SHKREPTIMA E TRIDHJETË
Shkreptima e Tridhjetë e Letrës së Tridhjetë e Një dhe Një frut i Burgut të Eskishehir.
Kjo përbëhet nga Gjashtë Pika.
[Ashtu si Trajtesa “Frutet e besimit” që ishte leksioni më i lartë i shkollës Jusufie të Denizlit, dhe trajtesa El-Huxh-xhetu Ez-zehra, Prova vezulluese, që ishte leksioni më i çmueshëm i Shkollës Jusufie të Afjonit, po ashtu një mësim i fuqishëm i rëndësisë më të madhe i Burgut të Eskishehir është kjo Shkreptima e Tridhjetë, e cila shpjegon Gjashtë Pika rreth Gjashtë Emrave Hyjnorë duke mbajtur Emrin më të madh.
Gjithësecili nuk do t’i kuptojë menjëherë dhe nuk do t’i vlerësojë çështjet e thella dhe të shtrira në pjesët rreth Emrave Hyjnorë El-Hajj, I Gjalli i Përjetshëm dhe El-Kajjum, Vetekzistuesi i Përhershëm prej Emrit më të madh, por megjithatë ata nuk do të mbeten pa pjesë prej tyre.]
* * *
PIKA E PARË
Emri Hyjnor El-Kuddus, Më i Shenjti.
[Kjo pikë lidhet me një aspekt të Emrit Hyjnor El-Kuddus. Ajo është e përshtatshme që të formojë një shtesë për Shtojcën e Fjalës së Tridhjetë.]
Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
“Edhe tokën Ne e shtruam. Dhe sa Shtrues të shkëlqyer jemi Ne![1]
Një manifestim e Emrit Hyjnor, El-Kuddus, Më i Shenjti, i Cili është njëri kuptim i vërsetit të lartëpërmendur dhe është Emri më i Madh dhe njëra prej gjashtë dritave të përfshira në Emrin më të Madh, m’u bë i qartë në muajin Hënor Sha’ëban në Burgun Eskishehir. Ajo demonstroi me qartësi të plotë edhe ekzistencën Hyjnore. Unë e pashë atë si më poshtë vijon:
Ky univers dhe ky glob tokësor janë si një fabrikë e madhe duke punuar në mënyrë të vazhdueshme dhe i ngjasojnë një hoteli të madh ose një bujtine e cila në mënyrë të vazhdueshme mbushet e boshatiset, duke ditur se bujtina kaq të gjëra si këto, dhe me kaq shumë individë që vijnë e shkojnë, mbushen me plehra, mbeturina e me gërmadha, dhe e bëjnë çdo gjë të ndotur, dhe kushtet dhe shkaqet e jetës bëhen të ngushta e të vështira në to.
Në qoftë se nuk do të punonte në to dora e pastrimit dhe e mirërregullimit në mënyrë të vazhdueshme, ato papastërtira e mbeturina do të çonin në mbytjen e njeriut dhe në pamundësinë e tij për të jetuar…
Pavarësisht se ne gati nuk shohim në këtë fabrikën madhështore të universit dhe në këtë bujtinë të Globit tokësor shenja mbeturinash, ashtu siç nuk gjendet në asnjë qoshe të tyre ndonjë lëndë e padobishme apo jo e domosdoshme, apo të jetë lëshuar kot. Madje edhe në qoftë se do të shfaqej ndonjë lëndë si këto, me t’u shfaqur, ajo lëshohet nëpër makineri transformimi dhe ato e kthejnë atë në lëndë të pastër..
Kjo do të thotë se Ai i Cili kujdeset pas kësaj fabrike, kujdeset në mënyrën më të mirë e të përkryer. Pronari i saj është i Tillë saqë Ai urdhëron për t’u fshirë, për t’u pastruar dhe për t’u sistemuar vazhdimisht fabrika e madhe dhe pallati i shtrirë sikur ato të ishin dhoma të vogla, dhe nuk shikohen më në to, pavarësisht madhështisë së tyre, shenja plehrash e mbeturinash të cilat mund të jenë në përpjesëtim me madhësinë e fabrikës dhe me përmasën e saj shumë të madhe.
Atëherë përkujdesja për pastrim është e vazhdueshme, vëmendja për fshirje është e përhershme dhe në harmoni me madhësinë e fabrikës dhe të gjërësisë së saj.
Në qoftë se një njeri nuk e lan vetveten dhe nuk e pastron dhomën e tij të vogël për një muaj, ato do të bëheshin jashtë mase të pista e të ndotura. Domethënë, pastrimi, shkëlqimi, pastërtia në këtë pallat të botës buron nga një pastrim i vazhdueshëm, i urtë, i zellshëm dhe i kujdesshëm. Në qoftë se nuk do të ishte ky pastrim, kjo fshirje dhe kjo përkujdesje e vazhdueshme për pastërti, do të mbyteshin për një vit qindra e mijëra speciet e kafshëve në faqen e tokës.
Gjithashtu, rrënojat e planeteve në hapësirë dhe të qiejve, të cilët manifestojnë jetën dhe vdekjen, dhe ato të satelitëve dhe të yjeve do të kishin copëtuar jo vetëm kokat tona dhe ato të kafshëve të tjera, por gjithashtu edhe kokën e vetë tokës dhe atë të botës sonë. Ato do të kishin lëshuar mbi kokat tona shkëmbinj me madhësinë e maleve dhe do të na kishin dëbuar prej atdheut tonë në këtë botë. Por për një periudhë shumë të gjatë kohore në të shkuarën, si një paralajmërim disa meteorë kanë rënë si rezultat i shkatërrimit dhe rindërtimit në ato botëra të larta, dhe ato nuk kanë goditur asnjë njeri, por kanë qenë veçse për të nxjerrë mësime.
Për më tepër, kërmat e qindra mijëra specieve të kafshëve dhe gërmadhat e mbeturinat e dyqind mijë llojeve të bimëve në çdo vit në faqen e tokës që shkaktohen nga Qarkullimi dhe luftërat për jetën dhe vdekjen, do ta kishin ndotur aq shumë tokën dhe detin, saqë krijesat e vetëdijshme, në vend që ta donin e të përmalloheshin për faqen e tokës, do të ndjeheshin të neveritura e të ftohura prej një shëmtie e fëlliqësie të tillë dhe do të iknin prej saj për tek vdekja dhe për tek mosekzistenca.
Ashtu siç i pastron zogu krahët e tij me lehtësi, ose siç i pastron shkruesi fletët e librit të tij me lehtësi të plotë, po kështu pastrohen fletët e kësaj toke fluturuese së bashku me zogjt qiellorë në hapësirë; fletët e këtij libri madhështor të universit, pastrohen, stolisen dhe bëhen të bukur ashtu si shembulli i asaj lehtësie e kollajllëku. Madje pastrimi i kësaj faqes së tokës, fshirja, rregullimi, sistemimi dhe stolisja është nga plotësimi i artit dhe i përkryerjes gjë e cila i bën ata që nuk shohin nëpërmjet besimit të tyre -bukurinë e Ahiretit ta duan fort këtë bukuri dhe këtë pastërti të kësaj bote të kësaj dynjaje, madje ata mund ta adhurojnë atë!
Domethënë, ky pallat i botës dhe kjo bukuri e universit shfaqin manifestimin më të madh të Emrit Hyjnor El-Kuddus.
Saqë kur shfaqen urdhërat e shenjta Hyjnore lidhur me fshirjen dhe me pastrimin, ato nuk lëshohen vetëm për kafshët e mëdhaja mishngrënëse të detit, të cilat kryejnë detyrën e pastrimit, dhe për shkabat dhe skifterët e tokës të cilët u binden atyre urdhërave të shenjtë për pastrim, por ato urdhëra i dëgjojnë gjithashtu edhe llojet e krimbave dhe të milingonave të cilat i mbledhin kërmat dhe marrin përsipër detyrën e punonjësve të shërbimit të përgjithshëm shëndetësor duke u përkujdesur për to në këtë botë; madje këto urdhëra të shenjta edhe rruazat e kuqe e të bardha të gjakut qarkullojnë në trup dhe e bëjnë pastrimin në qelizat e trupit, madje edhe frymëmarrja kryen pastrimin e gjakut. Dhe ashtu si kapakët e hollë të syrit që u binden këtyre urdhërave për të pastruar syrin në mënyrë të vazhdueshme, po ashtu edhe mizat u binden atyre urdhërave dhe bëjnë gjithmonë pastrimin e krahëve të tyre.
Ashtu siç u binden atyre urdhërave të shenjta për pastrim të gjitha ato që u përmendën lart, gjithashtu atyre u binden edhe atmosfera e shtrirë dhe retë e rënda dhe erërat që fryjnë. Këto e pastrojnë faqen e tokës nga plehrat dhe mbeturinat, sfungjerët e reve spërkasin me shi kopshtin e tokës dhe e qetësojnë pluhurin e dheun. Pastaj ato tërhiqen e fshehin vetveten me një rregullsi të plotë me të gjitha mjetet e tyre, me qëllim që të kthehet bukuria e shndritshme në faqen e qiellit duke shkëlqyer e vezulluar.
Dhe ashtu si yjet, elementet, mineralet dhe bimët që u binden urdhrave për pastrim, po ashtu të gjitha grimcat dhe atomet u binden atyre urdhërave; ato i kushtojnë vëmendje pastrimit në përmbysjet e çuditshme të ndryshimit dhe të transformimit. Ato kurrë nuk grumbullohen ndokund në mënyrë të panevojshme dhe të zënë rrugën. Edhe në qoftë se bëhen të ndotura, ato pastrohen shpejt. Ato shtyhen nga një dorë urtësie për të fituar më të pastërtën, më të papërzierën, më të shkëlqyerën e gjendjeve, më të bukurën, më të pastërtën dhe më të hollën e formave.
Kështu, ky akt i veçantë, domethënë, akti i pastrimit, që është një e vërtetë e vetme, është një manifestim më i madh i Një Emri më të madh, prej manifestimeve të Emrit El-Kud-dus i cili e shfaq vetveten në sferën më të lartë, domethënë, në sferën më të gjërë të sferave të universit; Saqë e sqaron ekzistencën Hyjnore dhe e shfaq unitetin Hyjnor së bashku me Emrat e Tij të bukur në mënyrën më të qartë ashtu si dielli i shndritshëm, dhe ua shfaq atë syve largpamës.
Është vërtetuar me prova vendimtare në shumë pjesë të Risale-i Nurit se meqenëse akti i organizimit dhe i rregullimit, i cili është manifestimi i Emrave Hyjnorë El-Hakem dhe El-Hakim, i Dituri dhe i Gjithurti; dhe akti i peshimit dhe i balancimit është manifestimi i Emrave Hyjnorë, El-Adl dhe El-A’dil, Drejtësia dhe i Gjithëdrejti; dhe akti i stolisjes dhe i mirëbërësisë, i cili është një nga manifestimet e Emrave Hyjnorë, El-Xhemilu, El-Kerim, Hirploti, Gjithëbujari; dhe akti i mbështetjes, i edukimit dhe i të dhuruarit i cili është një nga manifestimet e Emrave Hyjnorë, Er-Rabb, Er-Rahim; Mbështetësi -Zhvilluesi, Mëshirëploti..
Secili nga këto akte, është një akt i vetëm dhe e vërtetë e vetme që shikohen me qartësi në horizontet e të gjithë universit, dhe secili prej tyre tregon domosdoshmërinë e ekzistencës së Një të Vetmi, dhe e shfaq me qartësi unitetin e Tij.
Gjithashtu, akti i të pastruarit dhe i fshirjes i cili është një nga manifestimet e Emrit Hyjnor El-Kuddus, Më i Shenjti, tregon për ekzistencën e Atij të domosdoshmi, ashtu si dielli, dhe e shpjegon Unitetin e Tij aq qartë si dita..
Dhe ashtu si aktet e përmendura të rregullimit, drejtpeshimit, zbukurimit dhe pastrimit e të tjera si këto prej akteve të urta të cilat tregojnë një Krijues të Vetëm nëpërmjet unitetit të tyre të llojit në sferën më të lartë, po kështu bëjnë shumica e Emrave të Bukur. Madje secili prej Një Mijë e Një Emrave ka një manifestim më të madh në sferën më të lartë nga sferat e këtij universi. Akti që buron nga ai manifestim tregon Të Vetmin Unik me një qartësi të tillë duke iu përshtatur atij akti dhe qartësisë së tij.
Po, urtësia universale e cila ia nënshtron çdo gjë ligjit dhe sistemit të saj, dhe përkujdesja e gjithanshme zbukuron dhe stolis çdo gjë, dhe mëshira e gjërë e cila fut gëzimin e kënaqësinë tek çdo gjë duke e bërë atë të jetë në dhënie të vazhdueshme lavdërimesh, furnizimi universal me rizk i cili i ushqen dhe u jep kënaqësi të gjitha gjërave, dhe jeta dhe dhënia e jetës e cila e lidh çdo gjë me të gjitha gjërat dhe çdo gjë të përfitojë prej të gjitha gjërave, si të ishte pronarja e gjërave..
Këto të vërteta të vetëkuptueshme dhe aktet e veçanta që vëzhgohen qartë, të karakterizuara me unitetin, që e bëjnë faqen e tokës të shndërisë me shkëlqim dhe që nisin me gëzim e kënaqësi, tregojnë në mënyrë të vetëkuptueshme të Gjithurtin, Gjithëbujarin, Mëshirëplotin, Furnizuesin, të Gjallin e Vetëm Jetëdhënës, ashtu siç tregon drita diellin, dhe Allahut i takon krahasimi më i lartë.
Në qoftë se ato qindra akte të shtrira, secili prej tyre është një provë e qartë e Unitetit të Zotit xh.sh., nuk do t’i atribuoheshin Një të Vetmi, atëherë secili prej tyre do të bëhej domosdoshmërisht i pamundur në qindra drejtime. Për shembull, le t’i lëmë të vërtetat e vetëkuptueshme dhe dëshmitë e njësisë, si urtësinë, furnizimin me rizk, mëshirën, mbështetjen dhe dhënien e jetës; në qoftë se vetëm akti i pastrimit nuk do t’i atribuohej Krijuesit të universit, atëherë do të bëhej e domosdoshme -në rrugën e mohimit dhe të çudhëzimit- që çdo gjë të kishte lidhje me pastrimin duke filluar nga grimcat, për tek insektet, mizat, elementet dhe deri tek yjet, dhe që të gjitha këto krijesa duhet të kishin aftësinë e dijes, njohjes dhe të pastrimit të këtij universi madhështor, të stolisjes së tij, të zbukurimit dhe të drejtpeshimit të gjithçkaje që ndodhet në të!! Dhe të vepronin në përputhje me to; ose secila nga ato duhej të karakterizohej nga atributet e shenjta të Krijuesit të botëve, ose tek secila duhej të ishte i pranishëm një takim konsultativ, një kuvend me masën e universit me qëllim që të rregullonte ekuilibrin e zbukurimit dhe të pastrimit të universit dhe të hyrat dhe të dalat e tij, dhe ta formonte këtë tubim, kuvend, me grimca të panumërta, me miza dhe me yje!!
Dhe kështu, qindra besëtytni, gjepura dhe pamundësi sofistike si këto do të ndodhnin me qëllim që zbukurimi dhe pastrimi universal, gjithëpërfshirës dhe i lartësuar të shfaqeshin e të shiheshin gjithandej. Sa për këtë, kjo nuk është e mundur një herë, por qindra e mijëra herë.
Në qoftë se drita e ditës dhe diejt imagjinarë të zvogëluar të përfaqësuar në të gjitha objektet e shndritshëm në tokë nuk do t’i atribuoheshin diellit dhe nëse nuk thuhet se ato janë manifestimi i reflektimit të diellit, atëherë do të bëhej e domosdoshme ekzistenca e një dielli të vërtetë të ishte i pranishëm në të gjitha copat e xhamit, në pikat e ujit dhe në flokët e borës të cilat shkëlqejnë në faqen e tokës, dhe madje në të gjitha grimcat e ajrit, me qëllim që të shfaqej ajo dritë e cila përgjithëson ekzistencën!!
Dhe kështu:
Urtësia është gjithashtu një dritë; mëshira e gjithanshme është një dritë; zbukurimi, drejtpeshimi, rregullimi dhe pastrimi, secili prej tyre është një dritë gjithëpërfshirëse; ato të gjitha janë rrezet e Diellit të parapërjetshëm. Atëherë, shiko me dritën e besimit se si çudhëzimi dhe mosbesimi kanë hyrë në një moçal prej të cilit nuk mund të dalin, dhe shiko se sa idiote është injoranca e çudhëzimit! Thuaj:
“Lavdi Zotit për fenë islame dhe për plotësimin e imanit!”
Po, ky pastrim i lartësuar universal i cili e mban të pastër pallatin e universit është manifestimi dhe kërkesa e Emrit Hyjnor El-Kuddus, Më i Shenjti. Dhe ashtu siç shikojnë tesbihatet e të gjitha krijesave tek Emri El-Kuddus, po ashtu Emri El-Kuddus kërkon pastrimin e të gjitha atyre krijesave.[2]
Për shkak të kësaj lidhje të shenjtë të pastërtisë, hadithi,
“Pastërtia është pjesë e besimit”[3] e vlerëson pastërtinë si një dritë të besimit. Dhe vërseti
“ Vërtet Allahu i do shumë ata të cilët i kthehen Atij me pendim; dhe Ai i do ata të cilët e pastrojnë vetveten, që e mbajnë vetveten të pastër”, [4] tregon se pastërtia është mjet për të tërhequr dashurinë e Zotit xh.sh..
* * *
PIKA E DYTË
Emri Hyjnor El-Adl,i Drejti
“Dhe s’ka asgjë që Ne të mos i kemi për të thesaret e pashtershëm dhe Ne nuk e dërgojmë atë veçse në masë të drejtë e të ditur”.[5]
Një pikë lidhur me këtë vërset dhe një dritë nga dritat e manifestimeve të Emrit Hyjnor, El-Adl,i Drejti, i cili është një Emër më i madh ose njëri nga gjashtë dritat që përfshijnë Emrin më të madh, ashtu si Pika e Parë, m’u shfaq mua nga larg ndërsa isha në Burgun Eskishehir. Me qëllim që ta sjellim atë më afër të kuptuarit, përsëri nëpërmjet një krahasimi, ne themi sa vijon:
Universi është një pallat, por është një pallat i tillë i mahnitshëm i cili përfshin një qytet të gjërë që në mënyrë të vazhdueshme lëkundet nga shkatërrimi e rindërtimi. Dhe në atë qytet ndodhet një mbretëri e gjërë e cila zien e trazohet vazhdimisht nga dukuritë e forta të luftës e të emigracionit. Dhe brenda asaj mbretërie është një botë e cila papushim rrotullohet midis vdekjes dhe jetës.
Mirëpo një balancë e tillë e çuditshme, një drejtpeshim dhe një baraspeshim sundon në pallat, në qytet, në mbretëri dhe në botë saqë në mënyrë të vetëkuptueshme provon se transformimet, të hyrat e të dalat e dukshme në këto qënie të padukshme maten e drejtpeshohen në çdo moment në pjatat e peshores së Një të Vetmi i Cili e mbikëqyr dhe e kontrollon të gjithë universin.
Sepse në qoftë se do të kishte qenë ndryshe, në qoftë se shkaqet do të kishin qenë të lira e të pakufizuara duke iu lënë rastësisë së paqëllim, ose forcave të verbëra, ose natyrës së errët të pavetëdijshme, atëherë vezët e një peshku të vetëm që janë më shumë se një mijë, do ta prishnin atë balancim, madje farat e një luleje të vetme, si Hashashi e cila prodhon më shumë se njëzet mijë farëra, do ta prishnin drejtpeshimin, dhe nëpërmjet sulmit të rreptë dhe furisë së ndryshimit dhe të elementeve duke vërshuar si rrjedha dhe, ndryshimet e transformimet e mëdha të cilat ndodhin në anët e universit.. secila prej tyre, në qoftë se do të kishte qenë e lirë dhe e pakufizuar, do të mund ta shkatërronte atë ekuilibër të hollë të vendosur midis krijesave, dhe do ta prishte atë drejtpeshim të plotë midis pjesëve të universit brenda një viti, ose madje brenda një dite do ta shihje botën në kaos. Domethënë, detet do të kishin qenë mbushur me gjëra rrënoja, me kërma, mbeturina e gjëra të prishura; atmosfera do të ishte helmuar me gazra të dëmshёm; ndërsa toka do të ishte kthyer në një kapicë plehu, një therrtore dhe një moçalishte. Bota do të ishte mbytur, do t’i ishte zënë fryma.
Nëse dëshiron, hidhe vështrimin tek të gjitha krijesat, duke filluar nga qelizat e trupit, rruazat e kuqe e të bardha të gjakut, transformimet e grimcave të vogla, përpjesëtimi i drejtë dhe harmonia midis gjymtyrëve të trupit, të hyrat e të dalat prej deteve, të ardhurat dhe shpenzimet e burimeve nën tokë, midis lindjes dhe vdekjes së kafshëve dhe të bimëve, shkatërrimit të vjeshtës dhe rindërtimit të pranverës, detyrave të elementeve dhe lëvizjes së yjeve, ndryshimeve, luftërave dhe përplasjeve të vdekjes dhe të jetës, dritës dhe errësirës dhe nxehtësisë dhe të ftohtit si dhe midis gjërave të tjera të ngjashme me to, me qëllim që të shikosh se të gjitha: peshohen e vlerësohen me një balancë aq të ndjeshme, me një masë aq të hollë, sa që mendja njerëzore nuk mund të shikojë askund ndonjë harxhim të tepërt apo kotësi, ashtu siç vëzhgojnë shkenca njerëzore dhe filozofia rregullin më të plotë dhe simetrinë më të bukur të cilat demonstrohen në çdo gjë.
Madje shkencat tek të cilat ka arritur njeriu janë vetëm se interpretimi i atij sistemi të mrekullueshëm dhe manifestimi i atij drejtpeshimi dhe i asaj simetrie.
Atëherë, eja dhe shikoje balancën dhe ekuilibrin e diellit dhe të dymbëdhjetë Planeteve. A nuk tregon kjo balancë aq qartë si dielli të Gjithëlavdishmin e Vetëm i Cili është i Drejti i Gjithëfuqishëm?
Pastaj hidhe vështrimin në tokë -e cila është njëra nga planetët, kjo anije që ecën duke notuar në hapësirë që përshkon vetëm gjatë një viti një distancë gjatësia e së cilës vlerësohet njëzet e katër mijë vite. Pavarësisht kësaj shpejtësie të jashtëzakonshme, nuk shpërndahen dhe nuk lëkunden gjërat e depozituara e të vëna turrë në faqen e saj, dhe as nuk i hedh ato nëpër hapësirë.. Në qoftë se shpejtësia e saj do të kishte qenë shtuar apo pakësuar vetëm pak, ajo do t’i kishte hedhur banorët e saj në atmosferë, dhe do t’i kishte shpërndarë ato nëpër hapësirë. Dhe në qoftë se ekuilibri i saj do të prishej vetëm për një minut, apo madje për një sekond, ajo do të shkatërronte botën. Madje ajo do të përplasej me një trup tjetër dhe do të bëhej kijameti.
Pastaj sodite në mënyrë të veçantë balancën e mrekullueshme me mëshirë që shfaqet në lindjet, në vdekjet, në mjetet e jetesës dhe në jetët e katërqind mijë llojeve të bimëve dhe të kafshëve në tokë; kjo të tregon në mënyrë aq të qartë siç tregon dita diellin, Krijuesin e Drejtë Mëshirëplotë. Pastaj shiko gjymtyrët, aftësitë e holla dhe shqiset e vetëm të një qënieje të gjallë midis atyre gjallesave të panumërta.. Ato janë të lidhura me njëra-tjetrën me një balancim dhe ekuilibër aq të hollë saqë drejtpeshimi, harmonia e plotë dhe raporti i ndërsjellë i tyre të tregon në mënyrë të vetëkuptueshme Atë Krijues i Cili është I Drejti i Gjithurtë.
Dhe në mënyrë të veçantë qelizat dhe enët e gjakut në trupat e kafshëve, qelizat e gjakut dhe grimcat në ato truptha, qeliza gjaku; ato kanë një balancim të tillë të hollë, të ndjeshëm dhe të mrekullueshëm saqë në mënyrë të vetëkuptueshme provon se ato ushqehen e administrohen nëpërmjet balancës, ekuilibrit, ligjit dhe rregullit të Krijuesit të Vetëm, të Drejtit të Gjithurtë në dorën e të Cilit janë frerat e të gjitha gjërave, i Cili ka çelësin për të gjitha gjërat, për të Cilin asgjë nuk është një pengesë për ndonjë gjë tjetër, duke i drejtuar gjërat me aq lehtësi si drejtimi i një gjëje të vetme.
Ai që nuk beson se veprat e xhindëve dhe të njerëzve në ditën e Ringjalljes më të madhe do të peshohen me peshoren e drejtësisë Hyjnore dhe e vlerëson këtë si të pagjasë dhe nuk e pranon, unë i them në qoftë se ai do të mund ta vërente me kujdes këtë peshore të madhe, të cilën ai mund ta shohë në këtë dynja me vetë sytë e tij, sigurisht ai nuk do ta vlerësonte atë më si të pagjasë -të pamundur.
O Njeri prishanik, i pakursyer, tiran, i padrejtë, i papastër dhe fatkeq! Ti nuk ke vepruar në përputhje me kursimtarinë, me pastërtinë dhe me drejtësinë të cilat janë parimet gjithëpërfshirëse nëpërmjet të cilave vepron i gjithë universi dhe të gjitha qëniet. Ndërsa ti duke vepruar në kundërshtim me të gjitha qëniet që ecin sipas këtyre parimeve të gjithanshme ndesh ftohje e largim prej tyre dhe bëhesh objekt zemërimi dhe ti e meriton këtë… Mbi çfarë gjëje mbështetesh ti saqë nëpërmjet padrejtësisë tënde, çekuilibrimit, harxhimit të tepërt dhe papastërtisë, i bën të gjitha qëniet të zemëruara ndaj teje?
Po, urtësia e përgjithshme që sundon në univers, e cila është manifestimi më i madh i Emrit Hyjnor El-Hakim, i Gjithurti, rrotullohet rreth boshtit të kursimit dhe mos’harxhimit të tepërt; madje ajo urdhëron për të prishur me ekonomi, me masë.
Ndërsa Drejtësia e plotë që sundon në univers, e cila buron nga manifestimi më i madh i Emrit Hyjnor El-Adl, i Drejti administron balancën e të gjitha gjërave. Dhe ai e urdhëron njerëzimin për të vendosur drejtësi.
Duke e përmendur fjalën ‘Balancë’ katër herë, këto vërsete në sure Er-Rahman,
“Dhe qiellin Ai e ka ngritur lart dhe Ai ka vendosur Baraspeshën”,
“Me qëllim që ju të mos e tejkaloni Baraspeshën”,
“Dhe përmbajuni peshojës me paanësi dhe mos e cënoni peshojën” [6]
tregojnë katër shkallë dhe katër lloje të balancës, duke treguar madhësinë e saj, rëndësinë më të lartë dhe vlerën e saj më të madhe në univers.
Po, ashtu siç nuk ka harxhim të tepërt në asgjë, po ashtu nuk ka padrejtësi të vërtetë dhe çekuilibrim. Pastërtia dhe pastrimi që burojnë nga manifestimi më i madh i Emrit Hyjnor El-Kuddus i pastron dhe i bën të bukura të gjitha qëniet në univers. Për sa kohë që dora e papastër e njeriut të mos ndërhyjë, nuk ka papastërti reale apo shëmti në ndonjë gjë.
Kështu, ju mund të kuptoni se sa themelore për jetën e njeriut janë parimet e ‘Drejtësisë’, kursimit dhe pastërtisë, të cilat janë të vërtetat e Kuranit dhe parimet islame. Dhe dijeni se sa të lidhura ngushtë me universin janë urdhëresat e Kuranit, duke shpërndarë rrënjët e tyre të forta në çdo vend, dhe se do të ishte e pamundur që t’i shkatërrosh ato të vërteta, ashtu siç është e pamundur që ta shkatërrosh universin dhe ta ndryshosh formën e tij.
A do të ishte e mundur që megjithëse qindra nga këto të vërteta gjithëpërfshirëse si këto tre drita të gjëra, të tilla si Mëshira, mirësia dhe ruajtja, mbikëqyrja, të cilat kërkojnë e bëjnë të domosdoshme ringjalljen e të vdekurve dhe Ahiretit; të vërteta të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse si mëshira, përkujdesja, drejtësia, urtësia, kursimi dhe pastërtia, të cilat sundojnë në univers dhe tek të gjitha qëniet, a do të ishte e mundur që këto të transformoheshin në mosmirësi, në tirani, në mungesë urtësie, në harxhim të tepruar, në papastërti dhe në kotësi nëpërmjet mosndodhjes së Ringjalljes dhe mosardhjes së Ahiretit?
Ruajna Zot! Një mijë herë, Ruajna Zot! A do të ishte e mundur që një mëshirë dhe një urtësi e tillë të cilat me mëshirë ruajnë të drejtat e jetës së një mize, të shkelnin të drejta të pallogaritshme të jetës së të gjitha qënieve të vetëdijshme dhe të drejtat e panumërta të qënieve të panumërta, duke mos shkaktuar Ringjalljen?
Dhe në qoftë se do të lejohej shprehja, a do të ishte e mundur për Një Hyjni Madhështore e cila shfaq një ndjeshmëri të pafundme dhe një kujdes të tillë në mëshirën e saj, në dhembshurinë, në drejtësinë dhe në urtësinë dhe një sovranitet Hyjnor i Cili zbukuron universin me aktet e Tij të mrekullueshme të Pafundme dhe me mirësitë me qëllim që të shfaqë plotësimet e Tij dhe që ta bëjë Vetveten të njohur e të Dashur, -a do- të lejonte të mos kishte ringjallje, e cila do të zhvlerësonte në asgjë vlerën e krijesave dhe të gjitha plotësimet e tyre dhe t’i bënte ato të mohoheshin? Ruajna Zot! Një bukuri Absolute e tillë në mënyrë të qartë nuk do të lejonte një shëmti të tillë absolute.
Po, ai që dëshiron të mohojë Ahiretin duhet së pari të mohojë të gjithë botën dhe të gjitha të vërtetat e saj. Përndryshe, bota së bashku me të gjitha të vërtetat e saj do ta përgënjeshtronin atë me qindra e mijëra gjuhë, duke provuar natyrën e tij si gënjeshtari më i madh. Fjala e Dhjetë provon me dëshmi të sigurta se ekzistenca e Ahiretit është aq e sigurtë dhe e padyshimtë sa ekzistenca e kësaj bote.
