Sado thellë që të shkohet në thellësitë e historisë, në të gjitha bashkësitë dhe shoqëritë njerëzore do të vërehet prania e një mendimi fetar. Madje, kjo mund të haset edhe në komunitetet më primitive.
Fjala “din” (shih: fe), e cila është një fjalë arabe, bart kuptimin e rrugës, bindjes, si dhe të dhënies së ndëshkimit ose shpërblimit. Të tria kuptimet që janë të ngërthyera në thelbin e kësaj fjale, janë të pranishme edhe në përkufizimin e fesë. Ajo është një rrugë, një rrugë kryesore, një bulevard. Ajo është rruga në të cilën ka bindje ndaj Zotit.
Dhe, poende, në të ka dy rrjedhoja, si shpërblimi për atë që bindet dhe e ndjek atë dhe ndshkimi, për atë që nuk bindet dhe nuk e ndjek.
Ndërsa në terminologji feja përkufizohet si “tërësia e ligjësive hyjnore që i shtyn drejt së mirës dhe të mbarës ata që kanë arsye”. Feja u drejtohet njerëzve me arsye. Dhe njerëzit binden me vullnetin e tyre. Feja, i hap derën mendjes, përdor siç duhet vullnetin dhe nuk e privon atë nga mundësia për të zgjedhur. Ndërsa pika drejt së cilës i drejton feja njerëzit është e mira absolute.
Këtë udhëzim feja e bën para së gjithash nëpërmjet aspektit të saj të besimit. Vetëm përmes mendjes, njeriu mund të konceptoje se është dikush që i ka krijuar, atë vetë dhe tërë gjithësinë. Mirëpo, ai arrin të ketë besimin dhe bindjen e duhur vetëm kur dëgjon zërin kumbues të një profeti, atë zërin që e mbështet edhe pranimi në vetë ndërgjegjen e tij. Ai profet ka ardhur me provat dhe argumentet që tregojnë se ai është i ngarkuar me detyrë nga Zoti i Madhërishëm. Dhe, nëse krahas qindra mrekullive të treguara, ka sjellë edhe një libër mrekullia e të cilit do të vazhdojë gjer në kiamet, atëherë do të thotë se për atë nuk ka më kurrfarë dyshimi. Në sajë të atij libri besimtari mëson se si duhet besuar tek amshimi (shih: jeta e përtejme, ajo botë, përjetësia) dhe kaderi (shih: fati, (para) caktimi hyjnor, dija hyjnore) dhe në çfarë tjetër i duhet të besojë dhe po në të, vetë ai profet do t’i mësoje çështjet që kërkojnë shpjegim, duke ia shpjeguar një e nga një.
Që një besim i këtillë të mund të qëndrojë në zemra përherë i freskët dhe të mos prishet e amortizohet, kjo varet nga adhurimet. Nëpërmjet adhurimeve besimi mund të qëndrojë gjithmonë i ri e i pavjetëruar. Njeriut pa adhurime, pas një farë kohe, nuk i mbetet vetëmse mburrja me të vjetërit që kanë ikur e janë tashmë nën dhè, përsa i përket pasionit dhe emocionit të besimit.
Për rrjedhojë, çdokush që e fal namazin, shkon në haxh, jep zekatin, agjëron dhe kryen detyrën e udhëzimit në të mirë dhe parandalimit të së keqes, duhet t’i vlerësojë më së miri fuqinë dhe dinamikat shtytëse dhe përforcuese, sipas adhurimit që kryen, në mënyrë që të mund ta fiksojë e perçinosë besimin e vet. Sepse adhurim do të thotë shprehja më e patëmetë e të qenit të Zotit i Adhuruar dhe robërisë së njeriut ndaj Tij. Ai është i përbërë nga rregullimi i sjelljeve sipas ekuilibrit Krijues-krijese.
Një tjetër anë e fesë, ka të bëjë me veprimet e njeriut. Jeta sociale e njeriut që beson duhet të jetë e rregulluar në përputhje të plotë me kënaqësinë e Allahut. Morali dhe principet e tregëtisë duhet të përshtaten në përputhje me kriteret e Tij. Sepse, vetëm kështu, duke braktisur dëshirat dhe kërkesat e egos së vet, njeriu mëson se si t’u përulet urdhrave dhe kërkesave të Allahut.
