Në ajetin e parë të sures Isra thuhet: “Allahu që e çoi një natë robin e vet (Muhammedin), për t’i treguar disa prej provave tona, nga Mesxhidi Haram në Mesxhidi Aksa, mjedisin e të cilës e kemi begatuar, është i pastër prej atributeve të mangëta. Pa dyshim, Ai është Semi dhe Basir!”

Kurse në ajetet 8-11 të sures Nexhm, duke aluduar për ngjarjen e miraxhit, thuhet: “Pastaj u afrua dhe u var sa largësia prej dy harqesh ndoshta më afër. Dhe (Allahu) ia zbuloi robit të vet ç’kishte për t’i zbuluar. Dhe zemra (e Muhammedit) nuk i përgënjeshtroi ato që ia panë sytë…” Ndërkaq, në librat e hadithit flitet me hollësi mbi këtë udhëtim të shenjtë.

Allahu, i cili, me hyjnitetin e tij, ua ndryshon përmbajtjen dhe cilësinë trupave materialë, masivë e të patejdukshëm duke i bërë, si shpirti, të tejdukshëm e të aftë për të kapërcyer pengesat dhe kufizimet e ligjeve të natyrës, e ka favorizuar të dërguarin e vet, Muhammedin, me audiencën e tij hyjnore duke i dhuruar mundësinë për ta parë. Në udhëtimin e miraxhit si një fryt dhe përfundim i të qenit rob i Zotit dhe i adhurimit ndaj Tij, Profeti, duke i kapërcyer ligjet dhe shkaqet e natyrës, duke i kaluar pengesat njerëzore, ka kapërcyer me një lëvizje largësi të pallogaritshme duke i përdorur yjet dhe sistemet yjore si shkallë, ka lënë pas dimensionet-pengesë për ta parë Zotin dhe, nga pozicioni ku ka arritur trupërisht dhe shpirtërisht, e ka parë Zotin. Eshtë përshëndetur me profetët, i ka parë engjëjt, i ka soditur Xhennetin dhe bukuritë e tij, Xhehennemin dhe pamjen tronditëse të tij.

Pasi u ngjit në Audiencën Hyjnore me qëllim për t’ia treguar bashkësisë së tij çështjet që i duheshin treguar duke i parë vetë me sy dhe në mënyrë ngopëse, për të na i përcjellë neve gjërat që i besojmë si të fshehta, si vëzhgime të tij, për më tepër, për ta parë Allahun dhe për të na thënë neve “është” duke u mbështetur te vëzhgimi i vet, për t’i parë dhe njoftuar botën engjëllore, engjëjt, Xhennetin dhe Xhehennemin; pasi e soditi Xhennetin, me një orë soditje të të Cilit nuk mund të barazohen një mijë vjet jetë të tokës dhe pasi u nderua me vëzhgimin e Bukurisë hyjnore, me një çast vëzhgimi të së cilës nuk mund të barazohet jeta parajsore, Profeti u kthye në tokë në një kohë kur mbi të provoheshin të gjitha llojet e torturave ndërsa ai përpiqej t’i kuptonte dhe t’ua tregonte edhe të tjerëve të gjitha të vërtetat e çështjeve që kishin lidhje me Kur’anin dhe cilësitë e tij metaforike, kuptimet dhe urtësitë e adhurimeve, ta plotësonte detyrën e tij profetike për ta shpëtuar ummetin, bashkësinë e tij nga errësira e për ta nxjerrë në dritë. Duke u kthyer në tokë, Profeti ka sjellë edhe namazin si dhuratë për muslimanët. Kaq mundëm të thoshim gjer këtu për këtë mrekulli ose një tërësi mrekullish. Hollësitë janë në veprat e ndritshme të hadithit.

Në fund të periudhës njëmbëdhjetëvjeçare të pejgamberisë në Mekë, në vitin 621 dhe, sipas pikëpamjes së pranuar, natën e njëzetegjashtë që lidh natën e njëzeteshtatë të muajit Rexheb, Muhamedi (a.s.), me urdhrin e ardhur nga Allahu i Lartë, është dërguar natën nga Mesxhidi Harami, që i themi “Qabe” e që ndodhet në qytetin e Mekës, në Mesxhidi Aksa në Kuds (Jerusalem). Ky dërgim quhet “Isra” që do të thotë “udhëtim natën”. Dhe prej këtu, është ngjitur në qiell, në mjedise të larta hyjnore duke parë shumë shenja e argumente që tregojnë fuqinë dhe madhështinë e të Vërtetit. Kjo ngjitje apo lartësim quhet “Miraxh” dhe i gjithi ky udhëtim është bërë me trup dhe me shpirt nga Profeti (a.s.).

