Krijimi i shejtanëve, të cilët janë thjesht e keqe, sulmi dhe bezdisjet e tyre ndaj njerëzve të besimit, nxitja që ata u bëjnë shumë njerëzve dhe hyrja e tyre në zjarr për shkak të dredhive dhe intrigave të tyre, shfaqet se është e tmerrshme dhe e shëmtuar. Si e pranon mëshira e Atij Mëshirëploti Absolut dhe si e lejon Bukuria e Atij Hirploti Absolut i Cili është i Gjithëmëshirshmi i Bukurisë, këtë shëmti të pafundme dhe katastrofë të madhe?!
Përgjigjja: Përveç të këqijave të pjesshme të shejtanëve, ndodhen shumë qëllime të mira universale në ekzistencën e tyre, si dhe arritje njerëzore, plotësime e përparime.
Po, ashtu siç ndodhen shkallë të shumta duke filluar nga bërthama për tek pema gjigante, po ashtu edhe aftësitë e ngulitura në natyrën njerëzore janë më të shumta se sa ajo, madje mund të arrijnë shkallët që gjenden ndërmjet grimcës dhe diellit. Me qëllim që të shfaqen këto aftësi dhe të zhvillohen mundësitë, kërkohet patjetër një lëvizje a një akt, pra një veprim është i domosdoshëm. Lëvizja e mekanizmit të progresit në një veprim të tillë shkaktohet nëpërmjet ‘përpjekjes, luftës’. Dhe kjo përpjekje apo luftë ndodh veçse nëpërmjet ekzistencës së shejtanëve dhe të gjërave të dëmshme; sepse në qoftë se nuk do të kishte qenë ajo ‘përpjekje’, shkalla e njeriut do të kishte mbetur e fiksuar, e pandryshueshme ashtu si ajo e melekëve; nuk do të kishte pasur rangje e klasa në llojin njerëzor të cilat u ngjasojnë mijërave të llojeve e specieve. Dhe do të ishte në kundërshtim me urtësinë dhe drejtësinë nëse do të lihej një mirësi shumë e madhe për të shmangur ndodhjen e një të keqeje të vogël të pjesshme. Sigurisht shumica e njerëzve përqafojnë çudhëzimin për shkak të shejtanit, mirëpo rëndësia dhe vlera shikojnë kryesisht tek ‘cilësia’; ato e shikojnë pak sasinë ose hiç fare.
Për shembull, në qoftë se një njeri ka një mijë e dhjetë farëra, të cilat ai i mbjell në tokë, dhe nën dhé farërat i nënshtrohen një reaksioni kimik, si rezultat i të cilit dhjetë farëra bëhen pemë dhe një mijë kalben, atëherë fitimi që merr njeriu nga dhjetë farërat të cilat janë bërë pemë sigurisht e eliminon humbjen që pësoi nga një mijë farërat e kalbura e të prishura.
Dhe në të njëjtën mënyrë, nëpërmjet luftës dhe përpjekjes kundra nefsit dhe shejtanit, fitimi, nderi, ndriçimi dhe vlera për llojin njerëzor i arritur dhe i fituar nga dhjetë njerëz të përkryer, të cilët janë si yje, sigurisht e zvogëlojnë dhe e pakësojnë deri në asgjë dëmin që i është shkaktuar njerëzimit nga njerëzit e çudhëzimit të cilët përqafojnë mosbesimin dhe konsiderohen si kafshë parazitare për qënien e tyre të ulët e të papërfillshëm. Meqenëse është kështu, Mëshira Hyjnore, urtësia dhe drejtësia kanë lejuar ekzistencën e Shejtanëve dhe i lejoi ata t’i shqetësojnë njerëzit.
O Njerëzit e besimit! Mjeti juaj i blinduar kundra këtij armiku të tmerrshëm është frika ndaj Zotit që prodhohet në punishten e Kur’anit të gjithurtë. Dhe mbulesa mbrojtëse, mburoja, është sunneti i Profetit Muhammed a.s., dhe arma e juaj është kërkimi i mbrojtjes, kërkimi i faljes dhe kërkimi i strehimit tek mbrojtja Hyjnore.
Bediuzzaman/ LETRAT