Lexo Pdf

 

RREZJA E DYTË

 

Fruti i fundit i burgut të Eskishehirit

Rrezja e Dytë e Shkreptimës së Tridhjetë e Njëtë.

 

Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

 

Kjo rreze u shkrua para gjashtëmbëdhjetë vitesh në një kohë kur qëndroja i vetmuar në burgun e Eskishehirit pasi shokët e mi ishin liruar. Ajo u shkrua me një shpejtësi të madhe me penën time të mangët në një kohë pikëlluese, të vështirë e të pakëndshme dhe prandaj kësaj i mungon diçka rregulli. Dhe në këto ditë -domethënë pas gjashtëmbëdhjetë vitesh- unë fillova ta korrigjoja dhe e gjeta tej mase të vlefshme, të fuqishme dhe të rëndësishme lidhur me besimin dhe me vërtetimin e Unitetit Hyjnor.

Said Nursi

[Kjo formon një ‘Pikë’ të shtatë rreth Gjashtë Emrave më të mëdhenj dhe është rreth Emrit më të madh All-llahu Ehad, Allahu, (është) Një i Vetëm.]

 

 

 

 

Shënim

Në shikimin tim, kjo trajtesë është shumë e rëndësishme, sepse misteret kuptimplota e të holla të besimit që ajo i përmban, zbulohen dhe zhvillohen në të.  Ai që e lexon dhe e kupton këtë trajtesë do ta shpëtojë besimin e tij, në dashtë Zoti xh.sh.. Për fat të keq, unë nuk kam qenë në gjendje të takohem me ndonjë këtu dhe kam qenë i pamundur të shkruaj vetë një kopje të pastër.

Në qoftë se dëshiron ta kuptosh vlerën e trajtesës, lexo së pari Frutet e dytë dhe të tretë që ndodhen tek fillimi i trajtesës, pastaj lexoje me kujdes konkluzionin në fund dhe çështjen në dy faqet që e paraprijnë atë, dhe atëherë studioje avash plotësisht trajtesën!

 

E Shtata e Gjashtë Pikave rreth Gjashtë Emrave më të mëdhenj, rreth  “All-llahu Ehad

Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

Dhe prej Tij ne kërkojmë ndihmë.

I inspiruar nga një kuptim madhështor i vërsetit,

“Dije pra se, padyshim nuk ka Zot tjetër përveç Allahut”,[1] dhe nga një betim i njohur i profetit Muhammed a.s.m., kjo trajtesë përbëhet nga një pikë e hollë që unë i kapa -i ndjeva- rreth tre fruteve të bukur, të ëmbël e të hollë të vërtetimit të Unitetit Hyjnor, dhe tre çështje duke e bërë të domosdoshme atë si dhe prova të tij.

Po, betimi që përdorej më shpesh nga profeti Muhammed a.s.m. ishte ky betim:  “Betohem në Atë që në Dorën e të Cilit është qënia e Muhammedit a.s.m…”[2] Ky betim madhështor i Muhammedit a.s.m. tregon se edhe sfera më e gjërë prej sferave të pemës së universit, maja më e skajshme e saj dhe dega më e largët e degëve të saj, ekzistojnë gjithashtu nëpërmjet fuqisë dhe dëshirës së Krijuesit të Vetëm të Unitetit; sepse në qoftë se edhe më i miri i krijesave dhe më i nderuari që është Muhammedi a.s.m., nuk e ka në dorë veten e tij, nuk është pronar i vetvetes, dhe nuk është i lirë në veprat e tij; madje aktet e tij, lëvizjet dhe qëndrimet e tij janë të lidhura me një Dëshirë të Gjithanshme të Pafundme dhe me zgjedhjen e Tij xh.sh., atëherë nuk ndodhet absolutisht ndonjë gjë në ekzistencë, as funksion, as gjendje apo rrethanë, qoftë e pjesshme apo universale, që të mund të jetë jashtë sferës së asaj fuqie madhështore e Gjithëpërfshirëse për gjithçka, dhe as jashtë asaj Dëshire të gjithanshme e cila përfshin çdo gjë.

Po, ky betim domethënës i Muhammedit a.s.m. e tregon dhe e shpreh Unitetin Madhështor e gjithëpërfshirës të Hyjnisë në mënyrën më madhështore.

Meqenëse njëqind apo ndoshta një mijë prova të qarta të këtij Uniteti Hyjnor janë shtjelluar e shpjeguar në koleksionin e Siraxhun-Nur[3]Llamba Ndriçuese– që përfshihet brenda koleksionit të Risale-i Nurit, ne ia referojmë asaj detajet dhe provat e kësaj të vërtete të lartësuar. Në këtë Rrezen e Dytë, në të parën e Tre ‘Stacioneve’ të shkurtër të përfshira në këtë të vërtetë madhështore të besimit, do të shpjegohen në mënyrë të përmbledhur tre fruta të hollë, të ëmbël, të vlefshëm, të ndritshëm e universalë prej frutave të panumërt, me anë të të cilëve do të aludojmë për intuitat dhe eksperiencat që e shtyjnë zemrën time për tek ato fruta.

Në Stacionin e Dytë, do të shpjegohen tre çështje universale dhe motive detyruese duke e bërë të domosdoshme këtë të vërtetë të shenjtë dhe, të cilat kanë fuqinë e tre mijë çështjeve të tilla.

Në Stacionin e Tretë do të përmenden tre shenja duke treguar këtë të vërtetë të Unitetit Hyjnor, të cilat kanë fuqinë e treqind shenjave, treguesve dhe provave të tilla.

 

Fruti i Parë i Stacionit të Parë

Bukuria Hyjnore dhe Përplotësia Hyjnore bëhen të dukshme në Unitetin Hyjnor dhe në vërtetimin e tij. Në qoftë se nuk do të kishte pasur unitet, ai thesar i parapërjetshëm do të kishte mbetur i fshehur.

Po, bukuria Hyjnore dhe Plotësia e Tij e pakufishme; përsosuria Hyjnore e pafundme dhe Hijeshia; dhe mirësitë e pallogaritshme dhe dhuratat e të Gjithëmëshirshmit të Vetëm dhe bukuria dhe plotësimi i përkryer i të kërkuarit përjetësisht, që të gjitha këto shihen në pasqyrën e Unitetit, nëpërmjet unitetit dhe dritës së manifestimeve të Emrave të bukur Hyjnorë të përqëndruar në fytyrat e të pjesshmeve që ndodhen tek largësitë më të skajshme të pemës së krijimit.

Për shembull, dërgimi i qumështit të pastër të bardhë e të shijshëm për foshnjën e vogël që thith gjirin, i cili nuk ka forcë apo fuqi, nga një vend i paparashikuar, domethënë, prej ndërmjet gjakut dhe jashtëqitjes, është një akt i pjesshëm. Kur ky akt i pjesshëm shikohet nga këndvështrimi i Unitetit Hyjnor, shfaqet qartë bukuria e përjetshme e mëshirës së të Gjithëmëshirshmit me të gjithë shkëlqimin dhe madhështinë e saj, nëpërmjet furnizimit dhe mbajtjes me ushqim në mënyrë të mrekullueshme e të butë të gjithë të vegjëlit në botë dhe nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tyre me dhembshurinë e butësinë më të madhe duke ua nënshtruar atyre nënat e tyre. Por ky akt, akti i dërgimit të qumështit, në qoftë se nuk do të shikohej nga këndvështrimi i Unitetit Hyjnor, do të fshihej tërësisht ajo bukuri vezulluese dhe nuk do të  dukej fare, dhe ai akt i pjesshëm i furnizimit me rizk do t’u referohej gjithashtu shkaqeve, rastësisë dhe natyrës, duke humbur kështu të gjithë vlerën e tij dhe madje do të humbiste natyrën e tij, nëpërmjet transformimit të saj.

Gjithashtu, për shembull, në qoftë se shërimi prej një sëmundjeje të tmerrshme do të shikohej nga këndvështrimi i Unitetit Hyjnor nëpërmjet shfaqjes plotësisht të bukurisë së dhembshurisë së Mëshirëplotit të Vetëm në fytyrën e dhuratës së shërimit për të gjithë të sëmurët që janë shtruar në spitalin gjigant të quajtur toka, nëpërmjet ilaçeve, barnave dhe mjekimeve prej farmacisë së madhe të quajtur bota, dhembshuria e bukur e Mëshirëplotit Absolut dhe aktet e mëshirës së tij bëhen të dukshme në mënyrë universale e madhështore. Në qoftë se nuk do të shikohej nga këndvështrimi i Unitetit Hyjnor, ai akt i pjesshëm, por i ditur, i perceptueshëm dhe i vetëdijshëm i dhuratës së shërimit, do t’u atribuohej veçorive të ilaçeve të pajeta, forcës së verbër dhe Natyrës së pavetëdijshme, atëherë natyra e asaj dhurate mëshireje do të ndryshonte plotësisht dhe do të humbiste urtësinë dhe vlerën e saj.

Unë do të shpjegoj këtu, për shkak të lidhjes së saj, një pikë të hollë që më erdhi në zemër, prej pikave të salevateve mbi profetin Muhammed a.s.m.. Kjo ka të bëjë me salevatin e mirënjohur që recitohet rregullisht nga ndjekësit e medhhebit Shafii në fund të tesbihatit që ndjekin pesë faljet e detyruara të përditshme..

 “O Allah! Jepi bekime shkëlqesisë sonë Muhammedit a.s.m. dhe familjes së tij aq sa numri i sëmundjeve dhe i ilaçeve të tyre, dhe bekoje atë dhe ata dhe jepu paqe të pafundme.”

Këto salevate janë shumë të rëndësishme, sepse urtësia e krijimit të njeriut dhe misteri i gjithëpërfshirjes së aftësive të tij, është që ai të kërkojë strehim tek Krijuesi i tij Gjithëbujar, t’i lutet e t’i përgjërohet Atij dhe të bëjë falënderime e lavdërime për Të në çdo kohë, madje në çdo minut e çast. Motivi më i fuqishëm shtytës dhe shtytësi më i efektshëm që e nxit njeriun për të kërkuar strehim tek Prania Hyjnore janë sëmundjet dhe lëngimet, ashtu siç janë llojet e shërimit, të kurimeve dhe të shëndetit të mirë ato që, me në krye mirësitë e ëmbla dhe favoret e mira, e shtyjnë njeriun për t’i bërë falënderime Allahut me mallëngjim të plotë dhe e nxisin atë për të bërë lavdërime e për të qenë mirënjohës ndaj Krijuesit me të gjithë kuptimet e tyre. Dhe për këtë arsye, këto salevate të bekuara për profetin a.s.m. u bënë shumë domethënëse, të vlefshme, të larta e të thella.

Ndonjëherë kur recitoja frazën:  “sa numri i të gjitha sëmundjeve dhe ilaçeve të tyre”, unë e shihja tokën në formën e një spitali dhe ndjeja me qartësi të plotë ekzistencën e Shëruesit të Vërtetë, mëshirën dhe dhembshurinë e Tij të plotë, i Cili i siguron ilaçet për të gjitha sëmundjet, fizike e shpirtërore, u përgjigjet të gjitha nevojave në të gjitha anët e tokës dhe vështroja zemërbutësinë e Tij universale dhe dhembshurinë e Tij të shenjtë gjithëpërfshirëse.

Gjithashtu, për shembull, në qoftë se dhurata e udhëzimit dhe e besimit mbi dikë që vuan e përjeton dhimbje të tmerrshme të çudhëzimit do të shihej nga këndvështrimi i Unitetit Hyjnor, atëherë bukuria e parapërjetshme e Atij Gjithëbujari Absolut dhe e Mirëbërësit Absolut bëhet e dukshme në fytyrën e asaj dhurate më të lartë, gjë e cila e transformon njeriun e vetëm, të pafuqishëm e të përkohshëm në një rob të adresuar të të Adhuruarit të tij Madhështor, të Sulltanit të Universit dhe Zotit të të gjitha botëve, dhe i jep atij nëpërmjet atij besimi një lumturi të përjetshme dhe një pronë të përhershme të bukur shumë të gjërë e të këndshme dhe një banesë të amshuar, madje i bën të gjithë besimtarët -secilin sipas shkallës së tij- që ta arrijnë atë mirësi të përgjithshme dhe atë bujari të vazhdueshme.. Dhe kështu, ai e shikon në fytyrën e kësaj dhurate më të madhe, madje shikon në tiparet e saj Bukurinë e Gjithëbujarit Absolut dhe të Mirëbërësit Absolut, atë bukuri të parapërjetshme të amshuar të cilës, nuk mund t’i afrohet kurrë zhdukja dhe përkohshmëria. Një shkreptimë prej asaj bukurie të përjetshme është e tillë, saqë ajo i bën të gjithë besimtarët që ta duan, dhe disa njerëz, elitën, i bën të joshur marrëzisht pas saj dhe përmallues të zjarrtë të saj.

Ndërsa në qoftë se nuk do të shikohej kjo dhuratë, dhurata e udhëzimit të atij personi, nga këndvështrimi i Unitetit Hyjnor, atëherë ai besim i pjesshëm i atij individi do t’i atribuohej ose vetë atij personi -ashtu siç pretendojnë muëtezilitët mendjemëdhenj e kokëfortë- ose disa shkaqeve. Atëherë ai xhevahir i shtrenjtë i të Gjithëmëshirshmit, vlera dhe çmimi i të cilit është vetëm Parajsa, do të pakësohej e katandisej në të qenurit një copë xhami dhe nuk do t’i reflektonte më shkreptimat e asaj bukurie të shenjtë.

Kështu, mund të shihet nga këto tre shembuj, se mijëra prej llojeve të bukurisë Hyjnore dhe qindra e mijëra shembuj të Plotësimit Hyjnor, shfaqen e kuptohen dhe provohet realiteti i tyre nga këndvështrimi i Unitetit Hyjnor; dhe kjo realizohet nëpërmjet përqëndrimit të atyre llojeve të bukurisë Hyjnore dhe plotësimit Hyjnor në të gjitha ato gjendje të pjesshme të qënieve të pjesshme që janë në pjesët më të fundme e të skajshme të sferës së shumësisë.

Atëherë, shfaqja e kësaj bukurie Hyjnore dhe e plotësimit të saj për zemrat nëpërmjet Unitetit Hyjnor dhe ndjeshmëria shpirtërisht për ato të dyja është ajo që i ka shtyrë të gjithë Evlijatë dhe të pastërtit që t’i gjejnë ndriçimet më të ëmbëla dhe ushqimin shpirtëror më të shijshëm në përmendjen dhe në përsëritjen e Fjalës së Njësisë, e cila është  La i Lahe il-lall-llah, Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, duke pohuar Unitetin Hyjnor. Dhe meqenëse madhështia Hyjnore dhe lartësia, lavdia Hyjnore dhe sovraniteti absolut i Hyjnisë së të Përjetshmit të Vetëm kuptohen e vërtetohen në Fjalën e Njësisë, në Unitetin Hyjnor, profeti Muhammed a.s.m. tha:  “Gjëja më e mirë që kam thënë unë dhe profetët para meje është La il-lahe il-lall-llah, Nuk ka zot tjetër përveç Allahut”.[4]

Po, megjithëse një mirësi e vogël, një dhuratë dhe një furnizim, rizk, si një lule, si një frut apo si një dritë, secila është si një pasqyrë e vogël, nëpërmjet misterit të Unitetit Hyjnor ato pasqyra të vogëla papritmas qëndrojnë sup më sup dhe bashkohen me të gjitha shoqet e tyre dhe lidhen me njëra-tjetrën derisa ai lloj transformohet në një pasqyrë shumë të madhe që reflekton një lloj të bukurisë Hyjnore e cila manifestohet mbi të.

Misteri i Unitetit shfaq një bukuri të përhershme e të amshuar nëpërmjet asaj bukurie të përkohshme kalimtare, ashtu siç tha Meulana Xhelalud-din Rumiu:

“Imagjinata që është kurthi i shenjtorëve, është një pasqyrë që reflekton fytyrat e ndritshme si hënë në kopshtin e Zotit xh.sh..

Kurse në qoftë se ajo bukuri nuk do të shikohej nëpërmjet Unitetit Hyjnor, domethënë, po të mos ishte Uniteti Hyjnor, secili frut i pjesshëm do të mbetej i braktisur, i vetmuar, i lënë e i veçuar prej shokëve të tij dhe, as nuk do ta shfaqte atë bukuri të shenjtë dhe as nuk do ta shpjegonte atë plotësim të lartësuar. Madje edhe ajo shkreptimë e pjesshme e bukurisë që shkëlqen brenda tij, do të shuhej e do të humbiste. Mjaft thjesht, ajo do të bëhej e kundërta e saj; nga të qënurit një diamant, ajo do të kthehej në një copë xhami.