Historiku i Israsë dhe Miraxhit

Në një natë kur Profeti po flinte në një pjesë të Qabesë, i vjen kryengjëlli Xhibril. Ai i hap gjoksin Profetit dhe pasi e lan zemrën e tij me ujin zemzem, e vendos përsëri në vend. Më pas Profeti hip në një kafshë me ngjyrë të bardhë që ishte më e vogël se mushka dhe më e madhe se gomari. Ai ishte Buraku. Fjala “Burak” vjen prej fjalës “berk”, që do të thotë vetëtimë. Distanca e hapit të tij ishte tej largësisë së shikimit. Muhamedi (a.s.) në shoqërimin e Xhibrilit mbërrin në tempullin e Jerusalemit, ku i prin si imam në namaz të gjithë profetëve të Zotit. Më pas fillon ngjitjen në qiell duke iu zbuluar të gjitha sekretet dhe misteret hyjnore të gjithësisë lëndore dhe shpirtërore. Profetit (a.s.) i prezantohen tri gota; një me ujë, një me sherbet dhe një me qumësht. I dërguari i Allahut zgjodhi dhe piu atë me qumësht. Xhibrili i tha: “Qumështi përfaqëson natyrshmërinë tënde dhe të umetit tënd”. Profeti tregon që Xhibrili u ngjit me mua në qiellin e parë dhe kërkoi që ata të hapen. Një zë e pyeti “Kush je ti?” dhe ai iu përgjigj: “Jam unë, Xhibrili”. Zëri e pyeti përsëri: “Kush është me ty?” dhe ai iu përgjigj: “Muhamedi”. Pastaj ai e pyeti përsëri. “A është koha e shpalljes?” Dhe ai iu përgjigj që ishte. Qielli u hap për ne dhe ja ku pashë Ademin, i cili më uroi mirëseardhjen dhe u lut për të mirën time.

Hadithi vazhdon duke përshkruar Profetin e dashur dhe Xhibrilin duke u ngjitur lart. Në qiellin e dytë ata takuan Isain dhe Jahjanë. Në qiellin e tretë ata takuan Jusufin, simbolin e bukurisë. Profeti Idriz i përshëndeti ata në qiellin e katërt. Në të pestin ishte Haruni, në të gjashtin Musai dhe në të shtatin Ibrahimi. Secili prej tyre e përshëndeti si vëlla Muhamedin e bekuar duke u lutur për të. Kur arriti në sferën më të lartë të Sidretu’l-Muntehasë, Xhibrili u ndal duke i thënë Profetit se deri aty ishte kufiri i tij.

Profeti Islam vazhdon më tej i vetëm dhe paraqet para Zotit përshëndetjen e njohur si Et-Tehijatu, të cilën e këndojmë kur jemi ulur në namaz. “Përshëndetjet, respekti, lavdia dhe zotërimi i takon Allahut (xh.sh.)”. Allahu i plotfuqishëm urdhëroi: “Shpëtimi, mëshira dhe bekimi i Zotit janë për ty, o Profeti Im!” I dërguari i Allahut shtoi: “Shpëtimi qoftë për ne dhe për njerëzit e sinqertë të Zotit!” Atëherë, e gjithë bota engjëllore, njëzëri shqiptoi maksimën e dëshmisë, duke dëshmuar njësimin e Allahut të lavdëruar si dhe Muhamedin si rob dhe të dërguarin e Tij.

Këtu profetit i jepen dymbëdhjetë principet e Islamit, që përmenden në ajetet 22-39 të sures Isra:

  1. Mos i bëni ortak Allahut.
  2. Respektoni dhe bindjuni prindërve.
  3. Jepuni te drejtën që u takon të afërmve, të varfërve dhe udhëtarëve.
  4. Mos shpërdoroni. Mos jini koprracë e as dorëlëshuar.
  5. Mos i vrisni fëmijët nga frika e varfërisë.
  6. Mos iu afroni imoralitetit.
  7. Mos vrisni njeri me pa të drejtë.
  8. Mos abuzoni me pasurinë e jetimit.
  9. Mbani premtimet.
  10. Mos u shmangni prej drejtësisë në matje e peshim.
  11. Mos ndiqni atë për të cilën nuk keni dijeni dhe përmbahuni nga pohimet e pabaza dhe hamendjet.
  12. Shmanguni nga mburrja dhe mendjemadhësia.

Profeti Muhamed (a.s.) teksa kthehej nga Miraxhi tek populli i tij plot me dhurata, u shpreh: “Unë s’kam parë ndonjëherë gjë më të bukur se Miraxhi”. Dhuratat ishin:

– Umetit të Muhamedit iu premtua që herët a vonë ata që s’i kanë bërë ortak Zotit, pasi të shpaguajnë gjynahet do të shkojnë në Xhenet.

