Lexo PDF

 

SHKREPTIMA E NJËZET E TRE

 

Trajtesa rreth Natyrës

[E shkruar si Shënimi i Gjashtëmbëdhjetë i Shkreptimës së Shtatëmbëdhjetë, kjo pjesë e Risale-i Nurit më vonë u emërtua si Shkreptima e Njëzet e Tretë për shkak të rëndësisë së saj. Sepse kjo e shkatërron tërësisht rrymën ateiste që buron nga koncepti i ‘Natyrës’ duke mos i dhënë më shans për t’u rimëkëmbë, dhe i rrënon plotësisht gurët themeltarë të mosbesimit.]

 

Një Kujtues

Kjo trajtesë shpjegon nëpërmjet nëntë ‘Pamundësive’, të cilat në vetvete përmbajnë të paktën nëntëdhjetë pamundësi, se sa e paarsyeshme, e trashë e bestytnore është rruga të cilën e ndjekin Natyralistët ateistë. Meqenëse disa nga ato pamundësi janë shpjeguar pjesërisht në vende të tjera të Risale-i Nurit, ato kanë ardhur këtu të përmbledhura brenda “pamundësish” të tjera, ose kanë ardhur disi të shkurtuara.

Pyetja që më vjen në mendje është kjo: “Si është e mundur që ata filozofë të famshëm dhe të ashtuquajtur brilantë e pranuan një bestytni të turpshme të tillë, ia dorëzuan asaj mendjet e tyre dhe vazhdojnë ta ndjekin atë rrugë?

Përgjigjja: Fakti se ata nuk mund as ta shohin realitetin e rrugës së tyre, as anën e brendshme të metodës së tyre, as nuk kanë kapur ‘Pamundësitë’ -që ua kërkon rruga e tyre- dhe gjërat e prishura e të paarsyeshme që ua kërkon medoemos metoda e tyre, dhe ato që janë përmendur në fillimin e çdo pamundësie vijnë në këtë trajtesë. [1]

Unë jam krejtësisht i gatshëm të shpjegoj me hollësi dhe ta provoj nëpërmjet argumenteve të qarta e vendimtare për ata që i bëjnë dyshimet dhe t’ua shpjegoj atyre në mënyrë të shtjelluar e të detajuar.

 

Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

“Të dërguarit e tyre u thanë: “(çfarë)?! A ka dyshim për Allahun, Krijuesin e qiejve e të tokës?”[2]

Duke deklaruar nëpërmjet përdorimit të një pyetjeje retorike se nuk mundet të ketë e nuk duhet të ketë asnjë dyshim rreth Allahut të Plotëfuqishëm, ky vërset demonstron qartë ekzistencën e Zotit xh.sh. dhe Unitetin e Tij.

Para se të shpjegojmë këtë mister, dëshiroj të përmend çka vijon: Kur shkova në Ankara në vitin 1920, morali i njerëzve të besimit ishte shumë i lartë si rezultat i fitores së ushtrisë islame mbi grekët. Por unë pashë se një rrymë e urryer ateizmi po përpiqej pabesisht e tradhëtisht për të prishur, helmosur dhe për të shkatërruar mendjet e tyre. “O Zot!” Unë thirra, “kjo kuçedër synon të dëmtojë themelet e besimit”. Në këtë pikë, meqenëse vërseti i lartëpërmendur shpjegon në mënyrë të vetëkuptueshme ekzistencën e Allahut dhe qartësinë e unitetit të Tij, unë kërkova ndihmë prej tij dhe shkrova një trajtesë në arabisht që përbëhet nga një provë e cila u mor nga Kur’ani i gjithurtë dhe ishte mjaft e fuqishme për ta shpartalluar e dërrmuar atë rrymë ateiste. Unë e botova atë në Ankara në shtypshkronjën Jeni Gyn. Por, medet, ata të cilët e njihnin arabishten ishin të pakët në numër, ndërsa ata të cilët e shqyrtuan atë me seriozitet ishin të rrallë. Gjithashtu argumenti i saj ishte në një formë tej mase të përmbledhur e të shkurtuar. Si rrjedhojë, trajtesa nuk e pati efektin që duhet ta kishte dhënë dhe, me keqardhje, ajo rrymë ateizmi grufulloi, u shtua dhe fitoi fuqi. Tani unë ndjehem i detyruar ta shpjegoj përsëri atë trajtesë me provat e saja në turqisht. Meqenëse disa pjesë prej atyre argumenteve janë shpjeguar plotësisht në pjesët e tjera të Risale-i Nurit, ajo do të shkruhet në mënyrë të përmbledhur këtu.

Ato prova të shumta bashkohen pjesërisht në këtë provë; prandaj secila prej tyre mund të shikohet si një element i kësaj trajtese.

* * *

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Parathënie

O Njeri! Ti duhet të jesh në dijeni se ndodhen disa fraza të cilat përdoren gjërësisht dhe nënkuptojnë mosbesimin. Gjithashtu edhe besimtarët i përdorin ato, por pa i kuptuar nënkuptimet e tyre të rrezikshme. Ne do të shpjegojmë tre prej më të rëndësishmeve të tyre.

 

E Para: Thënia e tyre për diçka: “Shkaqet e krijuan këtë”.

 

E Dyta: Thënia e tyre për diçka: “Ajo gjë formon vetveten, formohet vetë”.

Domethënë, ajo vjen në ekzistencë vetvetiu, e krijon vetë vetveten, dhe përfundon në formën tek e cila ka mbaruar, ashtu siç është ajo tani”.

 

E Treta: Thënia e tyre për diçka: “Është natyror -joartificial; Natyra e bëri atë të domosdoshëm dhe e krijoi atë”.

Po, meqenëse gjërat ekzistojnë dhe kjo nuk mund të mohohet, dhe meqenëse çdo qënie vjen në ekzistencë në një mënyrë të urtë e artistike dhe, meqenëse secila prej tyre nuk është jashtë kohës por ripërtërihet vazhdimisht, atëherë o ateist, o shtrembëruesi i së vërtetës, ti ose detyrohesh të thuash se shkaqet në botë i krijojnë gjërat, për shembull, këtë kafshë; domethënë, ajo vjen në ekzistencë nëpërmjet grumbullimit të shkaqeve, ose se ajo formon vetveten, ose se ardhja e saj në ekzistencë është një kërkesë dhe një efekt i domosdoshëm i natyrës, ose se ajo është krijuar nëpërmjet fuqisë së Krijuesit të Gjithëfuqishëm e të Gjithëlavdishëm. Meqenëse arsyeja nuk mund të gjejë asnjë rrugë përveç këtyre të katërtave, në qoftë se tre të parat janë provuar prerazi se janë të pamundura, të shfuqizuara dhe absurde, rruga e Unitetit Hyjnor, e cila është Rruga e katërt, në mënyrë të domosdoshme, të vetëkuptueshme dhe padyshim, do të provohet e vërtetë.

 

Rruga e Parë

Kjo është të imagjinuarit se formimi dhe ekzistenca e gjërave, krijesave, ndodh nëpërmjet grumbullimit së bashku të shkaqeve në univers. Ne do të përmendim vetëm tre nga pamundësitë e saj të shumta.

Pamundësia e Parë

Imagjino se ndodhet një farmaci në të cilën ndodhen qindra enë -kavanozë- dhe shishe të vogëla -ampula- të mbushura me substanca kimike krejtësisht të ndryshme, dhe për ndonjë arsye, ne jemi të nevojshëm për një përgatesë farmaceutike të gjallë prej atyre substancave dhe lëndëve për të përgatitur një lëndë të gjallë të jashtëzakonshme kundra helmimit.. Kur futemi në farmaci ne gjejmë në të shumë prej llojeve të asaj përgateseje farmaceutike të gjallë dhe prej asaj substance të gjallë kundra helmimit, dhe kur ne fillojmë të analizojmë e shqyrtojmë secilën përgatesë, shohim se elementet përbërës janë marrë në sasi të ndryshme por të sakta nga secila prej kavanozëve dhe shisheve të vogla; një gram prej kësaj, tre nga ajo, dhjetë gram nga tjetra dhe kështu me rradhë. Në qoftë se do të ishte marrë një gram më shumë ose më pak, përgatesa nuk do të kishte qenë e gjallë dhe nuk do ta kishte shfaqur cilësinë e saj të veçantë. Tani ne vijmë tek “substanca e gjallë kundra helmimit” dhe e studiojmë nga këndvështrimi kimik; ne shohim se përgatesat janë marrë nga shishet e vogla në një masë të caktuar saqë në qoftë se sasia më e vogël do të ishte marrë më shumë ose më pak, atëherë ilaçi do ta kishte humbur veçorinë e tij të veçantë.

Tani, megjithëse enët -shishet- janë më shumë se pesëdhjetë, përgatesat janë marrë nga secila në përputhje me masat dhe sasitë të cilat që të gjitha janë të ndryshme.

A do të ishte e mundur apo e arsyeshme që përgatesat dhe shishet e vogla të ishin goditur nga një rastësi e çuditshme ose nga një hov i befasishëm i erës dhe se vetëm sasitë e sakta, ndonëse të ndryshme, të ishin marrë prej secilës prej tyre, duhet të ishin derdhur dhe pastaj të ishin sistemuar e përgatitur vetë dhe të vinin së bashku për të formuar ilaçin e gjallë? A ka ndonjë gjë më bestytnore, më të pamundur e më absurde se sa kjo? Në qoftë se një gomar do të mund të fliste, do të thonte: “Unë nuk mund ta pranoj këtë ide!”, dhe do të ikte me të katra!

E ngjashme me këtë, çdo qënie e gjallë mund t’i përngjasojë përgatesës së gjallë në krahasim, dhe çdo bimë i ngjason një ilaçi të gjallë kundra helmimit, sepse ato janë përbërë nga lënda e cila është marrë në masën më të saktë nga substanca vërtetë të shumta e të ndryshme. Atëherë, në qoftë se krijimi i kësaj qënieje të mahnitshme do t’u atribuohej shkaqeve materiale dhe elementëve dhe do të pretendohej e thuhej se “Shkaqet e krijuan këtë”, kjo do të ishte e pamundur dhe absurde njëqind herë më shumë, ashtu si të pretenduarit se përgatesa farmaceutike në farmaci erdhi në ekzistencë, u krijua nga shishet e vogla të cilat u goditën rastësisht -aksidentalisht.

Shkurtazi: Substancat e gjalla në këtë farmaci të gjërë të universit, të cilat janë matur e peshuar me peshoret e Kaderit Hyjnor dhe me vendimin -dekretin- e të Gjithurtit të Gjithëditur, mund të vijnë në ekzistencë vetëm se nëpërmjet një urtësie të pakufishme, një njohje të pafundme dhe të një Dëshire gjithëpërfshirëse të gjithanshme.

Përndryshe, sa i mjerë e fatkeq është ai njeri që imagjinon se “Këto qënie janë vepra e elementeve të përgjithshme të gjithësisë, të cilat janë të verbëra e të shurdhëta që vërshojnë si rrymat; ose ato janë prej veprave të natyrës së lëndëve ose “prej veprës së shkaqeve materiale!”