* * *
PIKA E TRETË
E cila aludon për të Tretën e Gjashtë Dritave
të Emrit më të madh,
Emri Hyjnor, El-Hakem, I Dituri
“Ftoji në udhën e Zotit tënd me urtësi…” [7]
[Një manifestim i Emrit Hyjnor El-Hakem, I Dituri, i Cili është një Emër më i madh i Allahut xh.sh. ose njëri nga Gjashtë dritat e Emrit më të madh, dhe një pikë e hollë e vërsetit të lartëpërmendur, m’u shfaq në muajin e Ramazanit ndërsa isha në Burgun Eskishehir. Kjo Pika e Tretë përbëhet nga pesë çështje, dhe formon vetëm një aluzion të tij. Duke u shkruar me shpejtësi të madhe, ajo ka mbetur në gjendjen e draftit të parë.]
- Çështja e Parë
Ashtu siç është treguar në Fjalën e Dhjetë, manifestimi më i madh i Emrit Hyjnor El-Hakem, I Dituri e ka bërë universin si një libër, në çdo faqe të të cilit janë shkruar qindra libra, në çdo rresht të të cilit janë përfshirë qindra faqe, në çdo fjalë të tij janë qindra rreshta, në çdo shkronjë të tij janë qindra fjalë dhe në çdo pikë të të cilit gjendet një indeks i shkurtër i librit.. Ky libër me faqet e tij, me rreshtat dhe madje edhe me pikat e tij tregon me një qartësi të tillë të shndritshme -nëpërmjet qindra aspekteve- Formëdhënësin dhe shkruesin e tij, saqë ai libër i madh i universit dëshmon dhe e provon ekzistencën e unitetit të shkruesit të tij në një shkallë më të madhe se sa e tregon libri ekzistencën e vet. Sepse në qoftë se një shkronjë e vetme e tregon ekzistencën e vet dhe e shpreh vetveten me masën e një shkronje, ajo e tregon dhe i shpreh cilësitë e shkruesit të saj me masën e një rreshti..
Po, njëra faqe e këtij libri madhështor është faqja e tokës. Librat sa numri i bimëve dhe i kafshëve duhet të vëzhgohen në këtë faqe në pranverë, njëri brenda tjetrit, së bashku, në të njëjtën kohë, pa gabim, krah për krah dhe në formën më të plotë..
Një rresht i vetëm i faqes është një kopsht. Ne shohim se në këtë rresht janë shkruar poema të hartuara mirë aq sa numri i luleve, i pemëve dhe i kafshëve, së bashku, njëra brenda tjetrës, krah për krah, dhe pa gabim.
Një fjalë e rreshtit është një pemë e cila i ka çelur lulet e saj, ka lëshuar sythet dhe ka nxjerrë gjethet me qëllim që të prodhojë frutat e saj. Kjo fjalë përbëhet nga pjesë kuptimplota e domethënëse duke lavdëruar e lartësuar të Diturin Hirplotë, Zotërues të Bukurisë, aq sa numri i gjetheve të saj të mirërenditura, i luleve të saj të zbukuruara dhe i frutave të saj të drejtpeshuara, saqë sikur ajo pemë me lule të çelura të ishte një poezi e hartuar mirë duke kënduar lavdërime e lartësime për Mirësitë e Krijuesit të saj, Formëdhënësit të Gjithëlavdishëm.
Dhe sikur i Gjithurti, Zotëruesi i Madhështisë dëshiron që robët e Tij t’i shikojnë veprat antike të mrekullueshme të Tij dhe çudirat e krijesave të Tij të shfaqura në ekspozitën e tokës së mrekullueshme, me mijëra sy.
Sikur ato dhurata të çmueshme, ato dekorata të shtrenjta dhe ato uniforma të holla që i janë dhënë asaj peme prej Allahut të Plotëfuqishëm, i kanë dhënë një formë të bukur e të stolisur, një trajtë të drejtpeshuar e të mirorganizuar, dhe forma domethënëse e të urta me qëllim që t’i paraqesë ato për shikimin e Mbretit Madhështor dhe për paradën e Tij të përgjithshme për krijesat në pranverë, saqë secila prej luleve dhe frutave të saja dëshmon në mënyra të shumta dhe brenda shumë dëshmive njëra brenda tjetrës për Ekzistencën e Skalitësit të saj, për Emrat e Tij të bukur.
Për shembull, në të gjitha lulet e saj dhe në frutat është një balancim. Balanca është brenda rregullit, dhe rregulli është brenda një organizimi e drejtpeshimi i cili ripërtërihet në mënyrë të vazhdueshme. Organizimi e drejtpeshimi është brenda një arti dhe një zbukurimi, zbukurimi dhe arti janë brenda parfumave domethënëse dhe shijeve të urta. Kështu secila lule e tregon të Diturin e Gjithëlavdishëm sa numri i luleve të asaj peme.
Dhe në pemën, e cila është një Fjalë, dhe frutat e saj që janë si shkronjat e asaj fjale, dhe farërat e frutave sikur të ishin pikat e atyre shkronjave të cilat përmbajnë indeksin dhe programin e të gjithë pemës. Dhe kështu me radhë. Për të vazhduar të njëjtën analogji, si me pemën, nëpërmjet manifestimit të Emrit El-Hakem, i Dituri dhe El-Hakim, i Gjithurti, të gjitha rreshtat dhe faqet e librit të universit- dhe jo vetëm rreshtat e tij, por të gjitha fjalët e tij, shkronjat dhe pikat janë bërë si mrekulli saqë sikur të mblidheshin bashkë të gjitha shkaqet, ato nuk do të mund ta bënin përngjasimin e një pike të vetme -domethënë si farën- dhe as nuk mund ta kundërshtonin atë.
Po, meqenëse secila prej shenjave krijuese të këtij Kurani madhështor të Universit shfaq mrekulli sa numri i pikave dhe i shkronjave të atyre shenjave, atëherë në asnjë mënyrë nuk mund të ndërhyjnë Rastësia e ngatërruar, forca e verbër dhe natyra e paqëllim, anarkiste dhe e pavetëdijshme në atë balancim të urtë, ndjesore të veçantë dhe në këtë rregull të hollë të karakterizuar nga një ndjeshmëri e lartë. Në qoftë se ato do të kishin ndërhyrë, shenjat e ngatërresës me siguri do të ishin shfaqur. Por nuk shihet asnjë çrregullim apo defekt në ndonjë vend.
- Çështja e Dytë
Kjo ndahet në dy çështje të tjera:
Çështja e Parë:
Ashtu siç është shpjeguar në Fjalën e Dhjetë, është një rregull shumë themelor se “Bukuria e plotë pafundësisht dhe plotësimi i bukur pafundësisht dëshirojnë ta shohin vetveten, ta tregojnë dhe ta ekspozojnë. Si rrjedhojë e këtij rregulli themelor të përgjithshëm, Skalitësi i Parapërjetshëm i librit madhështor të Universit, nëpërmjet universit dhe nëpërmjet të gjitha faqeve të tij, rreshtave dhe madje shkronjave dhe pikave të tij, nëpërmjet gjuhëve të shumta të të gjitha qënieve duke filluar nga më e vogla e të pjesshmeve për tek më e madhja e universaleve, bëjnë të njohur e të dashur bukurinë e plotësimit të Tij dhe përsosmërinë e bukurisë së Tij, bëjnë të njohur Esencën e Tij më të shenjtë, plotësimet dhe Atributet e Tij të larta, shfaqin bukurinë e Tij dhe e bëjnë Esencën e Tij të Dashur.
O Njeri i pavëmendshëm! Ky i Gjithurtë, i Dituri dhe Sunduesi Zotërues i Madhështisë dhe i bukurisë, duke e bërë Veten e Tij të njohur për ty dhe të dashur prej teje nëpërmjet të gjitha krijesave të Tij në këtë mënyrë të shndritshme dhe të pafundme, në qoftë se ti nuk do ta njihje Atë me besim dhe nëse nuk e bën veten tënde të dashur prej Tij me adhurimin tënd, atëherë sa e madhe do të ishte injoranca jote dhe sa humbje e turpshme do të ishte për ty!..
Prandaj, eja në vete!
Çështja e dytë e çështjes së dytë:
Nuk ka absolutisht vend për t’i përshkruar ortakëri Krijuesit në këtë univers madhështor të cilin e krijoi Autori i Gjithëfuqishëm i Gjithurtë nëpërmjet fuqisë dhe urtësisë së Tij, sepse ekzistenca e një rregulli të përkryer pafundësisht në çdo gjë, nuk do ta lejonte kurrë përshkrimin e ortakërisë me Hyjninë; në qoftë se do të ndërhynin duar të shumta në krijimin e ndonjë gjëje, do të bëhej i dukshëm ndryshimi dhe konfuzioni në atë gjë, ashtu siç do të ngatërroheshin punët në qoftë se do të ndodheshin dy mbretër në një vend, dy guvernatorë në një qytet apo dy kryepleq në një fshat, çrregullimi do të ndodhte në të gjitha çështjet e vendit, qytetit dhe të fshatit. Fakti se edhe nëpunësi më i thjeshtë nuk pranon ndërhyrjen e të tjerëve në detyrat e tij, tregon se karakteristika, veçoria themelore e sundimit është ‘pavarësia’ dhe ‘vetmia’, të qenurit tek, një. Domethënë, rregulli bën të domosdoshëm unitetin, dhe sundimi bën të domosdoshëm pavarësinë.
Në qoftë se një hije e përkohshme e sundimit tek ky njeri i pafuqishëm e i nevojshëm për ndihmë e refuzon me vrull ndërhyrjen, atëherë si mund ta pranonte ndërhyrjen Sundimi i Vërtetë Absolut i cili është në shkallën e Hyjnisë absolute tek i Gjithëfuqishmi absolut, a nuk do ta refuzonte prerazi ortakërinë?
Në qoftë se do të supozohej se do të kishte pasur ndërhyrje sa një grimcë, do të prisheshin rregulli, harmonia, simetria dhe ekuilibri. Duke ditur se universi është krijuar në një mënyrë të tillë saqë me qëllim që të krijohet një farë, një fuqi e mjaftueshme për të krijuar një pemë do të ishte e domosdoshme. Dhe me qëllim që të krijohet një pemë, një fuqi e mjaftueshme për të krijuar universin do të ishte e domosdoshme. Dhe në qoftë se do të kishte qenë ndonjë ortakë i cili do të kishte ndërhyrë në univers, ai duhet të kishte ndërhyrë edhe në farën më të vockël. Sepse fara është një shembull i universit. Atëherë dy hyjni të cilat nuk mund të qëndrojnë e të vendosen së bashku në universin e gjërë, do të duhej të vendoseshin në një farë dhe madje në një grimcë të vockël. Dhe kjo është më e pamundura, dhe më e pakuptimta e pamundësive dhe më e rremja e imagjinatave.
Mësoje nga kjo se çfarë kontradikte pafundësisht e madhe, çfarë gabimi dhe çfarë gënjeshtre janë mosbesimi dhe të përshkruarit ortakë me Krijuesin, pasi këto të dyja do të bënin të domosdoshme pafuqinë e të Gjithëfuqishmit absolut i Cili mban qiejt e tokën që të mos bien, në Dorën e të cilit janë frerat e qiejve e të tokës dhe i Cili i drejton ato me balancën e drejtësisë së Tij dhe me rregullin e urtësisë së Tij.. Ato të dyja do të bënin të domosdoshme pafuqinë e Krijuesit xh.sh. madje edhe në një farë të vockël!!
Dhe mësoje se çfarë e vërtete pafundësisht e madhe, çfarë realiteti dhe çfarë vërtetësie është Uniteti Hyjnor, dhe thuaj:
“Të gjitha lavdërimet e falënderimet i takojnë Allahut për besimin!”
- Çështja e Tretë
Krijuesi i Gjithëfuqishëm, nëpërmjet Emrit Hyjnor El-Hakem dhe El-Hakim, i Dituri dhe i Gjithurti ka përfshirë në këtë botë me mijëra botëra të mirorganizuara të mrekullueshme. Brenda atyre botërave, Ai e krijoi njeriun dhe e bëri atë si qendrën e atyre botërave dhe boshtin e tyre; njeriu midis të gjitha krijesave i manifeston më shumë urtësitë e synuara në univers dhe është mjeti më i rëndësishëm për t’i shfaqur ato. Dhe më të rëndësishmet e shembujve të urtësisë dhe të gjërave të dobishme në sferën e universit shikojnë tek njeriu. Në sferën humane, Ai e bëri rizkun -furnizimin- një qendër; në botën humane; shumica e shembujve të urtësisë dhe të dobive shikojnë e orientohen tek Rizku, furnizimi, dhe bëhen të dukshme e të qarta nëpërmjet tij. Prandaj manifestimet e Emrit Hyjnor El-Hakim, I Gjithurti duken të qarta në formën më të shndritshme tek njeriu nëpërmjet vetëdijes së tij dhe të kënaqësive të Rizkut. Ndërkohë që secila prej qindra shkencave të zbuluara nëpërmjet vetëdijes njerëzore përshkruan vetëm një manifestim të Emrit Hyjnor El-Hakem, I Dituri në njërin prej llojeve, në njërën botë të krijimit.
Për shembull, në qoftë se shkenca e mjekësisë do të pyetej: “Çfarë është universi?” Ajo do të përgjigjej duke thënë: “Është një farmaci jashtë mase e gjërë, e mirorganizuar dhe e përkryer. Të gjitha ilaçet përgatiten e depozitohen në të në mënyrën më të mirë”.
Në qoftë se do të pyetej shkenca e kimisë: Ç’është globi tokësor? Ajo do të përgjigjej: “Është një laborator kimie i mirorganizuar, i mrekullueshëm dhe i plotë”.
Ndërsa shkenca e inxhinierisë do të përgjigjej: “Ajo është një fabrikë e mirorganizuar krejtësisht e përkryer dhe pa asnjë defekt”.
Dhe shkenca e bujqësisë do të përgjigjej: “Është një fushë pafundësisht prodhuese, e rregullt dhe e mirorganizuar dhe një kopsht i cili prodhon të gjitha llojet e farërave në kohën e kërkuar”.
Shkenca e tregtisë do të përgjigjej: “Është një ekspozitë tregtare madhështore, një treg i mirorganizuar dhe një dyqan i mbushur me artikujt e mallrat më të çmueshme e artistike”.
Shkenca e ekonomisë do të përgjigjej: “Është një depo shumë e mirësistemuar e cila përmban të gjitha furnizimet ushqimore me të gjitha llojet dhe varietetet e tyre”.
Shkenca e dietetikës do të përgjigjej: “Është një kuzhinë Hyjnore në të cilën gatuhen në mënyrën më të rregullt qindra e mijëra prej ushqimeve të shijshme krah për krah me një sistem shumë të mrekullueshëm e të përkryer.”
Shkenca e shërbimit ushtarak do të përgjigjej: “Toka është një kamp ushtarak, megjithëse ndodhen katërqindmijë kombe të ndryshëm në atë ushtri në pranverë, sërish merren nën armë me çadrat e tyre të ngrehura në faqen e tokës; atyre u jepen racionet, uniformat, armët, stërvitja dhe çmobilizimet, të cilat janë të ndryshme për çdo komb, me rregull të përkryer, pa ngatërresë, pa harruar asnjë, nëpërmjet urdhrit, fuqisë dhe mëshirës së Një Komandanti të përgjithshëm, nga mëshira e Tij; ato të gjitha administrohen në mënyrën më të rregullt”.
Dhe në qoftë se do të pyetej shkenca e elektricitetit: “Ç’është kjo botë? Ajo me siguri do të përgjigjej: “Çatia e këtij pallati madhështor të universit është stolisur me llamba elektrike të panumërta, të mirërregulluara e të drejtpeshuara. Mirëpo rregulli dhe balanca janë aq të mrekullueshme saqë me në krye diellin dhe ato llamba qiellore të cilat janë një mijë herë më të mëdhaja se sa toka, nuk e prishin balancën e tyre, ndonëse ato janë të ndezura vazhdimisht; ato nuk shpërthejnë në flakë. Shpenzimi dhe harxhimi i atyre llambave është i pafund, atëherë nga vijnë të ardhurat e tyre, lënda djegëse, karburanti? Përse nuk sosen dhe nuk mbarojnë ato? Përse nuk prishet ekuilibri me ndezjen e tyre? Duke ditur se drita e një llambe të vogël vaji do të shuhej e do të ikte në qoftë se nuk do të tregohej kujdes për të në mënyrë të rregullt e të vazhdueshme. Shikoje urtësinë dhe fuqinë e të Gjithëfuqishmit dhe të të Gjithurtit të Gjithëlavdishëm, i Cili e krijoi dhe e ndozi diellin, që sipas astronomisë është një milion herë më i madh se sa toka dhe një milion vite më i vjetër[8], nuk është shuar dhe vazhdon të jetë i ndezur pa lëndë djegëse, pa qymir apo karburant.
Shqyrtoje këtë dhe thuaj Lavdi Zotit, bëj tesbihate në Emrin e Zotit tënd Madhështor dhe thuaj Ma Sha all-llah, Tebarekall-llah dhe La i lahe il-lall-llah.. Çfarë çudirash ka dashur Allahu! I bekuar është Allahu! Nuk ka Zot tjetër përveç Tij! Thuaje këtë sa numri i sekondave të ekzistencës së diellit..
Nuk ka dyshim se një sistem i mrekullueshëm është ai i cili sundon në këto llamba dritëdhënëse qiellore dhe atyre u kushtohet vëmendje me kujdesin më të madh. Është sikur kaldaja e atyre masave gjigante të shumta të ndezura është Xhehennemi -Ferri- nxehtësia e të cilit nuk mbaron kurrë; Ferri u dërgon atyre nxehtësi pa dritë, kurse makineria dhe uzina qëndrore e atyre llambave elektrike të panumërta është një Xhennet i Përjetshëm -Parajsa; Xhenneti u dërgon atyre dritë dhe ndiçim. Nëpërmjet manifestimit më të madh të Emrit Hyjnor El-Hakem dhe El-Hakim, i Dituri dhe i Gjithurti, ato vazhdojnë të jenë të ndezura në mënyrën më të rregullt.
Dhe kështu, nëpërmjet dëshmisë së sigurt të qindra shkencave si këto, universi është zbukuruar me shembuj të panumërt urtësie, qëllimi dhe gjërash të dobishme brenda një rregulli të përkryer dhe pa të meta.
Dhe rregulli dhe urtësia e dhënë nëpërmjet asaj urtësie të mrekullueshme dhe gjithëpërfshirëse për tërësinë e universit janë përfshirë në masa më të vogëla në fara dhe në krijesat e gjalla të vockëla. Është e qartë dhe e vetëkuptueshme se qëllimet, synimet, shembujt e urtësisë dhe dobitë mund të ndodhin nëpërmjet zgjedhjes, dëshirës, qëllimit dhe vullnetit, dhe jo nëpërmjet ndonjë mënyre tjetër. Dhe ashtu siç nuk mund të jenë ato vepra e shkaqeve të pavetëdijshme dhe të Natyrës, të cilave u mungon dëshira, zgjedhja dhe qëllimi, po ashtu ato nuk mund të ndërhyjnë në to. Domethënë, nuk mund të përshkruhet se sa injorancë e jashtëzakonshme dhe sa marrëzi do të ishte të mos njohësh apo të mohoje Krijuesin e Gjithurtë, Vepruesin me zgjedhje, për të Cilin tregojnë universi dhe të gjitha qëniet e tij të panumërta nëpërmjet rregullit të tyre të pafundmë dhe shembujve të urtësisë që ato përmbajnë. Po, në qoftë se ndodhet ndonjë gjë që të habit në botë, ajo është një mohim i tillë. Sepse aspektet e pafundme të rregullit dhe të shembujve të urtësisë në qëniet në univers dëshmojnë për ekzistencën dhe për Unitetin e Tij, saqë madje edhe injoranti më i madh do të mund ta kuptonte se çfarë verbërie e injorancë do të ishte nëse nuk do ta shihje apo nuk do ta njihje Atë Krijues të Gjithurtë. Madje unë mund të të them se midis njerëzve të mosbesimit, sofistët që supozohen të jenë idiotë për shkak se ata mohuan ekzistencën e universit, janë inteligjentët e njerëzve të mohimit; sepse të besosh ekzistencën e universit dhe pastaj të mohosh Krijuesin e tij -Allahun- është krejtësisht e pamundur dhe e papranuar. Prandaj ata filluan të mohojnë ekzistencën e universit dhe mohuan edhe ekzistencën e vetveteve të tyre gjithashtu. Duke thënë: “Nuk ka absolutisht asgjë”, ata braktisën mendjet e tyre, dhe duke shpëtuar nga një paarsyeshmëri e pakufishme -nën maskën e arsyes- e mohuesve të tjerë, ata në një sens u afruan tek arsyeja.
- Çështja e Katërt
Ashtu siç tregohet në Fjalën e Dhjetë, në qoftë se një arkitekt i aftë e i urtë do të ndërtonte një pallat të lartë, dhe ka vendosur në çdo gurë të tij qindra shembuj urtësie, dobi e përfitime, dhe pastaj të mos ndërtonte çatinë e pallatit që ta ruante atë, pasi ndryshe ai do të shembej e bëhej rrënoja dhe të gjitha qëllimet e panumërta dhe shembujt e urtësisë do të humbisnin, kjo do të ishte diçka të cilën asnjë qënie e vetëdijshme nuk mund ta pranonte. Pikёrisht nё tё njëjtёn mёnyrё i Gjithurti Absolut ndërton prej një fare të vockël qindra tone përfitimesh, shembuj urtësish dhe qëllimesh, dhe i ndjek dhe i drejton ato, atëherë nuk do të mund të përfytyrohej për dikë me arsye që të përhapte kotësi dhe harxhime të tepruara, gjëra të cilat bien në kundërshtim plotësisht me urtësinë absolute të Atij të Gjithurti absolut dhe të investonte e të bënte harxhime shumë të mëdha në një pemë madhështore me qëllim që ajo të prodhojë një dobi të vetme, një qëllim të vetëm të vogël dhe një frut të vetëm që s’vlen pothuajse asgjë, duke ditur se ai shpenzon për zhvillimin e saj dhe që ajo të prodhojë shumë!..
Po, ashtu siç nuk mund ta përfytyrojë këtë apo atë absolutisht asnjë njeri me mend, po ashtu nuk mund ta përfytyrojë asnjë njeri me mend, që nga “Krijuesi i Gjithurtë të buronte kotësia, harxhimi i tepruar me mosardhjen e Ahiretit dhe me mosbërjen e Ringjalljes dhe të Kijametit, pasi Ai i bashkangjiti çdo krijese në këtë pallatin e universit qindra shembuj urtësie e dobie, pasi i pajisi ato për të kryer qindra detyra dhe i dha çdo peme shembuj urtësie sa numri i frutave të saj dhe i dha detyra sa numri i detyrave të saj; atëherë që Ai i Gjithurtë i Gjithëlavdishëm”, të mos e shkaktonte ringjalljen e të vdekurve dhe tubimin e madh dhe që të gjitha ato numra të pallogaritshëm qëllimesh, shembuj urtësie dhe ato detyra të pafundme të ishin të pakuptimta, të kota dhe pa qëllim apo përfitim, kjo do t’i atribuonte pafuqi absolute fuqisë së të Gjithëfuqishmit absolut, t’i përshkruaje kotësi dhe paqëllimshmëri urtësisë së përkryer të të Gjithëditurit absolut, shëmti të plotë bukurisë së mëshirës së Mëshirëplotit absolut, t’i atribuoje tirani të pakufishme drejtësisë së plotë të të Drejtit Absolut, domethënë të mohoje urtësinë, mëshirën dhe drejtësinë në univers, të cilat mund të shihen qartë prej gjithësecilit. Kjo do të ishte një pamundësi e jashtëzakonshme që përmban absurditete të panumërta. Njerëzit e çudhëzimit duhet të vijnë e të shohin se çfarë terri i tmerrshëm ndodhet në çudhëzimin e tyre dhe, si vendet tek të cilat do të hyjnë janë të errëta e të mbushura me akrepa e gjarpërinj, ashtu si varrezat e tyre në të cilat do të futen. Dhe ata duhet ta dinë se besimi në Ahiretin është një rrugë e bukur dhe e ndritshme si Parajsa, dhe duhet të përqafojnë imanin -besimin.
- Çështja e Pestë
Kjo përbëhet nga dy çështje
Çështja e Parë:
Fakti që, i kërkuar medoemos nga Emri El-Hakim, i Gjithurti, Krijuesi i Gjithëlavdishëm ndjek metodën më të lehtë, rrugën më të shkurtër, mënyrën më të kollajtë dhe formën më të dobishme tregon se nuk ka harxhim të tepruar, kotësi dhe mungesë dobie në natyrën e gjërave. Harxhimi i tepruar është në kundërshtim me Emrin El-Hakim, i Gjithurti, ndërsa kursimi kërkohet medoemos nga Ai Emër dhe është parimi i Tij themelor.
O prishanik që harxhon me tepricë! Dije se duke mos e zbatuar kursimin, parimin më themelor në Univers, ti ke vepruar në një mënyrë krejtësisht në kundërshtim me realitetin! Ti duhet ta kuptosh se çfarë parimi esencial dhe gjithëpërfshirës udhëzon vërseti, “Hani e pini, por mos shpërdoroni me marrëzi e pamasë…”[9]
Çështja e Dytë:
Mund të thuhet se Emri El-Hakem, i Dituri dhe El-Hakim, i Gjithurti në mënyrë të vetëkuptueshme tregojnë e bëjnë të domosdoshme profetësinë dhe mesazhin e të Dërguarit të Zotit xh.sh., Muhammedit a.s.m..
Po, meqenëse një libër tepër domethënës kërkon medoemos një mësues të shkëlqyer për ta dhënë mësim, dhe një bukuri e jashtëzakonshme kërkon një pasqyrë për ta shfaqur vetveten dhe për ta parë vetveten, bukurinë dhe hijeshinë e vet.. dhe një vepër e përkryer arti kërkon një lajmëtar për ta shpallur; atëherë sigurisht midis njerëzimit, Ai të Cilit iu adresua libri madhështor i universit, në çdo shkronjë të të cilit ka qindra prej kuptimeve dhe shembujve të urtësisë, do të ishte një udhëzues i përkryer dhe një mësues i lartë; sepe Ai do të jepte mësim urtësinë e shenjtë e të vërtetë në libër; domethënë, do të bënte të njohur ekzistencën e urtësisë dhe të qëllimeve në univers; madje ai do të ishte mjeti i shfaqjes dhe i ekzistencës së qëllimeve Hyjnore në krijimin e universit; do të bënte dhe do të vepronte si një pasqyrë për artin e përsosur të Krijuesit, dhe bukurinë e Emrave të Tij të Bukur, të cilët Ai deshi t’i shfaqë gjithandej universit, duke shfaqur rëndësinë e tyre.
Dhe meqenëse Krijuesi dëshiron ta bëjë Vetveten të dashur nëpërmjet të gjitha qënieve të Tij dhe për t’iu përgjigjur të gjitha krijesave të Tij të vetëdijshme, njëri prej tyre do t’i përgjigjej me adhurim gjithëpërfshirës në emrin e të gjithë atyre që ndodhen përballë atyre manifestimeve Hyjnore gjithëpërfshirëse; ai do ta sillte tokën dhe detin në ekstazë, do t’i kthente shikimet e atyre krijesave të vetëdijshme për tek i Vetmi Unik i Cili e bëri artin me një shpallje e me një lartësim të zhurmshëm që do t’i bënte qiejt dhe tokën të ushtonin dhe me udhëzimin e shenjtë, me mësimdhënien prej Kuranit të gjithurtë do të tërhiqte vëmendjen e të gjithë njerëzve të arsyeshëm, do të demonstronte në mënyrën më të mirë qëllimet Hyjnore të Atij Krijuesi të Ditur e të Gjithurtë, dhe i cili do t’u përgjigjej në mënyrën më të plotë e të përkryer manifestimeve të të gjithë shembujve të Tij të urtësisë, të bukurisë dhe të lavdisë; ekzistenca e një njeriu të tillë të rëndësishëm është aq e domosdoshme dhe aq thelbësore për universin, sa ekzistenca e diellit. Dhe ai që e bëri këtë dhe i përmbushi ato funksione në mënyrën më të plotësuar, në mënyrë të vetëkuptueshme që shihet qartë, ishte profeti më i nderuar a.s.m.. Prandaj e gjithë urtësia në univers bën të domosdoshme profetësinë e Muhammedit a.s.m. ashtu siç e bën të domosdoshme dielli dritën, dhe si drita që bën të domosdoshme ditën.
Po, ashtu si nëpërmjet manifestimeve të tyre më të mëdhaja, Emrat Hyjnorë El-Hakem, El-Hakim, i Dituri, i Gjithurti që bëjnë të domosdoshme profetësinë e Muhammedit a.s.m. në shkallën më të lartë, po ashtu Emrat e bukur Hyjnorë të tillë si Allah, Er-Rahman, Er-Rahim, El-Vedud, El-Mun’im, El-Kerim, El-Xhemil, Er-Rabb e të tjerë.. Allahu, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti, i Dashuri, Mirëbërësi, Gjithëbujari, Hirploti, Mbështetësi, bëjnë të domosdoshëm nëpërmjet manifestimit të tyre më të madh të dukshëm në univers, në shkallën më të lartë dhe me siguri absolute, profetësinë e Muhammedit a.s.m..
Për shembull, mëshira gjithëpërfshirëse që është manifestimi i Emrit Hyjnor Er-Rahim, Mëshirëploti, është e dukshme nëpërmjet Atij i cili u dërgua si një mëshirë për të gjitha botërat. Dhe Allahu i Plotëfuqishëm duke e bërë Vetveten të njohur e të dashur, duke qenë manifestimi i Emrit El-Vedud, i Dashuri, çojnë tek rezultatet e tyre, japin frutin e Atij të Dashuri të Krijuesit të të gjitha botëve dhe gjejnë përgjigje në të. Të gjithë shembujt e bukurisë, të cilët janë manifestimi i Emrit Hyjnor El-Xhemil, Hirploti, i Bukuri, domethënë, bukuria e Esencës Hyjnore, bukuria e Artit dhe bukuria e krijesave, shikohen e shfaqen në pasqyrën e Muhammedit a.s.m.. Manifestimet e Madhështisë së Hyjnisë dhe Sovraniteti i Hyjnisë njihen, bëhen të dukshme e të kuptueshme dhe konfirmohen e mbështeten nëpërmjet profetësisë së Muhammedit a.s.m., lajmëtarit të mbisundimit të Hyjnisë. Dhe kështu me radhë, si këto shembuj, shumica e Emrave më të bukur janë prova të shndritshme të profetësisë së Muhammedit a.s.m..