Gjithashtu, nëpërmjet misterit të vërtetimit të Unitetit Hyjnor, në qëniet e gjalla që janë frutat e pemës së krijimit, shfaqen një Personalitet Hyjnor, një Njësi Hyjnore, një fytyrë jolëndore e të Gjithëmëshirshmit e karakterizuar, e përcaktuar nga shtatë Atribute, një përqëndrim i Emrave, dhe manifestimi i përcaktimit dhe i personifikimit të Atij të Cilit i adresohet nëpërmjet fjalëve,

“Vetëm Ty të adhurojmë dhe Vetëm Ty të mbështetemi e të kërkojmë ndihmë”.[5]

Ose përndryshe -domethënë, pa misterin e Unitetit Hyjnor- shkreptima e Atij personaliteti, e asaj Njësie, e asaj Fytyre dhe manifestimi i atij përcaktimi do të zgjeroheshin e shtriheshin aq sa shtrirja e universit dhe do të shpërndaheshin e do të fshiheshin. Ajo do të shihej vetëm me sytë e zemrës që janë me të vërtetë shumë të mëdhenj e gjithëpërfshirës; sepse madhështia e lartësisë Hyjnore do ta mbulonte atë; jo gjithkush do të mund ta shikonte atë me syrin e zemrës.

Gjithashtu kuptohet qartë nëpërmjet misterit të Unitetit Hyjnor në ato qënie të gjalla të pjesshme se Krijuesi i tyre i shikon ato, e di gjendjen e tyre, e dëgjon thirrjen e tyre dhe i bën ato ashtu siç dëshiron, duke u dhënë cilëndo formë që do Ai. Mjaft thjesht, prapa krijueshmërisë së çdo qënieje të gjallë shfaqet për intuitën e besimit, për shikimin e imanit, një personifikim jolëndor dhe një përcaktim jolëndor i Atij që ka fuqi e dëshirë, i Cili është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur dhe Gjithëshikues. Dhe në mënyrë të veçantë, pas krijueshmërisë së njeriut -midis krijesave të gjalla- shikohet nëpërmjet besimit dhe nëpërmjet misterit të Unitetit Hyjnor, dhe me qartësi të plotë, Ai personifikim jolëndor dhe Ai përcaktim i lartësuar; sepse modelet e kuptimeve të tilla si njohja, fuqia, jeta, dëgjimi e shikimi, të cilat janë baza e atij personifikimi të Njësisë, janë të pranishme në njeriun, dhe ai i tregon ato nëpërmjet atyre modeleve. Për shembull, ai që t’i jep sytë, shikon edhe syrin, edhe atë çfarë sheh syri -ky është një kuptim i hollë- dhe pastaj i dhuron ato. Sigurisht okulisti që bën për syrin tënd një palë syze, e shikon përshtatshmërinë e shikimit për syrin tënd, dhe pastaj i përgatit ato për ty. Po kështu, edhe Ai që dhuron veshët, sigurisht dëgjon atë çfarë dëgjojnë veshët, dhe pastaj ai i bën dhe i dhuron ato. Shembuj për atributet e tjera mund të bëhen në të njëjtën mënyrë.

Gjithashtu, njeriu mban shenjat, skalitjet dhe manifestimet e Emrave të bukur Hyjnorë; me këto skalitje e manifestime, ai dëshmon për ato kuptime të shenjta.

Gjithashtu, nëpërmjet dobësisë së tij, pafuqisë, varfërisë dhe padijes, njeriu vepron si një pasqyrë në një mënyrë tjetër; ai dëshmon për fuqinë, njohjen, dëshirën dhe për atributet e tjera të Atij që ka dhembshuri e mëshirë mbi dobësinë dhe mbi varfërinë e tij, dhe i vjen në ndihmë atij.

Kështu, meqenëse nëpërmjet Unitetit Hyjnor, një mijë e një Emra Hyjnorë janë përqëndruar në pikat më të skajshme dhe në të pjesshmet më të shpërndara të sferës së shumësisë, në mesazhet e vogëla të njohura si qëniet e gjalla, dhe duhet të lexohen shumë qartë, Ai Krijues i Gjithurtë i shumon kopjet e tyre në shkallë të gjërë, sidomos speciet e të vegjëlve të tyre i shumon në mënyra të shumta të ndryshme dhe i përhap -i boton- ato anembanë.

Ajo që më shtyri për tek e vërteta e këtij Frutit të parë dhe që më çoi tek ajo ishte një ndjenjë e sigurt dhe një eksperiencë. Ajo ishte sa vijon:

Unë pikëllohesha shumë dhe më vinte jashtë mase keq për gjendjen e gjallesave dhe sidomos për qëniet e vetëdijshme prej tyre, dhe veçanërisht për njeriun, dhe në mënyrë akoma më të veçantë për të shtypurit dhe për ata të goditurit me fatkeqësi. Unë thirra nga thellësitë e zemrës sime:

Këto ligje të pandryshueshme që veprojnë në botë nuk i dëgjojnë dhimbjet e vuajtjet e këtyre të pafuqishmive dhe mjeranëve të dobët, as ato elemente dhe ato ngjarje dërrmuese nuk e dëgjojnë rënkimin e tyre. A nuk ndodhet ndokush që do t’i vinte keq e të kishte mëshirë për gjendjen e tyre të mjeruar dhe të ndërhynte në gjendjet e tyre të veçanta?”

Shpirti im bërtiste nga thellësirat e tij. Zemra ime kërkoi me të gjithë fuqinë e saj:

“A nuk kanë një Pronar të Vërtetë dhe një Zot Gjithëbujar që të kujdeset dhe t’i mbrojë ato krijesa të bukura, ato mallra shumë të çmueshëm e të vyer dhe këta të dashur të pëlqyeshëm, të përmalluar e mirënjohës?”

Përgjigjja e plotë dhe e mjaftueshme që jep qetësi e kënaqësi të plotë për britmat e shpirtit tim dhe për shqetësimet e zemrës sime ishte kjo: Atyre krijesave të dashura që rënkojnë nën presionin e ligjeve universale të të Gjithëmëshirshmit e Mëshirëplotit të Gjithëlavdishëm dhe që kërkojnë ndihmë nën goditjet e ngjarjeve dhe të sulmeve të tyre, Krijuesi xh.sh. u jep nëpërmjet misterit të Unitetit Hyjnor, sipër atyre ligjeve, favore të veçanta, ndihma të veçanta, dhe Hyjninë e Tij të veçantë drejt çdo gjëje drejtpërdrejtë; dhe Krijuesi xh.sh. i drejton çështjet e çdo gjëje pikërisht me Qënien e Tij Madhështore dhe i dëgjon ankesat e të gjitha gjërave; Ai është Pronari i Vërtetë, Mbrojtësi dhe Prijësi i gjithçkaje.

Qysh kur unë njoha këtë mister prej Kur’anit dhe prej dritës së imanit, unë ndjeva një gëzim të pafundmë në vend të atij dëshpërimi të pafundmë. Duke qenë tërësisht në Pronësi të Një Pronari të tillë të Gjithëlavdishëm dhe duke qenë i lidhur me Të, në shikimin tim të gjitha qëniet e gjalla fituan një rëndësi dhe një vlerë një mijë herë më të madhe, sepse meqenëse gjithësecili krenohet me nderin dhe me famën e Pronarit të tij, dhe me rangun e personit me të cilin ai është lidhur, dhe fiton një dinjitet nëpërmjet zbulimit të kësaj lidhjeje nëpërmjet dritës së besimit dhe gjendjes së të qenurit i pronësuar, dhe për shkak të fuqisë së asaj lidhje, një mizë mposhti një faraon; madje ai duhet të ndjehej krenar për atë lidhje që të tejkalojë një mijë herë më shumë krenarinë e faraonëve, të cilët ishin të pakujdesshëm, që e imagjinuan vetveten të ishin të pavarur dhe se i kishin në pronësi vetvetet e tyre dhe, kishin krenari të tepruar -e cila u shua tek dera e varrit- që krenoheshin me paraardhësit e tyre dhe me sundimin e Egjiptit.

Po kështu mushkonja, nëpërmjet shfaqjes së dinjitetit të lidhjes së saj, mundi të zhdukë krenarinë e Nimrudit, që u shndërrua në turp e torturë kur ai provoi grahmat e vdekjes, duke e katandisur Nimrudin në hiçgjë.

Dhe kështu, vërseti Kur’anor,

“Vërtet që shirku është një gjynah (krim) shumë i madh” ,[6] na mëson se shirku -të përshkruarit ortakë me Zotin xh.sh.- është një krim i madh, meqenëse ai shkel të drejtat, nderin dhe dinjitetin e të gjitha krijesave.

Vetëm Ferri -Xhehennemi- mund ta pastrojë këtë krim, krimin e Shirkut.

 

Fruti i Dytë i Unitetit Hyjnor

Fruti i Parë pa tek Esenca më e pastër dhe më e shenjtë e Krijuesit të të gjitha botëve; tani ky fruti i dytë shikon tek universi dhe tek natyra e tij esenciale.

Po, nëpërmjet misterit të Unitetit Hyjnor, kuptohen dhe realizohen veçoritë e universit dhe plotësimet e tij, kuptohen detyrat e larta të qënieve, vendosen rezultatet e krijimit të qënieve, njihet vlera dhe rëndësia e krijesave; qëllimet Hyjnore në botë gjejnë ekzistencë, dhe bëhen të dukshëm shembujt e urtësisë në krijimin e qënieve të gjalla dhe shfaqet misteri i ekzistencës së qënieve të vetëdijshme; dhe shfaqen fytyrat e bukura e buzëqeshëse të mëshirës dhe të urtësisë prapa fytyrave të rrepta e të zemëruara të këtyre ngjarjeve dërrmuese e shtypëse brenda transformimeve të habitshme dhe të ndryshimeve; si dhe njihen ekzistencat e shumta të qënieve kalimtare, të tilla si rezultatet e tyre, natyrat e tyre të vërteta, shpirtërat e tyre dhe tesbihatet që ato i lënë në vendet e tyre në Botën e Dukshme para se ato të largohen.

Për më tepër, vetëm nëpërmjet misterit të Unitetit Hyjnor njihet se universi, si një tërësi, është një libër kuptimplotë i Krijuesit të përjetshëm; dhe të gjitha qëniet nga toka për tek Froni Hyjnor janë një koleksion i mrekullueshëm i mesazheve Hyjnore; dhe të gjitha botët e krijesave janë një ushtri madhështore e rregullt Hyjnore; dhe të gjitha llojet e qënieve nga mikrobet dhe mizat për tek hundëbrirët, shqiponjat dhe planetët janë nëpunës të zellshëm të Sulltanit të Parapërjetshëm; dhe meqenëse ato veprojnë si pasqyra dhe kanë një lidhje me atë Sulltan, atëherë vlera e të gjitha gjërave e tejkalon pafundësisht vlerën e tyre individuale; dhe zbulohen përgjigjet e pyetjeve të pazgjidhshme e të ngatërruara: nga vjen rrjedha e këtyre qënieve dhe karvani i krijesave? Ku do të shkojnë? Përse erdhën dhe çfarë do të bëjnë?

Përndryshe, këto plotësime të larta të universit do të zhdukeshin, dhe ato të vërteta të larta e të shenjta do të transformoheshin në të kundërtat e tyre.

Për shkak se krimi i shirkut dhe i mosbesimit përbën shkelje kundra të gjitha plotësimeve të universit, ndaj të vërtetave të tij të shenjta dhe ndaj të drejtave të larta të qënieve, universi bëhet i zemëruar prej jobesimtarëve dhe idhujtarëve. Qiejt e toka bëhen të zemëruara, dhe elementet bashkohen për t’i shkatërruar ata, duke i përmbytur e zhytur ata që i përshkruajnë ortakë Allahut, të tillë si populli i Nuhut a.s., populli i Adit, populli i Themudit dhe populli i Faraonit.

Në përputhje me vërsetin,

“Ai (zjarri) pothuaj shpërthen me vrull”.[7]

Ferri inatoset dhe tërbohet aq shumë kundra jobesimtarëve dhe atyre që i përshkruajnë ortakë Allahut, saqë ai pothuaj shpërthen me vrull.

Po, të përshkruarit ortakë me Allahun është një fyerje e tmerrshme ndaj universit dhe një shkelje e madhe dhe përçmim ndaj tij. Duke mohuar detyrat e shenjta të qënieve dhe qëllimet e krijimit të tyre, shirku fyen nderin e tyre. Për ta ilustruar këtë, ne do të aludojmë për këtë të vërtetë me një shembull të vetëm prej mijëra shembujsh.

Për shembull, nëpërmjet misterit të Unitetit Hyjnor universi i ngjason një meleku gjigant trupor, që ka qindra e mijëra koka, madje sa numri i llojeve të qënieve, në çdo kokë ka qindra e mijëra gojë, madje sa numri i individëve të atij lloji; dhe në çdo gojë ka qindra e mijëra gjuhë, madje sa numri i organeve të atij individi, i pjesëve dhe i qelizave të atyre gjymtyrëve të tij. Atëherë ky univers madhështor dhe kjo krijesë e çuditshme, ky melek madhështor e shenjtëron dhe e lavdëron Krijuesin e Gjithëlavdishëm me këto gjuhë të panumërta. Atëherë ai është në një pozitë të lartë duke u marrë me adhurim madhështor të ngjashëm me adhurimin e Melekut Israfil a.s…

Nëpërmjet misterit të Unitetit Hyjnor, universi gjithashtu është një tokë e lërueshme që përgatit prodhime të shumta e të korra të bollshme për botën e Ahiretit dhe për vendbanimet e saj.. ai është si një fabrikë e madhe që prodhon mallra të shumtë, të tilla si veprat e njeriut, për nivelet e Botës së Lumturisë; ai është si një kamër kinematografike me qindra e mijëra lente objektivi duke nxjerrë në mënyrë të vazhdueshme fotografitë e kësaj bote për t’ua shfaqur spektatorëve në botën e përjetshme dhe veçanërisht në Parajsë.

Atëherë, ndërsa universi, nëpërmjet Unitetit Hyjnor është në këtë formë të mahnitshme si një melek i bindur trupor i gjallë, shirku e transformon atë në një kolektivitet të pajetë, të pashpirt, të padetyrë, kalimtar, të pakuptim, të mjerë dhe të kotë, duke u rrokullisur në stuhitë e ngjarjeve, të ndryshimeve dhe në errësirat e mosekzistencës.

Shirku -të përshkruarit ortakë me Allahun- e shndërron këtë fabrikë të çuditshme, madhështore, të rregullt e të dobishme në diçka të padobishme, të paleverdishme e të papunë; e shndërron në një lodër rastësie të ngatërruar e të pavetëdijshme, si diçka pa prodhim, pa rezultat ose pa funksion; e kthen në një fushë lojërash të Natyrës së shurdhët dhe të Forcës së verbër, një vend zie për të gjitha qëniet e vetëdijshme -me mend- një thertore për të gjitha krijesat e gjalla dhe si një luginë lotësh.

Në përputhje me vërsetin,

“Vërtet që shirku është një gjynah (krim) shumë i madh”.[8]

Shirku, megjithëse është një e keqe e vetme, ai çon për tek krime të tilla të shumta saqë ata që e kryejnë atë krim, meritojnë torturim të pafundmë në zjarrin e Xhehennemit. Megjithatë, meqenëse ky Fruti i dytë është shpjeguar e provuar në mënyrë të përsëritur tek koleksioni Siraxhun-Nurllamba Ndriçuese-, ne e kemi shkurtuar këtu këtë të vërtetë të gjatë.

Një ndjenjë e çuditshme dhe një perceptim që më shtynë mua për tek ky Fruti i Dytë. Kjo ishte sa vijon:

Në një ditë kur po sodisja stinën e pranverës, unë pashë se qëniet që mbushnin sipërfaqen e tokës dhe vërshonin karvan pas karvani shfaqnin në faqen e tokës qindra e mijëra shembuj e modele të Ringjalljes së madhe dhe të Tubimit të madh.

Këto qënie, dhe sidomos qëniet e gjalla dhe të vegjëlit e tyre, shfaqeshin vetëm për një kohë të shkurtër, dhe pastaj zhdukeshin. Tablotë e vdekjes dhe të përkohshmërisë në mes të atij aktiviteti të vazhdueshëm e të madh m’u dukën shumë të trishtueshme e të dhimbshme;

Unë ndjeva një keqardhje të tillë saqë më bëri të qaja. Sa më shumë i vështroja vdekjet e atyre krijesave të dashura të vogla, aq më shumë më dhimbte zemra. Unë bërtita nga keqardhja e tyre dhe ndjeva brenda meje tronditje të thellë shpirtërore. Jeta që mbaronte me një fund të tillë, m’u duk se ishte një torturë më e keqe se sa vdekja.

