Lexo PDF

 

“Me Emrin e Tij, të Cilit i takon lavdërimi! Dhe s’ka gjë që të mos e lëvdojë lartësinë e Tij.”[1]

Vëllai im i dashur!

Pyetja jote e parë: Përse sahabët e Profetit a.s.m. nuk i zbuluan ngatërrestarët –korruptuesit– me syrin e shenjtërisë, saqë u shkaktua që tre nga katër kalifët e drejtë të martirizoheshin? Sepse dihet që sahabët më të vegjël janë më të mëdhenj se evlijatë më të mëdhenj?

Përgjigjja: Ndodhen dy Stacione në këtë çështje.

˜ STACIONI I PARË:

Kjo pyetje zgjidhet duke shpjeguar një mister të hollë të shenjtërisë, siç vijon:

Shenjtëria e sahabëve, e njohur si shenjtëria më e madhe, është një shenjtëri e cila buron nga trashëgimia e profetësisë dhe, duke kaluar drejtpërdrejtë nga e jashtmja për tek realiteti pa udhëtuar në rrugën e ndërmjetme, ajo është një shenjtëri që orientohet e shikon tek zbulimi i “afërsisë së menjëhershme Hyjnore”. Megjithëse kjo rrugë e shenjtërisë është shumë e shkurtër, ajo është tej mase e lartë. Ndodhitë e jashtëzakonshme- janë të pakta, por veçoritë dhe virtytet e saja janë shumë të larta. zbulesat dhe kerametet hasen rallë në të. Për më tepër, kerametet e evlijave në të shumtën e rasteve janë të pavullnetshme; kerametet shfaqen prej tyre në mënyrë të paparashikuar si një dhuratë Hyjnore. Dhe shumica e këtyre ndriçimeve dhe e kerameteve ndodhin gjatë udhëtimit të tyre shpirtëror, kur ata kalojnë botën e ndërmjetme të tarikatit Sufi; ata i shfaqin këto gjendje të jashtëzakonshme sepse ata  janë tërhequr deri diku nga humanizmi i zakonshëm, nga shancet e gjendjeve njerëzore. Sa për sahabët, për shkak të reflektimit, tërheqjes dhe elikzirit të shoqërimit të profetësisë, ata nuk qenë të detyruar të kalonin sferën e gjërë të udhëtimit shpirtëror që është i pranishëm në tarikatin Sufi. Ata ishin të aftë të kalonin nga e jashtmja për tek realiteti me një hap të vetëm, nëpërmjet një bisedimi me Profetin.

Për shembull, ndodhen dy rrugë për ta arritur Natën e Kadrit, në qoftë se ajo ishte nata e mbrëmshme që kaloi:

Njëra është të udhëtosh e të bredhësh për një vit dhe kështu të vish tek ajo natë; njeriu duhet të përshkojë distancën e një viti me qëllim që ta fitojë këtë afërsi Hyjnore. Kjo është rruga e atyre që marrin rrugën e udhëtimit shpirtëror, të cilën e marrin shumica e atyre që ndjekin tarikatin Sufi.

E dyta është të rrëshqasësh, të jesh i përjashtuar dhe të zhvishesh nga këllëfi i trupësisë, i cili është i kufizuar nga koha, dhe të ngjitesh në shpirt dhe ta shohësh natën e Kadrit, që ishte mbrëmë, së bashku me natën e “E’idit” e festës së Fitër Bajramit që është pasnesër, si të ishin prezente si sot, sepse shpirti nuk është i kufizuar nga koha. Kur ndjenjat njerëzore ngjiten tek niveli i shpirtit, koha e tanishme shtrihet e zgjerohet. Koha që është e shkuara dhe e ardhmja për të tjerët, është si e tashmja për një njeri të tillë. Dhe kështu, sipas këtij krahasimi, me qëllim që të arrihet Nata e Kadrit, që ishte mbrëmë, njeriut duhet të ngjitet tek niveli i shpirtit dhe ta shikojë të shkuarën sikur ajo të ishte e tashmja.

Baza e këtij misteri të errët është zbulimi i afërsisë së menjëhershme Hyjnore. Për shembull, dielli është afër nesh, sepse drita e tij, nxehtësia dhe imazhi janë prezent në pasqyrën tonë dhe në dorën tonë. Por ne jemi larg tij. Në qoftë se ne do ta perceptonim afërsinë e tij nga pikëpamja e dritësisë dhe të kuptonim lidhjen tonë me imazhin e tij në pasqyrën tonë, i cili është një shëmbëllesë; në qoftë se ne do ta njihnim atë me atë mjet ndërmjetësues dhe do të njihnim realitetin e dritës së tij, të nxehtësisë dhe tërësinë e tij, atëherë afërsia e tij e menjëhershme na zbulohet ne dhe e njohim atë si të afërt me ne dhe bëhemi të lidhur me të. Në qoftë se dëshirojmë të afrohemi afër tij dhe ta njohim atë nga pikëpamja e largësisë sonë prej tij, ne do të detyroheshim të bënim një udhëtim shumë të madh me mendje e mendim, me qëllim që nëpërmjet mendimit dhe ligjeve të shkencës, ne mund të ngjitemi në qiejt me mendim dhe ta përfytyronim prej andej diellin dhe, nëpërmjet një hetimi të zgjatur shkencor, ne mund ta kuptojmë dritën dhe nxehtësinë në natyrën e tij dhe shtatë ngjyrat në dritën e tij. Vetëm pas kësaj ne mund të arrijmë tek afërsia jolëndore me të, ashtu si shembulli i njeriut të parë i cili e arriti me një mendim të vogël nëpërmjet pasqyrës së tij.