Nuk ka dyshim se personi i marrë e në kllapi i cili pretendon se ai ilaç i çuditshëm u gjet vetvetiu nga përplasja e shisheve të vogla dhe nga derdhja e asaj që ishte brenda tyre, dhe si rrjedhojë e kësaj, ai formoi vetveten. Po, një mohim i tillë është kllapia e një të çmenduri dhe marrëzia e një të dehuri.

Pamundësia e Dytë

Në qoftë se krijimi i çdo gjëje nuk do t’i atribuohej të Vetmit të Gjithëfuqishëm e të Gjithëlavdishëm, por do t’i atribuohej shkaqeve materiale, atëherë do të bëhej e domosdoshme që shumica e elementeve të universit dhe të shkaqeve të tij të ndërhynin e të kishin ndikim në ekzistencën e çdo qënieje të gjallë.

Gjendja është se ardhja së bashku e shkaqeve të kundërta e të ndryshme midis tyre vetë, vetvetiu, në përputhje me një rregull të plotë, me masë të hollë dhe me një harmoni të plotë në trupin e një krijese të vogël si miza për shembull, është një pamundësi e tillë e dukshme saqë cilido që ka mend sa krahu i një mize do ta refuzonte atë duke thënë: kjo është e pamundur, kjo është absurde.. kjo nuk mund të jetë..!

Kjo për arsye se trupi i vockël i një mize është i lidhur me shumicën e elementeve dhe të shkaqeve në univers; madje ai është një përmbledhje e tyre; në qoftë se krijimi i tij nuk do t’i atribuohej fuqisë Absolute Hyjnore, do të bëhej e domosdoshme që ato shkaqe materiale të ishin vetë të pranishëm në afërsi të menjëhershme të trupit të mizës, madje do të bëhej e domosdoshme që të hynin në trupin e saj të vogël, madje do të duhej të hynin në qelizën e syrit e cila përfaqëson modelin e trupit, sepse shkaqet në qoftë se janë të një natyre materiale është e domosdoshme që ato të jenë të pranishme në afërsi të menjëhershme dhe brenda efekteve të tyre. Dhe kjo do të bënte të domosdoshme të pranosh se pjesët përbërëse dhe elementet e universit të jenë fizikisht të pranishëm brenda asaj qelizeje të vockël, dhe të punojnë në atë qelizë shumë të vockël me mjeshtëri të lartë dhe me një harmoni si një mjeshtër.

A nuk do të turpëroheshin nga kjo fjalë edhe sofistët më të çmendur.

Pamundësia e Tretë

Është një rregull i vërtetuar se,  “Në qoftë se një qënie ka unitet, ajo mund të dalë vetëm nga një qënie e vetme, nga një dorë e vetme”. Në mënyrë të veçantë në qoftë se ajo shfaq një jetë gjithëpërfshirëse brenda një rregulli të përkryer dhe një balance të ndjeshme, ajo demonstron në mënyrë të vetëkuptueshme se ajo nuk ka dalë prej duarve të shumta, të cilat janë shkaku i konfliktit dhe i konfuzionit, por se ajo ka dalë nga Dora e Vetme e të Gjithëfuqishmit të Gjithurtë.

Prandaj t’ia atribuosh një qënie të mirërenditur e të drejtpeshuar e cila ka një unitet të tillë, duarve të shkaqeve të shumta natyrore, të verbëra, të shurdhëta, të pajeta, të paditura, agresive, të pavetëdijshme e të rrëmujshme; verbëria dhe shurdhësia e tyre shtohet për shkak të ardhjes së tyre së bashku e të përzier midis rrugëve të mundësive të panumërta; pastaj të pretendosh se ato shkaqe e krijojnë atë qënie të mrekullueshme dhe e zgjedhin atë midis mundësive dhe probabiliteteve të pakufishme; unë them se të pranuarit e këtij atribuimi dhe këtij pretendimi, do të ishte, në realitet, një pranim i njëqind e një pamundësive, sepse është shumë larg të gjitha peshave të logjikës dhe balancave të saj.

Le ta lëmë mënjanë këtë pamundësi dhe ta anashkalojmë përkohësisht. Le të shikojmë ndikimin e shkaqeve materiale; këto efekte mund të ndodhin vetëm nëpërmjet kontaktit dhe të prekjes së drejtëpërdrejtë. Megjithatë kontakti i shkaqeve natyrore është vetëm me anët e jashtme të qënieve të gjalla. Ndërsa ne shohim se anët e brendshme të qënieve të tilla, të cilat duart e shkaqeve as nuk mund t’i arrijnë e as nuk mund t’i prekin, janë dhjetë herë më të holla, më të mirorganizuara dhe më të përkryera lidhur me artin se sa anët e tyre të jashtme.

Madje gjallesat e vockëla dhe krijesat e holla të cilat nuk mund t’i përfshijnë kurrë këto shkaqe materiale, as nuk arrijnë tek ato duart e tyre, dhe as mjetet e tyre nuk janë më të çuditshme e më të mrekullueshme lidhur me artin dhe me krijimin se sa më të mëdhajat e krijesave, t’ia atribuosh atyre shkaqeve të verbëra, të shurdhëta, të pajeta, të paditura, të trasha, të largëta nga njëri-tjetri dhe të kundërta me njëri-tjetrin; kjo mund të shkaktohet vetëm nga një shurdhësi e një verbëri e shumëfishtë sa numri i qënieve të gjalla.

 

Rruga e Dytë  

Kjo shprehet nga thënia e tyre për diçka, “Ajo formon vetveten, formohet vetë”. Edhe kjo frazë gjithashtu përfshin shumë pamundësi dhe është absurde dhe e pamundur në shumë aspekte. Ne do të shpjegojmë tre shembuj të këtyre pamundësive.

Pamundësia e Parë

O mohues kryeneç! Egoizmi yt të ka bërë aq idiot saqë ti në një farë mënyre vendos të pranosh njëqind e një pamundësi! Sepse ti, o mohues kokëfortë, padyshim je një qënie dhe ti nuk je nga një substancë e thjeshtë dhe e pajetë që nuk pranon ndryshim; përkundrazi ti je si një makineri jashtëzakonisht e mirësistemuar që në mënyrë të vazhdueshme është duke u ripërtërirë dhe je si një pallat i mrekullueshëm anët e të cilit janë gjithmonë në transformim.. Grimcat e trupit tënd punojnë vazhdimisht dhe përpiqen pa pushim. Trupi yt ka lidhje dhe marrëdhënie të ndërsjella me universin, në mënyrë të veçantë për sa ka të bëjë me furnizimin dhe me përjetësimin e specieve.. Grimcat që punojnë brenda trupit tënd janë të kujdesshme dhe nuk i prishin ato lidhje dhe janë të vëmendshme që mos t’i këpusin ato marrëdhënie. Në këtë mënyrë të kujdesshme ato nisin punën e tyre, sikur ta merrnin parasysh të gjithë universin; pastaj ato kontrollojnë vendndodhjen tënde në lidhje me të. Dhe ti me rolin tënd përfiton në përputhje me pozitat e mrekullueshme që marrin ato grimca dhe përfiton me shqisat e ndjenjat e tua të jashtme e të brendshme. Në qoftë se ti nuk pranon se grimcat në trupin tënd janë nëpunëse të vockëla të të Gjithëfuqishmit të Parapërjetshëm, dhe të nënshtruara e të bindura ndaj ligjeve të Tij xh.sh., ose se janë ushtarë të organizuar në ushtrinë e Tij madhështore, ose se ato janë majat e penës së Kaderit Hyjnor, ose janë pika të cilat i vë pena e fuqisë Hyjnore.. atëherë do të bëhej e domosdoshme të thoje se çdo grimcë që punon në syrin tënd duhej të kishte një sy të tillë që të mund t’i shikonte të gjitha pjesët dhe anët e trupit tënd, dhe të shikonte të gjitha qëniet që lidhen me të, të njihte të gjithë të shkuarën tënde e të ardhmen, të njihte origjinën tënde, baballarët e paraardhësit e tu së bashku me pasardhësit e tu e nipërit dhe të kapte origjinat e të gjithë elementeve të qënies tënde si dhe burimet e të gjithë furnizimit tënd.. Atëherë ajo na qenka me një mendje e zgjuarsi të madhe!! T’ia atribuosh njohjen dhe vetëdijen e një mijë Platonëve një grimceje të vetme të dikujt si ti që nuk ke as një grimcë zgjuarsi në çështjet e këtij lloji, do të ishte një bestytni e çmendur një mijë herë më shumë?!

Pamundësia e Dytë

Trupi yt, o njeri, i ngjason një pallati të mahnitshëm që ka një mijë e një kube dhe tek çdo kube qëndrojnë të varur e pa mbështetje gurët. Madje, qënia jote është një mijë herë më e mrekullueshme se sa një pallat i tillë, sepse pallati i qënies tënde ripërtërihet vazhdimisht me rregull të plotë. Duke lënë mënjanë shpirtin tënd vërtetë të mrekullueshëm, zemrën dhe aftësitë e tjera të holla shpirtërore, të cilat në vetvete janë mrekulli, dhe të merrnim në konsideratë e të shqyrtonim vetëm një gjymtyrë të vetme, cilado gjymtyrë qoftë prej gjymtyrëve të trupit tënd që secila i ngjason një banese me kube, një pjese me kube të pallatit. Ashtu si gurët e një kubeje, grimcat qëndrojnë së bashku në drejtpeshim të plotë dhe me rregull duke demonstruar se secila prej tyre është një ndërtesë e mrekullueshme, një vepër e jashtëzakonshme arti dhe në mrekulli e fuqisë Hyjnore, si për shembull ‘syri dhe gjuha’. Në qoftë se këto grimca nuk do të ishin nëpunëse të nënshtruara ndaj urdhrit të Autorit të Gjithëfuqishëm, atëherë çdo grimcë duhej të kishte një dominim absolut mbi të gjitha grimcat e tjera në trup dhe të ishte gjithashtu e varur në mënyrë absolute prej secilës prej tyre; dhe të ishte e barabartë me secilën prej tyre, dhe njëkohësisht kundra secilës prej tyre, përsa ka të bëjë me pozitën dominuese të saj! Dhe të ishte origjina e burimi i shumicës së Atributeve që i përkasin vetëm Ekzistuesit të Vetëm të domosdoshëm, dhe të ishin krejtësisht të kufizuara, dhe në të njëjtën kohë tërësisht të lira…!

Artifakti i vetëm i mirorganizuar dhe i vënë në harmoni mund të jetë, nëpërmjet misterit të unitetit, vetëm se një vepër prej veprave të të Vetmit të Unitetit.

Çdokush me një grimcë vetëdije do ta kuptonte se çfarë pamundësie e qartë do të ishte “nëse do t’ia atribuoje një artifakt të tillë atyre grimcave”.

