Bismil-lahirr-Rrahmanirr-Rrahim

Falenderojmë Allahun e Madhërishëm i Cili robt e Tij i ka mbrojtur nga Shejtani i rrezikshëm, i Cili agjërimin e bëri mbrojtje dhe kështjellë për ata që janë të bindur ndaj Tij, i Cili me agjërimin ua hap dyert e Xhenetit robërve të Tij, i Cili njoftoi që Shejtani zemrën e pushton nëpërmjet epsheve si dhe me fitoren ndaj epsheve shiprti lirohet nga ky armik dhe bëhet shpirt i qetësuar “en-nefsu mutmaine”.

Qoftë përmendja (salavatet) ndaj Muhammedit (a.s), i cili është dekor i llojit njerëzor, i cili si udhërrëfyes i llojit njerëzor na la sunetin (traditën) e tij. Qofshin përshëndetjet në familjen e tij të ndershme dhe sahabët.

 

“Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kur’ani, është udhëzim për njerëzimin, provë e qartë për udhëheqje dhe kriteri (dalluesi i qartë për të drejtën dhe të gabuarën).”[1]

 

Agjërimi është njëri prej shtyllave të fesë. Në një hadith të tij Profeti (a.s) ka thënë: “Agjërimi është gjysma e durimit”[2], ndërsa në një tjetër hadith: “Durimi është gjysma e fesë”[3]. Gjithashtu ka thënë, “Islami themelohet në pesë shtylla: Deshmia që nuk ka zot, veç Allahut të Madhërishën dhe që Muhammedi, s.a.v.s, është robi dhe i Dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerjen e haxhit, agjërimin e muajit te Ramazanit[4].

Agjërimi ka një post të jashtëzakonshëm dhe të vecantë tek Allahu i Madhërueshëm, për çfarë tregon edhe ky hadith kudsi: “Për çdo vepër të mirë njeriu do të shpërblehet prej dhjetë deri në shtatëqind herë – përveçse për agjëruesin i cili është për Mua dhe për të cilin do të japë shpërblim të veçantë” [5]

Allahu i Madhërishëm thotë: “ Thuaj – O robt e Mi që kini besuar, kini frikë ndaj Zotit Tuaj. Ata që bënë mirë në këtë jetë, kanë mirësi të mëdha, e toka e Allahut është e gjërë, ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë” [6]

Agjërimi është gjysma e durimit, shpërblimi për agjëruesin është e pamundur të tregohet me fjalë. Profeti (a.s) ka thënë: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është jeta ime, kundërmimi nga goja e agjëruesit tek Allahu i Madhërueshëm është më e mirë se aroma e miskut” [7]

Allahu i Madhërueshëm thotë: “ Filani në Emrin Tim u ndal nga epshet, ushqimi dhe pirja, agjërimi është i Imi, dhe Unë do ta shpërblej në veçanti” [8]

Profeti (a.s) ka thënë: “ Në Xhenet ka një hyrje (derë) që e ka emrin Rejjan në të cilën do të hyjnë vetëm agjëruesit” [9]

“Agjërëruesi ka dy gëzime të mëdha: gëzimi i Iftarit dhe gëzimi i takimit me Allahun e Madhërueshëm” [10]

Gjithashtu ka thënë: “Çdo gjë ka hyrjen (fillimin e saj), ndërsa hyrja në devotshmëri është agjërimi” [11]

Ebu Hurejre (r.a) transmeton fjalët e Profetit (a.s): “ Kur vjen Ramazani happen dyert e Xhenetit, ndërsa mbyllen dyert e Xhehenemit, Shejtanët prangosen, ndërsa një thirrës lajmëron: O ti që dëshiron mirësi, afrohu! O ti që dëshiron keq, largohu! [12]

Profeti (a.s) duke treguar asketizmin dhe agjërimin thotë: “Allahu i Madhërishëm paraqet agjërimin në mes engjëjve dhë djaloshit të ri, dhe thotë: O djalosh i cili prej Meje e ke lënë epshin, ma ke përkushtuar jetën – ti tek Unë je një prej melekëve të Mi” [13]

Shpjegohet që shpërblimi për të cilin flet Kur’an-i: “Pra, për ata që kanë vepruar, nuk di askush për atë kënaqësi ( të temës së shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim” [14]. Janë të paraparë në rend të parë për agjëruesit, që mund të konkludohet nga teksti Kur’anor në vijim: “ Thuaj – O robt e Mi që keni besuar, keni frikë ndaj Zotit Tuaj, ata që bënë mirë në këtë jetë, kanë të mirë të madhe, e toka e Allahut është e gjërë, ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë” [15]

Agjërimi ka trajtim të vecantë edhe kjo për dy shkaqe.