Shkurtazi: Meqenëse universi ekziston dhe nuk mund të mohohet, të vërteta që duken qartë si urtësia, mirësia, bukuria, rregulli, balanca dhe stolisja, të cilat janë si ngjyrat, si zbukurimet, dritat, rrezet, artet, jetët dhe lidhjet e universit, kurrësesi nuk mund të mohohen. Meqenëse nuk është e mundur t’i mohosh këto atribute e akte, atëherë sigurisht, Ekzistuesi i Vetëm i domosdoshëm, i Cili është i Gjithurti, Mëshirëploti, Hirploti, i Dituri dhe i Drejti, i Cili cilësohet nga ato atribute, dhe është Bërësi i atyre veprave dhe Dielli dhe Burimi i atyre dritave, kurrësesi nuk mund të mohohen. Dhe sigurisht Profetësia e Muhammedit a.s.m. i cili është udhëzuesi më i madh, mësuesi më i përkryer, lajmëtari më i shquar, zgjidhësi i talismanit, enigmës së universit, pasqyra e të Kërkuarit Përjetësisht, i Dashuri i Zotit xh.sh. dhe boshti i shfaqjes së atyre atributeve dhe i njoftimit të atyre akteve, madje i plotësimeve të tyre, dhe madje i realizimit të tyre, kurrësesi nuk mund të mohohen.
Ashtu si dritat e botës së realitetit dhe realitetit të universit, ai është Drita më vezulluese e Universit.
Bekimet dhe paqja qofshin mbi të sa numri i sekondave të ditëve dhe të grimcave të krijesave.
“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë, që Vetëm Ti je i Gjithëdituri, I Gjithurti”[10]
* * *
PIKA E KATËRT
Emri Hyjnor El-Ferd, I Vetmi.
Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
“Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm”.[11]
[Ndërsa isha në Burgun Eskishehir në muajin Shev-val, m’u shfaq një prej pikave të holla të këtij ajeti, dhe m’u shfaq një pishtar prej dritave të Emrit më të madh Hyjnor El-Ferd, I Vetmi -ose “Ai është Një” prej gjashtë dritave të tij- i cili përfshin dy Emrat Hyjnorë El-Vahid, El-Ehad, Një i Vetëm, Unik prej Emrave të bukur Hyjnorë.
Ne do të shpjegojmë këtu shumë shkurt pohimin e vërtetë të Unitetit Hyjnor të cilin e demonstron ai manifestim më i madh në shtatë tregues të përmbledhur shkurt.]
- Treguesi i Parë
Fjala e Njëzet e Dytë dhe Letra e Tridhjetë e Tretë kanë treguar në detaje se nëpërmjet manifestimit më të madh, Emri El-Ferd, i Vetmi ka vendosur një vulë, një stampë të Unitetit Hyjnor mbi univers si tërësi dhe mbi çdo botë të qënieve në të, dhe mbi çdo qënie individuale. Këtu ne do të tregojmë vetëm tre stampa.
Stampa e Parë: Manifestimi më i madh i të Qenurit i Vetëm Një ka vënë një vulë Uniteti në të gjithë faqen e “universit” me anë të të cilës e ka bërë atë si një tërësi të pandashme.
Ai që nuk ka fuqi të ushtrojë mbi tërësinë e Universit, nuk mund të jetë pronar i vërtetë i asnjë pjese të tij. Vula është kjo:
Ashtu si makineria më e hollë e çuditshme në një fabrikë, qëniet dhe botërat e qënieve në univers ndihmojnë njëra-tjetrën dhe punojnë për të plotësuar funksionet e njëra-tjetrës. Me solidaritetin e tyre dhe me kooperimin, përgjigjja e tyre ndaj kërkesave të njëra-tjetrës dhe nxitimi për të ndihmuar njëra-tjetrën, përqafimi i tyre me njëra-tjetrën dhe duke qenë njëra brenda tjetrës, ato formojnë një unitet ekzistence në përputhje me të cilin, ashtu si gjymtyrët e trupit human, ato nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra. Në qoftë se dikush do të ushtronte një kontroll në njërën prej gjymtyrëve të tij, por megjithatë ai nuk ka kontroll mbi të gjitha ato, kontrolli i tij mbi një gjymtyrë të vetme, nuk do të jetë kontroll i vërtetë.
Atëherë, ky kooperim, solidaritet, përgjigje e ndërsjellë dhe ky përqafim me njëri-tjetrin formon një vulë të shndritshme e të lartë të Unitetit Hyjnor.
Stampa e Dytë: Nëpërmjet manifestimit vezullues të Emrit Hyjnor El-Ferd, i Vetmi në faqen e tokës dhe sidomos në pranverë, ndodhen një vulë e ndritshme e tillë e Njësisë Hyjnore dhe një stampë Uniteti saqë ajo provon se ai që nuk i administron të gjitha krijesat e gjalla në faqen e globit së bashku me individët, atributet dhe gjendjet e tyre; që nuk i njeh dhe nuk i shikon të gjitha ato përnjëherësh; dhe që nuk mund t’i krijojë ato, ai nuk mund të ndërhyjë në asgjë për sa ka të bëjë me krijimin.
Stampa është kjo:
Duke lënë mënjanë stampat vërtet të mirërregulluara por të fshehura të lëndëve minerale, të elementeve dhe të krijesave të pashpirt të tokës, hidhe vështrimin tek stampa vijuese e thurur me fijet e dyqind mijë specieve të kafshëve dhe e dyqind mijë llojeve të bimëve: ne shohim me sytë tonë në pranverë në tokë se të gjitha gjërat me detyrat e tyre të ndryshme, me format e ndryshme, me furnizime të ndryshme ushqimore dhe me gjymtyrë të ndryshme, pavarësisht qënies së tyre njëra brenda tjetrës dhe të gjitha të përziera bashkarisht, u jepet gjithçka që atyre u nevojitet, pa ngatërresë e pa gabim, me dallueshmëri e shquarsi të plotë, me balancë krejtësisht të ndjeshme, pa vështirësi, tamam në kohën e duhur dhe nga vende të paparashikuara. Kjo situatë, ky planifikim dhe ky administrim formon një vulë të tillë të Unitetit Hyjnor dhe një stampë Njësie saqë ai i cili nuk mund t’i krijojë të gjitha ato krijesa menjëherë nga asgjëja, nuk mund të ndërhyjë absolutisht në asgjë për sa ka të bëjë me Hyjninë dhe krijimin, sepse në qoftë se ata do të kishin ndërhyrë, ekuilibri i atij administrimi pafundësisht i gjërë do të ishte i prishur, dhe kjo përveç asaj detyre sipërfaqësore të dukshme që e kryen njeriu -nëpërmjet urdhrit Hyjnor- për zbulimin e atyre ligjeve Hyjnore dhe bukurinë e rrjedhës së tyre.
Stampa e Tretë: Kjo Stampë e Njësisë Hyjnore është në fytyrën e njeriut, në fytyrën e cilitdo njeriu qoftë, sepse çdo njeri ka një shenjë dalluese në fytyrën e tij që e dallon nga të tjerët. Atëherë ai që nuk mundet t’i vendosë ato shenja në çdo fytyrë dhe që nuk mundet t’i shohë të gjitha fytyrat që kanë ardhur e që do të vijnë qysh nga koha e Ademit a.s. deri në ditën e kijametit, nuk mund ta shtrijë dorën e tij lidhur me krijimin dhe sjelljen në ekzistencë me qëllim që të vendosë ato shenja të mëdhaja dalluese në atë fytyrë të vogël të një njeriu të vetëm.
Po, ai që e vendosi në fytyrën e njeriut atë stampë të shquar dhe atë shenjë madhështore nëpërmjet atyre shenjave dalluese, duhet patjetër që të gjithë individët e njerëzimit të jenë nën shikimin dhe vëzhgimin dhe brenda sferës së njohjes së tij me qëllim që ta vendosë atë vulë të Njësisë në atë fytyrë, sepse ndonëse gjymtyrët bazë të fytyrës së çdo personi i ngjasojnë njëra-tjetrës, por prapëseprapë ato kanë pika dallueshmërie. Fakti se të gjitha gjymtyrët e fytyrës, si syri dhe veshi, i ngjasojnë njëra-tjetrës, kjo është një stampë Uniteti duke dëshmuar se Krijuesi i llojit njerëzor është Një, kështu shumë ndryshime të urta, ndryshe nga speciet e tjera, duke u dalluar njëra nga tjetra me qëllim që ato të mos ngatërrohen dhe që të ruhen të drejtat e të gjitha atyre, përveç se tregojnë dëshirën e Krijuesit të Unitetit, të zgjedhjes dhe të vullnetit, janë të gjitha të ndryshme, janë stampa të holla të Njësisë Hyjnore. Ato tregojnë se ai që nuk mund t’i krijojë të gjithë njerëzit dhe kafshët, madje dhe universin, ai nuk mund ta përdorë atë stampë.
- Treguesi i Dytë
Botërat, speciet dhe elementet e universit janë aq të ndërthurura dhe të ndërlidhura saqë një shkak që nuk e posedon universin si një tërësi nuk mund të ketë kontroll mbi asnjë prej elementeve të tij. Manifestimi i unitetit që buron nga Emri Hyjnor El-Ferd, I Vetmi e ka përfshirë të gjithë universin brenda një uniteti saqë çdo gjë e shpall atë. Për shembull, llamba e universit, dielli, duke qenë një tregon se tërësia e universit i përket vetëm njërit, po kështu, sfungjerët e reve të cilët ujisin kopshtin e tokës duke qenë një, e njëjta, dhe shiu i cili vjen për të ndihmuar të gjitha krijesat e gjalla duke qenë një, i njëjti, dhe duke rënë gjithandej; dhe shumica e llojeve të kafshëve dhe të bimëve duke u shpërndarë të lira sipër tokës dhe speciet dhe habitatet e tyre duke qenë një, të njëjtat; sigurisht këto janë shenjat më të sigurta dhe dëshmitë që tregojnë se të gjitha ato qënie, së bashku me vendet ku ato gjenden, janë pronë e Një Pronari të Vetëm Unik.
Duke ndjekur këtë analogji, botërat e qënieve në univers janë aq të ndërthurura saqë ato e kanë bërë universin në një tërësi e cila është e pandashme për sa ka të bëjë me krijimin. Një shkak që nuk ka sundim mbi të gjithë universin, nuk mund të sundojë e drejtojë absolutisht asgjë lidhur me Hyjninë dhe krijueshmërinë; ai nuk mund ta bëjë asnjë grimcë të vetme që t’i kushtojë vëmendje atij.
- Treguesi i Tretë
Nëpërmjet manifestimit të tij më të Madh, Emri Hyjnor El-Ferd, i Vetmi e ka bërë universin në Letra e mesazhe të panumërta të të Kërkuarit të Vetëm përjetësisht të cilat janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, dhe secila prej tyre përmban Vula të Njësisë Hyjnore dhe Stampa Uniteti sa numri i fjalëve të qënieve të universit -si të ishin të botuara- dhe secila prej tyre tregon shkruesin e saj sa numri i atyre vulave.
Po, të gjitha lulet, të gjitha frutat, i gjithë bari dhe madje të gjitha kafshët e pemët janë Vula të Njësisë Hyjnore dhe stampa të Unitetit Hyjnor, të cilat së bashku me vendet që ato gjenden, dhe që marrin formën e mesazheve, janë si nënshkrime, firma që tregojnë Atë që i shkroi, që krijoi vendin. Për shembull, një luleverdhë në një kopsht është si një vulë e skalitësit të kopshtit. Vula e cilitdo që të jetë lulja, të gjitha lulet e atij lloji në faqen e tokës tregojnë qartë se ato janë fjalët e Tij, edhe kopshti gjithashtu është shkrimi i Tij. Kjo do të thotë se të gjitha gjërat ia atribuojnë çdo gjë Një të Vetmi i Cili i krijoi ato, duke treguar në shkallën më të lartë pohimin e Unitetit Hyjnor.
- Treguesi i Katërt
Përveç të qenurit i qartë si dielli, manifestimi më i madh i Emrit Hyjnor El-Ferd, i Vetmi është aq i arsyeshëm sa bëhet i domosdoshëm dhe mund të pranohet me lehtësi absolute, ashtu siç janë shpjeguar qartë në pjesë të ndryshme të Risale-i Nurit. Kurse prova të shumta demonstrojnë se Shirku –të përshkruarit ortakë me Allahun- që është opozita dhe e kundërta e atij manifestimi, është pafundësisht i vështirë dhe pafundësisht larg arsyes deri tek limiti i pamundësisë dhe i papranueshmërisë.
Këtu do të shpjegojmë vetëm ‘Tre pika’ prej atyre provave e treguesve, ndërsa detajet e pikave të atyre provave ua referojmë trajtesave të tjera të Risale-i Nurit.
Pika e Parë: Ne kemi demonstruar me provat më të sigurta dhe në mënyrë të përmbledhur tek fundi i Fjalës së Dhjetë dhe tek Fjala e Njëzet e Nëntë dhe në mënyrë të hollësishme tek Fundi i Mektubatit të Njëzet, se në lidhje me fuqinë e të Vetmit Unik, krijimi i gjësë më të madhe është aq i lehtë sa krijimi i më të voglës. Ai e administron pemën e madhe me aq lehtësi sa frutin e vogël. Ndërsa në qoftë se do t’u referohej shkaqeve, çdo frut do të bëhej aq i vështirë dhe i shtrenjtë sa një pemë, dhe një lule do të bëhej aq e vështirë dhe me telashe aq sa pranvera.
Po, në qoftë se pajisja tërësisht e një ushtrie me pajime e furnizime bëhet me urdhërin që lëshohet nga një Komandant i Vetëm dhe nga një burim i vetëm, kjo do të ishte aq e lehtë dhe e thjeshtë sa pajisja e një ushtari të vetëm, ndërsa në qoftë se pajisja e të gjithë ushtarëve do të bëhej prej fabrikave të ndryshme dhe, administrimi i ushtrisë do të kalonte prej një oficeri të vetëm tek shumë të tillë, atëherë çdo ushtar do të kërkonte aq fabrika sa numri i ushtarëve të ushtrisë.
Pikërisht në të njëjtën mënyrë, në qoftë se çdo gjë do t’i atribuohej Të Vetmit Unik, atëherë krijimi i anëtarëve të panumërt të një specie të vetme të qënieve do të bëhej aq i lehtë sa krijimi i një anëtari të vetëm. Kurse në qoftë se do t’u atribuohej shkaqeve, atëherë krijimi i çdo individi do të bëhej aq i vështirë sa e gjithë specia e gjërë dhe e panumërt.
Po, Uniteti dhe Vetmia e bëjnë çdo gjë të lidhur e të mbështetur tek Esenca e Vetme e shenjtë Hyjnore; kjo lidhje e kjo mbështetje bëhen një fuqi e pakufishme për atë gjë. Nëpërmjet forcës së mbështetjes dhe lidhjes, ajo gjë e vogël mund të kryejë vepra të mëdha që tejkalonte mijëra herë fuqinë e saj individuale dhe prodhon rezultate të mëdha. Ndërsa ndonjë gjë shumë e fuqishme e cila nuk mbështetet tek Pronari i asaj fuqie madhështore dhe tek Zotëruesi i saj El-Ferdu, El-Ehadu, i Vetmi Unik” dhe nuk është e lidhur me Të, mund të kryejë vepra të vogëla sipas fuqisë së saj individuale, dhe po sipas fuqisë së saj rezultatet ulen. Për shembull:
Ai i cili është i lidhur tek një komandant madhështor dhe mbështetet tek ai nëpërmjet cilësisë së qënies së tij ushtar, kjo lidhje dhe kjo mbështetje bëhen për të një forcë mbështetëse që nuk shterron kurrë, dhe si rrjedhojë, ai nuk detyrohet t’i mbajë vetë burimet e fuqisë së tij dhe furnizimet. Nëpërmjet fuqisë së lidhjes së tij, ai mund të zërë rob edhe një mareshall të ushtrisë së shpartalluar të armikut, së bashku me mijëra ushtarët e tjerë me të.. Ndërsa një njeri i fortë e guximtar i cili nuk është një ushtar i rregullt, do të detyrohej t’i mbante vetë municionet dhe furnizimet, dhe kështu mund të rezistonte vetëm përkohësisht kundra dhjetë individëve prej armikut; sepse fuqia e tij individuale është e kufizuar.
Domethënë, në Unitetin Hyjnor dhe në Vetminë Hyjnore, nëpërmjet fuqisë së lidhjes dhe mbështetjes, një milingonë mund të shpartallojë një Faraon dhe një mushkonjë mposht një Nimrud, një mikrob mund të zhdukë një tiran dhe një farë e vockël mund të mbajë mbi shpatullat e saj një pemë shumë të madhe pishe.. dhe e gjitha kjo bëhet nëpërmjet emrit të asaj lidhjeje dhe misterit të asaj mbështetjeje. Po, një komandant i madh mund të dërgojë një ushtri për t’i ardhur në ndihmë një ushtari dhe grumbullon të gjithë ushtrinë pas ushtarit, kështu ushtari ka mbështetjen morale të ushtrisë dhe nëpërmjet asaj fuqie, ai mund të realizojë vepra të mëdha në emrin e komandantit.
E ngjashme me këtë, meqenëse Monarku i Parapërjetshëm është Një i Vetëm Unik, atëherë Ai nuk ka absolutisht asnjë lloj nevoje. Në qoftë se do të supozonim se do të lindte nevoja në ndonjë drejtim, Ai do t’i dërgonte të gjitha gjërat për t’u ardhur në ndihmë çdo gjëje dhe do ta grumbullonte ushtrinë e universit pas një gjëje dhe çdo gjë do të mund të mbështetej tek një fuqi aq e madhe sa universi, dhe kështu çdo gjë në ekzistencë do të merrte fuqi prej asaj fuqie Hyjnore madhështore absolute.. prej Atij Të Vetmi Unik xh.sh.. Po të mos ishte Vetmia Hyjnore, çdo gjë do ta humbiste të gjithë këtë fuqi dhe do të bëhej si asgjë; edhe rezultatet e tyre gjithashtu do të katandiseshin në hiçgjë.
Kështu, shfaqja e këtyre veprave vërtet të mrekullueshme dhe i rezultateve të mëdha prej gjërave të thjeshta e të papërfillshme, të cilat ne i shohim gjatë gjithë kohës me sytë tonë, në mënyrë të vetëkuptueshme demonstrojnë Vetminë Hyjnore dhe Njësinë Hyjnore. Në qoftë se nuk do të ishin ato, rezultatet dhe frutat e çdo gjëje, do të mbeteshin të kufizuara tek fuqia e saj dhe tek substanca e saj më e vogël, dhe si rrjedhojë, rezultatet do të binin, madje do të zhdukeshin. A nuk i sheh gjërat tepër të çmueshme e të vlefshme, si frutat, perimet e të tjera të cilat janë pafundësisht të bollshme e me lirësi të madhe çmimi para nesh. Kjo ndodh vetëm se nëpërmjet misterit të Unitetit Hyjnor, të asaj lidhjeje dhe të grumbullimit të të gjitha forcave. Po të mos ishte Vetmia Hyjnore, ne nuk do ta siguronim me mijëra dirhem atë shalqi apo shegë që ne i blejmë vetëm me një shumë të vogël parash -dirhemësh. Po, e gjithë lehtësia në çështjet që ne i shohim, i gjithë bollëku dhe e gjithë lirësia në botë burojnë nga rezultatet e Unitetit Hyjnor dhe dëshmojnë Vetminë Hyjnore.
Pika e Dytë: Qëniet krijohen dhe shfaqen në ekzistencë në dy mënyra:
E Para: është krijimi nga hiçi, që quhet Zanafilla dhe Shpikja.
E Dyta: është dhënia ekzistencë nëpërmjet grumbullimit së bashku të elementeve dhe gjërave ekzistuese që quhet Përbërja dhe montimi.
Në qoftë se do t’i shikonim qëniet nga këndvështrimi i misterit të Njësisë Hyjnore dhe manifestimit të Vetmisë Hyjnore, ne vërejmë se krijimi dhe sjellja e tyre në ekzistencë ndodhin me një lehtësi të pafundme, një lehtësi e tillë është në shkallën e domosdoshmërisë dhe të vetëkuptueshmërisë. Ndërsa në qoftë se çështja e krijimit dhe e sjelljes në ekzistencë nuk do t’i atribuohej Unitetit dhe Vetmisë Hyjnore, ajo do të bëhej pafundësisht e vështirë dhe e paarsyeshme, e vështirë deri në shkallën e pamundësisë dhe të papranueshmërisë. Mirëpo, fakti se qëniet në univers vijnë në ekzistencë me një lehtësi të pafundme, dhe me një kollajllëk të tillë, pa asnjë vështirësi dhe në formë të plotë, në mënyrë të vetëkuptueshme tregon manifestimin e Vetmisë Hyjnore dhe provon se çdo gjë në ekzistencë është drejtëpërdrejtë prej artit të të Vetmit Unik, Zotëruesit të madhështisë dhe të mirëbërësisë.
Po, në qoftë se çështja e krijimit do t’i atribuohej Të Vetmit Unik, atëherë secila gjë krijohet nga hiçi sa çel e mbyll sytë me një kollajllëk e lehtësi absolute, nëpërmjet fuqisë së Tij absolute, madhështia e së cilës kapet nëpërmjet veprave të saja të dukshme. Dhe nëpërmjet njohurisë së Tij gjithëpërfshirëse absolute, çdo gjëje i paracaktohet një masë si një kallëp jolëndor. Grimcat e të gjitha gjërave vendosen me lehtësi në kallëpin ekzistues në njohje, në përputhje me formën dhe planin e çdo gjëje në pasqyrën e njohjes dhe ato i ruajnë pozitat e tyre në sistem të mirë.
Në qoftë se do të ishte e domosdoshme të grumbulloheshin bashkë grimcat prej anëve të ndryshme, në përputhje me parimet gjithëpërfshirëse të fuqisë dhe të ligjeve të Njohjes, grimcat lidhen së bashku në formë të rregullt ashtu si ushtarët e bindur të një ushtrie të disiplinuar. Të shtyrë nga fuqia sipas njohjes, ato vijnë, futen në kallëpin ekzistues në Njohje në përputhje me masën e Kaderit Hyjnor, i cili rrethon dhe gjithëpërfshin ekzistencën e gjësë, dhe me lehtësi formon qënien e saj. Ashtu siç shfaqet imazhi i përfaqësuar në pasqyrë mbi një letër të ndjeshme, dhe i vishet një ekzistencë e ndjeshme e jashtme nëpërmjet një kamere, aparati fotografik dhe, ashtu siç shfaqet dhe shikohet shkrimi i fshehur dhe i padukshëm kur përhapet mbi letër një lëndë e veçantë kimike, po ashtu është çështja në formën e të gjitha qënieve, dhe natyra e të gjitha gjërave ekzistuese në pasqyrën e Njohjes Hyjnore të të Vetmit Unik; Fuqia Hyjnore absolute u vesh atyre – me një lehtësi të pafundme – një ekzistencë të jashtme të ndjeshme, dhe shfaqet për sytë në botën e dukshme, pasi ishte në botën e kuptimit dhe në botën e së padukshmes.”
Por, në qoftë se çështja e krijimit nuk do t’i atribuohej Të Vetmit Unik, atëherë do të bëhej e domosdoshme për krijimin e një mize të vetme të prekje e të kërkoje të gjithë faqen e tokës, të shoshisje të gjitha elementet e saj dhe të sillje prej çdo vendi grimcat e veçanta për qënien e saj. Dhe me qëllimin që t’i vendosësh grimcat në rregull e në vendin e duhur në qënien e saj do të ishte e domosdoshme të ndodhej një kallëp fizik, madje do të duheshin kallëpe jolëndorё sa numri i gjymtyrëve dhe i organeve të saj të bëra artistikisht.
Pastaj, shqisat gjithashtu në qënien e saj, dhe aftësitë e saja të holla jolëndore si shpirti do të duhej të peshoheshin në një masë të veçantë nga botërat jolëndore.
Kështu, krijimi i një mize në këtë mënyrë do të ishte aq e vështirë sa ai i universit. Vështirësitë do të shumëfishoheshin qindra herë, madje kjo do të ishte një pamundësi e shumëfishtë.
Prandaj të gjithë njerëzit e besimit dhe të dijes kanë rënë dakort dhe janë pajtuar unanimisht në mendimin se “Askush përveç Krijuesit El-Ferd, i Vetmi nuk mund të krijojë prej hiçit apo prej mosekzitencës”. Për këtë arsye, në qoftë se çështja do t’u atribuohej shkaqeve dhe Natyrës, atëherë do të bëhej e domosdoshme për ekzistencën e një gjëje të vetme grumbullimi prej shumicës së gjërave.
Pika e Tretë: Ne do të shpjegojmë shkurtazi dy ose tre krahasime të cilat janë shpjeguar në pjesët e tjera të Risale-i Nurit, duke treguar se ‘të atribuarit e krijimit të Vetmit Unik’ e bën krijimin e të gjitha gjërave aq të lehtë sa krijimin e një gjëje të vetme, ndërsa ndryshe, në qoftë se do t’u atribuohej natyrës dhe shkaqeve, ekzistenca e një gjëje të vetme do të bëhej aq e vështirë sa ajo e të gjitha gjërave.
Për shembull: Në qoftë se pozicionet dhe administrimi i një mijë ushtarëve do t’i referohej një oficeri, dhe administrimi i një ushtari të vetëm do t’u referohej dhjetë oficerëve, atëherë administrimi e komandimi i një ushtari të vetëm do të ishte dhjetë herë më i vështirë se sa komandimi i një batalioni, sepse ata që do ta komandonin atë do të formonin pengesa për njëri-tjetrin. Dhe në çrregullimin që do të shkaktohej, ushtari nuk do të gjente qetësi në mes të grindjes së komandantëve të tij. Ndërsa për të arritur rezultatin e dëshirës dhe situatën një batalion do t’i referohej një oficeri të vetëm, ai do të mund ta arrinte rezultatin me lehtësi, pa vështirësi dhe do ta realizonte atë situatë që dëshiron. Në qoftë se për ta arritur rezultatin dhe situatën e dëshiruar, do t’u referohej ushtarëve pa një shef, pa udhëheqës ose pa rreshter, ato rezultate do të mund të arriheshin vetëm me shumë kundërshti e vështirësi, në çrregullim të madh dhe me mangësi.
Krahasimi i Dytë: Për shembull, në qoftë se çështja e ndërtimit të kubesë së xhamisë së Aja Sofias do t’i caktohej e dorëzohej një ndërtuesi mjeshtër të talentuar, ai do ta realizonte me shumë lehtësi e kollaj, ndërsa në qoftë se ndërtimi i saj do t’u ngarkohej a caktohej gurëve të saj, do të bëhej e domosdoshme që çdo gurë të kishte edhe një dominim absolut mbi gurët e tjerë dhe njëkohësisht i varur prej tyre me qëllim që gurët të mbështesin njëri-tjetrin në atë pozicion të varur pezull dhe që kubeja të marrë formën e saj! Ndërsa ndërtuesi mjeshtër harxhonte pak përpjekje -për shkak se çështja ishte e lehtë për të-, tani qindra ndërtues -gurët- do të harxhonin e do të bënin përpjekje qindra herë më të mëdha pa arritur rezultatin!!
Krahasimi i Tretë: Për shembull, meqenëse globi tokësor është një nëpunës, një ushtar i të Vetmit Unik xh.sh. dhe si ushtar i bindur ndaj Allahut të Vetëm Unik, dhe kur merr urdhrin e vetëm që lëshohet prej Urdhëruesit të saj të vetëm, atëherë rezultatet arrihen ashtu si ndryshimi i stinëve, si ndërrimi i ditës dhe i natës, si lëvizjet e larta e madhështore të qiejve dhe si ndryshimi i pamjeve qiellore ashtu si ndryshimi i skenave kinematografike. Me të marrë urdhrin nga Urdhëruesi i saj i Vetëm, me gëzim të papërmbajtur tek detyra e saj, një ushtar i vetëm si toka ngrihet për t’u rrotulluar në dy drejtime si një dervish mevlevi në ekstazë, dhe është mjeti për arritjen e atyre rezultateve madhështore.
Është sikur toka të ishte komandantja e atyre manovrave ushtarake madhështore midis yjeve të universit.
Po, në qoftë se çështja nuk do t’i atribuohej Të Vetmit Unik i Cili nëpërmjet Sundimit të Hyjnisë së Tij ka rrethuar e gjithëpërfshirë të gjithë universin dhe urdhri e Sundimi i të Cilit i mbulon të gjitha qëniet, atëherë ato rezultate, ato manovra qiellore dhe ato stinë tokësore do të mund të arriheshin nëpërmjet miliona yjesh e globesh një mijë herë më të mëdhaja se sa toka duke përshkuar distancën e gjatë prej miliona vitesh në çdo Njëzet e Katër orë dhe në çdo vit.
Kështu, ato rezultate duke u arritur nëpërmjet dy lëvizjeve -në orbitën e saj dhe në boshtet e saj si një mevlevi dervish në ekstazë- nga një nëpunëse e vetme si toka, është një shembull i lehtësisë së pafundme dhe natyrshmërisë që ndodhet në Unitetin Hyjnor dhe në Vetminë Hyjnore, dhe në të njëjtën kohë kjo na bën të qartë se sa e mbushur me pamundësi të pakufishme dhe me gjëra absurde e të palogjikshme është rruga e shirkut, të përshkruarit ortakë me Zotin xh.sh. dhe e mosbesimit.
