Zekati është njëri prej elementëve themelorë mbi të cilët ngrihet Islami. Kuptimi leksikor fjalës zekat është shtim, shumëfishim, pastrim dhe begati. Kurse me kuptimin terminologjik, zekatis hpreh veprimin e dhënies së një malli në sasi dhe masë të caktuar nga persona të caktuar personave dhe vendeve të caktuara. Edhe konceptet si sadaka, infak (kontribut) dhe ushr (e dhjetë) përdoren brenda kushtesh të caktuara, në vend të fjalës zekat.
Në mënyrë të veçantë, zekati nuk është vetëm një ndihmë materiale-pasurore, por një adhurim si namazi, agjërimi dhe haxhi. Njeriu që beson, me anë të zekatit zbaton një urdhër të Zotit duke fituar sevape për ahiretin. Ndërkaq, sevapi i fituar është elementi më i rëndësishëm që formon jetën e pasme para së cilës do të ndodhet njeriu pas bëmave të tij në këtë botë. Xheneti ose xhehenemi janë mjedise alternative të pasvdekjes të varura nga raporti mes mirësisë dhe mëkatit.
Ndërsa adhurimet si namazi dhe agjërimi kryhen me trup (fizikisht), zekati është një adhurim që ka të bëjë vetëm me pasurinë dhe shpreh një organizim që synon ngritjen e nivelit të gjendjes dhe mirëqenies shoqërore jo vetëm të një grupi, por të të gjithë individëve të shoqërisë. Zekati nuk është një institucion ndihme i rekomanduar siç janë institucionet e solidaritetit dhe ndihmës në sisteme të tjera, përkundrazi, një element mbi të cilin ngrihet feja, një parim ndër parimet kryesore dhe emërtimi i njërit prej katër adhurimeve ku futen edhe namazi, agjërimi dhe haxhi.
Në të njëjtën kohë, zekati është njëra prej të drejtave të të varfrit mbi pasurinë e të pasurit. Dhe këtë të drejtë është Allahu që e përcakton, Ai që është pronari i vërtetë i pronës dhe pasurisë. Prandaj është eliminuar trualli që do t’i linte shteg të pasurit që, duke i dhënë zekatin të varfrit, ta linte atë nën detyrimin e mirënjohjes.
Duke u nisur nga kushtet, personi që është i ngarkuar me përgjegjësinë për të dhënë zekat, nuk mundet të rrijë pa e dhënë zekatin sepse, në të kundërt, do të përballej me një ndëshkim edhe material, të kësaj bote, edhe shpirtëror, të botës tjetër. Qëndrimi i mbajtur në periudhën e Ebu Bekrit ndaj atyre që falnin namaz por s’donin të jepnin zekat,[1] si dhe ndëshkimet shpirtërore të paralajmëruara për ta në botën tjetër,[2] janë një tregues i hapur i kësaj.
[1] Shih. Buhari, Iman, 1, 17; I’tisam, 2, 28; Zekat, I, 40; Muslim, Iman, 19-21, 36; Ebu Davud, Zekat, 1, 4; Nesai, Zekat, 4.
[2] Shih. Tevbe, 9/34; Al-i Imran, 3/180; Buhari, Zekat, 3, 4; Muslim, Zekat, 24.