Me pak fjalë, feja është një tërësi, e cila nuk pranon as copëzim, as ndarje në pjesë. E ajo që pranon copëzim, apo ndarje në pjesë, asesi nuk mund të quhet fe. Ajo është si një pemë; çështjet që kanë të bëjnë me besimin janë rrënjët, çështjet lidhur me adhurimin degët, sjelljet lulet, qortimet e ndëshkimet mbrojtësit, e aspektet si uirdet dhe dhikri (shih: përmendja e Zotit) elementët që e ushqejnë atë nga poshtë dhe nga lart. Ja pra, feja, e cila përbën një tërësi të pandashme, është tërësisht e bërë e ditur nga Allahu dhe e shpallur e mësuar nga profetët.
Feja ka një metodologji (usul – kriteret e besimit) dhe rregulla anësore (furu – që kanë të bëjnë dhe rregullojnë sjelljet dhe veprimet e njeriut)*. Në metodologji, kurrsesi nuk mund të bëhet fjalë për ndryshime. Përsa i përket asaj, mes kritereve të besimit në kohën e Ademit të nderuar (a.s.) dhe atyre tonave sot nuk ka asnjë dallim. Këto kritere janë të njëjta në të gjitha fetë qiellore. Madje, kjo njëjtësi ekziston njëfarësoj edhe tek adhurimi. Sepse nuk ka pasur asnjë fe të vërtetë, në të cilën të mos ketë pasur adhurim. Vetëm aspekti i formës së adhurimit, ka ndryshuar sipas periudhës. Allahu (xh.sh.) i ka ngarkuar njerëzit e çdo periudhe sipas kapacitetit dhe vetëdijes së tyre. Forma mund të ndryshojë, por përsa u përket kritereve të besimit, domethënia (shih: përmbajtja) e adhurimit nuk ndryshon.
Në çështjet që kanë të bëjnë me sjelljet njerëzore ka ndodhur që profetët t’i ndryshojnë ligjet dhe rregullat, ose thjesht një pjesë të tyre. Në këtë pikë gjithmonë ka pasur ndryshime. Dhe kjo lidhet me rrugëtimin e njerëzimit drejt përkryerjes, sa vjen e duke u pjekur edhe më shumë.
Ky ndryshim ka ndodhur, në çdo periudhë, edhe në disa prej imtësive (shih: detaje) të agjërimit, që është një prej këtyre adhurimeve.
Fjalët në Kuran, “O ju që besuat! Agjërimi është detyrim edhe për ju, ashtu si për ata përpara jush, që ju të ruheni (nga mëkatet)” dhe përmendja e agjërimit të Davudit të nderuar (a.s.) e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) në një nga hadithet e Tij, janë ndër provat më të qarta, që adhurimi i agjërimit ka qenë i pranishëm edhe në fetë hyjnore që kanë sjellë profetët e mëparshëm.
Sipas transmetimeve, agjërimi i parë ka nisur me Ademin e nderuar (a.s.). Ademi (as.) agjëronte në ditën 13, 14 dhe 15 të çdo muaji.
Sulejmani (alejhis selam) ka qenë me agjërim në fillim, në mes dhe në fund të çdo muaji; që ka agjëruar tri ditë çdo muaj thuhet edhe për Ibrahimin e nderuar (a.s.). Po ashtu dihet se edhe popujt e vjetër, si keltët, meksikanët, peruanët, babilonasit dhe asirët, i kanë kushtuar rëndësi agjërimit.
Te hebrenjtë agjërimi është tregues i pendesës ndaj mëkatit; pendimi kryhet duke agjëruar. Shpresohet që agjërimi i mbajtur të bëhet shkak për shlyerjen e mëkateve të kryera dhe në sajë të kësaj pritet edhe pastrimi syresh. Nganjherë, kur mbi shoqërinë pllakos ndonjë farë fatkeqësie natyrore, agjerohet edhe me mendimin se fatkeqësia mund të ketë ardhur si pasojë e mëkateve të njerëzve. Në të njëjtën kohë, agjërimi është edhe një shenjë zie. Ditët më të kobshme të historisë së hebrenjve përmenden së bashku me agjërimin e mbajtur në to.
