I Gjithurti i Parapërjetësisë, ashtu siç e kërkon medoemos urtësia e Tij e parapërjetësisë dhe mirëbërësia e Tij e përjetshme, e krijoi këtë botë që të jetë një vend prove, një arenë testimi; një pasqyrë e Emrave të Tij të Bukur, një faqe për penën e Paracaktimit Hyjnor dhe të fuqisë së Tij. Tani prova dhe testimi janë shkaku i rritjes dhe i zhvillimit; dhe rritja e zhvillimi janë shkak për t’u zbuluar potencialet e bashkëlindura, dhe zbulimi i potencialeve është shkak për shfaqjen e prirjeve dhe të aftësive, dhe kjo shfaqje e aftësive u shkakton të vërtetave relative të bëhen të dukshme. Dhe të vërtetat relative duke u bërë të dukshme shkakton shfaqjen e qëndisjeve të manifestimeve të Emrave të Bukur të Krijuesit të Gjithëlavdishëm dhe transformimin e qënieve të universit në formën e mesazheve të përjetshme Hyjnore. Nëpërmjet këtij misteri të testimit dhe misterit të ngarkimit të njeriut me disa detyra që çojnë në pastrimin e esencave të shpirtërave të lartësuar të cilët janë si diamanti nga lëndët e shpirtërave të ulët që janë si qymyri, dhe të dy ndahen nga njëri-tjetri.
Kështu, meqenëse është për mistere të tilla si këto, dhe për shembuj të tjerë të hollë e të lartë urtësie, që ne akoma nuk i njohim, i Gjithëdituri i Gjithëfuqishëm e krijoi botën me këtë formë, dhe gjithashtu, Ai e deshi ndryshimin dhe transformimin e kësaj bote për ato shembuj të lartë urtësie. Ai i përziu bashkë të kundërtat me urtësi për ndryshimin dhe transformimin e saj, dhe i solli ato ballë për ballë. Duke bashkuar të dëmshmen me të dobishmen, duke përfshirë të keqen me të mirën , dhe duke përzier shëmtinë me bukurinë, Ai i gatoi të kundërtat së bashku si brumë, dhe e bëri universin t’i nënshtrohet ligjit të ndryshimit dhe shndërrimit, parimit të transformimit dhe të plotësimit.
Do të vijë një ditë kur ky vend testimi të jetë mbyllur, kur periudha e provimit të ketë përfunduar, kur Emrat Hyjnorë t’i kenë përmbushur dispozitat e tyre, kur Pena e Kaderit Hyjnor të ketë përfunduar shkrimin e mesazheve të saj, kur Fuqia Hyjnore të ketë plotësuar qëndisjet e artit të saj, kur qëniet të kenë përmbushur detyrat e tyre, kur krijesat të kenë kryer aktet e tyre të shërbimit, kur çdo gjë të ketë shprehur kuptimin e vet, kur kjo botë kalimtare të ketë prodhuar fidanet e Ahiretit, kur toka të ketë shfaqur dhe ekspozuar të gjitha mrekulitë e Fuqisë së Autorit të Gjithëfuqishëm dhe të gjitha çudirat e artit të Tij, dhe kur kjo botë e përkohshme t’i ketë bashkëngjitur spangos së kohës tablotë që formojnë panoramat dhe pamjet e përjetësisë. Atëherë urtësia e përjetshme dhe mirëbërësia e Krijuesit të Gjithëlavdishëm bëjnë të domosdoshme që të shfaqen të vërtetat e rezultateve të atij testimi dhe rezultatet e shfaqjeve të Emrave të Bukur Hyjnorë, të vërtetat e atyre mesazheve të penës së Kaderit Hyjnor, origjinalet e atyre modeleve të qëndisjeve të Artit të Tij, qëllimet dhe dobitë e detyrave të qënieve, shpërblimet e akteve, të vërtetat e kuptimeve të atyre Fjalëve që shpreh libri i universit, mugullimi i farërave të përgatitjeve të bashkëlindura, hapja e dyerve të gjykatës më të lartë, shfaqja e pamjeve të marra nga kjo botë, grisja e perdeve të shkaqeve të jashtme të dukshme dhe nënshtrimi i çdo gjëje drejpërdejt ndaj urdhërit të Krijuesit të Gjithëlavdishëm.
Dhe meqenëse urtësia e parapërjetësisë dhe mirëbërësia e përjetshme e Krijuesit të Gjithëlavdishëm i bëjnë të domosdoshme këto të vërteta, ato kërkojnë pastrimin e atyre të kundërtave me qëllim që të shpëtojnë botën nga ndryshimi dhe përkohshmëria, nga transformimi dhe zhdukja, dhe të ndajnë shkaqet e ndryshimit nga lëndët e konfliktit. Dhe sigurisht Krijuesi do të shkaktojë ringjalljen dhe do t’i pastrojë të kundërtat me qëllim që t’i shfaqë ato rezultate.
Kështu, si rezultat i këtij pastrimi , Xhehennemi do të marrë formën e tij të përjetshme e të tmerrshme dhe banorët e tij do të manifestojnë kërcënimin:
“Ndahuni këtë ditë (nga besimtarët), o kriminelë (mëkatarë).”558
Dhe Xhenneti do të marrë formën e tij madhështore e të përjetshme, ku njerëzit e tij dhe ata që janë të denjë për xhennet do të manifestojnë adresimin: “(Dhe Ruajtësit e tij do të thonë): Paqja qoftë mbi ju! Punuat mirë, hyni pra, këtu për të banuar në të përgjithmonë.”559
Siç është provuar në pyejten e dytë të Stacionit të Parë të Fjalës së Njëzet e Tetë, nëpërmjet Fuqisë së tij të plotë, i Gjithurti i Parapërje- tësisë do t’u japë banorëve të këtyre dy banesave trupa të përjetshëm e të qëndrueshëm të cilët nuk do t’i nënshtrohen shpërbërjes e ndryshimit, pleqërisë apo zhdukjes, sepse nuk do të ketë atje shkaqe ndryshimi të cilat çojnë në zhdukje. /zell.al    Fjala 29

 

558 Kur’an, 36: 59

559 Kur’an, 39: 73