Lexo PDF

Kjo fjalë përbëhet nga dy stacione

 

STACIONI I PARË

 

بِسْمِ اللّهِ الرَّحْمنِ الرَّحِيمِ

اِنَّ الصَّلاَةَ كَانَتْ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ كِتَابًا مَوْقُوتًا

Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

Vërtet namazi (falja) u është bërë detyrim besimtarëve në kohë të përcaktuar.”[232]

Njëherë një njeri i madh në moshë, në trup e në rang, më tha mua: “Kryerja e faljeve është e mirë, por t’i kryesh ato pesë herë në çdo ditë është pa mbarim dhe i bën ato të jenë të lodhshme e të mërzitshme!..”

Pasi kishte kaluar një kohë e gjatë nga fjala që tha personi në fjalë, unë ia vura veshin nefsit tim, por shih! Edhe unë dëgjova pikërisht të njëjtat fjalë! Atëherë unë e hodha vështrimin tek ai dhe pashë se me veshin e përtacisë, pra nëpërmjet dembelisë, nefsi po merrte të njëjtin mësim nga shejtani. Ndërkohë unë kuptova se ai burrë sikur i kishte thënë ato fjalë në emrin dhe në gjuhën e të gjithë shpirtërave urdhërues për të liga, ose ndryshe ai u nxit të flasë nga të tjerët.

Atëherë unë thashë: “Meqenëse nefsi im është urdhërues për të liga, atëherë unë medoemos duhet të filloj që së pari ta rregulloj atë. Sepse ai që nuk rregullon e nuk reformon vetveten, shpirtin e tij, padyshim ai nuk mund t’i reformojë të tjerët”.

Ndërkohë unë i fola nefsit tim: O nefsi im!.. Dëgjo “Pesë Paralajmërime” në përgjigje të atyre fjalëve që ti shprehe ndërsa je i zhytur në injorancën e përbërë, mbi divanin e përtacisë, në gjumin e pakujdesisë.

 

PARALAJMËRIMI I PARË

O nefsi im i mjerë! A është e përhershme jeta jote?.. A ke ndonjë dokument të pakundërshtueshëm që të tregojë se do të jetosh deri në vitin tjetër, apo madje deri nesër?.. Ajo që të ka bërë që të mërzitesh e të lodhesh, është se ti imagjinon se do të jetosh përherë. Ti po bën naze dhe ankohesh sikur do të qëndroje me kënaqësinë tënde përjetësisht në këtë dynja. Në qoftë se ti do ta kishe kuptuar se jeta jote është e shkurtër, dhe se ajo po largohet pa fryt e më kot, nuk ka dyshim se të shpenzoje një orë nga njëzet e katër orët mbi një akt shërbimi të bukur, të këndshëm, të rehatshëm dhe të mëshirshëm, i cili është mjeti për lumturinë e vërtetë të jetës së përhershme, sigurisht ai nuk do të të shkaktonte mërzi, por do të ngjallte një dëshirë të fortë, të vërtetë, një kënaqësi dhe një shije të këndshme.

 

PARALAJMËRIMI I DYTË

O nefsi im llupës e i pangopur! çdo ditë ti ha bukë, pi ujë, thith ajrin e mbushesh me frymë; a të shkaktojnë ato ty mërzi?.. Meqenëse ato nuk të shkaktojnë mërzi, për shkak të përsëritjes së nevojës, atëherë padyshim, ato ripërtërijnë kënaqësinë. Për këtë arsye, namazi i cili tërheq e sjell ushqim për zemrën time dhe ujin e jetës për shpirtin tim dhe flladin e erës së këndshme Hyjnore të fshehur në trupin tim, sigurisht ato nuk të shkaktojnë kurrë ty lodhje e mërzi.

Po, zemra e cila goditet nga hidhërime e dëshpërime të pafundme, që është e robëruar dhe e joshur nga kënaqësi e shpresa të pafundme, nuk mund ta fitojë forcën dhe ushqimin veçse duke trokitur nëpërmjet lutjeve e duave në derën e Mëshirëplotit Gjithëbujar dhe të Gjithëfuqishmit për gjithçka.

Po, shpirti i cili lidhet me shumicën e qënieve, të cilat ikin e vijnë shpejt në këtë dynja të përkohshme, nuk e pi ujin e jetës veçse duke u drejtuar me namaz tek burimi i mëshirës së të Adhuruarit të Qëndrue-shëm përjetësisht dhe të Dashurit të Amshuar.

Po, misteri njerëzor i vetëdijshëm, i cili është një aftësi e hollë e ndritshme Hyjnore, e cila nga natyra dëshiron jetë të përhershme, që u krijua për përjetësi, që është një pasqyrë reflektuese e Krijuesit të Vetëm të para dhe të paspërjetësisë dhe që është pafundësisht delikat dhe i hollë, padyshim ai është më i nevojshmi, për të thithur ajër që të mbushet me frymë në kushtet pikëlluese, dërrmuese, shtypëse, kalimtare, të errëta dhe mbytëse të kësaj dynjaje, dhe vetëm mund të mbushet me frymë nëpërmjet dritares së namazit.

 

PARALAJMËRIMI I TRETË

O nefsi im i paduruar! A do të ishte e perceptueshme të mendosh sot për vuajtjet e kaluara të adhurimit, për vështirësitë e faljeve, për shqetësimet e fatkeqësive dhe të jesh i dëshpëruar, pastaj të mendoje detyrat e ibadeteve në të ardhmen, shërbimet e kryerjes së faljeve, dëshpërimet e fatkeqësive dhe të shfaqësh padurim?

