Nëse ka një muaj, që mbruhet me një hare që nuk ka të shuar, një kënaqësi që s’mbaron dhe me një dashuri që nuk di të pakësuar, ai është Ramazani. Ditët dhe netët e Ramazanit, që t’i ofron me shijen më të ëmbël të gjithë thelbin, shpirtin dhe përmbajtjen e të gjitha muajve dhe stinëve që kalojnë gjithë naze përgjatë gjithë vitit; çdo çast, i mbështjellin zemrat me një kënaqësi dhe me një embëlsi aq të rrallë, i përqafon ato me dhembshuri, i përkëdhel me dashuri dhe u fal entuziazmin e dëshirës për të jetuar.

Në çdo anë të botës, por veçanërisht në vendet myslymane dhe sidomos në botën tonë, ditët e Ramazanit bëhën epiqendra e çdo interesimi, sheshi i tërë kënaqësive shpirtërore, skena e gjithë emocioneve të mundshme, një spirale drite për çdo lartësim dhe një mundësi e hapur kah zgjerimi dhe thellimi i të gjitha vetive njerëzore, një hapësirë ku fitimi është shumë i madh.

Ditët e Ramazanit, me netët kapluar nga ndjenjat më të veçanta dhe ditët që lindin me një dritë të veçantë, frymojnë një frymë të pashoqe ndër zemra… dhe i përbashkon edhe njëherë të gjitha pjesët e shkëputura nga njëra-tjetra të shoqërisë, i bën një, u hap rrugën e bashkësisë gjithë njerëzve të veçuar dhe u jep fund mërgimit të tyre… i shtron secilit, në dimensione të ndryshme, nga një gosti të veçantë ndjesish dhe mendimesh duke i zgjuar të gjithë edhe njëherë që ti çelin sytë kah jeta.

Ramazani është i mbështjellë nga një aurë drite në çdo vend, duke filluar që nga kulmi i minaresë, deri te abazhurët e stolisur brenda xhamisë, nga llambat e shtrira përskaj në të djathtë dhe të majtë të rrugëve që zgjaten drejt faltoreve, e deri te dritat e shtëpisë, e nga qashtërsia që ndrit në fytyrat e besimtarëve, deri te ndriçimi që mbizotëron në zemrat e tyre. Sidomos në ditët e sotme, kur feja i është rikthyer edhe njëherë rinisë së saj, ai vjen dhe i ledhaton zemrat me një atmosfere, një dritë dhe një aromë krejt të veçantë, aq sa vetëm flatrimi me krahët e dashurisë së përmalluar mund të jetë aq tërheqës, aq zilepsëse. Sikur pa ardhur muaji i Ramazanit mes njeriut dhe dëshirës së shpirtit njerëzor për pafundësi të ish veç një perde që i ndante dhe ja, tani, sikur ajo perde hapet… dhe gjithë dashuria e dëshira që deri në atë çast kish fjetur qetësisht në ndonjë nga qoshet e zemrës, merr jetë, kapardiset, shkumon; mbështjell tërë qenien dhe shndërrohet pa pra në një dëshirë të pakapërcyeshme për ritakimin e përmallshëm. Dhe, për ta plotësuar këtë dëshirë të madhërishme, kërkohen agimet në të cilat shfaqen flladitshëm, njëra pas tjetrës, erërat e pasgyrimit, dhe vlerësohet çdo namaz, i kthyer në nga një dritare e hapur kah e përtejmja për çdokënd… shpirtrat entuziazmohen me teravitë, që janë frymë e jetë për shpirtin… ndjenjave u jepen gota të tëra me frymëzime hyjnore… dhe, saora, sipas gradës secilit sikur përjetësohet, thellohet në përbrendësi, duke marre një farë trajte engjëllore.

