Lexo PDF

BËRTHAMAT E REALITETIT

[Kjo përbëhet nga aforizma që janë marrë nga një koleksion i publikuar tridhjetë e pesë vite më parë i titulluar “Bërthamat e Realitetit.”]

Një parathënie për botimin origjinal

Qysh prej disa kohëve, xhaxhai im i konsideron çështjet vetëm me zemër, dhe jo me mend. Në qoftë se diçka i shfaqej qartë zemrës së tij, ai ma diktonte mua që ta shkruaja atë dhe thonte:

“Dituria është ajo që vendoset në zemër; në qoftë se do të vendosej vetëm në mendje, ajo nuk do të kishte vlerë për njeriun.” Dhe ai thonte: “Këto çështje nuk janë vetëm rregulla shkencore, por janë disa parime të mia që i përkasin zemrës të cilat unë i kam marrë si parime bazë për ndërgjegjen time.” Ai më urdhëroi duke më thënë mua: “Zgjidhi ato që ti dëshiron prej inspirimeve që më erdhën në zemër”, dhe unë me rolin tim kam zgjedhur prej veprave të tij këto aforizma:

Nokta min Ma’rifetil-lah; Isharat el-Ixhaz, Sunuhat; Shua’atu Ma’rifetin-Nebi; Munadharat; Isharat; Kizil Ixhaz.[1]

Përpiluesi, nipi i tij, Abdurrahman

Stamboll, 1336/1920

Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

Të gjitha lavdërimet i takojnë All-llahut, Krijuesit të të gjitha botëve dhe, bekimet e paqja qofshin për shkëlqesinë tonë Muhammedin a.s.m. dhe për të gjithë familjen e tij dhe sahabët.