Pamundësia e Tretë

 Në qoftë se ky trupi yt nuk do të ishte shkruar nga pena e të gjithëfuqishmit të Vetëm të Parapërjetshëm, por të ishte shtypur -shkruar- nga natyra dhe shkaqet, atëherë do të bëhej e domosdoshme të ekzistonin kallëpe e tipografi në natyrë jo vetëm sa numri i qelizave në trupin tënd, por sa kombinacionet e mijëra numrave të tyre, të cilët janë përtej llogaritjes, duke filluar nga më e vogla e qelizave që punon me një kujdes të skajshëm dhe duke përfunduar tek më i gjëri i organeve që funksionon në të.

Për ta kuptuar këtë pamundësi le të marrim librin i cili është para nesh, si shembull, dhe themi: Në qoftë se beson se ky libër është i shkruar me dorë, atëherë do të mjaftonte një penë e vetme për kopjimin -transkriptimin- e tij; ajo penë do të mund ta shkruante duke u mbështetur në njohjen e shkruesit të saj; pra atë e lëviz njohja e shkruesit të saj që të shkruajë çfarë të dojë. Ndërsa, në qoftë se, nga ana tjetër, nuk do të besohej se ai është shkruar me dorë dhe në qoftë se nuk do t’i atribuohej penës së shkruesit dhe, në qoftë se do të supozohej se ai është shkruar vetvetiu, ose në qoftë se shkrimi do t’i atribuohej natyrës, atëherë, ashtu si një libër i shtypur, do të bëhej e domosdoshme që të kishte enkas për çdo shkronjë një penë metalike dhe të ishte numri i penave sa numri i atyre shkronjave, me qëllim që ai të mund të shtypej. Në shtypshkronjë duhej të kishte një detal -pjesë- shtypi aq sa numri i shkronjave të alfabetit me qëllim që shkronjat në libër të vijnë në ekzistencë nëpërmjet tyre; do të duhej ekzistenca e penave sa numri i shkronjave në vend të një pene të vetme për ta shkruar me dorë.

Siç mund të shihet, ndonjëherë një faqe e plotë shkruhet në një shkronjë të vetme të madhe prej atyre shkronjave me një penë të vogël në një shkrim të hollë; prandaj një mijë pena do të ishin të domosdoshme për një shkronjë. Tani, çfarë do të thoje, në qoftë se ato shkronja me të gjitha pjesët përbërëse do të ishin të ndërtuara si rrathë bashkëqendrorë brenda njëra-tjetrës me një rregull të plotë e me një sistem të përkryer duke marrë formën dhe trajtën e trupit tënd?  Atëherë do të bëhej e domosdoshme që për çdo pjesë përbërëse të çdo rrethi, nga rrethet e lartëpërmendur, të kishte kallëpe të shumtë sa numri i atyre kombinacioneve që ato formojnë.

Tani, supozo në qoftë se ti do ta pretendoje këtë, e cila përmban njëqind pamundësi, se është e mundshme të ndodhë! Atëherë, edhe në qoftë se do të supozohej si e mundur kjo gjendje, a nuk do të bëheshin të domosdoshme për shpikjen e atyre penave dhe për punimin e atyre kallëpeve dhe shkronjave metalike pena, kallëpe dhe shkronja aq sa numri i tyre që të derdheshin në to, në qoftë se shpikja e atyre të gjithëve nuk do t’i atribuohej një pene të vetme? Sepse të gjitha ato duhej të ishin prodhuar, të ishin vënë në rregull, të modeloheshin artistikisht dhe të ishin të nevojshme për një autor që t’i prodhonte, për një shpikës që t’i shpikte.

Atëherë, kuptoje ti gjithashtu! Kjo mënyrë e të menduarit është e tillë që përmban pamundësi e bestytni sa numri i grimcave në trupin tënd.

O Mohues…! Shikoje këtë dhe hiq dorë prej rrugës së çudhëzimit!

 

Rruga e Tretë

“Natyra e bëri të domosdoshme atë”, “Natyra e bën atë”. Ky pohim përmban shumë pamundësi. Ne do të përmendim tre nga ato nëpërmjet shembujve.

Pamundësia e Parë

Në qoftë se arti dhe krijueshmëria, të cilat janë të dallueshme dhe të urta, që shihen tek qëniet dhe në mënyrë të veçantë tek qëniet e gjalla nuk do t’i atribuoheshin penës së Kaderit Hyjnor dhe fuqisë së Diellit të Parapërjetshëm, por u atribuohen natyrës dhe forcës të cilat janë të verbëra, të shurdhëta dhe të pamend, atëherë do të bëhej e domosdoshme që natyra duhej të ishte e pranishme në çdo gjë, për hir të krijueshmërisë dhe duhej të ishin të pranishme makineri e shtypshkronja jolëndore të pakufishme në çdo gjë, ose do të duhej të përfshihej në çdo gjë fuqi e urtësi e mjaftueshme për të krijuar dhe administruar universin. Arsyeja për këtë është siç vijon:

Manifestimet dhe reflektimet e diellit shfaqen në të gjitha copat e vogëla të qelqit dhe në pikëlat në faqen e tokës. Në qoftë se ato diej të zvogëluar, të reflektuar dhe imagjinarë nuk do t’i atribuoheshin diellit në qiell, atëherë do të bëhej e domosdoshme që të pranohej ekzistenca e jashtme e diellit të vërtetë në çdo copë të vogël xhami më të vogël se sa një kokë shkrepëseje, e cila posedon cilësitë e diellit dhe e cila, ndonëse e vogël në masë, mban kuptim të thellë. Domethënë, do të duhej të besoje ekzistencën e diejve realë aq sa numri i copave të xhamit.

Pikërisht në të njëjtën mënyrë, në qoftë se krijesat dhe qëniet e gjalla nuk i atribuohen drejtëpërdrejtë manifestimit të Emrave të Diellit të parapërjetshëm, atëherë do të bëhej e domosdoshme të besoje ekzistencën e një natyre dhe të një force të cilat posedojnë fuqi absolute dhe dëshirë absolute së bashku me një njohje absolute dhe një urtësi absolute në çdo qënie dhe veçanërisht tek gjallesat; domethënë do të bëhej e domosdoshme pranimi i një Hyjnie në çdo qënie! Një ide e tillë është më absurdja dhe më bestytnorja e të gjitha pamundësive në univers. Ajo demonstron se një njeri i cili ia atribuon artin e Krijuesit të Universit Natyrës imagjinare, të papërfillshme e të pavetëdijshme, padyshim është më pak i vetëdijshëm për të vërtetën se sa një kafshë.

Pamundësia e Dytë

Në qoftë se këto qënie të cilat janë më të mirërregulluarat, më të drejtëpeshuarat, të urta dhe të modeluara artistikisht, nuk do t’i atribuoheshin Një të Vetmi i Cili është i Gjithëfuqishëm me fuqi absolute dhe i Gjithurtë me urtësi absolute, por i atribuohen natyrës, atëherë do të bëhej e domosdoshme që në çdo grusht dheu të ishin aq shumë fabrika e shtypshkronja aq sa ndodhen në Europë me qëllim që ai grusht dheu të jetë mjeti për rritjen dhe formimin e luleve dhe të frutave të panumërta të bukura e të këndshme për të cilat është vendi i origjinës dhe punishtja. Farërat e luleve mbillen me radhë në një tas -enë- me dhé i cili kryen detyrën e një saksie për to. Një aftësi është e dukshme në grushtin e dheut që do të japë trajtat dhe format të cilat ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra për të gjitha lulet e mbjella në të. Në qoftë se ajo aftësi do t’i atribuohej fuqisë së Krijuesit të Gjithëlavdishëm e Fuqiplotë, atëherë do të duhej medoemos që të gjendej në atë grusht dheu një makineri jolëndore natyrore e veçantë për çdo lule, ose përndryshe nuk do të mund të shfaqeshin lloje lulesh e frutash që ne i shohim në ekzistencë!

Kjo është për shkak se lënda nga e cila përbëhen farërat, si spermat e vezët, është e njëjta. Domethënë, ato përbëhen nga një përzierje si brumë pa një formë të caktuar prej oksigjeni, hidrogjeni, karboni dhe nga azoti. Së bashku me këtë, meqenëse ajri, uji, nxehtësia dhe drita secila prej këtyre është e thjeshtë, e pavetëdijshme dhe vërshojnë kundra gjithçkaje si rryma, fakti se të gjitha format e ndryshme të atyre luleve shfaqen nga dheu në mënyrën më të mirërregulluar e artistike, në mënyrë të vetëkuptueshme e të domosdoshme kërkon që të jenë të pranishme në grushtin e dheut fabrika dhe shtypshkronja jolëndore të zvogëluara sa numri i fabrikave dhe i shtypshkronjave në Europë me qëllim që të endin këtë numër të madh të pëlhurave të gjalla dhe mijërat e tekstileve të ndryshme të qëndisura.

Kështu, ti mund të kuptosh se sa shumë është shmangur mendimi ateist i natyralistëve nga bota e arsyes, ndonëse pretenduesit e patru, të cilët e imagjinojnë natyrën se është krijuesi, pretendojnë se janë ‘Njerëzit e shkencës e të arsyes’; shiko se sa larg arsyes dhe shkencës është mendimi i tyre; ata kanë marrë një bestytni, e cila është absolutisht e pamundur dhe e pagjasë, si një rrugë për veten e tyre. Shikoje këtë dhe tallu me ta!

Në qoftë se ti pyet: Në qoftë se pamundësi të tilla të jashtëzakonshme dhe vështirësi të pakapërcyeshme ndodhin kur qëniet i atribuohen Natyrës, atëherë si largohen ato vështirësi kur ato i atribuohen të Vetmit Krijues të Përjetshëm e Absolut? Dhe si transformohet pamundësia e vështirë në atë domosdoshmëri të lehtë?

Përgjigjja: Ne pamë në pamundësinë e parë se manifestimi i reflektimit të diellit i shfaq shkëlqimin dhe efektet e tij nëpërmjet diejve të zvogëluar imagjinarë me lehtësi të plotë dhe pa shqetësim në çdo gjë duke filluar nga grimca më e vockël e pajetë deri tek sipërfaqja më e gjërë e oqeanëve. Në qoftë se do të këputej lidhja e çdo grimce me diellin, atëherë do të bëhej e domosdoshme të pranoje se ekzistenca e jashtme e një dielli natyral -real- do të ekzistonte në secilën nga ato grimca të vockëla. Dhe këtë nuk e pranon arsyeja, madje kjo është një pamundësi, është e pamundur.

E ngjashme me këtë, në qoftë se çdo qënie do t’i atribuohej drejtëpërdrejt të Vetmit të Përjetshëm Absolut, gjithçka e domosdoshme për çdo qënie mund t’i përcjellej Atij nëpërmjet një lidhjeje dhe një manifestimi me lehtësi e kollajllëk që është në nivelin e domosdoshmërisë.

