Lexo PDF

بِسْمِ اللّهِ الرَّحْمنِ الرَّحِيمِ

اِنَّ اللّهَ مَعَ الَّذِينَ اتَّقَوْا وَالَّذِينَ هُمْ مُحْسِنُونَ

Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

Sigurisht që All-llahu është me ata që i frikësohen Atij dhe që janë mirëpunues.”[10]

Në qoftë se dëshiron të shikosh se çfarë detyre e vërtetë humane dhe çfarë rezultati i natyrshëm e i përshtatshëm i krijimit të njeriut është kryerja e faljeve të urdhëruara dhe mosbërja e gjynaheve të mëdha, dëgjo dhe kushtoji vëmendje krahasimit që vijon:

Njëherë, në një kohë të një mobilizimi të përgjithshëm, dy ushtarë gjetën vetveten së bashku në një regjiment. Njëri ishte i stërvitur mirë dhe i ndërgjegjshëm, ndërsa tjetri ishte një ushtar i papërvojë dhe egocentrik. Ushtari i përgjegjshëm u përqëndrua tek stërvitja dhe lufta dhe nuk mendoi fare për racionet e ushqimit dhe të furnizimeve, sepse e dinte se ishte detyra e shtetit për ta ushqyer e pajisur atë, për ta kuruar në rast sëmundje, dhe madje t’ia vendoste tek goja ushqimin e tij po të ishte nevoja. Ai e dinte se detyra e tij kryesore ishte për t’u stërvitur e luftuar. Por, ai duhej gjithashtu të merrej me përgatitjen e ushqimeve dhe pajimeve si pjesë e punës së tij, si të gatuarit dhe larja e gavetave.

Madje edhe sikur të pyetej gjatë marrjes me këtë çështje e t’i thuhej, çfarë po bën?

Ai përgjigjet: “Unë po bëj një detyrë vullnetare për shtetin.” Ai nuk thotë: “Unë jam duke punuar për jetesën time.”

Ndërsa ushtari i papërvojë dhe që nuk i kushtoi fare rëndësi stërvitjes dhe nuk mori pjesë fare në luftë, thonte: “Kjo është detyrë e shtetit, çfarë është ajo për mua!” Ai merret vetëm me jetesën e tij, dhe duke shkuar pas saj do të braktiste regjimentin dhe të shkonte në treg për të bërë pazarin, pasi ai ishte i dhënë vetëm pas stomakut të tij.

Një ditë shoku i tij i stërvitur mirë i tha: “Detyra jote kryesore është stërvitja dhe lufta, o vëlla! Ti je sjellë këtu për këtë, ki besim tek mbreti; ai nuk do të të lërë ty të vuash nga uria. Kjo është detyra e Tij. Patsaj ti je i pafuqishëm dhe i varfër, ti nuk mund ta ushqesh veten tënde kudo. Dhe kjo është një kohë mobilizimi e lufte; Ai do të të thotë se ti je ‘kryengritës’ dhe do të të ndëshkojë. Po, janë dy detyra që duken para nesh. Njëra është detyra e mbretit: Është ajo që Ai të na ushqejë ne. Ndonjëherë ne mund të vihemi në shërbim falas në kryerjen e asaj detyre. Tjetra është detyra jonë: domethënë, stërvitja dhe përgatitja për luftë. Disa herë mbreti na ndihmon ne me lehtësira.

Natyrisht ti do ta kuptoje se në çfarë rreziku do të ishte ushtari përtac në qoftë se nuk do t’i kushtonte vëmendje fjalës së ushtarit të stërvitur mirë e luftarak!