  • Receta mjekësore për një shekull të sëmurë, për një komb të sëmurë dhe për një gjymtyrë të sëmurë, është ndjekja e Kur’anit.
  • Receta mjekësore për një kontinent të lavdishëm megjithëse i pafat, për një shtet të shquar ndonëse fatkeq dhe për një popull fisnik ndonëse pa një drejtues, është Uniteti Islamik.
  • Ai që nuk ka fuqi ta mbajë tokën dhe të gjitha yjet dhe diejt dhe t’i lëvizë ato rruaza tespihesh, nuk mund të pretendojë të krijojë asgjë në univers, sepse çdo gjë është e lidhur me diçka tjetër.
  • Risjellja në jetë e të gjitha qënieve të gjalla në Ditën e Ringjalljes së të vdekurve nuk është e rëndë dhe e vështirë për fuqinë Hyjnore, ashtu siç nuk është e rëndë për Të ringjallja e një insekti dhe risjellja e tij në jetë pas një gjumi të thellë gjatë dimrit i cili i ngjason vdekjes; sepse fuqia e parapërjetshme është esenciale; ajo nuk ndryshon kurrë; pafuqia nuk mund të depërtojë në të; pengesat nuk mund të ndërhyjnë në të; nuk mund të ndodhen shkallë në të; dhe çdo gjë është e barabartë në lidhje me të.
  • Ai që krijoi syrin e mushkonjës, është pikërisht Ai i cili krijoi diellin.
  • Ai që organizoi stomakun e një pleshti është pikërisht Ai i Cili organizoi sistemin diellor.
  • Ndodhet një mrekulli e tillë në formimin e universit, saqë në qoftë se do të supozonim të pamundurën – të gjitha shkaqet natyrale do të kishin vullnet dhe fuqi për të vepruar, ato shkaqe do të binin në sexhde me pafuqi të plotë përpara asaj mrekullie, duke thënë me habi: “SubhanekeLavdia të takon Ty!.. Ne nuk kemi fuqi.. Në të vërtetë, Ti je Madhështori, i Gjithurti!
  • Një ndikim real nuk u është dhënë shkaqeve, sepse Uniteti Hyjnor dhe lavdia kërkojnë që ajo të jetë kështu. Vetëm në aspektin e jashtëm të gjërave shkaqet janë një perde për dorën e fuqisë dhe këtë e kërkojnë Dinjiteti Hyjnor dhe madhështia, me qëllim që në shikimin sipërfaqësor Dora e Fuqisë të mos shikohet drejtpërdrejt në kontakt me gjërat e ulëta.
  • Dimensionet e brendshme të gjërave, ku fuqia Hyjnore ka lidhjen e saj, janë të dukshme dhe të pastërta.
  • Bota e dukshme është një perde e zbukuruar me dantella që është hedhur mbi botët e së padukshmes.
  • Një fuqi e pafundme e mjaftueshme për të krijuar të gjithë universin do të ishte e domosdoshme për të krijuar një pikë të vetme e për ta vendosur atë në vendin e saj, sepse çdo shkronjë e këtij libri të madh të universit, dhe veçanërisht të gjitha shkronjat e tij të gjalla, kanë një fytyrë e cila orientohet tek të gjitha Fjalitë e atij libri dhe kanë një sy që i shikon ato.
  • Është e mirënjohur një ngjarje: Ndërsa të gjithë njerëzit po sodisnin për të parë hënën e re të festës së Bajramit, por asnjëri nuk mundi ta shikonte atë, ndërkohë një burrë plak u betua se ai e kishte parë atë. Por ajo çfarë ai kishte parë nuk ishte hëna e re; ajo ishte një qerpik i bardhë i harkuar që kishte rënë nga vetulla e tij. Çfarë është një qerpik i krahasuar me hënën?… Çfarë është lëvizja e grimcave të vockëla në krahasim me Autorin i Cili i formon të gjitha qëniet?
  • Natyra i ngjason një tipografie, ajo nuk është tipografi; ajo është një qëndisje dhe jo qëndistari; ajo është një model dhe jo burimi, ajo është një rregull dhe jo rregullatori; ajo është një ligj dhe jo Fuqia; ajo është një kod ligjesh që burojnë nga një dëshirë dhe jo një realitet i jashtëm.
  • Joshja dhe tërheqja në ndërgjegje, e cila është natyra esenciale e qënieve të vetëdijshme, ndjehet vetëm se nëpërmjet joshjes së një të vërteteje joshëse.
  • Natyra esenciale e qënieve nuk gënjen. Prirja për t’u rritur në një bërthamë thotë: “Unë do të mbij e do të prodhoj fruta!” Dhe ajo flet të vërtetën. Në një vezë është dëshira për jetë; ajo thotë: “Unë do të jem një pulë! Dhe kjo ndodh me lejen e Zotit xh.sh., dhe ajo thotë të vërtetën; për shkak të prirjes për të ngrirë, për të zënë akull, një grusht ujë thotë: “Unë do të zë më shumë vend!” dhe hekuri ndonëse është i fuqishëm, nuk mund ta përgënjeshtrojë atë; vërtetësia e Fjalës së saj e çan hekurin. Këto prirje janë manifestimet e urdhërave krijuese që burojnë nga Vullneti Hyjnor.
  • Fuqia e parapërjetshme e cila nuk i lë as milingonat pa një prijëse dhe as bletët pa një mbretëreshë, sigurisht nuk e lë njerëzimin pa profet. Ashtu si çarja më dysh e Hënës që ishte një mrekulli e Muhammedit a.s.m. për njerëzimin në botën e dukshme, po ashtu Mi’raxhi ishte një mrekulli më e lartë e Tij para melekëve dhe qënieve shpirtërore në botën e dimensioneve të brendshme të gjërave. Nëpërmjet kësaj mrekullie të qartë u provua shenjtëria e profetësisë së tij dhe, ashtu si vetëtima ose si hëna, ajo qënie e ndritshme lëshoi dritë nëpër ato botëra të brendshme.
  • Dy frazat e shehadetit – e pohimit të besimit – dëshmojnë njëra-tjetrën. E para është “Prova nga shkaku tek pasoja e të dytës, ndërsa e dyta është prova e pasojës për shkakun e të parës.”
  • Jeta është një lloj i manifestimit të Unitetit brenda shumësisë dhe prandaj ajo çon në Unitet. Jeta e bën një gjë pronaren e gjithçkaje.
  • Shpirti është një ligj që posedon një ekzistencë të jashtme, një ligj i vetëdijshëm. Ashtu si ligjet e qëndrueshme e me stabilitet të krijimit, shpirtërat vijnë nga bota e Urdhrit Hyjnor dhe nga Atributi i Dëshirës Hyjnore. Fuqia Hyjnore i vesh atij një ekzistencë të zbukuruar me shqisa, dhe e bën një qënie rrjedhëse të hollë si sedef për atë margaritar. Shpirti ekzistues është vëllai për ligjin e konceptueshëm. Që të dy ata janë të vazhdueshëm dhe që të dy vijnë nga bota e urdhrit. Në qoftë se fuqia e parapërjetshme do t’u kishte veshur ligjeve që sundojnë në speciet e qënieve një ekzistencë të jashtme, ato do të bëheshin një shpirt. Dhe në qoftë se shpirti do ta dëbonte vetëdijen, ai përsëri do të ishte një ligj i pavdekshëm.
  • Qëniet shihen vetëm nëpërmjet dritës, dhe ekzistenca e tyre njihet nëpërmjet jetës. Secila prej atyre të dyjave është zbuluese.
  • Krishterimi ose do të shuhet, ose do të pastrohet, dhe do t’i lëshojë armët e tij e do t’i dorëzohet Islamit. Krishterimi është grisur disa herë – deri sa u shfaq protestantizmi. Pastaj protestantizmi u gris dhe iu afrua pohimit të vërtetë të Unitetit Hyjnor. Ai po përgatitet të griset përsëri. Ai ose do të shuhet dhe kështu të përfundojë çështja e tij, ose do të shikojë përpara tij të vërtetat e Islamit, të cilat përfshijnë bazat e krishterimit të vërtetë, dhe do të dorëzohet.

