Koncepti libër hyjnor
Kuptimi leksikor i fjalës arabishte kitab është “shkruaj” dhe “dokument i shkruar”. Kurse në terminologjinë fetare, “kitab quhet tërësia e fjalëve që Allahu ua ka komunikuar Profetëve për të bërë të ditur se ç’kërkon prej robve të vet dhe për t’u treguar atyre rrugë në këtë drejtim, si dhe forma e shkruar e fjalëve të Tij”.
Librat e zbritur për Profetët quhen libra hyjnorë sepse janë dërguar nga ana e Allahut, pra, kanë prejardhje hyjnore, sepse në fjalët dhe përmbajtjen e tyre nuk ka asnjë kontribut njerëzor. Ngaqë librat hyjnorë janë të zbritur nga lartësia e Allahut, quhen kutubu munzeleose libra qiellorë.
Domosdoshmëria e besimit te librat hyjnorë
Një ndër bazat e besimit është edhe besimi te librat hyjnorë. Besimi te librat hyjnorë është një ndër kushtet për t’u quajtur musliman. Kuptimi i besimit te librat hyjnorë është besimi se disa Profetëve u janë zbritur libra nga ana e Allahut dhe pranimi pa bërë dallim se përmbajtja e plotë e këtyre librave – me formën origjinale me të cilën janë zbritur – është e drejtë dhe e vërtetë[1]. Ajeti në vijim i Kuranit bën të ditur se besimi te librat e zbritur nga Allahu është një nga bazat e besimit dhe se ata që i mohojnë këta, janë persona që janë shmangur dhe larguar në kuptimin e vërtetë të fjalës nga e vërteta: “O ju që keni besuar! Besoni Allahun, të Dërguarin e Tij, Librin që ia ka zbritur të Dërguarit të Tij dhe Librin që e ka zbritur më parë. Kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe Ditën e Kiametit, ai, me të vërtetë, ka dalë nga rruga e drejtë!” (Nisa, 4/136)
Edhe Profeti ynë, besimin te librat hyjnorë e ka përmendur mes bazave që duhen besuar nga çdo musliman. Në hadithin e njohur Xhibril ku radhiten bazat e besimit dhe në hadithet e tjerë, Profeti u ka bërë të ditur njerëzve hapur se u duhet besuar edhe librit të zbritur atij vetë, domethënë, Kuranit, edhe librave qiellorë të dërguar para tij[2].
Librat hyjnorë dhe llojet e tyre
Librat hyjnorë, në përgjithësi, sipas vëllimit dhe madhësisë së popullatës që i janë drejtuar, vlerësohen në dy grupe: fletë (suhuf) dhe libra (kitab).
- a) Fletët
Janë libra të vegjël dhe broshura të përbëra prej disa fletësh të zbritura popullatave të vogla në kuadër të ngushtë, të mjaftueshme për t’u dhënë përgjigje nevojave të tyre. Në Kuran bëhet fjalë për fletët e para të zbritura Profetëve[3]. Veçanërisht, në Kuran bëhet fjalë për fletët e dërguara Profetit Ibrahim[4] dhe për librat e dhënë Profetëve të ardhur nga soji i tij, si Is’haku, Jakubi, Sulejmani, Jusufi dhe Zekerija (alejhimus selam), gjë që mbështet ekzistencën e librave të vegjël në formë fletësh.[5] Në Kuran nuk është thënë se cilëve Profetë veç këtyre u janë dhënë fletë.
Nga Profeti ynë (s.a.s.) është përcjellë se Ademit (a.s) i janë dhënë 10 fletë, Shitit (a.s) 50 fletë, Idrisit (a.s) 30 fletë dhe Ibrahimit (a.s) 10 fletë.[6]
Në fletët e dhënë Profetëve ka pasur tema që janë baza e të gjitha feve, si besimi në Allahun si Zoti i vetëm i gjithësisë, ahireti ose jeta e pasme është e përhershme dhe më e dobishme se kjo jetë, arritja e shpëtimit me anë të namazit, respekti, këshillat dhe predikimi, etj.
- b) Librat
Librat, që janë më të vëllimshëm se fletët dhe të lidhur, që përmbajnë mesazhe universale dhe përmenden me një emër të përveçëm, janë katër: Teurati, Zeburi, Ungjilli dhe Kurani.
