Kapitulli i mëparshëm përfundoi me një pyetje që ka të bëjë me origjinën e njeriut superior, filozofin – mbret, apo trashëgimtarët e tokës. Këto janë nofkat që Konfuci, Platoni dhe Gyleni, respektivisht, i kanë dhënë versioneve të tyre të njeriut ideal, i cili duhet të udhëheqë, apo të ndikojë mbi shoqërinë në mënyrë që kjo e fundit të jetë e mirë dhe e drejtë si e tërë. Po ku janë këta njerëz? Si mund të arrijmë tek ata? Ku do t’i gjejmë ata? Përgjigja, sigurisht është mjaft e qartë. Ne jemi ata, ose duhet të bëhemi të tillë. Qëllimi i të tre sistemeve të propozuara është që të gjithë njerëzit ta ngërthejnë në vetvete njeriun ideal sa më shumë që të jetë e mundur. Megjithatë fraza “Sa më shumë që të jetë e mundur”, e pranon faktin se shumë njerëz, madje shumica e njerëzve, nuk do ta arrijnë këtë nivel të lartë të mundësive njerëzore. Siç e pamë në fillim të kapitullit të fundit, Konfuci, Platoni dhe Gyleni e shprehin qartë dallimin ndërmjet të verbërve dhe atyre që shikojnë, ndërmjet masës së njerëzve të zakonshëm, të fiksuar në realitetin mondan dhe të paktëve, që kërkojnë gjëra të tjera më të larta. Kështu, ndërsa të gjithë zotërojnë potencialin për t’u bërë njerëz idealë, falë natyrës së tyre të trashëguar njerëzore, shumica nuk do të bëhen të tillë, ose do të bëhen pjesërisht, vetëm në disa aspekte të caktuara.
Për ata të cilët do të përpiqen të arrijnë parametrat e njerëzve idealë, pyetja që shtrohet është kjo: si do ta arrijnë këtë objektiv? Çfarë metodash, apo mekanizmash do të përdorin për ta ngritur vetveten në një shkallë të tillë? Përgjigjja është e njëjtë për të tre pjesëtarët e trialogut tonë: kjo do të arrihet përmes edukimit. Edukimi përbën themelin mbi të cilin ngrihen të gjitha përpjekjet për ta përftuar plotësisht njeriun ideal. Konfuci, Platoni dhe Gyleni, veç e veç flasin për teori specifike në lidhje me edukimin sipas këndvështrimeve të tyre respektive, aq shumë, saqë të jetë e qartë se pa komponentët e edukimit, e tërë ngrehina e këtij sistemi rrëzohet. Për më tepër, secili prej tyre dëshmon për një lloj të veçantë edukimi që do të bëjë të mundur shfrytëzimin në maksimum të mundësive nga ana e njerëzve për të nxjerrë në pah anët pozitive të karakterit çka dhe synohen të dalin në pah. Shkurt, për Konfucin, Platonin dhe Gylenin, edukimi i orientuar dhe i rregullt, përbën kyçin e zhvillimit të idealeve më të larta njerëzore, prandaj strukturat shoqërore duhet të orientohen tërësisht drejt mekanizmave të këtij lloj edukimi, në mënyrë që shoqëria të gjenerojë nga brenda vetes udhëheqësit e saj më të mirë dhe më të shquar.
Siç e pamë në kapitullin e mëparshëm, konfucizmi si teori social-politike ofron po aq, sa ndoshta është edhe më tepër se një filozofi fetare. Kur Konfuci flet për dallimin ndërmjet masës së njerëzve të zakonshëm, nga njëra anë, dhe “njerëzve superiorë”, nga ana tjetër, e ka të qartë se harmonia në jetën shoqërore dhe politike mund të ekzistojë vetëm kur qeverisin njerëzit superiorë. Duke ndjekur këto pikëpamje, konfucizmi ka ekzistuar përgjatë shekujve në Kinë si një teori filozofike e zhvillimit politik dhe shoqëror. Ajo i edukon njerëzit ta përgatisin vetveten për nivele të ndryshme të shërbimit në qeverisje, duke ecur në të gjitha shtigjet që të çojnë drejt pushtetit. Megjithatë, Konfuci synonte të ndikonte mbi të gjithë njerëzit dhe jo vetëm mbi ata që kishin pushtetin. David Hinton në parathënien e përkthimit të tij të librit “Pjesë të zgjedhura”, shpjegon se për Konfucin ritualet përbëjnë shumë më tepër se thjesht thënia e fjalëve të mira një të moshuari, apo veshja me ngjyrën e duhur gjatë një sezoni feste. Ritualet përbëjnë qenien e personit brenda një qerthulli që përfshin jetën njerëzore, marrëdhëniet me prindërit dhe respektin për ta, për pjesëtarët më të vjetër të farefisit, për autoritetet mbretërore, për tekstet historike dhe për aspekte të tjera. Në këtë kuptim, të jetuarit e jetës sipas {li}, apo pushtetit të ritualeve, natyrisht përfshin një bashkësi të gjerë parimesh të larta, tek të cilat Konfuci u përqendrua, të tilla si: drejtësia shoqërore, qeverisja në përputhje me të mirën e shoqërisë (jo vetëm të qeveritarëve), dhe rolin që luajnë intelektualët në udhëheqjen e shoqërisë dhe në kriticizmin ndaj qeveritarëve. Hinton thotë:
“Për Konfucin, bashkësia e Ritualeve varet mbi këto elemente bazë, ndërsa këto nga ana e tyre, varen tërësisht prej edukimit dhe kultivimit të vetive pozitive të anëtarëve të bashkësisë. Të flasësh për kontributin e Konfucit në epokën e tij do të thotë t’i bësh një nënvleftësim. Ai ishte mësuesi i parë profesionist i Kinës i cili përftoi idenë e një edukimi moral më të gjerë. Mandej ai themeloi tekstet klasike që përcaktonin përmbajtjen thelbësore të këtij edukimi. Dhe si të mos mjaftonte e tërë kjo, përkufizoi parimet e përhershme të edukimit të barabartë, sipas të cilit, çdo njeri duhet të përfitojë një formë të caktuar edukimi, që është e nevojshme për shëndetin e një bashkësie të moralshme. Ai e përqendroi vëmendjen në edukimin e intelektualëve, sepse kjo ishte më e nevojshme se edukimi i masave, por ai mendonte se ky edukim duhet të mundësohet për cilindo që e kërkon atë, pavarësisht origjinës së tij. Në fakt, jo vetëm Mjeshtri vetë vinte nga një rang social relativisht i ulët, por pothuajse të gjithë pasuesit e tij ishin të tillë.”[1]
Përpjekjet e Konfucit në lidhje me edukimin përbënin, në fakt, përpjekje për të mirën e njerëzimit, si nga pikëpamja individuale, ashtu edhe nga ajo kolektive, për arsye se ky parim përbën virtytin kryesor moral që çon drejt ekzistencës së njerëzve me virtyte të larta dhe për rrjedhojë, edhe të shoqërive të mira dhe të qëndrueshme. Pa këtë zhvillim bazë, shoqëria thjesht nuk funksionon, për shkak se njerëzit që kryejnë funksionet drejtuese nuk arrijnë nivelin e të qenit i aftë për t’u quajtur “njeri”.