Profeti Muhammed a.s.m. aludoi për këtë mister të madh kur ai tha: “Isai, Jezusi a.s. do të zbresë nga qiejt; ai do të jetë prej Ummetit tim dhe do të veprojë në përputhje me sheriatin tim.”

  • Është shenjtëria e burimit më shumë se sa prova ajo që i shtyn masat e njerëzve në bindje e nënshtrim ndaj urdhërave.
  • Esencat dhe çështjet e pakundërshtueshme të fesë, të cilat formojnë nëntëdhjetë përqind të sheriatit, janë secila shtylla prej diamanti, kurse çështjet e diskutueshme të cilat janë të hapura për ixhtihad formojnë vetëm dhjetë përqind. Nëntëdhjetë shtyllat prej diamanti nuk mund të vihen nën mbrojtjen e dhjetë shtyllave prej floriri. Librat e fikhut dhe interpretimet duhet të jenë teleskopët për të parë Kur’anin; ato duhet të jenë pasqyra dhe jo hije e perde dhe as zëvendës të tij.
  • Cilido që ka aftësi për ixhtihad mund të bëjë ixhtihad për veten e tij, por ai nuk mund të bëjë ligje.
  • Thirrja për çfarëdo lloj ideje qoftë, është e kushtëzuar me pranimin e dijetarëve -xhumhurul-ulema-; përndryshe ajo është bidat, dhe duhet të refuzohet.
  • Meqenëse nga natyra njeriu është fisnik, ai e kërkon të vërtetën. Ndonjëherë ai takon rastësisht të shtrembërën, por duke e pandehur atë të jetë e vërteta, e fsheh atë në kraharorin e tij dhe e ruan. Dhe mundet që çudhëzimi -pa dëshirën e tij- t’i bie mbi kokën e tij gjatë kohës që ai heton e gërmon për realitetin dhe, duke e supozuar atë të jetë realiteti, ai e zhyt kokën e tij në të.
  • Fuqia Hyjnore ka shumë pasqyra, secila më e hollë dhe më e tejdukshme se sa tjetra; ato ndryshojnë nga uji tek ajri, nga ajri tek eteri, nga eteri tek bota e shëmbëllesave; nga bota e shëmbëllesave për tek bota e shpirtërave, dhe madje deri tek koha dhe tek mendimi. Një fjalë e vetme në pasqyrën e ajrit bëhet me miliona fjalë. Pena e fuqisë e shkruan këtë mister të riprodhimit në mënyrë vërtet të mahnitshme.

Reflektimi përmban ose identitetin e tij ose identitetin e tij së bashku me natyrën e tij. Imazhet e qënieve të dendura janë të lëvizshme por të vdekura. Ndërsa imazhet e shpirtërave të ndritshëm në pasqyrat e tyre janë të gjalla dhe të lidhura me jetën; madje edhe në qoftë se ato nuk janë pikërisht ato, të njëjtat, ato nuk janë tjetër veç tyre.