Teurati: Teurati që është një fjalë hebraishte, do të thotë “ligj, legjislacion dhe doktrinë”. I është zbritur Profetit Musa (a.s). Besimi se origjinali i këtij libri është fjalë e Allahut, është detyrim (farz) për çdo musliman; mohimi i kësaj e çon personin në mohim (kufr). Në Kuran bëhet e ditur hapur se Teurati është një ndër librat e shenjtë të Allahut:
“Ne e zbritëm Teuratin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë!” (Maide, 5/44
Sot njihen tre ekzemplarë të Teuratit, të emërtuar Testamenti i Vjetër: ekzemplari hebraisht i pranuar nga hebrenjtë dhe protestantët, ekzemplari greqisht i pranuar nga kishat e krishtere të Romës dhe të Lindjes dhe ekzemplari samaritan i pranuar nga samaritanët.
Zeburi: Zebur[7] që në hebraishte do të thotë “letër e shkruar”[8] dhe, në arabishte, “libër”, është emri i librit hyjnor të zbritur Profetit Daud (a.s). Në lidhje me këtë specifikë, në Kuran thuhet: “Dhe Daudit i dhamë Zeburin.” (Isra, 17/55)
Besimi se Zeburi në formën me të cilën është zbritur, është fjala e Allahut, është nga bazat e besimit.
Ungjilli: Ungjilli që, si fjalë, do të thotë “përgëzim, doktrinë”, është emri i librit të shenjtë të zbritur Profetit Isa (a.s). Besimi edhe i këtij libri me formën e zbritur Isait (a.s) nga Allahu është nga domosdoshmëritë e besimit. Lidhur me këtë libër hyjnor, në Kuran thuhet kështu:
“Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, si përmbushje të asaj që ishte shpallur para tij në Teurat dhe si udhërrëfim e këshillë për ata që i frikësohen Allahut!” (Maide, 5/46)
KURANI – HORIZONTI MAGJIK
Kurani është drita e amshueshmërisë, e cila shkëlqen në botën e shkronjave dhe fjalëve. Kurani është fryma dhe zëri i botës shpirtërore në atllasin e ndjenjave dhe mendimeve të njerëzve dhe xhindëve. Kur erdhi dita dhe Kurani u shndërrua në margaritar brenda një guaske krejt të veçantë, pikërisht atëherë edhe sytë e baballarëve të fjalës morën një bukuri që nuk vyshkej e që nuk çngjyrosej. Gjer ditën kur Kurani do të bëhej dritë e do të reshonte mbi fytyrën e ekzistencës, kjo gjithësi e madhe që është në çdo anë të saj një ekspozitë më vete ngjyrash, dizenjosh dhe akordesh, ishte një vendbanim demonësh; edhe ky libër ekzistence, çdo rresht i të cilit konsiderohet guaskë për një enigmë të veçantë të Botës Engjëllore përbëhej prej ca fletësh të mjera. Sapo Kurani lindi si një diell, të paktën në vështrimin e atyre që s’kishin paragjykime, retë lëmshe-lëmshe që kishin nxirë horizontet gjer atë ditë, u shpërndanë e shkuan dhe doli në shesh ajo pamja e bukur mbi të bukurat e ekzistencës dhe e gjithë materia u shndërrua në paragrafë, fjali dhe fjalë të një libri që të jep kënaqësi kur e lexon… Sapo u dëgjua zëri i Kuranit, syve të zemrës u zbritën dritëra dhe edhe ndjenjat e shkumëzuara në shpirtra, edhe gjuhët interprete të atyre ndjenjave filluan t’ua thonë këngëve të dritës.
Po, qysh nga dita kur sytë dhe zemrat u ndriçuan me Kuranin, të panjohurat mbi gjithësinë që prisnin zgjidhje prej mijëra vjetësh, problemet e koklavitura u bënë të zgjidhshme një nga një dhe marrëdhënia njeri-ekzistencë-Krijues doli në shesh si hëna pesëmbëdhjetëshe, ndërkaq që të gjitha gjërat e pakuptueshme, duke u veshur me kuptim, zunë vend në orbitat e urtësisë.
