit që ka ardhur nga Froni më i lartë i All-llahut dhe nga Emri i Tij më i Madh, ose ruajna Zot, dhe përsëri ruajna Zot, ai është shpikje e njeriut që është trilluar në tokë nga ndonjë njeri pa besim i cili as nuk e pati frikë  Zotin e as nuk e njohu Atë.

Por, përballë provave të lartëpërmendura ti, o shejtan, as nuk mund ta thuash këtë fjalë, as nuk ke mundur ta thuash, as nuk do të jesh në gjendje ta thuash në të ardhmen. Prandaj, Kur’ani është Fjala e Krijuesit të universit, sepse nuk ka pikë të mesme ndërmjet të dyjave; sepse është e pamundur dhe e papranueshme që të ketë. Ashtu siç e kemi provuar në mënyrën më të qartë e vendimtare, dhe ti e ke parë dhe e ke dëgjuar vetë.

Në të njëjtën mënyrë, Muhammedi a.s.m., ose është i dërguari i Zotit xh.sh.,  më i larti i Profetëve dhe më i larti i krijesave, ose, ruajna Zot, ai duhet të imagjinohet të jetë dikush pa besim duke pas rënë në më të ultën ultësirë[3] për shkak se ai paska shpikur gënjeshtër lidhur me All-llahun, se nuk e paska njohur Zotin dhe nuk paska besuar në dënimin e Tij.

Dhe sa për këtë, o shejtan, as ti, as filozofët e Evropës dhe as hipokritët e Azisë mbi të cilët ti mbështetesh, nuk mund ta thonë; ti as në të shkuarën nuk pate mundësi ta thuash, as në të ardhmen nuk do të jesh në gjendje ta thuash, sepse nuk mund të ndodhet askush në botë që do ta dëgjonte prej teje këtë fjalë dhe ta pranonte. Për shkak të kësaj, edhe më të korruptuarit e atyre filozofëve, e atyre filozofive dhe e atyre me mungesë vetëdijeje prej hipokritëve, e pranojnë se Muhammedi arab ishte shumë i zgjuar dhe simbol në moral e drejtësi.

“Meqenëse kjo çështje është kufizuar tek këto dy anë dhe, ana e dytë është e pamundur dhe, askush absolutisht nuk e pretendon atë të jetë e vërtetë dhe, meqenëse ne e kemi provuar me argumente vendimtare se nuk ka pikë të mesme ndërmjet tyre, atëherë sigurisht nga domosdoshmëria, pavarësisht inatit tënd dhe partisë tënde, Muhammedi arab a.s.m. është Profeti i Zotit xh.sh., më i larti i profetëve dhe më i miri i të gjitha krijesave.

Mbi të qofshin bekimet dhe paqja sa numri i engjëjve, i xhindeve dhe i njerëzve.

 

[1] Kur’an, 7: 200

[2] Kur’an, 39: 32

[3] Duke u mbështetur mbi faktin se Kur’ani përmend blasfeminë dhe fëlliqësitë e jobesimtarëve, edhe unë gjithashtu duke u dridhur, me qëllim që t’i hedhë poshtë ata, jam detyruar t’i përdorë këto shprehje në formën e pamundësive me qëllim që të demonstroj pamundësinë e plotë dhe pavlefshmërinë e plotë të ideve blasfemuese të njerëzve të çudhëzimit.

Leave a Reply