Duke qenë se Ramazani është muaji i Kur’anit, edhe ata që kanë mbetur larg Kur’anit për një vit të tërë, e gjeinë veten në atë atmosferë rrëzëllitëse me një etje të madhe… dhe Kur’ani i ujit të gjitha luginat e qenies që kanë zënë të thahen, me tërë shpirtin, domethënien, misteret dhe mirësitë që ka derdhur vrullshëm mbi kryet e tyre… i kthen botët e zemrave të tyre në kopshtije të mbushura me lule, duke u falur kënaqësinë e madhe të ekzistencës. Në Kur’an ata ndiejnë dhe dëgjojnë krejt ekzistencën; bëhen me krahë nga ndjenjat dhe mendimet e përftuara prej tij .. ndjejnë se si në Kur’an merr frymë i tërë krijimi mbarë dhe drithërohen… herë-herë ekzaltohen në drithërima; herë- herë marrin frymë me lot, e me lotët zbrazen, gjersa ndiejnë se perdet janë ngritur e ata janë më pranë Allahut se kurrë duke e gjetur sakaq veten të përfshirë nën një melodi të veçantë kënaqësie.

Përmbajtjen e thellë të Kur’anit vetëm ata që arrijnë të ndiejnë në Të gjithë zërin e ekzistencës dhe njekohësisht të tërë atë muzikë të frikës dhe shpresës, shqetësimit dhe gëzimit, vuajtjes dhe haresë. Shpirtrat e mbikohshëm, që arrijnë ta dëgjojnë Kur’anin sikur tu ishte zbritur atyre vetë, dëshmojnë mes falëve të Tij shijen e frutave të Xhenetit, larushinë dhe bukurinë e kopshtijeve të Firdeusit dhe peizazhet e ujëvarat e majave të Rej’janit dhe kjo i bën që të gurgullojnë edhe ata së brendshmi. Zemrat e kulluara, që ngrenë velat drejt thellësive të Tij duke e trajtuar atë me tërë tejdukshmërinë karakteristike të Ramazanit dhe duke përdorur kriteret vlerëçmuese të zemrës, ndjejnë se janë çdo çast duke fituar një farë vlere përjetësie dhe duke njohur sa herë nga një dimension të ndryshëm të pafundësisë. Në mendimet dhe jetët e këtyre njerëzve “metafizika” bëhet plotësuese e “fizikës”, shpirtërorja bëhet vlera dhe përmbajtja e vërtetë e lëndës, e çdo gjë del në pah me të gjitha vlerat e veta në prapaskenë. Dhe poende, në fytyrat e këtyre njerëzve vërehet një ndijim i mistershëm, një botëkuptim i thellë dhe ndryshe, sikur të frymëzuara nga qenia hapur kah rrethi i thellë i Emrave dhe Cilësive Hyjnore, por edhe sikur buron një pjekuri, një ngopje, një qashtërsi, një  përzemërsi dhe ndjeshmëri e ushqyer me kënaqësitë e arta të besimit. Edhe sikur të mos flasin fare, të mos tregojnë asgje, nga ato qëndrime, sjellje, shikime, reagime dhe pozita e tyre kuptimplotë këto kuptime dalin, kuptohen dhe jehojnë në të gjitha anët.

Nuk ka asnjë muaj tjetër që të ketë krahët e përmasën e Kur’anit, si muaji i bekuar i Ramazanit, që i ka të ndritura me një nur të veçantë, si natën, ashtu edhe ditën. Çdo Ramazan, njeriu sheh, ndjen dhe kupton Kur’anin me tërë freskinë e tij dhe burimin e tij të përtejqiejve, njohjen hyjnore me të cilën është i veshur ai, shenjat e tij të shperndara kudo nëpër gjithnajën e kohë-hapësirës, dashurinë e Allahut dhe shenjat e ndritura që shkëlqejnë në fytyrat e atyre që i kanë besuar Atij.

Pa dyshim, gjatë Ramazanit, Kur’ani shndrit me një përjetësi të pashoqe në të gjithë sytë plot shkëlqim të këtyre fytyrave të thadruara prej kaderit, të cilët janë dëshmitarët e thellësisë së brendshme të tërë shpirtërores… gra e burra, të moshuar e të rinj, të pasur e të varfër, të ditur e të paditur, aristokratë e popuj, në këtë prerje të bekuar të kohës, pothuajse të gjithë bëhen njësh me muajin e Ramazanit dhe frymon veç përmbajtjen hyjnore që vjen bashkë me të..

