Lexo PDF

 

Me Emrin e Tij, të Cilit i takon lavdërimi! Dhe s’ka gjë që të mos e lëvdojë lartësinë e Tij.”[1] Paqja qoftë mbi ju si dhe mëshira dhe bekimet e Zotit përgjithmonë e përjetë.

Vëllezërit e mi të dashur!..

Ju e njoftuat Hafiz Shamliun[2] që të më thotë dy gjëra, dy çështje:

E para: “Ashtu si shtiracakët në kohët e hershme, njerëzit e çudhëzimit të kohëve moderne gjithashtu e bëjnë martesën e Profetit a.s.m. me Zejneben një pretekst për kritikë, duke e konsideruar atë se ishte një martesë për të kënaqur dëshirat epshore të nefsit.”

Përgjigjja: Ruajna Zot, njëqind mijë herë!.. Dora e dyshimeve të tilla të neveritshme nuk mund ta arrijë atë pozitë të lartësuar nderi! Po, ai ishte i tillë, sa që nga mosha pesëmbëdhjetë vjeç deri në moshën dyzet kur gjaku ishte i ndezur, shumë i gjallë dhe pasionet e nefsit ishin të ndezura, ai u mjaftua dhe ishte i kënaqur me një grua të vetme, gati e moshuar, e cila ishte Hatixheja e Madhe, Zoti qoftë i kënaqur me të, dhe u karakterizua nga një dëlirësi e pastërti e plotë, ashtu siç është rënë dakord me unanimitet si nga miqtë ashtu edhe nga armiqtë. Atëherë, pasja e tij disa gra pas moshës dyzet, domethënë, kur nxehtësia trupore shugatet e bie dhe kur pasionet qetësohen e fashiten, është një dëshmi që provon në mënyrë vendimtare dhe të vetëkuptueshme, madje edhe për ata që janë pak të paanshëm se ato martesa të tilla nuk ishin për të kënaqur  dëshirat epshore sensuale, por ato martesa bazoheshin mbi shembuj të tjerë të rëndësishëm urtësie.

Njëri nga ato shembuj urtësie është ky: Fjalët e Profetit, veprat e tij, gjendjet, sjellja dhe punët  janë burimet  e fesë dhe të Sheriatit, si dhe autoriteti për urdhëresat e tij. Sahabët e nderuar, Zoti qoftë i kënaqur me ta i transmetuan këto rregulla e veprime që lidhen me aspektin e jashtëm të jetës së tij, a.s.m.. Ndërsa transmetueset dhe rrëfyeset e gjërave private të fesë dhe të urdhëresave të Sheriatit, të cilat u shfaqën nga sjellja e tij private në sferën e tij personale, ishin gratë e tij të dëlira dhe, ato, në fakt, e zbatuan atë detyrë. Ndoshta gjysma e çështjeve private dhe e urdhëresave të fesë erdhën nga ato. Domethënë, disa grave të temperamenteve të ndryshme iu kërkua që ta kryenin këtë detyrë të domosdoshme.

Tani le ta marrim në shqyrtim martesën e tij me Hazreti Zejneben. Në lidhje me vërsetin,

“Muhammedi nuk është babai i ndonjë burri prej jush, por ai është i Dërguari i All-llahut dhe vula (i fundmi) i Pejgamberëve.”[3], i cili është njëri nga shembujt e dhënë në Rrezen e Tretë të Dritës së Parë në Fjalën e Njëzet e Pestë, është shkruar se, me aspektet e tij të shumta, një vërset i vetëm tregon kuptime të përshtatshme për shkallët e të kuptuarit të të gjithë njerëzve.

Pjesa e të kuptuarit e një klase prej njerëzve nga ky vërset Kur’anor është ky: Sipas një rrëfenje të saktë dhe të mbështetur nga vetë pranimi i tij, Zejdi r.a., shërbëtori i Profetit fisnik, të cilit Profeti a.s.m. i adresohej duke i thënë “o biri im”, e divorcoi gruan e tij krenare e fisnike për shkak se ai nuk e gjeti vetveten të barabartë me të. Domethënë, me perceptueshmërinë e tij, Zejdi kuptoi se Hazreti Zejnebi ishte krijuar me një karakter të lartë të ndryshëm me të tijin dhe se ajo ishte me natyrën për të qenë gruaja e Profetit a.s.m.. Dhe meqenëse ai e gjeti vetveten të jetë nga natyra i pabarabartë me të si bashkëshort, gjë e cila shkaktoi papajtueshmëri shpirtërore dhe mospërputhje, ai e divorcoi atë. Me urdhrin e All-llahut xh.sh., Profeti i Nderuar a.s.m. e mori atë. Domethënë, ashtu siç tregohet nga vërseti,