Kurani është kreu i dijes së shëndoshë dhe i mendimit të shëndoshë; gjithashtu Kurani është baza e shprehjes së drejtë dhe e deklaratës logjike. Bashkëbiseduesi i tij i parë i shquar është zotëria i tërë Profetëve, kurse ai vetë, diferencuesi i shquar i të vërtetës nga gënjeshtra,[9] është mbreti i të gjithë librave qiellorë e joqiellorë. Profetët e parë patën ardhur për të vënë shenja ose për të ngulur flamurka në rrugët nga do të vinte dhe kalonte Kurani, kurse të mëpasmit, pak dhe sipas dizenjos së shpirtrave të veta, për të bërë shënime në të. Të vjetrit në fotografitë shëmbëllese të Kuranit dhe të rinjtë në portretet e tij trupore e panë dhe e njohën Kuranin në ndikimet dhe transformimet e mëdha të shkaktuara prej tij; duke e quajtur atë “Mbreti i Fjalëve”, e patën mbajtur gjuhën me respekt dhe patën qëndruar para tij duarlidhur me nderim të thellë. Ndërsa Kurani lëshonte e shpërndante mbi tokë dritat dhe ngjyrat e tij në gjatësi valësh elektromagnetike të ndryshme, shpirtrat vlerësues e mirënjohës kurrë nuk i ndanë sytë prej tij dhe iu drejtuan kah ai me tërë zemrën. E ndërsa Kurani zbrazej nga qiejt mbi zemra si ujëvarë, dhe zemrat e urta e të zgjuara, duke ia hapur prehrin atij, u përpoqën të mos u shkonte kot asnjë pikë, madje!
Kurani bëri t’i dëgjohet emri në një hop në vendet më të fshehta e më të errëta dhe heshti të gjitha britmat ngatërrestare që lëshonin shkëndija; në çdo mendim pa paragjykim zgjoi ndjenja të buçitjeve të ujërave parajsore dhe, duke shuar zjarret e vetmisë në zemrat që ngadhënjeu, në të gjithë shpirtrat vuri në lëvizje entuziaste dëshirën dhe shpresën për bashkim. Natyrat krejt të ftohta me të morën ngrohtësi dhe zemrat që digjeshin flakë me dëshirën e përjetësisë, me të u freskuan!
Nëse në këtë botë të përkohshme e të vdekshme ku çdo gjë e re vjetrohet e rrënohet dhe ku çdo gjë e freskët fishket e zverdhet, në ka një gjë që mundet të mbetet në çdo kohë plot ngjyra dhe krejt e freskët, ai është Kurani! Po, qysh nga dita e parë kur zbriti, Kurani është i vetmi libër i cili, pavarësisht nga gjithë ato erëra të kundërta, pavarësisht nga ato të ftohta të papritura, pavarësisht nga bora e rënë pa kohë e nga akulli, pavarësisht nga atmosfera e ashpërsuar vende-vende dhe pavarësisht nga kushtet në ndryshim, ka mundur ta ruajë gjithmonë origjinalin e të mbetet i vetmi libër qiellor. Prandaj ndodh që, sa herë që Kurani të lartësohet nga gjokset që shkumëzojnë entuziazëm me gjuhën e tij, të na zgjojë në shpirtra ndjenjën sikur nga qielli sapo na ka zbritur një sofër hyjnore dhe nga xheneti na ka ardhur një tufë hurmash të freskëta. Prandaj ndodh që, sa herë që Kurani shpërndan përreth margaritarët e thelbit të tij, i lartëson zemrat besimtare në horizontin e indiferencës ndaj të gjitha pasurive materiale të kësaj bote. Kurani është një gjerdan shprehjesh i thurur prej fjalësh hyjnore, stacioni i fundit i njohjes njerëzore me burim dituror dhe një dantellë nga më të hollat e thurur prej ibërshimesh hyjnore, në të cilën është e vizatuar harta e tërë ekzistencës. Të gjitha shprehjet në formë fjalësh në vatrat ku dëgjohet zëri i Kuranit, shndërrohen në gjëmime; nga bedenat e kalave ku valëvitet flamuri i tij, reshojnë drita mbi shpirtrat e besimtarëve dhe gurë mbi kokat e shejtanëve dhe atje qeniet shpirtërore bëjnë festa njëra pas tjetrës.