Kështu, si ky krahasim, shenjtëria në profetësi dhe në trashëgiminë e profetësisë shikon tek misteri i zbulimit të afërsisë së menjëhershme Hyjnore. Shenjtëria tjetër vazhdon kryesisht mbi bazën e afrimitetit Hyjnor, dhe detyrohet të kalojë shkallë të shumta në udhëtimin shpirtëror para se të arrijë në Mekamin -stacionin- e kërkuar.

˜ STACIONI I DYTË

Ata të cilët ishin shkaku i atyre ngjarjeve dhe që shkaktuan trazirat nuk përbëheshin vetëm nga një numër i vogël çifutësh që duke i zbuluar do të mund të ndalohej ajo trazirë e revoltë, sepse me hyrjen në Islam të njerëzve të shumtë të ndryshëm, rryma të shumta dhe ide të cilat ishin kontradiktore dhe në kundërshtim me njëra-tjetrën e kishin ngatërruar situatën. Në mënyrë të veçantë meqenëse krenaria kombëtare e disave prej tyre kishte marrë plagë të rënda nga goditjet e fuqishme të Hazreti Umerit r.a., ata po prisnin rastin për të marrë hakun e tyre, sepse edhe feja e tyre e vjetër ishte anuluar, shfuqizuar dhe u bë e pavlefshme, edhe sundimi i tyre i vjetër dhe sovraniteti, burimi i krenarisë së tyre, u shpartallua. Me dashje apo pa dashje, me vetëdije apo pa vetëdije, ata ishin emocionalisht me mallëngjim në favor të marrjes hak ndaj kalifatit Islam në fuqi. Dhe prandaj u tha se disa hipokritë të zgjuar intrigantë e komplotues, si çifutët, e shfrytëzuan atë gjendje shoqërore. Domethënë, do të kishte qenë e mundur të parandaloheshin ato ngjarje nëpërmjet reformimit të jetës sociale dhe të ideve të ndryshme të asaj kohe.

Ato ngjarje nuk do të mund të ndaloheshin vetëm duke zbuluar një ose dy ngatërrestarë intrigantë.

Në qoftë se thuhet: Përse Hazreti Umeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, nuk e pa vrasësin e tij, Firuzin, i cili ishte afër tij, me atë shikim depërtues të shenjtërisë së tij, në një kohë që ai ndërsa ishte në predikatore i tha njërit prej komandantëve të tij të quajtur Sarija, i cili ishte larg tij në një distancë njëmujore:  “O Sarija, o Sarija! Mba anës së malit! Mba anës malit!” Duke e bërë Sarijan të dëgjojë dhe në një mënyrë të jashtëzakonshme me keramet shkaktoi një fitore strategjike ushtarake- gjë që tregon se sa depërtues ishte shikimi i tij?

Përgjigjja: Ne përgjigjemi me përgjigjen që dha Hazreti Ja’kubi a.s.[2]. Domethënë Hazreti Ja’kubi a.s. u pyet: “Si e kape dhe e ndjeve erën e këmishës së Jusufit nga Egjipti, në një kohë që ti nuk e shikove atë në pusin pranë teje në tokën e Kaneanit?” Ai u përgjigj: “Gjendjet tona janë si shkreptima -rrufeja; ndonjëherë ajo shfaqet dhe ndonjëherë fshihet. Ndonjëherë është sikur të ishim ulur në vendin më të lartë dhe mund të shohim kudo gjithandej, dhe ndonjëherë tjetër ne nuk mund të shohim madje as anën e sipërme të këmbës sonë.”

Shkurtazi: Sado të veprojë njeriu me zgjedhje, me dëshirë, përsëri në përputhje me vërsetin:

“Por ju nuk mund të dëshironi, veçse po deshi All-llahu.”[3]

Dëshira Hyjnore është themelore, Kaderi Hyjnor është mbisundues dhe dëshira Hyjnore e kthen prapa dëshirën njerëzore.

Kjo mbështet thënien:  “Kur vjen Kaderi, verbohet syri”,“Në qoftë se flet Kaderi Hyjnor, fuqia njerëzore nuk mund të flasë, zgjedhja e njeriut -vullneti i lirë- rri i heshtur.

Kuptimi i pyetjes suaj të dytë: Cila ishte natyra e luftërave që nisën në kohën e Hazreti Aliut r.a.,? Në çfarë mënyrë do t’i përshkru-anim ne ata që morën pjesë në to, ata që vdiqën dhe ata që u vranë?

Përgjigjja: Lufta u quajt “Ngjarja e Devesë” ndërmjet Hazreti Aliut dhe përkrahësve të tij nga njëra anë dhe, ndërmjet Hazreti Talhasë, Hazreti Zubejrit dhe Aishes (Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë) nga ana tjetër. Ajo ishte një betejë midis thjesht “drejtësisë së pastër” dhe “drejtësisë relative”. Ajo ishte sa vijon:

Hazreti Aliu mori “drejtësinë e pastër” si bazë në drejtimin e tij të kalifatit dhe, sipas ixhtihadit të tij, ai veproi mbi atë bazë, ashtu siç ishte rasti në kohën e kalifëve Ebu Bekrit dhe Umerit. Ndërsa kundërshtarët e tij thanë: Në atë kohë pastërtia e Islamit e lejonte drejtësinë e pastër, por meqenëse me kalimin e kohës njerëz të ndryshëm, islami i të cilëve ishte i dobët, kishin hyrë në jetën islamike shoqërore, të zbatuarit e drejtësisë së pastër do të ishte jashtë mase e vështirë. Për këtë arsye ixhtihadi i tyre duhej të vepronte mbi bazën e ‘Drejtësisë relative’, e njohur si ‘më e vogla e dy të këqijave’. Diskutimi dhe grindja mbi interpretimin e ligjit çoi në luftë midis dy grupeve, meqenëse interpretimet qenë thjesht dhe vetëm për hir të All-llahut xh.sh. dhe për dobinë e Islamit, dhe lufta u shkaktua nga interpretimi i ligjit –ixhtihadi–, ne sigurisht mund të themi se, si ata që vranë po ashtu edhe ata që u vranë fituan Parajsën dhe të dy grupet vepruan me të drejtë.

Pavarësisht se interpretimi i Hazreti Aliut ishte i saktë dhe, sado shumë të ishin në gabim ata që e kundërshtuan atë, ata përsëri nuk meritonin ndëshkim, sepse në qoftë se dikush i cili interpreton ligjin e shenjtë -bën ixhtihad- e gjen të vërtetën, ai përsëri do të fitojë një shpërblim, sevabin e përpjekjes për ixhtihad (interpretimin e sheriatit), gjë e cila është një formë adhurimi; atij i falet gabimi.

Një dijetar i shquar i cili është shumë i mirënjohur midis nesh dhe që flet të vërtetën, shkroi në gjuhën Kurdishte:

Mos llomotit rreth luftës ndërmjet sahabëve, sepse si vrasësi ashtu edhe i vrari ishin caktuar për Parajsë.”

Sa për ndryshimin midis ‘Drejtësisë së pastër’ dhe midis ‘Drejtësisë relative’, kjo mund të shpjegohet kështu: Në përputhje me kuptimin aludues -të nënkuptuar- të vërsetit,

“Nëse ndokush vret dikë jo për shpagim vrasje apo për krime në tokë (pra vrasje të padrejtë), do të ishte sikur të kishte vrarë krejt njerëzimin,”[4]  të drejtat e një njeriu të pafajshëm nuk mund të shfuqizohen për hir të të gjithë njerëzve. Një individ i vetëm nuk mund të sakrifikohet për të mirën e të gjithëve. Në këndvështrimin e mëshirës së Zotit të Gjithëfuqishëm, e drejta është e drejtë, nuk ka ndryshim midis të madhit dhe të voglit. I vogli nuk mund të anulohet, të shfuqizohet për të madhin. Pa miratimin e tij, jeta dhe të drejtat e një individi nuk mund  të sakrifikohen për të mirën e xhematit, komunitetit. Në qoftë se ai pranon t’i sakrifikojë ato në emrin e patriotizmit, atdhedashurisë, ajo është një çështje tjetër.

Sa për “Drejtësinë relative,” një pjesë e veçantë sakrifikohet për të mirën e të përgjithshmes, kjo drejtësi nuk e merr në konsideratë të drejtën e një individi për hir të komunitetit, përballë komunitetit. Një lloj i drejtësisë relative është përpjekja për të zbatuar si ‘më të voglën e dy të këqijave’. Por në qoftë se do të ishte e mundur të zbatohej ‘drejtësia e pastër’, nuk duhet bërë përpjekje për të arritur në drejtësinë relative; sepse nëse do të bëhej përpjekja për të arritur tek kjo, do të ishte padrejtësi.              

Kështu, Imam Aliu, All-llahu qoftë i kënaqur me të, tha: “Drejtësia  e pastër mund të zbatohet, ashtu siç ishte në kohën e kalifëve Ebu Bekrit dhe Umerit.” Kështu ai bëri përpjekje për ta ngritur kalifatin Islam mbi atë themel të drejtësisë së pastër. Ndërsa, kundërshtarët e tij thonin se kjo ‘drejtësi e pastër’ nuk mund të zbatohej, meqë ndodhen shumë pengesa dhe vështirësi të mëdha që shfaqen gjatë zbatimit të saj,” prandaj ixhtihadi i tyre -interpretimi i tyre i ligjit të shenjtë- duhej të vepronte me ‘drejtësinë relative’. Sa për arsyet e tjera që tregohen nga historia, ato nuk janë arsye të vërteta, ato janë pretekste.

Në qoftë se thua: “Cila është arsyeja që Imam Aliu nuk pati sukses lidhur me kalifatin Islamik në krahasim me paraardhësit e tij, pavarësisht aftësive të tij të jashtëzakonshme për të drejtuar, zgjuarsisë së rrallë e të jashtëzakonshme dhe meritës së tij të madhe për pozitën e kalifit?”

Përgjigjja: Imam Aliu, ai personalitet i bekuar, ishte më i vlefshëm për të kryer misione e detyra të mëdha e të rëndësishme përveç politikave dhe sundimit. Në qoftë se ai do të kishte qenë krejtësisht i suksesshëm në politika e në qeverisje, ai nuk do të kishte qenë i aftë të fitonte me të vërtetë titullin “Prijësi i Shenjtërisë”. Kurse me një synim shpirtëror ai fitoi duke tejkaluar jashtë mase kalifatin e jashtëm dhe politik dhe u bë si Profesori i të gjithëve; në fakt, sundimi i tij shpirtëror do të vazhdojë madje deri në fundin e botës.

Sa për konfliktin e Hazreti Imam Aliut me Hazreti Muavijën në Siffin, ajo ishte një luftë mbi kalifatin dhe sundimin. Domethënë, duke i marrë urdhëresat e fesë, të vërtetat e Islamit dhe Ahiretin si baza, Hazreti Imam Aliu sakrifikoi disa nga ligjet e qeverisjes dhe disa kërkesa të pamëshirshme e mizore të politikave për hir të atyre të vërtetave dhe urdhëresave. Ndërsa Hazreti Muavija dhe përkrahësit e tij e lanë mënjanë Azimetinvendosmërinë’ dhe miratuan e favorizuan Ruhsatin ‘lejueshmërinë’ me qëllim që të forcojnë jetën shoqërore islame me politikat e tyre të qeverisjes; ata e pandehën vetveten se ishin të detyruar të vepronin në këtë mënyrë për shkak të kërkesave politike dhe, duke preferuar e zgjedhur ‘lejueshmërinë’, ata ranë në gabim.

Sa për luftën e Hazreti Hasanit dhe Husejnit, kundra Umevijeve, ajo ishte një luftë ndërmjet fesë dhe nacionalizmit. Domethënë, Umevitët u mbështetën mbi nacionalizmin Arab për të fuqizuar shtetin Islamik, preferuan lidhjet e nacionalizmit mbi ato të Islamit dhe i dhanë përparësi nacionalizmit arab mbi të tjerët. Kështu ata shkaktuan dëm në dy drejtime:

I pari: Ata fyen e lënduan kombet e tjerë dhe i frikësuan ata.

I dyti: Meqenëse parimet e racizmit dhe të nacionalizmit nuk e ndjekin drejtësinë dhe të drejtën, ata bëjnë padrejtësi, pasi nuk janë në përputhje me drejtësinë, sepse një sundimtar me prirje raciste preferon ata të të njëjtës racë dhe nuk mund të veprojë me drejtësi, me paanësi. Sipas hadithit -dekretit- të qartë.

“Islami e shfuqizon atë që erdhi para tij. Nuk ka ndryshim midis një skllavi abisinas dhe midis një udhëheqësi të Kurejshitëve, sapo të kenë pranuar Islamin”. (Buhariu etj.)

Islami e ka shfuqizuar organizimin fisnor të periudhës së injorancës (periudhës para islamit); lidhjet e nacionalizmit nuk mund të vendosen mbi lidhjet e  fesë; nëse do të ishin, nuk do të kishte drejtësi dhe e drejta do të zhdukej.

Kështu, Hazreti Husejni i mori lidhjet e fesë si baza dhe luftoi me të drejtë kundra atyre si dikush që zbatoi drejtësinë, derisa ai fitoi rangun e martirizimit, pra ra shehid.

Në qoftë se do të thuhej: Në qoftë se Imam Husejni ishte i drejtë dhe me të drejtën, përse ai nuk qe i suksesshëm? Gjithashtu, përse Kaderi Hyjnor dhe mëshira Hyjnore lejuan që ai të kishte një fund tragjik?

Përgjigjja: Nuk ishin përkrahësit më të afërm të Hazreti Husejnit, por ata të kombeve të tjerë të cilët i ishin bashkuar komunitetit të tij, dhe për shkak të krenarisë së tyre nacionale të plagosur, ata ushqyen ndjenjat e hakmarrjes ndaj kombit Arab, ata i shkaktuan dëm mënyrës dhe metodës së pastër e të ndritshme të Hazreti Husejnit dhe të përkrahësve të tij dhe ishin shkaku i shpartallimit të tyre.

Sa për urtësinë lidhur me fundin e tyre tragjik nga këndvështrimi i Kaderit Hyjnor, është kjo: Hasani dhe Husejni, familja e tyre dhe pasardhësit e tyre ishin caktuar për një sundim shpirtëror. Është tej mase e vështirë të bashkosh sundimin e dynjasë dhe atë sundim shpirtëror. Prandaj, kaderi Hyjnor i bëri të ndjehen të neveritur nga dynjaja, i bëri ata t’i kthejnë shpinën dynjasë; ai u tregoi atyre fytyrën e shëmtuar të dynjasë, me qëllim që të mos mbetet për ta ndonjë lidhje me zemër për dynjanë. Ata humbën një sundim të përkohshëm e sipërfaqësor, por ishin caktuar për një sundim madhështor e të përhershëm. Ata u bënë autoritetet e poleve shpirtërorë midis evlijave në vend të qënies qeveritarë të zakonshëm.

Pyetja juaj e tretë: “Cila është urtësia në fatkeqësinë tragjike dhe në trajtimin mizor që goditën ata persona të bekuar?”

Përgjigjja: Ashtu siç u shpjegua më lartë, ndodheshin tre arsye themelore që i dhanë shkas mizorisë së pamëshirshme të kundërshtarëve të Hazreti Husejnit gjatë sundimit Umevij.

Katër arsyet e përmendura lart janë arsye të jashme. Në qoftë se ne do ta konsideronim çështjen nga këndvështrimi i Kaderit Hyjnor, rezultatet që i përkasin Ahiretit, sundimit shpirtëror, dhe përparimit shpirtëror janë aq të vlefshme saqë ajo tragjedi dhe vuajtjet që hoqën konsiderohen si ngjarje të lehta e të levërdisshme. Ashtu si në qoftë se një ushtar vdes pas një torturimi që zgjat një orë dhe bëhet shehid -martir- gjë e cila e bën atë të fitojë një rang të tillë, saqë dikush tjetër do të mund ta arrinte atë vetëm në qoftë se ai do të përpiqej për dhjetë vjet. Në qoftë se ushtari do të pyetej pasi të kishte vdekur, ai do të përgjigjej se “kishte fituar jashtëzakonisht shumë për diçka të vogël e të pakët.”

Kuptimi i pyetjes tënde të katërt: Pasi Hazreti Isai (Jezusi) a.s. e vret Dexhalin në kohën e fundit, shumica e njerëzve do të hyjnë në fenë e vërtetë, por në shumë rrëfenja të tjera thuhet se “Kijameti nuk do të ndodh për sa kohë që të mbeten në tokë ata të cilët thonë, All-llah! All-llah!” (transmeton Muslimi). Atëherë si pasi shumica e njerëzve kanë hyrë në besim, a do të bëhen mosbesimtarë ata?

Përgjigjja: Ata që e kanë besimin të dobët e gjykojnë të pagjasë të ndodhë ajo çfarë rrëfehet në një hadith të saktë se “Hazreti Isai (Jezusi)  a.s.  do të vijë, do të veprojë në përputhje me Sheriatin Islam dhe do ta vrasë Dexhalin”. Por në qoftë se realiteti i rrëfenjës do të shpjegohej, nuk mbetet më asnjë arsye që ta gjykojnë atë si të pamundur. Ajo është siç vijon:

Kuptimi i shprehur nga ky hadith dhe rrëfenjat e ardhura rreth Mehdiut dhe Sufjanit, është ky: Në fundin e kohës dy rryma pafesie -ateizmi- do të fitojnë forcë:

Njëra nga ato: Nën perden e dyfaqësisë, hipokrizisë, një individ i frikshëm i quajtur “Sufjan,” i cili do të mohojë profetësinë e Muhammedit a.s.m. do të vijë për të udhëhequr hipokritët, dhe do të përpiqet të shkatërrojë sheriatin Islam. Për ta kundërshtuar atë, një individ i ndritshëm i quajtur Muhammed Mehdi nga Ehli Bejti (familja e Muhammedit a.s.m. do të vijë për të udhëhequr njerëzit e shenjtërisë e të plotësimit të cilët janë lidhur me zinxhirin e ndritshëm të Ehli bejtit dhe, ai do ta vrasë rrymën e hipokritëve, e cila do të jetë personaliteti kolektiv i Sufjanit, dhe do ta shkatërrojë atë.

Rryma e dytë: Një rrymë tiranizuese e shkaktuar nga filozofia natyraliste dhe materialiste do të bëhet e fortë gradualisht dhe do të përhapet në fundin e kohës nëpërmjet filozofisë materialiste, duke arritur në një shkallë të tillë saqë të mohojë Zotin xh.sh.. Një injorant -njeri barbar- i cili nuk e njeh mbretin ose nuk pranon se oficerët dhe ushtarët në ushtri janë ushtarët e tij, ia përshkruan një lloj pushteti mbretëror dhe sundimi çdo gjëje dhe të gjithë ushtarëve. Në të njëjtën mënyrë, anëtarët e asaj rryme, të cilët mohojnë All-llahun xh.sh., secili i përshkruan dhe ia atribuon Hyjninë nefsit të tij si një Nimrud i vogël.

Dhe më i madhi i tyre, Dexhali, i cili do të vijë për t’i udhëhequr ata, do të manifestojë çudira të jashtëzakonshme që u ngjasojnë akteve të magjisë dhe hipnozave, madje ai do të shkojë edhe më tej. Dhe duke e imagjinuar sundimin e tij tiranik dhe sipërfaqësor si një lloj hyjnie, ai do të pretendojë për vetveten hyjninë. Ah, sa loli e çmenduri e qartë është për një njeri të pafuqishëm, i cili mund të shpartallohet nga një mizë dhe madje nuk mund të krijojë as krahun e një mize, të pretendojë hyjninë për veten e tij!

Kështu në një kohë të tillë, kur ajo rrymë duket se është shumë e fortë, feja e krishterimit të vërtetë e cila përmban personalitetin kolektiv të Hazreti Isait (Jezusit) a.s., do të shfaqet. Domethënë, ajo do të zbresë nga qiejt e mëshirës Hyjnore. Krishterimi i pranishëm do të pastrohet përballë atij realiteti; ai do t’i flakë tutje bestytnitë dhe shtrembërimet dhe do të bashkohet me të vërtetat e Islamit… Feja krishtere në efekt do të transformohet në një lloj Islami… Duke ndjekur Kur’anin, personaliteti kolektiv i krishterimit do të jetë në rangun e ndjekësit, dhe islami në rangun e udhëheqësit.

Feja e vërtetë do të bëhet një forcë madhështore e fuqishme si rezultat i këtij bashkimi, sepse në kohën kur Islami dhe krishterimi ishin të veçuara –secila më vete– të paafta përpara rrymës ateiste, ato të dyja do të jenë të afta, në sajë të bashkimit të tyre, kundra ateizmit. Atëherë, në këtë kohë, personi i Isait (Jezusit) a.s. i cili është i pranishëm me trupin e tij njerëzor në botën e qiejve, do të vijë për të udhëhequr rrymën e fesë së vërtetë. Këtë e njofton lajmëruesi i lajmeve të sigurta duke u mbështetur në premtimin e Një të Vetmi të Gjithëfuqishëm mbi gjithçka; dhe meqenëse Ai ka njoftuar, atëherë çështja është e vërtetë, nuk ka dyshim për të. Dhe meqenëse këtë e ka premtuar i Gjithëfuqishmi mbi të gjitha gjërat, pa dyshim që Ai do ta realizojë atë.

Në të vërtetë, nuk është e pamundur dhe larg urtësisë së të Gjithurtit të Vetëm të Lavdisë, i Cili vazhdimisht dërgon engjëj në tokë nga qiejt; ndonjëherë i dërgon ato në formë njerëzore (ashtu si Xhebraili që u shfaq në formën e Dihies), dhe dërgon qënie shpirtërore nga Bota e shpirtërave duke i bërë ato të shfaqen në formë njerëzore dhe, madje dërgon shpirtërat e shumicës së shenjtorëve të vdekur me shëmbëllesat e trupave të tyre në dynja, nuk do të ishte larg urtësisë së Tij edhe në qoftë se Hazreti Isai a.s. nuk do të ishte i gjallë dhe i pranishëm me trupin e tij në qiejt e botës, dhe sikur të kishte vdekur e të ishte larguar në skajin më të largët të Ahiretit, që t’i vishte përsëri atij një trup, Isait a.s. dhe ta dërgonte atë në dynja për hir të një rezultati madhështor, që ta sillte fenë e Hazreti Isait a.s. në një përfundim të mirë. Në të vërtetë, Ai e ka premtuar këtë, sepse urtësia e Tij e kërkoi atë të jetë kështu; Ai sigurisht do ta dërgojë atë.

Kur të vijë Hazreti Isait a.s., nuk është e domosdoshme që gjithësecili ta njohë atë se është Isai (Jezusi) i vërtetë. Të zgjedhurit e tij dhe ata që janë të afërt me të do ta njohin atë nëpërmjet dritës së besimit. Ai nuk do të jetë i dukshëm qartë sa që gjithkush ta njihte atë në mënyrë të vetëkuptueshme.

Pyetje: Ndodhen rrëfenja hadithesh që thonë: “Dhexhali ka një Xhennet të rremë në të cilin ai i fut ata që e ndjekin, dhe gjithashtu ka një Xhehennem të rremë  në të cilin ai i hedh ata që nuk e ndjekin. Ai madje e ka bërë njërin nga veshët e kafshës së tij si Xhenneti dhe tjetrin si Xhehennemi… Trupi i tij është me përmasa të mëdha kaq e aq…” ato e përshkruajnë Dexhalin kështu si kjo. Cila është domethënia e këtyre rrëfenjave?

Përgjigjja: Dexhali, në mënyrë të sipërfaqshme, është si një qënie njerëzore. Meqenëse ai është arrogant dhe si faraon dhe ka harruar All-llahun xh.sh., ai është një shejtan i çmendur dhe një njeri intrigues i cili e quan sundimin sipërfaqësor e tiranik hyjni. Por rryma e tij e madhe e ateizmit dhe personaliteti i tij kolektiv, të frikshme e gjigante të  Dexhalit në rrëfenjat e hadithit aludojnë për atë personalitet kolektiv. Njëherë, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë japoneze u pikturua me njërën këmbë në oqeanin Paqësor dhe me tjetrën në kalanë tek Porti Artur që ishte larg të parës dhjetë ditë largësi. Personaliteti kolektiv i atij komandanti të vogël japonez u tregua duke e pikturuar atë në këtë mënyrë.

Por, Parajsa e rreme e Dexhalit janë dëfrimet e tij joshëse, ngashënjimet dhe fantazitë e civilizimit. Kafsha e tij është një mjet transporti i ngjashëm me trenin; në njërin fund të trenit është një furrë zjarri tek e cila ndonjëherë flaket në të ai që nuk e ndjek. Dhe veshi tjetër i asaj kafshe, domethënë, fundi tjetër është i mobiluar si Parajsa dhe ai i ul ndjekësit e tij në të. Me të vërtetë, treni është një kafshë e rëndësishme e civilizimit të shthurur e mizor, pasi sjell një parajsë të rreme për të shthururit e njerëzve të dhënë vetëm pas kësaj dynjaje, ndërsa ai, treni, për njerëzit e fesë dhe të Islamit, me dorën e civilizimit të sotëm është ashtu si Zebanitë (engjëjt) e Xhehennemit që u sjell atyre rreziqe, shkatërrim dhe varfëri.

Sigurisht, me shfaqjen e fesë së vërtetë të Krishterimit dhe me transformimin e saj në Islam, ajo do ta përphapë dritën e saj tek shumica absolute e njerëzve në botë, por kur fundi i botës të jetë i afërt, një rrymë ateiste përsëri do ta shfaqë vetveten dhe do të bëhet sunduese. Në përputhje me rregullin, “Fjala është me shumicën,” asnjë nuk do të mbetet sipër tokës që të thotë “All-llah! All-llah!..”  Domethnë, “All-llah! All-llah!..” nuk do të shprehet nga një grup i rëndësishëm i cili mban një pozitë të rëndësishme në tokë. Njerëzit e së vërtetës do të shpartallohen, por ata do të mbeten përherë deri në fundin e Botës. Vetëm se gjatë kohës që ndodh Kijameti, si një shenjë e Mëshirës Hyjnore, do t’u merren më parë shpirtrat e besimtarëve me qëllim që të mos  shikojnë tmerret e Ditës së Fundit, dhe Kijameti do të shpërthejë mbi kokat e jobesimtarëve.

Kuptimi i pyetjes suaj të pestë: A do të jenë të pikëlluar shpirtërat e pavdekshëm tek ngjarjet e Kijametit?

Përgjigjja: Ata do të jenë të pikëlluar sipas shkallëve të tyre. Ata do të pikëllohen në të njëjtën mënyrë siç pikëllohen tek manifestimet dërrmuese e zemëruese të engjëjve ndaj tyre. Ashtu si lidhur me mendjen dhe ndërgjegjjen e tij, një person preket nga gjendja e atyre që dridhen në borë dhe në të ftohtin jashtë ndërsa ai vetë është brenda  në të ngrohtë, po ashtu, meqenëse ato shpirtëra të vetëdijshëm e të qëndrueshëm janë të lidhur me universin, sipas shkallës së tyre, preken nga ngjarjet e tmerrshme të universit. Kur’ani tregon dhe aludon për ndikimin e shpirtërave duke provuar dhimbje në qoftë se ata do të jenë nga njerëzit që meritojnë ndëshkim, ndërsa në qoftë se janë nga banorët e lumturisë, ato preken nga çudia dhe admirimi dhe, madje ndjehen të gëzuar, sepse Kur’ani i gjithurtë gjithmonë i përmend ngjarjet e jashtëzakonshme të Ringjalljes në formën e kërcënimeve; ai thotë: “Ju do ta shikoni atë…”, Ndërsa ata që do t’i shikojnë ato ngjarje fizikisht janë ata njerëz të cilët do ta arrijnë Kijametin. Domethënë, shpirtërat, trupat e të cilëve janë kalbur në varret e tyre, gjithashtu kanë një pjesë të atyre kërcënimeve Kur’anore.

Kuptimi i pyetjes suaj të gjashtë: A e përfshin vërseti:

 “Çdo gjë do të shuhet e do të shkatërrohet përveç Fytyrës së Tij.”[5]  botën tjetër, Xhennetin, Xhehennemin dhe banorët e tyre, apo nuk i përfshin ato?

Përgjigjja: Kjo çështje është diskutuar shumë nga dijetarët, evlijatë dhe nga ata të cilëve u zbulohen realitetet e krijimit. Fjala është e tyre në këtë çështje. Për më tepër, vërseti është shumë i gjërë dhe përmban shumë nivele. Shumica e dijetarëve thanë se ai vërset nuk e përfshin Botën e qëndrueshmërisë, ndërsa të tjerët thanë se edhe ato botëra gjithashtu do të zhduken vetëm për një kohë shumë të shkurtër, për një interval të shkurtër kohor, sa që ajo kohë do të duket si një moment , dhe do të jetë aq e shkurtër sa që nuk do të kuptohet nëse ata janë asgjësuar e rikthyer.