Gjithashtu pashë në botën e bimëve dhe të kafshëve se ato gjallesa shumë të bukura e shumë të dashura dhe plot art të vlefshëm, sapo t’i hapnin sytë e tyre për një çast në ekspozitën e universit, pastaj zhdukeshin e kalonin. Sa më shumë ta shikoja këtë gjendje, unë ndjeja një dhimbje pikëlluese, zemra ime donte të ankohej duke qarë e rënkuar ndaj Paracaktimit e fatit.

Ajo bëri pyetje të tmerrshme: “Atëherë, përse ato erdhën në këtë botë, dhe përse largohen pa qëndruar në të? sepse këto krijesa të bukura largohen pa dobi, pa ndonjë synim, pa rezultat dhe shumë shpejt bëheshin mosekzistuese para syve të mi, pavarësisht se qenë krijuar, ushqyer e mbështetur me gjërat më të domosdoshme dhe u zhvilluan me kaq shumë vëmendje dhe art dhe në një formë të tillë të vlefshme.

Mirëpo pas të gjithë kësaj, ne shohim grisjen e tyre si leckë, shpërndarjen e tyre, asgjësimin, zhdukjen dhe hedhjen e tyre në errësirat e mosekzistencës..

Sa herë që e shikoja këtë skenë të dhimbshme, bërtisnin të gjitha aftësitë e mia të holla që ishin shumë të joshura pas llojeve të plotësimit dhe të sprovuara e të robëruara pas llojeve të bukurisë, të përmalluara pas gjërave të vyera e të çmueshme, dhe kërkuan ndihmë duke thënë: “Përse nuk mëshirohen këto krijesa? A nuk është turp kjo? Nga vijnë kjo përkohshmëri e zhdukje brenda këtyre përmbysjeve dhe transformimeve të çuditshme që pareshtur i sulmojnë këto qënie të mjera?” Sapo filluan kundërshtimet e tmerrshme të drejtohen drejt Kaderit Hyjnor dhe drejt rrethanave të dhimbshme të fytyrës së jashtme të jetës dhe të ngjarjeve të saja, drita e Kur’anit, misteri i besimit, favori i të Gjithëmëshirshmit dhe besimi në Unitetin Hyjnor, që të gjitha më erdhën në ndihmë. Ato i ndriçuan ato errësira dhe i transformuan vajtimet e mia në gëzim, rënkimet e mia në lumturi dhe keqardhjet e mia në thirrjet Ma Sha’ All-llah, Barakall-llah, Çfarë çudirash ka dashur Allahu, i Bekuar është Allahu. Ato më bënë mua të deklaroja duke thënë: Lavdi Zotit për dritën e besimit, sepse nëpërmjet misterit të Unitetit Hyjnor, Unë pashë se të gjitha krijesat, dhe veçanërisht krijesat e gjalla, prodhojnë rezultate vërtet domethënëse dhe kanë dobi të përgjithshme.

Shkurtazi: Të gjitha qëniet e gjalla, për shembull, kjo lule e stolisur dhe kjo bletë prodhuese ëmbëlsirash, janë poema Hyjnore plot kuptime të thella, saqë qënie të vetëdijshme të panumërta i studiojnë ato me kënaqësi të plotë.. Ato janë mrekulli të çmueshme të fuqisë Hyjnore.. janë shpallje e kënde njoftimi për Urtësinë e Krijuesit ku ekspozojnë artin e Autorit të tyre të Gjithëlavdishëm në mënyrë tepër joshëse e tërheqëse përpara shikimeve të panumërta të vëzhguesve vlerësues e admirues.

Gjithashtu, Rezultati më i lartësuar i krijimit të qënies së gjallë është që ajo të shfaqet përpara shikimit të Krijuesit të Gjithëlavdishëm, i Cili dëshiron ta shikojë Vetë artin e Tij, dhe të shohë bukuritë e krijimit të Tij dhe hijeshinë e manifestimeve të Emrave të Tij.

Një funksion tjetër i lartësuar i krijimit të tyre është përshkruar në Letrën e Njëzet e Katërt, dhe është kryerja e tyre në pesë mënyra të misionit të shfaqjes së Hyjnisë absolute dhe shfaqjes së Plotësimit Hyjnor që bëjnë të domosdoshme këtë aktivitet absolut në univers.

Por unë pashë se qënia e gjallë, përveç dobive dhe rezultateve të lartëpërmendura që ka, e lë shpirtin e tij në vendin e vet -në qoftë se është qënie me shpirt- dhe lë formën dhe identitetin e saj në kujtesat dhe në Pllakat e tjera të Ruajtjes, dhe i vendos ligjet e qënies së saj dhe një lloj prej jetës së ardhme të saj në farat dhe në vezët e saj, dhe i vendos veçoritë e plotësimit dhe të bukurisë që i ka reflektuar si pasqyra, i lë ato në botën e padukshme dhe në sferën e Emrave Hyjnorë; dhe pas gjithë kësaj futet nën perden e zhdukjes me gëzim e kënaqësi me një vdekje të jashtme -domethënë duke u liruar nga detyrat-, fshihet vetëm nga shikimet e dynjasë, nga sytë e botës!.

Po, kështu e pashë natyrën e qënies së gjallë dhe thashë nga thellësitë… El-Hamdu Lil-lah, Lavdia i takon Allahut…

Këto lloje bukurie dhe këto shembuj hijeshie që shihen në të gjithë nivelet e universit dhe në të gjitha botërat e qënieve, dhe që janë shpërndarë gjithandej, demonstrojnë me siguri të plotë se situata e mëparshme e shëmtuar, e egër, e neveritshme dhe e mjerueshme, të cilën e bën të domosdoshme shirku, është krejtësisht e pamundur dhe e rreme, sepse një shëmti e tillë e lemerishme nuk do të mund të ekzistonte e fshehur nën perden e një bukurie të tillë të vërtetë e të pastër. Në qoftë se ajo do të gjendej atje, atëherë ajo bukuri e vërtetë do të ishte e pavërtetë, e pabazë, e kotë dhe e rreme. Kjo do të thotë se shirku -të përshkruarit ortakë me Allahun- nuk ka realitet, rruga e tij është e mbyllur, ai është zhytur në baltë; ajo çfarë parashtron e vendos ai është e pamundur dhe e papranueshme. Meqenëse kjo e vërtetë e besimit, e cila u përket ndjenjave, është shpjeguar në detaje me prova të shumta në shumë pjesë të koleksionit Siraxhun-Nur, ne do të mjaftohemi këtu me këtë tregues.

 

Fruti i Tretë i Unitetit Hyjnor

Ky frut shikon tek qëniet e vetëdijshme, dhe veçanërisht tek njeriu.

Po, nëpërmjet misterit të Unitetit Hyjnor, midis të gjitha krijesave, njeriu mund të arrijë tek plotësimet më të larta dhe të bëhet fruti më i vlefshëm i universit dhe më i ploti dhe më i përsosuri i krijesave, më fatlumi i qënieve të gjalla, i adresuari i Zotit të të gjitha botëve dhe i merituari që të jetë miku i ngushtë i Tij dhe i dashuri i Tij.

Po, të gjitha plotësimet e njeriut dhe qëllimet e tij të larta janë të lidhura me Unitetin Hyjnor dhe gjejnë ekzistencë e realizohen nëpërmjet misterit të unitetit Hyjnor; sepse në qoftë se nuk do të kishte unitet, njeriu do të ishte më fatkeqi i krijesave, më i ulëti i qënieve, më i dobëti i kafshëve dhe më i vuajturi dhe i dëshpëruari i qënieve të vetëdijshme; sepse së bashku me pafuqinë e tij të pafundme, me armiqtë e tij të panumërt, me varfërinë e tij të pakufishme dhe me nevojat e tij të pafundme, ai është pajisur me shumë aftësi e shqise deri në atë shkallë që ai nëpërmjet tyre të mund të ndjejë lloje të panumërta dhimbjesh dhe të përjetojë lloje të panumërta kënaqësish. Ai ka qëllime e dëshira të tilla, saqë Vetëm Ai që e sundon përnjëherësh të gjithë universin, mund t’i plotësojë ato dëshira.

Për shembull, njeriu ka një dëshirë të fortë për pavdekshmëri. Vetëm Ai që ushtron kontroll mbi të gjithë universin si të ishte një pallat, mund t’i përgjigjet kësaj dëshire, mund ta mbyllë derën e kësaj bote dhe të hapë atë të Ahiretit, ashtu si të mbyllte derën e një dhome dhe të hapte atë të një dhome tjetër. Njeriu gjithashtu ka mijëra dëshira, edhe negative edhe pozitive, të cilat, ashtu si dëshira për pavdekshmëri, shpërndahen gjithandej botës dhe shtrihen deri në përjetësi. Është vetëm i Vetmi Unik, i Cili nëpërmjet misterit të Unitetit e mban të gjithë universin në kapjen e Tij, që duke iu përgjigjur këtyre dëshirave të njeriut mund t’i shërojë plagët e tmerrshme të ‘pafuqisë’ dhe të ‘varfërisë’ së tij.

Për më tepër, njeriu ka aq shumë dëshira të holla, të pjesshme, jolëndore e të fshehura që lidhen me qetësinë e me rehatinë e zemrës së tij, dhe ka qëllime të lidhura me pavdekshmërinë dhe me lumturinë e shpirtit të tij, aq të gjëra, gjithëpërfshirëse dhe universale, saqë atyre mund t’iu përgjigjet vetëm se Ai që shikon perdet më të holla e më të pakapshme të zemrës së tij, që ka lidhje me të, dhe që dëgjon zërat më të padëgjueshëm e të fshehur, dhe që nuk i lë ato pa iu përgjigjur.

Ai i Vetëm gjithashtu duhet të ketë fuqi të mjaftueshme për t’i nënshtruar qiejt dhe tokën sikur ato të ishin dy ushtarë të bindur, dhe t’i bëjë ato të kryejnë vepra universale.

Gjithashtu, nëpërmjet misterit të unitetit, të gjitha gjymtyrët dhe shqiset e njeriut fitojnë një vlerë të lartë, kurse nëpërmjet shirkut -të përshkruarit ortakë me Allahun- dhe nëpërmjet mosbesimit, ato bien në një shkallë pafundësisht të ulët. Për shembull, aftësia më e çmueshme e njeriut është mendja. Nëpërmjet misterit të unitetit Hyjnor, ajo bëhet një çelës i ndritshëm për thesaret e shenjta Hyjnore dhe për arkat e universit. Ndërsa në qoftë se ajo do të binte në shirk -në të përshkruarin ortakë me Allahun- dhe në mosbesim, ajo do të bëhej një vegël fatzezë tortureje që grumbullon tek koka e njeriut të gjitha dhimbjet pikëlluese të së shkuarës dhe frikësimet dhe ankthet e tmerrshme të së ardhmes.

Gjithashtu, për shembull, dhembshuria, mëshira, veçoria më e hollë, e këndshme dhe e ëmbël prej veçorive të njeriut; në qoftë se misteri i Unitetit Hyjnor nuk i vjen në ndihmë asaj, ajo do të bëhej një torturë e kobshme që do ta zbriste njeriun në errësirat e mjerimit. Një nënë e pakujdesshme, e cila imagjinon se e ka humbur fëmijën e saj të vetëm përjetësisht, e ndjen plotësisht këtë dhimbje përcëlluese.

Gjithashtu, për shembull, edhe dashuria, e cila është ndjenja më e ëmbël, më e kënaqshmja, më e larta dhe më e çmueshmja e njeriut; Në qoftë se misteri i Unitetit Hyjnor do ta ndihmonte atë, ajo i jep njeriut të vogël shtrirjen dhe gjërësinë e universit, dhe e bën atë një sulltan të dashur për të gjitha krijesat. Ndërsa vetë dashuria në qoftë se do të binte në shirk dhe në mosbesim -Ruajna Zot- ajo do të shndërrohej në një fatkeqësi të madhe saqë do ta griste e copëtonte zemrën e njeriut të dobët në çdo çast për shkak të ndarjes përjetësisht prej të dashurve të saj të panumërt, meqë ata vazhdimisht zhduken me vdekjen. Mirëpo argëtimet e kota, duke shkaktuar pakujdesi, i mpijnë ndjenjat përkohësisht, duke mos e lejuar njeriun ta ndjejë këtë dhimbje.

Në qoftë se ti do të bëje analogji me këto tre shembuj për qindra aftësitë dhe shqiset e njeriut, do të kuptoje se deri në çfarë shkalle është Uniteti Hyjnor boshti për plotësimet njerëzore. Meqenëse ky fruti i tretë gjithashtu është shpjeguar shumë mirë dhe në mënyrë të hollësishme me prova në ndoshta njëzet prej trajtesave të koleksionit Siraxhun-Nur, unë po mjaftohem me këtë tregues të shkurtër këtu.

Ajo çfarë më shtyri mua për tek ky Frut ishte ndjenja që vijon:

Një ditë unë isha në një majë të një mali të lartë. Nëpërmjet një zgjimi shpirtëror mjaft të fuqishëm për të larguar pakujdesinë time, vdekja dhe varri m’u shfaqën me të gjithë realitetin e tyre të plotë. Ashtu si tek të tjerët, dëshira ime e zjarrtë e bashkëlindur për pavdekshmëri ziu përbrenda nga zemërimi dhe u rebelua kundra vdekjes. Gjithashtu edhe simpatia dhe dhembshuria në natyrën time u zemëruan dhe ngritën krye kundra varrit dhe asgjësimit të njerëzve të plotësimit, profetëve të shquar, Evlijave -shenjtorëve- dhe të pastërtive, për të cilët unë ndiej dashuri të madhe dhe kam lidhje të ngushta me ta. Përballë kësaj çështje unë pashë në gjashtë drejtimet, duke kërkuar ndihmë, por unë nuk gjeta as ngushëllim as ndihmë; sepse duke vështruar të shkuarën, unë pashë se ajo ishte shndërruar në një varrezë të madhe; drejtimi i së ardhmes ishte transformuar në një errësirë të tmerrshme; drejtimi i sipërm ishte shumë i tmerrshëm, edhe drejtimi i poshtëm; dhe po kështu i djathti dhe i majti, të gjitha këto drejtime shkaktonin situata të dhimbshme e të trishtueshme. Papritmas, misteri i Unitetit Hyjnor më erdhi në ndihmë, e ngriti perden përpara shikimit tim dhe më shfaqi realitetin e këtyre drejtimeve duke thënë: Shiko!

Para së gjithash unë hodha vështrimin tek fytyra e vdekjes, e cila më frikësonte shumë. Unë pashë se për njerëzit e besimit, ajo ishte një lirim prej detyrave. Exheli -çasti i fundit i jetës- ishte letra e lirimit. Ajo ishte një ndryshim banese, parathënia e një jete të amshuar, dhe dera që të çon për tek ajo jetë. Ishte lirim prej burgut të kësaj dynjaje dhe shkuarje për tek kopshtet e Ahiretit. Ishte rasti që njeriu të futet tek prania e të Gjithëmëshirshmit Mëshirëplotë me qëllim që të marrë shpërblimet për shërbimin e tij. Ishte një ftesë për të shkuar për tek bota e lumturisë. Duke e kuptuar këtë me siguri të plotë, unë fillova ta dua vdekjen.

Pastaj unë hodha vështrimin për tek përkohshmëria dhe jetëshkurtësia, dhe pashë se zhdukja e gjërave ishte vetëm ripërtëritje e tyre, ishte një ripërtëritje e këndshme, ashtu si figurat në ekranin e kinemasë dhe si flluskat në ujin rrjedhës nën diell.

Prandaj, unë mësova me siguri se zhdukja e gjërave dhe përkohshmëria e tyre ishte një ripërtëritje e manifestimeve shumë të bukura të Emrave më të bukur Hyjnorë dhe një detyrë të cilën e kryenin brenda një ekskursioni dhe udhëtimi në botën e dukshme pas ardhjes së tyre nga bota e padukshme; dhe ato ishin një manifestim i urtë i qëllimshëm i bukurisë Hyjnore; ato kryenin funksionin e pasqyrave të bukurisë së përjetshme të qënieve.

Pastaj unë hodha vështrimin për tek gjashtë drejtimet, dhe pashë se nëpërmjet misterit të Unitetit Hyjnor ato ishin aq të ndritshme saqë të verbonin sytë. Unë pashë se e shkuara nuk ishte një varr i madh, por duke qenë transformuar në të ardhmen, kishte bërë mijëra tubime të ndritshme miqsh dhe mijëra pamje të mbushura me dritë. Unë pashë tek fytyrat e vërteta të mijëra çështjeve si këto të dyja, dhe i pashë se ato nuk shkaktonin veçse gëzim e kënaqësi.