Por në qoftë se këputet lidhja dhe secila qënie do të kthehej nga pozita e saj si një nëpunëse e nënshtruar për tek qënia e saj pa detyra dhe i lihet natyrës dhe tekave të saja, atëherë do të bëhej e domosdoshme të supozoje me qindra e mijëra vështirësi e pengesa që arrijnë shkallën e pamundësisë, saqë ne shohim se krijimi i një mize të vogël do të kërkonte medoemos që tek ajo të ishte natyra e verbër duke poseduar një fuqi absolute me anë të të cilës të kishte mundësi të krijonte e ta administronte të gjithë Universin me qëllim që të mund të sillte në ekzistencë makinerinë e mrekullueshme të qënies së një qënieje të gjallë si një mizë, e cila është si një indeks i vockël i universit. Dhe kjo nuk është vetëm një pamundësi e vetme, por një mijë e një pamundësi…!

Shkurtazi: Ashtu siç është e pamundur dhe e përjashtuar për Ekzistuesin e Vetëm të domosdoshëm që të ketë ndonjë ortak apo të ngjashëm përsa ka të bëjë me Esencën e Tij, po ashtu ndërhyrja e të tjerëve në Hyjninë e Tij dhe në krijimin e Tij të qënieve është e pamundur dhe e përjashtuar.

Sa për vështirësitë e përfshira në pamundësinë e Dytë, ashtu siç është provuar në shumë pjesë të Risale-i Nurit, në qoftë se të gjitha qëniet do t’i atribuoheshin Krijuesit të Vetëm të Unitetit, atëherë të gjitha gjërat do të bëheshin aq të lehta e pa shqetësime sa një gjë e vetme. Ndërsa në qoftë se ato do t’i atribuoheshin shkaqeve dhe natyrës, një gjë e vetme do të bëhej aq e vështirë sa të gjitha gjërat.

Kjo është demonstruar me prova të shumta vendimtare, dhe një përmbledhje e njërës prej tyre është sa vijon:

Në qoftë se një njeri është i lidhur me një mbret duke qenë një ushtar ose një nëpunës, nëpërmjet forcës së asaj lidhjeje ai mund t’i kryejë detyrat të cilat kalojnë shumë përtej forcës së tij individuale. Ai në ndonjë rast mund të zërë rob një komandant të madh në emrin e mbretit të tij, edhe pse ai është vetëm një ushtar; sepse ai vetë nuk i mban parimet dhe burimet e fuqisë të domosdoshme për të zbatuar detyrat dhe punën që ai e kryen, as nuk është i detyruar që t’i mbajë ato. Nëpërmjet lidhjes së tij me mbretin, me thesaret e Sulltanit dhe me ushtrinë e cila është prapa tij dhe është pika e tij e mbështetjes; domethënë, detyrat që ai kryen mund të jenë aq të mëdha sa puna e një mbreti, dhe aq madhështore sa aktet e një ushtrie.

Miza lidhur me atë detyrë si nëpunëse, mund të shkatërrojë një pallat të një Faraoni tiran. Mushkonja mund të vrasë një Nimrud zullumqar me fuqinë e asaj lidhje. Dhe nëpërmjet lidhjes, fara e një pishe me madhësinë e një kokrre gruri prodhon të gjitha pjesët e një peme të madhe pishe.[3]

Në qoftë se lidhja do të pritej dhe njeriu do të shkarkohej nga detyrat e tij si një nëpunës, ai do të detyrohej t’i mbante vetë pajimet dhe burimet e fuqisë të domosdoshme për vetë punën e tij.

Atëherë ai do të ishte në gjendje vetëm të kryente detyrat në përputhje me burimet e fuqisë dhe municionin që ai mundi t’i mbante.

Në qoftë se atij do t’i kërkohej në këtë situatë të zbatonte detyrat e tij me lehtësinë e skajshme të situatës së parë, ai do të shfaqte paaftësinë e tij, veçse në qoftë se do të mundej të ngarkonte mbi shpinën e tij e në krahët forcën e një ushtrie të plotë dhe fabrikat e arsenalit dhe të municionit të shtetit!! Madje edhe hokatarët -klounat e cirkut-, të cilët sajojnë tregime e bestytni për t’i bërë njerëzit të qeshin, do të turpëroheshin me këtë ide trillane.

Shkurtazi: T’ia atribuosh të gjitha qëniet Ekzistuesit të Vetëm të domosdoshëm është aq e lehtë sa të jetë e domosdoshme. Ndërsa t’ua atribuosh krijimin e tyre natyrës, është aq e vështirë sa është e pamundur dhe jashtë botës së arsyes.

Pamundësia e Tretë

Dy krahasimet e mëposhtme, të cilat janë të përfshira në pjesët e tjera të Risale-i Nurit, e shpjegojnë këtë pamundësi.

Një njeri i egër, i paqytetëruar, hyri në një pallat i cili ishte ndërtuar në një shkretëtirë të zbrazur, dhe ishte plotësuar e zbukuruar me të gjitha frutet e civilizimit. Ndërkaq ai hodhi një sy tek ana e brendshme e tij dhe pa mijëra objekte të mirëvendosura e të punuara artistikisht. Për shkak të trashësisë së tij dhe mungesës së inteligjencës, ai tha: “askush nga jashtë nuk ka pasur dorë në këtë; njëri nga objektet nga brenda duhet ta ketë ndërtuar këtë pallat së bashku me të gjitha përmbajtjet e tij”, dhe filloi të hetojë dhe të hulumtojë.

Por çfarëdo gjëje që ai pa, ngurroi në të e dyshoi se ajo mund të ishte e aftë për të ndërtuar këtë pallat të mahnitshëm.

Më vonë, ai pa një bllok shënimesh në të cilin ishin shkruar plani dhe programi i ndërtimit të pallatit, një indeks i përmbajtjeve të tij dhe rregullat e administrimit të tij. Sigurisht edhe bllokut të shënimeve gjithashtu, i cili ishte pa dorë, pa sy apo pa mjet e pajisje, ashtu si objektet e tjera në pallat, i mungonte plotësisht aftësia për të ndërtuar e për të zbukuruar pallatin. Por meqenëse ai pa se në krahasim me të gjitha gjërat e tjera, blloku i shënimeve ishte i lidhur me të gjithë pallatin nëpërmjet përfshirjes së tij të të gjitha ligjeve të tij teorike, ai u detyrua të thotë: “Ja, është ky bllok shënimesh që ka organizuar, ka vënë në rregull, ka zbukuruar këtë pallat, ka modeluar të gjitha këto objekte dhe i ka vënë ato në vendet e tyre”. Ai e transformoi trashësinë e tij në një dërdëllitje qesharake.

Kështu, tamam si ky krahasim, një trashaman i cili pajtohet me mendimin natyralist, i cili mohon Zotin xh.sh., hyri në pallatin e universit, që është më i mirësistemuar, më i plotë dhe gjithandej plot me shembuj të mrekullueshëm urtësie se sa pallati në krahasim. Duke mos menduar se ajo ishte puna e artit të Ekzistuesit të Vetëm të domosdoshëm, i Cili është jashtë sferës së mundësisë, dhe duke iu shmangur asaj ideje, ai pa një koleksion ligjesh të praktikës Hyjnore dhe një indeks të Artit Hyjnor, të cilat janë si një Pllakë për të shkruar e për të fshirë shkrimet e Kaderit Hyjnor në sferën e mundësisë dhe, ashtu si një bllok shënimesh duke ndryshuar vazhdimisht për ligjet e funksionit të fuqisë Hyjnore të cilave u jepet gabimisht Emri ‘Natyra’, dhe tha:

“Këto gjëra kërkojnë një shkak që t’i sjellë në ekzistencë dhe nuk ka gjë që të ketë lidhje më të madhe me to se sa ky bllok shënimesh. Dhe unë nxjerr një përfundim të arsyeshëm nga kjo se ky ‘Bllok shënimesh’, me ligjet e shkrimit dhe të fshirjes që ai përmban, është ai i cili i ka sjellë në ekzistencë këto gjëra përderisa unë nuk shoh të mirë të besoj në Krijuesin e Gjithëlavdishëm, pavarësisht se mendja e shëndoshë do ta refuzonte krejtësisht, brenda arsyetimit të saj, që t’ia atribuonte çështjet e Hyjnisë absolute, të cilat kërkojnë fuqi absolute, këtij ‘Blloku shënimesh’ të verbër, të shurdhët e të pafuqishëm.

Ne themi: O fatkeq i marrë e i gabuar! Marrëzia jote kalon çdo gjë të imagjinueshme!

Nxirre kokën tënde nga moçali i natyrës.. që ta shohësh Krijuesin e Gjithëlavdishëm për të Cilin dëshmojnë të gjitha qëniet duke filluar nga grimcat për tek planetët me gjuhë të ndryshme dhe për të Cilin aludojnë  e tregojnë tregues të ndryshëm.. Shikoji manifestimet e Atij Formëdhënësi të Gjithëlavdishëm i Cili e ndërtoi pallatin luksoz të universit dhe që shkroi planet e tij, programet dhe ligjet në atë Bllok shënimesh.. Dhe shpëtoje veten tënde nga kjo përçartje e dalldisur!

Krahasimi i Dytë: Një njeri trashanik hyri në botën e civilizimit e të qytetërimit dhe atje pa uniforma të njëtrajtshme të një ushtrie tej mase të disiplinuar duke kryer ushtrime të ndryshme. Ai vëzhgoi një batalion, një regjiment dhe një divizion duke qëndruar gatitu, të lirshëm dhe duke marshuar dhe, hapi zjarr me të marrë urdhrin sikur të ishte një individ i vetëm. Meqenëse mendja e tij e trashë dhe e pagdhendur nuk mundi ta perceptonte se udhëheqja e një komandanti madhështor ishte ajo që i zbatonte urdhërat nëpërmjet ligjeve të shtetit dhe të dekretit mbretëror, ai imagjinoi se ushtarët ishin lidhur me njëri-tjetrin me litarë.. Pastaj ai filloi të mendojë me imagjinatë se sa i çuditshëm ishte ky litar i përfytyruar. Dhe nisi t’i shtohej habia.

Pastaj, ai vazhdoi në rrugën e tij derisa ndeshi rastësisht me një Xhami madhështore si Aja Sofia. Ai hyri brenda saj në kohën e faljes së xhumasë dhe shikoi xhematin e muslimanëve duke u ngritur, duke rënë në ruku dhe duke rënë në sexhde dhe duke qëndruar ulur pas një burri të vetëm duke iu bindur thirrjes së tij. Meqenëse ai nuk kishte njohuri rreth sheriatit Hyjnor dhe rreth rregullave jolëndore që burojnë nga urdhërat e autorit të sheriatit, ai përfytyroi se ky xhemat janë të lidhur me njëri-tjetrin me litarë fizikë dhe, se ky litar i mrekullueshëm i ka nënshtruar ata dhe i bën të lëvizin si kukulla. Dhe duke ardhur me këtë ide, e cila është aq qesharake saqë do ta bënte edhe njeriun më injorant të shkulej së qeshuri, ai vazhdoi rrugën e tij.

