Lexo PDF

 

Me Emrin e All-llahut, të Cilit i takon lavdërimi! “Dhe s’ka gjë që të mos e lëvdojë Lartësinë e Tij.”[1]

Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

“Dhe Zoti yt ka përcaktuar që të mos adhuroni askënd e asgjë veç Atij dhe që të jesh i përkushtuar  ndaj prindërve të tu.

Në qoftë se njëri prej tyre ose të dy arrijnë moshën e pleqërisë dhe ti je gjallë me ta, mos u thuaj atyre ndonjë fjalë pakënaqësie e mosrespekti, as mos e ngrini zërin (duke u thënë ‘uf’), por folu atyre shprehje nderuese e me respekt.

Dhe ule mbi ta krahun e nënshtrimit, të mirësisë e të përuljes me mëshirë dhe thuaj: “Zoti im! Dhuro mbi ta mëshirën Tënde siç më rritën mua, kur unë isha i mitur.”

“Zoti juaj e di më mirë se çfarë keni në brendësi (të vetes e të shpirtit) tuaj. Në qoftë se jeni të drejtë e të pastër, atëherë Ai është padyshim gjithnjë Falës i Madh ndaj atyre që i kthehen Atij gjithnjë me bindje e pendim.”[2]

O i pavëmendshëm! O Ti që ke në shtëpinë tënde një prind të moshuar, ose një invalid ose dikë prej të afërmve e vëllezërve në fe, i cili nuk është më i aftë për punë!

Studioji me kujdes vërsetet e lartëpërmendur dhe shiko se si një vërset i vetëm u bën thirrje fëmijëve në pesë nivele në mënyra të ndryshme që të jenë të dashur ndaj prindërve të tyre të moshuar. Po, e vërteta më e lartë në këtë dynja është dhembshuria (mëshira) e nënave dhe e baballarëve ndaj fëmijëve të tyre. Dhe të drejtat më të larta janë të drejtat e tyre për respekt si shpërblim për mëshirën dhe për dhembshurinë e tyre.

Sepse ata sakrifikojnë jetët e tyre me kënaqësi të madhe, duke i harxhuar ato për hir të jetëve të fëmijëve të tyre. Në këtë gjendje, secili fëmi i cili nuk e ka humbur humanizmin e tij dhe që nuk është shndërruar akoma në një përbindësh i nderon ata miq të respektuar, besnikë e vetësakrifikues, u shërben atyre me sinqeritet, përpiqet t’i kënaqë ata dhe t’i bëjë të gëzuar e të kënaqur.

Xhaxhallarët dhe hallat, dajallarët dhe tezet, nga nëna dhe nga babai, janë baballarë dhe nëna. Kështu, kupto nga kjo se sa e ulët dhe sa mungesë ndërgjegjjeje do të ishte të qënit përbuzës ndaj atyre të moshuarve të bekuar dhe, sa përçmuese do të ishte dëshira për vdekjen e tyre.

Po, kuptoje, sa padrejtësi e ligë, sa mbrapshti e ulët dhe mungesë ndërgjegjjeje do të ishte kur dikush uron vdekjen e tyre, të cilët i kanë sakrifikuar jetët e tyre për hir të jetës së tij!

O njeri që lufton për të siguruar mjetet e jetesës! Mjetet e bereqetit dhe të mëshirës në shtëpinë tënde dhe larguesi, zmbrapsi i fatkeqësive është ai i moshuar ose ai i verbër nga të afërmit e tu, të cilin ti e përçmon.

Ki kujdes! Mos thuaj: “Të ardhurat e mia janë të pakta, unë kam vështirësi dhe nuk më del llogaria”, sepse po të mos ishte bereqeti që shkaktohet nga prania e tyre, ti do  kishe qenë edhe më keq në ngushticë ekonomike. Besoje këtë fakt që po ta tregoj, unë mund ta provoj atë në mënyrën më vendimtare, kam shumë prova rreth saj dhe mund të të bind ty. Por me qëllim që të mos e zgjas diskutimin, unë po e pres shkurt. Ki shumë besim nga kjo fjala ime. Unë betohem në Zotin se kjo është absolutisht e sigurt; madje edhe nefsi im urdhërues për të liga, edhe shejtani im gjithashtu, janë dorëzuar para tyre. Ti duhet të bindesh nga një fakt i cili e ka dërrmuar kokëfortësinë e nefsit tim dhe e ka heshtur shejtanin tim.

Po, Krijuesi i Gjithëlavdishëm dhe Gjithëbujar i Cili, ashtu siç e dëshmon universi, është pafundësisht i Gjithëmëshirshëm, Mëshirë-plotë, Mirëbërës dhe Gjithëbujar. Kur i dërgon foshnjet, të miturit, në dynja, Ai ua dërgon menjëherë furnizimet -rizkun- e tyre me zemër-gjërësinë më të skajshme, duke u çuar atyre ushqimin më të hollë dhe duke e bërë atë të rrjedhë e të bie në gojat e tyre nga burimet e kraharorëve të nënave të tyre.