Duke qenë kështu i paduruar, ti i ngjason komandantit të çmendur, i cili, megjithëse krahu i djathtë i armikut i ishte bashkangjitur krahut të djathtë të tij dhe u bë ndihmës e forcë e freskët, ai dërgoi një forcë të madhe nga ushtria e tij për tek ai krah i djathtë i armikut dhe dobësoi qendrën. Pastaj ndonëse nuk ndodheshin ushtarët e armikut në krahun e majtë dhe para se të vinin të tjerët, ai dërgoi një forcë të madhe atje dhe u dha atyre urdhër të hapnin zjarr! Qendra ishte pa asnjë forcë. Armiku e kuptoi këtë dhe e sulmoi qendrën dhe e shpartalloi krejtësisht ushtrinë e tij.

Po, ti i ngjason këtij komandanti, sepse shqetësimet e së shkuarës janë transformuar në mëshirë sot; dhimbja ka ikur ndërsa kënaqësia qëndron. Vështirësitë janë shndërruar në bekime, dhe mundimet e vuajtjet janë transformuar në shpërblime, prandaj ato nuk shkaktojnë mërzi, por mallëngjim të ri, një zell të ri, një entuziazëm të freskët dhe një përpjekje serioze për të vazhduar përpara. Sa për ditët e së ardhmes, meqenëse ato akoma nuk kanë ardhur, atëherë të mendosh qysh tani për to dhe të ndjehesh i mërzitur, është një lloj marrëzie, meqë kjo i ngjason qarjes dhe bërtitjes qysh tani se ndoshta do të ketë uri e etje në të ardhmen.

Meqenëse e vërteta është kështu, në qoftë se do të ishe me mend, ti duhet të mendosh vetëm për të sotmen lidhur me adhurimin dhe thuaj: “Unë do të shpenzoj një orë prej saj për një detyrë të rëndësishme, të këndshme e të bukur, shpërblimi i së cilës është i madh, kurse shqetësimi është i vogël.” Atëherë dëshpërimi yt i hidhur do të transformohet në përpjekje të ëmbël.

Dhe kështu, o nefsi im i paduruar! Ti je i detyruar me tre lloje durimi.

I Pari: Është durimi në adhurim.

I Dyti: Është durimi për t’iu shmangur mëkatit.

I Treti: Është durimi në fatkeqësi. Në qoftë se je i zgjuar, merre si udhëzimin tënd të vërtetën e shfaqur në krahasim tek ky para-lajmërimi i tretë. Thuaj në mënyrë burrërore; “Ja Sabur” O Durimtari më i Madh! Dhe merri në sup të tria llojet e durimit. Mbështetu tek forca e durimit dhe stolisu me të. Në qoftë se ti nuk do t’i prishje më kot në rrugë të gabuar forcat e durimit të cilat t’i ka dhënë Allahu, ato do të ishin të mjaftueshme për çdo vështirësi e fatkeqësi… prandaj mbahu me ato forca.

 

PARALAJMËRIMI I KATËRT

O nefsi im i çmendur! A pa rezultat është kjo detyrë adhurimi, dhe a i vogël është shpërblimi i saj sa të të shkaktojë ty mërzi? Ti do të punoje deri në mbrëmje pa ulur ritmin e pa pakësuar përpjekjet nëse dikush do të të nxiste përmes dhënies së një shume të vogël paraje, ose do të të detyronte të punoje nga frika. Atëherë po namazi i cili është ushqim për zemrën tënde të pafuqishme e të varfër dhe qetësi për të në këtë bujtinë të përkohshme e cila është dynjaja; ai është ushqim e dritë për vendbanimin tënd të sigurt i cili është varri; ai është dëshmi në gjykatën tënde tek e cila padyshim ti do të gjykohesh në ringjallje; ai do të jetë dritë e burak në Urën e drejtë të Siratit, mbi të cilin padyshim ti me dashje apo pa dashje do të kalosh… Atëherë një falje që ka këto përfundime, a është pa rezultat e pa dobi? Apo mos ajo ka shpërblim të pakët? Në qoftë se dikush do të të premtonte ty një dhuratë që ka vlerën e njëqind florive dhe të bën ty të punosh njëqind ditë dhe ndërkohë ti orvatesh e punon pa ulur ritmin e pa pakësuar përpjekjet duke i besuar premtimit të tij, megjithëse ai mund ta thyejë premtimin.

Atëherë në qoftë se Një i Vetëm, për të Cilin thyerja e premtimit është e pamundur, të premton ty një shpërblim e çmim që është Parajsa dhe një dhuratë të madhe që është lumturia e përjetshme, dhe të bën ty të punosh për një kohë shumë të shkurtër në një detyrë shumë të kënd-shme, atëherë a nuk do të mendoje se në qoftë se ti nuk do ta kryeje atë detyrë dhe atë shërbim të vogël, apo do ta kryeje atë pa dëshirë si dikush që detyrohet të punojë, duke qenë i mërzitur, ose duke e kryer në mënyrë të shkëputur e me ndërprerje,  duke fyer kështu premtimin e Tij dhe duke përbuzur dhuratën e Tij! Atëherë a nuk do të meritoje një qortim të rëndë dhe një ndëshkim të ashpër? A nuk ke menduar ti për këtë? Ti shërben pa ulur ritmin në punën më të rëndë në këtë botë nga frika e burgosjes, atëherë a nuk të mbush ty me zell frika e burgut të përhershëm që është ferri, për kryerjen e atij shërbimi i cili është më i lehti dhe më i këndshmi?