Tamam si ky krahasim, një ateist i cili pajtohej me mendimin materialist, mendim i cili është mohim dhe trullosje e pastër, hyri në univers, i cili është një kazermë madhështore dhe e shkëlqyeshme e ushtarëve të Monarkut të Gjithëlavdishëm, dhe është një xhami e mirërregulluar e Atij të Adhuruari të Vetëm të Parapërjetshëm. Ai i imagjinoi ligjet jolëndore të rregullit të universit, të cilat burojnë nga “Urtësia” e Krijuesit të Parapërjetshëm që secili prej tyre të kishte një ekzistencë materiale e fizike; dhe i supozoi ligjet teorike të Sovranitetit të Hyjnisë dhe rregullat dhe urdhëresat e Sheriatit më të madh, Sheriatit të krijimit, të cilat janë jolëndore dhe ekzistojnë vetëm si njohje, i supozoi secilin prej tyre të ketë një ekzistencë të jashtme, lëndore e fizike..

Por t’i vendosësh në vend të fuqisë Hyjnore ato ligje, të cilat burojnë nga atributet e Njohjes Hyjnore dhe Fjalës Hyjnore dhe të cilat ekzistojnë vetëm si njohje, dhe t’ua atribuosh krijimin atyre; pastaj t’u japësh atyre emrin “Natyrë” dhe ta vlerësosh forcën që është vetëm një manifestim i fuqisë Hyjnore, të jetë pronarja e një fuqie vepruese dhe e plotëfuqishme e pavarur në vetvete:

A ka injorancë e marrëzi më të madhe se sa kjo? A nuk është kjo një injorancë një mijë herë më e madhe se sa injoranca në krahasim?

Shkurtazi: 

Gjëja imagjinare dhe jolëndore që natyralistët e quajnë Natyrë, nuk ka një realitet; në qoftë se ajo duhet të ketë një ekzistencë reale të jashtme, atëherë kjo “ekzistencë” është: një vepër arti; ajo nuk mund të jetë Artisti. Ajo është një qëndisje dhe nuk mund të jetë Qëndistari. Ajo është një koleksion dekretesh; ajo nuk mund të jetë lëshuesi i dekreteve. Ajo është një përmbledhje e ligjeve të krijimit; ajo nuk është ligjvënësi. Ajo është vetëm një perde e krijuar për dinjitetin e Zotit xh.sh.; ajo nuk mund të jetë krijuesi. Ajo është pasive dhe e krijuar; ajo nuk mund të jetë autorja krijuese. Ajo është një ligj, jo një fuqi dhe nuk mund të posedojë fuqi. Ajo është marrëse -përfituese-, ajo nuk mund të jetë burimi.

Për të përfunduar: Meqenëse qëniet ekzistojnë, dhe ashtu siç u pohua në fillim të kësaj trajtese, mendja është e paaftë të përfytyrojë më shumë se katër rrugë për të shpjeguar ekzistencën e qënieve; dhe u provua në një mënyrë vendimtare shfuqizimi dhe pavlefshmëria e tre prej atyre katër rrugëve nëpërmjet shpjegimit të tre pamundësive të qarta në secilën prej tyre; atëherë në mënyrë të domosdoshme e të vetëkuptueshme rruga e Unitetit Hyjnor, e cila është rruga e katërt, u provua në mënyrë vendimtare e përfundimtare. Rruga e katërt, në përputhje me vërsetin e cituar në fillim:

“… A ka dyshim për Allahun, Krijuesin e Qiejve e të Tokës?”[4] i cili demonstron qartë e prerazi duke mos lënë vend për dyshim apo për ngurrim për ekzistencën e Ekzistuesit të Vetëm të domosdoshëm, për Hyjninë dominuese dhe se të gjitha gjërat burojnë drejtpërdrejtë prej Dorës së Fuqisë së Tij dhe se qiejt e toka janë nën pushtetin e Tij.

O adhurues i shkaqeve!

O fatkeq i joshur pas Natyrës!

Meqenëse Natyra e çdo gjëje është e krijuar ashtu si vetë gjëja, sepse ajo është plot art dhe ripërtërihet vazhdimisht dhe, ashtu si pasoja, shkaku i jashtëm i çdo gjëje është gjithashtu e krijuar; dhe meqenëse për çdo gjë për të ekzistuar ka nevojë për shumë pajisje, mjete e vegla, atëherë duhet patjetër të ekzistojë një i Gjithëfuqishëm me fuqi absolute që ta krijojë gjënë dhe ta krijojë atë shkak për të, të sjellë shkakun në ekzistencë dhe, duhet medoemos që ky i Gjithëfuqishëm me fuqi absolute të jetë absolutisht i panevojshëm për ndërmjetësitë e pafuqishme që të ndajë me to Hyjninë e Tij dhe krijimin.

Ruajna Zot! Ai i krijon njëherësh shkakun dhe pasojën drejtpërdrejtë. Me qëllim që të demonstrojë Urtësinë e Tij dhe manifestimin e Emrave të Tij të bukur, duke vendosur një lidhje shkakore të dukshme e formale dhe një marrëdhënie midis tyre nëpërmjet rregullit dhe radhës, Ai i bën shkaqet dhe Natyrën një perde për Dorën e Fuqisë së Tij Madhështore dhe si një mask për Dinjitetin e Tij dhe Madhështinë me qëllim që padrejtësia e jashtme, gjendjet e rënda dhe mangësitë në gjëra t’u atribuohen atyre shkaqeve dhe, në këtë mënyrë të ruhet Dinjiteti i Tij.

A është më e lehtë për orëndreqësin të bëjë rrotat e dhëmbëzuara -ingranazhet- e një ore dhe pajisjet e saj dhe pastaj t’i rregullojë e t’i vendosë ato në gjendje të mirë për të formuar orën?

Apo është më e lehtë për atë të bëjë një makineri të jashtëzakonshme në secilën nga rrotat e dhëmbëzuara, dhe pastaj t’ua lërë bërjen e orës duarve të pajeta të atyre makinerive? A nuk është kjo përtej limiteve të mundësisë? Hajde, gjyko ti me arsyen tënde të padrejtë dhe thuaj!

Dhe a është më e lehtë për një shkrues që ta shkruajё vetë një libër pasi të sjellë gjërat e domosdoshme për shkrim, bojën, penën dhe letrën?

Apo është më e lehtë për atë shkrues që të krijojë një makinë shkrimi të veçantë për atë libër gjë e cila kërkon më shumë art dhe shqetësim se sa libri, dhe pastaj t’i thotë shtypshkronjës së pavetëdijshme: Hajde, ti shkruaje atë!”, dhe vetë të mos ndërhynte? A nuk do të ishte kjo njëqind herë më e vështirë se sa të shkruarit e tij vetë?

Në qoftë se ti thua: Po, është njëqind herë më e vështirë të krijosh një makinë që të shkruajë një libër se sa ta shkruash vetë atë, veçse ama makina e shkrimit -shtypshkronja- është e aftë të botojë mijëra kopje nga i njëjti libër për një kohë të shkurtër dhe ky është mjet për lehtësim?

Përgjigjja: Nëpërmjet fuqisë së Tij Absolute, Skalitësi i parapërjetshëm në mënyrë të vazhdueshme ripërtërin manifestimet e pafundme të Emrave të Tij me qëllim që t’i shfaqë ato në mënyra gjithmonë të ndryshme. Dhe nëpërmjet kësaj ripërtëritje të vazhdueshme, Ai krijon identitetet dhe tiparet e veçanta në gjëra në një mënyrë të tillë saqë asnjë mesazh i të Adhuruarit të Përjetshëm apo libër Hyjnor nuk mund të jetë i njëjti si ndonjë libër tjetër, dhe asnjë krijesë nuk i ngjason plotësisht një krijese tjetër. Prandaj, secila do të ketë tipare të ndryshme me qëllim që të shprehin kuptime të ndryshme.

Në qoftë se ke sy, shikoje fytyrën e njeriut, që të shohësh se qysh nga koha e Ademit a.s. e deri sot dhe madje deri në paspërjetësi, së bashku me përshtatshmërinë e organeve të tyre esenciale -kryesore- çdo fytyrë ka shenjë dalluese në lidhje me të gjitha fytyrat e tjera; ky është një fakt i sigurtë. Prandaj çdo fytyrë mund të mendohet si një libër i ndryshëm; ai është një libër i pavarur në vetvete nga të tjerët.. Dhe me qëllim që ta nxjerrësh, ta botosh këtë libër të veçantë dhe për të vendosur artin mjeshtëror dhe rregullimin, do të bëhej e domosdoshme ekzistenca e grupit të plotë të shkronjave të alfabetit dhe përshtatja e tyre në madhësi me të, dhe do të kërkohej rradhitja e këtyre shkronjave në vendet e tyre prej pllakës së rradhitjes që të plotësohet një vepër e veçantë në këtë mënyrë që të jetë ndryshe nga hartimet e të tjerëve.

Dhe kjo çështje do të bënte të domosdoshme të sjellësh lëndët e veçanta për shpikjen e saj, pastaj t’i vendosësh në vendet e tyre të posaçme, pastaj të përfshish të gjitha elementet për ndërtim që kërkon ekzistenca e kësaj fytyre në vetë fytyrën, dhe kjo padyshim kërkon një uzinë, punishte të pavarur posaçërisht për të, domethënë për një shtypshkronjë të posaçme në të gjitha gjërat e saj për çdo fytyrë.

Pastaj a nuk ka nevojë kjo shtypshkronjë e veçantë -duke supozuar ekzistencën e saj për një organizim të veçantë, për një rregullim të posaçëm, atëherë edhe vetë çështja e botimit- duke lënë vënien në rregull të shkronjave dhe rradhitjen e tyre, edhe kjo ka nevojë gjithashtu për organizim?..

Atëherë substancat që formojnë trupin e qënieve të gjalla, krijimi i të cilave është njëqind herë më e vështirë se sa ajo e rradhitjes dhe e rregullimit të lëndëve të shtypshkronjës; sjellja e këtyre lëndëve prej vendeve të botës brenda llogaritjeve e përpjesëtimeve të veçanta e me balanca të holla. Pastaj rradhitja e tyre sipas kërkesave të nevojës së saj dhe së fundi vendosja e tyre nën dorën e asaj shtypshkronje.. ky zinxhir i gjatë procesesh, domethënë me qëllim që të bëhen të gjitha këto gjëra, ka nevojë, para së gjithash, për dikë që të krijojë atë shtypshkronjë të supozuar, dhe kjo është vetëm fuqia krijuese e Krijuesit të Gjithëfuqishëm dhe Vullneti i Tij depërtues.

Kështu, mundësia e qënies së natyrës si të ishte shtypshkronjë është një bestytni krejtësisht e pakuptim..!