Gjithashtu, furnizimet e të moshuarve – të cilët janë si fëmijë, madje janë  më të nevojshëm dhe më të meritueshëm për mirësi e mëshirë – Zoti xh.sh. ua dërgon atyre në formë bereqeti; Ai nuk i bën barrë mjetet e tyre të jetës për kopracët e kurnacët. Të gjitha krijesat e gjalla dhe të gjitha speciet e tyre deklarojnë nëpërmjet gjuhëve të qënieve të tyre të vërtetën e shprehur nga vërsetet vijuese:

“Vërtet All-llahu është Gjithëfurnizuesi i fuqisë, i Përhershmi më i fortë.”[3] “Dhe sa shumë krijesa të gjalla nuk mbajnë dot ushqimin e tyre! All-llahu është i Cili i ushqen ata dhe ju. Dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.”[4]

Ato shprehin këtë të vërtetë bujare. Në fakt nuk janë vetëm të moshuarit e afërm ata të cilëve u vjen furnizimi, rizku, në formën e bereqetit,  por madje edhe furnizimi i disa krijesave si macet, të cilat janë si shoqëruese të njeriut; furnizimet e tyre dërgohen brenda ushqimit të qënieve njerëzore dhe vijnë gjithashtu në formën e bereqetit. Një shembull që e mbështet këtë dhe atë çfarë e vëzhgova vetë, është sa vijon:

Miqtë e mi të afërm e dinë se për dy deri në tre vjet pjesa ime e caktuar nga ushqimi çdo ditë ishte gjysmë buke. Bukët në atë fshat ishin të vogëla dhe shumë shpesh kjo ishte e pamjaftueshme për mua. Pastaj më erdhën mua katër mace dhe qëndruan me mua si mysafiret e mia, dhe ajo e njëjta pjesë ushqimi ishte e mjaftueshme si për mua ashtu edhe për to. Madje shpesh tepronte diçka prej saj.

Kjo gjendje më ka ndodhur aq shpesh sa që ajo më ka bërë të sigurt se unë po përfitoja nga bereqeti që rezultonte nga macet. Unë deklaroj me të gjithë sigurinë se ato mace nuk ishin një barrë për mua, dhe gjithashtu ato mace nuk janë të obliguara ndaj meje, por unë ndjehem i obliguar për to.

O njeri! Në qoftë se një kafshë e cila i ngjason egërsirës është mjet bereqeti kur ajo vjen si mysafire tek shtëpia e një qënieje njerëzore, atëherë mund ta krahasosh vetë se çfarë mjeti bereqeti dhe mëshire do të jetë njeriu, më i nderuari i krijesave; dhe besimtarët, më të plotësuarit e njerëzve; dhe të pafuqishmit, të moshuarit e të sëmurët, më të meritueshmit për respekt e mëshirë midis besimtarëve; dhe të afërmit, më të denjit dhe të meritueshmit për mirësi, për dashuri dhe për t’iu shërbyer midis të moshuarve të sëmurë; dhe prindërit, të cilët janë shokët, të dashurit më të vërtetë dhe më besnikë midis të afërmve, në qoftë se ata janë të pranishëm në një shtëpi në moshën e tyre të vjetër, sipas kuptimit të hadithit:

“Po të mos ishin të moshuarit, të kërrusurit nga mosha, fatkeqësitë do të binin mbi ju me përmbytje.” Ju mund ta shikoni se çfarë shkaku i rëndësishëm janë ata për largimin e fatkeqësive.

Dhe kështu, o njeri, eja në vete! Në qoftë se ti nuk vdes më herët, edhe ti gjithashtu do të bëhesh i moshuar. Në qoftë se ti nuk i nderon prindërit e tu, në përputhje me kuptimin  “Dënimi është i ngjashëm me aktin që e kërkoi atë,” edhe fëmijët tuaj gjithashtu nuk do të jenë të bindur ndaj jush dhe nuk do t’ju respektojnë ju. Prandaj, në qoftë se e doni jetën tuaj, ky është një thesar i rëndësishëm për ju: jini të bindur e të respektuar ndaj tyre dhe fitoni kënaqësinë e tyre, dhe në qoftë se e doni dynjanë kënaqi gjithashtu ata të dy dhe ji mirënjohës për ta, me qëllim që nëpërmjet tyre jeta juaj të jetë e lehtë dhe furnizimi juaj të jetë i bereqetshëm,  i bollshëm, sepse në qoftë se ti je përbuzës për ta, dhe nëse dëshiron vdekjen e tyre dhe plagosjen e zemrave të tyre të holla e të ndjeshme, atëherë kjo do të të bënte ty të  manifestosh kuptimin e vërsetit,

 “Ata humbasin edhe dynjanë, edhe Ahiretin.”[5]

Në qoftë se dëshironi mëshirën e të Gjithëmëshirshmit të vetëm Mëshirëplotë, jini të mëshirshëm ndaj atyre në shtëpinë tuaj të cilët Ai t’i ka lënë në besim, amanet.

Kam patur një vëlla prej vëllezërve të Ahiretit, i cili quhej Mustafa Çavush. Unë vëreja që ai ishte shumë i suksesshëm si në jetën e tij fetare, po ashtu edhe në jetën e kësaj dynjaje. Unë nuk e dija arsyen për këtë. Atëherë unë më vonë kuptova se arsyeja për suksesin e tij ishte se ai i kishte kuptuar të drejtat e prindërve të tij të moshuar dhe i kishte respektuar ato të drejta siç duhet; për shkak të tyre, ai kishte gjetur qetësi e mëshirë.

Dhe unë shpresoj që ai të ketë riparuar edhe Ahiretin e tij në dashtë Zoti. Ata që dëshirojnë fat të mirë, le të përpiqen t’i ngjasojnë atij…

O Zot, jepi bekime e paqe atij që tha: “Parajsa është nën këmbët e nënave”, dhe të gjithë familjes së tij dhe sahabëve.

“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë që vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti.”[6]

* * *

[1] Kur’an, 13: 28

[2] Kur’an, 17: 23-25

[3] Kur’an, 51: 58

[4] Kur’an, 29: 60

[5] Kur’an, 22: 11

[6] Kur’an, 2: 32