 

PARALAJMËRIMI I PESTË

O nefsi im i dhënë pas dynjasë! A mos vallë shkrehja jote në adhurim dhe moskokëçarja e mangësia në faljet e urdhëruara shkaktohen nga shumësia e preokupimeve të tua të kësaj dynjaje, apo për shkak se ti nuk mund të gjesh kohë të përshtatshme për t’u përpjekur për të fituar mjetet e jetesës? A mos vallë ti u krijove vetëm për këtë botë, që ti po e harxhon të gjithë kohën tënde për të?

Ti e di se, për sa ka të bëjë me aftësitë e tua, ti je më superior se të gjitha kafshët, dhe, për sa ka të bëjë me gjetjen dhe sigurimin e gjërave të domosdoshme të jetës së dynjasë, ti madje nuk ke fuqi të arrish edhe një trumcak, atëherë përse ti nuk mund ta kuptosh se detyra jote themelore nuk është që ti të punosh si një kafshë, por është të harxhosh e të bësh përpjekjet e tua për një të vërtetë, për jetën e amshuar, ashtu si qënia e vërtetë njerëzore. Përveç kësaj, gjërat që ti i quan prokopi të kësaj bote, shumica e tyre nuk të përket ty dhe janë ato tek të cilat ti ndërhyn me zell të tepruar, janë gjëra të rëndomta të cilat të ngatërrojnë. Ti lë mënjanë gjërat thelbësore dhe e kalon kohën tënde për të fituar informacione jothelbësore që janë gjëra të dorës së dytë, sikur ti ke për të jetuar me mijëra vite. Për shembull, ti e harxhon më kot kohën tënde të çmueshme në gjëra të pavlefshme të tilla, si: Si janë unazat rreth Saturnit dhe sa pula ka në Amerikë? Sikur ti po bëhesh një ekspert në astronomi apo në statistika!..

Në qoftë se ti thua: “Ajo që më largon mua nga faljet dhe adhurimi, dhe që më bën mua të jem i shkrehur e moskokëçarës, nuk janë gjëra të parëndësishme si ato, por janë gjëra thelbësore, si të fituarit e mjeteve të jetesës.”

Atëherë përgjigjja ime për ty është kjo: Në qoftë se ti punon me një pagë ditore njëqind qindarka dhe dikush do të të thonte ty: “Eja dhe gërmo këtu në këtë vend për dhjetë minuta, sepse ti do të gjesh një gur të çmuar, një brilant e një smerald, që kanë vlerën e njëqind florive.” Në qoftë se ti do ta refuzoje atë duke u përgjigjur: “Jo, nuk do të vij se paga ime ditore prej dhjetë qindarkash do të ulej dhe se ushqimi im do të jetë më i pakët”, natyrisht ti do të kuptoje se sa pretekst prej budallai do të ishte ai.

Në të njëjtën mënyrë, ti punon në këtë kopsht për mjetet e tua të jetesës. Në qoftë se ti do ta braktisje namazin e detyruar, të gjithë frutat e përpjekjes dhe të punës tënde do të ngushtoheshin vetëm tek një mjet jetese dynjaje, e parëndësishme, jo prodhuese dhe pa e mbledhur përfitimin dhe bereqetin e tij. Por në qoftë se ti do t’i shpenzoje kohët e tjera ndërmjet përiudhave të punës në kryerjen e faljes e cila është mjeti i rehatisë së shpirtit dhe i frymëmarrjes së zemrës, atëherë ti do të zbuloje dy thesare shpirtërorë që janë një burim i rëndësishëm si për jetën frutdhënëse të kësaj bote, ashtu edhe për jetesën tënde dhe furnizimet për botën e përtejme:

Thesari i parë: Nëpërmjet qëllimit të shëndoshë, ti do të marrësh pjesën tënde nga “tesbihatet” -lavdërimet dhe lartësimet- e ofruara nga të gjitha bimët, pemët, lulet dhe frutat që rriten në pemishten tënde.[233]

Thesari i dytë: Çfarëdo që hahet prej prodhimeve të pemishtes, qoftë nga kafshët ose njerëzit, apo nga gjedhët e mizat ose nga blerësit apo vjedhësit, ajo do të bëhet si një lëmoshë, –sadeka-, e dhënë nga ti. Por kjo me kusht që ti të punosh në Emrin e Furnizuesit të vërtetë, brenda sferës së lejes së tij, dhe ta shikosh veten tënde si një nëpunës zyrtar për t’ua shpërndarë pasurinë e All-llahut xh.sh. krijesave të Tij…

Prandaj shikoje se sa humbje e madhe do të bëhej prej atij i cili braktis faljet e detyruara. Sa pasuri të rëndësishme humbet ai, dhe ai mbetet i privuar nga ato dy rezultate dhe thesare të përhershëm të cilët e mbështesin njeriun me një fuqi shpirtërore për punë, që ngjallin tek ai një zell të fortë dhe moral për përpjekje dhe aktivitet; kështu ai bëhet i falimentuar. Madje kur të plaket, ai do të mërzitet nga marrja me kopshtari dhe humbet interesin për të, duke thënë: “Ç’më duhet kjo mua? Përse ta lodh veten time? Për kë të punoj? Unë do ta lë këtë botë nesër!” Kështu ai do ta hedhë veten e tij në dembeli. Ndërsa burri i parë thotë: “Unë madje do të përpiqem edhe më shumë në punën hallall përkrah adhurimit tim të shtuar me qëllim që të dërgoj edhe më shumë dritë tek varri im, dhe të siguroj më shumë fitime për jetën time në botën e përtejme.