Atëherë, ashtu si krahasimet e orës e të librit që pamë më parë, Krijuesi i Gjithëlavdishëm, i Cili është i Plotëfuqishëm mbi të gjitha gjërat, ka krijuar shkaqet dhe pasojat. Nëpërmjet Urtësisë së Tij, Ai e lidh pasojën tek shkaku. Nëpërmjet vullnetit të Tij, Ai ka përcaktuar Natyrën e qënieve dhe i ka bërë ato një pasqyrë që reflekton manifestimet e Sheriatit më të madh, Sheriatit të krijimit, i cili përbëhet nga ligje Hyjnore të cilat lidhen me organizimin e çështjeve të universit. Dhe nëpërmjet Fuqisë së Tij, Ai e ka krijuar fytyrën e asaj natyre e cila ka marrë një ekzistencë të jashtme dhe i ka krijuar gjërat mbi atë natyrë, dhe i ka përzier ato me njëra-tjetrën me urtësinë më të plotë.

A është më e lehtë të pranosh këtë fakt, i cili është konkluzioni i shumë provave të arsyeshme të panumërta, të cilat të detyrojnë deri në shkallën e domosdoshmërisë, apo t’u japësh mjetet e panumërta dhe pajisjet e domosdoshme për ekzistencën e çdo gjëje, dhe t’ua atribuosh ato punë, të cilat kryhen me urtësi e mendjemprehtësi, vetë gjërave? Apo t’ua atribuoni atyre, që ju i quani ‘Natyrë’ dhe ‘Shkaqe’ të cilat janë lëndë të pajeta, të pavetëdijshme të krijuara, të modeluara e të thjeshta? A nuk është kjo krejtësisht përtej limiteve të mundësisë? Ne ta lëmë ty të vendosësh, me mendjen tënde të paarsyeshme!

Adhuruesi i Natyrës, ai mohues, përgjigjet duke thënë: “Meqenëse ti më fton mua të jem i drejtë dhe i arsyeshëm, unë duhet të pranoj se rruga e gabuar që unë kam ndjekur deri tani, ashtu siç është një pamundësi e qindfishtë, po ashtu ajo është tej mase e dëmshme dhe e shëmtuar. Gjithkush që ka sa një grimcë vetëdije do ta kuptonte nga analizat e tua të lartëpërmendura se t’ua atribuosh artin e krijimit shkaqeve dhe Natyrës është krejtësisht e pamundur dhe e papranueshme,  dhe që t’ia atribuosh të gjitha gjërat drejtpërdrejtë Ekzistuesit të Vetëm të Domosdoshëm është e domosdoshme dhe e arsyeshme. Unë falënderoj Allahun i Cili më udhëzoi mua në këtë besim.

“Unë besoj tek Allahu”. Por, kam vetëm një dyshim:

“Unë besoj se Allahu i Plotëfuqishëm është Krijuesi, Krijuesi i gjithçkaje, por unë pyes:

Çfarë do ta dëmtonte madhështinë e Tij dhe çfarë do ta dëmtonte Sovranitetin e Hyjnisë së Tij në qoftë se do t’u jepnim ndonjë lavdërim apo vlerësim disa shkaqeve të pjesshme në krijimin e disa gjërave të pjesshme e të papërfillshme? A mos vallë kjo do ta zvogëlonte Sovranitetin e Tij në ndonjë mënyrë?”

Përgjigjja: Ashtu siç e kemi provuar në mënyrë përfundimtare në pjesët e tjera të Risale-i Nurit, shenja e sundimit është se ai refuzon e mohon ndërhyrjen. Sundimtari më i papërfillshëm ose ndonjë nëpunës zyrtar nuk do të pranonte e nuk do të toleronte as ndërhyrjen e të birit të tij brenda sferës së sundimit të tij. Madje përfytyrimi i ndërhyrjes në sundim i shtyu disa mbretër që të vrisnin fëmijët e tyre të pafajshëm pavarësisht se ata kishin diçka nga devocioni e drejtësia, gjë e cila demonstron se sa themeltar është ky ligj i refuzimit të ndërhyrjes në sundim. Ky ligj sundon në Çdo gjë duke filluar nga dy guvernatorë që rivalizojnë për të administruar një qytet të vogël deri tek dy mbretër që rivalizojnë për të sunduar në një vend. Dhe gjithashtu ka treguar në një mënyrë që s’lë dyshim, “ligjin e ndalimit të pjesëmarrjes” të cilin e kërkon medoemos pavarësia e sundimit dhe ka sqaruar influencën dhe forcën e tij gjatë historisë së gjatë njerëzore gjë që ka çuar në përmbysje, trazira, vrasje, internime e në gjakderdhje.

Kështu, në qoftë se sensi i sundimit dhe i sovranitetit, i cili është vetëm një hije në qëniet njerëzore, të cilët janë të pafuqishëm dhe në nevojë për ndihmë, e refuzon ndërhyrjen deri në këtë shkallë, parandalon ndërhyrjen e të tjerëve, nuk pranon pjesëmarrjen në sovranitetin e tij, atëherë në qoftë se ti ke mundësi, krahasoje këtë me Sundimtarin Absolut, sovraniteti  i të Cilit është tek shkalla e Hyjnisë, sundimi i të Cilit është tek shkalla e Hyjnisë, pavarësia absolute e të Cilit është tek shkalla e Njësisë, që mungesa absolute e nevojës për të tjerët është në shkallën e fuqisë Absolute, dhe kupto se çfarë kërkese e domosdoshme dhe çfarë domosdoshmërie e pashmangshme e atij sundimi është ky mohim i ndërhyrjes, ndalimi i pjesëmarrjes dhe dëbimi i ortakëve.

Tani, bëj krahasime midis sundimit të njeriut që është i kufizuar, i ngushtë dhe i nevojshëm për ndihmën e të tjerëve dhe midis sundimit absolut të Allahut i Cili nuk ka nevojë për askënd, që është mbisundues dhe i Gjithanshëm. Lidhur me pjesën e dytë të dyshimit tënd, ti the: “Në qoftë se ndonjë adhurim prej disa gjërave të pjesshme do t’u drejtohej disa shkaqeve, çfarë mangësie do t’i shkaktonte adhurimit të të gjitha qënieve, duke filluar nga grimcat për tek planetët, adhurim i cili i drejtohet Ekzistuesit të Vetëm të domosdoshëm, të Adhuruarit të Vetëm Absolut?”

Përgjigjja: Krijuesi i Gjithurtë i universit e bëri universin si një pemë me qënie të vetëdijshme si frutat e saj më të plotë dhe, midis qënieve të vetëdijshme e bëri njeriun frutin e saj më gjithëpërfshirës. Dhe fruti më i rëndësishëm i njeriut, madje rezultati i krijimit të tij, qëllimi i natyrës së tij dhe fruti i jetës së tij janë falënderimet e Tij dhe adhurimi.

A do të ishte e mundur me arsye që Ky Sundimtar Absolut, Ky Sovran i pavarur dhe i Vetmi në Unitet, i Cili krijoi universin me qëllim që ta bëjë Vetveten të njohur e të dashur, t’ua jepte të tjerëve njeriun, frutin e të gjithë Universit dhe falënderimet dhe adhurimet e njeriut, frutin më të lartësuar të Tij. Krejtësisht në kundërshtim me Urtësinë e Tij, a do ta bënte të kotë e pa qëllim rezultatin e krijimit dhe frutin e Universit? Ruajna Zot! A do ta pranonte Ai që t’ua jepte të tjerëve adhurimin e krijesave në një mënyrë që do të mohonte Urtësinë dhe Hyjninë e Tij? Dhe megjithëse Ai demonstron nëpërmjet akteve të Tij se Ai dëshiron ta bëjë Vetveten të njohur e të dashur në një shkallë të pakufishme, a do të mund t’i bënte Ai krijesat e Tij më të plota ta harronin Atë duke ua dorëzuar shkaqeve falënderimet e tyre dhe mirënjohjen, dashurinë dhe adhurimin, dhe t’i bënte ato të mohonin qëllimet e larta në univers?

“O shok që e ke braktisur adhurimin e Natyrës! Tani duhet që të flasësh ti!” të cilës ai iu përgjigj:

“Lavdi Zotit, tani këto dy dyshimet e mia janë larguar. Dhe dy provat e tua lidhur me Unitetin Hyjnor të cilat demonstrojnë se i Adhuruari i Vetëm i Vërtetë është Ai dhe asgjë përveç Tij nuk është i denjë për adhurim janë aq të ndritshme e të fuqishme saqë janë të pamohueshme; t’i mohosh ato do të kërkonte aq shumë arrogancë e kryeneçësi sa të mohoje diellin dhe ditën”.

* * *

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËRFUNDIM

Personi, i cili braktisi Natyralizmin ateist dhe hyri në besim, tha: “EL-Hamdu Lil-lah” Lavdi Zotit” Unë nuk kam më asnjë dyshim, por unë akoma kam ca pyetje rreth të cilave jam kureshtar”.

Pyetja e Parë

“Ne dëgjojmë shumë njerëz dembelë dhe ata që neglizhojnë në kryerjen e pesë faljeve të përditshme të thonë: “Çfarë nevoje ka Allahu i Plotëfuqishëm për adhurimin tonë që në Kur’an Ai me ashpërsi e me ngulmim i qorton ata të cilët heqin dorë nga adhurimi dhe i kërcënon me një ndëshkim të tmerrshëm si Ferri? Si mund të harmonizohet e të bëhet koherent ky stil -tepër kërcënues ndaj një gabimi të pjesshëm e të papërfillshëm- me stilin e tij të mrekullueshëm i cili është i moderuar, i butë, i qetë dhe i mirë në vende të tjera?

Përgjigjja: Në të vërtetë, Allahu i Plotëfuqishëm nuk ka nevojë për adhurimin tuaj dhe as për asgjë tjetër absolutisht. Por ti, njeri, je ai që ke nevojë për të bërë adhurim, sepse në të vërtetë ti je i sëmurë në kuptim. Ashtu siç e kemi provuar në shumë pjesë të Risale-i Nurit, adhurimi është një lloj ilaçi për plagët shpirtërore. Në qoftë se dikush që është sëmurë do t’i përgjigjej ndonjë doktori të dhembshur e të mëshirshëm i cili ngulmon që i sëmuri të marrë ilaçe të cilat janë të dobishme për gjendjen e tij duke i thënë: “Çfarë nevoje ke ti për këtë ilaç derisa po ngulmon kaq shumë për ta përdorur? Ju mund ta kuptoni se sa absurde do të ishte kjo fjala e tij.

