Ndarja është veprimi i largimit të individit nga kushtet e kurorës martesore. Edhe nëse ndarja mund të duket rrallë si qetësuese, shumë herë sjell me vete shqetësim dhe mjerim…

***

Sipas fesë, ndarja është më e papëlqyera e akteve normale.[1] Ç’e do se aq sa lejueshmëria, edhe pengimi i saj janë të panatyrshëm e jonormalë!

***

Nënvleftësimi i domosdoshmërive që kërkojnë ndarjen, buron nga mosnjohja e natyrës njerëzore dhe veçantive të kësaj. Të presësh që çdo çift që martohet, të arrijë një përputhje të plotë mes vedi, do të thotë të besosh në mënyrë naive se të gjithë njerëzit janë një lloj, të një kallëpi, të një natyre, të një ndërtimi dhe karakteri…

***

Çdo ndarje për qejf, e pajustifikueshme, është për atë që kërkon të ndahet, një burim pendimi, për atë që detyrohet të ndahet, një padrejtësi si dhe për pjesëtarët e familjes që shkatërrohet, një burim shqetësimi i tillë, që, disa herë, dhimbja e saj, si ajo e një plage që kullon gjak, vazhdon gjatë gjithë jetës…

***

Nëse ndarja është një ndërhyrje kirurgjikale mbi një gjymtyrë të sëmurë, vazhdimësia e martesës në një linjë logjike e racionale lidhur me kushte të shëndosha, është një ndjeshmëri higjienike. Prandaj, para se të vritet familja me anë të ndarjes si dhe ndërgjegjja me anë të ndalimit të ndarjes, martesa duhet të trajtohet me kujdesin dhe harmoninë e endjes dhe nuk duhen bërë lëshime në kushtet që e sigurojnë këtë harmoni!

***

Për shumë shekuj me radhë, një botë u përpoq t’i mbante bashkë ata që s’dëshironin të bashkëjetonin, duke penguar ndarjen ose duke vënë kushte të parealizueshme. Kurse një botë tjetër e pa femrën si një plaçkë, si një send që mund ta merrte kur të donte e ta hidhte kur të donte. E para s’qe tjetër veçse shprehje mundimi e ndëshkimi mbi mashkullin, kurse tjetra, shprehje e trajtimit çnjerëzor të femrës.

[1] Në origjinal: mubah (arab.) Sipas kodit fetar të së drejtës islame, mubah quhen aktet e zakonshme të jetës që s’kanë të bëjnë me urdhrat dhe ndalimet fetare si dhe përgjegjësitë lidhur me to.

*

Fethullah Gylen