Shkaku i parë është për atë se agjërimi para së gjithash është gjë e brendshme dhe akt për ndryshimin nga rregullat e tjera, të cilat rregjistrohen dhe vihen re nga njerëzit. Dashuria për agjërimin i takon vetëm Allahut (xh.xh).

Shkaku i dytë është për njeriun me agjërim e mposht ndikimin e Shejtanit tek ai, sepse epshet dhe kënaqësitë janë element themelor të veprimit të tij. Për këtë Profeti (a.s) ka thënë: “Shejtani qarkullon në trupin e njëriut sikurse gjaku, ngushtojeni dhe pengojeni kalimin me uri” [16]

Agjërimi ka rregullat e tij të jashtme dhe të brendshme.

Rregullat e jashtme janë të njohura pasi janë të pashmangshme në aplikim dhe kanë të bëjnë më tepër me praktikën e agjërimit, janë të përgjithshme për të gjithë, sic janë: Koha e fillimit të Ramazanit, Nijeti, Distancimi nga marrja e çfarëdo qoftë në organizëm gjatë agjërimit, distancimi nga marrëdhëniet intime, apo edhe dispozita të cilat kanë të bëjnë me gjendje të veçanta gjatë agjërimit.

Ndërsa përsa i përket rregullave të brendshme, sipas kategorizimit që bën Imam Gazali janë tre kategori të agjërimit:

  1. Agjërimi i masës – sawmu el umum
  2. Agjërimi i të zgjedhurve – sawmu el humus
  3. Agjërimi i të zgjedhurve të veçantë – samu el humusi el humus

Agjërimi i masës është agjërimi në të cilën agjëruesi përmbahet nga ushqimi, pirja dhe marrëdhëniet intime.

Agjërimi i të zgjedhurve është agjërimi i atyre që përveç agjërimit që bën masa, gjithashtu ata ruajnë dëgjimin nga mëkatet, ruajnë shikueshmërinë, gjuhën dhë të gjitha organet e tjera dhe shqisat.

Agjërimi i të zgjedhurve të vecantë siç thotë Gazali është agjërimi i atyre që përveç kritereve të përmendura në të dy kategorite e para, agjërojnë me zemër dhe mendime, të cilët tërësisht i përkushtohen Allahut të Madhërueshëm.

Agjërimi i të mirëve dhe të zgjedhurve është agjërimi i atyre që agjërojnë me shqisat e tyre. Shikimin e tyre e largojnë nga gjithë ato që janë mëkate dhe të papranueshme nga të gjitha ato që zemrën e largojnë nga dhikri dhe përmendja e Allahut (xh.xh). Profeti (a.s) ka thënë: “Shikimi është shtize helmuese e Shejtanit, Allahu e mallkoftë, ai i cili duke ju frikësuar Allahut të Madhërishëm e refuzon Iblisin, Ai do ti japë iman në atë masë, në të cilën zemra e tij do të jetë e shëndoshë dhe e mbushur me dashuri ndaj Tij”.[17]

Sahabi i Profetit (a.s), Enes B. Malik (r.a) transmeton që Profeti (a.s) ka thënë: “ Pesë gjëra e prishin agjërimin: gënjeshtra, përgojimi, ekspozimi i vetes (paraqitja), betimi i rrejshëm dhe shikimi epshor”.[18]

-Ata të cilët ruajnë gjuhën e tyre nga të folurit e pamenduar, gënjeshtra, përgojimi, fjalët ofenduese, grindjet, të cilët gjuhës së tyre i imponojnë heshtjen duke e orientuar me përmendjen e Allahut (xh.xh) dhe leximin e Kur’an-it, ky është agjëruesi i gjuhës.