Sa për kërcënimet e ashpra dhe ndëshkimet e rrepta të Kur’anit lidhur me braktisjen e adhurimit, ato mund t’i ngjasojnë një mbreti i cili me qëllim që të mbrojë të “drejtat” e nënshtetasve, do t’i jepte ndëshkim të rreptë një njeriu të zakonshëm i cili ka bërë një krim që prek të drejtat e të tjerëve. Në të njëjtën mënyrë Sulltani i Parapërjetshëm e i Paspërjetshëm e ndëshkon rreptë atë që braktis adhurimin dhe faljet rituale, sepse ai shkel e dhunon në kuptim të drejtat e qënieve, të cilat janë si nënshtetëset e Atij Sulltani të Përjetshëm, dhe në fakt ai vepron padrejtësisht ndaj tyre, sepse plotësimet e qënieve manifestohen nëpërmjet lavdërimit dhe adhurimit të kryera nga ai aspekt i tyre që orientohet drejt Krijuesit të tyre të Gjithurtë. Ai që e braktis adhurimin nuk e shikon adhurimin e qënieve dhe as nuk do të jetë në gjendje ta shohë.

Madje ai e mohon atë. Për më tepër, qëniet zënë një pozitë të lartë nëpërmjet adhurimit dhe tesbihatit të tyre, dhe secila prej tyre është një mesazh i lartë i të Adhuruarit të përjetshëm dhe si një pasqyrë për reflektimin e Emrave Dritëdhënës të Krijuesit të saj. Ai, me këtë mohim, i zbret qëniet nga pozitat e tyre të larta dhe i shikon ato si të parëndësishme, të pajeta, pa qëllim dhe pa detyra dhe, në këtë mënyrë, ai i fyen ato, i mohon, i përçmon dhe shkel e cënon plotësimet e tyre.

Po, gjithësecili shikon botën në pasqyrën e vet. Allahu i Plotëfuqishëm e krijoi njeriun në një formë me të cilën mund ta masë universin dhe mund ta vlerësojë me peshat e saj. Dhe Ai i dha njeriut një botë të veçantë prej kësaj bote të madhe. Këtë botë të veçantë Ai e ngjyros për të në përputhje me besimin e tij të sinqertë.

Për shembull, një person i dëshpëruar, dhe ankues e vajtues i shikon qëniet si vajtuese dhe në pikëllim, kurse një njeri gazmor optimist dhe i hareshëm e shikon universin si të gëzuar e të buzëqeshur. Një njeri reflektues, meditues i dhënë pas adhurimit dhe tesbihateve në mënyrë serioze zbulon e shikon deri diku adhurimin dhe tesbihatet e qënieve, madje mund t’i shohë ato si një realitet ekzistues i sigurt. Ndërsa ai që e braktis adhurimin nga pakujdesia ose që e mohon atë, ai do t’i imagjinonte qëniet në mënyrë shumë të gabuar në një mënyrë krejtësisht në kundërshtim e në opozitë me realitetin e plotësimeve të tyre, duke shkelur kështu të drejtat e tyre.

Për më tepër, ai që braktis namazin i bën gjithashtu padrejtësi vetvetes nëpërmjet lënies së tyre, pasi ai nuk është pronar i vetes së tij; ai, nefsi, është një rob i Pronarit të Tij të vërtetë, i Krijuesit dhe i Përkrahësit të tij. Pronari i tij lëshon kërcënime të rrepta me qëllim që të mbrojë të drejtat e robit të Tij nga nefsi urdhërues për të liga. Gjithashtu, meqenëse ai e ka braktisur adhurimin, i cili është rezultati i krijimit të tij dhe qëllimi i natyrës së tij, ky është si një akt agresioni kundra Urtësisë Hyjnore dhe vullnetit Hyjnor dhe, prandaj ai merr ndëshkim.

Shkurtazi: Ai që braktis adhurimin, i bën padrejtësi edhe vetes së tij, që është robi dhe krejtësisht pronë në pronësi të Allahut të Plotëfuqishëm, dhe bën padrejtësi e shkel të drejtat e plotësimeve të universit.

Sigurisht, ashtu si mosbesimi që është një fyerje ndaj qënieve, po ashtu braktisja e adhurimit është një mohim i plotësimeve të Universit. Dhe meqenëse ky është një akt agresioni kundra Urtësisë Hyjnore, ai meriton kërcënime të rrepta dhe dënim të ashpër.

Kështu, për t’i shprehur këtë meritim dhe faktet e lartëpërmendura që zgjedh Kur’ani i shpjegimit të mrekullueshëm në mënyrë të mrekullueshme, stili i rreptë i cili është në përshtatje me parimet e elokuencës, u korrespondon kërkesave të situatës.

Pyetja e Dytë

Personi, i cili pati braktisur Natyralizmin dhe që hyri në besim, përsëri pyeti:

“Është një e vërtetë e madhe se çdo qënie varet nga Vullneti Hyjnor dhe nga Fuqia Hyjnore në çdo aspekt; në të gjitha funksionet e saj, në cilësitë dhe në veprat. Për shkak të madhështisë e të gjërësisë së saj, mendjet tona të ngushta nuk mund ta kapin atë.

Megjithatë, bollëku i pafundmë që ne shohim përreth nesh, dhe lehtësia e pakufishme në krijimin e në formimin e gjërave dhe, kollajllëku i pafundmë e lehtësia në rrugën e Unitetit, e cila u vërtetua nëpërmjet provave të tua më parë, dhe lehtësia e pafundme që vërsetet e Kur’anit si këto që vijojnë demonstrojnë qartë dhe shpjegojnë se

“Krijimi i ju të gjithëve dhe ringjallja e ju të gjithëve janë si (krijimi e ringjallja) e një njeriu të vetëm”,[5] dhe

“…Dhe çështja e orës (çastit të fundit) është sa një ‘hap e mbyll sytë’ ose edhe më afër”;[6] ato e tregojnë këtë të vërtetë madhështore të jetë një çështje që është më e pranueshmja dhe më e arsyeshmja. Cila është arsyeja dhe sekreti i kësaj lehtësie?

Përgjigjja: Kjo çështje u sqarua në mënyrën më të qartë, më vendimtare e bindëse në shpjegimin e,

“Dhe Ai është i Gjithëfuqishëm për të gjitha gjërat” i cili formon frazën e Dhjetë të Letrës së Njëzet. Madje ajo në mënyrë të veçantë, demonstroi më qartë tek shtojca e asaj letre se kur u atribuohen Një Krijuesi të Vetëm, të gjitha qëniet bëhen aq të lehta sa një qënie e vetme. Kurse në qoftë se nuk i atribuohet Atij të Vetmit në Unitet, krijimi i një krijese të vetme bëhet aq e vështirë sa ajo e të gjitha qënieve dhe, një farë do të bëhej aq problematike sa një pemë. Kur i atribuohen Krijuesit të tyre të Vërtetë, Universi bëhet aq i lehtë e pa shqetësim sa një pemë, pema aq e lehtë sa një farë, Parajsa aq e lehtë sa pranvera dhe pranvera aq e lehtë sa një lule. Ne tani do të shpjegojmë shkurt një ose dy dëshmi prej qindra dëshmive që janë shtjelluar në detaje në pjesët e tjera të Risale-i Nurit; ato dëshmi shpjegojnë misteret dhe shembujt e urtësisë në bollëkun e dukshëm e të pakufishëm dhe në shumicën e qënieve, lehtësinë e numrit të madh të individëve në çdo specie dhe faktin se qëniet e mirërregulluara, të punuara me mjeshtëri të lartë artistike dhe të vlefshme vijnë në ekzistencë me një shpejtësi shumë të madhe dhe me lehtësi të skajshme.

Për shembull, drejtimi i njëqind ushtarëve nën komandën e një oficeri të vetëm është njëqind herë më e lehtë se sa drejtimi i një ushtari të vetëm nën komandën e njëqind oficerëve.

Dhe kur çështja e pajisjes së një ushtrie të plotë me pajimet e domosdoshme ushtarake i ngarkohet një qendre të vetme me një ligj të vetëm, një uzine të vetme dhe komandës që lëshon një komandant i vetëm, atëherë kjo do të ishte aq e lehtë dhe e kollajtë, përsa i përket sasisë dhe shumicës, sa lehtësia e pajisjes së një ushtari të vetëm. Ndërsa në qoftë se pajisja e një ushtari të vetëm me pajimet e domosdoshme ushtarake do t’u referohej qendrave të shumta, uzinave të shumta dhe komandantëve të shumtë, kjo do të bëhej aq e vështirë sa pajisja e një ushtrie të plotë, sepse me qëllim që të pajisësh një ushtar të vetëm, do të kërkonte aq shumë fabrika aq sa janë të domosdoshme për një ushtri të plotë.

Përsëri, meqenëse nëpërmjet misterit të unitetit, domosdoshmëritë jetike të një peme sigurohen nëpërmjet një rrënje, një qendre dhe një ligji, ajo prodhon mijëra fruta me aq lehtësi sa një frut i vetëm; kjo është e qartë për shikimin. Ndërsa në qoftë se Uniteti ndryshohet me shumësinë dhe të gjitha domosdoshmëritë jetike për secilin frut do të siguroheshin nga vende të ndryshme, atëherë prodhimi i secilit frut do të bëhej aq i vështirë sa prodhimi i të gjithë pemës. Dhe madje të prodhosh një farë të vetme, e cila është një model dhe indeks i pemës, do të bëhej aq e vështirë sa pema, sepse të gjitha domosdoshmëritë jetike për jetën e pemës janë të domosdoshme edhe për farën gjithashtu.

Kështu, ndodhen qindra shembuj si këto të cilët tregojnë se është më e lehtë për mijëra qënie që të vijnë në ekzistencë nëpërmjet Unitetit se sa për një qënie të vetme për të ardhur në ekzistencë nëpërmjet shumësisë dhe të përshkruarit ortakë me Zotin xh.sh.. Meqenëse kjo e vërtetë është provuar me siguri absolute në pjesët e tjera të Risale-i Nurit, ne ua referojmë ato, dhe këtu vetëm do të shpjegojmë një mister të madh që lidhet me këtë lehtësi e kollajllëk nga këndvështrimi i Njohjes Hyjnore, i Kaderit Hyjnor dhe i Fuqisë Hyjnore, dhe ky mister është ky:

Ti je një qënie. Në qoftë se ti ia atribuon veten tënde të Gjithëfuqishmit me fuqi Absolute, Ai të krijon ty nga asgjëja me një urdhër të vetëm dhe me fuqinë e Tij Absolute për një çast, si ndezja e një fije shkrepëseje. Por në qoftë se nuk do t’ia dorëzoje veten Atij, por ia atribuon ‘Natyrës’ dhe shkaqeve fizike, atëherë do të bëhej e domosdoshme, për të të krijuar ty, një punë e hollë, të shoshisësh me një shoshë të hollë universin dhe elementet e tij dhe të grumbullosh në masë të saktë e të drejtëpeshuar nga të gjitha qoshet e universit substancat prej të cilave përbëhet trupi yt, sepse ti je një përmbledhje e mirorganizuar e universit, je fruti i tij i shijshëm, indeksi i tij i zvogëluar dhe lista e universit. Sepse shkaqet materiale vetëm grumbullohen e renditen. Është konfirmuar nga njerëzit e arsyes se shkaqet fizike nuk mund të krijojnë atë çfarë nuk është e pranishme në to; nga mosqënia e nga asgjëja. Prandaj ato do të detyroheshin të grumbullonin lëndët e domosdoshme të trupit të një qënieje të gjallë të vogël nga të gjitha vendet e botës.