Fuqiploti e ka lidhur lumturinë e të dy botëve pas udhëzimit të Kuranit. Kurrë nuk mund të arrihet synimi pa kërkuar prijësinë e tij. Udhëtarët e pastrehuar nën tutelën e tij, derdhen e mbeten nëpër rrugë. Kurani është fjala më e përkryer, më e fundit që i shkojnë pas, e cila të çon në synim pa të çorientuar, pa të gënjyer. Ndërsa lexohet me mjaft lehtësi në çdo kohë e nga çdo njeri, Kurani është pamundësisht i përsëritshëm. Ata që e dëgjojnë dhe e ndjejnë atë me thellësitë e tij në zemrat e veta, arrijnë të dëgjojnë e ndjejnë çdo gjë që duhet dëgjuar e ndjerë. Edhe ata që e shijojnë plotësisht atë, konsiderohen nga një “fron mëshire”[10] më vete. Dhe zëri i tyre është gjithmonë i ndërthurur me frymëmarrjet e engjëjve!
Gjer ditën kur Kurani do ta nderonte faqen e tokës me zbritjen e tij, çdo Profet e pati ndezur pishtarin e vet në burimin e tij të dritës dhe shkretëtirat e pakalueshme përreth vetes, me disa pika prej tij i pati kthyer në xhenet.
Madje, edhe periudhat më të errëta kur shëtitej nën hijen e Kuranit, janë kthyer në epoka të arta. Kurse periudha e atyre që e kanë dëgjuar dhe e kanë përjetuar vetë Kuranin, nuk kanë ndryshim nga mëngjeset e xhenetit. Ata që e kanë vënë kokën në pragun e tij, janë të barabartë me engjëjt, kurse të gjitha qeniet e gjalla e jo e gjalla në klimën e ndritshme të tij janë vëllezër.
Përballë frymëzimeve të një zemre që ka mundur ta dëgjojë Kuranin plotësisht, detet e mëdhenj mbeten si pika uji dhe pranë një mendjeje të ndriçuar me dritën e tij, drita e diellit kthehet në dritë qiriri. Me jetën që u dha jetëve tona dhe me dritën që lëshoi në fytyrë të materies fryma e Kuranit e ndjerë në zemrat tona, e gjithë ekzistenca është provë e ekzistencës së Zotit. Edhe vendet më të errëta e më të heshtura ku ndjehen frymëmarrjet e Kuranit, ringjallen aty për aty si të kishin dëgjuar zërin e bririt të Israfilit. Zemrat që e dëgjojnë Kuranin me të folurit e vet, tendosen sikur të kishin dëgjuar melodi nga Xhebraili; ringjallen dhe tendosen, sepse “ky Libër është nga ana e Zotit të tyre për besimtarët udhëzim dhe provë që u hap atyre aftësinë e parashikimit…” Po, për njerëzit të cilëve nuk u kanë vdekur dhuntitë njerëzore, Kurani është një burim i vërtetë mëshire dhe urtësie!
Kurani kurrsesi nuk është si deklaratat e tjera të cilat, duke mbetur në kornizën e Profetësive lokale të periudhave fëminore të njerëzimit, nuk kanë mundur t’i kapërcejnë kufijtë e vendit dhe kohës. Kurani është një mrekulli e gjerë dhe e pasur që i kapërcen të gjitha hapësirat dhe kohët dhe u jep përgjigje nevojave të të gjithë njerëzimit, nga besimi gjer te rregulli më i thjeshtë i edukatës, dhe me këtë thellësi të tij, Kurani ka forcë që edhe sot të sfidojë këdo dhe çdo gjë!
