Këtu tërheq vëmendjen tonë një çështje e veçantë. I Dërguari i Allahut i premton Parajsën atij që i premton të mos keqpërdorë atë çka ka mes buzëve dhe atë çka ka mes këmbëve. Karakteret e veçanta, për të cilat është dhënë sihariqi i Xhenetit, janë të njohura. Më sipër kuptohet se edhe veç tyre, disa të tjerë, në shkallën e pozitës dhe të afrisë së fituar në marrëdhënie me Zotin, do të gëzojnë një bekim të tillë. Këtë mirësi do ta gëzojnë për shkak të vështirësisë së ruajtjes së asaj që është mes buzëve dhe asaj që është mes këmbëve. Sepse në një çast kur epshi pushton krejt trupin, lëkund personalitetin dhe trazon shpirtin, madje kur dobëson edhe vullnetin duke e hapur atë ballas çdo të keqeje, ruajtja e vetëkontrollit prej njeriut për hir të Zotit është aq e rëndësishme, saqë mund të bëhet shkak për lartësimin e njeriut në mënyrë vertikale gjer në majë; dhe një njeri që ia del të përmbushë një vepër të tillë, pa dyshim që, me garancinë e të Dërguarit të Allahut, mund të fluturojë drejt kopshteve të Parajsës. Në qoftë kështu, atëherë ai që është në gjendje të godasë gufimin e nefsit, që në periudhat kur nefsi është i hapur ndaj çdo lloj të keqeje ia del ta vërë atë nën kontroll dhe e ruan veten nga rënia në mëkat duke ushtruar gjithmonë qëndresë me durim; madje dikush që gjendet pa pushim përballë dobësish të tilla dhe i mposht ato të gjitha, mund të përfitojë shumë më tepër sesa një tjetër që fal çdo natë njëmijë rekate namaz. Ai përfiton dhe në mënyrë vertikale ngjitet në pikën e velajetit. Kjo nuk do të thotë se namazi dhe agjërimi nafile janë për t’u nënvlerësuar; ato janë një mjet i rëndësishëm i afrimit tek Allahu dhe gjithmonë do të mbeten të tilla.