Tani vëreje injorancën e atyre që adhurojnë shkaqet dhe Natyrën nëpërmjet teleskopit të këtij shembulli vijues që të kuptosh se sa larg arsyes dhe mendimit të shëndoshë janë ata:
Një fabrikë madhështore.. Një libër i mahnitshëm.. një pallat madhështor.. ose një orë e mrekullueshme.. Nuk ka dyshim se ai që i bëri secilën prej këtyre në formën më të sistemuar e të rregullt nëpërmjet artit të tij të mrekullueshëm dhe që e administroi në mënyrën më të përkryer dhe që shfaqi përkujdesje, nuk ka dyshim se ai deshi të shfaqë nëpërmjet secilës bukuritë e artit të tij dhe çudirat e veprës së tij nëpërmjet bërjes së çdonjërës prej tyre. Në qoftë se dikush do t’ua referonte administrimin e fabrikës vetë makinerive të fabrikës dhe, do t’ia atribuonte ndërtimin e pallatit madhështor vetë gurëve të pallatit dhe t’ua atribuonte kuptimet e bukura të librit vetë shkronjave, ai sikur e paska bërë çdo pjesë prej pjesëve të fabrikës një poseduese të një fuqie madhështore për të organizuar vetveten dhe të tjerat! Dhe sikur t’i kishte bërë secilën prej shkronjave të librit, madje dhe fletët e penën, si të ishin një gjë e jashtëzakonshme dhe të hartonte vetë librin. Domethënë, ai ua referon bukurinë e sistemit në fabrikë vetë makinerive të fabrikës; ua atribuon kuptimin në libër harmonisë dhe koinçidencës së shkronjave vetvetiu!!
Pikërisht në të njëjtën mënyrë, ata që ua atribuojnë krijimin shkaqeve dhe Natyrës bien në një injorancë të shumëfishtë e të përbërë si kjo; sepse Natyra dhe shkaqet janë vepra arti jashtëzakonisht të mirësistemuara; ato gjithashtu janë artifakte dhe të krijuara si krijesat e tjera. Ai që i krijoi ato -në këtë formë të mrekullueshme- është pikërisht ai që i krijon pasojat dhe rezultatet e tyre gjithashtu.. Ai që krijoi farën, krijon gjithashtu edhe pemën sipër saj, dhe është po Ai i Cili i prodhon frutat dhe lulet sipër saj.
Ndërsa, në qoftë se krijimi i shkaqeve dhe i natyrës së bashku me pasojat dhe rezultatet e tyre nuk do t’i atribuoheshin të Vetmit Unik, atëherë do të bëhej e domosdoshme për ekzistencën e llojeve të shkaqeve dhe të modeleve të ndryshme të Natyrës, të kishte natyra të tjera të mirorganizuara dhe shkaqe të harmonizuara. Dhe kështu, njeriu do të duhej të pranonte ekzistencën e një zinxhiri të rremë, të pafundmë, të pakuptim dhe të pamundur. Kjo do të ishte injoranca më e jashtëzakonshme.
- Treguesi i Pestë
Ne kemi demonstruar me prova vendimtare në shumë vende se veçoritë më themelore të sundimit janë pavarësia dhe Mëvetësia -ndarja-, saqë ky njeri i cili është jashtëzakonisht i pafuqishëm dhe që nuk ka veçse një hije të zbehtë prej sundimit, refuzon me gjithë vrull çfarëdo lloj ndërhyrje qoftë prej njerëzve në çështjet e tij dhe nuk i lejon të tjerët të përzihen në detyrën e tij me qëllim që të ruajë pavarësinë dhe mëvetësinë e Tij. Madje historia përmend se shumë mbretër kanë ekzekutuar me vdekje në mënyrë të pamëshirshme fëmijët e tyre të pafajshëm dhe vëllezërit e dashur kur kuptuan ndërhyrjen e tyre në punët e tyre. Domethënë, pavarësia, mëvetësia dhe refuzimi i ndërhyrjes së të tjerëve janë nga veçoritë më themelore të sundimit të vërtetë, madje ato janë domosdoshmëritë e tij të pandashme dhe esencat e vazhdueshme.
Për shkak të kësaj veçorie thelbësore, Sundimi Hyjnor, i cili është në shkallën e Hyjnisë absolute, e refuzon në mënyrën më të fuqishme Shirkun, të përshkruarin ortakё me Krijuesin, pjesëmarrjen dhe ndërhyrjen e të tjerëve. Gjithashtu, Kur’ani i shpjegimit të mrekullueshëm me ngulm, në mënyrë të përsëritur dhe me rreptësi tregon Unitetin Hyjnor dhe e refuzon me kërcënime të ashpra të përshkruarin ortakë me Allahun.
Atëherë, ashtu siç e kërkon medoemos Sundimi Hyjnor -i cili është në Hyjninë absolute- Unitetin dhe Njësinë Hyjnore në mënyrën më të sigurt dhe shfaq një motiv shumë të fuqishëm dhe një domosdoshmëri të fortë për të, po ashtu rregullsia e përkryer dhe harmonia e mahnitshme që shihen në univers -duke filluar nga yjet, bimët, kafshët, toka dhe mineralet dhe duke përfunduar tek të pjesshmet, individët dhe grimcat e vockëla- secila prej tyre është një dëshmitare e vërtetë dhe një provë e qartë e Atij Uniteti e Vetmie, dhe nuk lejon absolutisht asnjë dyshim apo iluzion, sepse po të kishte pasur ndërhyrje, përveç të Vetmit Unik, ky sistem i mrekullueshëm dhe kjo rregullsi në univers do të ishin prishur, dhe ky drejtpeshim tej mase i ndjeshëm dhe harmonia në të gjitha pjesët e gjithësisë do të ishin të prishur dhe shenjat e çrregullimit do të dukeshin qartë.
Në përputhje me kuptimin e vërsetit, “Po të kishte pasur në to (në qiej dhe në tokë) perëndi të tjera përveç Allahut, atëherë padyshim që të dyja (qiejt dhe toka) do të ishin shkatërruar…”[12]
Ky rregull i mahnitshëm e i përkryer i universit do të ishte flakur në rrëmujë dhe do të ishte prishur. Ndërsa sipas kuptimit të qartë të vërsetit,
“Kthe pra shikimin përsëri: “A mund të shohësh ndonjë të çarë?”[13] duke filluar nga grimcat e vockëla për tek planetet dhe nga toka për tek Froni Hyjnor, nuk shihet asnjë shenjë defekti, mangësie apo rrëmuje. Atëherë, rregulli i universit dhe i krijesave dhe balanca, ekuilibri i qënieve demonstrojnë në mënyrën më të shndritshme manifestimin më të madh të Emrit Hyjnor El-Ferd dhe dëshmojnë Unitetin Hyjnor. Për më tepër, meqenëse nëpërmjet misterit të manifestimit të Njësisë Hyjnore, krijesa e gjallë më e vockël është një model i zvogëluar i Universit dhe një indeks i vogël i tij; Vetëm Ai që në kapjen e fuqisë së të Cilit është i gjithë Universi mund të jetë pronar i vërtetë i asaj krijese të gjallë të vogël. Dhe meqenëse, lidhur me krijimin, një bërthamë nuk është më e ulët se sa një pemë e madhe, dhe një pemë është si një univers i vogël dhe të gjitha qëniet e gjalla janë si universe dhe si botëra të vogëla, ky mister i Njësisë Hyjnore e ka bërë të pamundur shirkun, të përshkruarin ortakë me Allahun.
Nëpërmjet këtij misteri, universi nuk është vetëm një tërësi e pandashme, por për sa ka të bëjë me natyrën e tij si një Universale, tërësore ndarja e së cilës ose copëzimi në pjesë është e pamundshme dhe nuk pranon pjesëmarrje dhe duar të shumta në krijimin e tij.
Kështu, meqenëse çdo pjesë e tij është si një e pjesshme dhe si një individ dhe gjithë universi është gjithashtu si tërësorja, atëherë nuk ka asnjë mundësi në asnjë drejtim për pjesëmarrjen e të tjerëve në të. Ky manifestim më i madh i Emrit Hyjnor El-Ferd, i Vetmi e provon realitetin e Unitetit Hyjnor nëpërmjet misterit të Njësisë Hyjnore me shkallën e të qenurit e vetkuptueshme.
Po, meqenëse botërat e qënieve në univers janë të ndërlidhura e të ndërthurura, dhe funksionet e secilës prej tyre i shikojnë të gjitha qëniet, kjo e ka bërë universin, lidhur me Hyjninë dhe krijimin, si një tërësi të pandashme; Gjithashtu aktet e përgjithshme gjithëpërfshirëse në univers janë të ndërthurura e të ndërfutura. Domethënë, për shembull, brenda aktit të dhënies së jetës, shfaqet menjëherë në të njëjtën kohë edhe akti i të ushqyerit dhe ai i furnizimit me rizk. Dhe brenda këtyre akteve të të ushqyerit dhe të dhënies së jetës, shikohet menjëherë akti i organizimit të trupit të asaj gjallese dhe zbukurimi e vendosja në rregull e gjymtyrëve të tij dhe pajisja me atë që i nevojitet dhe që e ka të domosdoshme. Dhe brenda atyre akteve të të ushqyerit, dhënies së jetës, organizimit, pajisjes dhe të zbukurimit, në të njëjtën kohë aktet e dhënies së formave, të zhvillimit dhe të rregullimit vihen në veprim.
Dhe kështu me radhë, meqenëse akte të tilla të përgjithshme e gjithëpërfshirëse janë të ndërfutura, njëri brenda tjetrit dhe të shkrirë e të përzier së bashku si shtatë ngjyrat në dritë, madje janë të bashkuara me njëra-tjetrën; dhe meqenëse duke qenë të njëjta për sa ka të bëjë me natyrat e tyre, secili prej atyre akteve rrethon e gjithëpërfshin shumicën e qënieve dhe janë si një akt i vetëm; dhe meqenëse Ai që i kryen aktet duhet të jetë Një i njëjti; dhe meqenëse secili akt prej atyre akteve pushton dhe depërton në të gjithë universin dhe bashkohet me aktet e tjera në kooperim e ndihmesë; kjo e ka bërë universin si një tërësi të pandashme. Gjithashtu, meqenëse të gjitha krijesat e gjalla janë si fara, indekse dhe shembuj e modele të universit, kjo e ka bërë universin nga këndvështrimi i Hyjnisë si diçka tërësore, ndarja në pjesë apo copëzimi i të cilës është e pamundur.
Domethënë, universi është një tërësi e tillë sa që për të qenë Zot dhe Mbështetës i një pjese të tij, do të ishte e mundur vetëm duke qenë Zoti dhe Mbështetësi i tërësisë së tij. Ai gjithashtu është një tërësore e tillë saqë çdo pjesë e tij bëhet si një anëtar i veçantë apo si një individ; dhe nuk mund të jetë Zot apo Mbështetës për individin e veçantë, veçse Ai i Cili i ka frerat e të tërës në dorën e Tij dhe që e nënshtron atë.
- Treguesi i Gjashtë
Vetmia Hyjnore dhe Uniteti Hyjnor janë boshti dhe baza e të gjitha plotësimeve[14], dhe burimi dhe origjina e qëllimeve dhe e urtësisë në krijimin e universit. Ato gjithashtu janë burimi dhe boshti i vetëm për të arritur e përmbushur dëshirat dhe aspiratat e qënieve të vetëdijshme dhe të qënieve të arsyeshme dhe veçanërisht për njeriun. Në qoftë se nuk do të ishte Vetmia Hyjnore, do të ishte shuar drita e të gjitha dëshirave dhe e kërkesave të njeriut. Rezultatet e krijimit të universit do të katandiseshin në hiçgjë, dhe shumica e plotësimeve ekzistuese, të sigurta e të qëndrueshme do të asgjësoheshin.
Për shembull, njeriu ka një dëshirë të fortë të patundur, të papërmbajtur e të zjarrtë për pavdekshmëri. Vetëm Ai që nëpërmjet misterit të Vetmisë e mban të gjithë universin në kapjen e në Dorën e Tij dhe që mund ta mbyllë këtë dynja dhe të hapë Ahiretin me aq lehtësi si të mbyllte një shtëpi dhe të hapte një tjetër, mund ta qetësonte e përmbushte këtë dëshirë. Dhe ashtu si kjo dëshirë, mijërat e dëshirave të njeriut të cilat shtrihen deri në përjetësi dhe që janë shpërndarë gjithandej universit janë lidhur me misterin e Vetmisë dhe të realitetit të Unitetit Hyjnor. Në qoftë se nuk do të ishte Vetmia Hyjnore, ai mister, këto dëshira nuk do të ishin; ato do të ishin shterpa, të pafrutshme. Dhe në qoftë se nuk do të ishte i Vetmi i Cili nëpërmjet Unitetit Hyjnor ushtron kontroll mbi të gjithë Universin, ato dëshira nuk do të ndodhnin. Madje edhe në qoftë se do të supozohej se do të ndodhnin, ato do të ndodhnin me shumë mangësi.
Për shkak të këtij misteri madhështor, Kur’ani i shpjegimit të mrekullueshëm në mënyrë të përsëritur, me shumë pasion e me zjarr, dhe me elokuencë të lartësuar jep mësim Unitetin Hyjnor dhe Vetminë Hyjnore. Gjithashtu, të gjithë profetët, dijetarët e pastër dhe evlijatë, shenjtorët, e kanë gjetur kënaqësinë e tyre më të madhe dhe lumturinë në pranimin e Unitetit Hyjnor, duke thënë: Lailahe il-la Huve, Nuk ka Zot tjetër përveç Atij.
- Treguesi i Shtatë
Ashtu si Muhammedi a.s.m. i cili e dha mësim, e provoi dhe e shpalli në formën më të plotë pohimin e vërtetë të Unitetit Hyjnor në të gjitha shkallët e tij, po ashtu profetësia e tij u vërtetua me aq siguri e prerazi si Uniteti Hyjnor. Sepse meqenëse Ai e dha mësim Unitetin Hyjnor, realitetin më të madh në sferën e ekzistencës së bashku me të gjitha të vërtetat e tij, mund të thuhet se të gjithë argumentet duke provuar në mënyrë vendimtare Unitetin Hyjnor provojnë profetësinë e tij, vërtetësinë e detyrës së tij dhe drejtësinë e çështjes së tij. Po, një profetësi e cila zbuloi dhe me të vërtetë dha mësim Vetminë Hyjnore dhe Unitetin dhe e cila përmban mijëra prej shembujve të këtyre të vërtetave të larta duke i grumbulluar ato, nuk ka dyshim se ajo është profetësi të cilën e kërkon dhe e bën të domosdoshme ajo Vetmi dhe Ai Unitet; ato sigurisht e kërkojnë atë.
Kështu, Muhammedi a.s.m. e kreu amanetin dhe detyrën në mënyrën më të mirë dhe e përçoi mesazhin në formën më të bukur.
Tani ne do të shpjegojmë nëpërmjet shembullit tre prej dëshmive të shkaqeve të shumta të cilat dëshmojnë rëndësinë dhe lartësinë e personalitetit të tij kolektiv të këtij profeti të nderuar, duke provuar se ai është Fanari ndriçues i këtij universi dhe dielli i tij rrezatues.
Dëshmia e Parë: Sipas rregullit ‘Shkaku është si vepruesi’, barasvlera e të gjitha veprave të mira të kryera gjatë gjithë shekujve nga të gjithë individët e komunitetit të tij ka kaluar tek libri i veprave të mira të Muhammedit a.s.m., sepse ai është shkaku në arritjen e çdo sevabi që e fiton ummeti i tij deri në ditën e kijametit.
Shqyrtoje këtë dhe pastaj mendo për stacionin madhështor të përshtatshëm të cilin e kërkon medoemos tërësia e duave të panumërta prej salevateve të pranuara që ngrihen çdo ditë prej të gjithë ummetit që të kuptosh shkallën e tij të lartë e sublime dhe të kuptosh se personaliteti i tij kolektiv është dielli i universit dhe fanari ndriçues i të gjithë krijimit.
Dëshmia e Dytë: Mendo për përparimin shpirtëror të Muhammedit a.s.m., qënia esenciale e të cilit ishte burimi, bërthama, jeta dhe boshti i pemës madhështore të botës së islamit: Ai përparim shpirtëror buroi nga kryerja e tij me kapacitetin e tij të jashtëzakonshëm dhe me aftësitë e tij të adhurimit të shenjtë dhe salevatet që përbëjnë aspektet shpirtërore të botës së islamit, duke kapur e perceptuar të gjithë kuptimin dhe shkallët e adhurimit të tij; pastaj ti mund të kuptosh se sa shumë më e lartësuar se sa shenjtëritë e tjera ishte shenjtëria e adhurimit të Muhammedit a.s.m, nëpërmjet së cilës ai u ngrit në shkallën e të qenurit i Dashuri i Zotit xh.sh. dhe kuptoje përçuesin e lartësisë së saj.
Një ditë Allahu hapi për mua në një sexhde në namaz, disa kuptime dhe drita rrezatuese prej frazës “Subhane Rabbijel Aëla” në një mënyrë të afërt me atë se si Sahabët e Profetit Muhammed a.s.m. e kuptonin atë, dhe ajo m’u shfaq aq e rëndësishme sa adhurimi i një muaji. Unë nëpërmjet kësaj kuptova vlerën e lartë të Sahabëve.
Kjo do të thonte se në fillim të islamit, shkëlqimi dhe drita që buronin nga fjalët e shenjta kishin një cilësi të ndryshme.
Nëpërmjet ripërtëritjes së tyre, ato kishin një aromë të ndryshme, një hollësi e një freski të cilat me kalimin e kohës janë bërë të fshehura e të mbuluara dhe janë zvogëluar nëpërmjet neglizhencës. Muhammedi a.s.m. i mori ato me kapacitetin e tij të mrekullueshëm të reja e të freskëta prej burimit të tyre origjinal, Esencës më të pastër e më të shenjtë, dhe i përthithi, i tërhoqi dhe i asimiloi. Si rrjedhojë e kësaj, ai mundi të marrë shkëlqim prej tesbihatit të vetëm që të tjerët mund ta merrnin vetëm duke bërë një vit adhurim.
Kështu, nga ky këndvështrim ju mund të kuptoni se deri në cilën shkallë përparoi Profeti Muhammed a.s.m. nëpër shkallët e plotësimeve, të cilat janë pa caqe apo limite.
Dëshmia e Tretë: Meqenëse njerëzimi është boshti i të gjitha qëllimeve Hyjnore në univers; dhe meqenëse me kuptueshmërinë e tij të lartë, njerëzimi i ka marrë të gjithë adresimet e të Vetmit të Gjithëlavdishëm; dhe meqenëse Muhammedi a.s.m. ishte më i famshmi dhe më i shquari i njerëzimit, dhe ashtu siç e dëshmojnë veprat dhe arritjet e tij, ishte indvidi më i plotë dhe më madhështor i njerëzimit; Ai i Vetëm i Gjithëlavdishëm e mori Muhammedin a.s.m. si të adresuarin e Vet në emrin e të gjithë njerëzimit, dhe madje në emrin e të gjithë universit; Ai bëri të dukshme tek personi i tij shkëlqime të pakufishme dhe plotësime të pafundme.
Kështu, ndodhen shumë pika si këto të trija të cilat provojnë në mënyrë vendimtare se ashtu siç është personaliteti kolektiv i Muhammedit a.s.m. dielli shpirtëror i universit, po ashtu ai është shenja më e lartë e Kur’anit madhështor i njohur si universi, dhe Emri më i madh i atij dalluesi më të lartë midis të vërtetës dhe të shtrembërës dhe pasqyra e manifestimit më të madh i dritave të Emrit Hyjnor El-Ferd, i Vetmi.
O Allah! O i Vetëm, Unik dhe i Kërkuari përjetësisht! Zbrit prej bekimeve të thesarit të mëshirës Tënde që nuk shteron kurrë salevate e selame mbi atë qënie të bekuar profetike sa numri i grimcave të universit të shumëzuara me të gjitha sekondat e të gjitha minutave të të gjitha kohëve të universit.
“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë që Vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti”.[15]
* * *
PIKA E PESTË
Emri Hyjnor El-Hajj, i Gjalli i Përjetshëm
Me emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
“Shihni, pra tek pasojat e Mëshirës së Allahut, se si Ai ringjall tokën pas vdekjes së saj. Sigurisht që (Allahu i Cili siç ringjall tokën pas vdekjes së saj) do të ngrejë me siguri të vdekurit (Ditën e Ringjalljes) dhe Ai është i Zoti për të bërë çdo gjë”.[16]
“All-llah! Nuk ka Zot tjetër përveç Atij. Ai është i Gjalli i Përjetshëm dhe Vetekzistuesi dhe Mbajtësi i gjithçkaje që ekziston; as kotje e as gjumë nuk e kap Atë…”[17]
Në horizontin e mendjes sime u shfaq një pikë prej pikave të holla të të dy vërseteve Kur’anore të lartëpërmendur dhe një manifestim prej manifestimeve të Emrit më të madh El-Hajj, i Gjalli i Përjetshëm, ose njëra prej dy dritave të Emrit më të madh ose një dritë prej gjashtë dritave të tij në muajin Shev-val kur isha në burgun Eskishehir. Unë nuk e shënova atë, sepse në atë kohë nuk qeshë në gjendje ta kapja atë zog të shenjtë. Tani pasi ai është larguar, unë të paktën do të tregoj shkurtazi nëpërmjet një numri shenjash disa rreze të asaj të vërtete të lartë dhe të asaj drite sublime.
○ Shenja e Parë
Ç’është Jeta, që është një manifestim më i madh i Emrit të Zotit El-Hajj, El-Muhji, i Gjalli i Përjetshëm dhe Jetëdhënësi?
Cila është natyra e saj?
Cili është misioni i saj?
Përgjigjjen e kësaj pyetje do ta përfshijmë në formën e një indeksi, sa vijon:
Jeta është:
- Qëllimi më i rëndësishëm i universit;
- Rezultati i tij më i madh;
- Drita e tij më vezulluese;
- Esenca e tij e distiluar;
- Fruti i tij më i përsosur e i plotë;
- Plotësimi i tij më i lartësuar;
- Bukuria e tij më e hollë;
- Stolia e tij më e bukur;
- Misteri i pandashmërisë së tij;
- Lidhja e unitetit të tij;
- Burimi i plotësimeve të tij;
- Dhe në lidhje me artin dhe natyrën, është qënia më e çuditshme e pajisur me shpirt;
- Dhe një realitet i mrekullueshëm i cili e bën edhe krijesën më të vockël si një botë në vetvete;
- Ajo është mrekullia më e jashtëzakonshme e Fuqisë Hyjnore, duke e bërë qënien e gjallë si një univers të zvogëluar, sikur ajo -domethënë jeta, të ishte një mjet për përfshirjen e universit në atë gjallesë të vogël, duke shfaqur në të atë çfarë i ngjason indeksit të universit të madh, dhe e bën atë gjallesë të lidhur ngushtë me pjesën më të madhe të qënieve..
- Ajo është një art Hyjnor i jashtëzakonshëm e cila e zmadhon pjesën e vockël duke qenë e tëra më e madhe, madje ajo e bën individin, të veçantën, si botën dhe si të ishte universale -tërësore- dhe, tregon se në lidhje me Hyjninë, universi është një tërësi e pandashme ose një universale që nuk mund të ndahet në pjesë dhe që nuk pranon pjesëmarrje e copëzim;
- Ajo është prova më e shndritshme, më vendimtare dhe më e plotë që dëshmon ekzistencën e domosdoshme të të Gjallit të përjetshëm dhe të Vetekzistuesit të përhershëm dhe tregon për Unitetin dhe Njësinë e Tij xh.sh.; dhe midis arteve Hyjnore ajo është qëndisja më brilante, më e fshehura, më e dukshmja, më e çmueshmja, më e pastërta, më e bollshmja dhe më kuptimplota e artit Hyjnor;
- Ajo është manifestimi më i hollë, më i butë e më delikat i Mëshirës Hyjnore e cila i bën krijesat e tjera që t’i shërbejnë asaj;
- Është pasqyra më gjithëpërfshirëse e Atributeve Hyjnore;
- Është një çudi e krijimit Hyjnor që përmban manifestimet e shumë Emrave të bukur Hyjnorë si Er-Rahman, Er-Rez-zak, Er-Rahim, El-Kerim, El-Hakim etj. i Gjithëmëshirshmi, Furnizuesi, Mëshirëploti, Gjithëbujari, i Gjithurti etj, dhe i bën të dukshme të vërteta të shumta si, Rizkun -furnizimin- urtësinë, përkujdesjen dhe mëshirën t’i nënshtrohen asaj dhe i drejton; dhe është burimi dhe origjina e të gjitha shqiseve si të parit, të dëgjuarit dhe të prekurit;
- Ajo është një makineri madhështore pastrimi dhe një aparat i çuditshëm transformimi në fabrikën e universit, e cila në mënyrë të vazhdueshme pastron gjithandej, dëlirëson, i jep gjësë përparim dhe e ndriçon atë. Sikur trupi i cili është foleja e jetës, të ishte banesa, shkolla, kapanoni për të udhëzuar karvanet e grimcave, duke i bërë të afta ato që të përmbushin detyrat dhe që të ushtrohen për detyrat e tyre.
- Ajo është një mjet nëpërmjet të cilës i Gjalli i Përjetshëm e Jetëdhënës ndriçon botën e errët, kalimtare e të ulët të dynjasë dhe i jep asaj një lloj qëndrueshmërie duke e përgatitur atë të shkojë për tek një botë tjetër e qëndrueshme dhe e amshuar;
- Pastaj dy fytyrat e jetës, domethënë, fytyrat e saj të brendshme e të jashtme, janë të ndritshme, të lartësuara, të pandotura dhe pa mangësi; ajo është një krijesë e veçantë dhe e dalluar nga çdo krijesë tjetër mbi të cilën shkaqet e jashtme nuk janë vendosur si perde për aktet e Fuqisë Hyjnore -ashtu siç është tek gjërat e tjera-, me qëllim që të tregojë qartë se jeta është shfaqur drejtpërdrejtë pa perde apo ndërmjetësi prej Dorës së fuqisë Hyjnore;
- Dhe realiteti i jetës shikon tek gjashtë shtyllat e besimit, duke i provuar ato në kuptim dhe në mënyrë të nënkuptuar, të tërthortë, domethënë, ajo është një e vërtetë e ndritshme e cila sheh e provon;
- Edhe Ekzistencën e domosdoshme të Ekzistuesit të domosdoshëm, edhe jetën e Tij të amshuar.
- Edhe botën e Ahiretit dhe jetën e përhershme,
- Ekzistencën e Melekëve
- Edhe shtyllat e tjera të besimit.
- Gjithashtu, ashtu siç është jeta esenca më e pastër e universit, e distiluar prej të gjithë atij, po ashtu ajo është një mister madhështor që shkakton e fiton falënderime, adhurim, lavdërime e dashuri të cilat janë qëllimet më të rëndësishme Hyjnore në univers dhe rezultati më i rëndësishëm për krijimin e kësaj bote.
Kështu, shqyrtoji këto njëzet e nëntë veçori kuptimplote e të çmueshme të jetës dhe detyrat e saja të larta të gjithanshme, dhe pastaj shiko madhështinë e Emrit Hyjnor El-Hajj, i Gjalli i Përjetshëm prapa Emrit El-Muhji, Jetëdhënësi. Kupto gjithashtu se si me këto veçori madhështore dhe me frutat e jetës, Emri El-Hajj, i Gjalli i Përjetshëm është Emri më i Madh Hyjnor.
Gjithashtu kupto se meqenëse jeta është rezultati më i madh i universit, qëllimi më i madh i tij dhe fruti më i çmueshëm, po ashtu jeta duhet të ketë një qëllim dhe një rezultat aq të madh sa universi sepse ashtu si rezultati i pemës që është fruti i saj, dhe rezultati i frutit është pema e ardhshme në të ardhmen nëpërmjet bërthamës së tij.
Po, ashtu si qëllimi dhe rezultati i kësaj jete që është jeta e përhershme, dhe ashtu si njëri frut prej frutave të saj është falënderimi, adhurimi, lavdërimi dhe dashuria ndaj Dhuruesit të jetës El-Hajj, El-Muhji, dhe ky falënderim, kjo dashuri, ky lavdërim dhe ky adhurim janë fruti i jetës ashtu siç janë qëllimi i universit.
Kupto gjithashtu nga kjo, se ata të cilët e kufizojnë dhe e ngushtojnë qëllimin e kësaj jete në “Të jetuarit rehat, duke kënaqur vetveten në pakujdesi dhe duke e zhytur atë në ëndje e epshe”, ata poshtërojnë e fyejnë me injorancë të shëmtuar e me mohim mirësinë më të çmueshme të jetës, dhuratën e vetëdijes, mirësinë e arsyes, dhe çfarë mosmirënjohje të lemerishme tregojnë ata.
○ Shenja e Dytë
Për t’i shpjeguar të gjitha shkallët, atributet dhe detyrat e jetës -e cila është manifestimi më i madh i Emrit Hyjnor El-Hajj, i Gjalli i Përjetshëm, dhe manifestimi më i hollë i Emrit Hyjnor El-Muhji Jetëdhënësi, të përmendur në indeksin tek Shenja e Parë, njeriu duhet të shkruante trajtesa sa numri i atyre atributeve.
Kështu, meqenëse disa prej atyre veçorive, shkallëve dhe detyrave janë shpjeguar në Pjesë të ndryshme të Risale-i Nurit, ne ju referojmë ju tek ato për disa detaje, dhe këtu do të shpjegojmë vetëm pak.
Kështu, u tha në veçorinë e Njëzet e tre prej Njëzet e nëntë veçorive të jetës se, dy fytyrat e jetës janë të tejdukshme, të pastra e të panjollosura; dhe Fuqia Hyjnore nuk ka vendosur shkaqe të jashtme në të si perde për ushtrimin e asaj fuqie.
Po, kuptimi i kësaj veçorie është siç vijon:
Sigurisht çdo gjë në univers përmban të mirën; dhe në të ndodhet bukuria dhe e mira. Ndërsa e keqja dhe shëmtia janë shumë të pjesshme; dhe ato janë si dy njësi matëse, domethënë ato gjenden për të treguar shkallët dhe realitetet e shumta të së mirës dhe të bukurisë;
Prandaj, e keqja konsiderohet e mirë dhe shëmtia e bukur nga ky këndvështrim; domethënë nga këndvështrimi i qënies së atyre të dyjave si mjete për të shfaqur shkallët dhe realitetet. Mirëpo, me qëllim që ankesat dhe zemërimi, të cilat burojnë nga ajo që për shikimin sipërfaqësor të qënieve të vetëdijshme duken shëmti, e keqe, sprova e fatkeqësi, të mos drejtohen për tek i Gjalli i përjetshëm dhe tek Vetekzistuesi i përhershëm, El-Hajj, El-Kajjum, u vendosën shkaqet e jashtme si perde për ushtrimin e Fuqisë Hyjnore, me qëllim që ta shenjtërojë e largojë fuqinë Hyjnore nga ato kundërshtime sipërfaqësore; duke ditur se shkaqet nuk mund të krijojnë gjë në vetvete, por ato janë vendosur për të ruajtur dinjitetin, shenjtërinë dhe natyrën e patëmetë të Fuqisë Hyjnore, dhe me qëllim që ato shkaqe të jashtme të mbeten si objektiv, tabelë e qitjes, për ankesat e padrejta dhe për kundërshtimet e kota.