Shkurtazi: O nefs! Dije se: E djeshmja të ka lënë ty, dhe sa për të nesërmen, ti nuk ke asnjë dokument për ta provuar se ajo do të jetë e jotja. Prandaj, dije se jeta jote e vërtetë është kjo ditë. Kështu, të paktën hidhe një nga orët e saj në arkën e kursimit për botën e përtejme si një fond rezervë, e cila është xhamia ose sexhadeja, me qëllim që të garantosh të ardhmen e vërtetë të përjetshme.

Gjithashtu, mësoje se për ty dhe për gjithkënd çdo ditë e re është dera për një botë të re. Në qoftë se ti nuk i kryen faljet, atëherë bota e ditës tënde do të udhëtojë për tek bota e padukshme, e errët, e mjerë dhe e dëshpëruar dhe do të dëshmojë kundra teje në botën e shëmbëllesës, sepse secili nga ne në çdo ditë ka botën e tij private nga ajo botë dhe natyra e saj varet nga zemra dhe nga veprimet e çdo njeriu.

Ashtu si një pallat madhështor që reflekton në një pasqyrë i cili merr ngjyrën e pasqyrës, në qoftë se ajo është e zezë, ai duket i zi dhe, në qoftë se ajo është e kuqe, ai duket si i kuq, gjithashtu edhe ai merr cilësitë e pasqyrës; në qoftë se pasqyra është e lëmuar, ajo e tregon pallatin të jetë i bukur dhe në qoftë se nuk është, ajo e tregon pallatin e shëmtuar. Dhe ashtu si gjërat më delikate e të holla të cilat ajo i shfaq të trasha e të papërpunuara, edhe ti gjithashtu mund ta ndryshosh formën e botës tënde me zemrën tënde, me mendjen, me veprat dhe me dëshirat. Ti mund ta bësh atë të dëshmojë për ty ose në favorin tënd, ose kundra teje.

Në qoftë se ti i kryen pesë kohët e faljes në çdo ditë dhe nëpërmjet tyre ti drejtohesh ndaj Krijuesit të Gjithëlavdishëm të asaj bote, atëherë menjëherë në çast do të ndriçohet ajo botë e orientuar drejt teje, tamam sikur ti të hapje me nijetin e faljes çelësin e dritës. E ndriçoi atë llamba e namazit tënd, i shpërndau errësirat e asaj bote, dhe atëherë, aty transformohen dhe ndryshohen të gjitha shqetësimet dhe dëshpërimet të cilat janë rreth teje në dynja, dhe i shikon ato se janë një sistem i urtë e i qëllimshëm dhe një shkrim domethënës i Fuqisë Hyjnore. Ato përhapin e lëshojnë një dritë nga vërseti اَللّهُ نُورُ السَّموَاتِ وَاْلاَرْضِ  “All-llahu është Drita e qiejve dhe e tokës[234]  i mbushur me drita në zemrën tënde, dhe në atë ditë bota jote ndriçohet nëpërmjet reflektimit të asaj drite. Ajo do ta bëjë atë të dëshmojë në favorin tënd nëpërmjet ndriçimit të saj.

Ruhu, mos thuaj: “Çfarë janë faljet e mia në krahasim me realitetin e faljeve!”Sepse ashtu si bërthama e një hurmeje e cila përshkruan pemën e rritur, po ashtu falja përshkruan pemën tënde. Ndryshimi është vetëm në përmbledhje dhe detaje; ashtu si faljet e njerëzve të zakonshëm si ti e unë –madje edhe në qoftë se ata nuk janë të vetëdijshëm për të– kanë një pjesë nga ajo dritë si namazi i një shenjtori (evlijau). Ndodhet një mister në këtë të vërtetë, edhe në qoftë se nuk e kap atë vetëdija…

Por zbulimi dhe ndriçimi ndryshon sipas shkallëve të atyre që i kryejnë ato, si ndryshimi i shkallëve të shumta që ndodhen midis bërthamës së hurmës me atë të pemës së rritur. Pavarësisht se në shkallët e faljes, fazat mund të jenë më të shumta, veçse ama në të gjitha ato shkallë ndodhet një themel nga ajo e vërtetë ndriçuese…

اَللّهُمَّ صَلِّ وَسَلِّمْ عَلَى مَنْ قَالَ اَلصَّلاَةُ عِمَادُ الدِّينِ وَعَلَى آلِهِ وَصَحْبِهِ اَجْمَعِينَ

OAll-llah jepi bekime e paqë atij, i cili tha: Pesë faljet në ditë janë shtyllat e fesë” dhe të gjithë familjes së tij dhe të gjithë shokëve të tij.”

 

STACIONI I DYTË I FJALËS
SË NJËZET E NJË

Kjo përmban pesë ilaçe për pesë nga plagët e zemrës

 

بِسْمِ اللّهِ الرَّحْمنِ الرَّحِيمِ

رَبِّ اَعُوذُ بِكَ مِنْ هَمَزَاتِ الشَّيَاطِينِ , وَاَعُوذُ بِكَ رَبِّ اَنْ يَحْضُرُونِ

 “Dhe thuaj: Zoti im! Të mbështetem Ty (të më ruash) nga pëshpëritjet e shejtanit. Dhe të mbështetem Ty, o Zoti im! Se përndryshe ata do të më afroheshin.”[235]