Komentuesit e ndryshëm, si brenda, ashtu edhe jashtë traditës kineze, në mënyrë të vazhdueshme i kanë bashkëngjitur kuptimit të njeriut superior të Konfucit atë të “dijetarit”, për shkak të rëndësisë që mjeshtri i jepte edukimit, kur bëhet fjalë për të arritur në një nivel të caktuar të shërbimit civil. Aq më tepër, që për Konfucin, të mësuarit përbën themelin e të gjitha virtyteve. Tek “Pjesë të zgjedhura” thuhet :
“Mjeshtri pyeti: “A keni dëgjuar për gjashtë parimet dhe për gjashtë gabimet?” “Jo,” u përgjigj Adept Lu. “Atëherë ulu se t’i tregoj unë”, tha Mjeshtri. “Ta duash njerëzimin pa dashur të mësuarit, ky është gabimi i marrëzisë. Ta duash dijen pa dashur të mësuarit, ky është gabimi i shthurjes. Ta duash sinqeritetin pa dashur të mësuarit, ky është gabimi i dredhisë. Ta duash të vërtetën pa dashur të mësuarit, ky është gabimi i intolerancës. Ta duash kurajën pa dashur të mësuarit, ky është gabimi i konfuzionit. Dhe ta duash vendosmërinë, pa dashur të mësuarit, ky është gabimi i pakujdesisë.”[2]
Këtu Konfuci shpjegon se përpjekjet për të aktualizuar ndonjërin prej virtyteve të jetës dhe shërbimin, pa mësuar, përbën një larmi gabimesh. Askush nuk bëhet i virtytshëm vetvetiu, por bëhet i tillë nëpërmjet edukimit dhe shkollimit. Në një vend tjetër, tek “Pjesë të zgjedhura”, Konfuci thotë: “Unë kam kaluar ditë pa ushqim dhe netë pa gjumë duke shpresuar t’i pastroj mendimet dhe të qartësoj mendjen. Por, asnjëherë nuk kam arritur të kem aq sukses, sa duhet. Praktika të tilla nuk janë asgjë përpara studimit me devotshmëri.”[3] Studimi me devotshmëri dhe të mësuarit, zhvillojnë virtytet morale të pastërtisë së zemrës dhe të mendjes. Praktikat tradicionale të asketizmit, siç janë agjërimi, apo ndenja pa gjumë, janë të paefektshme.
“Njerëzit superiorë të Konfucit” qenë studentët e tij dhe praktikuesit e asaj që u quajt më vonë Klasicizmi Konfucist, apo Kanuni i Letrarëve. Tekstet e këtij Kanuni, me kalimin e kohës janë përhapur kudo, por pjesët më të vjetra dhe më të vlerësuara të tij, të cilat shpesh mbajnë titullin e “mbishkrimeve”, përfshijnë pesë tekste themelore: Shu Ching (Libri i Historisë), Shih Ching (Libri i Këngëve), Yi Ching (Libri i Ndryshimeve), Ch’un-Ch’iu (Pranvera dhe Vjeshta) dhe Li Ching (Libri i Ritualeve)[4]. Njerëzit superiorë të Konfucit ishin dijetarët, mjeshtëria e të cilëve në nxjerrjen e përmbajtjes së këtyre teksteve dhe të tjerëve si këta i kualifikoi ata si të aftë për të shërbyer në zyrat e qeverisjes, si qeveritarë provincash dhe këshilltarë perandorakë. Tekstet e ndryshme të kanunit të Konfucit përfshijnë udhëzime të një spektri të gjerë për mënyrën e kultivimit të karakterit, duke u bashkëngjitur me virtytet klasike të humanizmit, përgjegjshmërisë, kujdesit, drejtësisë, ndershmërisë, nikoqirllëkut, mëshirës, dashamirësisë, disiplinës dhe sinqeritetit. Madje këta tekste janë udhëzues të mirë për muzikën, poezinë dhe fusha të tjera të dijes. Tek “Pjesë të zgjedhura” lexojmë:
“Mjeshtri tha: “Si është puna, nxënësit e mi, që asnjëri prej jush nuk i studion këngët? Nëpërmjet këngëve ju mund t’i frymëzoni njerëzit ta hedhin vështrimin përpara, mund t’i bashkoni ata dhe t’u jepni zë ankesave të tyre. Përmes këngëve, ju i shërbeni baballarëve tuaj kur jeni në shtëpi dhe mbretit tuaj kur jeni larg shtëpisë, madje mund të mësoni edhe emrat e pafundmë të zogjve, kafshëve dhe bimëve.” Pastaj Mjeshtri i tha djalit të tij, Po-yu: “A ke punuar ndonjëherë ndërmjet Chou Nan dhe Shao Nan? (Dy kapitujt e parë të Librit të Këngëve) Për sa kohë që ju nuk punoni me ta, ju do të jetoni, sikur të ishit me fytyrë nga muri.”[5]
Në çka cituam, vërejmë se mjeshtëria e “Librit të Këngëve” ku përfshihen muzika dhe poezia është vitale në vetëzhvillimin, udhëheqjen dhe shërbimin, si ndaj familjes, ashtu edhe ndaj perandorisë. Pa kultivimin e këtyre arteve, jeta i ngjan të kthyerit me fytyrë nga muri. Rezonanca me alegorinë e Platonit në lidhje me shpellën është mjaft e dukshme këtu. Pa përvetësuar mjeshtërinë e të paktën fragmenteve të para të Librit të Këngëve, njeriu superior i presupozuar, i ngjan banorëve të shpellës së Platonit që qëndronin të ngrirë me fytyrë nga muret e shpellës dhe që i konsideronin hijet si kulm i çdo realiteti. Vetëm nëpërmjet studimit, një njeri është i aftë të kthehet nga ana tjetër e murit dhe të ecë përpara drejt dritës së dijes. Vetëm njerëzit që zotërojnë dije, mund të plotësojnë nevojat e shoqërisë për familje të shëndetshme, për qeveritarë të mirë dhe për perandorë të mençur. Pa këto veti, shoqëria bie në kaos.
Rruga e edukimit nëpërmjet mësimeve të Konfucizmit Klasik kultivoi një mjeshtëri të tillë që është shumë më tepër sesa thjesht arti, apo shkenca e të qeverisurit. Edukimi konfucian nuk ishte i përcaktuar kaq ngushtë. Siç tregohet edhe nga titujt e vetë klasikëve, dijetarët konfucianë u trajnuan në një numër të madh disiplinash si: poezia, muzika, historia dhe rituali. Në pamje të parë këto mund të mos duken të domosdoshme për edukimin e mirëqeverisjes. Dijetarët ishin mjeshtër të muzikës në një numër të madh instrumentesh, të shkëlqyer në krijim dhe recitim poezish dhe kaligrafë të nivelit të lartë. Këto janë vetëm disa nga fushat ku ata ishin ekspertë. Teoria konfuciane mbështet idenë se një edukim dhe trajnim i tillë e kultivon karakterin e njeriut sipas një drejtimi kompleks dhe të dëshiruar. Kjo del e qartë edhe tek fragmenti i mëposhtëm i “Pjesëve të zgjedhura”:
“Mjeshtri tha: “Kur unë rri duke thënë: Rituali, Rituali, ju mos mendoni se unë jam duke vrapuar pas grave dhe pas mëndafshit. Dhe kur unë jam duke thënë: Muzika, Muzika, ju mos mendoni se jam duke folur rreth këmbanave dhe daulleve.”[6]
Fragmenti i mësipërm nënkupton se bëhet fjalë për shumë më tepër sesa thjesht mësimi i mekanizmave të ritualit, apo muzikës. Sigurisht rituali dhe muzika përmbajnë vlera të trashëguara, të cilat, veç e veç, mund të shtyjnë këdo të studiojë dhe të specializohet në këto fusha, por Konfuci thotë se mjeshtëria në to shoqërohet me të tjera gjëra që shkojnë përtej nivelit, apo shijeve, fjala vjen në veshje, apo në të luajturit e instrumenteve muzikore. Fragmenti i cituar më përpara në lidhje me Librin e Këngëve përmban një sugjerim të ngjashëm që do të thotë se të mësuarit e muzikës garanton një edukim përtej performancës së thjeshtë të këngës, apo historisë së traditës muzikore.