Kurani ia përplasi fytyrës të gjitha kundërshtimet shtresës opozitare që qe bashkëbiseduesi i parë i tij në periudhën kur zbriti dhe kërkoi prej tyre të sillnin një libër me përmbajtje të ngjashme, në mos, një sure, të paktën një ajet! Këta polemizuesit e parë u magjepsën nga forca shprehëse e Kuranit, i thanë magji, u goditën pas stilit të tij letrar dhe i thanë poezi, duke e humbur mendjen përballë njoftimeve të dhëna prej tij nga prapaskena e materies, deshën ta quajnë orakull, por kurrsesi nuk mundën të sjellin diçka të ngjashme me të! Polemistët e asaj dite, mjeshtër fjale, të cilët flisnin edhe në prozë, edhe në poezi, të cilët fjalën e kishin pasion, e gëlltitën gjuhën, e vunë bishtin ndër shalë dhe u zhytën në heshtje dhe turp në një qoshe të strofullës së vet; po kështu, edhe mohuesit inatçinj të asaj periudhe demoniake me gjithë demagogjitë, dialektikën dhe taktikat e tyre të kundërshtimit, krahas frymës së polemizimit të trashëguar nga të vjetrit, nuk kanë arritur të bëjnë dot gjë tjetër veçse të gëlltiten dhe struken mes dobësisë dhe zemërimit të vet! Koha ka ndryshuar paprerë, shekujt janë tjetërsuar, konsideratat janë shndërruar, ndjenja e kundërshtimit dhe e luftës është bërë më e nxehtë, kurse Kurani, përballë shumë e shumë polemistëve dhe rrugëve të polemikës, ende i fortë si malet, i pasur si detet dhe i thellë si qiejt, me atë seriozitetin dhe ndikueshmërinë e tij të lartë, vazhdon t’i drithërojë zemrat dhe t’i turbullojë mendjet! Brenda një mijë e katërqind e ca vjetësh që kanë kaluar nga dita kur Kurani ngriti fron në zemrat tona, janë përgatitur shumë mbretër të fjalës sipas periudhave përkatëse dhe janë ngritur mbretëri shprehjeje; sisteme të ndryshme, ekole të ndryshme, rryma ideore të ndryshme me më të magjishmit e fjalëve, me më magjistarët e shprehjeve, kanë përdorur të gjitha municionet për ta shprehur veten dhe për ta shembur Kuranin, i janë drejtuar çdo fortifikate dhe kanë luftuar vazhdimisht me këtë Libër, por, përballë përputhshmërisë së parimeve të parashtruara prej tij lidhur me gjithësinë, materien dhe njeriun, përballë thellësisë dhe bindshmërisë së shpjegimeve, përballë karakterit shkencor të përgjigjeve ndaj pyetjeve eventuale, gjithmonë kanë rënë të mundur!
Po, Kurani ka parashtruar një këndvështrim të veçantë me një stil jashtëzakonisht të qëlluar për të vërtetën e gjithësisë, materies dhe njeriut, një këndvështrim me të cilin ai i trajton si një të tërë ekzistencën dhe njeriun brenda ekzistencës dhe e vendos çdo gjë në vendin e vet pa nënvleftësuar dhe lënë mënjanë asnjë pikë madje. Marrëdhëniet e pjesëve me të tërën, vendin e të tërës përballë pjesëve të veta i parashtron me veçoritë më të imta dhe u jep përgjigje të ndryshme edhe pyetjeve më të vogla që mund t’i kalojnë njeriut nëpërmend lidhur me gjithësinë, këtë libër të madh e këtë ekspozitë të madhe. Duke e analizuar gjer në hollësinë më të imtë enigmën e paraskenës dhe prapaskenës së gjithësisë, në asnjë mënyrë nuk i lë vend nëpër mendjet ndonjë dyshimi çfarëdo. Po, në ato detajizimet e veta tejet të imta, Kurani nuk i lë shesh ndonjë boshllëku çfarëdo as në mendje, as në logjika, as në ndjenja; ai i përfshin në atë mënyrë mendjen, vetëdijen, ndjenjën dhe njohjen e njeriut dhe imponon në atë mënyrë pranimin e thënieve të veta, saqë përballë kësaj ndikueshmërie transcendentale të tij, njeriu, pothuaj si udhëtarët e së vërtetës që e kanë kapërcyer kornizën e atributit dhe hapur ndaj Individualitetit të Lartë, ecën nga mahnitja në tmerrim, nga tmerrimi në ngrirje, paloset më dysh me frikë dhe pëshpërit me vete: “Po qe se detet do të bëheshin bojë për të shkruar fjalët e Zotit tënd, madje kësaj sasie t’i shtohej po aq, detet do të mbaroheshin, kurse fjalët e tij (lidhur me urdhrat e legjislacionit dhe krijimit) nuk do të mbaroheshin!” Ja, pra, Kurani është çelësi i artë i këtij thesari fjalësh të pashtershëm, kurse besimi, dhëmbët ose kodet e këtij çelësi enigmatik. Unë them se nuk është e mundur që dikush i cili ka në dorë këtë çelës dhe këta kode, të ndjejë nevojë për tjetër gjë në çështjet themelore lidhur me gjithësinë, materien dhe njeriun!
Askush të mos pandehë se me këto fjalët e mia të mjera, unë po i thur një panegjirik[11] Kuranit! Më së pari, kush jam unë që t’i thur lavde atij?
Në e cilësoftë dikush atë, e cilëson Hazreti Vassaf[12] ;
Dje dhe sot, në botën qiellore, shpirtrat radhë-radhë
E madhërojnë atë ashtu që ti e pandeh tavaf!
Mund të dalin njerëz që të mos i shohin dot këto merita mrekullore të Kuranit përsa u përket elementëve fjalësorë abstraktë, vetëm se është krejt e qartë se ata që kanë përdorur ndërgjegjet, kurrë nuk janë gënjyer. Sidomos nëse e kanë parë atë ndikimin e tij të jashtëzakonshëm gjer tani në përmasa botërore!
Në atë periudhën e parë kur Kurani e nderoi faqen e tokës me ardhjen e tij, ushtroi një ndikim aq të papërfytyrueshëm si në shpirtra, ashtu dhe në mendje e zemra, saqë përsosmëria e brezave të rizgjuar në jetë nën atmosferën e tij prej drite është një mrekulli në përmasa që s’lënë nevojë për mrekulli të tjera mbi të dhe, gjithashtu, është e pamundur të gjenden të ngjashmit e atyre njerëzve përsa u përket besimit, fesë, horizontit të mendimit, moralit si dhe njohjes dhe ndjerjes prej tyre të enigmës së pozitës së robit ndaj Allahut dhe adhurimit ndaj Tij! Ç’është e vërteta, në atë periudhë, Kurani përgatiti një brez të tillë me emrin “sahabe”, që nuk teprohet po të thuhet se ai brez ka qenë i njëvlershëm me engjëjt. Në të vërtetë, edhe sot, madje, Kurani vazhdon t’ua ndriçojë zemrat atyre që i drejtohen atij me gjithë zemër dhe t’ua pëshpërisë enigmat më intime të ekzistencës atyre që munden t’ia hapin shpirtin atij, ashtu që ata që hyjnë në atmosferën e tij me zemrën, vetëdijen, ndjenjat dhe njohjen e tyre, u ndryshojnë aty për aty ndjenjat dhe mendimet dhe çdo njeri, qoftë edhe në masë të caktuar, e ndjen veten në një botë tjetër, të ndryshme. Po, edhe sikur një herë t’i drejtohet njeriu atij me gjithë zemër, nuk shpëton dot më nga ndikimi i tij. Nxënësin që ka mundur ta tërheqë në atmosferën e vet, Kurani ashtu e zbut, ashtu e brishtëson, ashtu e gatuan dhe e formëson që, nëse njeriu do të bëhej në vetvete diçka, bëhet vetëm në sajë të kësaj; madje, shpesh herë, edhe të pandreqshmit hyjnë, nën hijen e tij, në një proces formimi që i lë me gojë hapur të gjithë! Në Kuran thuhet: “Po qe se malet do të viheshin në lëvizje, kjo do të bëhej e mundur vetëm me anë të Kuranit; po qe se toka do të bëhej copë-copë dhe të vdekurit do të mund të bëheshin që të flisnin, prapë kjo do të bëhej e mundur vetëm me anë të Kuranit!” Kështu thotë Kurani, sepse ai ka ushtruar një ndikim të tillë në zemrat, në vetëdijet, në ndjenjat e në mendjet, që kjo ndikueshmëri e tij nuk mbetet pas nga lëvizja e maleve, nga copëtimi copë-copë i tokës, nga bërja e të vdekurve që të flasin dhe nga dhënia jetë kufomave të kalbura prej mijëra vjetësh!
Sahabet, çdonjëri prej të cilëve është një hero zemre dhe shpirti, janë një bashkësi e jashtëzakonshme e dalë në klimën e begatë dhe frymëzuese të Kuranit. Ata kanë ushtruar një ndikim aq të thellë mbi një pjesë të madhe të tokës dhe mbi një të pestën e njerëzimit, saqë në këtë punë të mrekullueshme të përmasave të shkuljes së maleve, të dhënies jetë kufomave pa jetë dhe të lidhjes së tokës me qiellin, është e pamundur të tregohet një bashkësi tjetër që të mund të matet me ta! Ata njerëz që ia patën dhënë zemrën Kuranit, që qenë gatuar dhe formësuar me disiplinat qiellore të tij, më drejt, që qenë bërë Kuran në shpirt e në kuptim, me Furkanin e patën bërë të pamundurën të mundur, shpirtrave të vdekur u patën hapur rrugët e ekzistencës së përjetshme, ia patën ndryshuar trajtën faqes së tokës, i patën bërë popujt me të cilët patën rënë në kontakt të ndjenin kënaqësinë e botës së përtejme, patën thyer zinxhirët e hedhur mbi mendjet dhe patën zgjidhur zinxhirët me të cilët patën qenë lidhur gojët, e patën ulur përsëpari njeriun për sa i përket vendit të tij të veçantë në krijim, në vendin ku e pati ulur Allahu, ia patën kthyer njeriut konsideratën e humbur, i patën interpretuar përsëpari gjithësinë, materien dhe njeriun, e patën theksuar edhe një herë tjetër atë marrëdhënie të thellë dhe enigmatike mes urdhrave të krijimit dhe rregullave legjislative, duke përcaktuar dhe parashtruar qëllimet finale të zemrës, vullnetit, ndjenjës dhe vetëdijes, për rrjedhojë, duke i vënë në lëvizje parimet dhe metodat e vënies në zhvillim të vlerave relative, proporcionale dhe potenciale të shpirtit të njeriut, e patën orientuar njeriun e thjeshtë për t’u bërë njeri i përkryer dhe, kështu, e patën bërë atë ta ndjejë praninë e Zotit me fuqi dhe vullnet të pafundmë në çdo gjë ku shkon syri, ku arrijnë ndjenjat dhe që e ndjen zemra, dhe çdo gjë e patën shpënë në vendin e vet duke e lidhur me të zotin e vet!
