Si është e mundur që furnizimi me përkujdesje, planifikimi me qëllim e i dobishëm dhe mirësia e këndshme e krijimeve të Zotit i cili është Mëshirëplotë, i Gjithurtë dhe i Dashur, të pajtohen e të harmonizohen me vdekjen e mosekzistencën, me zhdukjen e ndarjen dhe me fatkeqësinë e mundimin, të cilat janë të tmerrshme e të frikshme?

 

Gjërat nuk shkojnë për në mosekzistencë, përkundrazi, ato kalojnë nga sfera e fuqisë për tek sfera e njohjes; ato shkojnë nga bota e dukshme për tek bota e padukshme; ato kthehen nga bota e ndryshimit dhe e përkohshmërisë për tek botët e dritës dhe të përjetshmërisë. Nga këndvështrimi i realitetit, bukuria dhe plotësimi në gjërat u përkasin Emrave Hyjnorë dhe janë skalitjet dhe manifestimet e tyre.

Meqenëse Emrat janë të përjetshëm dhe manifestimet e tyre janë të përhershëm, nuk ka dyshim se skalitjet e tyre do të ripërtërihen, rifreskohen, do të zbukurohen dhe do të ndryshohen. Ato nuk kalojnë dhe nuk largohen për në mosekzistencë e në asgjësim, por vetëm përcaktimet e tyre relative ndryshojnë. Sa për realitetet e tyre, esencat dhe identitetet e tyre, të cilat janë mjetet e bukurisë dhe të hijeshisë, të shkëlqimit dhe të plotësimit, ato janë të qëndrueshme. Bukuria dhe eleganca në gjërat, të cilat nuk kanë shpirt, u përkasin drejtpërdrejtë Emrave Hyjnorë; atëherë nderi është i tyre; lavdërimi u takon vetëm atyre; bukuria është e tyre; dashuria u shkon atyre; dhe ndryshimi i atyre pasqyrave nuk u shkakton dëm Emrave.

Në qoftë se gjërat janë prej gjallesave me shpirt, por ato nuk janë nga qëniet me intelekt, vdekja dhe largimi i tyre nuk është zhdukje dhe humbje në mosekzistencë; përkundrazi gjëja e gjallë shpëton nga një ekzistencë trupore (fizike), nga trazirat dhe nga detyrat e jetës, duke ia lënë frutat e detyrave të saj – që ajo i fitoi – shpirtit të saj të qëndrueshëm. Kështu, shpirtërat e këtyre gjërave mbështeten gjithashtu tek Emrat e Bukur Hyjnorë. Shpirtërat e tyre të pavdekshëm vazhdojnë, duke kaluar për tek një lumturi e denjë për to.

Ndërsa, në qoftë se ato janë nga gjallesat, edhe me shpirt edhe me intelekt, ato në të vërtetë po kalojnë në një lumturi të përjetshme dhe në botën e qëndrueshmërisë që ndërtohet mbi plotësimet lëndore dhe jolëndore. Prandaj, ndarja e tyre dhe zhdukja nuk janë në të vërtetë vdekje, mosekzistencë dhe zhdukje, por ajo është një udhëtim i këndshëm për tek botët ndriçuese të Autorit të Gjithurtë, si bota e ndërmjetme, bota e shëmbëllesës dhe bota e shpirtërave dhe në mbretëri të tjera prej vendbanimeve të Krijuesit xh.sh..

Shkurtazi: Meqenëse Autori i Gjithëlavdishëm ekziston dhe Ai është i Përjetshëm dhe, meqenëse Atributet e Tij dhe Emrat janë të përjetshëm e të përhershëm, sigurisht manifestimet e Emrave të Tij dhe mbishkrimet e skalitjet ripërtërihen, duke dhënë një lloj përjetshmërie; ato nuk janë shkatërrim, as asgjësim, as mosekzistencë dhe as zhdukje, sepse është e njohur se njeriu që është i lidhur – për sa ka të bëjë me humanizmin – me shumicën e qënieve të tjera, ai merr kënaqësi tek lumturia e tyre dhe pikëllohet me shkatërrimin dhe me fatkeqësitë e tyre.

Ai pikëllohet shumë për qëniet e gjalla dhe veçanërisht për llojin njerëzor, dhe sidomos për ata midis njerëzve të plotësimit, të cilët ai i do, i admiron dhe i respekton, kështu ai është më i pikëlluari për dhimbjet e tyre dhe më i lumturi për lumturinë e tyre, sa që ai do të sakrifikonte lumturinë e tij për hir të lumturisë së tyre, ashtu siç sakrifikon një nënë e dashur dhe e mëshirshme lumturinë dhe qetësinë e saj për hir të fëmijës së saj.

Kështu, në përputhje me shkallën e tyre, nëpërmjet dritës së Kur’anit dhe misterit të besimit, të gjithë besimtarët mund të jenë të lumtur nga lumturia e të gjitha qënieve, nga qëndrueshmëria e tyre dhe nga shpëtimi i tyre prej asgjësimit dhe nga qënia e tyre si mesazhe të vlefshme Hyjnore; ata mund të fitojnë një dritë aq të shtrirë e të madhe sa dynjaja. Gjithësecili mund të përfitojë nga kjo dritë sipas shkallës së tij.

Sa për njerëzit e çudhëzimit, ata janë të pikëlluar nga shkatërrimi i të gjitha gjërave, nga përkohshmëria e tyre dhe nga dërgimi i tyre, në pamje të jashtme, për në mosekzistencë – dhe në qoftë se ato kanë shpirtëra – nga vuajtja e tyre, përveç dhimbjeve të vetë atyre. Domethënë, mosbesimi i tyre e mbush botën e tyre me mosekzistencë; ai e zbraz atë mbi kokat e tyre, duke u shkaktuar atyre një ferr para se ata të shkojnë atje (në ferrin e Ahiretit).

 

“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë që vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti.”[1]

 

I Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!

Said Nursi

 

[1] Kur’an, 2: 32