Rinia sigurisht që do të ikë e do të mbarojë. Sepse
– Ashtu si vera që u jep vendin e saj vjeshtës dhe dimrit, dhe
– Ashtu siç ndiqet dita nga mbrëmja dhe nata;
– Po ashtu edhe rinia gjithashtu do të transformohet në pleqëri e në vdekje;
kjo është aq e sigurt si shembulli i kësaj të vërtete.
- Të gjitha urdhëresat qiellore japin sihariqe se,
Në qoftë se rinia kalimtare dhe e përkohshme harxhohet e kalon në vepra të mira, në dëlirësi dhe brenda limiteve të sjelljes së mirë, atëherë ajo do ta bënte njeriun të fitojë një rini të pavdekshme, të përjetshme.
Në qoftë se, nga ana tjetër, rinia harxhohet në ligësi e shthurje,
Atëherë ashtu si zemërimi i një minuti që mund ta shtyjë njeriun në kryerjen e krimit të vrasjes dhe e çon në vuajtjen e miliona minutave prej dënimit të burgut; po ashtu dehja e rinisë, dalldia, shthurja dhe kënaqësia e saj kalimtare [në gjërat që nuk i ka lejuar Allahu] i shkaktojnë njeriut dhimbje më të shumta e më të thella në pikërisht kënaqësinë e paligjshme, përveç ndëshkimit të tmerrshëm në Ahiret dhe dënimit pikëllues në dynja dhe përveç vuajtjeve dhe ndëshkimeve të thella që shkaktohen nga zhdukja e kënaqësive dhe përveç mëkateve dhe dënimeve që vuan në këtë botë.
- Çdo i ri me mend, nga eksperienca e vet, dëshmon për vërtetësinë e ekzistencës së këtyre dhimbjeve në pikërisht kënaqësinë.
Për shembull, në dashurinë e ndaluar, ose në ashkun jo në mënyrën e drejtë ndodhen dhimbje që e hidhërojnë kënaqësinë e pjesshme në to; prej tyre janë:
– Dhimbja e xhelozisë;
– Dhimbja e ndarjes nga i dashuri;
– Dhimbja e mospërgjigjies me të njëjtën dashuri, si dhe shumë hidhërime të tjera të cilat e transformojnë atë kënaqësi të pjesshme në mjalt helmues.
- Në qoftë se ti dëshiron të dish se si ata
– Përfundojnë në spitale për shkak të sëmundjeve që shkaktohen nga keqpërdorimi i rinisë së tyre;
– Përfundojnë në burgje për shkak të teprive të tyre;
– Përfundojnë nëpër pijetore, mejhane, në vende të shthurjes dhe në varreza për shkak të dëshpërimit që buron nga boshllëku dhe nga mosushqimi i zemrave dhe i shpirtrave të tyre dhe nga moskryerja e funksioneve të tyre të drejta,
Shko e pyet tek spitalet, tek burgjet, tek pijetoret dhe tek varrezat!
Ti do të dëgjosh vajtimet dhe ofshamat e dëshpërimit nga goditjet që kanë marrë të rinjtë si dënim për abuzimet në rininë e tyre, për tepritë dhe ekstremet e tyre dhe për kënaqësitë e paligjshme.
- Me në krye Kur’anin Kerím, me shumë nga vërsetet e tij, të gjithë Librat Qiellorë dhe Shkrimet e Shenjta japin sihariqe se,
Në qoftë se do të shpenzohet brenda caqeve të moderimit,
– Rinia është një mirësi e këndshme dhe e ëmbël;
– Është një mjet i fuqishëm për veprat e mira, e cila fiton rezultatin e një rinie të ndritshme e të pavdekshme në Ahiret- Botën tjetër.
– Meqenëse realiteti është ky;
– Meqenëse limitet e të lejuarës janë të mjaftueshme për kënaqësi; dhe
– Meqenëse një orë prej kënaqësisë së paligjshme çon ndonjëherë në një dënim prej një ose dhjetë vite burgimi,
atëherë sigurisht është absolutisht e domosdoshme që ta shpenzojmë mirësinë e ëmbël të rinisë me dëlirësi, me ndershmëri dhe në rrugën e drejtë si mirënjohje dhe falënderime ndaj asaj mirësie të shijshme të dhuruar, madje kjo është më e domosdoshmja.
Bediuzzaman Said Nursi