Profeti (a.s) ka thënë: “Agjërimi për njeriun është mburojë. Kur dikush prej jush agjëron, të mos flasë marrëzi dhe atë që nuk i përket, por nëse dikush mund ta ngacmojë dhe ta provokojë, le të përmbahet nga kjo dhe të thotë: Unë agjëroj, unë agjëroj” [19]

Në një transmetim thuhet që dy gra të cilat jetonin në kohën e Profetit (a.s), një ditë gjatë Ramazanit sherif ato ndjenë aq shumë uri dhe etje, saqë nuk mund ta përballonin agjërimin. Dërguan dikë tek Profeti (a.s) dhe ai nëpërmjet këtij njeriu u dërgoi grave nga një gotë dhe urdhëroi që në këto gota të kthenin atë që kishin ngrënë. Njëra e mbushi përgjysëm gotën me gjak që kundërmonte si gjak i kafshës së therur, ndërsa tjetra e mbushi gotën me të njëjtën përmbajtje. Njerëzit u çuditën nga kjo ngjarje, ndërsa Profeti (a.s) tha: “Këto dy gra kanë agjëruar dhe janë përmbajtur nga ajo që Allahu i Madhërishëm iu ka lejuar, por nuk kanë agjëruar dhe përmbjatur nga ajo që Allahu i Madhërishëm iu ka ndaluar. Janë takur dhe kanë përgojuar njerëzit e tjerë. Ky është mishi që kanë ngrënë” [20]

-Ata të cilët ruajnë dëgjimin e tyre nga çdo gjë e ndaluar dhe e përbuzur, sepse çdo gjë e ndaluar të flitet është e ndaluar edhe të dëgjohet. Për këtë Allahu i Madhërishëm në të njëjtin nivel i ka vendosur ato që veprojnë dhe dëgjojnë të ndaluarën: “Janë ata që i përgjigjen të pavërtetës dhe hanë shumë haramin (rryshfetin). Në qoftë se vijnë tek ti (për ndonjë gjykim), gjyko mes tyre ose largohu prej tyre. Nëse prapsesh prej tyre (nuk gjykon), ata nuk mund të të sjellin ty asnjë dëm. Por nëse gjykon mes tyre, gjyko drejt, Allahu i do të drejtët” [21]

 

Ka thënë Profeti (a.s): “Ai i cili përgojon dhe ai i cili dëgjon janë pjesmarrës në mëkat”.[22]

 

-Ata të cilët edhe pjesët e tjera të trupit të tyre siç janë duart, këmbët, stomaku i ruajnë ato nga ato gjëra që prishim agjërimin. Është e pakuptimtë të përmbahemi dhe të agjërojmë nga ajo që është e lejuar, ndërsa ta prishim agjërimin me atë që është e ndaluar. Profeti (a.s) ka thënë: “Janë shumë nga ata të cilët agjërimin e tyre e kanë vetëm uri dhe etje” [23]

 

-Ata të cilët gjatë iftarit kontrollojnë dhe ruhen nga tejkalimi në ushqim. Për Allahun e Madhëruar nuk ka enë më të urryer se stomaku i stërngarkuar. Si mundet agjëruesi të mendojë që me agjërimin e tij të mposhtë armikun e tij, djallin, të mbizotërojë lakminë dhe epshin, nëse me iftarin e tij kompeson gjithë atë që është dashur të hajë dhe të pijë gjatë ditës, e ndoshta harxhon më shumë ushqim dhe pije!”

Qëllimi i agjërimit është të reduktohet ushqimi, të dobësohet trupi, të forcohet shpirti. Nëse duke agjëruar që nga mëngjesi i hershëm deri në mbrëmje, stomakut i cungohet ushqimi dhe pija e për rrjedhojë është e natyrshme që dëshira për to të jetë tejet e shprehur. Nëse gjatë iftarit i kënaq këto nevoja madje e tepron me to, atëherë do të paraqitet oreksi dhe lakmi të cilat kanë qenë shprehur në atë masë para ditëve të Ramzanit!