O ti që je goditur me sëmundjen e vesveses (pëshpëritje e iluzion, mashtrim nga Djalli, nga ide fikse!) A e di ti se kujt i ngjason ky iluzion e mashtrim? I ngjason një fatkeqësie. Sa më shumë rëndësi që t’u japësh atyre, aq më shumë ato zhvillohen. Në qoftë se ti nuk u jep rëndësi, ato shuhen e kapiten. Nëse ti i shikon ato si të mëdhaja, ato bëhen akoma më të mëdha. Në qoftë se ti i shikon si të vogla, ato bëhen më të vogla. Në qoftë se ti i ke frikë, ato të ënjtin dhe të bëjnë ty të sëmurë. Në qoftë se ti nuk i ke frikë, ato bëhen të lehta dhe mbeten të fshehura. Në qoftë se ti nuk  e njeh natyrën e tyre të vërtetë, ato ngulmojnë dhe vazhdojnë të ngulen e të zënë vend. Ndërsa në qoftë se ti e njeh realitetin e tyre, ato zhduken e ikin. Dhe kështu, unë do të të shpjegoj vetëm “Pesë Aspekte” të cilat, nga shumë lloje  të këtyre vesveseve të kobshme janë ato që ndodhin më shumë. Sigurisht kjo mund të jetë shëruese për ty dhe për mua, veçse këto vesvese janë të tilla, saqë injoranca i fton ato, ndërsa njohja i zmbraps e i kundërshton ato. Në qoftë se nuk i njeh, ato vijnë; në qoftë se ti i njeh, ato ikin.

 

ASPEKTI I PARË – PLAGA E PARË

Shejtani në fillim hedh një dyshim në zemër. Në qoftë se zemra nuk e pranon atë, atëherë ai nga një dyshim shndërrohet në sharje e fyerje. Ai paraqet e pikturon para imagjinatës kujtesa të papastëra e të pahijshme të cilat janë kundra etikës, gjendje të shëmtuara që i ngjasojnë  sharjes e fyerjes, dhe e bëjnë zemrën të thotë: “Oh medet!”, dhe e bëjnë atë të bie në dëshpërim. Njeriu duke vuajtur nga këto vesvese supozon se zemra e tij është mëkatare dhe se ajo ka vepruar gjëra të padrejta e të këqija para Krijuesit të tij Gjithëbujar dhe ndjen një turbullirë të tmerrshme dhe shqetësim. Me qëllim që të shpëtojë nga ajo, ai ikën nga prania Hyjnore dhe dëshiron të zhytet në pakujdesi. Ilaçi për këtë plagë është ky:

O njeri i mjerë që po vuan nga vesveset (pëshpëritjet djallëzore)! Mos u shqetëso! Sepse ajo që vjen në mendjen tënde nuk është as sharje, as fyerje, por sigurisht është diçka imagjinare e paqenë. Ashtu si të imagjinuarit e kufrit, mosbesimit, që nuk është kufr, po ashtu ta imagjinosh sharjen, nuk është sharje, sepse sipas logjikës, të imagjinuarit nuk është gjykim, ndërsa sharja është një gjykim. Për më tepër, ato fjalë të shëmtuara, nuk janë fjalët e zemrës tënde, sepse zemra jote është e dëshpëruar dhe e hidhëruar prej tyre. Por sigurisht ato vijnë nga një aftësi e brendshme e vendosur pranë zemrës e cila është mjeti për pëshpëritjet e mashtrimet e djallit. Prandaj dëmi i vesveses është të imagjinuarit e dëmit. Domethënë, është kur ne vuajmë dëm në zemër nëpërmjet të imagjinuarit të tyre si të dëmshme, sepse njeriu e përfytyron një imagjinatë e cila s’ka asnjë bazë si të ishte realitet, pastaj ia atribuon zemrës veprat e shejtanit; pra të supozosh që fjalët e tij të jenë nga zemra. Një person i tillë e mendon atë imagjinatë të dëmshme, kështu ajo bëhet e dëmshme, dhe atëherë ai bie në dëm. Dhe pikërisht kjo është ajo që dëshiron shejtani.

 

ASPEKTI I DYTË

 Është ky: Kur kuptimet lindin e shfaqen nga zemra, ato futen në imagjinatë të zhveshura nga forma, atje ato vishen në formë të caktuar. Dhe imagjinata gjithmonë, për disa shkaqe të veçanta, thur një lloj formash. Ajo i lëshon në rrugë format e gjërave të cilave ajo u jep rëndësi. Çfarëdo kuptimi që kalon përmes imagjinatës, ajo ose i vesh atij një endje, ose ia var atë, ose e ndot atë, ose e mbulon atë. Në qoftë se kuptimet janë të pastërta e të kulluara dhe format janë të ndotura e të ulëta, atëherë nuk ka veshje, por ka thjesht kontakt, prekje.

Njeriu me vesvese (iluzione djallëzore) ngatërron prekjen duke e pandehur atë të jetë veshje. Dhe thotë me vete: “Oh, medet! Sa e prishur është bërë zemra ime! Kjo ultësi dhe kjo poshtërsi do të më dëbojë mua nga mëshira e Zotit xh.sh.”. Shejtani  e shfrytëzon plotësisht këtë damar të tij. Ilaçi për këtë plagë është siç vijon:

Dëgjo o i mjerë! Ashtu si pastërtia e jashtme, që është mjeti për saktësinë e pastër të faljeve të tua, e cila nuk preket dhe nuk prishet nga papastërtia e brendësisë së organeve të tua të brendshme, po ashtu kuptimet e shenjta duke qenë pranë formave të papastërta nuk dëmtohen –prej atyre formave të papastërta.