Këtu ne thithim një gllënjkë të asaj që Konfuci deklaron në lidhje me natyrën njerëzore dhe thellësitë e saj. Mjeshtëria në muzikë, poezi dhe ritual, siguron një mjeshtëri mekanike në instrumente, fjalë dhe veprime që e bëjnë poseduesin e kësaj mjeshtërie të jetë i sigurt për atë se çfarë është e dobishme për të. Megjithatë, kur flasim për një nivel më të gjerë, mjeshtëria në këto subjekte kultivon një aspekt njerëzor të karakterit që është i një rëndësie të veçantë. Muzika hap një pjesë të shpirtit njerëzor të cilën nuk mund ta hapë asgjë tjetër, të qenurit i aftë për të luajtur dhe për të dëgjuar muzikë të një niveli të lartë, do të thotë të posedosh pjesët më të larta, më të bukura dhe më të mira të natyrës njerëzore. E njëjta gjë vlen për poezinë, apo për kaligrafinë. Që të dyja rrisin aftësinë perceptuese dhe shprehëse të personit si në nivelin mekanik gjatë ligjërimit, ashtu edhe në aspektin shpirtëror.
Kjo është thelbësore për Konfucin. Njerëzit superiorë bëhen qenie njerëzore të nivelit të lartë nëpërmjet kultivimit të këtyre kapaciteteve që janë edhe më të hershme se koha e Konfucit, të tilla që çdo njeri i zotëron brenda vetvetes dhe të cilat ai i ndan me qeniet e tjera njerëzore, por të cilat vetëm nëpërmjet edukimit dhe disiplinës mund t’i bëjë të vetat. Për sa kohë që njerëzit i përsosin njohuritë e tyre në këto fusha, ndikimi tek të tjerët rritet, sepse çdo qenie njerëzore, e shkolluar, apo jo, zotëron një natyrë që reagon pozitivisht ndaj muzikës dhe arteve të tjera të bukura. Siç del qartë edhe nga fragmenti i mësipërm, muzika i shtyn njerëzit të vështrojnë brenda vetes, të bashkëpunojnë me të tjerët dhe t’i shprehin ndjenjat e tyre. Dijetarët me njohuri muzikore, arrijnë t’i frymëzojnë njerëzit në lidhje me këtë aspekt dhe kjo fuqi frymëzuese përmban pjesë të {te} për të cilën folëm në kapitullin e mëparshëm.
Njeriu superior konfucian personifikon idealin njerëzor intelektual dhe moral të mendimit kinez për shekuj me radhë, madje edhe gjatë periudhës së Kryetarit Mao dhe komunizmit. Këta mjeshtër të edukimit të shkruar dhe të zhvillimit moral, e përkufizuan njerëzimin e vërtetë në shkallën më të lartë dhe të shquar dhe imazhi ynë për ta, është ai i intelektualëve të lartë dhe artistëve të zotë, veti që buronin nga kultivimi i personalitetit dhe eleganca morale e nivelit superior. Për më tepër, ata e arritën këtë nivel nëpërmjet studimit me devotshmëri dhe praktikës së palodhshme, këto përbëjnë pikën e tyre të fortë. Shumë sisteme humaniste i konsiderojnë si prioritete këto veti të cilat qeniet njerëzore mund t’i bëjnë të vetat me anë të përpjekjeve të tyre, në krahasim me ndihmën nga Zoti, apo fati. Konfuci thotë se natyra bazë njerëzore është e njëjtë tek çdo njeri. Ajo çfarë i dallon njerëzit është studimi dhe praktika e që kanë lidhje me vendosmërinë e tyre. Njerëzit, të cilët i kanë këto veti, janë zotërues me meritë të titullit “njerëz superiorë”, ndërsa të tjerët, të cilët nuk arrijnë të bëjnë dallim me masën e zakonshme të njerëzve në këto aspekte, të paktën duhet ta konsiderojnë veten me fat të qeverisen nga njerëz të tillë duke i kthyer ata në shembull të jetës dhe të sjelljeve të tyre. Sipas Konfucit, karakteri i një njeriu superior gjeneron tek njerëzit që i rrethojnë një forcë morale duke bërë kësisoj që këta të fundit ta konsiderojnë domosdoshmëri kryerjen e veprave të mira, apo të paktën largimin nga veprat e këqija. Këta janë njerëzit të cilët jo vetëm zbukurojnë jetën e tyre, por edhe atë të të tjerëve rreth e rrotull, duke u bërë shembujt dhe udhëzuesit e tyre. Si njerëz idealë, të dalluar në jetën shoqërore dhe politike ata përbëjnë dëshminë jetësore të pushtetit të edukimit të natyrës njerëzore.
Njerëzit superiorë të Konfucit, nëse do të mund t’i transportonim në hapësirë dhe kohë në “Republikën ideale” të Platonit, do ta ndienin veten të mirëpritur dhe të inkurajuar që të zinin vendin e tyre mes gardianëve. Siç e pamë në kapitullin e mëparshëm, të dy versionet e qenies njerëzore të idealizuar, gjenerojnë zhvillim të lartë moral dhe shërbim ndaj shoqërisë nëpërmjet qeverisjes. Ajo që i bashkon dy dijetarët është besimi se vetëm këta njerëz të sprovuar janë të përshtatshëm për të qeverisur dhe duhet të qeverisin, prandaj modeli politik i propozuar nga të dy filozofët në fjalë është meritokracia si anë e kundërt e aristokracisë mbi baza gjaku. Ata që meritojnë duhet të qeverisin dhe ata që nuk meritojnë të qeverisin duhet të qeverisen, apo të ndihmohen që të qeverisin vetveten. Merita përcaktohet nëpërmjet sistemit të edukimit, kështu që rruga drejt stafit të gardianëve në republikën ideale të Platonit, ashtu si edhe rruga konfuciane drejt shërbimit qeverisës kërkojnë edukim thelbësor formal dhe kultivim të virtyteve të mira.
Idetë e Sokratit në lidhje me edukimin e gardianëve si edhe për rolet e tjera të individëve në një shoqëri të mirëorganizuar, janë të përhapura kudo në përmbledhjen “Republika”. Librat Dy dhe Tre përmbajnë bashkëbisedime thelbësore në lidhje me përbërësit e veçantë të kurrikulës shkollore. Librat e mëvonshëm bëjnë fjalë për përfitimet morale të edukimit matematik, ndërsa kapitujt e fundit shpjegojnë nocionin e meritokracisë të theksuar nga Sokrati, duke e vënë atë përballë me katër forma alternative qeverisëse që janë timokracia (sundimi i mirëkuptimit), oligarkia, demokracia radikale dhe tirania. Interpretimi i gjithë kapitujve të librit të Platonit në detaje, shkon përtej qëllimit të analizës që po bëjmë këtu. Prandaj unë po jap një sintezë të pikëpamjeve bazë të Sokratit në lidhje me shtetin e mirëqeverisur, me gardianët që e qeverisin atë dhe me mënyrën se si këta gardianë duhet të identifikohen dhe të kultivohen si gardianë të së mirës së shoqërisë, si tërësi. Ndoshta konteksti më i përshtatshëm për të filluar me këtë sintezë është nga “Miti i Metaleve” në Librin Tre.