Fshehtësia dhe qëllimi i agjërimit është triumfi i shpirtit ndaj trupit. Kjo arrihet në atë mënyrë që agjëruesi gjatë iftarit të konsumojë aq ushqim sa e ka praktikuar gjatë darkave para Ramazanit. Por nëse ai përveç kësaj, zëvendëson edhe atë që ka bërë zakon të konsumojë gjatë ditës nuk do të ketë dobi të vërteta nga agjërimi i tij.

Me agjërim zemra forcohet dhe pastrohet, ndikimi i djallit në zemër është gjithnjë e më i dobët, ndërsa njeriu merr dëshirë edhe më të fortë për reflektim dhe ibadet.

Shembulli i atij që është i pavëmenshëm, është si ai që ngarkon mbi qafën e vet “thesin e thekrës” përplot me ushqim, i cili nukdo të mund ta ngrejë kokën e të mund ta shikojë këtë botë të padukshme madhështore. Nuk mjafton të pastrohet dhe lirohet vetëm stomaku dhe lukthi. Për t’u çliruar nga barrierat të cilat njeriut ia mundësojnë të shikojë në Botën e Padukshme, gjithashtu duhet  të lirohet edhe mendja jote dhe vetëdija nga çdo gjë që të prapëson nga mendimi për Allahun e Madhërishëm.

Një specifikë tjetër gjatë agjërimit të Ramazanit është që gjatë iftarit zemra të jetë në gjendjen e frikës dhe shpresës; frikës për shkak që nuk është i sigurt se do të jetë i pranuar agjërimi i tij te Allahu i Madhërueshëm dhe t’a afrojë tek Ai, si dhe shpresës që agjërimi do të jetë i pranuar dhe me të arrihet kënaqësia dhe mëshira e Allahut të Madhëruar. Në fakt secilin ibadet të tij njeriu do të duhej ta përcillte me mendimi dhe qasje të këtilla.

Pejgamberi s.a.v.s, ka thënë: “Agjërimi është amanet, prandaj secili prej jush le ta ruajë këtë amanet” [24]

 

Kur’ani i gjithurtë u shpall në muajin e bekuar të Ramazanit. Bota Islame në këtë muaj të bekuar bëhet si një xhami e madhe. Në çdo qoshe të asaj xhamie madhështore me miliona hafiza të Kur’anit, të cilët e dinë Kur’anin përmendësh, i bën banorët e tokës të dëgjojnë adresimin qiellor dhe e shfaqin në mënyrë të ndritshme e të shkëlqyeshme dëshminë e vërsetit Kur’anor:

 

 “Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kur’ani, është udhëzim për njerëzimin…”[25]

Dhe vërtetojnë me këtë vërset se Ramazani është muaji i Kur’anit.

Gjithashtu muaji i Ramazanit është një shfaqje tej mase fitimprurëse dhe një “treg” për tregtinë e Ahiretit. Ai është një pjesë pjellore e tokës për prodhimet e Ahiretit, sepse rritja dhe lulëzimi i veprimeve janë si shirat e prillit në stinën e pranverës. Ai është si një festival i ndritshëm i shenjtë për paradën e adhurimit të njerëzimit përpara madhështisë Hyjnore dhe krenarisë Hyjnore.  Sigurisht, një Ramazan i vetëm mund të prodhojë fruta të barabartë me atë të një jete tetëdhjetë vjeçare. Fakti që sipas Kur’anit, Nata e Kadrit është më e volitshme se sa një mijë muaj është një provë vendimtare e kësaj.

 