Ashtu siç është shpjeguar në Stacionin e Dytë të Fjalës së Njëzet e Dytë, meleku i vdekjes, Azraili a.s. iu përgjërua Allahut të Gjithëfuqishëm lidhur me detyrën e tij të marrjes së shpirtërave të të vdekurve. Ai tha: “Shërbëtorët e Tu do të jenë të zemëruar me mua”.
Atij iu tha në përgjigje: “Unë do të vendos perden e sëmundjes dhe të fatkeqësisë ndërmjet detyrës tënde dhe vdekjes, kështu ata do t’i hedhin shigjetat e tyre të ankesave dhe të kundërshtimeve, jo tek ty, por tek ato perde”.
Dhe sipas kuptimit të kësaj lutje, ashtu si detyra e Azrailit a.s. që është një perde, në të njëjtën mënyrë siç janë shkaqet e tjera të jashtme perde e maska, po ashtu zemërimi dhe ankesat e atyre të cilët nuk e shohin fytyrën e vërtetë e të bukur të vdekjes -të bukur për njerëzit e besimit- dhe që nuk e njohin manifestimin e mëshirës në të, të mos drejtohen tek i Gjalli i Përjetshëm dhe tek Vetekzistuesi i përhershëm.
Po, “Dinjiteti dhe Madhështia” kërkojnë që shkaqet të jenë perde për Dorën e Fuqisë Hyjnore përpara shikimit të mendjes, ndërsa “Uniteti Hyjnor dhe Gjithëlavdia” kërkojnë që shkaqet t’i tërheqin prapa duart e tyre dhe të mos kenë ndikim të vërtetë.
Por, meqenëse dy fytyrat e jashtme e të brendshme të jetës, njëra që shikon tek dimensionet e jashtme të gjërave dhe tjetra që shikon dimensionet e tyre të brendshme, janë të panjollosura, të patëmeta e të pafajshme, të dëlira, të plota e pa mangësi, atëherë ashtu siç nuk ndodhet në to asgjë që të nxisë ankesa e kundërshtime, po ashtu në ato nuk ka papastërti apo shëmti gjë të cilat kundërshtojnë dinjitetin dhe shenjtërinë e Fuqisë. Prandaj, këto fytyra të jetës i janë nënshtruar drejtpërdrejtë, pa perde, Dorës së Emrit Hyjnor El-Muhji, Jetëdhënësit, Allahut, El-Hajj, El-Kajjum.
Drita është e njëjta, si jeta; dhe kështu janë ekzistenca dhe dhënia e ekzistencës. Për këtë arsye, krijimi dhe dhënia e ekzistencës shikojnë drejtpërdrejtë pa perde tek Fuqia e Krijuesit xh.sh.. Madje edhe shiu, meqenëse është një lloj jete e mëshire, koha e zbritjes së tij nuk i është nënshtruar një ligji të rregullt, me qëllim që në të gjitha kohët e nevojës duart të ngrihen lart duke bërë dua përpara derës së mëshirës, duke kërkuar mëshirë; sepse në qoftë se shiu do të binte sipas një ligji të rregullt -ashtu si lindja e perëndimi i diellit- nuk do të bënin njerëzit dua për rënie shiu në kohë nevoje për atë mirësi jetike.
○ Shenja e Tretë
Në veçorinë e Njëzet e Nëntë të jetës u tha se ashtu si rezultati i universit është jeta, po ashtu falënderimet dhe adhurimi janë rezultati i jetës; këto të dyja janë shkaku dhe arsyeja përfundimtare i krijimit të universit dhe rezultati i tij i synuar.
Po, Krijuesi i Universit El-Hajju, El-Kajjum, I Gjalli i Përjetshëm, Vetekzistuesi i Përhershëm sigurisht kërkon falënderime prej krijesave të gjalla në shkëmbim të bërjes së njohur e të dashur të Vetvetes së Tij nëpërmjet kaq shumë llojeve të pakufishme mirësish, dhe Ai kërkon lavdërimin e vlerësimin për artet e çmueshme të Tij dhe që ata t’u përgjigjen me adhurim e bindje urdhërave të Tij Hyjnorë.
Dhe kështu, në përputhje me këtë mister të Hyjnisë, falënderimi dhe ibadeti janë qëllimi më i madh e më i rëndësishëm për të gjitha llojet e jetës, dhe me rolin e tyre ato janë qëllimi i të gjithë universit.. Prandaj ne shohim se Kurani i shpjegimit të mrekullueshëm i nxit me pasion të zjarrtë, me intensitet dhe me ëmbëlsi dhe shtyn për tek falënderimet dhe tek adhurimi. Ai deklaron në mënyrë të përsëritur dhe shpjegon me qartësi se, Adhurimi është vetëm për Zotin xh.sh.; Falënderimi e lavdërimi i takojnë vetëm Atij xh.sh.. dhe çështjet në jetë janë vetëm në drejtimin e Autoritetit të Tij, dhe me këtë ai i refuzon në mënyrë të qartë ndërmjetësitë dhe shkaqet, duke ia dorëzuar jetën, me çfarë përmban ajo, Dorës së Fuqisë së të Gjallit të Përjetshëm dhe Vetekzistuesit të Përhershëm, El-Hajj El-Kajjum; Për shembull, ai thotë:
“Dhe është Ai i Cili jep jetë dhe sjell vdekje, i Tij është edhe këmbimi i vazhdueshëm i ditës dhe i natës”.[18]
“Ai është i Cili jep jetë dhe sjell vdekje, dhe kur Ai vendos për një gjë, Ai i thotë asaj: “Bëhu!” dhe ajo është e bërë”.[19]
“… Ai e ringjall tokën pas vdekjes së saj…”[20]
Po, ajo që të fton për falënderim, lavdërim e mirënjohje dhe ajo që nxit ndjenjën e dashurisë dhe të vlerësimit -pas mirësisë së jetës- janë furnizimi me rizk, shërimi dhe zbritja e shiut dhe të tjera si këto prej motiveve që të nxisin për të bërë falënderime e lavdërime.
Edhe këto mjete gjithashtu janë të veçanta e të kufizuara tërësisht tek Dora e Furnizuesit Shërues Er-Rez-zak Esh-Shafi xh.sh.. Shkaqet janë vetëm se perde dhe ndërmjetësi; sepse shenja e kufizimit dhe e përcaktimit -sipas rregullave të gjuhës arabe- është përemri i përcaktuar Huve Er-rez-zak, Ai është Furnizuesi, dhe Huve el-ledhi, Ai është Ai i Cili, është e qartë
në vërsetet Kuranore që vijojnë.
“…Ai është padyshim Gjithëfurnizuesi, Zotëruesi i Fuqisë, i Përhershmi më i Fortë”[21]
“Dhe kur unë jam i sëmurë, është Ai i Cili më shëron”.[22]
“Dhe Ai është i Cili zbret shiun (edhe) pasi ata kanë humbur çdo shpresë…”[23]
Këto vërsete dhe të tjera si këto tregojnë se, furnizimi me rizk, shërimi dhe zbritja e shiut janë të veçanta për Të dhe përkufizohen krejtësisht në Dorën e Fuqisë së të Gjallit të Përjetshëm, Vetekzistuesit të Përhershëm, El-Hajj, El-Kajjum. Atëherë Ai që u jep ilaçeve veçoritë e tyre dhe që krijon efektet e tyre, pikërisht Ai është Ai Shërues i vërtetë.
○ Shenja e Katërt
Në lidhje me veçorinë e Njëzet e Tetë të jetës, u shpjegua se jeta shikon gjashtë shtyllat e besimit dhe i provon ato; ajo tregon të vërtetën e tyre.
Po, meqenëse rezultati më i rëndësishëm, fruti i universit dhe qëllimi i krijimit të tij është jeta, sigurisht ai realitet i lartë nuk përkufizohet tek kjo jetë kalimtare, e shkurtër e mangët dhe e dhimbshme e kësaj dynjaje. Qëllimi dhe rezultati i pemës së jetës, madhështia e së cilës kuptohet nëpërmjet njëzet e nëntë veçorive të saj, janë jeta e përhershme dhe jeta e Ahiretit; është jeta në botën e lumturisë, që gurët, pemët dhe dheu i së cilës janë të gjalla. Ose përndryshe do të bëhej e domosdoshme që të mbetej pema e jetës e pajisur me aparatura e gjymtyrë të ndryshme e domethënëse për qëniet e vetëdijshme dhe veçanërisht për njeriun, pa frut, pa dobi, pa qëllim e pa realitet. Atëherë njeriu, kapitali dhe aftësitë e jetës së të cilit janë njëzet herë më të mëdhaja e më të shumta se ato të trumcakut, që është krijesa më e lartësuar dhe më e rëndësishme në univers dhe gjallesa më e lartë, do të binte njëzet herë më poshtë se ai për sa ka të bëjë me lumturinë e jetës, dhe do të bëhej më i mjeri, më i dëshpëruari e fatkeqi.
Për më tepër, mendja e tij e cila është mirësia më e madhe, do të bëhej një bela e fatkeqësi për njeriun duke menduar për hidhërimet e kohës së shkuar dhe për ankthet e së ardhmes, dhe e torturon vazhdimisht zemrën e njeriut, për shkak se i përzien nëntë dhimbje me një kënaqësi të vetme!
Nuk ka dyshim se kjo është fallco në shkallën e njëqindfishtë. Domethënë, jeta e kësaj dynjaje provon në mënyrë vendimtare shtyllën e “besimit në Ahiretin”, dhe në pranverë shtron para syve tonë më shumë se treqind mijë shembuj të ringjalljes së të vdekurve.
A do të ishte e mundur që Rregulluesi i Gjithëfuqishëm i punëve, i Cili përgatit me urtësi, me mirësi, me përkujdesje e me mëshirë në kopshtin tënd dhe në vendin tënd të gjitha gjërat, aparatet dhe gjymtyrët e domosdoshme për jetën tënde; i Cili i bën ato të mbërrijnë tek ty në kohën e duhur; i Cili njeh e dëgjon lutjen më të pjesshme e të vogël për ushqim që bëhet nga stomaku nëpërmjet dëshirave të tij për ekzistencë të vazhdueshme; duke shfaqur pranimin e asaj duaje nëpërmjet dërgimit të ushqimeve të shijshme të panumërta që ta qetësojë atë stomak! A do të ishte e mundur që Ai i Gjithëfuqishëm të mos të të njohë? Dhe mos të të shohë? Dhe të mos përgatiste gjithçka të domosdoshme për jetën e përhershme, që është qëllimi më i madh i njerëzimit, dhe të mos pranonte duanë më të ngutshme, më të rëndësishme dhe universale për pavdekshmëri, dhe të mos i përgjigjej asaj duaje me ndërtimin e jetës së Ahiretit dhe të krijimit të parajsës; që Ai të mos dëgjonte duanë e këtij njeriu -i cili është krijesa më e lartësuar në univers, madje ai është Sulltani i tokës dhe rezultati i saj-, atë dua të përgjithshme të fuqishme që buron nga thellësirat, e cila jehonon, kumbon, nga toka për tek Froni Hyjnor! A do të ishte e mundur që Ai të mos shqetësohej për të e të mos e mbante aq të rëndësishme sa një stomak dhe të mos e kënaqte këtë njeri? Dhe t’i zbulonte urtësinë e Tij të plotë dhe mëshirën e Tij absolute përpara mohimit? Jo, kurrë! Ruajna Zot, një mijë herë, jo!
Dhe a do të ishte e mundur që Ai të dëgjonte zërin më të fshehur të pjesës më të vogël të jetës, t’ia vinte veshin ankimit të saj, ta ndihmonte e t’ia lehtësonte dhimbjen, t’u përgjigjej nevojave të saj, ta ushqente me kujdes të plotë e përkujdesje të madhe, t’i bënte të tjerët që t’i shërbejnë asaj me vëmendje dhe t’i bënte krijesat e Tij më të mëdhaja që ta ndihmojnë? dhe atëherë të mos dëgjonte zërin gjëmimtar të jetës më të madhe, më të vlefshme të pavdekshme dhe më të hollë? A do të ishte e arsyeshme që Ai të mos tregonte shqetësim për duanë e tij shumë të rëndësishme -që është duaja për përjetshmëri- dhe të mos merrte në konsideratë përgjërimin e tij të fuqishëm dhe lutjen për pavdekshmëri?
Atëherë do të ishte si ai që do të pajiste me pajime -me përkujdesje të plotë- një ushtar të vetëm dhe të shpërfillte një ushtri të madhe të bindur e të disiplinuar! Dhe do të ishte si ai që shikon një atom dhe nuk sheh diellin! Ose si ai që dëgjon zukatjen e mushkonjës dhe nuk dëgjon gjëmimin e rrufesë! Ruajna Zot! Një mijë herë, Ruajna Zot!
Dhe a do ta pranonte arsyeja në ndonjë mënyrë që i Gjithëfuqishmi i Gjithurtë i Cili zotëron mëshirë të pafundme, dashuri dhe dhembshuri të gjithanshme; i Cili e do shumë artin e Tij dhe nëpërmjet tij e bën Vetveten të dashur për krijesat e Tij dhe i do shumë ata të cilët e duan Atë, a do të ishte e arsyeshme që Ai ta dënonte me vdekje të përhershme jetën e atij të cilin Ai e do më shumë se çdo gjë; i cili është i dashuri, i denjë për dashuri; dhe i cili e adhuron Krijuesin e tij nga natyra, dhe gjithashtu ta dënonte me vdekje të përhershme esencën dhe substancën e jetës e cila është shpirti!! A do ta ofendonte e ta bënte të zemëruar ndaj Vetvetes së Tij për të gjithë përjetësinë atë mik të dashur të Tij dhe duke e plagosur atë në mënyrë të tmerrshme ta dënonte misterin e mëshirës së Tij dhe dritën e dashurisë së Tij duke i zbuluar ato para mohimit! Ruajna Zot! Një mijë herë!
Bukuria absolute e cila stolis universin me manifestimin e saj; mëshira absolute e cila i bën të gëzuara e të lumtura të gjitha krijesat, sigurisht, ajo bukuri e mëshirë janë të lartësuara e të shenjtëruara pafundësisht dhe janë larg pa limit prej një tiranie të tillë absolute, prej një shëmtie të tillë absolute dhe prej një mizorie të tillë.
Përfundim: Meqenëse në dynja ka jetë, ata njerëz që e kuptojnë misterin e jetës dhe nuk i keqpërdorin jetët e tyre, do të jenë të denjë për një jetë të përhershme në botën e përjetësisë dhe në parajsën e përhershme. Në këtë ne besojmë!
Pastaj, objektet e shndritshme në faqen e tokës duke vezulluar e xixëlluar me reflektimin e diellit, dhe flluskat në sipërfaqen e detit duke shkëndijuar, xixëlluar dhe duke u shuar me shkreptimat e dritës, dhe flluskat e shkumat që vijnë pas tyre duke vepruar përsëri si pasqyra për diej të zvogëluar të imagjinuar, në mënyrë të vetëkuptueshme tregojnë se ato shkreptima janë reflektimet dhe manifestimet e një dielli të vetëm të lartësuar. Ato të kujtojnë ekzistencën e diellit me gjuhë të ndryshme, dhe e tregojnë atë me gishtat e tyre të dritës.
Pikërisht në të njëjtën mënyrë, nëpërmjet manifestimit më të madh të Emrit Hyjnor El-Muhji –Jetëdhënësi– i Të Gjallit të Përjetshëm, dhe i Vetekzistuesit të përhershëm, krijesat e gjalla në tokë e në det shndrisin e vezullojnë nëpërmjet Fuqisë Hyjnore. Dhe me qëllim që të bëjnë vend e të hapin rrrugë për ato që vijnë pas tyre, thonë Ja Hajj, O i Gjallë i përjetshëm dhe zhduken nga pamja prapa perdes së të Padukshmes, duke treguar e dëshmuar kështu për jetën e ekzistencës së domosdoshme të të Gjallit të Përjetshëm dhe të Vetekzistuesit të Përhershëm, El-Hajj, El-Kajjum, i Cili ka jetë të amshuar.
Për më tepër, të gjitha dëshmitë duke dëshmuar Njohjen Hyjnore, efekti i së cilës është i dukshëm në organizimin dhe në sistemimin e të gjitha krijesave; dhe të gjitha provat duke demonstruar fuqinë e cila ushtron kontroll mbi të gjithë universin; dhe të gjitha shenjat dhe mrekullitë duke provuar misionet e profetëve, të cilat janë boshti i Fjalës Hyjnore dhe i shpalljes Hyjnore; dhe të gjitha dëshmitë që vërtetojnë shtatë atributet Hyjnore -të gjitha këto me unanimitet tregojnë, shprehin e dëshmojnë- jetën e Të Gjallit të përjetshëm dhe të Vetekzistuesit të Përhershëm El-Hajj El-Kajjum; sepse në qoftë se një gjë ka shikim, ajo gjithashtu ka jetë; dhe në qoftë se ajo ka dëgjim, kjo është një shenjë e jetës së saj; në qoftë se ajo ka të folur, kjo tregon ekzistencën e jetës; dhe në qoftë se ajo ka dëshirë e zgjedhje, kjo tregon jetë. Kështu, atribute të tilla si fuqia absolute, dëshira gjithëpërfshirëse dhe njohja e gjithanshme ekzistenca e të cilave është e qartë dhe e sigurt për shkak të veprave dhe të efekteve në univers dëshmojnë nëpërmjet të gjithë treguesve e dëshmive të tyre jetën dhe ekzistencën e domosdoshme të të Gjallit të Përjetshëm dhe të Vetekzistuesit të Përhershëm El-Hajj El-Kajjum, jeta e përhershme e të Cilit ndriçon të gjithë universin me një hije të vetme të saj, dhe nëpërmjet një manifestimi të vetëm prej manifestimeve të saj i jep jetë botës së Ahiretit dhe madje edhe grimcave të saj.
Jeta gjithashtu shikon tek shtylla e “besimit në melekët”, dhe e provon atë në mënyrë të tërthortë; sepse meqenëse rezultati më i rëndësishëm i universit është jeta, dhe qëniet e gjalla -për shkak të vlerës së tyre- janë më të shumta e të përhapura gjërësisht dhe kopjet e tyre janë më të shumëfishuarat, dhe të cilat e popullojnë bujtinën e tokës me karvanet e tyre udhëtuese njëri pas tjetrit; dhe meqenëse globi tokësor është mbushur me kaq shumë qënie të gjalla, dhe për shkak të ripërtëritjes dhe shumimit të qënieve të gjalla, ai në mënyrë të vazhdueshme boshatiset dhe rimbushet; dhe meqenëse jeta është krijuar mbi të edhe në lëndë të kalbura e të prishura dhe ajo është bërë një masë mikroorganizmash; dhe meqenëse vetëdija dhe inteligjenca, esenca më e pastër e distiluar e jetës, dhe shpirti, substanca e saj më e hollë e më e qëndrueshme, janë krijuar me bollëk të madh në tokë, dhe mjaft thjesht, sikur toka jeton dhe zbukurohet me jetë, me mendje, me vetëdije dhe me shpirt dhe është e populluar në atë mënyrë; meqenëse kjo është kështu, atëherë sigurisht trupat qiellorë, të cilët janë më të hollë, më me dritë, më të mëdhenj e më të rëndësishëm se sa toka, nuk mund të jenë të vdekura, të pagjalla të pajeta dhe pavetëdije; kjo do të ishte përtej limiteve të mundësisë. Atëherë ato që do t’i popullonin qiejt, që do t’i gëzonin e stolisnin diejt dhe yjet dhe që do t’u jepnin gjallëri dhe që përfaqësojnë rezultatin e krijimit të qiejve dhe të frutit të tyre, dhe ata që do të nderoheshin me marrjen e adresimit Hyjnor, ata janë banorë të vetëdijshëm dhe të gjallë të qiejve të përshtatshëm me to, meqë ato gjenden atje nëpërmjet misterit të jetës.. dhe ato janë melekët.
Gjithashtu natyra esenciale e jetës shikon tek shtylla e “besimit në Profetët”, dhe e provon atë në mënyrë të tërthortë. Po, meqenëse universi u krijua për jetën dhe jeta është manifestimi më i madh, skalitja më e plotë dhe akti më i bukur i Të Gjallit të Përjetshëm dhe i Vetekzistuesit të Përhershëm El-Hajj El-Kajjum xh.sh.. dhe meqenëse jeta e të Përhershmit xh.sh. e shfaq Vetveten nëpërmjet dërgimit të Profetëve dhe shpalljes së shkrimeve dhe të librave qiellorë, sepse në qoftë se nuk do të kishte pasur Profetë dhe as Libra qiellorë, nuk do të ishte njohur ajo jetë e parapërjetshme. Ashtu si folja e individid që tregon jetën e tij dhe se ai është i gjallë, po ashtu pejgamberët dhe mesazhierët a.s. dhe librat e shpallur qiellorë mbi ta, shpjegojnë e tregojnë për Atë Folës të Gjallë i Cili urdhëron e ndalon nëpërmjet fjalëve dhe mesazheve të Tij nga prapa botës së Padukshme, nën perden e universit,
Nuk ka dyshim se jeta që është në univers, ashtu siç tregon në mënyrë të prerë të Gjallin e Parapërjetshëm xh.sh. dhe domosdoshmërinë e ekzistencës së Tij, po ashtu ato tregojnë për rrezet e asaj jete të parapërjetshme, manifestimet dhe komunikimet e saj, dhe ajo gjithashtu shikon tek shtyllat e besimit në ‘Dërgimin e Profetëve’ dhe në ‘Shpalljen e Librave qiellorë’. Dhe i vërtetojnë ato në mënyrë të tërthortë. Dhe meqenëse Profetësia e Muhammedit a.s.m. dhe shpallja e Kuranit janë si shpirti dhe si mendja e jetës, atëherë mund të thuhet se e vërteta e tyre është aq e sigurtë sa ekzistenca e jetës.
Po, ashtu si jeta që është esenca e distiluar e universit; dhe vetëdija dhe shqisa perceptuese distilohen nga jeta dhe janë esenca e jetës; dhe mendja gjithashtu distilohet nga vetëdija dhe nga shqisa perceptuese dhe është esenca e vetëdijes; dhe shpirti është substanca e pastër dhe e panjollosur e jetës, është esenca e saj e qëndrueshme dhe e mëvetësishme, po ashtu jeta fizike e shpirtërore e Muhammedit a.s.m. është kuintesenca e distiluar nga jeta dhe nga shpirti i universit; dhe profetësia e Muhammedit a.s.m. është pikërisht esenca më e pastër e distiluar prej shqisës, vetëdijes dhe mendjes së universit. Madje, jeta fizike dhe shpirtërore e Muhammedit a.s.m., nëpërmjet dëshmisë së veprave të saja, është pikërisht jeta e jetës së universit. Dhe profetësia e Muhammedit a.s.m. është vetëdija dhe drita e vetëdijes së universit. Ndërsa shpallja e Kuranit, sipas dëshmisë së të vërtetave të tij të gjalla, është shpirti i jetës së universit dhe mendja e Vetëdijes së tij.. Po.. Po.. Po. Në qoftë se drita e profetësisë së Muhammedit a.s.m. do të largohej nga universi, universi do të vdiste.
Në qoftë se Kurani do të largohej, universi do të bëhej i marrë, toka do ta humbiste kokën dhe arsyen e saj; madje ajo do ta përplaste kokën e saj tashmë të pavetëdijshme me një planet dhe do të ndodhte kijameti.
Jeta gjithashtu shikon tek shtylla e ‘besimit në Kaderin Hyjnor’ dhe e provon atë në mënyrë të tërthortë. Kjo për shkak se, meqenëse jeta është drita e botës së dukshme dhe e rrethon dhe ka dominim mbi të, dhe është rezultati dhe qëllimi i ekzistencës, dhe meqenëse ajo është pasqyra më gjithëpërfshirëse e Krijuesit të Universit dhe shembulli më i plotë dhe indeksi i aktivitetit Hyjnor, dhe -le të mos ketë gabim në krahasime- është si një lloj programi; atëherë sigurisht, misteri i jetës bën të domosdoshëm që krijesat në Botën e së Padukshmes, domethënë e shkuara dhe e ardhmja, domethënë krijesat që kanë qenë e që do të vijnë, janë parapërgatitur për t’iu përshtatur sistemit, rregullit, për të qenë të njohura e të shikuara, të paracaktuara dhe të parapërgatitura për t’iu nënshtruar urdhërave krijuese.
Fara origjinale e një peme dhe rrënjët e saj, po ashtu farërat e përfshira në frutin e saj dhe rezultati përfundimtar, që të gjitha këto manifestojnë një lloj jete jo më të vogël se sa vetë pema; madje ato mbajnë brenda vetvetes ligje jete më të holla se sa ato të pemës.
Gjithashtu, farërat dhe rrënjët e lëna nga vjeshta e kaluar, përpara pranverës së tanishme, si dhe farërat dhe rrënjët që do të lihen për pranverat vijuese pasi kjo pranverë të ketë kaluar – të gjitha këto mbajnë manifestimet e jetës, ashtu si kjo pranverë, dhe u nënshtrohen ligjeve të jetës. Pikërisht në të njëjtën mënyrë, të gjitha degët e shkarpurinat e pemës së kozmosit, secila prej tyre ka një të shkuar dhe një të ardhme. Ato kanë një zinxhir që përbëhet nga fazat dhe rrethanat e së shkuarës dhe të së ardhmes; dhe çdo lloj dhe çdo pjesë prej tij ka ekzistenca të shumta dhe periudha të ndryshme në njohjen Hyjnore duke formuar me këtë një zinxhir ekzistence në njohjen e Zotit xh.sh., dhe ashtu si një ekzistencë e jashtme, ekzistenca e saj në njohjen e Zotit xh.sh. është një manifestim i jetës universale që i merr të gjitha aspektet e jetës së saj nga këto Tabela kuptimplote e jetike të Kaderit Hyjnor.
Fakti se bota e shpirtërave -e cila është njëra formë e botës së Padukshme- është mbushur plot me shpirtëra të cilët janë esenca e jetës dhe lënda e saj, thelbi i saj dhe substancat e saj, sigurisht bëjnë të domosdoshme e kërkojnë që e shkuara dhe e ardhmja -të cilat janë një formë tjetër e Botës së Padukshme dhe një segment i dytë i saj- gjithashtu të marrin manifestimin e jetës. Përveç kësaj, rregulli i përkryer dhe harmonia e plotë, rrethanat kuptimplote dhe rezultatet e periudhat e brendaqenësishme në ekzistencën e një gjëje brenda njohjes Hyjnore, gjithashtu demonstrojnë manifestimin e një lloji jete. Një manifestim i tillë jete, e cila është drita e diellit të jetës së parapërjetshme nuk do të kufizoheshin vetëm në këtë botën e dukshme, as në këtë kohë të tanishme dhe në këtë ekzistencë të jashtme, përkundrazi, çdo botë e merr manifestimin e asaj drite në përputhje me kapacitetin e saj, dhe kozmosi bashkë me të gjithë botërat e tij është i gjallë dhe i ndriçuar prej manifestimit të asaj drite. Përndryshe, ashtu siç e imagjinojnë të çudhëzuarit, nën këtë jetë të përkohshme e të dukshme, secila botë është si një kufomë e madhe e tmerrshme dhe një botë e rrënuar e errët.
Atëherë, një aspekt i gjërë i shtyllës së ‘besimit në Kaderin Hyjnor’ dhe në Vendimin e Tij, kuptohet nëpërmjet misterit të jetës dhe vërtetohet prej saj. Ashtu si jeta dhe gjallëria e botës së dukshme dhe e krijesave ekzistuese të dukshme që bëhen të qarta nga rregulli i tyre dhe nga rezultatet e ekzistencës së tyre, po kështu krijesat e së shkuarës dhe të së ardhmes të cilat konsiderohen prej botës së Padukshme kanë një ekzistencë jolëndore dhe një lloj jete dhe një prani shpirtërore në Njohjen e Zotit xh.sh.. Shenja e kësaj jete dhe prania e saj bëhet e dukshme dhe e njohur nëpërmjet Tabelave të Kaderit Hyjnor dhe të Vendimit dhe nëpërmjet të gjitha fazave dhe rrethanave të jetëve dhe të ekzistencave të tyre të jashtme.
○ Shenja e Pestë
Gjithashtu, u tha lidhur me veçorinë e gjashtëmbëdhjetë të jetës se kur jeta hyn në një gjë, ajo e bën atë një botë në vetvete; në qoftë se është një pjesë, ajo i jep asaj gjithëpërfshirjen e të tërës; dhe në qoftë se është e pjesshme, ajo i jep shtrirjen e universales.
Po, jeta ka një shtrirje të tillë sa që ajo është thjesht një pasqyrë gjithëpërfshirëse e Njësisë Hyjnore, duke shfaqur në vetvete shumicën e Emrave të bukur Hyjnorë të manifestuar gjithandej universit. Kur jeta futet në trup, ajo e bën atë një botë të vogël; sikur ajo e transformon atë si një farë duke mbajtur indeksin e Pemës së universit, dhe ashtu siç mund të jetë fara vetëm se vepra e fuqisë së Krijuesit të pemës së saj, po ashtu Ai i Cili krijoi gjallesën më të vogël, duhet padyshim të jetë pikërisht Ai Krijuesi i gjithë universit.
Kështu, nëpërmjet kësaj gjithëpërfshirjeje jeta demonstron në vetvete një mister më të fshehtë të Njësisë Hyjnore. Domethënë, ashtu si Dielli madhështor që është i pranishëm nëpërmjet dritës së tij, reflektimit dhe shtatë ngjyrave në çdo pikë të ujit dhe në çdo copë xhami përballë tij, po ashtu Emrat dhe Atributet Hyjnore të cilat e rrethojnë dhe e gjithëpërfshijnë universin manifestohen së bashku në të gjitha qëniet e gjalla. Nga ky këndvështrim, lidhur me krijimin dhe Hyjninë, jeta e bën universin në një tërësi të pandashme, dhe e bën atë si universalen e cila nuk mund të copëzohet dhe nuk pranon pjesëmarrje; pra pjesëmarrja e të tjerëve në të është përtej limiteve të mundësisë.