Dijetarët e fesë e vënë theksin mbi “Mitin e Metaleve”, si pikë domethënëse e teorisë funksionale të Platonit në lidhje me fenë. Kjo do të thotë se historitë dhe mitet fetare kryejnë një funksion të dobishëm në shoqëri, qofshin, apo jo të vërteta nga pikëpamja faktike, apo historike. “Të vërtetat” e miteve apo tregimeve të tilla janë të vërteta metafizike, apo filozofike që merren si të tilla pavarësisht mungesës së fakteve në vetë tregimin. Tregimi i metaleve i Sokratit është një mit i tillë. Një mit fantastik dhe me origjinë imagjinare që ilustron një të vërtetë filozofike në lidhje me realitetin, në këtë rast në lidhje me ndryshimin në aftësitë dhe në dhuntitë njerëzore, apo siç i quan Sokrati, në aftësitë natyrore të njerëzve. Miti është pak a shumë i tillë: Të gjitha qeniet njerëzore kanë për nënë tokën si burimin e tyre të përbashkët të jetës. Megjithatë, Zotat i sollën metalet e arit, argjendit dhe hekurit në tokë, prandaj në mënyrë të ngjashme, megjithëse të gjithë njerëzit rrjedhin nga i njëjti burim, ata janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, sepse përmbajnë brenda vetes ar, argjend, apo hekur. Disa njerëz “përmbajnë” apo “janë” ar, ndërsa të tjerët janë argjend, apo hekur. Prandaj, miti i shpjeguar në këtë legjendë formon një të vërtetë që ka lidhje me realitetin njerëzor. Përzierja e metaleve tek njerëzit e zakonshëm shëmbëllen me faktin që kur dy prindër janë të artë ka më shumë mundësi të lindë një fëmijë i artë, kjo nuk e përjashton mundësinë që fëmija të jetë i argjendtë, apo i hekurt. Nuk ka asnjë garanci për faktin se është ari që duhet të prodhojë ar, apo argjendi do të prodhojë argjend. Ari mund të prodhojë edhe argjend dhe hekuri mund të prodhojë ar. Sipas skemës së Sokratit, gardianët janë ari, ushtarët janë argjendi, ndërsa fshatarët dhe zanatçinjtë janë hekuri. Të gjitha rolet janë të nevojshme dhe formojnë pjesët e shoqërisë si tërësi, por brenda kësaj barazie bazë ekziston një hierarki: Ari duhet të qeverisë gjithë pjesën tjetër, duke përfshirë edhe vetveten. Vetëm ata që paraqesin karakteristika të arta duhet të qeverisin. Ata që paraqesin karakteristika të argjendit apo të hekurit, duhet të kryejnë detyrat shoqërore të përshtatshme me natyrën e këtyre metaleve. Prandaj, shoqëria duhet të strukturohet në mënyrë të tillë që t’i kushtojë vëmendje metaleve të veçanta në çdo person, në mënyrë që ata të cilët zotërojnë cilësi të arta, të mos shërbejnë në profesione të hekurit. Profesionet e hekurit dhe ata që kanë karakteristika të hekurit, të mos shërbejnë në profesionet e arit. Kur njerëzit vihen në pozicione, punë, apo përgjegjësi që nuk përputhen me natyrën e tyre të trashëguar, lind kaosi. Metali natyror i njerëzve, dhuntitë dhe talentet e tyre natyrore duhet të dallohen dhe të kultivohen siç duhet, nëse vërtet duam një shoqëri të mirëorganizuar.[7] Kjo arrihet përmes edukimit.
Tek “Republika”, Sokrati flet në lidhje me testimin dhe kontrollin që u duhet bërë njerëzve në mënyrë që vëzhguesit të përcaktojnë llojin e tyre të “metalit” dhe pasi të jetë konfirmuar “metali” përkatës tek çdo person, ai të zhvillohet dhe të aktualizohet plotësisht. Çdo njeri merr një edukim bazë të përbashkët, por pastaj, gjithsecili lëviz në rrugë të veçanta sipas studimeve të specializuara sapo të dalin në pah aftësitë e tyre natyrore. Në çdo nivel, njerëzit marrin edukimin e parashikuar për të bërë të mundur të nxjerrin në pah vlerat e tyre më të mira, si paraqitje e plotë e gjithë shkëlqimit të metalit të tyre. Edukimi i mirë sjell gjithashtu një baraspeshë midis trupit dhe shpirtit. Sokrati shpjegon në Librin e Tretë se ata që përfitojnë trajnim më të plotë në muzikë dhe poezi se në fizikë apo sport, bëhen të brishtë, të dobët dhe pa shpirt. Nga ana tjetër, ata që kultivohen vetëm me edukim sportiv, pa kultivuar bukuritë shpirtërore, bëhen agresivë dhe përpiqen të zgjidhin çdo çështje me anë të dhunës dhe të forcës.[8] Qeniet njerëzore i ngjajnë trupave gjeometrikë shumëfaqësh dhe duhet të edukohen në mënyrë të tillë që të bëhet e mundur nxjerrja në pah e potencialeve të tyre të plota, si qenie me cilësi të veçanta, apo të “metaleve” përkatëse që gjenden te ta.
Njerëzit me dhunti udhëheqëse sigurisht përfitojnë një edukim të një shkalle më të lartë për shkak të përgjegjësive të tyre qeverisëse, pra për faktin se i gjithë shteti varet nga urdhrat e tyre. Sokrati, në pjesën më të madhe të Librit Dy dhe Tre, flet për llojin e edukimit që duhet të marrin udhëheqësit. Këto fragmente përbëjnë disa nga pjesët më të debatuara të “Republikës”, për arsye se Sokrati bën thirrje për një kurrikulum edukativ më rigoroz dhe të kujdesshëm për udhëheqësit e drejtë. Mirëpo kjo duket se po u kufizohet dhe censurohet shumë qenieve njerëzore në perëndimin bashkëkohor. Sokrati bën thirrje, në këto pjesë, që udhëheqësit të mos ekspozohen ndaj disa lloje literaturash muzike, apo fushash të tjera për shkak se ato kanë tendencën të krijojnë cilësi të caktuara të shpirtit që i pengojnë udhëheqësit të nxjerrin në pah më të mirën e tyre dhe të qeverisin siç duhet. Shumë vepra klasike të Greqisë së lashtë, siç janë veprat e Homerit dhe të Hesiodit, nuk duhet të përfshihen në bashkësinë e veprave të lejueshme për udhëheqësit për shkak se portretizojnë si heronj pozitivë njerëz si Akili, apo Zotërat, sjelljet e të cilëve nuk janë edhe aq pozitive. Role të caktuara të veprave dramatike janë jashtë kufijve të lejuar për t’u shikuar nga udhëheqësit për shkak se interpretimi i roleve të tilla në teatër, do të sillte imitimin e tyre nga udhëheqësit, duke e bërë të mundur lindjen e problematikave imorale, të cilat do të buronin nga karakteri i këtyre udhëheqësve. Shpirtrat e udhëheqësve duhet të ruhen dhe të kultivohen me kujdes që nga fëmijëria e hershme, në mënyrë që e gjithë qenia e tyre të jetë e orientuar drejt së mirës, së bukurës, rregullit dhe drejtësisë. Roli i tyre si udhëheqës kërkon që këto cilësi të shpirtit të ruhen që nga lindja e tyre e më tej, duke u kujdesur për forcimin e vazhdueshëm të këtyre virtyteve. Tek Libri i Dytë, Sokrati thotë kështu për udhëheqësit e rinj: “Në këtë moshë delikate ata janë më emocionalë, prandaj duhet përdorur modeli i përshtatshëm për edukimin e tyre”[9]. Më pas, ai mbron idenë e censurimit të poezive dhe të shprehjeve të tjera artistike të caktuara:
“Në këtë mënyrë ne mund të mbrojmë kultivimin e udhëheqësve tanë nga prania e së keqes, nga prezenca e bimëve helmuese, të cilat pak nga pak, ditë pas dite, do të sillnin grumbullimin e një mase të madhe shpirti.”[10]
Në çdo kohë, edukatorët kanë qenë të ndërgjegjshëm për faktin se është shpirti i njerëzve, veçanërisht i udhëheqësve të ardhshëm, ai që duhet kultivuar. Sokrati e deklaron këtë për faktin se edukimi, që duhet bërë në çdo nivel të shpirtit, në drejtim të muzikës dhe artit, ndoshta përbën komponentin më të rëndësishëm të kurrikulës. Ai ia shpjegon këtë nxënësit të tij, Glaukonit:
“Kjo është arsyeja përse edukimi me poezi dhe muzikë është parësor, Glaukon. Ritmi dhe harmonia kanë ndikimin më të madh në shpirt. Ata depërtojnë në skutat e tij më të thella. Nëse shpirti është i stërvitur siç duhet, ato sjellin hijeshi. Nëse jo, ato sjellin të kundërtën. Një njeri i edukuar siç duhet në këto fusha, mund të perceptojë më shpejt mungesën e perversionit në bukuritë e artit apo të natyrës. Me anë të shijeve pozitive, ai do të ndriçojë në cilësitë pozitive duke lutur të bukurën dhe duke e mirëpritur atë brenda shpirtit të tij. Ai do ta ushqente atë dhe do të përpiqej që vetë të bëhej i bukur dhe i mirë. Në moshë akoma të re dhe pa qenë i aftë për ta kuptuar arsyen, ai do ta urrejë dhe do ta flakë tutje të shëmtuarën. Pastaj, më vonë, kur arsyeja të burojë dhe të forcohet në një person të tillë kaq të edukuar, afërsia e tij me atë çfarë është e mirë dhe e bukur do ta shtynte që ta kuptonte dhe ta mirëpriste të bukurën.”[11]
Pika më e rëndësishme këtu ka të bëjë me shpirtin, apo me brendësinë e asaj që sot konsiderohet si më e përshtatshme për t’u emërtuar me fjalën karakter. Ai mund të zhvillohet në çdo aspekt, në të gjitha drejtimet dhe në çdo komponent të kurrikulës. Ashtu si dijetarët konfucianë, edhe udhëheqësit sokratikë përfitojnë shkollim intensiv në shumë disiplina, duke përfshirë muzikën, poezinë, gjimnastikën, matematikën dhe shumë fusha të tjera me objektiv përgatitjen e individëve të pajisur me ndjenjën e drejtësisë, mirësisë dhe harmonisë. Vetëm individëve të tillë mund t’u besohet udhëheqja e një shteti të tërë. Vetëm me njerëz të tillë dhe dijeve që ata zotërojnë, anija e shtetit noton e sigurt në ujërat e trazuara të botës.
Një koncept i tillë për edukimin e njerëzve, veçanërisht të udhëheqësve, përbën sipas Sokratit përkufizimin qendror të drejtësisë, pikën më të nxehtë të të gjithë diskutimit tek “Republika”. Që nga Libri Një e më tej, tema e diskutimit sillet rrotull konceptit të drejtësisë dhe mënyrës së përkufizimit të saj. Aty nga fundi i Librit të Katërt, pasi shpenzon dy libra të tërë duke folur për edukimin e udhëheqësve, Sokrati përcakton një përkufizim të drejtësisë të gërshetuar tërësisht me modelin e edukimit të promovuar nga ai. Ai thotë:
“Atëherë, drejtësia nuk është asgjë tjetër përveçse fuqia që sjell njerëz të mirëqeverisur dhe qytete të mirëqeverisura… E vërteta është se drejtësia nuk ka lidhje me sjelljen e jashtme të personit, por përbën një mënyrë sipas së cilës një njeri, në mënyrë të pavarur, qeveris vetveten. Njeriu i rregullt nuk i lejon pjesët e ndryshme të shpirtit të tij të ndërhyjnë tek njëri-tjetri, apo që të uzurpojnë funksionet e njëri-tjetrit. Ai e ka sistemuar mirë jetën e tij. Ai është mjeshtri dhe rregullatori i vetvetes. Ai është shndërruar në një mik të vetvetes. Një njeri i tillë i sinkronizon siç duhet të tria pjesët e shpirtit të tij: të lartën, të mesmen dhe të ultën, tamam si tre notat maxhore të një akordi muzikor, si dhe intervalet ndërmjet tyre. Pasi ai i sjell të gjitha këto aspekte në rregull dhe harmoni, e shndërron vetveten në një njeri të vetëm, në vend të një njeriu me shumë fytyra. Vetëm atëherë ai është gati të kryejë detyrën që i takon në shoqëri: të fitojë para, të stërvitet, të përfshihet në politikë, apo në transaksione biznesi. Në të gjitha aktivitetet publike në të cilat angazhohet, ai do të synojë drejt së mirës dhe së bukurës duke shkuar drejt saj me rregullin dhe harmoninë e përshkruar më lart. Dijen që i jep kuptim dhe vlerë një sjelljeje të tillë, ai do ta quajë mençuri.”[12]
Pra, vetë drejtësia është e varur nga njerëzit nëpërmjet profesioneve dhe roleve të ndryshme që ata luajnë në shoqëri dhe në mënyrën sesi kanë qenë edukuar që nga fëmijëria për ta perceptuar siç duhet të bukurën dhe të mirën. Për më tepër, shoqëria e cila varet në të tillë qeveritarë, duhet të jetë e strukturuar në mënyrë të tillë që edhe të gjenerojë këta lloj njerëzish edhe për brezat në vijim, prandaj këtu qëndron edhe roli i pazëvendësueshëm që luan edukimi në shoqëri. Edukimi përbën një mekanizëm, përmes të cilit zhvillohet shkalla më e lartë e aftësive njerëzore, ndaj format më të mira të edukimit, janë ato të cilat kanë si objektiv parësor kultivimin e shpirtit njerëzor, të pajisur me drejtësi, bukuri dhe mirësi, pavarësisht mënyrës së arritjes së këtij objektivi. Pa individë të tillë në të gjitha nivelet e saj, shoqëria është e destinuar të degradojë.
Duke u nisur nga këndvështrimi islam i disa shekujve më vonë se Sokrati dhe Konfuci, Gyleni paraqet një teori mjaft të ngjashme me ta në lidhje me edukimin, shpirtin dhe zhvillimin njerëzor. Ai, ashtu si edhe kolegët e tij të lashtë, e konsiderojnë qenien njerëzore si një tërësi të përbërë nga komponentët truporë mendorë dhe shpirtërorë. Secili prej këtyre komponentëve duhet të ecë në rrugën e duhur, me qëllim arritjen e potencialit të plotë njerëzor. Një zhvillim i tillë mund të kryhet vetëm nëpërmjet edukimit. Gyleni shpjegon:
“Ne jemi krijesa të përbëra, jo vetëm prej trupit, apo mendjes, ndjenjave dhe shpirtit, përkundrazi, ne jemi kompozime të harmonishme të të gjithë këtyre elementeve. Secili prej nesh është një trup i ngërthyer në një rrjetë nevojash, ashtu si edhe një mendje që ka më tepër kërkesa dhe nevoja jetësore se trupi, ndaj ai udhëhiqet nga ankthet rreth së kaluarës dhe së ardhmes… Për më tepër, çdo person është një krijesë me ndjenja, të cilat nuk mund të kënaqen prej mendjes dhe një krijesë prej shpirti nëpërmjet të cilit ne përfitojmë identitetin tonë thelbësor njerëzor. Çdo individ është përzierje e të gjitha këtyre që thamë. Kur një burrë, apo një grua, rreth të cilëve sillen të gjitha sistemet dhe përpjekjet, konsiderohet dhe vlerësohet si një krijesë me të gjitha aspektet e lartpërmendura dhe kur nëpërmjet tij, apo saj, na plotësohen të gjitha nevojat dhe kërkesat, ne do të arrijmë lumturinë e vërtetë. Prandaj progresi dhe zhvillimi i vërtetë njerëzor, si dhe përfshirja në marrëdhënie të domosdoshme për ekzistencën tonë bëhet e mundur vetëm me anë të edukimit.”[13]
Këtu ne vërejmë përputhje me përkufizimin e Sokratit për natyrën njerëzore të përbërë prej tri pjesëve të dallueshme, siç janë mendja, apo shpirti, prirjet dhe trupi. Secila nga këto pjesë duhet të zhvillohet në mënyrën e duhur dhe duhet të funksionojë me rregull brenda një personi me qëllim që të dalin në pah të gjitha aftësitë njerëzore. Gyleni shpreh një ide të ngjashme në fragmentin e mësipërm, sipas së cilës çdo burrë, apo grua është një kompleksitet përbërësish që duhen zhvilluar brenda vetvetes por dhe duhen organizuar në mënyrë harmonike brenda karakterit njerëzor që të arrihet progresi.