-Pesë kohët e namazit. Natyrshëm, takimet e rëndësishme kanë edhe mesazhe madhore për krijesën njerëzore. Allahu urdhëroi faljen e 5 vakteve namaz, si akti më i përsosur, më i plotë, më universal dhe më harmoniku për t’i dhënë vlerën e duhur dëshmisë (shehadetit) “Nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij!” Namazi është përkufizuar si shtylla e fesë. Ai është i vetmi adhurim i obliguar drejtpërdrejtë nga Allahu. Pejgamberi Muhamed (a.s.) e ka cilësuar namazin si “Miraxhi i besimtarit”, d.m.th. namazi është veprimi që i mundëson gjithkujt të përjetojë lartësimin shpirtëror. Namazi është forma më e përkryer për t’i shprehur mirënjohjen dhe falënderimet Allahut Mëshirëplotë. Namazi është ngritje, afrim te Allahu. Profeti Muhamed shpesh theksonte se në namaz gjente kënaqësinë më të madhe, se namazi për të paraqet çastet më të lumtura, më admiruese, më të gëzuara, më të qeta dhe më entuziaste…” “Përmes namazit, duke u lidhur me Burimin e Fuqisë, njeriu shpirtërisht forcohet dhe freskohet.” “Namazi është prehja e shpirtit, shëtitja e ndërgjegjes … Namazi është … ndriçim ritmik i jetës shpirtërore të njeriut.” Namazet e falura me ndjenjën e ihsanit, adhurimin sikur ti e shikon Zotin, edhe nëse ti nuk e shikon Atë, Ai të sheh ty. Hadithi shpjegon se si Allahu e urdhëroi Profetin që namazi duhej të falej pesëdhjetë herë në ditë nga çdo mysliman, burrë apo grua. Gjatë rrugës së kthimit, ai takoi Musain, i cili i thotë se njerëzit nuk mund të kryenin kaq shumë. Ai me përulësi u rikthye disa herë në prezencë të Allahut derisa numri u zvogëlua në pesë. I Dërguari i Allahut do të shprehej më vonë se “Namazi është Miraxhi i besimtarit”.

-Kishte sjellë nga kjo gosti hyjnore dy ajetet e fundit të sures Bekare të njohura si “Ameneresulu…” Në ajetin e parë tregohen me radhë kushtet e besimit si dhe urdhërohet besimi në të gjithë pejgamberët dhe librat që u janë zbritur atyre duke treguar kështu një tolerancë të jashtëzakonshme. Gjatë gjithë historisë myslimanët janë mbështetur në këtë ajet, duke demonstruar paqe dhe drejtësi ndaj jomyslimanëve. Në vargun e fundit tregohet që askujt nuk i ngarkohet një barrë përtej mundësive të tija dhe çdokush e jeton Islamin në bazë të mundësive, fuqisë dhe kapacitetit që posedon.

Rrëfimi i mësipërm i prezantuar në përmbledhjen e haditheve të Imam Buhariut, përbën momentin kulmor të kauzës profetike. Dhe meqenëse Muhamedi (a.s.) është “Vula e të Dërguarve” dhe profeti i fundit, myslimanët besojnë se ky është momenti kulmor i historisë së shenjtë. Është mbresëlënës për shembull fakti se Miraxhi i Profetit mori udhë në një drejtim që bashkon Mekën me Jerusalemin. Ndaj profeti i fundit, pasardhës i Ismailit, në momentin më të lartë të kauzës së tij, u bë urë lidhëse mes këtyre dy vendeve. Është e qartë se misioni i tij është mbyllja e të çarave midis dy degëve më të mëdha të familjes së Ibrahimit. Feja e re e prezantuar për herë të parë në Mekë, ishte për nderim e jo për përçmimin e vendeve dhe simboleve të profetëve të tjerë dhe epokave të tjera. Jo vetëm vendet, por edhe njerëzit duhet të përfshihen në këtë përqafim.

S’ka dyshim se Kurani është fjala e Zotit dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij. Allahu është ligjvënësi Absolut, Ai e di të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e kozmosit e të njeriut. E, për ta orientuar drejt njeriun, i dha Librin e Qartë-Kuranin. “Ai është plot argumente të qarta në zemrat e atyre që u është dhënë dituria. E, argumentet Tona nuk i mohon kush, përveç të shfrenuarve.”

Nje pjese e shkeputur nga Mevludi Sherif I Hafiz Ali Ulqinakut:

Eja ndigjo, ndër qiellna si është ngjitë,

N’qofsh ashik, n’zjarrm t’ashkut mos u digj!

Sa çel e mbyll sytë, menjëherë ai Padisha,

N’Kudsi Sherif erdh, ia mbrrini e pa.

Shpirtrat e pejgamberëve gjithë kur e panë,

Para i dolën dhe shumë ikram i banë.

 

Doli në mihrab, të gjithë tabi iu banë,

Gjithë atyne iu prini e iu bë imam.

Zoti urdhënoj e tha t’vijn me pa,

Arsh e Qyrs, hem edhe Mue, ja Mustafa!

Ty të kallzon sonte gjithë çka jeretisë,

Dhe të diftohet Xhemali i Perëndisë.

 

zell.al