Për shembull: Ti mund të jesh duke shqyrtuar një nga vërsetet, shenjat e Zotit xh.sh., dhe befas ti ndjehesh i sëmurë, ose ndjen një dëshirë të madhe, oreks, ose një nxitje e fortë të prekë ndjenjën tënde, si nevoja për të bërë ujin e hollë, natyrisht imagjinata jote do të shohë çfarëdo që është e domosdoshme për të shëruar sëmundjen ose për t’iu përgjigjur nevojës, do ta shohë atë, i vesh forma të ulta të përshtatshme me to. Dhe kuptimet e ardhura nga reflektimi yt do të kalojnë midis atyre formave të ulëta imagjinare. Por nuk ka dëm në kalimin e tyre, as ndotje, as  rrezik dhe as prishje. Në qoftë se ka ndonjë gabim, ai është nëse ti u jep rëndësi atyre dhe nëse imagjinon dëm prej tyre.

 

ASPEKTI I TRETË

Është ky: Ndodhen disa lidhje të fshehta midis gjërave. Madje ndodhen fije lidhjesh në gjërat të cilat ne aspak nuk i parashikojmë. Këto fije, ose janë vetekzistuese, domethënë ato janë realitet, ose janë nga rezultatet e imagjinatës tënde e cila i ka bërë këto fije dhe i ka lidhur ato me njëra tjetrën sipas artit a punës me të cilën ajo është e preokupuar. Për shkak të këtij misteri lidhjesh, ndonjëherë, ndërsa je duke shikuar një gjë të shenjtë, të kujtohet një gjë e ndyrë. Ashtu siç thuhet në shkencën e retorikës, “Kundërvënia, e cila është shkaku i largësisë në botën e jashtme, është shkaku i afërsisë në imagjinatë”. Domethënë, ajo që bashkon format e dy gjërave të kundërta është veçse imagjinata, sjellja ndërmend, kujtesat, mendimet, që ndodhin nëpërmjet kësaj lidhjeje që quhet, “bashkëshoqërim ideshë.”

Për shembull, ndërsa ti je duke kryer faljen ose duke bërë lutje para Qabesë, në praninë Hyjnore, megjithëse je duke reflektuar mbi vërsetet kur’anore, ky bashkëshoqërim idesh të merr ty dhe të çon tek diçka shumë e largët, tek më e ulëta dhe tek më banalja e gjërave. Prandaj nëse koka jote është goditur me bashkëshoqërim idesh të tilla si ajo, kij kujdes! Mos u shqetëso e mos u tremb. Por, në momentin që të vish më vete, kthehu tek gjendja jote e natyrshme. Mos thuaj: “Oh çfarë gabimi kam bërë unë!” dhe pastaj të fillosh me ngut të hetosh shkakun, sepse nëpërmjet rëndësisë që i jep, ajo lidhje e dobët gjen forcë; sepse sa më shumë të shqetësohesh, aq më shumë rëndësi i jep ti asaj. Kujtesa jote e dobët bëhet e pandreqshme, pasi ato mendime shndërrohen në një shprehi –zakon– i ngulitur thellë që përparon gradualisht derisa transformohet në një sëmundje imagjinare. Por, mos u frikëso! Kjo nuk është sëmundje e zemrës. Kjo lloj kujtese vjen kryesisht në mënyrë të pavullnetshme; në mënyrë të veçantë, ky lloj është më i përgjithshëm e i zakonshëm tek njerëzit e ndjeshëm dhe nervozë. Shejtani depërton thellë me këto vesvese. Ilaçi për këtë plagë është sa vijon:

Bashkëshoqërimi i ideve është kryesisht i pavullnetshëm, prandaj njeriu nuk është përgjegjës për to. Në bashkëshoqërim idesh ka thjesht afërsi; nuk ka as prekje, as përzierje. Prandaj, natyra e ideve nuk kalojnë njëra-tjetrën dhe kështu nuk e dëmtojnë njëra-tjetrën. Ashtu si shejtani dhe meleku i frymëzimit duke qenë në afërsi me njëri-tjetrin rreth zemrës, dhe mëkatarët e të drejtit duke qenë afër njëri-tjetrit që nuk shkaktojnë dëm, po ashtu, në qoftë se tek nxitja dhe pëshpëritja e bashkëshoqërimit të ideve, imagjinata të këqija e të ulëta vijnë e hyjnë midis mendimeve të pastërta, ato nuk shkaktojnë dëm, veçse në qoftë se janë të qëllimshme, ose në qoftë se e preokupon veten tënde shumë me to duke i imaginuar ato të dëmshme për ty. Ndonjëherë zemra lodhet dhe mendimi preokupohet me diçka të rastësishme me qëllim që të zbavisë vetveten, atëherë shejtani e shfrytëzon këtë rast dhe paraqet e përhap gjërat e pista para këtij njeriu dhe e nxit.

 

ASPEKTI I KATËRT

Kjo është një vesvese –pëshpëritje– që ndodh nga kërkimi për formën më të mirë të një veprimi duke e tepruar në hetim. Sa më i rreptë të jetë njeriu në këtë –me emrin e frikës së Zotit xh.sh. dhe të takvasë– aq më e ashpër dhe e vështirë bëhet çështja për të. Ai madje arrin në një pikë të tillë që, ndërsa po kërkon format më të mira të veprimit, ai bie në atë që është haram. Ndonjëherë duke kërkuar për një sunnet –vepër e padetyrueshme– e bën atë të braktisë diçka që është ‘vaxhib’ –veprim i detyrueshëm. Ai thotë me vete: “Nuk e di, a është ky veprimi im i rregullt dhe i pranueshëm?” dhe e përsërit atë. Kjo gjendje vazhdon dhe ai bie në një dëshpërim të tmerrshëm. Shejtani e shfrytëzon plotësisht këtë gjendje të tij dhe e plagos atë. Për këtë plagë ka dy ilaçe.