Ky fragment dhe të tjerë, përbëjnë një pjesë të një diskutimi më të gjerë rreth historisë në të cilin Gyleni vë piketat mbi shkaqet e zhvillimit të qytetërimeve, si lindore, ashtu edhe perëndimore. Ai argumenton se megjithëse qytetërimi perëndimor ka qenë mbizotërues në botë gjatë shekujve të fundit, duke e çuar qenien në pararojë të kësaj pjese të botës, në shkencë dhe teknologji, botëkuptimi i Perëndimit modern është materialist e për rrjedhojë i mangët. Prandaj, kjo është arsyeja përse, sipas këndvështrimit perëndimor, qeniet njerëzore shikohen më gjerësisht në aspektin materialist duke u përpjekur të arrijnë objektivat e vëna kryesisht nëpërmjet kësaj rruge jo të plotë. Sakrificat në një ndërmarrje të tillë, përbëjnë dimensionin tjetër të qenieve njerëzore. Sakrificat, të cilat janë të natyrës shpirtërore, kanë shkaktuar shumë kriza sociale. Një pjesë e vizionit të Gylenit për të ardhmen përfshin edhe ndërthurjen e më së mirës së kulturës perëndimore që është e natyrës shkencore dhe teknologjike me më të mirën e kulturës lindore që është e natyrës shpirtërore dhe morale, në mënyrë që të krijohet një kulturë njerëzore më e përsosur dhe hyjnore që do të bëhet realitet në një epokë të re.[14]
Për Gylenin, sikurse edhe për Sokratin dhe Konfucin, asnjë individ, apo shoqëri nuk e arrin zhvillimin e vet të plotë pa ndihmën e edukimit. Gyleni e shikon edukimin si një mjet me të cilin njerëzit shndërrohen në qeniet e vërteta për çka Zoti i ka krijuar, prandaj edukimi dhe shkollimi përbëjnë objektivat më të rëndësishme të jetës. Ai thotë:
“Qëllimi dhe detyra kryesore e një njeriu gjatë jetës së tij është kërkimi i dijes. Përpjekja për të arritur këtë objektiv të njohur si edukim, përbën një proces përsosës, nëpërmjet të cilit ne përfitojmë si në aspektin shpirtëror, ashtu edhe në atë intelektual dhe fizik, gradën e paracaktuar për ne, që është shembulli i përkryer i krijimit… Detyra jonë kryesore në jetë është arritja e përsosmërisë dhe e pastërtisë në mendime, perceptime dhe besim. Duke përmbushur detyrën tonë si shërbëtorë të Krijuesit, Furnizuesit dhe Mbrojtësit dhe duke depërtuar në misteret e krijimit nëpërmjet potencialit dhe aftësive tona, ne përpiqemi të arrijmë lartësinë e njerëzve të vërtetë dhe të bëhemi pronarë të një jete të bekuar dhe të përjetshme në një botë tjetër të ndritur.”[15]
Këtu, Gyleni e vendos të mësuarit dhe edukimin në një shkallë të tillë të pazëvendësueshme përsa i përket objektivave dhe synimeve njerëzore. Me një fjalë, qëllimi i jetës së njeriut është shndërrimi në qenie të vërtetë njerëzore dhe kjo bëhet e mundur nëpërmjet të mësuarit dhe dijes. Gyleni, duke qenë një mysliman, e vendos këtë objektiv brenda kontekstit më të gjerë të shërbimit ndaj Zotit, por ai mund të vendoset lehtë edhe brenda kontekstit aristotelian, sipas të cilit qëllimi, apo funksioni i gjithçkaje është plotësimi dhe përsosja e vetvetes dhe se gjithçka është e vendosur në mënyrë natyrore brenda kontekstit të përbërësve dhe aftësive të brendshme për të qenë i përsosur. Qeniet njerëzore lindin me aftësinë për t’u bërë njerëz të vërtetë, ndaj për Gylenin (ashtu si edhe për Aristotelin, Sokratin, Konfucin dhe shumë të tjerë), mekanizmi i lindur i të shndërruarit në njerëz të vërtetë presupozon aftësinë tonë për të mësuar nëpërmjet edukimit. Gylen thotë:
“Meqenëse jeta “reale” është e mundur vetëm nëpërmjet dijes, ata të cilët lënë pas dore të mësuarit dhe të shpjeguarit, konsiderohen si “të vdekur” edhe atëherë, kur janë të gjallë nga pikëpamja biologjike. Ne jemi krijuar për të mësuar dhe për t’ua komunikuar të tjerëve atë që kemi mësuar.”[16]
Gyleni flet kudo në veprat e tij në lidhje me nevojën për edukim të përgjithshëm për të gjithë njerëzit me qëllim që një qytetërim të funksionojë tërësisht. Ai thotë se njerëzit janë të “qytetëruar” në atë shkallë sa ç’janë edhe të shkolluar, veçanërisht përsa i përket vlerave tradicionale të një kulture të veçantë. Kohezioni në jetë, në të gjitha nivelet, vjen nëpërmjet edukimit të të gjithë qytetarëve të një vendi në një aspekt të caktuar që ka të bëjë me vlerat e shoqërisë. Megjithatë, lëvizja ndërkombëtare e Gylenit përqendrohet në edukimin përtej një bashkësie të caktuar normash, apo vlerash kulturore. Rreth një mijë shkollat (në periudhën e shkrimit të këtij libri) të themeluara nga anëtarët e lëvizjes së Gylenit që veprojnë në mbarë botën, bëjnë të mundur edukimin e fëmijëve dhe të rinjve në shkallën më të plotë të disiplinave të ndryshme akademike si shkencat natyrore, matematika, historia, gjuhët e huaja, letërsia, studimet shoqërore, apo kulturore, arti, muzika e shumë të tjera. Njerëzit, të frymëzuar nga mësimet e Gylenit, hapën shkolla në Turqi pas lejimit të hapjes së shkollave private nga shteti, duke aderuar edhe në kurrikulën e përcaktuar prej tij e madje duke pranuar edhe kontrollin dhe mbikëqyrjen nga ana e shtetit. Shkollat e themeluara nga anëtarët e lëvizjes së Gylenit në vendet e tjera veprojnë me të njëjtin program bazë edukativ, sikurse shkollat në Turqi, por me një shkallë më të lartë ndikimi në lidhje me kulturën dhe vlerat kombëtare të vendit përkatës. Gyleni vetë, ka fare pak, ose aspak kontakt me këto shkolla dhe madje nuk di as numrin e saktë të shkollave, apo emrat e tyre. Shembulli i tij i hershëm si edukator, ashtu sikurse edhe idetë e tij në lidhje me edukimin, shoqërinë mbarëbotërore, progresin njerëzor, etj., thjesht kanë frymëzuar një brez të tërë njerëzish për të hapur shkolla në mbarë Turqinë, Azinë Qendrore, Evropë, Afrikë dhe kudo tjetër, me qëllim që të përballen probleme të përhershme si injoranca, varfëria dhe përçarja.