Unë i kam përshkruar ndjenjat e mia rreth këtij frutit të tretë me prova, të pjesshme dhe universale, ndoshta në dyzet trajtesat e koleksionit Siraxhun-Nur. Ato janë shpjeguar aq qartë dhe prerazi dhe veçanërisht në Shkreptimën e Njëzet e Gjashtë -Trajtesa për të moshuarit- në trembëdhjetë shpresat e saj, saqë nuk do të mund të kishte shpjegim më të qartë. Prandaj këtu unë e kam prerë shkurt këtë çështje shumë të gjatë në këtë stacion.

* * *

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

STACIONI I DYTË

 

[Ndodhen prova të pallogaritshme të cilat në formë absolutisht të sigurt bëjnë të domosdoshme Unitetin Hyjnor dhe kërkojnë medoemos Njësinë; ato prova as nuk e pranojnë dhe as nuk e lejojnë shirkun -të përshkruarin ortakë me Allahun. Meqenëse me qindra dhe ndoshta me mijëra prej atyre argumenteve janë demonstruar në detaje në Risale-i Nur, këtu vetëm tre prej tyre, të cilat bëjnë të domosdoshëm Unitetin Hyjnor, do të parashtrohen shkurtazi.]

I Pari

Sipas dëshmisë së akteve të urta dhe dalluese që vëzhgohen në univers, krijesat bëhen nëpërmjet atributeve Absolute të Një Sundimtari të Gjithurtë, Madhështori të Plotë dhe, nëpërmjet Emrave të Tij Absolutë, nëpërmjet njohjes së Tij të pakufishme dhe nëpërmjet fuqisë së Tij të pafundme.

Po, mund të kuptohet e mësohet me siguri nëpërmjet një intuite të sigurt prej këtyre veprave në univers, madje mund të shikohet se, Ai Autor ka një sovranitet dhe një sundim tek shkalla e Hyjnisë së përgjithshme absolute, ka një madhështi dhe një madhësi tek shkalla e fuqisë absolute; ka një plotësi dhe një vetëmjaftueshmëri tek shkalla e Hyjnisë absolute dhe ka një aktivitet dhe një sundim të cilat janë absolutisht pa kufizim, të pakufishëm dhe të pafundmë; këto kuptohen qartë dhe janë të dukshme.

Sa për sundimin, madhështinë, plotësinë, vetëmjaftueshmërinë, absolutësinë, gjithëpërfshirjen, pakufizueshmërinë dhe pafundësinë, këto të gjitha bëjnë të domosdoshme Unitetin dhe janë të kundërtat e shirkut -të përshkruarit ortakë me Zotin xh.sh..

Dëshmia për Unitetin e sovranitetit dhe të sundimit: Kjo është provuar me siguri të plotë në vende të shumta në Risale-i Nur. Një përmbledhje e shkurtër është sa vijon:

Shenja e sundimit është pavarësia, vetmia dhe refuzimi i ndërhyrjes së të tjerëve; sundimi i bën të domosdoshme këto. Madje njeriu i nevojshëm nga natyra për ndihmën e të tjerëve e refuzon ndërhyrjen e të tjerëve në çështjet e tij nëpërmjet një hijeje prej atij sundimi me qëllim që të ruajë pavarësinë e tij. Për këtë arsye, nuk mund të jenë dy mbretër në një vend, as dy guvernatorë në një provincë, as dy kryetarë bashkie në një qytet dhe as dy kryepleq në një fshat. Në qoftë se do të kishte dy mbretër në një vend, kjo do të çonte në kaos; rebelimet do të shpërthenin dhe ligji dhe rregulli do të përmbyseshin. Meqenëse një hije e vetme e sundimit tek njeriu i pafuqishëm dhe i nevojshëm për ndihmë, e refuzon ndërhyrjen e të tjerëve dhe e hedh poshtë prerazi pjesëmarrjen e tyre deri në këtë shkallë, atëherë sigurisht sundimi, i cili është në Hyjninë absolute të të Gjithëfuqishmit absolut, i Cili është i çliruar prej pafuqisë, nuk do ta pranonte në asnjë mënyrë ndërhyrjen dhe pjesëmarrjen e të tjerëve.

Ai do ta refuzonte atë me forcë e me vrull dhe me zemërim do t’i dëbonte nga Divani i Tij ata që i përshkruajnë Atij ortakë imagjinarë. Kërcënimet e rrepta të Kur’anit të gjithurtë kundra atyre që i përshkruajnë ortakë Zotit xh.sh. burojnë nga kjo e vërtetë.

Dëshmia për Unitetin e madhështisë dhe të gjithëlavdisë: Kjo gjithashtu është shpjeguar me prova të ndritshme në Risale-i Nur dhe, këtu do të aludohet për një kuptim shumë të shkurtër të saj.

Për shembull, madhështia dhe madhësia e dritës së diellit nuk lënë ndonjë nevojë për drita të tjera të dobëta pranë tij dhe drita e tij nuk u lejon të tjerave ndonjë efekt që mund të përmendet. Gjithashtu madhështia dhe madhësia e fuqisë Hyjnore nuk lënë nevojë për asnjë forcë apo fuqi tjetër dhe nuk i japin asnjë fuqie tjetër ndonjë efekt të vërtetë apo aftësi krijimi -për të krijuar. Në mënyrë të veçantë qëniet e gjalla e të vetëdijshme, që janë pikat mbi të cilat kthehen dhe orientohen të gjitha qëllimet Hyjnore në univers dhe tek të cilat ato përqëndrohen dhe vërtiten rreth tyre; do të ishte krejtësisht e pamundur që ajo madhështi dhe ajo madhësi t’ua linin të tjerëve diçka prej tyre.

Gjithashtu gjendjet, rrethanat, frutat dhe rezultatet që janë të pjesshmet e qënieve të gjalla dhe në të cilat manifestohen qëllimet e krijimit të njeriut dhe qëllimet e zanafillës së llojeve të mirësive të panumërta, nuk mund t’u referohen absolutisht duarve të të tjerëve.

Për shembull, mirënjohja e vërtetë dhe kënaqësia reale që burojnë nga çdo qënie e gjallë si rezultat i një shërimi të pjesshëm prej ndonjë sëmundjeje, ose për shkak të ndonjë furnizimi me rizk që i ka ardhur ose që u udhëzua për tek Allahu, gjëra që nuk mund të jenë veçse nga Allahu xh.sh., dhe mirënjohja i bëhet vetëm Atij; prandaj paraqitja e mirënjohjes dhe e vlerësimit ndaj dikujt tjetër përveç Zotit xh.sh. do të prekte madhështinë dhe madhësinë Hyjnore dhe do të fyente dinjitetin dhe lavdinë e të Adhuruarit Absolut.

Si aludon plotësia për misterin e unitetit: Edhe kjo është shpjeguar me prova të ndritshme në Risale-i Nur, dhe një kuptim i saj tej mase i shkurtër është ky:

Krijimi i qiejve dhe i tokës në mënyrë të vetëkuptueshme kërkon medoemos një fuqi absolute të plotësimit më të skajshëm; madje sistemet e çuditshme trupore të qënieve të gjalla gjithashtu bëjnë të domosdoshme një fuqi me një plotësi absolute. Plotësia që është në fuqinë absolute e cila është e përjashtuar dhe e lirë nga pafuqia dhe e shenjtëruar dhe larg kufizimit, padyshim bën të domosdoshme Unitetin, sepse ta bësh të mangëtën të plotë, të kufizuarën të pakufizuar; dhe ta bëje të pafundmen të fundme, dhe ta zbrisje e pakësoje fuqinë më të fortë tek pafuqia më e dobët do të bënte të domosdoshme ta bëje të fundme një fuqi të pafundme nëpërmjet diçkaje të fundme; kjo është krejtësisht e pamundur në pesë mënyra.

Dëshmitë për Unitetin e pakufizueshmërisë, gjithëpërfshirjes dhe pafundësisë:

Edhe kjo gjithashtu është përmendur në detaje në trajtesën Siraxhun-Nur. Një përmbledhje e kuptimit të saj është sa vijon:

Çdo akt prej akteve që veprojnë në univers, nëpërmjet përhapjes gjërësisht të efektit të tij në të gjitha anët duke dominuar tregon se ai është gjithërrethues, gjithëpërfshirës, i pakufizuar, i palimit dhe absolut. Dhe Shirku dhe pjesëmarrja vendosin një kufizim mbi atë gjithëpërfshirje dhe mbi atë pakufizueshmëri dhe vendosin limite mbi atë që është e palimit, duke shkatërruar realitetin e absolutësisë dhe natyrën e gjithëpërfshirjes. Sigurisht shirku është i pamundur në ato akte të cilat janë absolute, gjithëpërfshirëse dhe gjithërrethuese për gjithçka, dhe sigurisht ai është mosekzistues.

Po, natyra e pakufizueshmërisë, e absolutësisë është e kundërta e shirkut, sepse kuptimi i absolutësisë edhe në qoftë se do të ishte në diçka të fundme, materiale dhe të kufizuar, përhapet, shpërndahet dhe depërton duke dominuar dhe e pavarur në të gjitha anët. Ashtu si ajri, drita dhe nxehtësia dhe madje edhe uji, në qoftë se secila prej këtyre gjërave do të manifestonte pakufizueshmëri, absolutësi, ajo do të përhapej kudo në të gjitha anët. Meqenëse ky aspekt i pakufizueshmërisë, edhe në qoftë se do të ishte tek gjëja e pjesshme, i bën gjërat fizike dhe të kufizuara depërtuese e dominuese në këtë mënyrë, atëherë sigurisht, pakufizueshmëria e vërtetë universale do t’u jepte Atributeve që janë edhe të pafundme, të çliruara nga lënda, të padefekte dhe të pakufizuara, do t’u jepte një depërtueshmëri dhe një gjithërrethim të tillë të plotë saqë ato nuk mund ta pranojnë shirkun dhe pjesëmarrjen; dhe këto të dyja nuk mund të kenë absolutisht asnjë mundësi.

Shkurtazi: Sundimi i mijëra akteve të përgjithshme që veprojnë në univers dhe qindra Emrat e bukur Hyjnorë, manifestimet e cilësive, madhështia e tyre, plotësia, gjithëpërfshirja, pakufizueshmëria dhe pafundësia e të cilëve shihen qartë, secili prej tyre është një provë e fuqishme për Unitetin Hyjnor dhe për vërtetimin e tij.

Dhe për shembull, ashtu si një fuqi e jashtëzakonshme kur fillon të aktivizohet nëpërmjet një aktiviteti që i mposht të gjitha rrethinat e saj dhe, forcat e tjera shpërndahen, po ashtu çdo akt prej akteve Hyjnore dhe çdo manifestim prej manifestimeve të Emrave të bukur Hyjnorë shfaqin fuqinë e tyre të jashtëzakonshme në veprat e tyre, saqë në qoftë se nuk do të ishte një sundim i përgjithshëm dhe një drejtësi absolute që t’i ndalonte tek limiti i tyre, atëherë secila nga ato fuqi do t’i kishte mposhtur të gjitha qëniet.

Për shembull, a do të ishte e mundur për fuqinë universale e cila i krijon të gjithë plepat në botë dhe që i administron, të mos merrte nën kontrollin e Vet individët e pjesshëm të pemëve si arra, molla dhe kajsia që janë të shpërhapura pranë plepave, dhe të mos i rregullonte e t’i dominonte, apo t’ua dorëzonte ato forcave të tjera?

Po, në të gjitha llojet e krijesave dhe, madje në çdo individ ndjehen një forcë dhe një fuqi sunduese të cilat në mënyrë të qartë kanë kapacitetin për të sunduar të gjithë universin dhe t’i nënshtrojnë të gjitha qëniet.

Sigurisht, një fuqi e tillë nuk do ta pranonte ortakërinë e asnjë lloji, dhe nuk do ta lejonte shirkun në asnjë aspekt.

Gjithashtu, për pronarin e një peme frutdhënëse, çështja e rëndësisë më të madhe është fruti në majat e degëve të pemës dhe bërthamat e saj të futura në zemrat e atyre frutave, madje ato janë vetë zemrat e frutave të saj. Në qoftë se pronari i pemës do të ishte me mend, nuk do ta bënte pronësinë e tij të shkonte kot duke ia dorëzuar përherë frutat që varen prej degëve dikujt tjetër. Pikërisht në të njëjtën mënyrë; elementet, të cilët janë degët e pemës së quajtur Universi; dhe bimët dhe kafshët, të cilat janë majat e elementeve dhe janë si lulet dhe gjethet për pemën; dhe qëniet njerëzore që janë majet e gjetheve dhe të luleve,  -pronari i pemës në asnjë mënyrë nuk do t’ua dorëzonte forcave të tjera adhurimin dhe falënderimet e atyre frutave, të cilët janë frutet më të rëndësishëm dhe rezultati i krijimit të tyre, dhe veçanërisht zemrat e tyre, bërthamat gjithëpërfshirëse të frutave, dhe aftësitë e tyre të kujtesës, të cilat njihen si ‘zemra e jashtme’, duke mohuar kështu sovranitetin e Hyjnisë së Tij, dhe duke prekur e zhdukur gjithashtu përshtatshmërinë e Tij për t’u adhuruar.

Gjithashtu, meqenëse qëllimet e Hyjnisë janë përqëndruar në të pjesshmet që janë në skajet e sferës së mundësisë dhe të shumësisë, dhe madje janë përqëndruar edhe në të pjesshmet e gjendjeve të atyre të pjesshmeve, dhe në të pjesshmet e periudhave të tyre të cilat shtrihen tek adhurimi dhe kthehen e orientohen tek i Adhuruari i vetëm xh.sh… dhe meqenëse të gjitha llojet e mirënjohjes, falënderimit dhe të lavdërimit, dhe të gjithë shembujt e falënderimit dhe të ibadeteve burojnë nga ato të pjesshme, nuk ka dyshim se Krijuesi xh.sh. nuk do t’ua dorëzonte ato të tjerëve dhe nuk do ta prishte urtësinë e Tij të madhërishme me këtë dorëzim dhe nuk do ta anullonte e ta shfuqizonte Hyjninë e Tij madhështore, sepse qëllimi më i rëndësishëm Hyjnor në krijimin e qënieve është ta bëjë Vetveten të njohur e të dashur tek qëniet e vetëdijshme, dhe që t’i shtyjë ata për të bërë lavdërime, lartësime e falënderime vetëm për Të.

Për shkak të këtij misteri të hollë, aktet dhe mirësitë, qofshin të pjesshme apo universale, të përqëndruara në skajet e sferës së shumësisë, si rizku, furnizimi dhe shërimi dhe sidomos udhëzimi dhe besimi, edhe akte e mirësi të tjera të ngjashme me këto të cilat rezultojnë në falënderime,  në adhurim, mirënjohje, dashuri, lavdërim dhe në ibadet, janë një mirëbërësi e drejtëpërdrejtë e Krijuesit të botëve, një bamirësi e drejtëpërdrejtë e Sulltanit të të gjitha qënieve dhe një akt i drejtëpërdrejtë i udhëzimit dhe aktit të Tij. Dhe me qëllim që ta shfaqë këtë, Kur’ani i shpjegimit të mrekullueshëm në mënyrë të përsëritur ia atribuon rizkun, udhëzimin dhe shërimin vetëm Ekzistuesit të Vetëm të domosdoshëm dhe, tregon se dhurimi, dhënia e secilës prej tyre është e veçantë për Të dhe e kufizuar Vetëm tek Ai; dhe në të njëjtën kohë mohon me forcë ndërhyrjen e të tjerëve në ato vepra të mëdhaja.[9]

Po, mirësia e imanit që e bën njeriun të fitojë banesën e lumturisë së përjetshme nuk mund të jetë veçse mirësia e Atij që e krijoi atë banesë dhe e Atij që e bëri imanin si çelës për të; Ai është Allahu i Gjithëlavdishëm dhe Gjithëbujar dhe askush tjetër përveç Tij.

Askush nuk mund ta mbyllë këtë dritare më të madhe që ka pamje nga adhurimi ndaj të Adhuruarit të Vërtetë dhe askush nuk mund ta bllokojë këtë mjet më të rëndësishëm për tek Ai, apo ta vulosë.