Po, vula të cilën e ka vënë Krijuesi xh.sh. në fytyrën tënde tregon në mënyrë të vetëkuptueshme se Ai i Cili të krijoi ty është pikërisht Ai që e krijon të gjithë llojin njerëzor. Sepse natyra e krijimit të njeiut është e njëjta; ajo nuk mund të ndahet e të shpërbëhet. Gjithashtu nëpërmjet jetës, pjesët e universit janë si anëtarët e veçantë të njerëzimit, dhe universi si speciet. Ajo shfaq Vulën e Njësisë Hyjnore dhe stampën e të Synuarit të Përjetshëm në çdo individ në të njëjtën mënyrë ashtu siç i shfaq ato mbi tërësinë; kështu në çdo mënyrë e refuzon prerazi shirkun, të përshkruarin ortakë me Krijuesin.
Gjithashtu, ka mrekulli e çudira të jashtëzakonshme të tilla të artit Hyjnor në jetë saqë Ai që nuk ka fuqi të krijojë të gjithë universin, ai nuk mund të krijojë as gjallesën më të vogël në të. Po, një penë që shkruan në një farë të vogël indeksin e një druri të madh pishe dhe programin e jetës së tij, si të shkruante Kuranin në një qiqër të rëndomtë, sigurisht mund të jetë vetëm se pena që shkroi qiejt së bashku me yjet. Dhe Ai që vendos në kokën e një blete aftësitë dhe kapacitetin për të njohur lulet në kopshtin e universit, të jetë e lidhur me shumicën e botërave të tij, të japë një dhuratë të mëshirës Hyjnore si mjalti, dhe e shtyn atë të njohë kushtet e jetës qysh nga dita që vjen në botë, nuk ka dyshim se Ai është Krijuesi i të gjithë universit.
Shkurtazi: Jeta është një Vulë e ndritshme e Unitetit Hyjnor në faqen e universit; dhe për sa ka të bëjë me jetën, të gjitha qëniet e pajisura me jetë janë stampa të Njësisë Hyjnore; dhe qëndisjet dhe arti në çdo qënie të gjallë formojnë një Vulë të Krijuesit të Përjetshëm; dhe krijesat e gjalla vendosin nënshkrimet, firmat e tyre me jetët e tyre mbi mesazhin e universit të Përhershëm El-Hajj, El-Kajjum aq sa numri i tyre, dhe janë Vulat e Unitetit Hyjnor Stampat e Njësisë Hyjnore, Shenjat e Krijuesit të Përjetshëm. Gjithashtu, ashtu si të gjitha qëniet e gjalla që janë Vulat e Unitetit Hyjnor në këtë libër të Universit, si jeta, po ashtu një Vulë e Njësisë Hyjnore është vendosur në faqet dhe në çehret e çdo qënieje.
Për më tepër, ashtu si jeta që formon nënshkrime, firma e vula duke dëshmuar Unitetin e të Gjallit të Përjetshëm dhe të Vetekzistuesit të Përhershëm El-Hajj, El-Kajjum, sa numri i të pjesshmeve të saj dhe i qënieve të gjalla, ashtu si akti i ringjalljes, i risjelljes në jetë, po ashtu ajo vendos firma, nënshkrime për Unitetin Hyjnor sa numri i qënieve.
Për shembull, ringjallja e tokës, që është një shembull i vetëm ringjalljeje, dëshmon Unitetin Hyjnor aq ndritshëm sa dielli, sepse në risjelljen në jetë të tokës në pranverë, treqind mijë specie dhe anëtarët e panumërt të llojeve ringjallen, vijnë në jetë, njëri brenda tjetrit, pa gabim e pa mangësi, me rregull të plotë e me sistem të përkryer.
Ai që kryen një akt të vetëm të tillë së bashku me akte të tjerë të panumërt me rregull, sigurisht duhet të jetë Krijuesi i të gjitha qënieve dhe i Gjalli i Përjetshëm dhe Vetekzistuesi i Përhershëm El-Hajj, El-Kajjum dhe është i Vetmi Unik që asnjë lloj ortakërie në Hyjninë e të Cilit nuk është e mundur.
Për tani, ky numër i vogël i veçorive të jetës është shpjeguar shkurtazi, dhe ne ua referojmë shpjegimin dhe diskutimin e hollësishëm të veçorive të tjera të saj Risale-i Nurit dhe një kohe tjetër.
* * *
Përfundim
Emri më i madh nuk është i njëjti për gjithësecilin; ai ndryshon. Për shembull, për Imam Aliun, Zoti qoftë i kënaqur me të, ishin gjashtë Emrat e bukur Hyjnorë: Ferdun, Hajjun, Kajjum, Hakem, Adl, Kuddus i Vetmi, i Gjalli i Përjetshëm, Vetekzistuesi i Përhershëm, i Dituri, i Drejti dhe Më i Shenjti.. Për Ebu Hanifen, Imamul-A’dhami ishin dy Emrat Hyjnorë: Hakemun, Adlun I Dituri, I Drejti; për Shejh Gejlanin, iu shenjtëroftë sekreti i tij, ishte Emri Hyjnor Ja Hajju! O i Gjallё i Përjetshëm; për Imam Rabbanin, Zoti qoftë i kënaqur me të, Emri më i Madh ishte: El-Kajjum, Vetekzistuesi i përhershëm dhe kështu me radhë; shumë njerëz të tjerë nga dijetarët e mëdhenj gjenialë e konsideruan Emrin më të Madh të jenë Emra të ndryshëm.
Dhe meqenëse kjo pika e Pestë lidhet me Emrin Hyjnor El-Hajj, I Gjalli i Përjetshëm, si një bekim, si një dëshmi, si një tregues, si një provë e shenjtë, si një dua për veten tonë dhe si një mbyllje e mirë për këtë trajtesë, ne do të përfshijmë sa vijon, atë çfarë është shprehur nga Profeti më i madh e më i nderuar Muhammed a.s.m. në një dua shumë të lartë e quajtur Xhaushan el-Kebir, e cila tregon shkallën më të lartë e gjithëpërfshirëse të njohjes së tij lidhur me Krijuesin. Ne do të shkojmë me imagjinatë tek ajo kohë dhe do të themi Amin.. Amin.. për atë që tha Profeti më i nderuar Muhammed a.s.m. dhe do të shprehim të njëjtën dua me zërin e tij sikur ta thonim vetë atë:
O Ti që ishe i Gjallë para të gjitha qënieve të gjalla;
Dhe O Ti që do të jesh i gjallë përjetësisht pas të gjitha qënieve të gjalla:
O i Gjallë i Përjetshëm që nuk Të ngjason asnjë qënie e gjallë;
O i Gjallë i Përjetshëm që asnjë i gjallë tjetër nuk është si Ti;
O i Gjallë i Përjetshëm që s’ke nevojë për asnjë qënie të gjallë;
O i Gjallë i Përjetshëm që nuk merr si ortakë asnjë qënie të gjallë;
O i Gjallë i Përjetshëm që i bën të gjitha qëniet e gjalla të vdesin;
O i Gjallë i Përjetshëm që i furnizon me ushqim të gjitha qëniet e gjalla;
O i Gjallë i Përjetshëm që ringjall të vdekurit;
O i Gjallë i Përjetshëm që nuk vdes kurrë;
Lavdia të takon Ty! Nuk ka Zot tjetër përveç Teje! Mëshirë! Mëshirë! Na shpëto ne prej zjarrit të Xhehennemit! Amin!
“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë që Vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti”[24].
. . .
PIKA E GJASHTË
Shikon tek Emri më i Madh Hyjnor
El-Kajjum, Vetekzistuesi i Përhershëm
[Përmbledhja e Pikës së Pestë rreth Emrit Hyjnor El-Hajj, u bë si një shtojcë e burimit të dritës, dhe gjithashtu ajo konsiderohet e përshtatshme të jetë një shtojcë për Fjalën e Tridhjetë.]
Një shfajësim
Këto çështje të rëndësishme lidhur me manifestimin më të thellë, më gjithëpërfshirës dhe më të madh të Emrit Hyjnor El-Kajjum, Vetekzistuesi i Përhershëm m’u shfaqën mua si shkreptima të ndara dhe jo njëra pas tjetrës të sistemuara; dhe prandaj ato nuk janë të mirërregulluara. Për më tepër, ato kanë mbetur në formën e një kopjeje të shkruar me shpejtësi, të parregulluar të pakorrektuar dhe të palimuar. Për këto arsye, shumë mangësi e parregullsi mund të shfaqen në frazeologji dhe në mënyrën e shprehjes. Ju duhet t’i falni mangësitë e mia për hir të bukurive të përfshira në çështjet e diskutuara.
Një Kujtues
Pikat që lidhen me Emrin më të madh janë gjithëpërfshirëse në shkallën më të skajshme dhe janë gjithashtu tej mase të thella, sidomos çështjet që lidhen me Emrat El-Hajj, El-Kajjum dhe në mënyrë të veçantë ato të Rrezes së Parë[25]. Për më tepër, meqenëse këto të fundit shikojnë tek materialistët dhe kanë depërtuar në subjekt në një shkallë më të madhe, jo gjithkush do të jetë në gjendje ta kuptojë çdo çështje në të gjitha aspektet e saja. Megjithatë, gjithësecili do të jetë në gjendje të kapë një pjesë prej secilës çështje deri në një shkallë. Në përputhje me rregullin:
“Edhe në qoftë se një çështje nuk kapet plotësisht, ajo përsëri nuk duhet të braktiset plotësisht”; nuk do të ishte e arsyeshme të lihej mënjanë krejtësisht një çështje e tillë, duke thënë:
“Unë nuk mund t’i këpus të gjithë frutat në këtë kopshtjolëndor”. Por ato fruta që i kap njeriu, ajo sasi do të ishte e dobishme dhe fitim për të.
Sepse ashtu si çështjet e lidhura me Emrin më të madh që janë të shtrira deri në atë shkallë që nuk mund të kapen -kuptohen-, po ashtu ato janë aq të holla deri në atë shkallë që mendja nuk mund t’i dallojë ato. Mendja e gjithësecilit nuk mund t’i arrijë Pikën e Pestë dhe Pikën e Gjashtë lidhur me Emrat Hyjnorë El-Hajj, El-Kajjum dhe në mënyrë të veçantë me aluzionet e jetës duke përfshirë shtyllat e besimit dhe veçanërisht shtyllën e Kaderit dhe të Vendimit Hyjnor në Pikën e Pestë, por megjithatë nuk do të mbeten pa ndonjë pjesë prej tyre, dhe në çdo rast këto çështje do ta forcojnë besimin e tyre. Rëndësia e forcimit të besimit, i cili është çelësi për lumturi të përjetshme, është vërtet e madhe. Madje edhe në qoftë se do ta shtonte besimin sa një grimcë, kjo do të ishte një thesar i madh.
Imam Rabbani, Ahmed El-Faruku ka thënë: “Në shikimin tim, zbulimi vetëm në një aspekt të vogël prej çështjeve të besimit do të ishte më i preferueshëm se sa qindra ndriçime e keramete”.
* * *
Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
“… në Duart e të Cilit është Mbizotërimi i çdo gjëje…”[26]
“Të Tij janë çelësat e qiejve dhe të tokës”,[27]
“Dhe s’ka gjë që Ne të mos i kemi për të thesaret e pashtershëm…”[28]
“Nuk ka asnjë krijesë të gjallë që Ai të mos e ketë mbërthyer pas balukeve të ballit (ta ketë nën sundimin e Tij të plotë)”[29]
Një pikë lidhur me vërsetet si këto aludojnë për Vetekzistencën e përhershme Hyjnore, një manifestim më i madh i Emrit Hyjnor El-Kajjum Vetekzistuesi i Përhershëm, i cili ose është Emri më i madh, ose i Dyti prej dy dritave të Emrit më të madh, ose i Gjashti prej gjashtë dritave të tij, iu shfaq mendjes sime gjatë muajit Dhul-Kade kur isha në Burgun Eskishehir. Mirëpo rrethanat e mia në burg nuk më lejuan që ta shpjegoja plotësisht atë dritë më të madhe. Meqenëse Imam Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me të, e shfaqi Emrin më të madh në Kasiden -poemën e tij- të quatur Arxhuza nën Emrin e lartësuar të Sakinah, dhe në poemën e tij Xhel-xhelutija, ai i konsideroi së bashku me disa Emra të tjerë sublimë këto gjashtë Emra të përfshirë brenda Emrit më të madh duke deklaruar për to të jenë më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmit. Për më tepër, unë kam marrë ngushëllim të jashtëzakonshëm prej diskutimit të tij lidhur me to. Dhe kështu, ashtu siç bëmë me pesë Emrat e Tjerë të mëparshëm, ne do të aludojmë në mënyrë të përmbledhur për këtë dritë më të madhe të Emrit Hyjnor El-Kajjum, Vetekzistuesi i Përhershëm, dhe do t’i bëjmë ato aluzione në pesë Rreze.
■ Rrezja e Parë
Krijuesi i Gjithëlavdishëm i Universit është Vetekzistuesi i Përhershëm. Domethënë, Ai ekziston, vazhdon e mbahet nga Vetvetja, Vetvetiu. Të gjitha gjërat ekzistojnë e vazhdojnë nëpërmjet Tij; ato mbeten në ekzistencë dhe kanë qëndrueshmëri nëpërmjet Tij. Në qoftë se ajo lidhje e Vetekzistencës do të këputej nga universi për më pak se një sekond, universi do të asgjësohej.
Për më tepër, ashtu siç e përshkruan Kurani i gjithurtë, Ai i Gjithëlavdishëm së bashku me Vetekzistencën e Tij,
“Asgjë nuk i përngjet Atij…”[30]
Domethënë, as në Esencën e Tij, as në Atributet e Tij dhe as në aktet e Tij, Ai nuk ka të ngjashëm, as të barabartë, as shokë dhe as ortakë.
Po, për më të Shenjtin e Vetëm i Cili e merr universin me rrethanat e funksionet e tij në kapjen e Hyjnisë së Tij dhe i Cili e rregullon, e administron, e mbështet dhe e ushqen atë me rregullsi të plotë si të ishte një shtëpi apo një pallat, që Ai të ketë ndonjë të ngjashëm, të barabartë, ortakë apo shokë është e pamundur, kjo është tërësisht e pamundur.
Po, Ai për të Cilin krijimi i yjeve është aq i lehtë sa ai i grimcave dhe fuqisë së të Cilit i nënshtrohet gjëja më e madhe në të njëjtën mënyrë siç i nënshtrohet më e vogëla, dhe për të Cilin asgjë nuk mund të jetë pengesë për ndonjë gjë tjetër dhe asnjë veprim nuk bllokon ndonjë veprim tjetër, dhe në shikimin e të Cilit individë të panumërt janë të pranishëm në të njëjtën mënyrë siç është i pranishëm një individ i veçantë, dhe i Cili i dëgjon të gjithë zërat në të njëjtën kohë dhe është në gjendje t’u përgjigjet nevojave të pakufishme të tё gjithёve përnjëherësh, dhe asnjë gjë cilado qoftë ajo apo situatë nuk mund të dalë prej sferës së dëshirës së Tij dhe prej rrethit të Vullnetit të Tij – siç dëshmohet nga rregulli dhe nga balanca e drejtpeshimi i qënieve në univers, dhe i Cili ndonëse nuk e përkufizon asnjë vend, është i pranishëm në çdo vend me fuqinë dhe me njohjen e Tij, dhe megjithëse çdo gjë është absolutisht larg prej Tij, Ai është më afër asaj gjëje se sa ndonjë gjë tjetër.. Ky i Gjallë i Përjetshëm dhe Vetekzistues i Përhershëm El-Hajj, El-Kajjum, Ky Zotërues i Madhështisë, sigurisht në asnjë mënyrë nuk mund të ketë ndonjë përngjasues, të barabartë, ortakë, ministër, shok apo të kundërt; kjo është krejtësisht e pamundur. Cilësitë e Tij të shenjta dhe atributet mund të shqyrtohen e shikohen vetëm nëpërmjet alegorisë dhe krahasimit. Të gjitha krahasimet dhe alegoritë në Risale-i Nur janë prej këtij lloji.
Kështu kjo Esencë Më e Shenjtë nuk ka përngjasues, është ekzistuesi i domosdoshëm, i zhveshur krejtësisht nga lënda, dhe është përtej vendit e hapësirës; ndarja apo copëzimi i Tij është absolutisht e pamundur, po ashtu është i pamundur ndryshimi apo ndërrimi i Tij; Qënia e Tij i nevojshëm apo i pafuqishëm është tërësisht përtej limiteve të mundësisë. Dhe megjithatë, një grup i njerëzve të çudhëzimit i supozojnë disa manifestime të Esencës më të Pastër e më të shenjtë të cilat manifestohen në faqet e universit dhe në nivelet e qënieve, -i supozojnë- të jenë Vetë Esenca më e pastër e më e shenjtë dhe ua atribuojnë shkallët e Hyjnisë disa krijesave; ata ia atribuojnë disa vepra të të Gjithëlavdishmit të Vetëm Natyrës dhe shkaqeve.
Mirëpo, është demonstruar me prova vendimtare në vende të shumta në Risale-i Nur se Natyra është një art Hyjnor; ajo nuk mund të jetë artisti; ajo është një libër Hyjnor; dhe nuk mund të jetë shkruesi; ajo është një skalitje; nuk mund të jetë skalitësi: Ajo është një regjistër; nuk mund të jetë llogaritari, pronari i regjistrit; ajo është një model; nuk mund të jetë burim për ekzistencën; ajo është marrëse dhe është pasive, dhe nuk mund të jetë autori; ajo është një ligj; nuk mund të jetë fuqia; ajo është një rregull, nuk mund të jetë rregullatori; ajo është një kod i krijimit dhe nuk mund të jetë themeluesi i kodit.
Në qoftë se, për të supozuar të pamundurën, krijimi i gjallesës më të vogël do t’i referohej Natyrës dhe do t’i thuhej asaj: Eja dhe krijoje këtë gjallesë -për shembull- atëherë do t’i duhej medoemos Natyrës të përgatiste kallëpe lëndorë dhe makineri aq sa numri i gjymtyrëve dhe i sistemeve trupore të asaj gjallese me qëllim që të ishte në gjendje ta kryente atë punë!! Kjo është demonstruar në shumë vende në Risale-i Nur me prova vendimtare.
Për më tepër, megjithëse një grup prej njerëzve të çudhëzimit të quajtur materialistë e perceptuan manifestimin më të madh të krijueshmërisë Hyjnore dhe të fuqisë Hyjnore brenda transformimeve me rregull të grimcave të vogëla, meqenëse ata nuk e dinin prej nga vinin ato manifestime dhe nuk mund ta kuptonin se prej ku drejtohej ajo forcë universale, e cila buronte prej manifestimit të fuqisë së të Përjetshmit absolut, duke i supozuar lëndën dhe forcën të ishin të parapërjetshme, ata filluan t’ua atribuonin veprat Hyjnore grimcave dhe lëvizjeve të tyre. Subhanall-llah! Sa çudi! A do të ishte e mundur për qëniet njerëzore të jenë kaq injorantë sa t’ua atribuojnë aktet dhe veprat të cilat mund të kryhen vetëm nga Ai i Cili është edhe përtej hapësirës dhe gjithashtu edhe i pranishëm në një mënyrë që i sheh, i njeh dhe i drejton të gjitha gjërat në krijimin e të gjitha gjërave gjithandej -t’ua atribuojnë- grimcave dhe lëvizjes së tyre, të cilat tunden e tronditen në stuhitë e rastësisë së pajetë, të verbër e të pavetëdijshme, që u mungon dëshira dhe balanca? Ata që kanë madje sa një grimcë arsye duhet ta shohin se sa ide prej injoranti dhe bestytnore është kjo.
Për shkak se këto fatkëqinj e kanë braktisur unitetin absolut, kanë rënë në një shumësi të pakufishme e të pafundme; domethënë, meqenëse ata nuk pranojnë një Zot të Vetëm, detyrohen të pranojnë zotra të pafundmë, që do të thotë, meqenëse ata janë të paaftë të kapin me mendjet e tyre të prishura Parapërjetshmërinë e Esencës më të pastër e më të Shenjtë dhe krijueshmërinë e Tij, të cilat janë dy cilësi të domosdoshme dhe esenciale për Të, u detyruan nga mendimet e tyre të pranonin parapërjetësinë dhe madje Hyjninë e atyre grimcave të pakufishme, të pafundme dhe të pajeta.
Atëherë, eja dhe shihe këtë injorancë të plotë në të cilën ata kanë rënë!
Po, manifestimi i dukshëm i Të Gjallit të Përjetshëm dhe i Vetekzistuesit të Përhershëm El-Hajj, El-Kajjum në grimcat i ka transformuar ato në diçka që i ngjason një ushtrie madhështore të mirëdisiplinuar nëpërmjet forcës, fuqisë dhe urdhrit të Allahut Fuqiplotë. Në qoftë se urdhri dhe fuqia e komandantit më të madh do të tërhiqeshin, sikur për një sekond prej atyre grimcave të pajeta, të pavetëdijshme e të pamend, ato do të bëheshin si ushtarë të parregullt, madje ato do të pushonin krejtësisht së ekzistuari.
Për më tepër, sikur një grup tjetër njerëzish shohin madje edhe më larg; domethënë, ata janë më shumë të çudhëzuar dhe më shumë të zhytur në injorancë se sa grupi i mëparshëm. Ata e imagjinojnë lëndën e njohur si eter që të jetë burimi dhe autori meqenëse ajo vepron si një pasqyrë për manifestimet e Hyjnisë së Krijuesit xh.sh.! Duke ditur se ajo është faqja më e hollë, më delikate, më e bindur dhe më e nënshtruara e fletëve të aktiviteteve të Krijuesit të Gjithëlavdishëm, dhe si një mjet për transmetimin e Urdhërave të Tij; ajo është boja e hollë për shkrimet e Tij, një mantel i hollë për ushtrimin e fuqisë së Tij, një veshje e hollë për krijimin e Tij, tharmin -farën- e artifakteve të Tij dhe një tokë për farërat e Tij.
Nuk ka dyshim se kjo injorancë e jashtëzakonshme bën të domosdoshme pamundësi të pafundme, sepse eteri është një lëndë që është e pavetëdijshme, e pajetë, pa vullnet dhe është më e hollë se sa lënda e grimcave në të cilën u mbytën materialistët në moçalin e çudhëzimit dhe është më e dendur se sa indeksi i lëndës së parë, zanafillës, me të cilën filozofët e lashtë ranë në çudhëzim dhe humbën rrugën. Ajo është një lëndë e pajetë, pa dëshirë, pa zgjedhje dhe pa vetëdije, atëherë t’ia atribuosh veprat kësaj lënde që mund të copëzohet e të ndahet pa kufi dhe është pajisur me cilësi, me detyra, me aftësitë e transmetimit dhe me veçorinë e të qenurit pasive -t’ua atribuosh- grimcave të vockëla të saj, të cilat janë shumë më të vogla se sa grimcat e lëndëve të tjera, aktet dhe veprat që ekzistojnë nëpërmjet vullnetit dhe fuqisë së Atij që i shikon, i njeh dhe i drejton të gjitha gjërat në të gjitha gjërat, do të ishte një gabim aq i madh sa numri i grimcave të eterit.
Akti i krijimit që është i dukshëm në krijesa është i tillë saqë demonstron se ai buron nga një fuqi dhe nga një vullnet që i shikon dhe i njeh shumicën e gjërave, madje që sheh të gjithë universin në cilëndo gjë qoftë, sidomos në qoftë se ajo është një qënie e gjallë, dhe që njeh të gjitha gjërat që lidhen me të; pastaj e vendos atë gjë në vendin e saj të përshtatshëm, i siguron asaj qëndrueshmëri në atë vend, domethënë, shkaqet e paditura materiale nuk mund të jenë në asnjë mënyrë autorja e saj.
Po, akti i krijimit -sado i pjesshëm të jetë- tregon një dëshmi madhështore, nëpërmjet misterit të Vetekzistueshmërisë së përhershme, se ai është akti i drejtpërdrejtë i Krijuesit të gjithë universit. Kështu, për shembull, akti i orientuar tek krijimi i një blete demonstron se ai është i veçantë për Krijuesin e Universit në dy drejtime.
Drejtimi i Parë: Fakti se të gjitha bletët e tjera gjithandej botës duke i ngjasuar asaj blete të veçantë manifeston të njëjtin akt dhe në të njëjtën kohë demonstron se akti i veçantë e individual është tipi i një akti gjithëpërfshirës i cili përqafon e rrethon faqen e tokës. Prandaj, Ai që është autori dhe pronari i atij akti të madh e të shtrirë, duhet të jetë gjithashtu autori i aktit të veçantë.
Drejtimi i Dytë: Me qëllim që të jesh autori i aktit të pjesshëm që orientohet drejt krijimit të bletës në çështje, do të duhej që -Autori- të kishte njohuri për kushtet e jetës së asaj blete, për aparatet, gjymtyrët e saj dhe për lidhjet e saj dhe qëniet e tjera, për mënyrën e garantimit të jetës së saj dhe të mjeteve të saj të jetesës, atëherë do të bëhej e domosdoshme që ai që e kryen aktin e pjesshëm do të ishte në gjendje për ta realizuar atë plotësisht, vetëm nëpërmjet pasjes autoritet mbi pjesën më të madhe të universit.
Kështu, akti më i pjesshëm e i vogël demonstron në dy drejtime që është i veçantë për Krijuesin e të gjitha gjërave.
Kështu, gjëja më e jashtëzakonshme dhe e çuditshme për njeriun dhe që i tërheq vëmendjen është kjo:
Parapërjetshmëria dhe amshueshmëria janë nga cilësitë më të veçanta të Hyjnisë dhe veçoria më e domosdoshme për Esencën më të shenjtë, për Pronarin e nivelit më të fuqishëm në ekzistencë, i Cili është Ekzistuesi i domosdoshëm që Zotëron “domosdoshmëri”, që ka nivelin më të qëndrueshëm e të pandryshueshëm në ekzistencë, që është ‘Veçimi absolut prej lëndës’, që ka gjendjen më të largët prej zhdukjes në ekzistencë e cila është “Liria absolute prej hapësirës”; që ka cilësinë më të shëndoshë prej cilësive të ekzistencës dhe më të shenjtën e tyre, më të largëtën prej ndryshimit dhe mosekzistencës, që është Uniteti.
Unë them: gjëja më e çuditshme për njeriun, që e shqetëson dhe që i tërheq vëmendjen është: t’ua atribuosh parapërjetësinë dhe amshueshmërinë, të cilat janë cilësitë më të domosdoshme, më esenciale dhe të veçanta për Të, gjërave si eteri dhe grimcave, të cilat janë lëndë materiale dhe që kanë nivelin më të dobët prej niveleve të ekzistencës dhe shkallën më të hollë në të, më të ndryshueshmen dhe më të transferueshmen e gjendjeve dhe më të shpërndarat nëpër hapësirë dhe që kanë shumësi të pakufishme; ata ua përshkruajnë parapërjetësinë atyre dhe i imagjinojnë ato të jenë të parapërjetshme; madje disa prej tyre supozojnë se një pjesë prej veprave Hyjnore burojnë prej tyre.
Është demonstruar nëpërmjet argumenteve të pakundërshtueshme në vende të shumta në Risale-i Nur se sa në kundërshtim me të vërtetën dhe realitetin, dhe sa ide e paarsyeshme dhe absurde është kjo.
■ Rrezja e Dytë
Kjo përbëhet nga dy “çështje”.
Çështja e Parë:
“As kotje e as gjumë nuk e kap Atë”.[31]
“Nuk ka asnjë krijesë të gjallë që Ai të mos e ketë mbërthyer pas balukeve të ballit (ta ketë nën sundimin e Tij të plotë)”.[32]
“Të Tij janë çelësat e qiejve dhe të tokës”,[33]
Këto vërsete tregojnë manifestimin më të madh të Emrit Hyjnor El-Kajjum Vetekzistuesi i Përhershëm.
Një aspekt i vetëm i asaj të vërtete madhështore që tregojnë këto dhe vërsete të ngjashëm me këto, është sa vijon:
Ekzistenca, vazhdimësia dhe qëndrueshmëria e trupave qiellorë në univers janë lidhur me misterin e Vetekzistueshmërisë, El-Kajjumijjeh. Në qoftë se manifestimi i Vetekzistueshmërisë do të largonte a kthente fytyrën për një çast, atëherë, si rrjedhojë, me miliona globe disa prej tyre një mijë herë më të mëdhenj se sa globi tokësor do të shpërndaheshin nëpër zbrazëtirën e pakufishme të hapësirës, dhe duke u përplasur me njëri-tjetrin, do të binin në asgjësi.
Për shembull, fuqia e Vetekzistueshmërisë së të Vetmit i Cili i mban me mijëra pallate madhështorë në qiell me rregullsi të plotë dhe i bën ato të udhëtojnë si avionë nëpër hapësirë, matet nëpërmjet qëndrueshmërisë së atyre pallateve në hapësirë. Po ashtu, faktet që i Gjithëlavdishmi i Vetëm dhe Vetekzistuesi i Përhershëm u dhuron trupave të panumërt qiellorë brenda lëndës eterike një stabilitet, qëndrueshmëri dhe vazhdimësi brenda rregullit dhe balancimit më të skajshëm nëpërmjet misterit të Vetekzistueshmërisë së përhershme, El-Kajumijjeh, dhe së bashku me mbajtjen pa mbështetëse e pa shtyllë në zbrazëtirë të miliona globeve madhështorë, disa prej tyre një mijë herë dhe disa të tjerë një milion herë më të mëdhenj se sa toka, duke i ngarkuar të gjithë ata me detyra të veçanta dhe duke i bërë ato të nënshtrohen me bindje të plotë si një ushtri madhështore e mirëdisiplinuar, duke iu bindur plotësisht urdhërave që lëshohen prej Atij që është Pronari i Urdhrit “Kun, Fejekun” Bëhu dhe ajo është e bërë (në çast)! Edhe këto janë një masë e manifestimit më të madh të Emrit Hyjnor El-Kajjum Vetekzistuesi i Përhershëm. Në të njëjtën mënyrë, grimcat e të gjitha qënieve gjithashtu ekzistojnë, ashtu si yjet, nëpërmjet misterit të Vetekzistueshmërisë së Përhershme, dhe janë të qëndrueshme dhe vazhdojnë nëpërmjet Tij.
Grimcat në trupin e një qënieje të gjallë nuk shpërndahen por mblidhen në grupe e sisteme të veçanta për çdo gjymtyrë, dhe pa u shpërndarë, ruajnë pozitën e tyre brenda stuhive dhe valëve të elementeve që vërshojnë si rrëke dhe qëndrojnë të rregullta e në sistem. Meqenëse kjo në mënyrë të vetëkuptueshme nuk ndodh nga vetvetja e tyre por nëpërmjet misterit të Vetekzistueshmërisë së Përhershme, dhe meqenëse çdo trup është si një regjiment i mirorganizuar dhe secila specie si një ushtri e rregullt, këto grimca shpallin misterin e Vetekzistueshmërisë së Përhershme me gjuhë të panumërta, në të njëjtën mënyrë ashtu siç e shpallin atë vazhdimësia dhe lëvizja e të gjitha krijesave të gjalla dhe grumbullimi i tyre në tokë dhe ajo e yjeve në botën e Hapësirës.
Çështja e Dytë: Ky ‘stacion’ kërkon të tregohen disa nga dobitë dhe shembujt e urtësisë në gjërat që lidhen me misterin e Vetekzistueshmërisë së Përjetshme.
Urtësia në ekzistencën e të gjitha gjërave dhe qëllimet e natyrave të tyre, dobitë në krijimin e tyre dhe rezultatet e jetëve të tyre janë tre llojesh.
Lloji i Parë shikon tek vetja e çdo gjëje, tek njeriu dhe tek çështjet e njeriut.
Lloji i Dytë është më i rëndësishëm se sa i pari: ai është se, çdo gjë në ekzistencë është një shenjë madhështore, si një mesazh Hyjnor, si një libër, një poemë për qëniet e vetëdijshme për ta studiuar, një shenjë duke bërë të njohur manifestimin e Emrave të bukur të Krijuesit të Gjithëlavdishëm; domethënë çdo gjë shpreh kuptimet e saj të shumta për lexuesit e saj të cilët janë të panumërt.
Lloji i Tretë: Ky ka të bëjë me Krijuesin e Gjithëlavdishëm dhe orientohet e shikon tek Ai xh.sh… Ndërsa dobitë dhe rezultatet e gjithçkaje që shikojnë tek vetë gjërat janë një, ato që shikojnë tek Krijuesi i Gjithëlavdishëm janë me qindra dobi, sepse Krijuesi i Gjithëlavdishëm i shikon Vetë çudirat e artit të Tij, Ai e vështron manifestimin e Emrave të Tij në qëniet të cilat Ai Vetë i ka modeluar e formuar. Për sa ka të bëjë me këtë llojin e tretë madhështor, vetëm një sekond do të ishte i mjaftueshëm për qëniet që të jetojnë.
Gjithashtu ndodhet një mister i Vetekzistueshmërisë së Amshuar duke kërkuar ekzistencën e të gjitha gjërave, qё do të shpjegohet në Rrezen e Tretë.
Një ditë unë po shqyrtoja dobitë dhe urtësitë në qëniet nga këndvështrimi i zbulimit të Talismanit të Universit dhe enigmën e krijimit, dhe thashë:
“Jam kureshtar të di, pse këto gjëra e shfaqin vetveten në këtë mënyrë dhe pastaj zhduken e humbasin?
Unë vështroj tek tiparet e tyre individuale, dhe shoh se ato janë stolisur, hijeshuar e zbukuruar në mënyrën më të rregullt e të qëllimshme dhe u dërguan për tek kjo shfaqje dhe tek kjo ekspozitë. Por pastaj ato zhduken brenda një ose dy ditësh, dhe disa prej tyre brenda pak minutash; Më kot e pa dobi ato zhduken. Cili është qëllimi i qënies së tyre duke u parë prej nesh për kaq kohë të shkurtër? Unë isha shumë kureshtar për ta ditur këtë mister.
Pastaj, në atë kohë, nëpërmjet nderimit Hyjnor, unë zbulova një shembull të rëndësishëm të urtësisë së ardhjes së qënieve, dhe veçanërisht të gjallesave, në shkollën e tokës; urtësia është kjo: Çdo gjë -dhe sidomos qënia e gjallë- është një fjalë Hyjnore, një mesazh Hyjnor, një poemë Hyjnore dhe një njoftim i qartë me elokuencë dhe me urtësi të skajshme. Pasi ajo gjë të jetë shikuar e studiuar nga të gjitha qëniet e vetëdijshme dhe pasi të ketë dhënë të gjitha kuptimet e saj për lexues të panumërt, atëherë forma e saj trupore, e cila është si një letër ose si një fjalë, zhduket duke lënë kuptimet e saj në ekzistencë. Për afro një vit njohja e këtij shembulli urtësie ishte i mjaftueshëm për mua. Pastaj pasi kaloi viti u zbuluan para meje mrekullitë e holla të artit që gjenden në krijesa dhe në mënyrë të veçantë tek qëniet e gjalla. Unë kuptova se këto hollësi të artit që janë kaq të bukura e të çuditshme nuk janë thjesht për të shprehur kuptimet e tyre para shikimeve të qënieve të vetëdijshme, sepse megjithëse krijesa të vetëdijshme të panumërta mund ta studiojnë çdo qënie, veçse ama studimi i tyre është edhe i kufizuar dhe përveç kësaj të gjitha ato mund të jenë të paafta për të depërtuar tek të gjitha hollësitë e artit në ato krijesa të gjalla. Domethënë, rezultati më i rëndësishëm i krijimit të qënieve të gjalla dhe qëllimi më kuptimplotë i natyrave të tyre është: Shfaqja e mrekullive të Artit të Vetekzistuesit të Parapërjetshëm El-Kajjumul-Ezelijj përpara shikimit të Tij xh.sh., dhe shfaqja e dhuratave të mëshirës së Tij dhe të mirësive të përgjithshme të Cilat Ai ua ka dhuruar qënieve të gjalla, përpara vështrimit të Tij xh.sh., ky qëllim më dha një qetësi të plotë dhe një bindje të plotë për një kohë të gjatë. Dhe prej tij kuptova sa vijon:
Ekzistenca e hollësive të pafundme të artit dhe të mrekullive të krijimit në çdo qënie -dhe veçanërisht tek qëniet e gjalla- është vetëm për t’u paraqitur përpara Vetekzistuesit të Parapërjetshëm, domethënë, urtësia e krijimit është që Vetekzistuesi i Parapërjetshëm El-Hajjul Ezelijj t’i shikojë Vetë mrekullitë e krijimit të Tij.. dhe ky shikim e meriton këtë bollëk e mbushulli madhështore në krijesat.
Por pasi kaloi një kohë.. unë pashë se hollësitë e artit në tiparet individuale dhe në format e qënieve nuk vazhdonin dhe nuk qëndronin; ato ripërtëriheshin dhe i nënshtroheshin ndryshimit me shpejtësi të madhe; ato transformoheshin brenda një aktiviteti dhe krijueshmërie të pafundme. Ndërkaq unë po e shqyrtoja thellë për pak kohë, duke thënë:
“Urtësia në këtë krijueshmëri dhe në këtë aktivitet duhet të jetë medoemos aq e shtrirë sa vetë aktiviteti”. Atëherë dy shembujt e urtësisë që u përmendën lart filluan të shfaqeshin të mangëta.. dhe fillova të kërkoja e të hulumtoja me përmallim të fortë e me interesim të madh ndonjë urtësi tjetër apo ndonjë qëllim.. Pas pak kohe -lavdi Zotit- m’u shfaq një urtësi e madhe dhe e pakufishme dhe një qëllim madhështor i pafundmë, nëpërmjet shkëlqimit të dritës së Kuranit të shpjegimit të mrekullueshëm që buruan prej misterit të Vetekzistueshmërisë së amshuar, El-Kajjumijjeh..
Nëpërmjet saj unë kuptova një mister të madh Hyjnor në krijimin, atë mister të quajtur Talismani i universit dhe enigma e krijimit! Meqenëse kjo është shpjeguar në detaje në letrën e Njëzet e Katërt, këtu në Rrezen e Tretë ne do të përmendim shkurt dy ose tri pika.
Po, shikoje nga ky këndvështrim manifestimin e misterit të Vetekzistueshmërisë së amshuar:
Allahu xh.sh. i ka nxjerrë qëniet prej errësirave të mosekzistencës dhe u ka dhënë ekzistencë; dhe sipas kuptimit të vërsetit,
“Allahu është Ai i Cili ngriti qiejt pa shtylla që t’i shihni”,[34]
Ai e ka bërë secilin prej tyre të mbetet në një hapësirë të pafundme. Duke u dhuruar atyre stabilitet e qëndrueshmëri, Ai kështu u ka shkaktuar të gjithë atyre të shfaqin manifestimin e misterit të Vetekzistueshmërisë së amshuar –El-Kajjumijjeh. Në qoftë se nuk do të kishte qenë kjo mbështetje madhështore dhe kjo bazë e fortifikuar për qëniet, asgjë fare nuk do të kishte mundur të vazhdonte së ekzistuari nga vetvetja. Gjithçka do të shembej në një zbrazëtirë të pafundme dhe do të rrëzohej e binte në mosekzistencë.
Për më tepër, ashtu si të gjitha qëniet që mbështeten tek Vetekzistuesi i Parapërjetshëm –El-Kajjumul-Ezelij për ekzistencën e tyre, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë, dhe vazhdojnë në ekzistencë nëpërmjet Tij, po ashtu sipas kuptimit të vërsetit,
“Dhe tek Ai kthehen të gjitha çështjet (për gjykim e vendim)…”[35] majat e mijëra zinxhirëve ose linjave në gjendjet dhe në kushtet e qënieve janë lidhur tek misteri i Vetekzistueshmërisë së amshuar –El-Kajjumijjeh e cila -në qoftë se nuk do të kishte gabim në krahasim- është si qendra ose poli qëndror i linjave të telegrafit. Në qoftë se ato nuk do të mbështeteshin në atë pikë të ndritshme mbështetjeje, atëherë me mijëra vargje të pafundmë shkaqesh, do të ishin të domosdoshëm, gjë e cila sipas dijetarëve është një nocion krejtësisht i pamundur dhe i rremë; në fakt, duhet të kishte aq shumë prej këtyre vargjeve absurde të pafundme shkaqesh, aq sa numri i qënieve. Për shembull, një gjë -mbrojtja ose drita ose ekzistenca ose furnizimi me rizk e të tjera prej cilësdo qoftë- mbështetet -nga një drejtim- tek një gjë tjetër, kjo mbështetet tek një tjetër dhe kjo mbështetet tek një tjetër, e kështu me radhë.. atëherë patjetër duhet që të ketë një fund, sepse nuk pranohet me arsye që ajo të mos vijë në një fund. Kështu, fundi i të gjithë atyre linjave dhe zinxhirëve qëndron në misterin e Vetekzistueshmërisë së amshuar –El-Kajjumijjeh. Dhe pasi u kuptua ky mister -misteri i Vetekzistueshmërisë– atëherë nuk mbetet kuptim që individët e atyre zinxhirëve të imagjinuar të mbështeteshin tek njëri-tjetri, madje ato zhduken krejtësisht; dhe çdo gjë shikohet të jetë e orientuar drejtpërdrejtë tek misteri i Vetekzistueshmërisë –El-Kajjumijjeh!
■ Rrezja e Tretë
Nëpërmjet një ose dy pikave paraprake, ne do të tregojmë në një shkallë të vogël zbulesën e misterit të Vetekzistueshmërisë së Amshuar brenda krijueshmërisë Hyjnore dhe aktivitetit Hyjnor për të cilat aludojnë vërsetet që vijojnë:
“Çdo ditë Ai është i angazhuar në ndonjë çështje”.[36]
“Gjithëvepruesi për gjithçka që Ai dëshiron”.[37]
“Ai krijon çfarë do Ai”[38]
“Në Duart e të Cilit është mbizotërimi i çdo gjëje”.[39]
“Shihni pra pasojat e Mëshirës së Allahut, se si Ai ringjall tokën pas vdekjes së saj…”[40]
E Para: Kur ne e vështrojmë universin me syrin e hulumtimit, ne shohim se një grup krijesash, të cilat janë hedhur në rrymën e kohës dhe vijojnë njëri pas tjetrit karvan pas karvani, vijnë për një sekond dhe pastaj menjëherë zhduken. Një grup tjetër vjen për një minut dhe pastaj kalon. Një specie ndalon në Botën e dukshme për një orë dhe pastaj futet për në botën e padukshme. Disa prej tyre vijnë e ulen në botën e dukshme për një ditë, disa të tjerë për një vit, disa për një shekull dhe pastaj largohen dhe disa kalojnë disa shekuj dhe pastaj e lënë këtë botë.. Gjithësecili prej tyre vjen, dhe pasi të ketë kryer detyrat e veta, largohet.
Ky udhëtim i çuditshëm dhe ky kalim i qënieve, kjo rrymë dhe ky fluks i krijesave shtyhet e drejtohet me një rregullsi të tillë, me një balancë e urtësi, dhe Ai i Cili i komandon ato, ato karvane dhe këtë udhëtim të vazhdueshëm me një njohuri të tillë, me qëllim e planifikim saqë sikur të bashkoheshin të gjitha mendjet e të bëheshin një mendje, përsëri kjo do të ishte e pamundur që ta kapte e perceptonte këtë drejtim të urtë; ajo do të ishte e pamundur të gjente ndonjë të metë në të dhe kështu nuk do të mund ta kritikonte atë.
Kështu, brenda këtij aktiviteti Hyjnor, Krijuesi i shtyn ato krijesa plot art të hollë të dashura për Të -dhe veçanërisht gjallesat- për tek bota e padukshme pa ua shtyrë afatin që të zgjerohen në këtë botë. Ai i shkarkon ato nga misionet e tyre në jetën e tyre të dynjasë duke i lejuar të shtrihen e të marrin frymë. Ai vazhdimisht e mbush bujtinën e kësaj bote me mysafyrë dhe e boshatis prej tyre pa kënaqësinë e tyre. Duke e bërë globin tokësor si një pllakë dërrase shkrimi në të cilën shkruan vazhdimisht pena e Kaderit Hyjnor dhe e Vendimit të Tij shkrimet e Tij, i ripërtërin ato dhe i ndryshon nëpërmjet manifestimit të Atij “I Cili jep jetë dhe sjell vdekje”.[41]
Dhe kështu, një mister prej mistereve të këtij aktiviteti Hyjnor dhe të kësaj Krijueshmërie Hyjnore dhe një kërkesë themelore dhe një shkak shtytës për tek ato është një urtësi madhështore e pakufishme dhe e pafundme, dhe kjo urtësi mund të ndahet në tri degë të rëndësishme.
Dega e Parë e asaj urtësie është kjo: çdo lloj aktiviteti, qoftë i pjesshëm ose universal shkakton e sjell një kënaqësi, ose më drejtë, në çdo aktivitet ka një kënaqësi. Madje, vetë aktiviteti është një kënaqësi e pastër. Ose aktiviteti është manifestimi i esencës, i cili është vetëkënaqësia dhe ai është shkundja duke u larguar prej mosekzistencës, e cila është pikërisht dhimbja e vuajtja.
Gjithkush me aftësi ndjek me kënaqësi zbulimin e aftësisë së tij nëpërmjet aktivitetit. Zbulimi i talentëve të lindura nëpërmjet aktivitetit buron nga një kënaqësi dhe rezulton e shkakton kënaqësi. Gjithkush që ka disa plotësime, e ndjek me kënaqësi zbulimin e tyre nëpërmjet aktivitetit.
Meqenëse në çdo aktivitet janë të pranishme një plotësim e një kënaqësi të cilat janë kështu të dashura e të kërkuara; dhe meqenëse në botën e krijesave të gjalla janë të dukshme manifestimet e parapërjetshme të një mëshire të pakufishme dhe të një dashurie të pafundme të cilat burojnë nga një jetë e amshuar dhe e parapërjetshme; ato manifestime tregojnë se, si kërkesë e asaj jete të amshuar e cila është e përshtatshme për Ekzistuesin e Vetëm të domosdoshëm i Cili do kështu dhe është Gjithëmëshirues, e bën Vetveten të dashur dhe është i denjë për shenjtërinë e Tij, atëherë, ndodhen -në qoftë se do të lejoheshin termat- tek niveli më i skajshëm cilësi të shenjta në jetën e më të Pastërtit dhe më të Shenjtit si, pasioni Hyjnor, dashuria e shenjtëruar dhe kënaqësia e pastër, e lartësuar e sublime. Dhe janë pikërisht këto cilësi që në mënyrë të vazhdueshme e ripërtërijnë, e trazojnë dhe e ndryshojnë universin nëpërmjet aktivitetit të pafundmë dhe një krijueshmërie të pafundme.
Dega e Dytë e Urtësisë në aktivitetin e pafundmë Hyjnor i cili shikon tek misteri i Vetekzistueshmërisë së amshuar El-Kajjumijjeh. Kjo urtësi shikon tek Emrat Hyjnorë. Dihet qartë se gjithkush që ka bukuri, dëshiron edhe ta shohë atë, edhe t’ua shfaqë bukurinë e vet të tjerëve; Gjithkush që ka ndonjë mjeshtëri, dëshiron dhe pëlqen të tërheqë vëmendjen për tek mjeshtëritë dhe tek talenti i tij duke i ekspozuar dhe duke i shpallur ato; ai e dëshiron dhe do që talenti i tij, që është një e vërtetë e bukur dhe një kuptim i bukur që kanë mbetur të mbuluara e të fshehura, të zbulohet dhe të gjejë admirues të zjarrtë.
Këto rregulla themelore janë në fuqi në të gjitha gjërat në përputhje me shkallën e secilës. Sipas dëshmisë së universit dhe dëshmisë së manifestimeve dhe qëndisjeve të Një mijë e Një Emrave të bukur Hyjnorë të Hirplotit absolut dhe të Vetekzistuesit të Gjithëlavdishëm, ndodhen në çdo shkallë të secilit prej atyre Emrave të bukur një dashuri e vërtetë, një plotësi e vërtetë, një bukuri e vërtetë dhe një e vërtetë e bukur e ndritshme; Madje në çdo shkallë prej shkallëve të çdo Emri prej Emrave të bukur Hyjnorë, ndodhen lloje të ndryshme të pafundme dashurie dhe të vërteta të bukura të panumërta.
Meqenëse ky univers dhe të gjitha këto qënie janë pasqyra për të reflektuar manifestimet e bukurisë së këtyre Emrave të shenjtë.. dhe janë tablo të mrekullueshme në të cilat shfaqen qëndisjet e atyre Emrave të bukur.. dhe ato janë faqet e tyre që shprehin të vërtetat e tyre të bukura.
Atëherë medoemos, ato Emra të vazhdueshëm e të përjetshëm do t’i shfaqin manifestimet e tyre të pakufishme dhe do t’i ekspozojnë qëndisjet e tyre të urta të panumërta dhe do t’i shfaqin fletët e librave të tyre para shikimit dëshmues të të Vetekzistuesit të Gjithëlavdishëm, dhe para shikimit hulumtues të numrave të pallogaritshëm të krijesave të vetëdijshme dhe krijesave të pajisura me shpirt, me qëllim që të shfaqin tablotë e pafundme prej një gjëje të kufizuar, dhe individë të panumërt nga një individ i vetëm dhe të shfaqin të vërteta të shumta prej një të vërtete të vetme.
■ Rrezja e Katërt
Dega e Tretë e Urtësisë në aktivitetin e vazhdueshëm e të çuditshëm në univers. Gjithkush që është i mëshirshëm gëzohet duke u dhënë kënaqësi të tjerëve; gjithkush që është i mirë kënaqet duke i bërë të tjerët të lumtur; gjithkush që është i dashur gëzohet duke i kënaqur të tjerët të cilët janë të denjë për t’u kënaqur; dhe gjithkush që është zemërmirë e fisnik gjen kënaqësi duke i bërë të tjerët të kënaqur; gjithkush që është i drejtë gëzohet me vendosjen e drejtësisë duke fituar mirënjohjen e atyre, të drejtat e të cilëve janë mbrojtur duke u dhënë ndëshkim atyre që e meritojnë; dhe çdo mjeshtër i talentuar krenohet duke ekspozuar veprat e tij, kur shpikjet e tij funksionojnë e japin rezultat në formën më të mirë ashtu siç kishte përfytyruar ai të funksiononin, dhe që ato po jepnin rezultatet e dëshiruara.
Kështu, secili nga parimet e lartëpërmendur është një rregull themelor që është në fuqi gjithandej universit dhe në botën e njerëzimit. Tre shembuj duke demonstruar se këto rregulla funksionojnë në manifestimet e Emrave Hyjnorë janë shpjeguar në Vendqëndrimin e Tretë të Fjalës së Tridhjetë e Dytë. Meqenëse është e përshtatshme të shkruash një përmbledhje për to në këtë pikë, ne themi sa vijon:
Për shembull, një person i cili është jashtë mase i mirë, bujar, dorëgjërë e zemërmirë i cili ka marrë në një anije të madhe nevojtarë e të varfër, i kënaq ata duke përgatitur për ta tryeza të mbushura me mirësi, me të cilët lundron nëpër detet rreth tokës me qëllim që të fusë gëzimin e kënaqësinë brenda një udhëtimi të këndshëm dhe një shëtitjeje të bukur e të hollë. Ky person kënaqet nga shenjat e mirënjohjes që burojnë prej atyre të varfërve dhe gëzohet shumë kur shikon kënaqësinë e tyre duke gëzuar bukuritë e mirësive, dhe krenohet me gëzimin e tyre.. E gjitha kjo ndodh me kërkesë të veçorive dhe të cilësive të larta të cilat Allahu i ka vendosur në natyrën e tij.
Në qoftë se njeriu që është thjesht një nëpunës shpërndarje i mirësive të Krijuesit Gjithëbujar merr një gëzim e një kënaqësi të tillë me këtë sasi nderimi që u bën të tjerëve në një gosti të pjesshme, atëherë, po kur bëhet fjalë për Të Gjallin e Përjetshëm dhe Vetekzistuesin e amshuar El-Hajj El-Kajjum i Cili i ka ngarkuar të gjitha kafshët, njerëzit, engjëjt e panumërt, xhindet dhe qëniet shpirtërore në anijen e të Gjithëmëshirshmit, -në anijen e tokës; i Cili e ka përhapur faqen e tokës para tyre si një tryezë Hyjnore të mbushur me varietete ushqimesh dhe me kënaqësi e furnizime për të gjitha shqisat; Ai i bën ata nevojtarë dhe ata të varfër krijesa falënderuese, mirënjohëse dhe të gëzuar duke lundruar nëpër zonat e universit, dhe nuk i gëzon ata me të gjitha këto mirësi vetëm në këtë botë, por gjithashtu Ai e bën secilën prej atyre mirësive një tryezë në banketet e pafundme në xhennetet e botës së përjetshme. Prandaj, kuptimi i Hyjnisë i synuar nga cilësitë Hyjnore që burojnë nga falënderimet, mirënjohja, gëzimi dhe nga kënaqësia e atyre krijesave të cilat shikojnë dhe janë orientuar tek i Gjalli i Përjetshëm dhe tek Vetekzistuesi i Amshuar El-Hajj, El-Kajjum, për të cilat ne jemi të pafuqishëm dhe gjithashtu nuk na lejohet që t’i shprehim, si: Kënaqësia e Shenjtë, Krenaria e Shenjtë dhe Gëzimi i Shenjtë bëjnë të domosdoshëm këtë aktivitet të vazhdueshëm dhe krijueshmërinë e pandërprerë.
Dhe për shembull, në qoftë se një mjeshtër i aftë ndërton apo prodhon një gramafon i cili nuk kërkon pllaka, disqe, dhe ai luan e punon ashtu siç ai dëshironte, sa krenar e i lumtur do të ishte ai; dhe do të thonte me vete: Ma sha’all-llah! Çfarë çudirash ka dashur Zoti xh.sh.!
Në qoftë se një pjesë e vogël formale arti në të cilën nuk ka krijim të vërtetë shkakton një ndjenjë të tillë krenarie dhe kënaqësie në shpirtin e mjeshtrit të aftë, atёherё, po kur merret në konsideratë kjo që vijon:
Krijuesi i Gjithurtë i Cili i krijoi të gjitha këto qënie dhe i bëri ato si një orkestër Hyjnore duke shprehur falënderimet e tyre, tesbihatet, lavdërimet dhe shenjtërimet e tyre nëpërmjet llojeve të panumërta të këngëve dhe himneve, ashtu siç i bëri ato një punishte të çuditshme; Ai i shfaq të gjitha speciet, të gjitha botët në univers nëpërmjet një mjeshtërie të veçantë dhe nëpërmjet mrekullive të ndryshme arti, dhe Ai jo vetëm modelon shumë makineri, aparatura, në kokat e krijesave të gjalla, secila prej tyre duke qenë si një gramafon, kamer ose telegraf, por Ai gjithashtu modelon në kokat e të gjitha qënieve humane, jo vetëm një gramafon pa pllaka, një kamer pa film, një telegraf për tela, por një makineri njëzet herë më të mrekullueshme. Prandaj, kuptimet si Krenari e shenjtë, kënaqësi e shenjtë dhe cilësi e kuptime të larta të këtij lloji që burojnë nga Hyjnia dhe vijnë prej krijimit të makinerive të tilla, dhe funksionimi i tyre në mënyrën e kërkuar dhe dhënia e rezultateve të dëshiruara -këto të gjitha- bëjnë të domosdoshëm këtë aktivitet të dukshëm të pandërprerë.
Dhe për shembull, ashtu si një sundimtar i drejtë i cili gjen kënaqësi e ëndje, që është i kënaqur dhe ndjehet krenar kur merr pjesën e të shtypurit kundra tiranëve me qëllim që të vendosë drejtësinë, dhe duke mbrojtur të varfërit kundra padrejtësisë dhe shtypjes së të fuqishmëve, dhe duke i dhënë gjithësecilit të drejtën që i takon.. meqë të gjitha këto kërkohen prej sundimit dhe drejtësisë dhe janë rregullat e tyre themelore, atëherë shqyrto ç’ka vijon:
I Gjalli i Përjetshëm dhe Vetekzistuesi i Amshuar, i Cili është Sundimtari i Gjithurtë dhe i Drejti absolut, u dhuron të gjitha krijesave dhe veçanërisht gjallesave kushtet e domosdoshme për jetën, të cilat njihen si të drejtat e jetës; dhe me qëllim që të ruajnë jetët e tyre, Ai u jep atyre aftësitë dhe gjymtyrët e domosdoshme; dhe Ai me dhembshuri e mëshirë mbron të dobëtit nga të këqijat e të fuqishmive. Prandaj, cilësitë Hyjnore dhe kuptimet e shenjta, për të cilat ne jemi të pafuqishëm për t’i shprehur, që burojnë nga kjo dhe nga përmbledhja e misterit të drejtësisë, që në këtë botë, është e plotë lidhur me vendosjen e drejtësisë për të gjitha qëniet e gjalla dhe pjesërisht lidhur me ndëshkimin e keqbërësve, dhe sidomos ajo që buron nga misteri i drejtësisë më të lartë tek Gjykata më e lartë e Ditës së Ringjalljes.. të gjitha këto e kërkojnë medoemos këtë aktivitet të vazhdueshëm në univers.
Atëherë, ashtu siç tregojnë këto tri shembuj, meqenëse secili prej Emrave më të bukur Hyjnorë është një bosht për disa cilësi të shenjta Hyjnore në këtë aktivitet të pandërprerë dhe, meqenëse zhvillimi, zbulimi dhe lulëzimi i të gjitha aftësive dhe kapaciteteve shkaktojnë gëzim, shtrirje e kënaqësi; dhe meqenëse me kryerjen dhe plotësimin e një detyre dhe duke u liruar prej saj, gjithësecili, të cilit iu ngarkua një detyrë e tillë, përjeton një ndjenjë të madhe qetësie dhe mirënjohjeje; dhe meqenëse për të marrë shumë fruta nga një farë e vetme dhe për të siguruar një fitim të njëqindfisht prej një gjëje të vetme, të fitosh njëqind dirhem prej një dirhemi të vetëm, gjë e cila është rasti më i kënaqshëm për njerëzit dhe konsiderohet një tregti shumë fitimprurëse për ta.. atëherë sigurisht, Ai i Cili i bën të gjitha aftësitë e panumërta të të gjitha krijesave të zbulohen, pasi i ka vënë të gjitha krijesat në detyra të vlefshme, do t’i shkarkojë nga ato detyra, por me këtë lirim Ai do t’i ngrejë ato në shkallë më të larta e sublime – ashtu siç i ngre elemetet tek niveli i mineraleve; mineralet tek niveli i bimëve; bimët tek niveli i jetës shtazore nëpërmjet rizkut, furnizimit me ushqim; dhe kafshët tek niveli i lartë i jetës humane, i jetës së njeriut, jetë e cila është e vetëdijshme.
Atëherë mund të kuptohet se sa të rëndësishme janë kuptimet e shenjta dhe çështjet Hyjnore të Perëndisë që burojnë nga aktiviteti i vazhdueshëm dhe nga krijueshmëria Hyjnore, që me mbarimin e ekzistencave të tyre të jashtme, u shkakton të gjitha krijesave të gjalla të lënë prapa tyre ekzistencat e shumta të marra prej tyre, esencat, identitetet, format dhe ekzistencat në botën e shëmbëllesës, në botën e Njohjes dhe në botën e padukshme, këllëfet e shpirtërave të tyre dhe trupat qiellorë, që të gjithë ato janë ngarkuar me detyra në vendet e tyre. Kjo është shpjeguar në Letrën e Njëzet e Katërt.
Një Përgjigje vendimtare për një pyetje të rëndësishme.
Një grup prej njerëzve të çudhëzimit thotë se Ai i Cili e ndryshon dhe e transformon universin me këtë aktivitet të vazhdueshëm duhet që Ai Vetë t’i nënshtrohet ndryshimit dhe ndërrimit.
Përgjigjja: Ruajna Zot! Një mijë herë, Ruajna Zot! Fakti që pasqyrat në tokë ndryshojnë, nuk demonstron se dielli në qiell ndryshon, por përkundrazi, ai demonstron se manifestimet e tij janë duke u ripërtërirë. Për më tepër, ndryshimi dhe ndërrimi janë krejtësisht të pamundura për Esencën më të pastër e më të shenjtë, i Cili është i parapërjetshëm, i paspërjetshëm, i përhershëm, në çdo drejtim i plotë absolutisht, i vetëmjaftueshëm absolutisht; tërësisht i lirë, i shkëputur dhe përtej lëndës, hapësirës, kufizimit dhe mundësisë. Ndryshimi në univers nuk tregon ndryshimin e Tij, por tregon mosndryshimin dhe mostransformimin e Tij xh.sh.; sepse Ai që në mënyrë të vazhdueshme shkakton ndryshim dhe u shkakton gjërave të shumta të lëvizin, duhet që Ai vetë të jetë i pandryshueshëm dhe të mos lëvizë.
