Ashtu siç e parashtruam edhe më parë, në islam, martesa është një çështje shumë serioze dhe duhet trajtuar po me të njëjtin seriozitet. Në themel, ngaqë nëna dhe babai janë, në të njëjtën kohë, edhe mësuese dhe mësues, martesa duhet menduar kur kandidatët për bashkëshortë të vijnë në moshën që të mund ta kryejnë edhe këtë mision.
Imam Xhaferi pati kërkuar një herë nga nxënësit e vet që ta shtynin martesën për më vonë. Edhe Ebu Hanifeja e pati penguar për një kohë të caktuar nxënësin e vet, imam Ebu Jusufin, nga martesa, duke i thënë: “Para së gjithash duhet ta plotësosh periudhën e mësimit dhe edukimit dhe, gjersa të të vijë koha e martesës, duhet t’i kesh marrë patjetër dijet që duhen marrë. Në të kundërt, jeta shkollore të mbetet për gjysëm. Veçanërisht, duhet të kesh një punë për t’ia siguruar me hallall jetën familjes. Kur t’i kesh plotësuar të gjitha këto, vija e jetës do të të bëhet më e qartë!” Ja, kështu e këshillonte Ebu Hanife nxënësin e tij të vetëm, atë që në periudhën e kalifatit të abasitëve qe ngjitur gjer në pozitën e shehulislamit!
Nga këta dy persona, njëri është koka e madhe, ati i të drejtës juridike teorike, Ebu Hanife, imami i shkollës sonë jurudike-fetare. Kurse tjetri, një imam i veçantë, i ardhur nga familja e Profetit (s.a.s.). Ajo çka duhet të kuptojmë ne nga këto dy raste, është se institucioni i martesës është një institucion mjaft serioz. Nisur nga kjo, duhet parë nëse ata që kanë për t’u martuar, kanë ardhur apo jo në nivelin e një mësuesi, e një edukuesi për të rritur fëmijë? Ose, a duket ta kenë moshën dhe mendjen për ta ndarë jetën me një bashkëshort apo bashkëshorte? A i kanë pajisjet e duhura për t’i përgatitur fëmijët sipas botëkuptimit tonë?
Po qe se kandidatët mund t’u përgjigjen pozitivisht këtyre pyetjeve tona dhe po të kenë edhe besim në vetvete, mund t’ia hyjnë kësaj pune të qetë. Por po qe se kandidatët, të paaftë për ta drejtuar veten e vet, nuk munden të gjejnë katër-pesë pika të përbashkëta për t’u marrë vesh dhe bashkëjetuar me të tjerët dhe nxjerrin çdo ditë ngatërresa të reja, nuk mund të thuhet se janë pjekur sa për t’u martuar dhe për të rritur fëmijë!
*
Fethullah Gylen