Shkurtazi: Gjendjet e pjesshme më të holla dhe frutat që janë në majat më të skajshme të pemës së krijimit dëshmojnë dhe aludojnë për Unitetin Hyjnor dhe për vërtetimin e tij në dy mënyra:

Së Pari: Qëllimet e Hyjnisë në Univers grumbullohen në gjendjet e pjesshme; synimet e saj përqëndrohen në to; manifestimet e shumicës së Emrave të bukur Hyjnorë, shfaqja dhe përcaktimet e tyre grumbullohen në to; dhe rezultatet e krijimit të qënieve dhe dobitë e tyre shfaqen në to; prandaj secila prej tyre, duke u nisur nga kjo pikë e përqëndrimit dhe e grumbullimit, deklaron duke thënë: Unë jam prona e Atij që krijoi të gjithë universin; unë jam vepra dhe akti i Tij.

Mënyra e Dytë:

Zemra e atij fruti të pjesshëm, po ashtu edhe kujtesa e njeriut, që në një hadith quhet ‘zemra e jashtme[10], është një indeks i përmbledhur i shumicës së llojeve, një model i zvogëluar i hartës së tij, një farë jolëndore e pemës së universit dhe një pasqyrë e hollë për shumicën e Emrave të bukur Hyjnorë. Kështu, përhapja e atyre zemrave dhe kujtesave, të cilat janë që të gjitha të ngjashme dhe mbajnë të njëjtën stampë, dhe janë shpërhapur gjërësisht duke dominuar në faqen e të gjithë universit, padyshim ato shikojnë tek Një i Vetëm në Dorën e të Cilit janë frerët e qiejve e të tokës dhe, secila prej tyre deklaron duke thënë: “Unë jam vepra dhe arti i vetëm Atij”.

Për të përfunduar: Në lidhje me dobitë e tij, një frut shikon tek pronari i pemës së tij. Në lidhje me farën e tij, ai shikon tek të gjitha pjesët, anëtarët dhe tek natyra e pemës; dhe në lidhje me stampën në fytyrën e tij, ai shikon tek të gjithë frutat e pemës, stampa e të cilëve është e njëjtë. Ato bashkarisht deklarojnë: “Ne të gjithë jemi të njëjtë, kemi dalë nga një dorë e vetme. Ne jemi prona e një Pronari të Vetëm; Ai që krijoi njërën prej nesh, padyshim është Krijuesi i të gjithave prej nesh”.

Pikërisht në të njëjtën mënyrë, për sa ka të bëjë me stampat në faqet e qënieve të gjalla në skajet e sferës së shumësisë, dhe veçanërisht tek njeriu, sidomos për sa ka të bëjë me shenjat dalluese që gjenden në fytyrën e tij dhe lidhur me indeksin e tij si zemra, me rezultatet e natyrës së tij dhe me qënien e tij si një frut, ato të gjitha shikojnë drejtpërdrejtë tek Ai i Vetmi i Cili i mban qiejt dhe tokën nëpërmjet Hyjnisë së Tij madhështore dhe, ato të gjitha dëshmojnë për Unitetin e Tij.

 

Çështja e Dytë që bën të domosdoshëm Unitetin Hyjnor.

Ky është fakti se në Unitet janë një lehtësi dhe një kollajllëk deri në shkallën e domosdoshmërisë, ndërsa në shirk ndodhen vështirësi e probleme deri në shkallën e qënies së tij i pamundur. Kjo e vërtetë është shpjeguar e demonstruar me prova të shndritshme e vendimtare në shumë trajtesa prej atyre që Imam Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me të, i quajti Siraxhun-Nurllamba Ndriçuese– dhe veçanërisht në Letrën e Njëzet ku u shpjegua në mënyrë të hollësishme dhe, në pikën e katërt të Shkreptimës së Tridhjetë ku u shpjegua shkurtazi.

Është demonstruar me provat më të fuqishme se në qoftë se të gjitha gjërat i atribuohen një Qënieje të Vetme, krijimi dhe rregullimi i Universit janë aq të lehta sa krijimi dhe rregullimi i një peme; dhe krijimi dhe bërja e një peme janë aq të kollajtë sa krijimi dhe bërja e një fruti; dhe krijimi dhe administrimi i një pranvere të plotë janë aq të lehta sa krijimi dhe administrimi i një luleje; dhe zhvillimi dhe edukimi i një lloji që përfshin individë të panumërt dhe administrimi i tyre është aq i lehtë dhe pa probleme sa lehtësia e një individi të vetëm.

Ndërsa në qoftë se, në rrugën e shirkut, të gjitha gjërat do t’u atribuoheshin shkaqeve dhe natyrës, krijimi i një individi të vetëm është aq i vështirë sa krijimi i species, madje sa ai i të gjitha specieve; dhe krijimi i një bërthame të vetme do të ishte aq i vështirë sa krijimi i pemës, madje sa ai i njëqind pemëve; dhe krijimi i një peme, ngritja e saj, gjallërimi, administrimi, përkujdesja dhe drejtimi i çështjeve të saj do të ishin aq të vështira e problematike si administrimi i të gjithë universit, madje edhe më e vështirë.

Meqenëse realiteti i çështjes është provuar në koleksionin Siraxhun-Nur në këtë mënyrë, dhe ne shohim një bollëk të madh në qëniet së bashku me shkallën më të lartë të artit dhe me vlerën më të madhe, saqë çdo qënie e gjallë, e cila është si një makineri e jashtëzakonshme përmban gjymtyrë e pjesë përbërëse të shumta, krijohet me bollëk absolut dhe me një lehtësi të jashtëzakonshme pa vështirësi dhe me një shpejtësi sa çel e mbyll sytë; kjo demonstron në mënyrë të domosdoshme dhe të vetëkuptueshme se ai bollëk i madh dhe ajo lehtësi burojnë nga uniteti dhe nga qënia e tyre veprat e një të Vetmi Unik.

Përndryshe, në të kundërt, nuk do të kishte lirësi (malli), bollëk, shpejtësi, lehtësi dhe vlerë; një frut që tani merret me pesë para nuk do të merrej me pesëqind lira, ose do të kishte qenë aq i rrallë, sa të ishte i paarritshëm, i pagjendshëm. Dhe lehtësia e shikuar në krijimin e gjallesave dhe kollajllëku në veprimin e tyre të organizuar si lehtësia dhe organizimi i punës së orës ose i makinerive elektrike të cilat punojnë thjesht me prekjen e çelësave të tyre.. Unë them se kjo lehtësi e shikuar në krijimin e qënieve të gjalla dhe kollajllëku në veprimin e tyre, bëhet -në rrugën e shirkut- e vështirë dhe problematike deri në shkallën e pamundësisë.

Dhe qëniet e gjalla që linden në një ditë ose në një orë, madje në një minut dhe vijnë në jetën e dynjasë me gjymtyrët e tyre të plota dhe me kushtet e jetës së tyre, nuk do të vinin në ekzistencë -në rrugën e shirkut- as për një vit, as për një shekull, dhe madje nuk do të vinin kurrë.

Është provuar në më shumë se njëqind vende në mënyrë vendimtare në koleksionin Siraxhun-Nur saqë do ta bënte të heshtë edhe mohuesin më kryeneç e kokëfortë, se në qoftë se të gjitha gjërat do t’i atribuoheshin Një të Vetmi Unik të Unitetit, atëherë krijimi dhe sjellja në ekzistencë e tyre do të ishin si krijimi i një gjëje të vetme dhe do të realizoheshin me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe me një lirësi e bollëk të madh. Ndërsa në qoftë se shkaqeve dhe natyrës do t’u jepej gjithashtu një pjesë, atëherë krijimi i një gjëje të vetme do të bëhej aq i vështirë, i ngadaltë, i papërfillshëm, i parëndësishëm dhe i shtrenjtë sa ai i të gjitha gjërave. Në qoftë se dëshiron të shohësh provat e kësaj të vërtete, ti mund t’u referohesh Letrës së Njëzet, Letrës së Tridhjetë e Tretë, Fjalës së Njëzet e Dytë dhe Fjalës së Tridhjetë e Dytë, Shkreptimës së Njëzet e Tretë, e cila është rreth Natyrës, dhe Shkreptimës së Tridhjetë që është rreth Emrit më të madh, veçanërisht Pikës së Katërt dhe Pikës së Gjashtë të saj që janë rreth Emrave Hyjnorë El-Ferd dhe El-Kajjum. Ti do të shohësh se kjo e vërtetë është provuar me aq siguri sa “dy edhe dy bëjnë katër”. Ndërsa këtu ne do të aludojmë vetëm për një argument të vetëm prej atyre qindra argumenteve, sa vijon:

Krijimi i të gjitha gjërave është ose nga mosekzistenca ose nga elementet dhe qëniet e tjera në formën e kompozimit -përbërjes.

Në qoftë se krijimi dhe sjellja në ekzistencë do t’u atribuohej Një të Vetmi Unik, atëherë do të duhej patjetër që Esenca e Gjithëlavdishme të kishte një njohje gjithëpërfshirëse për gjithçka dhe një fuqi mbisunduese mbi të gjitha gjërat. Në këtë mënyrë, dhënia e ekzistencës së jashtme për gjërat, format e të cilave janë të pranishme në Njohjen e Tij ose të cilat ekzistojnë si njohje tek Ai xh.sh. dhe sjellja e tyre nga një mosekzistencë e jashtme, është aq e lehtë dhe e thjeshtë sa ndezja e një shkrepëseje, ose si lehtësia e shpërndarjes së një lënde kimike mbi një shkrim të padukshëm me qëllim që ta shfaqë atë, ose si kalimi i një imazhi prej filmit fotografik në letër. Nëpërmjet urdhrit “Bëhu! Dhe ajo bëhet (në çast)!” Krijuesi xh.sh. i nxjerr gjërat nga një mosekzistencë e jashtme për në ekzistencë të jashtme, gjëra që planet e të cilave, programet, format, trajtat dhe përpjesëtimet e të cilave janë të pranishme në njohjen e Krijuesit të Gjithëlavdishëm.

Ndërsa në qoftë se krijimi do të ishte në formën e kompozimit -përbërjes- dhe artit dhe jo prej mosekzistencës, atëherë grumbullimi i tij prej elementeve dhe prej qënieve është tjetra shumë e lehtë, sepse ashtu si grumbullimi i ushtarëve të shpërndarë e të lidhur me një regjiment të caktuar me anë të zërit të një borie dhe secili prej tyre duke marrë një pozitë të rregullt e të organizuar që është një çështje e lehtë, dhe të gjithë ushtarët janë si një forcë mbështetëse për komandantin e tyre, për ligjin e tij depërtues dhe për syrin e tij largpamës me qëllim që të lehtësojë këtë ushtrim ushtarak dhe për të ruajtur një pozitë të caktuar, po ashtu, në të njëjtën mënyrë, mobilizohen grimcat e vockëla nën komandën e Krijuesit të të gjitha botëve nëpërmjet parimeve të Kaderit dhe të Njohjes së Tij dhe nëpërmjet ligjeve të Fuqisë së Tij mbisunduese dhe, qëniet që kanë kontakt me ato grimca bëhen si të ishin fuqia e Atij Sulltani, ligji i Tij, nëpunësit e Tij dhe mjete lehtësimi e kollajllëku. Kështu ato grimca vijnë për t’i dhënë formë ekzistence një qënieje të gjallë, futen brenda një mase të përcaktuar që i ngjason një kallëpi jolëndor të specifikuar nga njohja dhe nga Kaderi Hyjnor, dhe ndalojnë atje.

Por në qoftë se krijimi i gjërave do t’u atribuohej duarve dhe shkaqeve të ndryshme dhe natyrës, atëherë cilido shkak qoftë nuk mund të krijojë asgjë nga mosekzistenca dhe nga asgjëja -nga asnjë drejtim; dhe për këtë kanë pajtueshmëri mendimi të gjithë njerëzit e arsyes; sepse ai shkak nuk posedon njohuri gjithëpërfshirëse për çdo gjë dhe as fuqi mbisunduese mbi gjithçka. Prandaj ajo mosekzistencë nuk do të ishte vetëm një mosekzistencë e jashtme dhe e dukshme, por gjithashtu do të ishte një mosekzistencë absolute. Dhe mosekzistenca absolute nuk do të ishte kurrë burimi i një ekzistence. Prandaj do të duhej që krijimi të ishte në formën e kompozimit -përbërjes.

Gjendja është se kompozimi -përbërja- e trupit të një mizeje të vetme apo kompozimi i një luleje të vetme do të bënte të domosdoshme të grumbulloje të gjitha grimcat e tij prej të gjithë sipërfaqes së tokës pasi t’i filtronte e t’i pastronte duke i kaluar përmes një site të hollë të veçantë dhe kjo do të mund të bëhej veçse me vështirësi të pallogaritshme. Madje edhe në qoftë se ato do të grumbulloheshin, ruajtja e tyre në një formë të rregullt pa u shpërndarë brenda atij trupi do të ishte një çështje tjetër e vështirë për shkak të mospasjes së kallëpeve jolëndorë ekzistues si njohje, sepse do të duhej të ekzistonin aq shumë kallëpe fizikë e natyralë, sa numri i gjymtyrëve të asaj qënieje të gjallë, me qëllim që të mund të formohet ai trup i gjallesës..

Kështu, t’ua atribuosh krijimin e të gjitha gjërave një të Vetmi Unik, do të lindte një lehtësi e skajshme deri në shkallën e domosdoshmërisë, në kundërshtim me atribuimin e krijimit shkaqeve të shumta gjë e cila lind aq shumë vështirësi e probleme deri në shkallën e pamundësisë. Gjithashtu, në qoftë se çështja e të gjitha gjërave do t’i atribuohej Një të Vetmi të Unitetit, ato do të bëheshin të çmueshme në shkallën më të skajshme me bollëkun absolut dhe plot art me urtësinë e fuqinë më të skajshme, ndërsa në qoftë se -në rrugën e Shirkut- çështja e qënieve do t’u atribuohej shkaqeve të shumta dhe natyrës, ato do të ishin në një shtrenjtësi të skajshme edhe pse janë në pavlefshmërinë, keqformimin dhe në dobësinë më të skajshme; sepse ashtu si një njeri që i bashkohet ushtrisë, bëhet i lidhur me një komandant dhe mbështetet tek ai, fiton një forcë morale të ushtrisë, pasi ai do të mund të grumbullonte për të një ushtri të madhe në qoftë se do ta kërkonte medoemos puna.

Përveç kësaj, forca e atij komandanti dhe ushtria janë si një fuqi rezervë për të; kështu fuqia e tij individuale shumëfishohet me mijëra herë dhe ai fiton një forcë fizike përveç qënies së tij i padetyruar për të mbajtur burimet e asaj fuqie me të cilën është lidhur dhe as të mbajë municionet e pajimet e tij meqë ato i mban ushtria. Prandaj, ai ushtar ka mundësi të zërë rob një mareshall armik, ose të detyrojë banorët e një qyteti të shpërngulen, ose të kapë e nënshtrojë një kështjellë të madhe. Veprat e tij do të ishin të jashtëzakonshme dhe me një rëndësi e vlerë shumë të madhe.

Por, në qoftë se ai person do ta linte ushtrinë dhe do të qëndronte më vete i braktisur, ai do ta humbiste atë fuqi të mrekullueshme morale, atë forcë e atë mbështetje dhe do të bëhej një njeri i zakonshëm dhe do të ishte i aftë të kryente veçse vepra të parëndësishme, të pjesshme e të pavlefshme në raport me fuqinë e tij individuale dhe do të zvogëloheshin arritjet e tij me atë përpjesëtim.

Pikërisht në të njëjtën mënyrë, meqenëse në rrugën e Unitetit Hyjnor çdo gjë bëhet e lidhur me të Gjithëfuqishmin e Gjithëlavdishëm dhe mbështetet tek Ai, një mizë mund të shpartallojë një Faraon, një mushkonjë mund të mposhtë një Nimrud dhe një mikrob mund të zhdukë një tiran.

Gjithashtu, një farë e vockël mund të mbajë mbi shpatullat e saj një pemë të madhe si Mali, përveç qënies së saj si burimi dhe magazina e të gjitha mjeteve të asaj peme dhe i anëtarëve të saj.

Gjithashtu, të gjitha grimcat nëpërmjet asaj lidhjeje e mbështetjeje, mund të kryejnë detyra të panumërta në formimin e trupave, të cilët mbajnë mijëra lloje, forma, modele dhe arte.

Punët në të cilat janë vënë në shërbim ato nëpunëse të vockëla dhe ato ushtarë të vegjël janë pafundësisht të përkryera dhe me artin e me vlerën më të madhe, sepse Ai i Cili i bën ato vepra është i Gjithëfuqishmi i Gjithëlavdishëm që i ka vendosur në dorën e atyre nëpunësve këto vepra dhe i ka bërë ato si perde për Fuqinë e Tij.