Ilaçi i parë: Vesvese apo pëshpëritje të tilla si këto janë të përshtatshëm vetëm për Mu’tezilitët, sepse ata  thonë: “Veprat dhe gjërat për të cilat një person është përgjegjës, për sa ka të bëjë me shpërblimin e Ahiretit, janë të mira ose të këqija në vetvete, pastaj vjen Sheriati dhe vendos e përcakton se kjo është e mirë dhe kjo është e keqe. Domethënë, e mira dhe e keqja në natyrën e gjërave varen nga vetë gjërat sipas shpërblimit të Ahiretit, dhe urdhëresat e ndalesat Hyjnore e ndjekin këtë.” Kjo shkollë mendimi e çon njeriun në pëshpëritje dhe të bëjë gjithmonë hetime në punët e tij, duke thënë: “Nuk e di nëse veprimi im është kryer në mënyrën më të mirë, ashtu siç është ai në esencë?’ Ndërsa shkolla e vërtetë, Ehli Sunnet vel-xhemaat, thotë: “Zoti i Gjithëfuqishëm e urdhëron një gjë, dhe pastaj ajo është e mirë dhe e ndalon një gjë, dhe pastaj ajo bëhet e keqe.”

Domethënë, e mira bëhet ekzistuese nëpërmjet urdhërit, dhe e keqja nëpërmjet urdhërit ndalues.

Domethënë, këta shikojnë tek vetëdija e atij që e kryen veprimin, dhe ato, e mira dhe e keqja, përcaktohen, vërtetohen sipas saj. Dhe kjo e mirë dhe kjo e keqe nuk janë në fytyrën e dukshme, e cila shikon tek kjo botë, por në fytyrën që shikon Ahiretin. –Pra ato të dyja lidhen me përfundimet e tyre në Ahiret, dhe jo t’i shikosh në dynja.–

Për shembull, në qoftë se ti ke marrë avdes ose ke kryer faljen dhe ndodhi një shkak që e ka prishur avdesin tënd dhe faljen, por ti ishe krejtësisht i pavetëdijshëm për të, atëherë falja jote dhe avdesi yt në këtë gjendje janë të sakta dhe të pranueshme. Ndërsa mutezilitët thonë: “Në realitet ato të dyja ishin të këqija dhe të pasakta, por ato mund të pranohen për ty për shkak të  injorancës tënde, dhe meqenëse nuk e dije këtë, ti ke një arsye.”

Atëherë sipas shkollës së Ehli Sunnetit vel-Xhemaah, mos thuaj për një veprim i cili është i përputhshëm me anën e jashtme të Sheriatit: “Nuk e di nëse është e saktë?” mos ki iluzione e vesvese rreth saktësisë së veprimit tënd. Por ki kujdes gjithashtu që të mos mburresh me veprimin dhe të krenohesh, sepse ti nuk e di njohjen e sigurt, “A është pranuar tek All-llahu apo jo?”

Ilaçi i dytë: Ky është: لاَ حَرَجَ فِى الدِّينِ “Nuk ka vështirësi në fe.” Meqenëse katër medhhebet, katër shkollat e fikhut, janë të vërteta, atëherë në qoftë se njeriu me vesvese do t’i kuptonte neglizhencën dhe mangësitë e tij, ai duhet të vazhdojë istigfarin –kërkimin e faljes– këtë veprim i cili është më i rëndë në peshore se sa mburrja që buron nga pëlqimi i vetes për punët e mira të tij. Prandaj, në qoftë se dikush i goditur nga vesveset, do ta shikonte veten e tij në mangësi në kryerjen e detyrave, atëherë le t’i kërkojë falje All-llahut, sepse kjo do të ishte më e preferueshme për të se sa të krenohet duke admiruar punën e tij. Meqenëse çështja është kështu, atëherë flaki pëshpëritjet –vesveset– dhe i thuaj shejtanit: “Kjo gjendje është një vështirësi. Është e vështirë të jesh i vetëdijshëm për realitetin e gjërave. Ajo është kundra parimit të shprehur nga اَلدِّينُ يُسْرٌ لاَ حَرَجَ فِى الدِّينِ “Nuk ka vështirësi në fe”; “Feja është lehtësi.” Sigurisht që kjo puna ime është e përputhshme me njërin nga katër medhhebet e vërteta islame dhe kjo më mjafton mua. Dhe kam pranuar pafuqinë time meqenëse unë nuk mund ta bëj adhurimin në mënyrën e vlefshme që duhet, kjo është një mënyrë që të kërkoj strehim tek mëshira Hyjnore nëpërmjet përulësisë duke i kërkuar falje dhe duke iu lutur përunjësisht që Ai t’i pranojë veprimet e mia të mangëta.”

 

ASPEKTI I PESTË

Në çështjet e besimit, ajo çfarë futet në formën e dyshimeve janë vesveset, mashtrimet djallëzore. Njeriu fatkeq, duke vuajtur nga vesveset, ndonjëherë i ngatërron konceptet në mendjen e tij me imagjinata. Domethënë, ai e imagjinon dyshimin që ka ardhur tek imagjinata e tij të jetë një dyshim që ka hyrë në mendjen e tij, dhe supozon se besimi i tij është prishur. Ndonjëherë ai supozon se dyshimi që ai ka imagjinuar, ka dëmtuar imanin e tij. Dhe ndonjëherë tjetër ai pandeh se dyshimi që ai ka imagjinuar, është vërtetuar nga arsyeja e tij. Dhe ndoshta ai mendon se çdo shqyrtim në çështjet e kufrit (mosbesimit) është kufr.

