“Të rinjtë më të mirë janë ata të cilët u ngjasojnë njerëzve të moshës së pjekur, ndërsa më të këqinjtë e njerëzve të moshës mesatare janë ata të cilët u ngjasojnë  të rinjve.”

A është ky që vijon një hadith profetik dhe në qoftë se është hadith, çfarë do të thotë:?

Përgjigjja: Unë kam dëgjuar se ai është një hadith. Kuptimi i tij i thjeshtë është ky: I riu më i mirë është ai që mendon për vdekjen ashtu si një person i moshuar dhe që punon për Ahiretin; dhe jo ai prej atyre të cilët bëhen skllevër të pasioneve të rinisë dhe që janë të mbytur në pakujdesi. Dhe më i keqi i njerëzve të moshuar është ai i cili përpiqet t’i ngjasojë të riut në pakujdesi dhe në pasion, dhe që i ndjek tekat e nefsit ashtu si një fëmijë.”

Forma e saktë e pjesës së dytë që unë pashë në afishe është siç vijon: Unë e kam varur atë sipër kokës sime për urtësinë që ajo mëson. Unë e shikoj atë çdo mëngjes e çdo mbrëmje dhe marr mësimin tim prej saj.

“Në qoftë se do një mik, Zoti është i mjaftueshëm. Po, në qoftë se Ai do të ishte miku yt, atëherë çdo gjë për ty është mik.”

Në qoftë se ti do shokë, Kur’ani është i mjaftueshëm. Në të vërtetë, ti në të, me përfytyrimin tënd, jeton me profetët dhe melekët; shikon ngjarjet në të cilat ata u përfshinë dhe bëhesh i njohur me ta.

Në qoftë se do pasuri, kënaqësia të mjafton. Po, ai i cili kënaqet e mjaftohet me atë që ka, është kursimtar; dhe ai që është kursimtar, gjen bekimet e bereqetit.

Në qoftë se do armik, nefsi është i mjaftueshëm. Po, atij që i hyn vetja në qejf i bien fatkeqësi dhe sprovohet me vështirësi. Ndërsa ai që nuk është i dhënë pas nefsit, që nuk i pëlqen vetja, ai gjen gëzim, qetësi e mëshirë.

Në qoftë se do këshillues, vdekja është e mjaftueshme. Po, ai i cili mendon për vdekjen, shpëton nga dashuria e kësaj dynjaje dhe përpiqet për Ahiretin e tij me këmbëngulje.

Tani o vëllai im, unë po u shtoj një çështje të tetë shtatë çështjeve të tua. Ajo është sa vijon:

Para dy ditësh, njëri nga hafizët e Kur’anit recitoi disa vërsete nga sure Jusuf a.s. deri kur arriti.

“Më bëj mua të vdes musliman (si një i nënshtruar ndaj Vullnetit Tënd), dhe më bashko me të drejtët.”[1]

Papritmas , si një shkreptimë, më erdhi mua një pikë e hollë: Çdo gjë që i përket Kur’anit dhe besimit është shumë e vlefshme sado e vogël që mund të shfaqet në aspektin e jashtëm, sepse për sa ka të bëjë me vlerën e saj, ajo është shumë e madhe.

Po, nuk mund të thuhet se është e vogël ajo që ndihmon për lumturinë e përjetshme; dhe nuk mund të thuhet se ajo pikë është e vogël dhe nuk ia vlen t’i japësh rëndësi.

Nuk ka dyshim se Ibrahim Hulusi është i pari që dëshiron të dëgjojë si shembulli i këtyre çështjeve, dhe sigurisht, ai është studenti i parë dhe i pari që i adresohen çështjet e këtij lloji, i cili i vlerëson pikat e holla të Kur’anit, dhe prandaj dëgjo o vëlla! Është një pikë e lartë, e hollë, sihariquese dhe e mrekullueshme e vërsetit,

 “Më bëj mua të vdes musliman (si një i nënshtruar ndaj Vullnetit Tënd) dhe më bashko me të drejtët.”, i cili shpall se tregimi i Jusufit a.s. më i miri i tregimeve, po vjen në fund. Ajo është kjo: Dëshpërimet dhe dhimbjet e vdekjes dhe të ndarjes tek të cilat përfundojnë edhe tregimet e tjera të gëzueshme, i bëjnë të hidhura kënaqësitë imagjinare që merren  nga tregimi dhe i shkatërrojnë ato. Në mënyrë të veçantë, në qoftë se ato e tregojnë vdekjen dhe ndarjen pikërisht kur rrëfehet momenti i gëzimit më të plotë dhe i kënaqësisë, kjo madje është më e dhimbshmja dhe i bën ata që e dëgjojnë të vajtojnë në dëshpërim.

Ndërsa ky vërset përfundon pjesën më të ndritshme nga tregimi i Jusufit a.s. i cili është sundimtar i Egjiptit, i bashkuar me nënën e tij dhe babain, duke u takuar me përmallim me vëllezërit e tij, dhe duke përjetuar lumturinë më të madhe dhe gëzimin e kësaj dynjaje, vërseti tregon se Jusufi a.s. po kërkon vetë vdekjen e tij nga Zoti i Gjithëfuqishëm me qëllim që të përjetojë madje një jetë akoma më të lumtur dhe një gjendje më të ndritshme; dhe ai vdiq dhe e mori atë lumturi.

Domethënë, ndodhet përtej varrit një lumturi dhe një gëzim më i madh se sa lumturitë e këndshme të kësaj dynjaje, sa që ndërsa duke qenë në atë situatë më të këndshme të kësaj bote, një person shikues i realitetit si Jusufi a.s. e dëshiroi vdekjen e hidhur dhe, në këtë mënyrë të merrte atë lumturi tjetër.

Dhe kështu, shikoje këtë elokuencë të Kur’anit të gjithurtë, se në çfarë mënyre e shpall ai fundin e tregimit të Jusufit a.s.. Ajo nuk u shkakton hidhërim e dëshpërim atyre që e dëgjojnë atë, përkundrazi, ajo jep lajme të gëzueshme dhe shton gëzim të mëtejshëm.

Ajo gjithashtu jep udhëzim duke thënë: Punoni për atë që është përtej varrit, sepse lumturia e vërtetë dhe kënaqësia reale gjenden atje. Ajo gjithashtu tregon shkallën e lartë të vërtetësisë së Jusufit a.s., duke thënë: madje edhe situata më e ndritshme dhe më e gëzueshme e kësaj bote, nuk i shkaktoi atij të bëhej i pakujdesshëm; ajo nuk e robëroi atë; ai përsëri deshi Ahiretin.

I Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!

Said Nursi

 

[1] Kur’an, 12: 101