Mirëpo në qoftë se çështja do t’u atribuohej shkaqeve, ashtu siç është në rrugën e shirkut, atëherë veprat e një mize do të ishin aq të papërfillshme e të vogla sa vetë miza dhe arti i grimcës nuk do të konsiderohej gjë ashtu si vetë grimca. Domethënë çdo gjë do të humbiste vlerën si në kuptim ashtu dhe fizikisht, saqë askush nuk do të jepte asnjë grosh për të gjithë dynjanë.

Meqenëse realiteti është ky; dhe meqenëse ashtu siç shohim me sytë tonë, çdo gjë është pafundësisht e çmueshme, plotë art, kuptimplotë dhe e fuqishme; atëherë pa dyshim nuk ka rrugë tjetër përveç rrugës së Unitetit Hyjnor. Në qoftë se do të kishte pasur rrugë tjetër veç saj, do të bëhej e domosdoshme t’i ndryshoje të gjitha qëniet dhe ta boshatisje dynjanë në mosekzistencë dhe atëherë ta rimbushje përsëri atë me gjepura të pakuptimta në vend të tyre me qëllim që të mund të hapet një rrugë për shirkun që të ndiqet!!

Dhe ja, ti tashmë ke dëgjuar një përmbledhje të një prove të vetme lidhur me Unitetin Hyjnor prej qindra provave të shpjeguara në Risale-i Nur, që në fjalët e Imam Aliut, Zoti qoftë i kënaqur prej tij, është Siraxhun-Nurllamba Ndriçuese.

Ti mund të bësh analogji me këtë për të tjerat.

Çështja e Tretë që bën të domosdoshëm Unitetin Hyjnor

Krijimi në çdo gjë dhe sidomos në gjallesa është me një art të jashtëzakonshëm dhe me një përkryerje të skajshme.

Për më tepër, bërthama e vogël është një model i vogël i frutit; fruti është një model i zvogëluar i pemës; pema është model i zvogëluar i llojit, dhe lloji është modeli i universit dhe shembulli i tij i zvogëluar, indeksi i tij i përmbledhur, harta e tij e thukët, bërthama e tij jolëndore, në kuptim, një pikë gjithëpërfshirëse dhe një pikël e grumbulluar dhe e distiluar nga universi sipas parimeve të njohjes dhe të peshave të urtësisë. Prandaj Ai që krijon njërën nga ato që u përmendën, nuk ka dyshim se Vetëm Ai është Krijuesi i të gjithë universit. Po, Ai që krijoi farën e një bostani është, në mënyrë të vetëkuptueshme, Ai që krijoi bostanin; nuk mund të jetë dikush tjetër përveç Tij, kjo do të ishte krejtësisht e pamundur.

Po, ne shohim se çdo qelizë në gjak është shumë e organizuar dhe kryen aq shumë detyra të mëdhaja të cilat nuk janë më të vogëla nga rëndësia se sa detyrat që kryhen nga yjet. Gjithashtu rruazat e kuqe e të bardha në gjak që punojnë me një shkallë të tillë vetëdijeje në mbrojtjen dhe në të ushqyerit e trupit, saqë ato parakalojnë në plotësim nëpunësit më të mëdhenj -ministrat- dhe më të sinqertë se sa ushtarët e ruatjes -bodigardët. Të gjitha qelizat e trupit manifestojnë procese të tilla të rregullta dhe janë të mirorganizuara në hyrjet dhe në daljet dhe me një aktivitet të vazhdueshëm në trup saqë parakalojnë administrimin e trupit më të përkryer dhe atë të pallatit më të përsosur.

Secili prej individëve të kafshëve dhe të bimëve mban shenja të tilla dalluese në fytyrën e tij dhe makineri të tilla në kraharorin e tij, saqë vetëm Ai që i krijoi të gjitha kafshët dhe bimët, mund t’i vendosë ato shenja.

Dhe çdo lloj prej llojeve të gjallesave është shpërndarë në mënyrë të tillë të rregullt dhe është përzier në mënyrë të përshtatshme e të harmonizuar me llojet e tjera, saqë nuk mund ta krijojë atë lloj dhe nuk mund t’i drejtojë çështjet e tij veçse Ai që i krijoi të gjitha ato lloje, që i drejton, që i administron çështjet e tyre, dhe që kujdeset për to në të njëjtën kohë, saqë i bëri ato lloje të ngjyrosura e të larmishme si një sixhade e gjallë e thurur prej katërqind mijë prej specieve të kafshëve dhe të bimëve të shpërndara mbi të gjithë faqen e tokës.

Në qoftë se do të bëheshin analogji me këto për gjëra të tjera, do të kuptohej se lidhur me krijimin dhe sjelljen në ekzistencë, universi është një tërësi që nuk mund të ndahet në pjesë, dhe për sa i përket Hyjnisë dhe drejtimit të çështjeve, është një universale ndarja e së Cilës është e pamundur.

Ky faktori i tretë, i cili bën të domosdoshëm -Unitetin Hyjnor-, është shpjeguar e provuar në mënyrë vendimtare e të ndritshme në shumë trajtesa të koleksionit Siraxhun-Nur dhe veçanërisht në Vendqëndrimin e Parë të Fjalës së Tridhjetë e Dytë, duke demonstruar se, ashtu si reflektimet e diellit, një provë e Unitetit dhe vërtetimi i tij reflektohet e përfaqësohet në pasqyrën e çdo gjëje. Duke u mjaftuar me ato shpjegime, ne po e presim shkurt këtu një tregim të gjatë.

* * *

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

STACIONI I TRETË

[Në këtë stacion do të shpjegohen tre shenja universale për vërtetimin e Unitetit Hyjnor]

Shenjat, provat dhe dëshmitë e Unitetit Hyjnor janë të pallogaritshme. Meqenëse mijëra prej atyre provave janë shpjeguar në detaje në koleksionin Siraxhun-Nur, në këtë stacionin e Tretë do të shtjellohen në mënyrë të përmbledhur tre prova universale.

Shenja e Parë dhe Prova

Fraza  Vahdehu, Ai është Një, është përfundimi i kësaj. Në çdo gjë ka një unitet, dhe uniteti tregon Një të Vetëm. Po, një vepër që ka unitet, në mënyrë të vetëkuptueshme buron nga një autor; kështu, një buron nga një. Fakti se ndodhet një unitet në çdo gjë demonstron se ato janë veprat dhe artifaktet e Një të Vetmi Unik. Po, universi është si një gonxhe trëndafili e mbështjellë me mijëra perde Uniteti. Madje ai është një njeri shumë i madh i veshur me aq shumë rroba uniteti sa numri i Emrave të bukur Hyjnorë dhe i akteve të tyre universale e gjithëpërfshirëse. Ose ai është Pema Tuba e krijimit nga degët e së cilës varen llojet e unitetit aq sa numri i llojeve të krijesave.

Po, administrimi i universit është një dhe i njëjti; drejtimi i çështjeve të tij është Një dhe i njëjti; Sovraniteti i Tij është një dhe i njëjti; shenja, stampa e tij është një dhe e njëjta.. dhe kështu, një, një, një deri në një mijë, janë të gjitha nga i Njëjti, Njëri.. po kështu Emrat e bukur Hyjnorë dhe aktet e tyre që administrojnë këtë univers, secili prej tyre janë një dhe i njëjti; Çdo Emër dhe çdo akt rrethon të gjithë universin ose pjesën më të madhe të tij. Domethënë, urtësia që vepron në të është një dhe e njëjta; organizimi në të është i njëjti; furnizimi me ushqim në të është një dhe i njëjti; mëshira që nxiton për t’u ardhur në ndihmë atyre në nevojë është një dhe e njëjta, shiu që është shpërndarësi i asaj mëshire prej pijeve të buta, është një dhe i njëjti, dhe kështu, një, një, një… deri në një mijë, janë që të gjitha një dhe e njëjta.

Po kështu edhe dielli i cili përhap ngrohtësi për këtë univers është një dhe i njëjti; hëna, llamba e tij, është një dhe e njëjta; zjarri, i cili pjek ushqimet, është një dhe i njëjti; malet e tij që janë depot e tij, thesaret dhe direkët, janë një dhe e njëjta; retë që vadisin kopshtet janë një dhe e njëjta; Dhe kështu një, një, një deri në një mijë gjëra, janë që të gjitha një dhe e njëjta.

Të gjithë këto shembuj uniteti në botë janë prova që e tregojnë të Vetmin e Unitetit aq qartë dhe shndritshëm sa dielli. Për më tepër, elementet dhe botërat e qënieve të universit secili duke rrethuar faqen e tokës, dhe duke qenë një dhe e njëjta; dhe ndërfutja dhe bashkimi i tyre nëpërmjet lidhjeve të ndërsjella e të përbashkëta dhe madje edhe nëpërmjet ndihmës reciproke, padyshim janë shenja të qarta se Pronari i universit, Krijuesi dhe Autori i tij është Një dhe i Njëjti.

 

Shenja e Dytë dhe Prova

Përfundimi i kësaj është Fraza  La sherike lehu, Ai nuk ka shokë. Ky është fakti se ndodhet një rregull i patëmetë dhe më i ploti dhe harmonia më e bukur dhe balanca e drejtë e cila nuk bën absolutisht padrejtësi në çdo gjë në univers duke filluar nga grimcat për tek planetët.

Po, rregulli i përkryer dhe harmonia e balancuar mund të ndodhin vetëm nëpërmjet unitetit dhe njësisë; sepse në qoftë se do të ndërhynin shumë duar në një akt të Vetëm, ato do të shkaktonin vetëm konfuzion e do ta prishnin atë.

Eja tani dhe shqyrtoje madhështinë e këtij rregulli të përkryer; ai e ka bërë këtë univers në formën e një pallati madhështor e gjigant, në selicin prej gurëve të tij është aq plot art sa ai i gjithë pallatit.. dhe e ka bërë atë si një qytet madhështor, të hyrat dhe të dalat e të cilit dhe mallrat dhe ushqimet e vlefshme të pakufishme, arrijnë në mënyrë të rregullt e të përkryer mu në kohën e duhur prej vendeve të paparashikuara nga prapa perdes së të Padukshmes. Rregulli gjithashtu e ka transformuar universin në një libër elokuent të mrekullueshëm aq kuptimplotë, saqë secila nga shkronjat shpreh kuptimet e njëqind rreshtave, dhe çdo rresht në të shpreh kuptimet e njëqind faqeve, dhe çdo faqe në të shpjegon kuptimet e njëqind kapijtujve, dhe çdo kapitull në të shpreh me elokuencë kuptimet e njëqind librave. Për më tepër, të gjithë kapitujt e tij, faqet, rreshtat, fjalët dhe shkronjat shikojnë njëra-tjetrën dhe aludojnë për njëra-tjetrën.

Tani eja dhe shiko rregullin e përkryer brenda kësaj rregullsie të çuditshme: Ai e ka bërë të gjithë universin sa të pastër aq modern; ose e ka bërë atë si të ishte një pallat i bukur madhështor i cili në mënyrë të vazhdueshme pastrohet e fshihet; ose si një huri xhenneti duke veshur shtatëdhjetë mantele, veshje të zbukuruara e të stolisura njëra mbi tjetrën; madje është si një gonxhe trëndafili e mbështjellë me shtatëdhjetë petla të holla, të zbukuruara e shumëngjyrëshe.

Tani eja dhe shqyrtoje drejtësinë e plotë të balancës brenda rregullit dhe pastërtisë ku çdo gjë peshohet me atë balancë. Krijesat dhe organizmat mikroskopikë që nuk mund të shihen veçse pasi të zmadhohen një mijë herë, po kështu yjet dhe diejt të cilët janë një mijë herë më të mëdhenj se sa toka, secili prej tyre peshohet në ato pesha e balanca dhe të gjitha atyre krijesave u jepen domosdoshmëritë e tyre pa mangësi. Ato krijesa shumë të vogla dhe ato qënie gjigante qëndrojnë të barabarta sup më sup përpara asaj peshoreje, peshores së drejtësisë, pavarësisht se midis të mëdhajave ndodhen disa që në qoftë se do ta humbisnin balancën e tyre sikur edhe për një sekond të vetëm, ajo do të shkatërronte ekuilibrin e botës dhe do të ndodhte kijameti.

Tani eja dhe shikoje bukurinë dhe hijeshinë tërheqëse të mahnitshme brenda rregullit, pastërtisë dhe balancës; ajo e ka bërë universin e gjërë si një festival shumë të bukur e të shkëlqyeshëm, në formën e një ekspozite madhështore me stolisje të skajshme dhe si një pranverë vezulluese me lule të çelura menjëherë; ajo e ka bërë pranverën e madhe gjithashtu si një lule të gjërë madhështore duke e mbuluar faqen e tokës me qindra e mijëra prej luleve të bukura të saj.

Të gjitha lulet e pranverës i ka zbukuruar me çdo lloj dekorimi. Po, nëpërmjet manifestimeve të bukura të Emrave më të bukur Hyjnorë, të cilët zotërojnë bukurinë dhe hijeshinë më të skajshme, të gjitha botët e qënieve në univers dhe të gjithë anëtarët e secilit, manifestojnë një bukuri të tillë në përputhje me kapacitetet e tyre saqë Huxhxhetul Islam Imam Gazali tha:  “Nuk mund të jetë asgjë më e mirë ose më e bukur se sa ajo që ekziston në sferën e mundësisë”, kështu, kjo bukuri gjithëpërfshirëse e tërheqëse, kjo pastërti e përgjithshme e jashtëzakonshme, dhe kjo balancë e ndjeshme dominuese e gjithanshme, dhe kjo rregullsi dhe harmoni e mrekullueshme që rrethon gjithçka, janë prova të tilla dhe shenja të unitetit Hyjnor saqë ato janë më të pastërta dhe më të ndritshme se sa drita e diellit në mesditë.

[Një përgjigje tej mase e shkurtër por shumë e fuqishme ndaj një pyetjeje me dy pjesë që lidhet me këtë stacion]

 

Pjesa e Parë e Pyetjes:

Ti thua në këtë stacion se bukuria, hijeshia, mirësia dhe drejtësia kanë rrethuar e përfshirë universin. Por çfarë thua ti për shëmtitë, fatkeqësitë, sëmundjet, sprovat dhe vdekjet që ne i shohim përreth nesh?

Përgjigjja: Një shembull i vetëm shëmtie që është shkak për të prodhuar shembuj të shumtë bukurie ose është shkak për t’i shfaqur ato, konsiderohet gjithashtu bukuri. Ndërsa mosekzistenca e një shëmtie që çon në fshehjen e shembujve të shumtë të bukurisë dhe në mosshfaqjen e tyre, nuk konsiderohet një shëmti e vetme, por një shëmti e shumëfishtë. Për shembull, në qoftë se nuk do të ekzistonte një shëmti si një njësi matëse, atëherë bukuria do të bëhej vetëm një lloj dhe shkallët e saj të shumta do të mbeteshin të fshehura; por nëpërmjet ndërhyrjes së shëmtisë zbulohen shkallët e bukurisë; sepse ashtu siç shfaqen shkallët e nxehtësisë nëpërmjet ekzistencës së të ftohtit, dhe shkallët e dritës njihen nëpërmjet errësirës, po ashtu shembujt universalë të së mirës, dobitë universale, mirësitë universale dhe shembujt universalë të bukurisë bëhen të dukshme nëpërmjet ekzistencës së një të keqeje të pjesshme, një dëmi të pjesshëm dhe të një shëmtie të pjesshme. Kjo do të thotë se krijimi i shëmtisë nuk është e shëmtuar, por është e bukur, sepse rezultatet e shumta që shkaktohen, që lindin prej saj janë të bukura. Po, një njeri përtac i cili pëson dëm prej shiut, dëmi i tij nuk mund t’i mohojë rezultatet e mira të cilat e bëjnë shiun mëshirë; ai nuk mund ta transformojë mëshirën në dëmtim -në zemërim.

Sa për përkohshmërinë, zhdukjen dhe vdekjen, është demonstruar me prova tej mase të fuqishme vendimtare në Letrën e Njëzet e Katërt se ato nuk janë në kundërshtim me mëshirën e përgjithshme, me bukurinë e gjithanshme dhe me mirësinë gjithëpërfshirëse; përkundrazi, ato në fakt bëhen të domosdoshme prej këtyre gjërave. Madje edhe krijimi i shejtanit, meqenëse është shkak për lëvizjen e dy pulsimeve themelore për përparimin shpirtëror të njeriut, domethënë, për ‘Garën dhe përpjekjen’ -Luftën-, atëherë krijimi i species së shejtanit është gjithashtu e mirë dhe nga ky aspekt krijimi i tyre konsiderohet e bukur.