  • Në qoftë se dielli e tund vetveten në rrotullimin e tij boshtor, frutat e tij nuk bien; ndërsa në qoftë se ai nuk e tund vetveten, planetët do të binin e do të shpërndaheshin.
  • Në qoftë se drita e mendimit nuk ndriçohet me dritën e zemrës dhe të bashkohet me të, ajo është errësirë dhe lind despotizmi. Në qoftë se e bardha e syrit, e cila i ngjason ditës nuk është së bashku me beben e zezë të tij e cila i ngjason natës, syri nuk do të ishte sy; ai do të ishte i verbër. Gjithashtu nuk ka intuitë në mendimin e bardhë në qoftë se nuk është i pranishëm në të thelbi i zi i zemrës.
  • Në qoftë se njohurisë i mungon intuita e zemrës, ajo është injorancë, sepse të marrësh pjesën e diçkaje është një gjë, ndërsa besimi është gjë tjetër.
  • Zbukurimi i tepruar i gjërave të pakuptimta është çudhëzim i mendjeve të thjeshta.
  • Një dijetar udhërrëfyes duhet të jetë si një dele, dhe jo si një zog. Delja i jep qengjit të saj qumësht të pastër e të përpunuar, ndërsa zogu i jep zogthit të tij ushqimin e gëlltitur i cili është me jargë.
  • Ekzistenca e një gjëje varet nga ekzistenca e të gjitha pjesëve të saj. Ndërsa mosekzistenca e saj ndodh nëpërmjet mosekzistencës së një pjese; prandaj personi i dobët ka tendenca për shkatërrim me qëllim që të demonstrojë fuqinë e tij; ai kryen vepra negative shkatërruese në vend të akteve pozitive ndërtuese.
  • Në qoftë se ligjet e qeverisë nuk kombinohen me parimet e urtësisë, dhe lidhjet e forcës nuk kombinohen me ligjet e së vërtetës, ato nuk do të jenë të frutshme midis masave të popullit.
  • Tirania ka vënë në kokë kapelen e drejtësisë, tradhtia ka veshur mantelin e patriotizmit; xhihadit i është dhënë emri i revoltës; robëria është quajtur liri! Kështu të kundërtat kanë shkëmbyer format!
  • Politika e cila vërtitet rreth interesave vetjake është një bishë e llahtarshme.
  • Të shfaqësh përzemërsi ndaj një bishe të urritur kjo nuk nxit dhembshurinë e saj por nxit oreksin e saj. Edhe dhëmbët e saj shqyes, edhe kthetrat e saj do të kërkojnë shpërblimin, qeranë!
  • Koha ka treguar se Parajsa nuk është e lirë në çmim, as Ferri nuk është i panevojshëm.
  • Ndërsa virtytet e atyre që njihen nga bota si klasat e larta duhet të jenë shkaku i modestisë dhe i thjeshtësisë, ato kanë çuar në shtypje e në arrogancë. Dhe ndërsa skamja dhe pafuqia e të varfërve dhe e njerëzve të thjeshtë duhet të jetë shkaku i dhembshurisë dhe i mirëbërësisë, ato kanë rezultuar në robëri e dënim.
  • Në qoftë se në ndonjë gjë ndodhen gjëra të mira dhe dinjitet, ato menjëherë u dhurohen klasave të larta, por në qoftë se në të ndodhen të këqija, ata e ndajnë atë midis njerëzve të zakonshëm.
  • Në qoftë se nuk ka ndonjë synim të përfytyruar, ose në qoftë se ai është harruar ose është pretenduar të jetë harruar, atëherë mendimet vërtiten vazhdimisht rreth ‘Unit’.
  • Origjina e të gjitha revolucioneve dhe e korrupsionit, dhe nxitja dhe burimi i të gjitha moraleve të këqija janë vetëm dy fjalë:

Fjala e Parë: “Për sa kohë që unë jam i ngopur, çfarë do të më shqetësonte mua në qoftë se të tjerët do të vdisnin nga uria.”

Fjala e Dytë: “Fito ti që të ha unë, lodhu ti që të pushoj unë.”

Ndodhet vetëm një ilaç për ta shkulur Fjalën e Parë, dhe ajo është dhënia e zeqatit të detyruar. Ndërsa ilaçi për të dytën është ndalimi i kamatës dhe i interesave. Drejtësia Kur’anore qëndron në këmbë tek dera e botës dhe i thotë kamatës: “Mos hyr!” Është e ndaluar! Ti nuk ke të drejtë të hysh këtu!” Njerëzimi nuk i kushtoi vëmendje urdhrit, dhe mori një goditje të rëndë. Prandaj, ai duhet t’i kushtojë vëmendje atij para se të marrë një goditje tjetër akoma më të rëndë!

