Ndryshimi midis “Islamit” dhe “Imanit” ka qenë çështje diskutimi midis dijetarëve islamë. Një grup ka thënë se ato “të dyja janë të njëjta” ndërsa një grup tjetër ka thënë se “ato të dyja nuk janë e njëjta, veçse ama nuk mund të jetë njëra pa tjetrën.” Ata kanë shprehur mendime të ndryshme të ngjashme me këtë. Unë vetë kam kuptuar ndryshimin e mëposhtëm:

Islami është një preferim, një obligim, ndërsa imani është bindje. Për ta shprehur në një mënyrë tjetër, Islami është të marrësh pjesën e së vërtetës dhe është nënshtrim e bindje ndaj saj, ndërsa imani është pranimi dhe miratimi i së vërtetës. Para shumë kohësh unë pata parë disa njerëz të pafe të cilët me zjarr e pasion mbështesnin urdhëresat e Kur’anit. Domethënë, njerëz të tillë, në një aspekt duke marrë  pjesën e së vërtetës shfaqeshin si muslimanë, dhe u quajtën “muslimanë jofetarë”. Pastaj më vonë unë pashë disa besimtarë të cilët nuk shfaqën asnjë mbështetje për urdhëresat e Kur’anit, ata nuk morrën pjesë nga ato dhe nuk i zbatuan, dhe kështu ata reflektuan emrin “Besimtarë jomuslimanë”.

A mundet Imani pa Islam të jetë mjet shpëtimi në Ditën e Kijametit?

Përgjigjja: Ashtu si Islami pa Iman që nuk mund të jetë mjet shpëtimi, po ashtu, as Imani pa Islam nuk mud të jetë mjet shpëtimi.

I gjithë lavdërimi dhe mirësia i përkasin All-llahut xh.sh., nëpërmjet shkëlqimit shpirtëror të mrekullisë së Kur’anit, krahasimet e Risale-i Nurit kanë demonstruar frutat dhe rezultatet e fesë Islame dhe të të vërtetave Kur’anore në një mënyrë të tillë, sa që në qoftë se do t’i kuptonte ato, madje edhe një njeri i pafe, ai nuk mund të mos ishte përkrahës i tyre dhe solidar me to. Dhe këto Resa-il –Mesazhe drite– kanë shfaqur dëshmi e prova të imanit dhe të Islamit në një mënyrë të tillë të fuqishme sa që në qoftë se madje një jomusliman do t’i kuptonte, padyshim ai do t’i besonte ato. Megjithëse do të mbetej një jomusliman, ai do ‘i besonte ato.

Po, “Fjalët” i shfaqin frutat e imanit dhe të Islamit se janë të ëmbëla dhe të këndshme si frutat e pemës Tuba të Parajsës; ato i shfaqin rezultatet e tyre të jenë të kënaqshme dhe të këndshme si kënaqësitë e lumturisë në këtë botë dhe në tjetrën. Prandaj ato zgjojnë tek ata të cilët i shohin dhe i njohin, një ndjenjë anshmërie (hatri), mbështetjeje dhe nënshtrimi të plotë. Ato kanë demonstruar prova aq të fuqishme për Imanin dhe Islamin si zinxhirët e qënieve, dhe aq të shumta sa grimcat e vockëla, sa që ato japin bindje të pakufishme dhe fuqi besimi.

Madje në disa raste recitoja thënien e Shehadetit, duke dëshmuar besimin, në virdet e Shejh Nakshibendit dhe duke thënë:

“Në përputhje me të ne jetojmë, sipas saj ne do të vdesim dhe në përputhje me të ne do të ringjallemi nesër”, unë ndjeva një ndjenjë të pafundme anshmërie sa që edhe në qoftë se do të më jepej e gjithë bota, unë nuk do të sakrifikoja as edhe një të vërtetë të vetme të imanit. Do të më shkaktonte një hidhërim të madh të imagjinuarit e përmbysjes së një të vërtete të imanit, madje edhe sikur për një minut. Edhe në qoftë se do të jepej e gjithë bota, nefsi im do të nënshtrohej pa ngurrim për ekzistencën e një të vërteteje të imanit, besimit.

Kur unë them:  “Ne kemi besuar në atë që Ti ke dërguar nëpërmjet Profetit dhe ne besojmë në atë që Ti ke shpallur nëpërmjet Librit, dhe ne e pranojmë atë”, unë ndiej një forcë të pafundme besimi. Unë mendoj se e kundërta e të gjitha të vërtetave të besimit është e pamundur me arsye dhe, i shoh njerëzit e çudhëzimit të jenë pafundësisht të çmendur e të rrjedhur.

Unë u dërgoj shumë përshëndetje prindërve të tu dhe u përcjell atyre respektin tim. Dhe shpresoj prej atyre të dyve një dua për mua. Ata janë si nëna ime dhe babai im, meqenëse ti je vëllai im. Dhe unë u çoj përshëndetje njerëzve të fshatit tuaj dhe veçanërisht atyre të cilët të dëgjojnë ty duke lexuar “Fjalët”.

I Qëndrueshmi i vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!

Said Nursi