Në qoftë se universi do të studiohej me vëmendje, do të shihej se brenda tij ndodhen dy elemente që janë shpërndarë e shtrirë tek të gjitha anët me rrënjët e tyre duke u bërë të rrënjëzuara; me gjurmët e tyre dhe me frutat, si:

– E mira dhe e keqja;

– Bukuria dhe shëmtia;

– Dobia dhe dëmi;

– Plotësia dhe mangësia;

– Drita dhe errësira;

– Udhëzimi dhe çudhëzimi;

– Dritësia dhe zjarri;

– Besimi dhe mosbesimi;

– Bindja dhe mosbindja; dhe

– Frika dhe dashuria…

Këto të kundërta përplasen me njëra tjetrën në univers.

Ato në mënyrë të vazhdueshme shfaqen nëpërmjet ndryshimit dhe transformimit, sikur ato mobilizohen e bëhen gati për një botë tjetër.

 

Sigurisht, degët dhe rezultatet e atyre dy elementeve, të cilët janë të kundërt, do të vazhdojnë në përjetësi; ato do të dallohen e ndahen atje.

Atëherë ato do të shfaqen atje në formën e Parajsës dhe të Ferrit.

Meqenëse ajo botë e qëndrueshme do të ndërtohet e bëhet nga kjo botë e përkohshme, atëherë elementet themelorë të botës sonë, sigurisht, do të shkojnë në përjetësi e qëndrueshmëri.

Po, në të vërtetë, Parajsa dhe Ferri janë:

– Dy frutat e një dege të pemës së krijimit të cilat shtrihen drejt përjetësisë; dhe vendi i frutave është tek maja e degës;

– Parajsa dhe Ferri janë dy rezultatet e këtij universi; dhe vendi i rezultateve do të jetë në dy anët e zinxhirit; e ulëta dhe e rënda janë në anën e tij të poshtme, ndërsa e ndritshmja dhe e larta janë në anën e tij të sipërme.

– Parajsa dhe Ferri janë dy depo për rrjedhën e Çështjeve Hyjnore dhe për prodhimet jolëndore të tokës; dhe vendi i një depoje do të jetë sipas llojit të prodhimeve; e keqja prej tyre do të jetë në anën e tij të poshtme, ndërsa e mira në anën e tij të sipërme;

– Parajsa dhe Ferri janë dy pellgjet e lumit- rrymës- së qënieve të cilat rrjedhin në valët drejt përjetësisë; dhe vendi i pellgut do të jetë aty ku rryma ndalon e grumbullohet; domethënë, e neveritshmja dhe e ndyra poshtë, ndërsa e mira dhe e pastërta lartë;

– Parajsa dhe Ferri janë dy vendet e manifestimit:

Njëri për manifestimin e Madhështisë dhe të Mëshirës, ndërsa

Tjetri për manifestimin e zemërimit dhe të llahtarisë;

dhe vendi i manifestimit do të jetë kudo që i Gjithëmëshirshmi Hirplotë dhe Detyruesi i Gjithëlavdishëm e vendos;

Ai Xh.sh i vendos ku të dëshirojë vendet e Tij të manifestimit.

Sa për ekzistencën e Parajsës dhe të Ferrit- Xhennetit dhe Xhehennemit- ne themi këtë:

– Ekzistenca e frutit është aq e sigurt dhe e qartë sa ajo e degës;

– Ekzistenca e rezultatit është aq e sigurt sa siguria e ekzistencës së zinxhirit;

– Ekzistenca e depos është aq e sigurt sa siguria e ekzistencës së prodhimeve;

– Ekzistenca e pellgut është aq e sigurt sa siguria e ekzistencës së lumit; dhe

– Ekzistenca e vendeve të manifestimit është aq e sigurt dhe e qartë sa siguria e ekzistencës së Mëshirës dhe Zemërimit.

Sekreti i kësaj pike aluduese është siç vijon:

I Gjithëurti i Parapërjetshëm, ashtu siç e kërkon medoemos Urtësia e Tij e Parapërjetshme dhe Përkujdesja e Tij e Përhershme, e krijoi këtë botë që të jetë:

– Një vend prove;

– Një arenë testimi;

– Një pasqyrë e Emrave të Tij të Bukur; dhe

– Një faqe për Penën e Kaderit-Paracaktimit- dhe të Fuqisë së Tij Xh.sh..

Tani,

Prova dhe testimi janë shkaku i rritjes dhe i zhvillimit;

Rritja dhe zhvillimi janë shkak për t’u zbuluar potencialet e bashkëlindura;

Zbulimi i potencialeve është shkak për shfaqjen e prirjeve dhe të aftësive; dhe

Shfaqja e aftësive i bën të vërtetat relative të bëhen të dukshme; dhe

Këto të vërteta relative duke u bërë të dukshme janë shkak për shfaqjen e qëndisjeve të manifestimeve të Emrave të Bukur të Krijuesit të Gjithëlavdishëm dhe për transformimin e qënieve të universit në formën e mesazheve të përjetshme Hyjnore.