Madje edhe ndëshkimi i mohuesve në Xhehennem është gjë e mirë, gjë e bukur, sepse nëpërmjet mosbesimit, mohimit të tyre ata kanë shkelur të drejtat e të gjitha  qënieve dhe kanë fyer e prekur nderin e tyre. Meqenëse këto dy pika janë shpjeguar në detaje në trajtesat e tjera, ne mjaftohemi këtu me këtë tregues të shkurtër.

Pjesa e Dytë e Pyetjes[11]

Le ta pranojmë përgjigjen rreth shejtanit dhe jobesimtarëve nga ky këndvështrim i përgjithshëm, por përse i Pasuri Absolut i Vetë-mjaftueshëm, i Bukuri Absolut, Mëshirëploti Absolut dhe më i Miri Absolut i sprovon individët e dobët me fatkeqësi, me të këqija e me shëmti?

Përgjigjja: Të gjitha llojet e mirësisë, bukurisë dhe të mirëbërësisë vijnë drejtëpërdrejtë prej thesarit të mëshirës së Atij Hirploti Absolut dhe mëshirëploti Absolut dhe vijnë prej vërshimit të mirëbërësisë së Tij të veçantë. Ndërsa fatkeqësitë dhe të këqijat janë rezultate të pjesshme të pakta dhe individuale prej rezultateve të shumta të ligjeve të përgjithshme universale dhe të kanuneve të mbretërimit të Hyjnisë së Tij të cilat përfaqësojnë dëshirat e Tij universale dhe quhen A’datull-llah.

Kështu, ato gjëra bëhen të pjesshme dhe kërkohen prej atyre ligjeve. Prandaj Ai -Allahu- i krijon ato pasoja të pjesshme të këqija me qëllim që t’i ruajë e t’i mbajë ato ligje të cilat janë boshti për dobitë universale. Mirëpo përballë atyre rezultateve të pjesshme të dhimbshme, Ai u përgjigjet me ndihmë të mëshirshme të veçantë dhe me favore Hyjnore të veçanta thirrjeve e britmave për ndihmë të individëve të goditur nga fatkeqësitë e nga sprovat. Me këtë shfaq se Ai është Vepruesi me zgjedhje, me dëshirë dhe se të gjitha aspektet e të gjitha gjërave janë të lidhura me dëshirën e Tij dhe, se edhe ligjet universale gjithashtu i nënshtrohen gjithmonë Vullnetit dhe Zgjedhjes sëTij; dhe se një Krijues, Mbështetës Mëshirëplotë e dëgjon thirrjen e atyre që vuajnë nga shtrëngimi dhe ngushtësia e atyre ligjeve të përgjithshme dhe i ndihmon dhe i mbështet ata me mirësitë e me favoret e Tij; dhe se Ai me këto mirëbërësi të veçanta dhe me bërjen të dashur të Vetvetes së Tij në mënyra të veçanta, ka hapur dyert e manifestimeve të Tij të veçanta, pasi ka hapur një fushë të pafundme e të pakufizuar për manifestimet e Emrave të Tij të pakufishëm e të pakufizuar nëpërmjet përjashtimeve -nga rregullat- të ligjeve universale dhe të kanuneve të përgjithshme dhe të rezultateve të tyre të pjesshme të këqija.

Meqenëse kjo shenja e dytë e vërtetimit të Unitetit Hyjnor është sqaruar ndoshta në njëqind vende tek koleksioni Siraxhun-Nur, ne u mjaftuam me një aluzion të shkurtër për të.

 

Shenja e Tretë dhe Prova

Kjo përbëhet nga stampa të panumërta të unitetit Hyjnor për të cilat aludojnë frazat  “Lehul-Mulku Ve Lehul-Hamdu”, “I Tij është Sundimi dhe Atij i takon lavdërimi”.

Po, ashtu si manifestimi i diellit në pasqyrë që tregon diellin,po ashtu në fytyrat e të gjitha gjërave, qofshin të pjesshme apo universale duke filluar nga grimcat e vockëla për tek planetët ndodhet një stampë, një shenjë e qartë, si një pasqyrë, duke treguar Diellin e parapërjetësisë dhe të paspërjetësisë dhe dëshmon Unitetin e Tij. Meqenëse shumica e atyre stampave, shenjave të pakufishme janë përshkruar në detajë në koleksionin Siraxhun-Nur, ne këtu do të mjaftohemi me një tregues vetëm për tre prej tyre, sa vijon:

Ashtu si në fytyrën e universit si një tërësi ne shohim se është vendosur një stampë e madhe uniteti që përbëhet nga ndihma e ndërsjellë, bashkëpunimi, mbështetja reciproke, ngjashmëria e ndërsjellë dhe ndërfutja midis specieve të qënieve, secila përballë tjetrës, po ashtu në faqen e tokës është një stampë që vërteton Unitetin Hyjnor të vendosur në ushtrinë e të Gjithëlavdishmit të Vetëm, ushtri e cila përbëhet nga katërqind mijë specie prej llojeve të kafshëve e të bimëve, duke iu dhënë të gjithave furnizimet e tyre, armët, uniformat, instruksionet dhe shkarkimet e çmobilizimet të cilat që të gjitha janë të ndryshme e të llojllojshme me rregullsi të plotë, pa ngatërresë dhe tamam në kohën e duhur.

Gjithashtu në fytyrën e njeriut shikohet një stampë Uniteti të cilën e tregon ekzistenca e shenjave dalluese në fytyrën e çdo njeriu, tipare që e dallojnë atë nga të gjitha fytyrat e tjera në të gjithë tokën. Madje në fytyrën e çdo qënie, qoftë e pjesshme apo universale, shihet një stampë uniteti. Gjithashtu në kokën e çdo krijese, qoftë e madhe apo e vogël, e pakët apo e shumtë vëzhgohet një vulë e Njësisë Hyjnore. Stampat e qënieve të gjalla janë veçanërisht të ndritshme e vezulluese; madje çdo qënie e gjallë në vetvete është një stampë uniteti, një vulë njësie, një firmë e Krijuesit të Përjetshëm.

Po, të gjitha lulet, të gjithë frutat, të gjitha gjethet, të gjitha bimët dhe të gjitha kafshët janë vula të tilla të Njësisë Hyjnore dhe stampa të Krijuesit të Përjetshëm saqë ato i transformojnë të gjitha pemët në formën e mesazheve Hyjnore; të gjitha speciet e krijesave i transformojnë në formën e një libri të të Gjithëmëshirshmit; të gjitha kopshtet në formën e një dekreti mbretëror, Hyjnor; madje ka vënë në atë mesazh, në mesazhin e pemës, aq shumë vula sa numri i luleve të saj, aq shumë firma sa numri i frutave të saj dhe aq shumë stampa sa numri i gjetheve të saj. Gjithashtu ka vendosur në atë libër, në librin e llojeve dhe të specieve, aq shumë vula aq sa numri i individëve të tyre, të cilat shfaqin shkruesin e tij dhe e bëjnë të njohur Atë; Gjithashtu ka vendosur në dekretin mbretëror Hyjnor, në dekretin e kopshtit aq shumë stampa të Unitetit Hyjnor aq sa numri i bimëve, i pemëve dhe i kafshëve që ndodhen në të, duke bërë të njohur Autorin e tyre, Sulltanin urdhërues. Në fakt ndodhen katër stampa të Unitetit Hyjnor në të gjitha pemët, në origjinat dhe në fundet e tyre, në anët e jashtme dhe në anët e tyre të brendshme për të cilat aludojnë Emrat e bukur Hyjnorë:  El-Ev-Velu, EL-A’hiru, Edh-Dhahiru, El-Batinu, I Pari dhe i Fundit, I Jashmi dhe i Brendshmi -i Dukshmi, i Padukshmi.

Ashtu siç tregon Emri El-Ev-vel, I Pari, farërat[12] origjinale të pemëve frutdhënëse janë arka, kutia të vogëla që përmbajnë programet e atyre pemëve, indekset e tyre dhe planin e punës së tyre.. Ato janë punishtet e vogëla që përmbajnë aparatet, domosdoshmëritë dhe formimet e tyre. Ato janë makineritë që përmbajnë sistemet e tyre, të ardhurat e tyre të holla dhe harxhimet e tyre të holla në fillimin e jetës së tyre.

Ashtu siç tregon Emri El-A’hir, i Fundit, rezultatet dhe frutat e pemëve përfaqësojnë tabelat e njoftimit për pemët, janë letra njoftimi pasi ato mbajnë format e pemëve, gjendjet dhe cilësitë e tyre.. Ato janë shpallje duke pohuar funksion, dobitë dhe veçoritë e pemëve.. Ato janë përmbledhje duke njoftuar e treguar për shembujt, shoqet e atyre pemëve, pasardhëset e tyre dhe për brezat që do të vijnë pas tyre; këtë e bëjnë nëpërmjet farërave që i mbajnë në zemrat e frutave.

Ashtu siç tregon Emri Edh-Dhahir, I Jashtmi -i Dukshmi-, format dhe trajtat në të cilat vishen pemët janë mantele të qëndisura e të modeluara me mjeshtëri të cilat janë prerë e shkurtuar, rregulluar e zbukuruar tamam në përputhje me degët, me anëtarët dhe me pjesët e pemëve. Ato veshje, janë aq të holla, aq të drejtëpeshuara dhe kuptimplote saqë i transformojnë pemët në formën e një libri, të një mesazhi dhe në formën e një poeme.

Ashtu siç tregon Emri El-Batin, i Brendshmi -i Padukshmi-, punishtet brenda pemëve janë fabrika që prodhojnë të gjitha pjesët dhe anëtarët e pemëve dhe, i drejtojnë dhe i administrojnë ato me balancën më të hollë e më të ndjeshme. Ato gjithashtu dërgojnë me rregullsi të plotë e me sistem të përkryer ushqimin dhe substancat e domosdoshme për të gjithë anëtarët e tyre të veçantë e të ndryshëm. Ato fabrika të çuditshme veprojnë me një shpejtësi të skajshme si ajo e vetëtimës dhe me një lehtësi të skajshme si ajo e kurdisjes së një ore dhe, me një uniformitet, rregullsi e njëtrajtësi të tillë si bindja e ushtrisë ndaj urdhrit të komandantit, saqë prej tyre çuditen mendjet.

Shkurtazi: Origjinat, zanafillat e pemëve janë kutia të vockëla dhe programe.. Fundet e tyre janë modele dhe tabela njoftimi.. Anët e tyre të jashtme janë mantele të qëndisura dhe veshje të modeluara artistikisht.. ndërsa anët e tyre të brendshme janë punishte e fabrika. Këto katër aspekte shikojnë njëra-tjetrën dhe si një e tërë këto të katërta formojnë një stampë shumë të madhe. Madje një Emër më i madh bëhet i dukshëm nëpërmjet tyre, sepse në mënyrë të vetëkuptueshme askush tjetër përveç Autorit të vetëm të Unitetit, i Cili e administron të gjithë universin, nuk mund t’i kryejë këto vepra. Ashtu si pemët, edhe origjinat, fundet, anët e jashtme dhe të brendshme të të gjitha qënive të gjalla mbajnë vulat e Njësisë Hyjnore dhe stampat e Unitetit.

Duke bërë një analogji me pemët në këto tre shembuj, edhe pranvera gjithashtu është një pemë që mban lule të shumta. Farërat dhe rrënjët që i janë besuar dhe i janë lënë si amanet dorës së vjeshtës mbajnë stampën e Emrit El-Ev-Vel, I Pari. Frutat, drithërat, kokrrat dhe zarzavatet që zbrazen në prehërin e verës duke mbushur fustanellën e saj të përzgjatur, mbajnë vulën e Emrit El-A’hir, I Fundit. Qëndisjet dhe mantelet natyrale të dekoruara me qindra e mijëra zbukurime e modelime të cilat i vesh stina e pranverës njëra mbi tjetrën si veshjet e hurive mbajnë vulën e Emrit Edh-Dhahir, I Jashtmi -i Dukshmi. Ndërsa fabrikat e Autorit të Përjetshëm duke punuar në stinën e pranverës brenda tokës, dhe kazanat values të të Gjithëmëshirshmit dhe kuzhinat Hyjnore që gatuajnë e pjekin ushqimet, secili prej tyre mban vulën e Emrit El-Batin, i Brendshmi -i Padukshmi.

Madje secili lloj prej specieve, le të jetë ai lloji njerëzor për shembull, është gjithashtu një pemë; farërat dhe rrënjët e saj janë në thellësirat e së shkuarës, ndërsa frutet dhe rezultatet e saj janë në të ardhmen. Dhe ashtu si ekzistenca e ligjeve të rregullta që veprojnë brenda jetës seksuale dhe përjetësimit të species që mbajnë një stampë të qartë Uniteti, po ashtu ligjet dhe parimet e organizuara të jetës individuale dhe shoqërore në rrethanat e tanishme mbajnë një stampë uniteti të fshehur nën shqetësimin dhe çrregullimin e jashtëm; dhe nën rrethanat e saj të ngatërruara, ajo mban një stampë uniteti të sunduar nga parimet e Kaderit dhe të Vendimit Hyjnor, të njohura si rrjedha e caktuar e jetës.

 

Përfundim

[Një aluzion i shkurtër për shtyllat e tjera të besimit, të cilat i përmban misteri i vërtetimit të unitetit Hyjnor.]

O Njeri i shkujdesur! Eja tani dhe shqyrtoji, sikur vetëm një herë tre frutet, tre shkaqet e domosdoshme dhe tre provat në tre stacionet e kësaj trajtese, dhe shiko:

A do të ishte e mundur që Autori i Gjithëfuqishëm, i Gjithurtë, Mëshirëplotë dhe i Gjithëditur të ishte indiferent ndaj virtyteve të realitetit Muhammedan i cili në kuptim sundon në univers, të ishte indiferent ndaj tesbihateve të tij a.s.m. dhe ndaj dritave të islamit? Ai Krijues që drejton gjërat në këtë univers dhe që nuk neglizhon as edhe shërimin më të vogël, as falënderimin më të pakët dhe as artin më të vogël sa krahu i një mize; dhe nuk ua referon absolutisht të tjerëve çështjen e këtyre të pjesshmeve dhe nuk ua atribuon atyre; Ai që i bashkangjit bërthamës më të vogël detyra dhe shembuj urtësie aq të mëdhaja sa pemës; dhe i Cili e bën të kapshme e të perceptueshme mëshirën e Tij, dhembshurinë dhe urtësinë nëpërmjet të gjitha arteve të Tij, dhe që e bën të njohur Vetveten nëpërmjet çdo mjeti dhe e bën Vetveten të dashur nëpërmjet çdo mirësie? A do të ishte e mundur që të mos ishte qëllimi më i madh e më i rëndësishëm prej qëllimeve të Atij Krijuesi të Gjithëlavdishëm, dhe drita më e madhe prej dritave të Tij dhe pasqyra më e gjërë prej pasqyrave të Tij -a do të ishte e mundur të mos ishte- mesazhi Muhammedan a.s.m. i cili i stolisi të gjitha krijesat dhe i mbushi ato me gëzim, që e ndriçoi të gjithë universin dhe i transformoi qiejt dhe tokën në një zhurmëri dhikri e tehlili, duke përmendur e njësuar Krijuesin, dhe i cili mori nën sundimin e tij, fizik e shpirtëror, gjysmën e globit tokësor dhe një të pestën e njerëzimit për katërmbëdhjetë shekuj pa ndërprerje; ose a do të ishte e mundur që të mos ishin pejgamberët a.s., të cilët i shërbyen të njëjtit realitet ashtu si Muhammedi a.s.m., të dërguarit e Krijuesit të Gjithëlavdishëm, të dashurit e Tij dhe mesazhierët e Tij?

Ruajna Zot! Jo Kurrë, aq sa numri i mrekullive të pejgamberëve!

Dhe a do të ishte e mundur, në cilindo drejtim qoftë, që Krijuesi i Gjithurtë e Mëshirëplotë të mos e shkaktonte ringjalljen, gjë e cila është më e lehtë për të se sa sjellja e pranverës, dhe të mos hapte banesën e lumturisë dhe botën e përjetshme, në një kohë që Ai Krijues i ka lidhur njëqind shembuj urtësie e fruta çdo gjëje sado e pjesshme të jetë; dhe nëpërmjet urtësive të jashtëzakonshme, dhe mëshirës së Tij të gjithanshme e bën të njohur Hyjninë e Tij dhe i bën ato të dashura për krijesat, a do të ishte e mundur që Ai të mos e sjellë ringjalljen, dhe kështu të mohonte të gjithë urtësinë dhe mëshirën e Tij, madje edhe Hyjninë dhe Plotësinë e Tij dhe t’i shtynte të tjerët që t’i mohonin ato, dhe t’i dënonte me asgjësim të përhershëm të gjitha krijesat e Tij të dashura të cilat Ai i do? Ruajna Zot, njëqind mijë herë! Ajo Bukuri absolute, e pastër, e lartësuar, e shenjtëruar është krejtësisht e përjashtuar dhe njëqind herë larg asaj shëmtie absolute.

