Esenca e Ekzistuesit të domosdoshëm zotëron një bukuri të pafundme dhe plotësim të pafundme, sepse të gjitha shumëllojshmëritë e bukurisë dhe të plotësimit të shpërndara gjithandej universit janë shenja dhe tregues të bukurisë dhe të Plotësimit të Tij.

Dhe ashtu si ata të cilët kanë bukuri e plotësim, në mënyrë të vetëkuptueshme, e duan bukurinë dhe plotësimin e tyre, po ashtu edhe i Vetmi i Gjithëlavdishëm e do shumë Bukurinë e Tij. Për më tepër, Ai e do Atë në një mënyrë të përshtatshme për Veten e Tij.

Përveç kësaj, Ai i do Emrat e Tij, të cilët janë rrezet e bukurisë së Tij. Meqenëse Ai i do Emrat e Tij, Ai sigurisht e do artin e Tij, i cili shfaq bukurinë e Emrave të Tij. Atëherë, Ai gjithashtu i do krijesat e Tij të cilat janë pasqyra për bukurinë dhe për plotësimin e Tij.

Meqenëse Ai i do ata të cilët shfaqin bukurinë dhe plotësimin e Tij, Ai sigurisht  do cilësitë e bukura të krijesave të Tij të cilat tregojnë bukurinë dhe plotësimin e Emrave të Tij. Kur’ani i Gjithurtë aludon për këto pesë lloje dashurie me vërsetet e tij.

Kështu, meqenëse Profeti më i nderuar a.s.m. ishte individi më i plotësuar midis krijesave dhe më i shquari i qënieve dhe, meqenëse ai e shpalli dhe e vlerësoi artin Hyjnor me një bujë tesbihatesh, lavdërimesh dhe recitimesh të Emrave të Zotit dhe, meqenëse ai i shpjegoi në mënyrë të shndritshme dhe me forcë bindëse nëpërmjet gjuhës së Kur’anit dëshmitë e plotësimit të Autorit të shenjave të universit dhe, meqenëse nëpërmjet adhurimit të tij universal ai veproi si një pasqyrë e Perëndisë, Hyjnisë dhe meqenëse nëpërmjet gjithëpërfshirjes së natyrës së tij esenciale, ai ishte vendi më i plotë i manifestimit të të gjithë Emrave të bukur Hyjnorë, atëherë, sigurisht mund të thuhet se meqenëse Hirploti i Vetëm i lavdisë e do bukurinë e Vet, Ai e do edhe Muhammedin arab a.s.m.,  i cili ishte pasqyra më e plotë e vetëdijshme për Bukurinë e Tij. Dhe meqenëse Ai i do Emrat e Tij, Ai e do edhe Muhammedin arab a.s.m., i cili ishte pasqyra më e ndritshme për reflektimin e atyre Emrave dhe Ai i do, sipas shkallëve të tyre, edhe ata të cilët i përngjasojnë atij.

Dhe meqenëse Ai e do artin e Tij, sigurisht Ai e do Muhammedin Arab a.s.m., i cili e shpalli artin e Tij para të gjithë universit me zë ushtues, duke e bërë atë të kumbojë në veshët e qiejve dhe i cili me një rrëmet (zhurmë) tesbihatesh dhe recitimesh të lavdërimeve Hyjnore, e solli në ekstazë tokën dhe detin; dhe Ai i do gjithashtu ata të cilët e ndjekin atë.

Dhe meqenëse Ai i do artifaktet e Tij, Ai i do gjithashtu qëniet e gjalla, më të plotat e artifakteve të Tij, dhe qëniet e vetëdijshme, më të plotat e qënieve të gjalla, dhe qëniet njerëzore, më eprorët e qënieve të vetëdijshme, dhe Ai sigurisht e do më shumë nga të gjithë Muhammedin arab a.s.m. i cili, ashtu siç është pranuar me unanimitet nga të gjithë, ishte më i ploti i qënieve njerëzore.

Dhe meqenëse Ai i do virtytet morale të krijesave të Tij, Ai e do Muhammedin arab a.s.m. që cilësitë morale të të cilit ishin pikërisht tek shkalla më e lartë, ashtu siç është pranuar unanimisht, dhe Ai gjithashtu i do sipas shkallëve të tyre, ata të cilët i përngjasojnë atij. Kjo do të thotë se dashuria e Zotit ka rrethuar gjithësinë ashtu siç e ka rrethuar atë Mëshira e Tij.

Kështu, shkalla më e lartë midis pesë aspekteve të lartëpërmendura brenda të dashurve të panumërt, është shkalla që i përket Muhammedit a.s.m. dhe për hir të saj , iu dha atij emri “Habibull-llah”,  “i Dashuri i Zotit”. Për këtë arsye, Sulejman Efendiu e shprehu këtë rangun më të lartë, rangun e të qënit: I Dashuri i Zotit xh.sh., me fjalët: “Unë  jam Dashuruesi yt, Unë të kam bërë ty të dashur”. Kjo shprehje është një mjet për mendimin reflektiv dhe një aluzion nga larg i kësaj të vërtete. Megjithatë, meqenëse ajo zgjon kuptime të papërsëritshme për Atributet e Hyjnisë, do të ishte më mirë, që në vend të saj, të thuhej: “Unë jam i kënaqur me ty”.

 

“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë që vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti.”[1]

 

I Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!

Said Nursi

 

[1] Kur’an, 2: 32