 “Ne ta dhamë ty atë në martesë.”[4], duke treguar se ajo ishte një lidhje qiellore, ishte një lidhje martesore e jashtëzakonshme dhe mbi lidhjet e jashtme të njohura, sepse ishte me urdhrin e Kaderit Hyjnor.

Kështu, Profeti i Nderuar a.s.m. iu nënshtrua dekretit të Paracaktimit Hyjnor dhe u detyrua të vepronte kështu; ajo nuk ishte nga dëshira e nefsit të tij. Vërseti,

Kështu që (në të ardhmen) të mos ketë vështirësi për besimtarët në lidhje me (martesën me) bashkëshortet e fëmijëve të birësuar”[5], tregon një çështje të rëndësishme të sheriatit, një shembull të përgjithshëm urtësie dhe një dobi gjithëpërfshirëse të vlefshme që ka të bëjë me këtë dekret të Paracaktimit Hyjnor dhe, tregon se të rriturit, të mëdhenjtë, duke i thirrur të vegjëlit: “O biri im” Nuk është haram, e ndaluar, pasi kjo nuk i ndryshon dekretet ashtu si në rastin kur bashkëshorti i thotë gruas së tij: “Ti je si nëna ime”, në çështjen e “Dhiharit”.

Gjithashtu, sundimtarët duke i shikuar nënshtetasit, dhe profetët duke i shikuar komunitetet e tyre dhe duke iu adresuar atyre në një mënyrë atërore, si baba, është për shkak të funksionit të profetësisë; ajo nuk është në lidhje me personalitetet e tyre njerëzore deri sa që duhet të qenka e papërshtatshme për ta që të marrin bashkëshorte prej tyre.

Pjesa e të kuptuarit e një klase tjetër nga ky vërset Kur’anor është kjo:

Një sundimtar i madh i shikon nënshtetasit e tij me dhembshuri atërore. Në qoftë se ai është një monark shpirtëror që sundon si në anë të jashtme ashtu dhe në anë të brendshme, atëherë meqenëse dashuria e tij kalon njëqind herë më shumë përtej asaj të babait, nënshtetasit e tij e shikojnë atë si baba dhe e shikojnë vetveten si djemtë e tij të vërtetë. Shikimi i babait nuk mund të transformohet në atë të një bashkëshorti, dhe shikimi i vajzës nuk mund të transformohet lehtë në shikimin e një bashkëshorteje, kështu në këndvështrimin e përgjithshëm, martesa e Profetit a.s.m. me vajzat e besimtarëve do të dukej e papërshtatshme.

Dhe me qëllimin e hedhjes poshtë të një dyshimi të tillë, Kur’ani thotë: “Profeti a.s.m. sillet me mirësi ndaj jush me syrin e mëshirës Hyjnore dhe ju trajton në mënyrë atërore. Në emrin e Profetësisë së tij ju jeni si fëmijët e tij, por në lidhje me personin e tij njerëzor, ai nuk është babai i juaj, saqë martesa e tij me vajzat tuaja të jetë e papërshtatshme. Edhe në qoftë se ai ju thërret: “O bijtë e mi, o fëmijët e mi!” Ju nuk jeni fëmijët e tij, sipas rregullave të sheriatit..”.

I Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!

Said Nursi

* * *

 

[1] Kur’an, 17: 44

[2] Njëri nga studentët e parë të Risale-i Nurit, emri i tij i vërtetë ishte Teufik Gosku. Ai njihej si Shamli meqenëse kishte jetuar në Damask për njëzet vjet, ku babai i tij kishte qenë një oficer në ushri. Ai u lind në Barla.më 1887, dhe vdiq atje në 1965.

[3] Kur’an, 33: 40

[4] Kur’an, 33: 37

[5] Kur’an, 33: 37

Leave a Reply