Për shembull, në qoftë se ti do të lëvizje globe të mëdhenj dhe topa të vegjël që janë të lidhur me disa fije spangoje, duke i bërë ato të lëvizin pandërprerë brenda një rregulli, dhe duke i vënë ato në pozicione të mirorganizuar, do të ishte e domosdoshme që ti të qëndroje në një vend dhe jo ta ndryshosh atë apo ta lëvizësh; sepse në qoftë se ti do të lëvizje, kjo do ta prishte rregullin.
Midis rregullave të mirënjohur është rregulli vijues:
“Ai që i bën objektet të lëvizin me rregull, duhet që Ai Vetë të mos lëvizë; dhe Ai që i ndryshon gjërat në mënyrë të vazhdueshme, duhet që Vetë të jetë i pandryshueshëm me qëllim që këto akte të mund të vazhdojnë në një mënyrë të rregullt.
Së Dyti: Ndryshimi dhe ndërrimi burojnë nga Krijueshmëria, nga të qenurit i ripërtërirë me qëllim për t’u plotësuar; nga nevoja, nga lëndësia, materia, dhe nga mundësia. Mirëpo, meqenëse esenca më e pastër dhe më e shenjtë është e Parapërjetshme dhe e Paspërjetshme, dhe në çdo drejtim është absolutisht i plotë, absolutisht i Vetëmjaftueshëm dhe krejtësisht i shkëputur nga lënda dhe është Ekzistuesi i Vetëm i domosdoshëm; atëherë sigurisht ndryshimi dhe ndërrimi është i pamundur për Të; është absolutisht i pamundur.
■ Rrezja e Pestë
Çështja e Parë:
Në qoftë se ne do të dëshironim të shihnim manifestimin më të madh të Emrit Hyjnor El-Kajjum, Vetekzistuesi i amshuar, ne do të duhej ta bënim imagjinatën tonë shumë të shtrirë me qëllim që ajo të mund ta shohë të gjithë universin, dhe do të duhej të bënim prej saj dy teleskopë që njëri prej tyre të shikonte distancat më të largëta, objektet më të skajshme, kurse tjetri të shikonte grimcat më të vockëla.
Kështu në qoftë se do të vështronim nëpërmjet teleskopit të parë, ne do të shihnim se, nëpërmjet manifestimit të Emrit Hyjnor El-Kajjum, Vetekzistuesi i amshuar dhe pa ndonjë shtyllë mbështetëse me miliona globe e yje mijëra herë më të mëdhenj se sa toka, disa janë bërë të palëvizshëm në dukje në lëndën e njohur si eter, i cili është më i hollë se sa ajri, ndërsa të tjerët janë bërë të udhëtojnë në dukje për të përmbushur detyrat e tyre të mëdha.
Tani le të vështrojmë nëpërmjet teleskopit të dytë, i cili është mikroskopi i imagjinatës, me qëllim që të mund të shikojmë grimcat e vockëla. Nëpërmjet misterit të Vetekzistueshmërisë së amshuar El-Kajjumijjeh, duke marrë një pozitë të rregullt ashtu si yjet, grimcat në trupat e të gjitha krijesave të gjalla në tokë janë në lëvizje dhe janë duke kryer detyrat e tyre. Ne shohim se kokërrzimet e vockëla duke formuar grimcat e njohura si rruazat e kuqe dhe rruazat e bardha në gjakun e qënieve të gjalla, ashtu si planetet, lëvizin me dy lëvizje të mirësistemuara që u ngjasojnë lëvizjeve të dervishëve mevlevi.
Një Përmbledhje[42]
Një përmbledhje është e përshtatshme këtu me qëllim që të shpjegojë dritën e shenjtë të cilën e formojnë Gjashtë Emrat e Emrit më të madh, të përzier së bashku si shtatë ngjyrat e dritës së Diellit – dhe Allahut i takon krahasimi më i lartë. Dhe me qëllim që ta shikojmë këtë dritë po japim këtë përmbledhje:
Hidhe vështrimin përtej manifestimit të Emrit më të madh El-Kajjum, Vetekzistuesi i amshuar, i Cili i mban kështu dhe u jep qëndrueshmëri e vazhdimësi të gjitha qënieve në univers, që të shohësh: se manifestimi më i madh i Emrit El-Hajj i Gjalli i Përjetshëm, i ka bërë ato qënie të gjalla të ndritshme e rrezatuese nëpërmjet manifestimit të Tij vezullues. Ai e ka ndriçuar universin. Ai i ka zbukuruar të gjitha qëniet e gjalla me manifestimin e Tij.
Tani, shiko përsëri: Përtej Emrit Hyjnor El-Hajj,I Gjalli i Përjetshëm, manifestimi më i madh i Emrit El-Ferd, I Vetmi, i përfshin tërësinë e universit me të gjitha elementet dhe pjesët e tij në një unitet. Ai vendos një stampë uniteti në ballin e çdo gjëje. Ai vendos një vulë Njësie në fytyrën e çdo qënie. Kjo i bën ato të shfaqin manifestimin e Tij me gjuhë të pafundme e të panumërta.
Dhe tani shikoje manifestimin më të madh të Emrit El-Hakem, I Dituri përtej Emrit El-Ferd, I Vetmi; ai i përfshin secilën prej qënieve që ne i vëzhgojmë nëpërmjet dy teleskopëve të imagjinatës, duke filluar nga yjet për tek grimcat, qoftë universale ose e pjesshme, nga sfera më e madhe për tek më e vogla, në një rregull të frytshëm, në një rregullsi të urtë dhe në një harmoni të qëllimshme të përshtatshme për secilën. Ai i stolis dhe i zbukuron të gjitha qëniet. Pastaj, vështro matanë manifestimit më të madh të Emrit El-Hakem, I Dituri tek manifestimi më i madh i Emrit El-Adl, I Drejti -ashtu siç e shpjeguam në Pikën e dytë- që ta shohësh atë duke administruar të gjithë universin me të gjitha qëniet e tij me një balancë të tillë, me një ekuilibër e një masë brenda një aktiviteti të pandërprerë, saqë në qoftë se vetëm njëri prej trupave qiellorё do ta humbiste balancën e tij sikur vetëm për një sekond, domethënë, në qoftë se do të çlirohej prej manifestimit të Emrit El-Adl, I Drejti, kjo do të shkaktonte kaos midis yjeve dhe padyshim do të çonte në ndodhjen e kijametit.
Kështu, të gjitha qëniet dhe të gjitha botët e ndryshme të qënieve duke filluar prej ushtrisë së yjeve për tek ushtria e grimcave të vockëla, domethënë, nga sfera më e madhe që quhet Rruga e Qumështit për tek sfera e lëvizjes së qelizave, rruazave të kuqe e të bardha, duke qëndruar sup më sup në një mënyrë të matur me balancën më të hollë dhe me masën më të drejtë, secila prej tyre demonstron se të gjitha ato qënie janë të bindura dhe të nënshtruara plotësisht ndaj urdhërave që burojnë prej Atij që është Pronari i urdhrit Kun Fejekun, Bëhu, dhe ajo është bërë (në çast)”!
Tani, hidhe vështrimin matanë manifestimit më të madh të Emrit El-Adl, I Drejti tek manifestimi më i madh i Emrit Hyjnor El-Kud-dus, Më i Shenjti, i cili është shpjeguar në Pikën e Parë: fakti se ai i ka bërë të gjitha qëniet në univers aq të pastërta, safi, të kulluara, të dëlira, të lara, të bukura, të stolisura dhe të ndritshme, demonstron se Ai u ka dhuruar universit dhe të gjitha qënieve formën e pasqyrave të bukura të denja dhe të përshtatshme për të reflektuar bukurinë krejtësisht esenciale të Hirplotit Absolut dhe hijeshinë e pashoqe të Emrave më të Bukur Hyjnorë.
Shkurtazi: Këto Gjashtë Emra dhe Gjashtë drita të Emrit më të madh kanë mbështjellur, mbuluar e përfshirë universin dhe të gjitha qëniet me ngjyra gjithnjë të ndryshme e të larmishme dhe me qëndisje e stolisje.
Çështja e Dytë e Rrezes së Pestë:
Ashtu si manifestimi i Vetekzistueshmërisë së amshuar në univers që është tek niveli i Unitetit dhe i Madhështisë, po ashtu ai manifestim është tek njeriu, i cili është qendra, boshti dhe fruti i vetëdijshëm i universit tek niveli i Njësisë dhe i Bukurisë.
Domethënë, ashtu si universi që ekziston nëpërmjet misterit të Vetekzistueshmërisë së amshuar, El-Kajjumijjeh, po ashtu ai ekziston -nga një drejtim- nëpërmjet njeriut, i cili është vendi më i plotë i manifestimit të Emrit El-Kajjum, Vetekzistuesi i amshuar, sepse meqenëse shumica e urtësive, synimeve, qëllimeve dhe dobive të dukshme në univers orientohen e shikojnë tek njeriu, është sikur manifestimi i Vetekzistueshmërisë tek ai të ishte një mbështetje për universin. Po, mund të thuhet se, I gjalli i Përjetshëm dhe Vetekzistuesi i amshuar e deshi ekzistencën e njeriut në këtë univers dhe e krijoi universin për hir të tij; sepse me gjithëpërfshirjen e natyrës së tij; njeriu mund të kuptojë e të marrë kënaqësi në të gjithë Emrat e bukur Hyjnorë. Në mënyrë të veçantë, ai mund të kuptojë shumë Emra Hyjnorë nëpërmjet kënaqësisë që gjendet në rizk, në furnizimin me ushqime. Kurse melekët, engjëjt, nuk mund t’i njohin ato nëpërmjet asaj kënaqësie.
Si rrjedhojë e kësaj gjithëpërfshirjeje të rëndësishme të njeriut, i Gjalli i Përjetshëm dhe Vetekzistuesi i Amshuar El-Hajj, El-Kajjum i ka dhënë njeriut një stomak dhe një oreks nëpërmjet të cilit Ai e lejon atë të kuptojë të gjithë Emrat Hyjnorë dhe për të shijuar të gjitha varietetet e mirësive të Tij, dhe Ai me bujari ka shtruar tryezën e gjërë sa toka me shumëllojshmëri të pafundme ushqimesh për stomakun e njeriut. Pastaj Ai i dha njeriut jetë dhe e bëri këtë jetë si ai stomak fizik; dhe përpara shqisave, të cilat janë si duart e stomakut të jetës, Ai ka shpërndarë sofrën më të madhe të mirësive. Nëpërmjet shqiseve të saj, jeta jep falënderime e lavdërime për çdo lloj dobie e mirësie që janë mbi tryezën e mirësive.
Dhe pas stomakut të jetës, Ai i ka dhuruar njeriut stomakun e humanizmit, i cili kërkon ushqim e mirësi në një sferë më të gjërë se sa jeta. Ai i bëri mendjen, mendimin dhe imagjinatën, si duart e këtij stomaku, të përfitojnë prej tryezës së Mëshirës, e cila është aq e gjërë sa qiejt dhe toka, dhe jep falënderime e lavdërime përpara Krijuesit të Vet.
Dhe pas stomakut të humanizmit, Ai ka shpërndarë para njeriut një tryezë tjetër mirësish e cila është pafundësisht e gjërë. Ai i ka bërë besimet e islamit dhe të imanit si një stomak jolëndor duke kërkuar shumë ushqim dhe e ka shtrirë tryezën e tij jashtë sferës së mundësisë dhe ka përfshirë në të Emrat Hyjnorë. Kështu, nëpërmjet këtij stomaku dhe kënaqësisë më të madhe të ushqimit, njeriu kupton e ndjen manifestimet e Emrave Hyjnorë Er-Rahman dhe El-Hakim I Gjithëmëshirshmi, i Gjithurti dhe në mënyrë të përsëritur thotë:
“I Gjithë lavdërimi i takon Allahut për mëshirën e Tij të gjërë dhe për urtësinë e Tij madhështore!”.. Dhe kështu, njeriu është në gjendje të përfitojë prej mirësive të pakufishme Hyjnore nëpërmjet këtij stomaku të madh jolëndor. Dhe ndodhet një sferë tjetër në këtë stomak, e cila është kënaqësia e dashurisë Hyjnore…
Kështu, i Gjalli i Përjetshëm dhe Vetekzistuesi i amshuar El-Hajj, El-Kajjum, e ka bërë njeriun një qendër dhe një bosht për universin; Ai ka shpërndarë përpara tij një tryezë mirësish aq të gjërë sa universi, dhe ia ka nënshtruar universin atij me qëllim që të shijojë llojet lëndore dhe jolëndore të stomakut të tij.
Arsyeja për këtë dhe për universin, nga një drejtim, duke u mbajtur e qëndruar nëpërmjet misterit të Vetekzistueshmërisë së amshuar e manifestuar nëpërmjet njeriut janë për shkak të tre detyrave të rëndësishme:
Detyra e Tij e Parë
Të gjitha varietetet e mirësive të shpërndara gjithandej universit janë vënë në rregull nëpërmjet njeriut, dhe janë lidhur me hallkat e dobive të cilat i përkasin njeriut, ashtu siç vihen në rregull tesbihet e faljes nëpërmjet spangos, dhe lidhen majet e spangove të mirësive nëpërmjet njeriut, dobive dhe përfitimeve të tij, dhe bëhet njeriu i ngjashëm me një indeks për të gjitha llojet e thesareve të mëshirës Hyjnore dhe si një model për përmbajtjen e tyre.
Detyra e Tij e Dytë
Nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tij, kjo është për njeriun të jetë marrësi më i plotë i adresimit të të Gjallit të Përjetshëm dhe Vetekzistuesit të amshuar, El-Hajj, El-Kajjum; nëpërmjet vlerësimit e admirimit të arteve të Tij të çuditshme, të jetë lajmëtari i Tij më i lartë; dhe nëpërmjet dhënies së çdo lloji prej falënderimeve të vetëdijshme, të japë lavdërime, lartësime e falënderime për të gjitha shumëllojshmëritë e mirësive të Tij dhe për varietetet e ndryshme të pakufishme të dhuratave të Tij.
Detyra e Tij e Tretë
Nëpërmjet jetës së tij, ai duhet të veprojë si një pasqyrë për Të Gjallin e përjetshëm dhe Vetekzistuesin e amshuar El-Hajj, El-Kajjum dhe për të gjitha cilësitë dhe atributet e gjithanshme në tre aspekte:
Aspekti i Parë: Kjo është që njeriu të kapë e të ndjejë nëpërmjet pafuqisë së tij absolute fuqinë absolute të Krijuesit të Tij dhe nivelet e asaj fuqie absolute, dhe nëpërmjet shkallëve të pafuqisë së tij të kapë e kuptojë shkallët e fuqisë së Krijuesit. Është të kuptojë, nëpërmjet varfërisë së tij absolute, mëshirën e Krijuesit dhe shkallët e mëshirës së Tij, dhe nëpërmjet dobësisë së tij të kuptojë fuqinë madhështore të Krijuesit xh.sh… e kështu me rradhë. Nëpërmjet cilësive të tij të mangëta e të pjesshme të jetë një pasqyrë e cila është si një instrument matës për atributet e plotësimit të Krijuesit të tij. Në të njëjtën mënyrë siç është errësira e natës një pasqyrë e plotë për të shfaqur dritën elektrike, shkëlqimin e dritës duke qenë në raport me errësirën e natës, edhe njeriu vepron si një pasqyrë për plotësimet Hyjnore nëpërmjet cilësive të tij të mangëta e të pjesshme.
Aspekti i Dytë: Duke përdorur universin si një masë jardi dhe nëpërmjet dëshirës së vogël, pronësisë në pamje të jashtme, dhe nëpërmjet ndërtimit të shtëpisë së vet, njeriu mund të kuptojë e të veprojë si një pasqyrë për pronësinë, artin, dëshirën dhe për njohjen e Formëdhënësit të universit.
Aspekti i Tretë: Veprimi i njeriut si një pasqyrë në këtë drejtim ka dy fytyra:
E Para: është të shfaqë në vetveten qëndisjet gjithnjë të ndryshme të Emrave të Bukur Hyjnorë. Për ta shprehur më thjeshtë, nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tij, njeriu është si një indeks i vogël dhe një model i zvogëluar i universit dhe kështu shfaq manifestimet dhe qëndisjet e të gjithë Emrave të bukur Hyjnorë.
Fytyra e Dytë: Kjo fytyrë vepron si një pasqyrë për Atributet Hyjnore. Domethënë, ashtu siç e tregon njeriu jetën e të Gjallit të Përjetshëm dhe të Vetekzistuesit të amshuar El-Hajj, El-Kajjum nëpërmjet jetës së tij, po kështu ai vepron si një pasqyrë dhe i bën të njohur atributet e të Gjallit të Përjetshëm dhe Vetekzistuesit të amshuar të tilla si dëgjimi e shikimi, nëpërmjet shqisës së tij të të dëgjuarit dhe shqisës së të parit që zhvillohen gjatë jetës së tij.
Për më tepër, njeriu vepron si një pasqyrë për atributet e shenjta të të Gjallit të Përjetshëm dhe Vetekzistuesit të amshuar El-Hajj El-Kajjum nëpërmjet pikërisht shqiseve të shumta dhe përgjigjëse, kuptimeve dhe emocioneve që janë të pranishme me jetën e tij, të cilat mund të mos zhvillohen brenda jetës së tij – por ziejnë në formën e ndjenjave dhe të emocioneve. Për shembull, si rezultat i emocioneve të tilla, nëpërmjet kuptimeve si; dashuria, ndjenja e krenarisë, e kënaqësisë, e gëzimit dhe e lumturisë, ai vepron si një pasqyrë për atributet e atij lloji, me kusht që ato të jenë të përshtatshme e të denja për shenjtërinë dhe për vetëmjaftueshmërinë absolute të Esencës më të pastër e më të shenjtë.
Gjithashtu, nëpërmjet jetës së tij gjithëpërfshirëse, njeriu është një instrument i cili i njeh, i mat atributet madhështore të Krijuesit dhe aktet e Tij të urta, dhe është një indeks për manifestimin e Emrave të bukur Hyjnorë dhe është një pasqyrë e vetëdijshme dhe, kështu me radhë, ai vepron si një pasqyrë për të Gjallin e Përjetshëm dhe Vetekzistuesin e amshuar El-Hajj, El-Kajjum në shumë drejtime. Gjithashtu njeriu është një njësi matje, një indeks, një peshore dhe një balancë për të vërtetat e universit.
Për shembull, një dëshmi tepër vendimtare e ekzistencës së Pllakës së Ruajtur –El-leuhul-Mahfudh– në univers dhe një shembull i saj është aftësia e kujtesës tek njeriu. Dhe një dëshmi vendimtare e ekzistencës së Botës së shëmbëllesës dhe një shembull i saj është aftësia e imagjinatës së njeriut. Dhe një dëshmi e ekzistencës së qënieve me shpirt në univers dhe një shembull i tyre janë forcat dhe aftësitë e holla tek njeriu.[43] Dhe kështu me radhë. Në një masë të vogël njeriu mund të shfaqë, në një mënyrë që nuk mund të mohohet, të vërtetat e besimit në univers.
Kështu, njeriu kryen shumë funksione të rëndësishme si detyrat që u përmendën lart. Ai është një pasqyrë për manifestimin e bukurisë së qëndrueshme. Ai është vendi i manifestimit duke shpallur e treguar plotësimin e amshuar. Ai është nevojtar e mirënjohës për mëshirën e gjërë të përjetshme. Meqenëse bukuria, plotësimi dhe mëshira janë të përhershme, atëherë sigurisht është e domosdoshme dhe e pashmangshme që njeriu, i cili është një pasqyrë e dëshirueshme për bukurinë e qëndrueshme, një lajmëtar i magjepsur pas plotësimit të amshuar dhe mirënjohës e nevojtar për mëshirë të përjetshme, do të shkojë në botën e përhershme me qëllim që të mbetet atje përjetësisht, që të shkojë në përjetësi me qëllim që t’i shoqërojë ato cilësi të përjetshme dhe do të shoqërojë atë bukuri të përjetshme, plotësimin e amshuar dhe mëshirën e përhershme për të gjithë përjetësinë. Sepse një bukuri e përjetshme nuk mund të jetë e kënaqur me një admirues të përkohshëm dhe me një dashurues të vdekshëm. Meqenëse bukuria e do vetveten, ajo dëshiron dashuri si shpërblim për dashurinë e saj. Ndërsa përkohshmëria dhe paqëndrueshmëria e transformojnë një dashuri të tillë në armiqësi. Në qoftë se njeriu nuk do të shkonte në përjetësi dhe nuk do të qëndronte atje përjetësisht, në vend të dashurisë të tij të bashkëlindur për bukurinë e përjetshme, do të kishte armiqësi ashtu siç është shpjeguar në një shënim në Fjalën e Dhjetë, një herë një bukuroshe e famshme kur e dëboi një dashuruesin e saj prej pranisë së saj, u transformua dashuria për bukurinë tek dashuruesi i dëbuar në shëmti e urrejtje, saqë ai filloi ta ngushëllonte vetveten duke thënë: Uf! Sa e shëmtuar është ajo! Duke mohuar e fyer kështu bukurinë e saj.
Po, njeriu është armiqësor ndaj asaj që është e panjohur për të, ashtu siç dëshiron të jetë armiqësor e të zbulojë të metat e defektet e gjërave të cilat ai nuk mund t’i marrë apo t’i shtie në dorë. Meqenëse, ashtu siç dëshmon i gjithë universi, i Dashuri i Vërtetë dhe Hirploti Absolut e bën njeriun që ta dojë Atë nëpërmjet Emrave të Tij më të bukur, të cilët janë që të gjithë të bukur, të shkëlqyer e të dëshirueshëm për njeriun që ta dojë Atë, atëherë sigurisht Ai nuk do ta pajiste njeriun, i cili është edhe i dashuri i Tij edhe Dashuruesi i Tij, me një armiqësi të bashkëlindur dhe ta bënte të mërzitur me Veten e Tij nga larg; Ai nuk do ta pajiste shpirtin e njeriut me një armiqësi të fshehur, gjë e cila do të ishte krejtësisht në kundërshtim me natyrën e njeriut, i cili nga natyra është më i dashuri dhe krijesa më e dashur dhe më e jashtëzakonshme që Ai ka krijuar për adhurim. Sepse njeriu do të ishte në gjendje të kuronte plagët e thella të shkaktuara nga ndarja e përjetshme prej një bukurie absolute të cilën ai e do dhe vlerën e së cilës ai e çmon ndaj saj, duke u mërzitur me të dhe duke e mohuar.
Pikërisht nga kjo pikë buron armiqësia e mohuesve ndaj Zotit të Plotëfuqishëm.. Prandaj, Bukuria e parapërjetshme sigurisht që do të bënte për këtë njeri një jetë të përhershme në një botë të qëndrueshme me qëllim që të jenë të pranishme së bashku me të i cili është një pasqyrë e përmalluar për Atë në udhëtimin drejt paspërjetësisë.
Meqenëse njeriu është krijuar në një mënyrë të tillë që nga pikërisht natyra e tij ai përmallohet për një bukuri të qëndrueshme dhe u krijua dashurues për atë bukuri – dhe bukuria e qëndrueshme nuk kënaqet me një përmallues të përkohshëm.. dhe njeriu i qetëson dhimbjet e tij dhe dëshpërimet që burojnë nga ndonjë qëllim që ai nuk e njeh, ose që nuk mund ta arrijë apo ta shtie në dorë, ai kërkon të meta e defekte në të, madje e qetëson vetveten me armiqësi të fshehur ndaj tij duke e ngushëlluar vetveten me këtë armiqësi.. Dhe meqenëse universi u krijua për hir të këtij njeriu, dhe njeriu u krijua për ta njohur e për ta dashur Zotin xh.sh.; dhe meqenëse Krijuesi i Universit bashkë me Emrat e Tij të bukur, është i përjetshëm; dhe meqenëse manifestimi i Emrave të Tij do të jetë i Përjetshëm i amshuar dhe i paspërjetshëm, atëherë sigurisht njeriu do të shkojë për tek një botë e përjetshme dhe do të manifestojë një jetë të përhershme.
Për më tepër, Muhammedi arab a.s.m., i cili është njeriu më i plotë dhe udhëzuesi më i madh për tek Allahu xh.sh. demonstroi në formën më të plotë në veten e tij dhe në fenë e tij vlerën dhe të gjitha plotësimet dhe detyrat që ne i kemi shpjeguar lart lidhur me njeriun, kjo demonstron se universi u krijua për njerëzimin, domethënë qëllimi i tij dhe synimi i tij është njerëzimi. Po ashtu qëllimi dhe synimi i njerëzimit dhe anëtari i tij më i zgjedhur e më i vlefshëm dhe pasqyra e tij më e ndritshme për të Vetmin Unik të Amshuar është Muhammedi a.s.m.. Mbi Të, mbi familjen e tij dhe mbi sahabët qofshin përshëndetjet e bekimet sa numri i të mirave të ummetit të tij..
O Allah! O i Gjithëmëshirshëm! O Mëshirëplotë! O i Vetëm! O i Gjallë i Përjetshëm! O i Ditur! O i Drejtë! O i Shenjtë! Ne të lutemi nëpërmjet të vërtetës së kriterit Tënd dallues të gjithurtë midis të vërtetës dhe të shtrembërës -Kuranit- dhe nëpërmjet nderimit të të dashurit Tënd më të nderuar, dhe nëpërmjet të vërtetës së Emrave të Tu më të bukur, dhe nëpërmjet nderimit për Emrin Tënd më të madh, të na ruash ne nga e keqja e nefsit urdhërues për të liga, nga e keqja e shejtanit dhe nga e keqja e xhindëve dhe e njerëzve. Amin!
“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë që vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti”.[44]
* * *
[1] Kuran, 51:48
[2] Ne nuk duhet të harrojmë se cilësitë e këqija, besimet e rreme, mëkatet dhe bidatet, të gjitha janë shembujt e papastërtisë morale e shpirtërore.
[3] Muslimi
[4] Kuran, 2:222
[5] Kur’an, 15:21
[6] Kur’an, 55: 7-9
[7] Kur’an, 16:125
[8]Ju mund ta llogarisni se sa shumë dru, qymyr ose karburant do të ishin të domosdoshme për sobën ose për llambën e diellit, e cila ngroh pallatin e botës. Sipas llogaritjes së astronomisë, që ai të ndizet për çdo ditë, do të ishte e domosdoshme të kishte turra drush sa një milion toka dhe me mijëra oqeanë vaj. Tani mendo! dhe thuaj SubhanAllah.. MashaAllah.. TebarekAllah.. sa numri i grimcave të diejve përballë madhështisë, urtësisë dhe fuqisë së të Gjithëfuqishmit të Vetëm të Lavdisë, i Cili e bëri atë të japë dritë në mënyrë të vazhdueshme pa lëndë djegëse dhe pa karburant. Autori
[9] Kur’an, 7:31
[10] Kur’an, 2:32
[11] Kur’an, 1I2: 1
[12] Kur’an, 21:22
[13] Kur’an, 67: 3
[14] Në fakt prova më e qartë dhe dëshmia më e fuqishme për ekzistencën e plotësimeve të pafundme Hyjnore dhe për bukurinë është Uniteti Hyjnor, sepse në qoftë se do të njihej se autori i universit është Një i Vetëm, Unik, atëherë të gjitha plotësimet dhe bukuria e universit do të njiheshin se janë hijet, manifestimet, shenjat dhe distilimet e plotësimeve të shenjta dhe e bukurisë që është e pranishme tek Autori i Unitetit. Ndërsa në qoftë se nuk do të njihej Autori i Vetëm, atëherë plotësimet dhe bukuritë e universit do t’u përkisnin krijesave dhe shkaqeve, dhe thesari i përjetshëm i plotësimeve Hyjnore do të kishte mbetur i panjohur për mendjen njerëzore, sepse ajo ka humbur çelësin e atyre thesareve të përjetshme.
[15] Kur’an, 2:32
[16] Kur’an, 30:50
[17] Kur’an, 2:255
[18] Kur’an, 23:80
[19] Kur’an, 40:68
[20] Kur’an, 30:24
[21] Kur’an, 52:58
[22] Kur’an, 26:80
[23] Kur’an, 42:28
[24] Kur’an, 2:32
[25] Në qoftë se lexuesi i kësaj trajtese nuk ka njohuri të gjërë në shkenca, ai nuk duhet ta lexojë këtë rreze, ose ta lexojë atë në fund, dhe le të fillojë me rrezen e dytë. Autori
[26] Kur’an, 36:83
[27] Kur’an, 39:63
[28] Kur’an, 15:21
[29] Kur’an, 11:56
[30] Kur’an, 42:11
[31] Kur’an, 2:255
[32] Kur’an, 11:56
[33] Kur’an, 39:63
[34] Kur’an, 13: 2
[35] Kur’an, 11:123
[36] Kur’an, 55:29
[37] Kur’an, 85:16
[38] Kur’an, 30:54
[39] Kur’an, 36:83
[40] Kur’an, 30:50
[41] Kur’an, 2:258
[42] Kjo është një përmbledhje shumë e shkurtër e Gjashtë Emrave Hyjnorë të cilët mbajnë Emrin më të madh dhe janë baza dhe subjekti i Gjashtë pjesëve kryesore të Shkreptimës së Tridhjetë.
[43] Po, elementet e njeriut tregojnë elementet në univers, kockat e tij tregojnë gurët dhe shkëmbinjtë; floku i tij bimët dhe pemët, dhe gjaku që rrjedh e qarkullon në trupin e tij dhe lëngjet e ndryshme që dalin prej syve të tij, veshëve, hundës dhe gjuhës tregojnë burimet e tokës dhe ujërat minerale të tokës. Gjithashtu shpirti i njeriuit tregon botën e shpirtërave, aftësia e tij e kujtesës tregon Pllakën e Ruajtur, El-leuhul-Mahfudhin, dhe fuqia e tij e imagjinatës tregon botën e shëmbëllesës, dhe kështu me radhë. Secila nga gjymtyrët dhe nga aftësitë e tij tregon një botë të ndritshme dhe jep dëshmi vendimtare për ekzistencën e tyre.
[44] Kur’an, 2:32