  • Lufta ndërmjet popujve dhe shteteve po ia lë vendin e saj luftës ndërmjet klasave të njerëzimit; sepse njeriu ashtu siç nuk dëshiron të jetë një skllav, po ashtu ai nuk dëshiron të jetë as punëtor me mëditje gjithashtu.
  • Ai i cili e ndjek qëllimin e tij nëpërmjet një rruge të paligjshme, shpesh ndëshkohet duke marrë të kundërtën e asaj që ai synoi. Shpërblimi për një dashuri të paligjshme, si dashuria për Evropën, është një armiqësi mizore prej të dashurit.
  • E shkuara dhe fatkeqësitë duhet të konsiderohen me shikimin e ‘Kaderit Hyjnor’, ndërsa e ardhmja dhe gjynahet duhet të shikohen nga këndvështrimi i përgjegjësisë para Zotit xh.sh.. Xheberitët dhe Mu’tezilitët pajtohen në këtë pikë.
  • Nuk duhet të strehohesh tek pafuqia në gjërat për të cilat mund të gjendet ndonjë zgjidhje, dhe nuk duhet të strehohesh tek ankthi e torturimi në gjërat për të cilat nuk ka zgjidhje.
  • Plagët e jetës mund të shërohen. Por plagët e krenarisë Islamike, të dinjitetit dhe të krenarisë kombëtare janë tej mase të thella.
  • Ndonjëherë ndodh që një fjalë e vetme e bën një ushtri të ndërlikohet e të përfshihet në luftë, dhe një plumb i vetëm çon në asgjësimin e tridhjetë milionë njerëzve.[2] Disa rrethana janë të tilla saqë një akt i vogël e ngre njeriun tek lartësia më e lartë, ndërsa disa të tjera janë të tilla saqë një veprim i vogël e zbret atë tek niveli më i ulët.
  • Një kokërr e vetme nga vërtetësia djeg një mullar gënjeshtra. Një kokërr nga realiteti është më e lartë se sa një mullar me imagjinata. Duhet të jesh i vërtetë në çdo gjë që flet, por nuk është e drejtë t’i thuash të gjitha të vërtetat.
  • Një njeri i cili shikon të mirën tek gjërat, ka mendime të mira. Dhe ai që ka mendime të mira merr kënaqësi nga jeta.
  • Ajo që jep jetë për njerëzit është shpresa, ndërsa ajo që i vret ata është këputja e shpresës.
  • Ky shtet islamik i cili mori mbi supet e tij qysh nga kohët e hershme detyrën e xhihadit – si farz kifajet- detyrën për të ngritur lartë Fjalën e Zotit xh.sh. dhe për të mbrojtur vazhdimësinë e lirisë së botës Islame, e cila është si një trup i vetëm, dhe e konsideroi vetveten të jetë i ngarkuar me vetësakrifikimin për Islamin, i cili ishte i bashkuar dhe mbajtësi i flamurit të kalifatit. Fatkeqësia që ai po vuan tani do të zëvendësohet e kompensohet me mirëqenien e ardhme dhe me lirinë e botës islamike, sepse kjo fatkeqësi ka shpejtuar në mënyrë të çuditshme rritjen e vëllazërisë Islamike që është esenca e jetës sonë dhe shpirti i saj.
  • T’ia atribuosh krishterimit virtytet e qytetërimit të cilat nuk janë prona e tij, dhe ta shfaqësh prapakthimin i cili është armiku i Islamit, të jetë miku i tij, kjo nënkupton se kupa e qiellit po rrotullohet në drejtim të kundërt.
  • Një diamant i rrallë, sado i nxirë dhe i oksiduar që të jetë, është githmonë më i lartë se sa një copë vezulluese qelqi.
  • Ata të cilët e kërkojnë çdo gjë në materie, njohin vetëm atë çfarë shohin sytë e tyre dhe, sy të tillë janë të verbër në çështjet shpirtërore.
  • Në qoftë se metaforat bien nga duart e dijes në ato të mosdijes, ato transformohen në kuptimet e tyre të mirëfillta, duke hapur derën për tek bestytnitë.
  • Një favor më i madh se sa favori Hyjnor nuk është favor. Çdo gjë duhet të përshkruhet ashtu siç është.
  • Fama gjithashtu i përshkruan njeriut atë që nuk është e tij.
  • Hadithi Profetik është burimi i jetës dhe frymëzuesi i realitetit.
  • Rigjallërimi i fesë është rigjallërimi i kombit. Jeta e fesë është drita e jetës.
  • Kur’ani, i cili është një mëshirë për njerëzimin, vetëm pranon atë qytetërim i cili garanton lumturinë e përgjithshme, për të gjithë, ose të paktën lumturinë e shumicës. Ndërsa civilizimi modern është themeluar mbi pesë parime negative:
    1. Pika e tij e mbështetjes është forca, shenja e së cilës është agresioni.
    2. Qëllimi dhe synimi i tij është interesi, shenja e të cilit është shtyrja me bërryla dhe grindja.
    3. parimi i tij në jetë është konflikti, shenja e të cilit është zënia dhe mosmarrëveshja.
    4. Lidhja midis masave të njerëzve është racizmi dhe nacionalizmi negativ, i cili ushqehet dhe zgjerohet duke gllabëruar të tjerët; shenja e saj është përplasja e tmerrshme.
    5. Shërbimi i tij për njerëzimin është një shërbim joshës, është nxitja e epshit dhe e pasionit, dhe përmbushja e dëshirave të nefsit; gjë që e transformon njeriun në një bishë.