Po, me të të gjithë, secili sipas aftësisë dhe kapacitetit të vet, në një dimension krejt të veçantë, pastrohen nga çdo sjellje e papërshtatshme, çdo veprim që mund ta përmbysë e poshtërojë njeriun, apo çdo papastërti shpirtërore qoftë ajo… duke e shndërruar në një prej njerëzve të Xhenetit. Për nga begatia dhe prurja e çdo të mire muaji i Ramazanit është aq i pasur, sa që çdonjëri që strehohet nën hijen e tij mund të përfitojë nga pasuria dhe ngopja që ai sjell dhe mund të arrijë në mbretëritë e përjetësisë: të rinj e të moshuar, besimtarë të shëndoshë a problematikë, të zgjuar a të mefshtë, inteligjentë a të çmendur, të atillë që u është hapur shikimi përtej perdeve a të atillë që i kanë sytë të mbyllur, të dobishëm a të padobishëm, njerëz që e kapin çdo gjë në ajër a njerëz që nuk lagen as nën shi, të lindur në këtë botë për të sunduar a të lindur për tu sunduar, nga ata që rrinë në këmbë edhe mes njëmijë e një problemesh a ata që nuk durojnë dot as lëkundjen më të vogël e rrokullisen dhe e çojnë jetën me pesimizëm e duke vajtuar apo ata që arrijnë të këndojnë muzikën e shpresës edhe brenda Ferrit, apo ata që nuk gjejnë dot asnjëherë zgjidhje, por e shtyjnë jetën duke u mbështetur te të tjerët – vullnetet zëri i të cilëve kumbon shpresën edhe teksa janë duke u përballur me vështirësitë më të pazgjidhshme, apo edhe ata njerëz që duan më së shumti rehatinë e trupit të tyre e që e kanë programuar jetën vetëmse te të  ngrënët, të pirët dhe të fjeturit dhe ata njerëz që e kanë tejkaluar njëherë e mirë të ngrënët, të pirët dhe gjumin… Po, tërë këto klasa, secila me njerëz krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri, edhe pse secili në përmasa të ndryshme dhe sipas gjendjes dhe aftësive të veta, të gjithë tjetërsohen, pësojnë shndërrime dhe arrijnë në të tjera lartësi medoemos kur hyjnë në atmosferën e këtij muaji…

Në saje të frekuencave në valën e kësaj fshehtësie të mistershme që lëshon mbi grupe të ndryshme njerëzish bukuria dhe drita e Ramazanit dhe për rrjedhojë, edhe madhështia plot domethënie shpirtërore e egzistencës, e cila reflekton në sytë e hapur kah ajo dritë, ky muaj zbret e shkrihet ndër zemra me atë shijen, atmosferën, frymën dhe shpirtin karakterstik të tij, sa që edhe mendjet më kokëforta e inatçore nuk i bëjnë dot rezistence dhe dorëzohen tek ai.

Përgjatë Ramazanit, netët që e mbulojnë çdo gjë me misteret e tyre dhe ditët që i përqafojnë ndjenjat dhe mendimet e njerëzve me butësinë e ëmbëlsinë e tyre, janë aq të ngrohta dhe të buta, sa që çehret që kanë besuar kaplohen aq shumë nga ndjenjat dhe bëhen të thella në mendim, zërat që ftojnë për tek Allahu bëhen aq të dhembshur dhe tërë domethënia e mesazheve që japin këto të gjitha bashkë, janë aq prekëse, sa që ata që mund t’ia hapin zemrat e tyre këtij muaji të faljes, largohen nga shqetësimet dhe vuajtjet, sikur edhe për një farë kohe, dhe mund të ndjejnë lumturinë e Xhenetit. /MFG /zell.al