Disa njerëz të pakujdesshëm e miratojnë mbajtjen e hutbes së ditës së xhuma dhe të disa shenjave të Islamit në gjuhën e atij vendi, duke e përdorur në vend të arabishtes, për dy arsye:
E para: “Që njerëzit e zakonshëm nga masat e muslimanëve të mund të kuptojnë ngjarjet politike.” Por politikat e kohës aktuale janë bërë aq të ngatërruara e të përziera me gënjeshtra, me dredhi e ligësi saqë janë bërë tamam si pëshpëritjet e djallit. Dhe predikatorja – hutbeja– është vendi për të dhënë shpalljen Hyjnore; kështu pëshpëritjet e politikës nuk kanë të drejtë të ngjiten në atë pozitë të lartë.
Arsyeja e dytë: “Predikimi i xhumasë është për të kuptuar paralajmërimet e disa sureve të Kur’anit.” Po, në qoftë se shumica e muslimanëve do t’iu bindeshin mësimeve thelbësore të Islamit, çështjeve të pakundërshtueshme të Islamit dhe urdhëresave të njohura të domosdoshme dhe t’i zbatonin ato, atëherë të lexuarit e predikimit në gjuhën e njohur dhe përkthimi i Kur’anit [Fjala e Njëzet e Pestë, rreth mrekullisë së Kur’anit, ka treguar se një përkthim i vërtetë i Kur’anit nuk është i mundur. (Autori)], nëse do të ishte e mundur, mund të jetë e dëshirueshme, me qëllim që të kuptohen çështjet teorike të Sheriatit, temat e tij të holla dhe këshillat e pakuptueshme. Por në këtë kohën tonë, urdhëresat e njohura e të qarta janë neglizhuar, si domosdoshmëria e namazit dhe e zekatit, agjërimi, paligjshmëria e vrasjes, kurvërimi dhe pija alkoolike. Njerëzit e zakonshëm muslimanë nuk kanë aq nevojë për mësime rreth njohjes së kësaj domosdoshmërie dhe asaj paligjshmërie, sa kanë nevojë për nënshtrimin ndaj atyre dispozitave dhe urdhërave dhe për t’i ndjekur ato në jetët e tyre. Dhe kjo nuk plotësohet veçse nëpërmjet përsëritjes së tyre dhe nxitjes e paralajmërimit për t’ua kujtuar ato dekrete të shenjta duke ngjallur entuziazmin e Islamit në damarët e tyre dhe duke ndezur ndjenjat e besimit tek ata me qëllim që të zgjohen e t’u binden atyre dispozitave të pastërta. Ndërsa muslimani i zakonshëm sado i paditur të jetë e kap këtë kuptim të përgjithshëm nga Kur’ani Kerim dhe nga hutbeja në gjuhën arabe, kupton nga thellësitë e zemrës së tij dhe thotë: “Predikuesi dhe hafizi i Kur’anit po i kujton vetes së tij dhe po u kujton edhe të tjerëve shtyllat e imanit dhe themelet e Islamit të cilat janë të njohura nga unë dhe nga të tjerët, dhe po na i mëson ne dhe është duke i recituar ato” dhe këtu atij i mbushet zemra me dëshirë të zjarrtë për t’i zbatuar ato dispozita.
Çfarë fjalësh ka në univers që mund të krahasohen me atë të Kur’anit të gjithurtë, me mësimet e tij të mrekullueshme, me kujtueset instruktive dhe me paralajmërimet e nxitjet e tij të cilat vijnë nga Froni më i lartë! Bediuzzaman Said Nursi, Libri FJALET, Fjala 27./ www.zell.al