Po qe se besimtari i ka syrin dhe zemrën të hapur, i ka ndjenjat dhe shpirtin të zgjuar dhe mendjen dhe mendimin të lidhur pas Allahut në këtë përmasë, quhet se ai njeri është distancuar nga të gjitha vulgaritetet e anës materiale të jetës, se ka nisur ta ndjejë jetën në një trajtë tjetër dhe se është zgjuar ndaj tejkufirit të botës së ndjesive; një burrë i tillë i së vërtetës, në çdo element, në çdo copë të ekzistencës ndjen të dallgëzohet dituria e Allahut dhe të funksionojë dora e fuqisë hyjnore, jeton njëherazi në shpresë e frikë me një ndjenjë tronditjeje dhe një vetëdije afërsie dhe, brenda kufizimit kohor dhe material të botës së vet, përsillet gjer në pikat më fundore të botës tjetër. Duke marrë frymë, merr me shpresë dhe pritje, kurse duke dhënë, jep me frikë dhe impresionim. Gjithmonë po kështu shëtit mes vijave dhe kornizës së përvijuar nga Kurani dhe e jeton jetën vazhdimisht në një përbashkësi ngjyrash!
[1] Këtu na duhet të prekim edhe një pikë tjetër që e shohim të rëndësishme. Kur një musliman njoftohet mbi një specifikë që ndodhet në librat e shenjtë të mëparshëm, po qe se kjo specifikë është në përshtatje me të dhënat e Kur’anit dhe haditheve, pranohet, në të kundërt, hidhet poshtë. Po qe se për të nuk bëhet fjalë fare në ajete dhe hadithe, por ajo nuk bie në kundërshtim me parimet themelore të Islamit, veprohet sipas kësaj porosie të Profetit: “Njerëzit e Librit as mos i vërtetoni, as mos i përgënjeshtroni, por u thoni: “Ne u kemi besuar Allahut, asaj që na është zbritur neve, asaj që i është zbritur Ibrahimit…!” (Buhari, I’tisam, 25)
[2] Shih. Muslim, Iman, 1; Ebu Davud, Sunet, 15.
[3] Shih. Taha, 20/133; A’la, 87/18.
[4] Shih. Nexhm, 53/37; A’la, 87/18.
[5] Shih. Nisa, 4/54; En’am, 6/89; Hadid, 57/26.
[6] Ibn-i Hibban, Sahih, 2/77; Taberi, Tarih, 1/187; Hejsemi, Mevaridu’z-Zem’an, 1/53.
[7] Zeburi njihet edhe si “Psalmet e Davidit”.
[8] Epistulë. Përkthyesi.
[9] Në origjinal Furkan: një nga atributet dhe emërtimet e Kur’anit që do të thotë dallues, diferencues i të vërtetës nga gënjeshtra.
[10] Në origjinal: arsh-i Rahman.
[11] Në origjinal: met’hije, panegjirik, lirikë lavdëruese dhe himnizuese. Përkthyesi.
[12] Vassaf: cilësues, karakterizues, lavdërues; këtu aludohet për Allahun, i cili, siç shprehet në varg, është i vetmi që mund ta cilësojë, karakterizojë dhe lavdërojë Kur’anin. Përkthyesi.