Vërseti Kur’anor,

“Ai i Cili ka krijuar vdekjen dhe jetën, me qëllim që të provojë kush nga ju është më i miri në vepra.”[1], si dhe vërsete të tjera të ngjashme me këtë nga Kur’ani i gjithurtë, e konsiderojnë ‘vdekjen’ të krijuar, ashtu si jetën, dhe gjithashtu e konsiderojnë si një mirësi Hyjnore”. Por meqenëse në dukje vdekja është një shpërbërje, mosekzistencë, kalbëzim, shuarje e jetës dhe asgjësuesja e kënaqësive, si mund të jetë ajo e krijuar dhe një mirësi?

Përgjigjja: Ashtu siç u pohua në fundin e përgjigjjes së “Pyetjes së Parë”, vdekja është shkarkim nga detyrat e jetës; ajo është një prehje, një pushim, një ndryshim banese, një ndryshim ekzistence, është një ftesë për tek një jetë e amshuar, një fillim dhe parathënia e një jete të pavdekshme. Ashtu si jeta e cila vjen në botë që është nëpërmjet një krijimi dhe një caktimi prej All-llahut xh.sh., po ashtu largimi nga dynjaja është nëpërmjet një krijimi, një caktimi, një urtësie dhe një drejtimi Hyjnor, sepse vdekja e jetës së bimëve, e nivelit më të thjeshtë të jetës, tregon se ajo është një vepër arti më e organizuar dhe më e madhe se jeta, sepse megjithëse vdekja e frutave, e farërave dhe e kokrrave shfaqet të ndodhë nëpërmjet kalbëzimit, prishjes dhe shpërbërjes, vdekja e tyre është në fakt një zënie brumi, një gatim, i cili përmban një reaksion kimik shumë të mirorganizuar dhe të drejtpeshuar duke u kombinuar e bashkuar nga elementet dhe nga formimi i urtë i grimcave. Kjo vdekje e padukshme, e mirorganizuar dhe e urtë shfaqet nëpërmjet jetës së filizave të reja. Domethënë, vdekja e farës është fillimi i jetës së filizës. Në të vërtetë, meqenëse është si vetë jeta, “kjo vdekje është e krijuar dhe e mirorganizuar aq shumë, ashtu si jeta.”

Për më tepër, meqenëse vdekja e frutave të qënieve të gjalla dhe e kafshëve në stomakun njerëzor është fillimi i ngritjes së tyre tek niveli i jetës njerëzore, atëherë mund të thuhet se një vdekje e tillë është krijuar më me shumë organizim se sa jeta e atyre ushqimeve. Kështu, në qoftë se vdekja e jetës së bimëve, që është niveli më i ulët i jetës, është e krijuar, e urtë dhe e organizuar, po ashtu duhet të jetë vdekja që i bie jetës njerëzore, nivelit më të lartë të jetës. Dhe ashtu si një farë e mbjellë nën dhé që bëhet –me vdekjen e saj– një pemë në botën e ajrit, po ashtu një njeri i cili është vendosur në tokë sigurisht do të prodhojë filizat e një jete të përhershme në Botën e ndërmjetme.

Sa për aspektet e shumtë të vdekjes që janë mirësi, ne do të tregojmë katër prej tyre.

  • I pari: Ajo është një mirësi e madhe sepse ajo është çlirim nga detyrat dhe nga obligimet e jetës, të cilat janë bërë të rënda e të bezdisshme; sepse ajo është një derë nëpërmjet të cilës për t’u bashkuar e takuar me nëntëdhjetë e nëntë përqind prej të dashurve të cilët tashmë janë në Botën e Ndërmjetme.
  • I dyti: Ajo është një lirim nga burgu i ngushtë, i mërzitshëm, i trazuar, i errët dhe i turbulluar i kësaj dynjaje dhe, duke manifestuar një jetë të pavdekshme, të gjërë, të gëzueshme, pa mangësi e pa dëshpërim, është të futesh në sferën e mëshirës së të Dashurit të Përjetshëm.
  • I treti: Ndodhen shumë faktorë si pleqëria të cilët i bëjnë kushtet e jetës të rënda e të vështira dhe e shfaqin vdekjen si një mirësi shumë më të lartë se sa jeta. Për shembull, në qoftë se bashkë me prindërit e tu të moshuar, të cilët të shkaktojnë ty shumë vuajtje e vështirësi, do të ishin tani para teje edhe gjyshërit, paraardhësit e tu me të gjithë gjendjen e tyre të mjerë, ti do ta kuptoje se çfarë fatkeqësie është jeta, dhe çfarë mirësie është vdekja. Gjithashtu, për shembull, kuptohet se sa të vështira janë jetët në kushtet e dimrit për insektet e bukur fluturues, dashuruesit e luleve të bukura.. dhe çfarë mëshire janë vdekjet e tyre.
  • I katërti: Ashtu si gjumi që është një lehtësim për njeriun, është mëshirë dhe një pushim, veçanërisht për ata që janë goditur nga fatkeqësia, për të plagosurit dhe të sëmurit; po ashtu vdekja, që është vëllai më i madh i gjumit, është një mirësi e pastër dhe mëshirë për ata që janë goditur nga fatkeqësia dhe vuajnë mundime e prova të rënda të cilat i shtyjnë ata në vetëvrasje. Ndërsa, ashtu siç është provuar në mënyrë vendimtare në shumë nga “Fjalët” (libri FJALET), për njerëzit e çudhëzimit e të humbjes, vdekja për ta, ashtu si jeta, është thjesht një torturë e pastër dhe një vuajtje e pastër, por është jashtë diskutimit këtu.

 

 

 

I Qëndrueshmi i vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!

Said Nursi

 

[1] Kur’an, 67: 2