Domethënë, ai supozon se është në kundërshtim me besimin  që të ushtrojë aftësitë e tij për të reflektuar në formën e kuptimit, shkaqet e çudhëzimit, studimin e tij dhe arsyetimin në mënyrë të paanshme. Kështu, duke u trembur tek këto supozime, të cilat rezultojnë nga pëshpëritjet e shejtanit, ai thotë: “O sa keq! Më është prishur zemra dhe më është dëmtuar besimi.” Meqenëse këto gjendje janë kryesisht të pavullnetshme dhe meqenëse ai nuk mund t’i rregullojë ato me dëshirën e tij të pjesshme, atëherë ai bie në dëshpërim. Ilaçi për këtë plagë është sa vijon:

Të imagjinuarit e kufrit –mosbesimit– nuk është kufr, as të përfytyruarit e mohimit nuk është mohim. Dhe ashtu si të imagjinuarit e çudhëzimit që nuk është çudhëzim, po ashtu të reflektosh mbi çudhëzimin nuk është çudhëzim, sepse imagjinata, supozimi, përfytyrimi dhe reflektimi janë të ndryshme nga vërtetimi me arsye dhe nga nënshtrimi i zemrës. “Ato -imagjinata, supozimi…- janë të lira deri në një farë mase. Ato nuk e dëgjojnë aftësinë e dëshirës. Ato nuk futen krejtësisht nën detyrimet e fesë. Ndërsa vërtetimi dhe nënshtrimi nuk janë ashtu; ato të dyja i nënshtrohen mizanit, peshores. Meqenëse imagjinata, supozimi, përfytyrimi dhe reflektimi nuk janë vërtetim e nënshtrim, atëherë ato nuk konsiderohen dyshim e ngurrim.

Por  në qoftë se kjo gjendje përsëritet pa justifikim dhe arrin një gjendje stabiliteti në nefs, atëherë një lloj i dyshimit real mund të lindë prej tyre. Gjithashtu duke e quajtur atë një arsyetim të paanshëm ose të qenët i drejtë, duke marrë në mënyrë të vazhdueshme pjesën e anës kundërshtare, arrin një pikë saqë një person i tillë në mënyrë të pavullnetshme favorizon anën kundërshtare. Preferenca e tij për të vërtetën, e cila është detyrë për të, rrënohet. Dhe ai gjithashtu bie në rrezik, sepse në mendjen e tij vendoset një gjendje, që i ngjason një përfaqësuesi jozyrtar të shejtanit, ose të armikut, duke u bërë kështu me anën kundërshtare.

Më e rëndësishmja e këtij lloj vesvesi është ky: Personi duke vuajtur nga kjo, ngatërron diçka që është mundësia aktuale, me diçka tjetër që është “mundësia mendore”, domethënë, ai e imagjinon me intelektin e tij dhe dyshon me mendjen e tij atë që e sheh të mundshme në vetvete. Ndërsa njëri nga parimet e teologjisë është se “diçka që është e mundur nga vetvetja nuk e kundërshton sigurinë e dhënë nga njohja”, dhe ajo nuk është në kontradiktë me kërkesat e arsyes.

Për shembull, Deti i Zi, duke u fundosur e zhytur në tokë në këtë moment është e mundur nga vetvetja, por ne gjykojmë me siguri se deti është në vendin e vet, dhe ne e dimë këtë pa asnjë dyshim, dhe se mundësia e cila është, ‘mundësia aktuale’ nuk na shkakton ne dyshim dhe nuk e dëmton sigurinë tonë. Dhe për shembull, nga vetvetja është e mundur që dielli të mos perëndojë sot ose që ai të mos lindë nesër. Por kjo mundësi nuk i shkakton dëm sigurisë  dhe nuk lind ndonjë dyshim. Atëherë, kështu si kjo, supozimet e pabaza që burojnë nga mundësitë e këtij lloji si shembulli i perëndimit të dynjasë dhe lindja e Ahiretit, të cilat janë midis të vërtetave të besimit, nuk i shkaktojnë ndonjë defekt sigurisë së besimit.

Për më tepër, rregulli i mirënjohur,

لاَ عِبْرَةَ ِلْلاِحْتِمَالِ الْغَيْرِ النَّاشِئِ عَنْ دَلِيلٍ

“Një mundësi që nuk buron nga ndonjë provë apo dëshmi është e parëndësishme”, është  një nga parimet e vendosura në shkencat e bazave të besimit dhe të bazave të Fikhut.

Në qoftë se ti thua: Cila është urtësia e sprovimit të besimtarëve me këto vesvese shqetësuese e të dëmshme për zemrën?”

Përgjigjja: Me kusht që ato të mos na çojnë në tepri e të mos na përmbysin, në esencë pëshpëritjet janë shkak vigjilence, çojnë në kërkimin e rrugës më të mirë dhe janë mjete serioziteti. Ato e flakin tutje indiferencën dhe zmbrapsin pakujdesinë. Prandaj në botën e provimit dhe në arenën e konkursit, i Gjithurti Absolut ia dha ato dorës së shejtanit si një kërbaç nxitjeje për ne. Ai na godet me të tek kokat tona. Në qoftë se ai të vret shumë, atëherë njeriu duhet t’i ankohet të Gjithurtit të Gjithëmëshirshëm, dhe të thotë:

اَعُوذُ بِاللَّهِ مِنَ الشَّيْطَانِ الرَّجِيمِ

“I kërkoj mbrojtje All-llahut nga Djalli i mallkuar.”

[232] Kur’an, 4:103

[233] Shënim: Ky Stacion ishte një mësim për dikë që është në një pemishte, prandaj ai u shpjegua në këtë mënyrë. Autori.

[234] Kur’an, 24:35

[235] Kuran, 23: 97-98

***