Dhe kështu, Urtësia e testimit dhe misteri i ngarkimit të njeriut me disa detyra çojnë në pastrimin e esencave të shpirtrave të lartësuar të cilët janë si diamanti nga lëndët e shpirtrave të ulët që janë si qymyri ,dhe të dy ndahen nga njëri tjetri.

Kështu, meqenëse është për mistere të tilla si këto, dhe për shembuj të tjerë të hollë e të lartë urtësie, të cilat ne akoma nuk i njohim, i Gjithëurti i Gjithëfuqishëm e krijoi botën me këtë formë; dhe gjithashtu për hir të ndryshimit dhe të transformimit të saj, Ai i solli të kundërtat ballë për ballë për ato shembuj të lartë urtësie.

– Duke bashkuar të dëmshmen me të dobishmen;

– Duke përfshirë të keqen me të mirën; dhe

– Duke përzier shëmtinë me bukurinë,

Ai i gatoi të kundërtat së bashku si brumë, dhe e bëri universin t’i nënshtrohet

ligjit të ndryshimit dhe të shndërrimit, dhe

parimit të transformimit dhe të plotësimit.

 

Do të vijë një ditë

– Kur ky vend testimi të jetë mbyllur;

– Kur periudha e provimit të ketë përfunduar;

– Kur Emrat e Bukur Hyjnorë t’i kenë përmbushur dispozitat e tyre;

– Kur Pena e Kaderit Hyjnor të ketë përfunduar shkrimin e mesazheve të Saj;

– Kur Fuqia Hyjnore të ketë plotësuar qëndisjet e artit të Saj;

– Kur qëniet të kenë përmbushur detyrat e tyre;

– Kur krijesat të kenë kryer aktet e tyre të shërbimit;

– Kur çdo gjë të ketë shprehur kuptimin e saj;

– Kur kjo botë kalimtare të ketë prodhuar fidanet e Ahiretit;

– Kur toka të ketë shfaqur dhe ekspozuar të gjitha mrekullitë e Fuqisë së Autorit të Gjithëlavdishëm dhe të gjitha çudirat e artit të Tij; dhe

– Kur kjo botë e përkohshme t’i ketë bashkangjitur spangos së kohës tablotë që formojnë panoramën dhe pamjet e përjetësisë,

Atëherë Urtësia e Përhershme dhe Përkujdesja e Parapërjetshme e Krijuesit të Gjithëlavdishëm dhe Gjithëbujar bëjnë të domosdoshme që të shfaqen

– Të vërtetat e rezultateve të atij testimi dhe rezultatet e manifestimeve të Emrave të Bukur Hyjnorë;

– Të vërtetat e atyre mesazheve të Penës së Kaderit Hyjnor;

– Origjinalet e atyre modeleve të Artit të Tij;

– Qëllimet dhe dobitë e detyrave të qënieve;

– Shpërblimet e akteve;

– Të vërtetat e kuptimeve të atyre Fjalëve që shpreh Libri i Universit;

– Mugullimi i farërave të potencialeve të bashkëlindura;

– Hapja e dyerve të Gjykatës më të Lartë;

– Shfaqja e pamjeve të marra nga kjo botë;

– Grisja e perdeve të shkaqeve të jashtme të dukshme; dhe

– Nënshtrimi i çdo gjëje drejtpërdrejt ndaj urdhrit të Krijuesit të Gjithëlavdishëm.

Dhe meqenëse Urtësia e Parapërjetshme dhe Përkujdesja e Përhershme e Krijuesit të Gjithëlavdishëm i bëjnë të domosdoshme këto të vërteta, ato kërkojnë pastrimin e atyre të kundërtave me qëllim që t’i shpëtojnë qëniet e universit nga ndryshimi dhe përkohshmëria dhe nga transformimi dhe zhdukja ,dhe të ndajnë shkaqet e ndryshimit nga lëndët e konfliktit.

Sigurisht, Krijuesi do ta shkaktojë Ringjalljen dhe do t’i pastrojë të kundërtat me qëllim që t’i shfaqë ato rezultate.

Kështu, si rezultat i këtij pastrimi, Ferri do të marrë formën e tij të përjetshme e të tmerrshme dhe banorët e tij do të manifestojnë kërcënimin:

“Ndahuni këtë ditë [nga besimtarët] o kriminelë mëkatarë! (Kur’an, 36:59), ndërsa

Parajsa-Xhenneti- do të marrë formën e tij madhështore e të përjetshme, ku njerëzit e tij që janë të denjë për të-Parajsë- do të manifestojnë adresimin:

“Paqja qoftë mbi ju! Punuat mirë, hyni pra këtu për të banuar në të përgjithmonë”(Kur’an, 39:73).

Nëpërmjet Fuqisë së Tij të plotë, i Gjithëurti i Parapërjetshëm do t’u japë banorëve të këtyre dy banesave trupa të përjetshëm e të qëndrueshëm, të cilët nuk do t’i nënshtrohen shpërbërjes dhe ndryshimit, as pleqërisë dhe as zhdukjes, sepse atje nuk do të ketë shkaqe ndryshimi, të cilat çojnë në zhdukje.

 

BEDIUZZAMAN Said Nursi