Unë shikoj se njeriu më fatlum në këtë jetë të kësaj dynjaje është ai që e sheh dynjanë si një bujtinë ushtarake dhe e nënshtron vetveten dhe vepron në përputhje me të. Duke e shikuar atë në këtë mënyrë, ai mund të ngjitet shpejt në rangun e kënaqësisë së Zotit xh.sh., rangun më të lartë. Një person i tillë nuk do ta jepte çmimin e një diamanti të përhershëm për diçka me vlerën e një cope qelqi që do të thyhet. Përkundrazi, ai do ta kalonte jetën e tij me ndershmëri, me drejtësi dhe me kënaqësi. Po, çështjet që kanë të bëjnë me këtë dynja janë si copa xhami të dënuara për t’u thyer, ndërsa çështjet e përhershme të Ahiretit kanë vlerën e diamanteve të patëmetë, të padefekt.

Kureshtja e madhe , dashuria e zjarrtë, lakmia e tmerrshme, dhe dëshirat e forta dhe ndjenjat e tjera të fuqishme në natyrën e njeriut i janë dhënë atij me qëllim që të fitojë çështjet e Ahiretit. T’i drejtosh ato emocione në mënyrë të fuqishme drejt çështjeve të përkohshme të dynjasë, do të thotë të japësh çmimin e diamanteve të përjetshëm për copa qelqi që do të thyhen. Kjo pikë më ka ndodhur në lidhje me këtë çështje dhe unë do ta tregoj atë. Ajo është si kjo:

Dashuria e pasionuar është një lloj i zjarrtë dashurie. Kur orientohet drejt objekteve të përkohshme, ajo ose i shkakton pronarit të saj torturë e dhimbje të përjetshme, ose, meqenëse i dashuri metaforik nuk është i denjë për çmimin e një dashurie të tillë të fortë e të zjarrtë, ajo e bën pronarin e dashurisë të kërkojë një të dashur të vërtetë të përjetshëm. Atëherë dashuria metaforike transformohet në dashuri të vërtetë.

Kështu, brenda njeriut ndodhen me mijëra ndjenja, secila nga ato ka dy shkallë, ashtu si dashuria e pasionuar, njëra metaforike dhe tjetra  e vërtetë.

Për shembull, ndjenja e shqetësimit (ankthit, frikës) për të ardhmen është e pranishme tek gjithësecili; ai është tej mase i shqetësuar për të ardhmen, por ai shikon se nuk ka në dorë asgjë për ta garantuar se do ta arrijë atë të ardhme për të cilën shqetësohet.

Gjithashtu, për sa ka të bëjë me furnizimin (ushqimin, rizkun), ka një garanci për të dhe, e ardhmja që është e shkurtër nuk e meriton një shqetësim të tillë të madh. Kështu ai largohet nga e ardhmja dhe orientohet drejt së ardhmes së vërtetë përtej varrit e cila është afatgjatë dhe e cila për të pavëmendshmit, nuk ka sipërmarrje të garantuar.

Njeriu gjithashtu shfaq ambicie të fortë për pasuri e pozitë… por ai shikon se ajo pasuri kalimtare e cila është vendosur përkohësisht nën mbikëqyrjen e tij, fama e kobshme dhe pozita, të cilat janë të rrezikshme dhe çojnë në hipokrizi, nuk janë të denja për një ambicie të tillë të fortë. Ai largohet nga ato dhe kthehet drejt rangut shpirtëror dhe shkallëve në afërsi të Zotit xh.sh., që përbën rangut e vërtetë, drejt përgatitjeve me furnizime për Ahiretin dhe me vepra të mira të cilat janë pasuria e vërtetë. Ambicia metaforike, e cila është një cilësi e keqe, transformohet në ambicie të vërtetë, në një cilësi të lartë.

Dhe, për shembull, me kryeneçësi të fortë, njeriu harxhon ndjenjat e tij në gjëra të rëndomta, kalimtare e të përkohshme. Pastaj ai shikon se me kokëfortësi vazhdon të ndjekë për një vit diçka që nuk është e denjë as për kryeneçësinë e një minuti. Gjithashtu, në emrin e kokëfortësisë, ai këmbëngul ndoshta në gjëra që janë helmuese dhe të dëmshme. Pastaj ai shikon se kjo ndjenjë e fuqishme nuk i është dhënë atij për gjëra të tilla dhe se është në kundërshtim me urtësinë dhe me realitetin ta harxhosh atë mbi ato gjëra. Dhe kështu ai e përdor kryeneçësinë e tij të fortë, jo mbi ato çështje të panevojshme, të përkohshme, por mbi të vërtetat e larta dhe të përjetshme të besimit, mbi themelet e Islamit dhe mbi shërbimin dhe detyrat që lidhen me Ahiretin. Kryeneçësia metaforike, kjo cilësi e ulët, transformohet në kryeneçësi të vërtetë, domethënë, në qëndrueshmëri të fortë dhe në vazhdimësi në atë që është një cilësi e drejt, e lartë dhe e mirë.

Kështu, siç tregojnë këto tre shembuj, në qoftë se njeriu i përdor aftësitë shpirtërore që i janë dhënë për llogari të nefsit dhe të kësaj dynjaje dhe sillet në mënyrë të pavëmendshme sikur të qëndronte në dynja përjetësisht, ato aftësi të holla do të bëheshin burime të moraleve të ulëta, të prishjes, të çuarjes dëm dhe të kotësisë. Por në qoftë se ai do ta harxhonte më të lehtën, më të voglën e atyre ndjenjave mbi çështjet e kësaj bote dhe, më të fortën e tyre mbi detyrat shpirtërore dhe mbi ato që i përkasin Ahiretit, atëherë ato bëhen  burimi i moraleve të lavdërueshme dhe mjetet e lumturisë në këtë botë dhe në tjetrën në harmoni me urtësinë dhe me realitetin.

Dhe kështu, hamendja ime është se njëra arsye që këshilla dhe qortimet e dhëna në këtë kohë nga këshilluesit kanë qenë të paefektshme e të padobishme, është se ata u thonë njerëzve pa moral: “Mos jini ambiociozë! Mos shfaqni lakmi! Mos urreni! Mos jini kryeneçë! Mos e duani dynjanë!” Domethënë, ata parashtrojnë diçka që, në dukje është e pamundur për ata të cilëve këshilluesit u adresohen duke u thënë: Ndryshoni natyrat tuaja të bashkëlindura. Por në qoftë se këta do t’u thonin atyre: “I ktheni këto ndjenja drejt gjërave të dobishme, ndryshojeni drejtimin e tyre, rrjedhën e tyre”, këshilla e tyre do të ishte efektive, do të ndikonte tek ata dhe do të ishte brenda limiteve të dëshirës dhe të zgjedhjes së njeriut.

 

 

I Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm