Lexo PDF

 

 Me Emrin e Atij të Cilit i takon lavdërimi, “Dhe s’ka gjë që të mos e lëvdojë lartësinë e Tij.”[1]

Paqja qoftë mbi ju, si dhe bekimet e Zotit dhe mëshira e Tij përgjithmonë, aq sa numri i sekondave të minutave të jetës tënde dhe sa grimcat e trupit tënd!

Vëllai im i dashur, nismëtar, serioz, i vërtetë, i sinqertë dhe mendjemprehtë!

Për vëllezërit e së vërtetës dhe të Ahiretit si ne, diferencat e kohës dhe të vendit nuk formojnë pengesa për bisedimin me ta dhe për shoqërimin e ngushtë të tyre. Madje edhe në qoftë se njëri prej tyre do të ishte në lindje, një tjetër në perëndim, një në të shkuarën, një tjetër në të ardhmen, një në dynja dhe një tjetër në Ahiret, përsëri mund të konsiderohet që ata janë bashkë dhe mund të flasin së bashku.

Në mënyrë të veçantë ata që kanë arritur të njëjtin qëllim, ata të gjithë mund të konsiderohen të jenë të njëjtët, njëri  prej tyre është pikërisht sikur të ishte tjetri. Në çdo mëngjes unë imagjinoj se ju jeni këtu me mua dhe, unë ju jap juve një pjesë, e cila është një e treta, nga fitimet e mia shpirtërore – i lutemi Zotit ta pranojë. Ju jeni së bashku me Abdul-mexhidin dhe Abdurr-Rahmanin në duatë e mia. Në dashtë Zoti xh.sh., ju merrni gjithmonë pjesën tuaj. Vuajtja juaj me disa vështirësi në lidhje me jetën e kësaj bote më dëshpëroi pak, për hir tuaj. Por meqenëse kjo dynja nuk është e përhershme, dhe se në fatkeqësitë e dynjasë është e pranishme një formë e së mirës, më erdhi në zemrën time, për hir tënd, një shprehje “Çdo gjendje do të zhduket, do të kalojë.” Dhe mendova për hadithin:

 “Nuk ka jetesë përveç asaj të Ahiretit.” (Buhariu) Dhe recitova vërsetin:

 “Padyshim që All-llahu është me të duruarit.”[2], dhe thashë?  “Vërtetë të All-llahut jemi dhe padyshim tek Ai do të kthehemi.”[3]

Unë gjeta ngushëllim në vendin tënd. Në qoftë se Zoti i Gjithëfuqishëm e do një shërbëtorin e Tij, Ai e bën atë të ndjejë neveri për dynjanë, duke ia shfaqur të shëmtuar. Në dashtë Zoti, edhe ti gjithashtu i përket asaj klase të atyre që janë të dashur tek Zoti xh.sh..

Mos u shqetëso për shtimin e pengesave të cilat pengojnë përhapjen e “Fjalëve”. Në dashtë Zoti xh.sh., në qoftë se sasia që ti ke shpërndarë -prej Risale-i Nurit- deri tani, do të privilegjohej e nderohej me mëshirën Hyjnore, atëherë ato farëra të mbushura me dritë do të çelin vërtetë lule të shumta.

Ti ke bërë një numër pyetjesh, por vëlla i dashur, shumica e “Fjalëve” dhe e “Letrave” që janë shkruar më vinin në zemër në çast, menjëherë, pa përdorimin e dëshirës sime; dhe për këtë ato bëhen të bukura e të holla.

Në qoftë se unë do t’u përgjigjesha juve duke u mbështetur në dëshirën time, në fuqinë e njohjes dhe të mendimit ashtu si Saidi i Vjetër, përgjigjet do të vinin të dobëta, të pashije dhe të mangëta. Për disa kohë tani, inspirimet e zemrës kanë ndaluar, dhe pishtari i kujtesës është shuar, por me qëllim që ti të mos mbetesh pa përgjigje, unë do të përgjigjem shumë shkurt për secilën nga ato.

 

Ÿ Pyetja e juaj e parë: Si duhet të jetë duaja më e mirë e besimtarit për vëllain e tij besimtar?

Përgjigjja: Ajo duhet të jetë brenda sferës së asaj që është e pranueshme, sepse duatë, lutjet, bëhen të pranueshme brenda disa kushteve; pranueshmëria e tyre rritet nëse këto kushte përmbushen.

Për shembull, kur lutjet duhet të bëhen, njeriu duhet të pastrohet shpirtërisht duke kërkuar falje; pastaj ai duhet të recitojë salevate –bekime- për profetin Muhammed a.s.m., e cila është një dua e pranueshme, dhe t’i bëjë ato ndërmjetësuese për duanë; dhe përsëri në fund të thotë salevate, sepse një dua që bëhet midis dy duave të tilla të pranueshme bëhet vetë e pranueshme;  si dhe të lutet për tjetrin pa dijen e tij.

Të lutet me duatë tradicionale dhe me ato dua që kanë ardhur në Kur’anin e shenjtë, si për shembull:

“Zoti ynë! Na jep në këtë botë çfarë është e mirë dhe në botën tjetër çfarë është e mirë dhe na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.”[4]

Dhe të lutet pas pesë namazeve të përditshme, dhe sidomos pas namazit të mëngjesit. Të lutet në vende të bekuara, dhe veçanërisht nëpër xhami; të lutet në ditët e xhumasë, dhe në mënyrë të veçantë në orën kur duatë pranohen; dhe gjatë tre muajve, Rexheb, Sha’ban dhe Ramadan, dhe sidomos në netët e shenjta të mirënjohura, në muajin e Ramazanit dhe sidomos në natën e Kadrit.

Duaja me këto kushte shpresohet nga mëshira e Zotit xh.sh. të jetë e shoqëruar me pranim. Rezultatet e duave të tilla të pranueshme ose shihen ekzaktësisht, ashtu siç u dëshiruan në këtë botë, ose ato janë pranuar lidhur me botën tjetër dhe për jetën e përhershme të atyre që janë lutur. Domethënë, në qoftë se ajo që u kërkua nuk ndodhi tamam ashtu siç u dëshirua, nuk duhet të thuhet se duaja nuk u pranua; përkundrazi, të thuhet se duaja u pranua në formën më të mirë.

 

Ÿ Pyetja juaj e dytë: Meqenëse fraza “radijall-llahu anhu”, “Zoti qoftë i kënaqur me të”, përdoret për sahabët e Profetit a.s.m., a do të ishte e përshtatshme që ajo frazë të përdoret edhe për të tjerët?

Përgjigjja: Po, ajo mund të përdoret, sepse kjo dua nuk është një shenjë e veçantë për sahabët e nderuar, ashtu siç është shprehja, “a.s.m.” (Paqja dhe bekimet qofshin mbi të) e cila është një shenjë për Profetin e Zotit xh.sh..

Madje shprehja Radijall-llahu anhu“Zoti qoftë i kënaqur me të”, duhet të përdoret edhe për katër imamët e Sheriatit, katër interpretuesit e ligjit të shenjtë: dhe për Shejh Gazalin, etj. Të cilët arritën tek “shenjtëria më e madhe e njohur si trashëgimia e profetësisë”, dhe arritën stacionin e kënaqësisë së Zotit xh.sh.. Por përgjithësisht midis dijetarëve të fesë, shprehja Radijall-llahu anhu“Zoti qoftë i kënaqur me të” është përdorur për sahabët; shprehja “Rahimehumull-llah”Zoti i mëshiroftë” është përdorur për dy brezat e tabiinëve që erdhën pas sahabëve; ndërsa shprehja  “Gaferall-llahu lehum”Zoti i faltë ata” është përdorur për dy brezat pasues të tyre. Dhe shprehja “Kuddise sirruhum”u shenjtëroftë sekreti i tyre”, është përdorur për evlijatë, shenjtorët.

 

Ÿ Pyetja juaj e tretë:  Kush ishin më eprorë, imamët e mëdhenj dhe interpretuesit e ligjit të shenjtë, apo shehët –udhëheqësit- dhe polet shpirtërore të tarikateve të vërteta të sufizmit?

Përgjigjja: Jo të gjithë interpretuesit e ligjit, por vetëm se katër interpretuesit, Ebu Hanifja, Maliku, Shafiju dhe Ahmed Ibnu Hanbeli ishin më eprorë se sa shehët (udhëheqësit shpirtërorë).

Por në disa  aspekte, disa udhëheqës të çuditshëm shpirtërorë si Sheh Gilani, arritën stacione më të ndritshme në virtyte të veçanta. Megjithatë, virtyti i përgjithshëm ishte ai i imamëve,  i interpretuesve të ligjit të shenjtë. Përveç kësaj, disa nga shehët e tarikateve sufi ishin gjithashtu interpretues të ligjit; prandaj nuk mund të thuhet se të gjithë interpretuesit e ligjit ishin më të lartë se sa polet shpirtërorë, shehët.

Por katër imamët, interpretuesit, janë njerëzit më të lartë pas sahabëve dhe pas Mehdiut, Zoti qoftë i kënaqur me të.

 

Ÿ Pyetja juaj e katërt:   Cili është qëllimi dhe urtësia e vërsetit,  “Padyshim që All-llahu është me të duruarit.”[5]

Përgjigjja: Ashtu siç u kërkua nga Emri i Tij “El-Hakimu”I  Gjithurti, Zoti i Gjithëfuqishëm vendosi në të gjitha gjërat një renditje ashtu si shkelëzat e shkallëve. Dhe një njeri i paduruar i cili nuk vepron me ngadalësi, ai ose do t’i kapërcente disa nga shkallët e të binte, ose do t’i linte disa të mangëta, dhe kështu ai nuk mund të ngjitet tek synimi i tij. Prandaj, lakmia është shkaku i humbjes. Ndërsa durimi është  për t’i zgjidhur të gjitha vështirësitë. Dhe thënia,

“lakmitari është i zbuluar para zhgënjimit dhe humbjes”, dhe hadithi, “Durimi është çelësi për lumturinë, janë bërë si proverba. Domethënë, mirësia e Zotit të Gjithëfuqishëm dhe favori është me të duruarit.

Sepse durimi është tre llojesh:

I Pari: është durimi për t’iu shmangur mëkatit, ky durim është takvaja, dhe manifeston kuptimin e vërsetit,  “Zoti është me ata të cilët e kanë frikë Atë dhe janë të vetëpërmbajtur.”[6]

I Dyti: Është durimi në fatkeqësi; ky lloj është mbështetja tek Zoti xh.sh. dhe nënshtrimi ndaj Tij, gjë e cila e bën personin të nderohet me manifestimin e këtyre vërseteve:

“Dhe All-llahu i do durimtarët.”[7], “All-llahu i do ata që i mbështetin shpresat vetëm tek Ai.”[8]

Sa për padurimin (ngutjen), ai përmban ankesa ndaj Zotit xh.sh. gjë që shkakton kritikë për veprat e Zotit, akuzë për mëshirën e Tij dhe refuzim ndaj urtësisë së Tij.

Po, njeriu i dobët dhe i pafuqishëm lëndohet dhe qan prej goditjeve të fatkeqësisë si dhe ankohet, por ankesa duhet t’i drejtohet Atij dhe jo rreth Tij. Ajo duhet të jetë si Fjalët e Hazreti Ja’kubit a.s..

“Unë vetëm All-llahut ia drejtoj ankesën time për pikëllimin dhe dhimbjen.”[9] Domethënë,, ai duhet t’ia drejtojë ankesën Zotit xh.sh. dhe jo të qajë, duke thënë: “Çfarë kam bërë unë që kjo duhej të më ndodhte mua?” Sikur po i ankohesh qënieve të tjera njerëzore rreth All-llahut; dhe të zgjosh keqardhjen e njerëzve të pafuqishëm është e dëmshme dhe e pakuptim.

Lloji i tretë i durimit, është durimi në adhurim, i cili e ngre njeriun tek stacioni i të qënit i dashur tek All-llahu xh.sh., Ai e nxit njeriun drejt adhurimit të plotë ndaj Zotit xh.sh. dhe drejt robërisë ndaj Tij, i cili është stacioni më i lartësuar.

 

Ÿ Pyetja e juaj e pestë: Mosha e pjekurisë konsiderohet të jetë pesëmbëdhjetë vjeç. Si e kryente adhurimin e tij Profeti a.s.m. para misionit të tij profetik?

Përgjigjja: Ai e kryente adhurimin në përputhje me atë që mbeti nga feja e Ibrahimit a.s., e cila ishte feja e Ibrahimit a.s., e cila është akoma ekzistuese në Arabi, ndonëse në formë shumë të errësuar. Por ky adhurim ishte nga zgjedhja e tij personale si një vepër e mirë (mendub) dhe jo në formën e farzit dhe të vaxhibit (detyrimi, obligimi). Kjo e vërtetë është e gjatë, le të mbetet ajo tani e shkurtuar.

Ÿ Pyetja juaj e gjashtë: Cila është urtësia në profetësinë e tij e cila nisi kur ai ishte dyzet vjeç, që konsiderohet të jetë mosha e pjekurisë së plotë, dhe cila është urtësia e ndërrimit të jetës së tij kur jeta e tij e bekuar ishte gjashtëdhjetë e tre vjeç?

Përgjigjja: Ndodheshin shumë qëllime dhe shembuj urtësie në këtë. Njëra nga ato është siç vijon: profetësia është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe dhe e rëndë. Ajo nuk mund të mbahet veçse pas zhvillimit të aftësive mendore dhe pasi të jenë plotësuar aftësitë dhe kapaciteti i zemrës.

Sa për kohën e atij plotësimi dhe zhvillimi, ajo është mosha dyzet. Sa për periudhën e rinisë, ajo është koha kur ndizen pasionet e nefsit, instinktet, gjaku zien dhe ambiciet për dynjanë janë të forta; atëherë kjo kohë nuk u përshtatet detyrave të profetësisë, të cilat janë thjesht Hyjnore, të shenjta dhe i përkasin Ahiretit, sepse sado serioz dhe i sinqertë të jetë njeriu para moshës dyzet vjeçare, prapëseprapë dyshimi se ai po punon për famën e dynjasë mund t’u ndodhë atyre të cilët vetë e kërkojnë famën. Ai nuk do të mund të shpëtonte me lehtësi nga akuzat e tyre. Por pas moshës dyzet fillon zbritja drejt varrit dhe, Ahireti duket për një njeri të tillë më shumë se sa dynjaja. Ai nuk do të mund të shpëtonte kollaj nga akuza të tilla në aktet dhe në veprimet e tij, të cilat shikojnë tek Ahireti dhe do të ishte i suksesshëm. Edhe të tjerët gjithashtu do të shpëtonin nga të menduarit keq për të.

Sa për jetën e tij të bekuar e cila iu rrëmbye kur ishte gjashtëdhjetë e tre vjeç, njëri nga shembujt e urtësisë në të ishte kjo: besimtarët janë të detyruar ta duan dhe ta respektojnë profetin më të nderuar a.s.m. në shkallën më të madhe dhe të mos u ngjallë atyre neveri absolutisht asgjë që i përket atij; ata duhet ta shohin çdo aspekt të jetës së tij si të mirë e të këndshëm. Prandaj, Zoti i Gjithëfuqishëm nuk e la të dashurin e Tij të nderuar deri në vitet e vështira e të mërzitshme të moshës pas asaj gjashtëdhjetë e tre vjeçare; përkundrazi, Ai e dërgoi atë tek Divani më i lartë në atë moshë të bekuar, e cila ishte jetëgjatësia mesatare e shumicës së komunitetit për të cilin ai ishte udhëheqës.

All-llahu e ngjiti Atë në një stacion në afërsi të Tij, duke shfaqur me këtë se ai ishte imami, udhëheqësi në çdo aspekt.

Ÿ Pyetja juaj e shtatë:

 “Të rinjtë më të mirë janë ata të cilët u ngjasojnë njerëzve të moshës së pjekur, ndërsa më të këqinjtë e njerëzve të moshës mesatare janë ata të cilët u ngjasojnë  të rinjve.”

A është ky që vijon një hadith profetik dhe në qoftë se është hadith, çfarë do të thotë:?

Përgjigjja: Unë kam dëgjuar se ai është një hadith. Kuptimi i tij i thjeshtë është ky: I riu më i mirë është ai që mendon për vdekjen ashtu si një person i moshuar dhe që punon për Ahiretin; dhe jo ai prej atyre të cilët bëhen skllevër të pasioneve të rinisë dhe që janë të mbytur në pakujdesi. Dhe më i keqi i njerëzve të moshuar është ai i cili përpiqet t’i ngjasojë të riut në pakujdesi dhe në pasion, dhe që i ndjek tekat e nefsit ashtu si një fëmijë.”

Forma e saktë e pjesës së dytë që unë pashë në afishe është siç vijon: Unë e kam varur atë sipër kokës sime për urtësinë që ajo mëson. Unë e shikoj atë çdo mëngjes e çdo mbrëmje dhe marr mësimin tim prej saj.

“Në qoftë se do një mik, Zoti është i mjaftueshëm. Po, në qoftë se Ai do të ishte miku yt, atëherë çdo gjë për ty është mik.”

Në qoftë se ti do shokë, Kur’ani është i mjaftueshëm. Në të vërtetë, ti në të, me përfytyrimin tënd, jeton me profetët dhe melekët; shikon ngjarjet në të cilat ata u përfshinë dhe bëhesh i njohur me ta.

Në qoftë se do pasuri, kënaqësia të mjafton. Po, ai i cili kënaqet e mjaftohet me atë që ka, është kursimtar; dhe ai që është kursimtar, gjen bekimet e bereqetit.

Në qoftë se do armik, nefsi është i mjaftueshëm. Po, atij që i hyn vetja në qejf i bien fatkeqësi dhe sprovohet me vështirësi. Ndërsa ai që nuk është i dhënë pas nefsit, që nuk i pëlqen vetja, ai gjen gëzim, qetësi e mëshirë.

Në qoftë se do këshillues, vdekja është e mjaftueshme. Po, ai i cili mendon për vdekjen, shpëton nga dashuria e kësaj dynjaje dhe përpiqet për Ahiretin e tij me këmbëngulje.

Tani o vëllai im, unë po u shtoj një çështje të tetë shtatë çështjeve të tua. Ajo është sa vijon:

Para dy ditësh, njëri nga hafizët e Kur’anit recitoi disa vërsete nga sure Jusuf a.s. deri kur arriti.

“Më bëj mua të vdes musliman (si një i nënshtruar ndaj Vullnetit Tënd), dhe më bashko me të drejtët.”[10]

Papritmas , si një shkreptimë, më erdhi mua një pikë e hollë: Çdo gjë që i përket Kur’anit dhe besimit është shumë e vlefshme sado e vogël që mund të shfaqet në aspektin e jashtëm, sepse për sa ka të bëjë me vlerën e saj, ajo është shumë e madhe.

Po, nuk mund të thuhet se është e vogël ajo që ndihmon për lumturinë e përjetshme; dhe nuk mund të thuhet se ajo pikë është e vogël dhe nuk ia vlen t’i japësh rëndësi.

Nuk ka dyshim se Ibrahim Hulusi është i pari që dëshiron të dëgjojë si shembulli i këtyre çështjeve, dhe sigurisht, ai është studenti i parë dhe i pari që i adresohen çështjet e këtij lloji, i cili i vlerëson pikat e holla të Kur’anit, dhe prandaj dëgjo o vëlla! Është një pikë e lartë, e hollë, sihariquese dhe e mrekullueshme e vërsetit,

 “Më bëj mua të vdes musliman (si një i nënshtruar ndaj Vullnetit Tënd) dhe më bashko me të drejtët.”, i cili shpall se tregimi i Jusufit a.s. më i miri i tregimeve, po vjen në fund. Ajo është kjo: Dëshpërimet dhe dhimbjet e vdekjes dhe të ndarjes tek të cilat përfundojnë edhe tregimet e tjera të gëzueshme, i bëjnë të hidhura kënaqësitë imagjinare që merren  nga tregimi dhe i shkatërrojnë ato. Në mënyrë të veçantë, në qoftë se ato e tregojnë vdekjen dhe ndarjen pikërisht kur rrëfehet momenti i gëzimit më të plotë dhe i kënaqësisë, kjo madje është më e dhimbshmja dhe i bën ata që e dëgjojnë të vajtojnë në dëshpërim.

Ndërsa ky vërset përfundon pjesën më të ndritshme nga tregimi i Jusufit a.s. i cili është sundimtar i Egjiptit, i bashkuar me nënën e tij dhe babain, duke u takuar me përmallim me vëllezërit e tij, dhe duke përjetuar lumturinë më të madhe dhe gëzimin e kësaj dynjaje, vërseti tregon se Jusufi a.s. po kërkon vetë vdekjen e tij nga Zoti i Gjithëfuqishëm me qëllim që të përjetojë madje një jetë akoma më të lumtur dhe një gjendje më të ndritshme; dhe ai vdiq dhe e mori atë lumturi.

Domethënë, ndodhet përtej varrit një lumturi dhe një gëzim më i madh se sa lumturitë e këndshme të kësaj dynjaje, sa që ndërsa duke qenë në atë situatë më të këndshme të kësaj bote, një person shikues i realitetit si Jusufi a.s. e dëshiroi vdekjen e hidhur dhe, në këtë mënyrë të merrte atë lumturi tjetër.

Dhe kështu, shikoje këtë elokuencë të Kur’anit të gjithurtë, se në çfarë mënyre e shpall ai fundin e tregimit të Jusufit a.s.. Ajo nuk u shkakton hidhërim e dëshpërim atyre që e dëgjojnë atë, përkundrazi, ajo jep lajme të gëzueshme dhe shton gëzim të mëtejshëm.

Ajo gjithashtu jep udhëzim duke thënë: Punoni për atë që është përtej varrit, sepse lumturia e vërtetë dhe kënaqësia reale gjenden atje. Ajo gjithashtu tregon shkallën e lartë të vërtetësisë së Jusufit a.s., duke thënë: madje edhe situata më e ndritshme dhe më e gëzueshme e kësaj bote, nuk i shkaktoi atij të bëhej i pakujdesshëm; ajo nuk e robëroi atë; ai përsëri deshi Ahiretin.

I Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!

Said Nursi

*  *  *

 

[1] Kur’an: 17: 44

[2] Kur’an, 2: 153

[3] Kur’an, 2: 156

[4] Kur’an, 2: 201

[5] Kur’an, 2: 153

[6] Kur’an, 2: 194

[7] Kur’an, 3: 146

[8] Kur’an, 3: 159

[9] Kur’an, 12: 86

[10] Kur’an, 12: 101

Leave a Reply