Agjërimi është gjithashtu një ilaç për padurimin dhe për mungesën e qëndresës në çështje, të cilat ia dyfishojnë njeriut fatkeqësitë e sprovat. Për më tepër, vetë stomaku është si një fabrikë që ka shumë punëtorë. Dhe shumë nga gjymtyrët e njeriut janë të lidhura me të. Në qoftë se nefsi instinktiv nuk ka një pushim, një ndërprerje prej aktivitetit gjatë ditës për një muaj, ai i bën punëtorët e asaj fabrike dhe ato organe që t’i harrojnë detyrat e tyre të veçanta. Ai i vendos ato nën sundimin dhe nën tiraninë e tij. Gjithashtu ai e ngatërron pjesën tjetër të gjymtyrëve në trupin e njeriut me tringëllimën dhe merr presionin e makinerisë së fabrikës. Ai në mënyrë të vazhdueshme e tërheq vëmendjen e tyre për tek vetvetja e tij, duke i bërë ato përkohësisht të harrojnë detyrat e tyre të larta. Për shkak të kësaj, për shekuj ata të cilët janë më të afërt me Krijuesin i kanë mësuar vetvetet e tyre të disiplinohen duke ngrënë e duke pirë pak me qëllim që të ngjiten në shkallën e plotësimit. Por, nëpërmjet agjërimit në Ramazan punëtorët e fabrikës kuptojnë se ato nuk u krijuan vetëm për atë fabrikë. Ndërsa pjesa tjetër e organeve, në vend të kënaqjes në dëfrimet e ulëta të asaj fabrike, marrin kënaqësi në zbavitjet engjëllore e shpirtërore dhe i fiksojnë shikimet e tyre mbi to.

Për këtë arsye, në Ramazan besimtarët përjetojnë një ndriçim, frytëzim dhe kënaqësi shpirtërore, të cilat ndryshojnë sipas shkallëve të tyre. Aftësitë e tyre të holla, të tilla  si zemra, shpirti dhe intelekti bëjnë progresin dhe përparimin e tyre në atë muaj të bekuar nëpërmjet agjërimit. Dhe pavarësisht vajtimit dhe rënkimit të stomakut, ato aftësi të holla qeshin në pafajësi e gëzim.

O Zot! Jepi bekime e paqe shkëlqesisë sonë Muhammedit a.s.m., që do të jetë e kënaqshme për Ty dhe një përmbushje e së vërtetës së tij sa numri i meritave të fjalëve të Kur’anit, dhe familjes së Tij dhe shokëve të tij, dhe jepu atyre paqe. Lavdi Allahut, Zotit të nderimit dhe të fuqisë! (i Lartësuari) mbi çdo gjë që njerëzit ia mveshin, ia shpikin Atij!

 

[1] Kur’an 2:185

[2] Et-Tirmidhi (3159); Ibn Maxheh (1745), nga Ebu Hurejre

[3] Ebu Nu’ajmi (El-Hiljetu), El-Hatib (Et-Tarihu) nga Ibn Medudi

[4] Buhariu (8); Muslimi (19-21/16) nga ibni Omeri

[5] Buhariu (1904); Muslimi (164/1151) nga Ebu Hurejre

[6] Ez-Zumer, 10

[7] Buhariu (1894,1904); Muslimi (163/1151)

[8] Buhariu (1896); Muslimi (166/1152) nga Sehl ibn Sa’di

[9] Buhariu (7492); Muslimi (164,1151) nga Ebu Hurejra

[10] Ibni Mubareku (Ez-Zuhdu); Ebu esh-Shejh (Eth-Thevabu)- nga Ebu ed-Derda

[11] Et-Tirmidhi, 682; Ibni maxhxheh, 1642; El-Hakim nga Ebu Hurejre

[12] Ebu Mensur Ed-Dejlemi (Musned el-Firdevs) nga Abdullah ibn ebi Evfa

[13] Ibn Adij- nga Ibn Mes’udi

[14] Es-Sexhde, 17

[15] Ez-Zumer, 10

[16] Buhariu (2038-2039) muttefekun alejhi nga Saffije

[17] El-Hakimi nga Hudhejfe Ibn Jemani

[18] El-Ezdi (Ed-Dufa) nga Enes Ibn Malik

[19] Buhariu (1894); Muslimi (163/1151) nga Ebu Hurejre

[20] Ahmedi (5/431) nga Ubejdi

[21] El-Maide , 42

[22] Et-Teberani nga Ibni Omeri

[23] En-Nesai në “El-Kubra” (3249); Ibn Maxheh (1690) nga Ebu Hurejre

[24] El-Haraiti (Mekarimu el-ahlaki) nga Ibn Musudi

[25] Kur’an 2:185

pregatiti: zell.al

nga Ihja ulumid din, Imam GAZALIU

Leave a Reply