Kështu, o nefsi im dembel! Ai vend i trazuar lufte është kjo jetë e kësaj dynjaje të stuhishme. Ushtria e ndarë në dy regjimente, është sho-qëria njerëzore. Regjimenti në krahasim është xhemati Islam në këtë shekull. Njëri nga dy ushtarët është muslimani i përkushtuar i cili i njeh detyrat e fesë së tij dhe i kryen ato, dhe lufton kundër shejtanit dhe nefsit të tij me qëllim që të mos bie në gjynahe të mëdha e në punë të liga. Ndërsa tjetri, i cili është një keqbërës i degjeneruar, është kaq i zhytur në luftën për të nxjerrë jetesën sa që bën shpifje ndaj Furnizuesit të Vërtetë. Dhe nuk do të shqetësohej aspak në rrugën e kërkimit të mjeteve të jetesës edhe sikur ai t’i braktiste detyrat e tij fetare më të mëdha dhe të zbulohej para gjynaheve të mëdha dhe të mëkatonte. Stërvitja dhe instruk-sionet, janë adhurimi -me në krye faljen. Lufta është përpjekja kundra nefsit dhe tekave të tij, shmangia nga gjynahet dhe nga moralet e ulëta, lufta kundra shejtanit midis xhindeve dhe njerëzve, me qëllim që ta shpëtojë zemrën e tij dhe shpirtin nga shkatërrimi i përhershëm dhe nga humbja e qartë. Dy detyrat: E para është dhënia e jetës dhe furnizimi i saj. Ndërsa tjetra është të adhurosh e të kërkosh Jetëdhënësin dhe Furnizuesin e saj. Është të besosh tek Ai, t’i mbështetesh Atij dhe të gjesh qetësi tek Ai.

Po, Ai që e dhuroi jetën, e cila është mrekullia më brilante e artit të Krijuesit të përjetshëm dhe mrekullia e urtësisë Hyjnore, është Ai i Cili e furnizon me ushqim jetën dhe e bën të vazhdueshme. Nuk mund të jetë tjetër përveç Atij! A dëshiron një provë? Kafshët më të dobëta e më të pazgjuara ushqehen më mirë, -si peshqit dhe krimbat në fruta. Po kështu krijesat më të pafuqishme dhe delikate hanë ushqimin më të zgjedhur, -si fëmijët dhe të vegjëlit e të gjitha specieve.

Sigurisht, do të ishte e mjaftueshme të krahasosh peshqit me dhelprat, kafshët e porsalindura me bishat e egra, si dhe pemët me kafshët, me qëllim që të kuptosh se ushqimi hallall -i lejuar- nuk fitohet përmes fuqisë dhe vullnetit, por përmes pafuqisë dhe pamundësisë.

Nëse dikush  heq dorë nga kryerja e faljeve të detyruara për shkak të kërkimit të mjeteve të jetesës, i ngjason ushtarit që ka braktisur stërvitjen e tij dhe llogoren dhe ka shkuar të lypë në tregje. Ndërsa ai që kryen faljen pa harruar pjesën e tij të kërkimit të jetesës -me qëllim që të mos bëhet barrë për të tjerët- dhe del për të kërkuar mjetet e jetesës në kuzhinën e Mëshirës së Furnizuesit Gjithëbujar, ky veprim i tij është i mirë e burrëror dhe gjithashtu është një lloj adhurimi.

Për më tepër, natyra e njeriut dhe aftësitë shpirtërore që i janë dhuruar tregojnë se ai është i krijuar për adhurim, sepse për sa i përket fuqisë dhe veprimeve të domosdoshme për jetën e kësaj bote, ai nuk mund të konkurojë as edhe me trumcakun më të ulët, i cili e gëzon jetën më shumë se ai dhe më mirë. Ndërsa në lidhje me njohjen, nevojën, adhurimin dhe lutjen, të cilat janë të domosdoshme për jetën shpirtërore dhe për jetën e Botës së përtejme, ai është monarku dhe komandanti i kafshëve.

Dhe kështu, o shpirti im! Në qoftë se ti e bën jetën e kësaj bote qëllimin e jetës tënde dhe punon vazhdimisht për të, ti do të bëheshe si harabeli më i ulët. Por në qoftë se ti do ta bëje jetën e botës tjetër qëllimin dhe synimin tënd, dhe ta bëje këtë jetë si mjet për tek ajo dhe si tokë e kultivuar për të, dhe të bëje përpjekje për tek ajo në përputhje me të, atëherë ti do të bëheshe një komandant i fuqishëm për kafshët, një shërbëtor i dashur i Krijuesit të Gjithëfuqishëm dhe miku i Tij i nderuar e i respektuar.

Të dyja rrugët janë të hapura për ty. Ti mund të zgjedhësh cilëndo që të duash. Prandaj kërko udhëzim e sukses nga i Gjithëmëshirshmi e Mëshirëploti…

[10] Kur’an, 16: 128

***

Lexo PDF

Leave a Reply