Struktura bazë dhe karakteri i këtyre shkollave është i tillë që ato financohen nga organizata vullnetare, grupe shoqërore dhe tarifat e studentëve. Administrata lokale ndihmon në infrastrukturë dhe mësuesit punojnë të ndërgjegjshëm për domosdoshmërinë e shërbimit ndaj të tjerëve, shpesh edhe me rroga të ulëta. Siç kam theksuar edhe në parathënien e këtij libri, unë kam vizituar shumë prej këtyre shkollave nëpër Turqi dhe jam takuar me sponsorë të këtyre shkollave, biznesmenë dhe udhëheqës lokalë që ishin bashkuar për të themeluar këto shkolla në rajonet e tyre respektive. Në shumë raste, këto shkolla paraqesin struktura arkitekturale më moderne të zonës. Muret e shkollave janë të mbushura me fotografi studentësh që kanë marrë medalje në gara akademike kombëtare dhe ndërkombëtare të ndryshme. Ato janë vizituar shpesh nga një numër i madh ministrash dhe deputetësh turq. Klasat, laboratorët dhe zyrat janë mjaft funksionale dhe profesionale edhe për faktin se ato përdoren nga qindra studentë të shkëlqyer. Studentët janë të aftë, të komunikueshëm dhe të gatshëm për të praktikuar anglishten e tyre me vizitorët nga Amerika. Administratorët kryesorë dhe mësuesit janë të përkushtuar dhe krenarë për shkollat dhe nxënësit e tyre dhe shumë prej tyre jetojnë së bashku me studentët në shkollat që ofrojnë konvikt. Unë kam ngrënë dreka dhe darka me shumë familje turke, të cilat i kishin fëmijët në këto shkolla dhe u bëra atyre të njëjtën pyetje në çdo qytet dhe në çdo rajon që shkova. Përse e keni dërguar fëmijën tuaj pikërisht në këtë shkollë? Përgjigjja ishte e njëjtë në çdo rast. Ata i dërgonin atje për shkak të përkushtimit të mësuesve, cilësisë së mësimdhënies dhe vizionit të qartë që përhapte shkolla nëpërmjet mësuesve të saj në lidhje me njerëzimin, edukimin, tolerancën dhe dialogun.
Vizioni edukativ i Gylenit përfshin, jo vetëm shkollat, por edhe familjet, bashkësitë dhe mediat. Të gjithë përbërësit kryesorë të shoqërisë duhet të përvijohen në punën për edukimin e të rinjve me anë të përhapjes së dijeve të dobishme. Objektivat janë shumë të larta, për arsye se e ardhmja e çdo kombi, apo qytetërimi, varet nga rinia e tij. Gyleni thotë:
“Njerëzit që dëshirojnë të sigurojnë të ardhmen e tyre nuk mund të jenë indiferentë ndaj mënyrës se si shkollohen fëmijët e tyre. Familja , shkolla, mjedisi dhe masmedia duhet të bashkëpunojnë për të siguruar rezultatin e dëshiruar… Në mënyrë të veçantë masmedia duhet të kontribuojë në edukimin e brezit të ri duke ndjekur rregullat e edukimit të miratuara nga shoqëria. Shkolla duhet të jetë sa më e përsosur që të jetë e mundur përsa i përket programit të saj, standardeve shkencore dhe morale të mësuesve dhe kushteve fizike. Familjet duhet të sigurojnë ngrohtësinë dhe atmosferën e nevojshme në të cilën duhen rritur fëmijët.”[17]
Këtu vërejmë shumë shprehje të Gylenit që janë mjaft të ngjashme me ato të Sokratit tek “Republika”. Siç e pamë më lart, Sokrati shkon shumë larg në argumentimin e domosdoshmërisë së censurës për poetët dhe muzikantët dhe masmedian e Greqisë së lashtë me qëllim që udhëheqësit të jenë në kontakt vetëm me shprehjet artistike që ushqejnë shpirtrat e tyre me pozitivizëm. Megjithëse Gyleni nuk shprehet asgjëkundi për censurë, sikurse Sokrati, ai ndan me të një pikëpamje të përbashkët në lidhje me edukimin e përshtatshëm për arritjen e përsosmërisë së plotë të njerëzimit, objektiv i cili përfshin mbështetjen nga ana e prindërve dhe e shoqërisë, mjedisin në shkollë, temat e shpjeguara dhe standardet morale të mësuesve.
Ne mund të vërejmë edhe më tej rëndësinë e edukimit për çdo shoqëri, kur Gyleni flet për rolin e konsultimit në Islam në veçanti dhe më gjerë në shoqëri. Ai i kushton një kapitull të tërë kësaj teme tek “Statuja e shpirtrave tanë”. Në këtë kapitull, Gyleni përvijon qartë rolin jetësor që luajnë njerëzit me edukim të lartë në mbarëvajtjen dhe në të ardhmen e shoqërisë, si dhe llojet e edukimit që i nevojiten botës së sotme të globalizuar. Ai e nis me një citim nga një fragment i Kuranit, i cili vendos një konsultim të ndërsjelltë në kryerjen e veprave në të njëjtën kategori me kryerjen e të falurit. Ai vazhdon më tej duke vënë theksin në rëndësinë themelore të konsultimit brenda Islamit në mënyrë të tillë, saqë një bashkësi e cila nuk e përdor konsultimin, nuk është myslimane në kuptimin e plotë të fjalës. Ai vijon me shpjegimin sesi funksionon konsultimi në shoqërinë myslimane:
“Konsultimi është një nga dinamikat kryesore që bën të mundur ekzistencën e rendit islam si një sistem më vete. Konsultimi ka të bëjë me misionin dhe detyrën më të rëndësishme të zgjidhjes së problemeve të ndryshme, si në aspektin individual, ashtu edhe në atë shoqëror, në zgjidhjen e problemeve midis individëve dhe shtetit, mes shkencës dhe dijes si dhe mes ekonomisë dhe sociologjisë, përderisa të ketë sigurisht një “nass” (vullnet hyjnor, një varg nga Kurani, apo një urdhër nga Profeti që është vendimtare në ndonjë pikë të ligjit) me një kuptim të qartë në lidhje me këtë çështje.”[18]
Edhe udhëheqësit mund të jenë efektivë me anë të konsultimeve. Konsultimi është një metodë me anë të së cilës udhëheqësit marrin vendime që kanë ndikim virtual në çdo fushë të jetës, që nga individi e deri tek bashkësia. Gyleni shpenzon shumë faqe libri duke nënvizuar fragmentet e shkruara që mbështesin konsultimin dhe shpjegojnë historinë e përdorimit të tij në islam, si dhe duke u marrë me rishikimin e përvijimeve të përcaktuara nga praktika. Pastaj ai vjen tek pyetja qendrore që shtrohet, pra se kush është i përshtatshëm për konsultim. Me kë duhet të konsultohen udhëheqësit? Kush është i kualifikuar për të shërbyer si konsulent? Gyleni përgjigjet:
“Meqenëse çështjet e paraqitura për zgjidhje kërkojnë një shkallë të madhe dijeje, eksperience dhe analize, një institucion konsultimi duhet të jetë i përbërë nga njerëz të cilët njihen si të shquar për këto cilësi. Ky mund të jetë vetëm një institucion i përbërë prej njerëzve të kalibrit të lartë, të cilët janë të aftë t’u japin zgjidhje shumë çështjeve. Sidomos në ditët tona, kur jeta po bëhet gjithmonë e më e ngatërruar dhe e komplikuar, sa më shumë që bota globalizohet dhe kur çdo problem është kthyer në një problem gjithëpërfshirës planetar, është jetësore që këto komponentë në shkencat natyrore, inxhinieri dhe teknologji, fusha të cilat në shumicën e kohës kanë qenë konsideruar të përshtatshme dhe të mira për myslimanët, të jenë të mbushura me njerëz të kalibrit të lartë, të cilët njohin thelbin islam, realitetin, shpirtin dhe shkencat. Konsultimi duhet të bëhet nga njerëz të kualifikuar nga fusha të ndryshme të shkencës, dijes dhe sfera të tjera, por vendimet e marra duhet të jenë të mbikqyrura nga autoritetet fetare për të parë përputhjen e tyre me Islamin.”[19]
Në këtë fragment evidentohen njerëzit me standard të lartë që duhen takuar, në mënyrë që pikërisht këta të shërbejnë si këshilltarë. Është e rëndësishme të rikujtohet fakti se Gyleni shpreh një vizion të tijin në lidhje me një shoqëri myslimane, për të cilën ai beson se është lloji më i mirë i shoqërisë. A janë, apo s’janë të një mendjeje të gjithë në lidhje me këtë, nuk ka shumë rëndësi. Ajo që duam të theksojmë këtu, është se brenda kësaj shoqërie të përfytyruar prej tij, edukimi është thellësisht jetësor për të gjithë njerëzit për të bërë të mundur arritjen e standardeve bazë të ekzistencës njerëzore. Për më tepër, nivelet e larta të edukimit janë të nevojshme për një shtresë elitare individësh, të cilët duhet të shërbejnë si këshilltarë të udhëheqësve në çështje të veçanta, ose edhe si qeveritarë në një shkallë të caktuar. Gyleni shpjegon më tej:
“Sipas rrethanave dhe epokave të caktuara, udhëheqja dhe ndërtimi i institucioneve konsultative duhet të ndryshojë, por kualifikimi dhe cilësitë e këtyre njerëzve të zgjedhur, si njerëz të pajisur me dije, drejtësi, edukatë dhe përvojë shoqërore, zgjuarsi dhe mendjemprehtësi, nuk duhet të ndryshojnë kurrë.”[20]
Në shumicën e rasteve këta këshilltarë do të përbëjnë shtresën e “njerëzve idealë”, apo “njerëzve me zemër”, të cilët Gyleni i përshkruan në vende të tjera të veprave të tij dhe për të cilët folëm në kapitullin e kaluar. Këshilltarët janë pikërisht ata të cilët në shkollat e themeluara nga Gyleni do të edukojnë të rinj që do të kenë në jetë një karakter virtuoz, por edhe një nivel të lartë të trajnimit akademik në profesionet e tyre respektive. Disa prej këtyre të rinjve do të arrijnë nivele të jashtëzakonshme suksesi dhe dijeje dhe do të thirren për të qenë këshilltarë. Me anë të kryerjes së kësaj detyre, ata do të shndërrohen në brezin e “njerëzve idealë”, të cilët duhet të jenë udhërrëfyes në një realitet të ri shoqëror që do të bëjë të mundur shuarjen e konflikteve false midis shkencës dhe fesë, që do të bashkojnë Lindjen dhe Perëndimin dhe që do t’ju ofrojë mbarë botës një mënyrë krejtësisht të ndryshme jetese.
Për Gylenin nuk ka mënyrë tjetër për të strukturuar një shoqëri që pretendon të quhet “njerëzore” dhe sigurisht nuk ka asnjë rrugë tjetër për një shoqëri që kërkon të quhet “myslimane.” Qeniet njerëzore zotërojnë brenda tyre aftësitë për t’u përsosur si njerëz. Ata që e përvetësojnë dhe e realizojnë këtë përsosmëri, duhet të jenë ndikues në shoqëri me anë të detyrave të ndryshme si udhëheqës, apo këshilltarë, ose edhe si udhëheqës lokalë të shtresave të ulëta. Që këto të ndodhin, njerëzit duhet të edukohen në një mënyrë të përshtatshme dhe të paramenduar. Shkollat e lëvizjes ndërkombëtare të Gylenit në këtë drejtim përbëjnë iniciativa bashkëkohore. Ato përpiqen të edukojnë të rinjtë e tyre në të gjithë sektorët e shoqërisë, në mënyrë që këta të bëhen njerëz të mirëtrajnuar dhe të virtytshëm, të cilët ashtu si edhe njerëzit superiorë të Konfucit, të ndikojnë mbi gjithçka dhe mbi këdo përreth tyre përmes forcës {te} të dijes, mirësisë dhe dobishmërisë së tyre.
Secili prej pjesëtarëve të trialogut tonë, paraqet një vizion të fuqishëm në lidhje me atë se çfarë është e mundur të arrihet nga njerëzit në aspektin shoqëror dhe në atë politik. Fuqia e këtij vizioni i detyrohet në një shkallë të konsiderueshme cilësive shpirtërore, apo siç quhen ndryshe jomaterialiste, cilësi të cilat bëjnë që dija të zërë një vend qendror tek njerëzit, pavarësisht rrugëve, apo dallimeve kulturore dhe gjuhësore. Kjo cilësi “shpirtërore” është ajo që edhe sipas këndvështrimeve të ndryshme i dallon njerëzit nga pjesa tjetër e krijesave të gjalla. Të tre dijetarët besojnë, pa lëkundje, në fuqinë tonë të trashëguar të zhvillimit të aftësive tona të lindura për të arritur përsosmërinë njerëzore, megjithëse të tre e pranojnë faktin se shumë njerëz nuk do ta shfrytëzojnë kurrë këtë fuqi. Besimi i tyre në këtë fuqi, të përdorur, apo jo, është ajo që i bën Konfucin, Sokratin dhe Gylenin të konsiderohen humanistë në kuptimin më të gjerë të fjalës. Ata besojnë në fuqinë njerëzore për t’u bërë njerëz të plotë dhe idealë.
Meqenëse njerëzit janë në gjendje ta bëjnë këtë, ata duhet ta bëjnë. Tre dijetarët tanë nuk janë, as fatalistë, as deterministë. Ata nuk i shohin njerëzit qoftë nga pikëpamja individuale, ashtu edhe nga ajo kolektive, si pengje të historisë, apo të fatit. Gyleni në veçanti, edhe pse në pikëpamjet e tij merr në konsideratë vullnetin e Zotit të Plotfuqishëm dhe të Gjithëdijshëm, i bën thirrje lexuesve të marrin përgjegjësitë që u takojnë për veten dhe për botën. Beteja e përgjegjësive përbën një betejë të madhe për çdo brez, por ndoshta brezi ynë, si brez i ndryshimeve të shpejta dhe i dhunës së madhe, na bën thirrje të përpiqemi për të më tepër se kushdo tjetër. Pikërisht në kapitullin që pason do të flasim për temën e përgjegjësisë. / Shkruar nga B. Jill Carroll*
*https://en.m.wikipedia.org/wiki/B._Jill_Carroll
Referenca
[1] Konfuci, The Analekts, XXIV-XXV
[2] Po aty, 198
[3] Po aty, 178
[4] Thomson, Chinese Religion, 145-146
[5] Konfuci, The Analekts, 198
[6] Po aty, 199
[7] Platoni, The Republic, 113-114
[8] Po aty, 109
[9] Po aty, 73
[10] Po aty, 99
[11] Po aty
[12] Po aty, 137
[13] Gylen, Essays, Perspectives, Opinions, 80
[14] Gylen, Pearls of Wisdom, 231-232
[15] Gylen, Toward a Global Civilization of Love and Tolerance, 202
[16] Po aty, 217
[17] Po aty, 206-207
[18] Gylen, The Statue of Our Souls, 45
[19] Po aty, 54-55
[20] Po aty, 55