Adhurimin e agjërimit e hasim edhe në Krishterim – edhe pse jo si në Islam. Në Dhiatën e Re ka shumë të dhëna që Isai i nderuar (a.s.) dhe apostujt e tij kanë mbajtur agjërim. Të krishterët agjërojnë edhe që agjërimi i tyre të shërbejë si shlyerje e mëkateve, edhe që nëpërmjet tij të mbahen nën kontroll dëshirat egoiste të njeriut. Përveç të sëmurëve, fëmijëve, ushtarëve dhe punëtorëve që bëjnë punë të rënda, çdo të krishteri tjetër i është ngarkuar agjërimi. Isai i nderuar (a.s.) u jep apostujve të tij këto këshilla në lidhje me agjërimin: “Kur të mbani agjërim, mos e prishni fytyrën, duke i shtuar përvujtëni, siç bëjnë hipokritët. Sepse ata fytyrën e varin që t’u tregojnë njerëzve se janë duke agjëruar. Në të vërtetë, unë mund t’ju them se ata e kanë marrë shpërblimin që prisnin. Kurse ti, kur të mbash agjërim, laje dhe lyeje fytyrën me vajra. Asisoj që agjërimin t’ia tregosh Atij që nuk duket dhe jo njerëzve dhe Ai që është i fshehtë e nuk duket, ka për të të dhënë ty një shpërblim të dallueshëm prej të gjithëve.”
Agjërim ka edhe në fetë e shfaqura ne Gadishullin Indian, si ajo hinduiste, budiste, hainiste dhe sihiste. Por agjërimi tek këto fe është një adhurim që prek vetëm klasën e klerit.
Nocioni i agjërimit ka qenë i pranishëm edhe ndër arabët e kohës së injorancës. Madje, i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka mbajtur syresh agjërimin e mbajtur në ditën e Ashures, madje mbajtjen e tij ua ka urdhëruar edhe të tjerëve. Ja se si na e percjell ibni Abasi (radijallahu anhuma):
“Kur mërgoi në Medine, i Dërguari i Allahut (sal lallahu alejhi ue sel’lem) pa se hebrenjtë agjëronin gjatë ditës së ashures. Pyeti dhe i dhanë këtë përgjigje: ‘Sot është një ditë e mirë. Si sot, Allahu i Lartësuar i shpëtoi Musain (alejhis’selam) dhe hebrenjtë nga armiqtë. Prandaj, ditën e sotme Musai (alejhis’selam) e ka kaluar duke agjëruar.’ Aty, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) tha: ‘Unë jam më afër Musait sesa ju’ – dhe urdhëroi që në ditën e ashures të agjërohej.**
Ndërsa, një transmetim tjetër është kështu:
“Në periudhën e injorancës, fisi i Kurejshit agjëronte në ditën e ashures. Para se të shpallej i detyruar agjërimi i Ramazanit, Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) u pati urdhëruar sahabeve të Tij, që edhe ata të agjëronin në ditën e ashures, njësoj siç bënte Ai vetë. Kur u bë i detyrueshëm agjërimi i muajit të Ramazanit, për ditën e ashures i pati këshilluar: ‘Kush të dojë të agjërojë, kush të dojë të mos e agjërojë.’”
*Fjala furu është shumësi i fjalës fer, që në gjuhën arabe do të thotë degë, pjesë anësore, nënndarje dhe në përmbajtjen terminologjike bart kuptimin e çështjeve juridike të fesë, që rregullojnë anën praktike të saj dhe jo atë besimore apo doktrinore (usul)
**Buhari, saum 69, menakibu’l-ensar, tefsiru’sure (10) 2,1; sijam 127, 128.
***Shih: Buhari, saum 113; sijam 113, 116