 

Një Shënim i Gjatë

Një pyetje lidhur me ringjalljen e të vdekurve

Vërseti i përsëritur shpesh,

“Do të jetë vetëm një saihah, britmë e vetme”[13] dhe vërseti,

“Dhe çështja e orës (çastit të fundit) do të jetë sa një “hap e mbyll sytë…”[14] tregojnë se ringjallja e të vdekurve dhe tubimi i madh do të ndodhin menjëherë, në çast, vetëtimthi. Mirëpo arsyet e ngushta të njerëzve kërkojnë shembuj konkretë e të dukshëm me qëllim që ta pranojnë e ta perceptojnë këtë ngjarje shumë të jashtëzakonshme dhe këtë çështje të pashembullt.

Përgjigjja: Ringjallja përbëhet nga tri çështje; ato janë: rikthimi i shpirtërave tek trupat e tyre, ringjallja e trupave, dhe ribërja dhe ngritja e trupave.

Çështja e Parë: Një shembull për rikthimin e shpirtërave tek trupat e tyre është grumbullimi i ushtarëve të një ushtrie të disiplinuar, pasi ata ishin shpërndarë në të gjitha anët për të pushuar, me zërin e lartë të borisë ushtarake. Po, Suri që është Boria e Melekut Israfil nuk është më pak i fuqishëm se sa Boria ushtarake. Gjithashtu bindja e shpirtërave që janë në anën a paspërjetësisë dhe në botën e grimcave dhe të cilët iu përgjigjën me  “Po, ne e pranojmë” pyetjes kur dëgjuan thirrjen  “A nuk jam Unë Zoti juaj?”[15] e cila erdhi nga parapërjetësia, ato -shpirtëra- janë sigurisht më të nënshtruar, më të disiplinuar dhe më të bindur se sa ushtarët në një ushtri të disiplinuar. Fjala e Tridhjetë ka demonstruar me prova vendimtare se jo vetëm shpirtërat, por të gjitha grimcat gjithashtu, formojnë një ushtri Hyjnore dhe janë ushtarët e saj nën komandë.

Çështja e Dytë: Një shembull për ringjalljen e trupave është ky: Ashtu siç mund të ndizen qindra e mijëra llamba elektrike të një qyteti të madh në një natë festivali, prej një qendre të vetme në një çast të vetëm, si të ishte pa kohë -pa kalimin e ndonjë kohe-, po ashtu mund të ndizen qindra miliona drita të shpërndara në sipërfaqen e tokës nga një qendër e vetme. Meqenëse elektriciteti që është njëra nga krijesat e Allahut xh.sh. dhe është një shërbëtore ndriçimi në Bujtinën e Tij, ka këto veçori dhe mundësinë për të kryer detyrat e saj në përputhje me instruksionet, ushtrimet, sistemin dhe me rregullin që ajo ka marrë prej Krijuesit të saj, atëherë sigurisht ringjallja e madhe e të vdekurve do të ndodhë sa “hap e mbyll sytë” brenda caqeve të ligjeve të rregullta të urtësisë Hyjnore, ato ligje të cilat i përfaqësojnë mijëra shërbëtorë të ndritshëm si elektriciteti.

Çështja e Tretë: Një shembull për ribërjen dhe ngritjen e trupave menjëherë në çast, është ringritja dhe ribërja në formë të plotë e të gjitha pemëve së bashku me të gjitha gjethet e tyre në pranverë pikërisht në të njëjtën mënyrë si ato të pranverave të mëparshme brenda pak ditëve, të cilat janë një mijë herë më të shumta në numër se sa i gjithë njerëzimi.. Gjithashtu rikrijimi i të gjitha luleve të pemëve, i frutave dhe i gjetheve të saj me një shpejtësi të rrufeshme ashtu siç ishin në pranverën e kaluar.. po ashtu zgjimi i menjëhershëm së bashku i numrave të pallogaritshëm i farërave, drithërave, i bërthamave dhe i rrënjëve, të cilat janë burimi i asaj pranvere dhe zbulimi dhe riardhja e tyre në jetë.. Gjithashtu ringjallja e kufomave të ngritura si skelete të pemëve, duke iu bindur menjëherë urdhrit të  “Ringjalljes pas vdekjes..”

Gjithashtu rimëkëmbja dhe ringjallja e anëtarëve të panumërt të të gjitha specieve të kafshëve të vogëla e shumë të holla.. Gjithashtu ringjallja e të gjitha llojeve të insekteve fluturuese dhe sidomos mizat para syve tonë, të cilat vazhdimisht pastrojnë fytyrat e tyre, sytë dhe krahët duke na kujtuar ne avdesin dhe pastrimin dhe duke ledhatuar fytyrat tona, numri i të cilave vetëm për një vit është më i madh se sa numri i të gjithë njerëzimit qysh prej kohës së Ademit a.s.. Ringjallja e këtyre insekteve në çdo pranverë së bashku me speciet e tjera dhe ribërja e tyre brenda pak ditëve, nuk jep një shembull të vetëm por mijëra shembuj për ringjalljen dhe rimëkëmbjen e menjëhershme të trupave njerëzorë në Ditën e kijametit.

Po, meqenëse kjo dynja është bota e ‘urtësisë’ ndërsa Banesa e Ahiretit është Bota e ‘Fuqisë’, shumë Emra të bukur Hyjnorë të tillë, si: El-Hakim, El-Muret-tib, El-Mudeb-bir dhe El-Murebbi, I Gjithurti, Organizuesi, Rregulluesi dhe Edukuesi, po ashtu edhe Urtësia Hyjnore kërkuan medoemos që krijimi i gjërave në këtë botë të jetë gradual dhe me kalimin e kohës. Ndërsa në Ahiret ‘Fuqia’ dhe ‘Mëshira’ do të manifestohen më shumë se sa ‘Urtësia’ dhe, duke mos pasë nevojë për lëndë, kohë, afat e për pritje, gjërat do të bëhen menjëherë në çast. Duke aluduar për faktin se gjërat që bëhen këtu për një ditë ose për një vit do të bëhen në Ahiret për një çast ose vetëtimthi, Kur’ani i shpjegimit të mrekullueshëm deklaron:

“Dhe çështja e orës (çastit të fundit) do të jetë sa një “hap e mbyll sytë”, ose edhe më afër”.[16]

Në qoftë se dëshiron të jesh aq i sigurt për ndodhjen e ringjalljes së të vdekurve aq sa je i sigurtë për ardhjen e pranverës tjetër, studioji me kujdes Fjalën e Dhjetë dhe Fjalën e Njëzet e Nëntë, të cilat kanë të bëjnë me çështjen e ringjalljes, dhe do ta shohësh! Në qoftë se nuk do ta besoje atë si ardhjen e kësaj pranvere, atëherë më gjyko rreptë!

Çështja e Katërt: Vdekja e Dynjasë dhe ndodhja e kijametit. Në qoftë se do të përplasej një planet ose një kometë nëpërmjet një urdhri Hyjnor me globin tonë tokësor, që është bujtina jonë, do të shkatërrohej vendstrehimi dhe vendbanimi ynë -domethënë toka- ashtu siç shkatërrohet për një minut një pallat që është ndërtuar për dhjetë vjet.

Përmbledhjet e lartëpërmendura të katër çështjeve të ringjalljes janë të mjaftueshme sa për tani, dhe le t’i rikthehemi temës sonë kryesore.

Gjithashtu, a do të ishte e mundur që Kur’ani i shpjegimit të mrekullueshëm të mos jetë Fjala e Atij Krijuesi të Gjithëlavdishëm, fjalë e cila është interpretuesi elokuent i të gjitha të vërtetave të lartësuara të universit, gjuha e mrekullueshme i të gjitha plotësimeve të Krijuesit të universit dhe koleksioni i mahnitshëm i të gjitha qëllimeve të Tij? Ruajna Zot! Jo, sa numri i mistereve të vërseteve të tij. Ose a do të ishte e mundur që Autori i Gjithurtë i Cili i bëri krijesat e Tij të gjalla e të vetëdijshme të flasin me njëra-tjetrën në të gjitha gjuhët e tyre të panumërta; i Cili i njeh zërat e tyre dhe çfarë ato thonë, i dëgjon ato në mënyrë të qartë nëpërmjet akteve dhe mirësive të Tij, dhe pastaj Ai vetë të mos fliste apo të mos ishte në gjendje të flasë? A ka ndonjë mundësi apo gjasë për këtë? Meqenëse në mënyrë të vetëkuptueshme Ai flet, dhe kryesori midis atyre të cilëve Ai u adresohet me ligjëratën e Tij dhe që e kupton atë është njeriu, atëherë sigurisht, me në krye Kur’anin fisnik, dhe të gjithë librat e shenjtë të mirënjohur, janë Fjala e Tij.

Ose, a do të ishte e mundur që Krijuesi i Gjithurtë, i Cili e bëri këtë univers si një mjet për ta bërë Vetveten të njohur, të dashur, të lavdëruar dhe të vlerësuar; dhe nëpërmjet mirësive të Tij të shumëllojshme i bën qëniet e gjalla të lumtura e të kënaqura, dhe i bëri falënderimet dhe mirënjohjen e tyre si një bosht i rëndësishëm për Hyjninë e Tij.. dhe e bëri universin e gjërë së bashku me të gjithë elementet dhe boshtet e tij, një shërbëtor të bindur, një vendbanim, një ekspozitë, një banket; dhe kështu deshi t’i shumojë mijërat e të gjitha llojeve të ndryshme të qënieve të gjalla; që i bëri disa prej gjetheve të pemëve të cilat nuk mbajnë fruta si plepi dhe vidhi edhe si djep, edhe si mitër, edhe si ushqimore për qëniet e gjalla që i kryejnë lavdërimet e tyre në ajër, domethënë, për një lloj mizash; -A do të ishte e mundur që ky Autor i Gjithurtë t’i linte qiejt e stolisur e të zbukuruar dhe yjet e shpërndarë që lëshojnë dritë pa pronar, të boshatisur, pa qëllim, pa jetë, pa shpirt ose pa banorë; domethënë t’i linte ato pa melekë e pa qënie shpirtërore? Ruajna Zot, sa numri i melekëve dhe i qënieve shpirtërore!

Gjithashtu, a do të ishte e mundur që Autori i Gjithurtë, Rregulluesi, i Cili shkruan me penën e Kaderit të Tij në farërat dhe në frutat e më të vogëlës bimë dhe më të vogëlës pemë origjinat e tyre dhe fundet dhe rrjedhat e jetës së tyre brenda një rregulli të përkryer, dhe se Ai shkruan me rregull të plotë dhe me dallueshmëri origjinat e rezultatet e pranverës madhështore si të ishte ajo një pemë; dhe se Ai nuk mbetet indiferent edhe për gjërat më të vogëla e të parëndësishme.. A do të ishte e mundur që ky Autor i Gjithëlavdishëm të mos i shkruante punët e njeriut dhe të mos i regjistronte lëvizjet dhe veprat e tij, të cilat kanë rëndësi të madhe, meqenëse ai është rezultati i universit, kalifi i Zotit në tokë, mbikqyrësi i llojeve të krijesave të Tij dhe inspektor për to; dhe të mos i përfshinte ato brenda sferës së Kaderit të Tij apo të tregohej i shkujdesur për to? Ruajna Zot, sa numri i veprave të njeriut, të cilat peshohen me balanca!

Shkurtazi: Universi së bashku me të gjitha të vërtetat e tij thërret e thotë:

Unë besoj në Zotin dhe në melekët e Tij dhe në librat e Tij, dhe në pejgamberët e Tij, dhe në Kaderin Hyjnor, se edhe e mira e tij, edhe e keqja e tij janë prej Zotit të Gjithëfuqishëm, dhe se ringjallja pas vdekjes është e vërtetë; unë dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, dhe dëshmoj se Muhammedi a.s.m. është i dërguari i Allahut xh.sh., Zoti i dhëntë bekime atij, familjes së tij dhe sahabëve, dhe u dhëntë atyre paqe.

Amin.

 

Një dua rreth Unitetit Hyjnor dhe parathënia e saj.

Në kasiden e tij El-Xhel-xhelutijjeh, në vendin që u përmend, Imam Aliu -Zoti qoftë i kënaqur me të dhe e nderoftë- i jep Risale-i Nurit Emrat Siraxhun-Nur dhe Siraxhus-Sÿrxh në mënyrë të çuditshme. Meqenëse ai i jep Risale-i Nurit këto dy Emra shtesë, dhe Emri Siraxhun-Nur përsëritet shpesh në trajtesën e tanishme, ne kemi marrë njërën prej duave të tij më të rëndësishme, dhe duke e zgjeruar -shtrirë- atë dy shkallë duke e bërë gjuhën tonë të flasë në rrugën e gjuhës së tij të lartësuar, dhe e paraqesim këtë dua vijuese tek Divani i të Vetmit të Unitetit.

 

Duaja

 

 

O Zot! Nuk ka në qiej as rrotullim, as yje dhe as lëvizje planetësh… Në atmosferë as re, as vetëtima dhe as tesbihatet e rrufesë…

Në tokë as mbushullia e qënieve të gjalla dhe as artifaktet e çuditshme…

Në detet as një pikë uji, as një peshk dhe as ndonjë krijesë e çuditshme…

Në male as gurë dhe as bimë, dhe brenda tyre as mineral…

Në pemë as gjethe, as lule, dhe as ndonjë frut i zbukuruar…

 Në trupat e gjërave të gjalla as një aktivitet, as ndonjë gjymtyrë e mirërregulluar dhe as ndonjë sistem…

Në zemrën e njeriut as mendim, as inspirim, dhe as besim i ndriçuar…

veçse dëshmon për domosdoshmërinë e ekzistencës Tënde dhe është dëshmi për Unitetin Tënd, dhe në sundimet e Tua është krejtësisht e nënshtruar. Nëpërmjet fuqisë, me të cilën Ti i nënshtron qiejt dhe tokën, nënshtroma nefsin tim dhe nënshtroma dëshirën time dhe nënshtroji për Risale-i Nurin dhe për shërbimin ndaj Kur’anit dhe ndaj besimit zemrat e shërbëtorëve të Tu dhe zemrat e qënieve shpirtërore, qofshin të lartësuar apo të ulët; O Gjithëdëgjues! O i Afërt! O Përgjigjësi i duave!  Amin…

Dhe të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut, Krijuesit të të gjitha botëve.

“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë që Vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti”.[17]

* * *

 

[1] Kur’an, 47:19

2 Transmeton Ibn Maxheh, dhe Ahmedi në Musnedin e tij.

[3] Një koleksion nga Risale-i Nuri që përbëhet nga një dua, trajtesa për të sëmurët, trajtesa për të moshuarit, shkreptima e trembëdhjetë, Tridhjetë e tre dritaret, një dua në arabisht dhe fjalimet mbrojtëse të Ustadhit në Gjykatën e Denizlit. Përkthyesi

[4] Transmentojnë, Maliku, Tirmidhiu etj…

[5] Kur’an, 1:5

[6] Kur’an, 31:13

[7] Kur’an, 67: 8

[8] Kur’an, 31:13

[9] Për shembull,  “Vërtet që Allahu, Ai është padyshim Gjithëfurnizuesi, Zotëruesi i Fuqisë, i Përhershmi më i Fortë”, (Kur’an, 51:58)

[10] Buhariu, al-Musir, v. 237; al-Nikah, v11.8;

[11] Përgjigjja për pjesën e dytë të pyetjes është shumë e rëndësishme; ajo largon dyshime të shumta.

[12] Qysh nga kohët e lashta, një shprehje e përgjithshme në gjuhën popullore që u bë si proverb ishte “ngritja (dalja) prej farës”, e cila mund të shihet si një lloj aluzioni për autorin e kësaj trajtese; sepse nëpërmjet shkëlqimit të Kur’anit, shërbëtori i Risale-i Nurit (autori i saj) zbuloi dy Miëraxhe -ngjitje- për njohjen e Zotit dhe për vërtetimin e Unitetit Hyjnor në farërat dhe në lulet. Ai e zbuloi ujin e jetës pikërisht në vendet tek të cilat u mbytën Natyralistët. Ai e arriti realitetin dhe dritën e njohjes së Zotit nga farërat. Për këtë arsye, për këtë urtësi, këto dy gjëra përsëriten shpesh në Risale-i Nur.

[13] Kur’an, 36:29

[14] Kur’an, 16:77

[15] Kur’an, 7:172

[16] Kur’an, 16:17

[17] Kur’an, 2:32