Por asgjësimi absolut i deklaruar nga disa prej atyre të cilëve u zbulohen realitetet e krijimit, idetë e të cilëve janë ekstreme, nuk është i saktë, sepse meqenëse Esenca më e Pastër dhe më e Shenjtë Hyjnore është e përjetshme dhe e përhershme, gjithashtu edhe Atributet dhe Emrat janë të përjetshëm dhe të përhershëm, atëhere qëniet e përhershme dhe ato të pavdekshme në botën e përjetësisë të cilat janë pasqyrat, manifestimet, skalitjet, vulat dhe vendet e reflektimit të Atributeve të Tij dhe të Emrave, nga domosdoshmëria, nuk do të shkojnë në mosekzistencë absolute.

Unë tani do të shkruaj një ose dy pika që më erdhën nga shkëlqimi i Kur’anit të gjithurtë.

E para: Zoti i Gjithëfuqishëm është Zotëruesi i një fuqie të tillë absolute sa që Ai mund  të dërgojë e të sjellë në qënie ekzistencën dhe mosekzistencën me aq lehtësi sikur ato të ishin dy shtëpi në lidhje me fuqinë dhe Vullnetin e Tij. Në qoftë se do të dëshironte,  Ai mund t’i kthejë ato prej andej për një ditë ose për një çast. Pastaj nuk ka mosekzistencë absolute, sepse asgjë nuk ndodhet jashtë sferës së njohurisë Hyjnore. Mosekzistenca brenda sferës së njohurisë së Tij është mosekzistencë e jashtme dhe një titull për diçka të fshehur por ekzistuese në njohurinë Hyjnore. Disa dijetarë i kanë quajtur këto qënie ekzistuese në njohurinë Hyjnore “Realitete të pazbuluara”. Prandaj, shkuarja në asgjësim është të zhvishesh përkohësisht nga veshje të jashtme dhe të hysh në ekzistencë në Njohurinë Hyjnore, ekzistencë në kuptim. Domethënë, qëniet kalimtare e të përkohshme i lënë ekzistencat e jashtme dhe, esencat e tyre vishen në atë që ka kuptimin e ekzistencës; ato kalojnë nga sfera e Fuqisë Hyjnore në atë të Njohurisë Hyjnore.

E dyta: Ashtu siç e kemi shpjeguar në shumë nga “Fjalët”, për sa ka të bëjë me fytyrat e tyre që shohin tek vetvetja, të gjitha gjërat nuk janë asgjë. Ato nuk posedojnë ekzistenca që janë nga vetvetja të pavarura ose të qëndrueshme. Dhe ato nuk posedojnë realitete që ekzistojnë nga vetvetja. Por lidhur me aspektet e tyre që shohin drejt Zotit të Gjithëfuqishëm, domethënë, që tregojnë një kuptim tjetër nga vetvetja e tyre, ato nuk janë më asgjë, sepse në atë aspekt shihen manifestimet e Emrave të përjetshëm Hyjnorë. Ato nuk dënohen me mosekzistencë. Ai aspekt mban hijen e një Ekzistuesi të përjetshëm. Ai ka një realitet, ai është i qëndrueshëm dhe ka një realitet, ai është i lartësuar. Sepse ai është një lloj i hijes së qëndrueshme të një Emri të përjetshëm që ai manifeston.

Për më tepër, vërseti:  “Çdo  gjë do të shuhet e do të shkatërrohet përveç Fytyrës së Tij”, është një shpatë për të prerë dorën e njeriut nga gjërat përveç Zotit. Ai shikon tek gjërat kalimtare të kësaj bote me qëllim që të presë lidhjen për gjërat e përkohshme në këtë dynja të përkohshme, të cilat nuk janë për hir të Zotit të Gjithëfuqishëm. Domethënë, gjëja në qoftë se nuk është për hir të All-llahut, për hir të fytyrës që shikon tek Ai, atëherë koka e saj duhet të pritet me shpatën e këtij vërseti Kur’anor:  “Çdo  gjë do të shuhet e do të shkatërrohet përveç Fytyrës së Tij”.

Shkurtazi: Në qoftë se është për All-llahun xh.sh., në qoftë se një person përveç Tij, e gjen All-llahun, atëherë ajo nuk mund të mbetet përveç Tij, që t’i pritet koka. Por, në qoftë se ai nuk e gjen All-llahun dhe nuk shikon për hir të Tij, atëherë çdo gjë është ndryshe përveç Tij, ai duhet të përdor shpatën e  “Çdo  gjë do të shuhet e do të shkatërrohet përveç Fytyrës së Tij”, ai duhet të grisë perden derisa ai të mund ta gjejë All-llahun xh.sh…

I Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!

Said Nursi

* * *

[1] Kur’an, 17: 44

[2]

[3] Kur’an, 76:30

[4] Kur’an, 5: 32

[5] Kur’an, 28: 88

Leave a Reply