Kuptoje nga kjo lehtësinë absolute në Unitet e në Njësi, dhe çfarë vështirësish qëndrojnë në çudhëzim dhe në të atribuuarit ortakë Krijuesit!

Ndodhet një lehtësi absolute në krijimin dhe në sjelljen në ekzistencë që buron nga këndvështrimi i “Njohjes Hyjnore”, që shpjegimi i saj i hollësishëm është siç vijon:

Kaderi Hyjnor është  një lloj prej Njohjes Hyjnore; ai përcakton një masë për çdo gjë, i cili është si një kallëp i tij jolëndor dhe i veçantë; masa e paracaktuar është si një plan ose si një model për qënien e gjësë. Kur fuqia Hyjnore krijon, ajo vepron kështu me një lehtësi të skajshme në përputhje me masën e paracaktuar. Në qoftë se gjëja nuk i atribuohet të Gjithëfuqishmit të Vetëm të Gjithëlavdishëm, i Cili Zotëron një Njohje gjithëpërfshirëse të pafundme të parapërjetshme, ashtu siç u përshkrua lart, shfaqen jo vetëm mijëra vështirësi, por qindra pamundësi; sepse në qoftë se nuk do të ishte masa e paracaktuar e cila ekziston në Njohjen Hyjnore, mijëra kallëpe fizike me ekzistenca të jashtme duhet të viheshin në shërbim në trupin e madje të një qënieje të vockël.

Atëherë kupto nga kjo një mister prej mistereve të lehtësisë absolute në Unitet e në Njësi dhe vështirësitë e pafundme në çudhëzim e në të përshkruarit ortakë Allahut. Dhe mësoje se çfarë e vërtete e saktë, korrekte dhe e lartësuar shprehet nga vërseti,

“Dhe çështja e Orës (çastit të fundit) është sa një ‘hap e mbyll sytë’ ose edhe më afër”.[7]

Pyetja e Tretë

Armiku i mëparshëm dhe miku i udhëzuar drejt, tani pyeti: ‘Filozofët’, të cilët kanë bërë shumë përparime këto ditë, pretendojnë se asgjë nuk krijohet nga hiçi, dhe asgjë nuk asgjësohet prej ekzistencës. “Ka vetëm përbërje të lëndës dhe shpërbërje të saj”! Dhe kjo e drejton këtë univers. A është kjo e saktë?”

Përgjigjja: Meqenëse filozofët më të avancuar të cilët nuk i shikuan qëniet me dritën e Kur’anit, panë se formimi dhe ekzistenca e qënieve nëpërmjet Natyrës dhe shkaqeve ishte aq e vështirë sa të jetë e pamundur -ashtu siç u provua lart në shpjegimin e mundësive dhe të pamundësive- dhe këta filozofë u ndanë në dy grupe.

Njëri grup u bë sofist; ata hoqën dorë nga arsyeja e cila është e posaçme për qëniet njerëzore dhe, duke rënë më poshtë se sa kafshët, ata e gjetën më të lehtë të mohonin ekzistencën e universit dhe madje edhe vetë ekzistencën e tyre, se sa të ndjekin rrugën e çudhëzimit, e cila pretendon se shkaqet dhe Natyra kanë fuqinë për të krijuar. Prandaj ata mohuan edhe vetveten, edhe universin dhe ranë në një injorancë absolute.

Grupi i Dytë pa se në çudhëzim, sipas të cilit shkaqet dhe Natyra janë krijues, krijimi madje i një mize apo i një fare hap vështirësi të panumërta dhe kërkon një fuqi të madhe të cilën nuk e kap arsyeja. Prandaj ata u detyruan të mohonin aktin e krijimit dhe të thonin: Asgjë nuk mund të ekzistojë prej asgjësë -të paqenës-”. Duke parë gjithashtu asgjësimin e plotë të jetë i pamundur, ata deklaruan: “Ajo që ekziston nuk mund të shkojë në asgjësi”.

Ata përfytyruan një situatë imagjinare në të cilën përbërja dhe shpërbërja, grumbullimi dhe shpërndarja, ndodhin nëpërmjet lëvizjes së grimcave dhe erërave të rastësisë.

Tani shiko! Ata që e konsiderojnë veten të jenë më të zgjuarit, janë më injorantët e më të çmendurit, dhe mëso nga kjo se sa qesharak, të poshtëruar e injorant e bën çudhëzimi këtë njeri të nderuar, kur ky mohon besimin. (Ne me rolin tonë i pyesim këto:)

Në të vërtetë, Fuqia e Parapërjetshme i krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë; në çdo vit krijon katërqind mijë specie në të njëjtën kohë në faqen e tokës, dhe në gjashtë javë në çdo pranverë ndërton një botë të gjallë me plot art e urtësi se sa vetë bota. Kështu do të ishte më i marrë e më injorant se sa sofistët -grupi i parë lart- të cilët mohojnë aktin e krijimit dhe që e vlerësojnë atë si të pagjasë, ashtu si një lëndë kimike e cila kur përdoret shfaq shkrimin e padukshëm (pra, ajo fuqi krijon me lehtësi absolute si lehtësia e shfaqjes së shkrimit të padukshëm me anë të kalimit sipër tij të një lënde kimike), po ashtu fuqia e parapërjetshme duhet t’u japë ekzistencë të jashtme qënieve, të cilat, ndonëse nga ana e jashtme janë mosekzistuese, ekzistojnë si njohje dhe, planet dhe masat e të cilave janë paracaktuar në Botën e Njohjes së Parapërjetshme.

Këta fatkëqinj janë krejtësisht të pafuqishëm dhe nuk kanë asgjë në dispozicion përveç një aftësie të pjesshme dëshire. Megjithëse fryhen e mburren si Faraonë, ata as nuk mund të asgjësojnë ndonjë gjë dhe as nuk mund të krijojnë diçka prej asgjësë, dhe madje nuk mund të krijojnë as edhe një grimcë të vockël. Dhe kështu, ndonëse asgjë nuk vjen në ekzistencë prej asgjësë tek dora e shkaqeve dhe e Natyrës mbi të cilat ata mbështeten, por nga marrëzia e tyre ata thonë: “Asgjë nuk vjen nga mosqënia dhe asgjë nuk shkon në mosqënie”.

Madje ata përpiqen ta përgjithësojnë e ta shtrijnë këtë parim absurd e të gabuar edhe mbi fuqinë e të Gjithëfuqishmit me fuqi absolute xh.sh..

Po, i Gjithëfuqishmi absolut i Gjithëlavdishëm ka dy mënyra krijimi:

E Para është nëpërmjet zanafillës -krijimit- dhe shpikjes.

Domethënë, Ai e krijon ekzistencën nga mosekzistenca duke e krijuar nga asgjëja, dhe krijon të gjitha gjërat e domosdoshme për këtë ekzistencë nga mosekzistenca dhe ia dorëzon ato asaj.

E Dyta është nëpërmjet kompozimit -krijimit-, nëpërmjet artit. Domethënë, Ai i formon disa qënie nga elementet e universit me qëllim që të demonstrojë shembuj të hollë urtësie dhe për të shfaqur plotësimet e Urtësisë së Tij dhe manifestimet e Emrave të Tij të bukur.. dhe për shembuj të tjerë të hollë urtësie si këto. Nëpërmjet ligjit të furnizueshmërisë, Ai ua dërgon grimcat dhe lëndën, të cilat janë të varura nga komanda e Tij, këtyre qënieve dhe i vë grimcat në punë në ato.

Po, i Gjithëfuqishmi me fuqi absolute krijon me dy mënyra; Ai krijon edhe nga zanafilla, edhe kompozon -përbën. Të asgjësuarit e asaj që ekziston dhe bërja të ekzistojë atë çfarë nuk ekziston është gjëja më e thjeshtë e më e lehtë për Të. Kjo është një nga ligjet e Tij të qëndrueshme dhe universale. Prandaj, njeriu i cili thotë: “Ai nuk mund t’i japë ekzistencë asaj që nuk ekziston”, përballë një fuqie e cila në një pranverë bën nga asgjëja të ekzistojnë format dhe cilësitë e treqind mijë qënieve të gjalla, dhe përveç grimcave të tyre, u jep të gjitha kushtet dhe gjendjet e tyre, një njeri i tillë duhet patjetër që vetë të bie në errësirën e mosekzistencës!

Personi i cili e flaku tutje Natyrën dhe që përqafoi të vërtetën tha:

Lavdi Zotit! Dhe falënderime sa numri i grimcave në ekzistencë që kam fituar besim të plotë. Unë kam shpëtuar nga mashtrimi e çudhëzimi. Të gjitha dyshimet janë larguar prej meje.

 

“Lavdi Zotit për fenë islame dhe për plotësimin e imanit!”

“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë që Vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti.[8]

* * *

[1] Shtytësit më të fortë për të shkruar këtë trajtesë ishin sulmet që bëheshin kundra Kur’anit nga ata të cilët e quajtën bestytni çdo gjë që medjet e tyre të prishura nuk mund ta kapnin, të cilët përdornin Natyrën për të justifikuar mosbesimin dhe të cilët i nënvlerësonin të vërtetat e besimit në mënyrën më agresive e të shëmtuar. Ato sulme ndozën në zemrën time një zemërim të madh i cili rezultoi që ata ateistë të çoroditur dhe ata shtrembërues të së vërtetës të merrnin shuplaka të forta e të rrepta. Përndryshe, rruga e ndjekur përgjithësisht nga Risale-i Nuri është e shtruar, e sjellshme dhe bindëse.

[2] Kur’an, 14:10

[3] Po, duke qenë me këtë lidhje, fara merr një urdhër nga Kaderi Hyjnor dhe i shfaq ato detyra të mrekullueshme. Por në qoftë se do të këputej ajo lidhje, atëherë krijimi i asaj fare do të kërkonte aparatura, fuqi dhe mjeshtëri më shumë se sa kërkon krijimi i pemës së madhe të pishës; sepse të gjitha pjesët e pemës së pishës të cilat veshin -mbulojnë- malet dhe u shtojnë atyre bukuri e hijeshi dhe të cilat përfaqësojnë një vepër të mishëruar të qartë të Kaderit Hyjnor; do të duhej të ishin të pranishme në pemën jolëndore e cila është vepra i Kaderit Hyjnor dhe e cila është përfshirë në atë farë, sepse fabrika e asaj peme gjigante fshihet në atë farë.

Dhe pema e paracaktuar e mundshme brenda farës bëhet e dukshme në botën e jashtme nëpërmjet fuqisë së Kaderit dhe bëhet një pishë e madhe fizike. Autori

[4] Kur’an, 14:10

[5] Kur’an, 31:28

[6] Kur’an, 16:77

[7] Kur’an, 16:77

[8] Kur’an,2:32