Sa për civilizimin të cilin e përmban sheriati i Muhammedit a.s.m. dhe që e urdhëron, është ky:

Pika e tij e mbështetjes është e vërteta në vend të forcës, shenja e të cilës është drejtësia dhe harmonia. Qëllimi i tij është virtyti në vend të interesit vetjak; dhe shenja e virtytit është dashuria dhe tërheqja.

Aspekti i unitetit në të janë: lidhjet e fesë, të vendit, të klasave në vend të racizmit, dhe shenja e këtyre është vëllazëria e sinqertë, paqja dhe vetëm mbrojtja kundra agresionit të jashtëm. Parimi i tij në jetë është: Bashkëpunimi dhe ndihma e ndërsjellë në vend të parimit të konfliktit, shenja e të cilit është uniteti dhe solidariteti. Dhe ai jep udhëzimin në vend të epshit, dhe shenja e udhëzimit është përparimi shpirtëror dhe progresi human. Mos i lësho duart e tua prej Islamit, mos u largoni nga Islami i cili është mbrojtësi i ekzistencës sonë; kapu pas tij me të gjithë fuqinë tënde ose ndryshe do të humbasësh!

  • Fatkeqësitë e përgjithshme bien për shkak të gabimeve të shumicës; fatkeqësia është rezultati i një krimi, dhe parathënia për shpërblim.
  • Martiri e mendon veten se ai është i gjallë. Meqenëse ai nuk i ka provuar agonitë e vdekjes, ai e shikon jetën të cilën ai e sakrifikon të jetë e përjetshme dhe e qëndrueshme. Ai thjesht e gjen atë më të pastër.
  • Drejtësia e pastër e Kur’anit nuk e derdh gjakun e një të pafajshmi as nuk e shkatërron jetën e tij edhe sikur për të gjithë njerëzimin. Të dy janë të barabartë edhe në shikimin e Fuqisë Hyjnore, edhe në shikimin e drejtësisë. Por nëpërmjet egoizmit njeriu bëhet i tillë saqë ai do të shkatërronte gjithçka që formon pengesë për ambicien e tij, madje edhe të gjithë botën dhe të gjithë llojin njerëzor në qoftë se do të mundej.
  • Frika dhe dobësia i inkurajojnë ndikimet e jashtme.
  • Përfitimet e sigurta nuk duhet të sakrifikohen për dëme imagjinare.
  • Politika aktuale e Stambollit është një sëmundje që i ngjason sëmundjes së Spanjës.
  • I thuaj një njeriu të keq, “Ti je i mirë, ti je i mirë”, dhe nuk është e pagjasë që ai të bëhet i mirë. Dhe nëse do t’i thoje një njeriu të mirë: “Ti je i keq, ti je i keq”, ka gjasa që ai të bëhet i keq.
  • Armiku i armikut është një mik sa kohë që të jetë armik për të, ndërsa miku i armikut është një armik për sa kohë që ai të jetë mik për të.
  • Kryeneçësia është kjo: Në qoftë se një shejtan e ndihmon dikë, ai do ta quante atë “një engjëll”, dhe lutet që të bien bekime mbi të. Ndërsa në qoftë se do të shikonte një engjëll midis kundërshtarëve të tij, ai do ta quante atë “një shejtan që ka ndryshuar rrobat e tij”, dhe e mallkon atë.’
  • Ilaçi i një njeriu të sëmurë mund të jetë helm për një tjetër. Në qoftë se ilaçi do të tejkalonte limitin e tij, ai do të bëhej shkaku i sëmundjes.
  • Solidariteti në një shoqëri rezulton në qetësi në të gjitha aktivitetet e saj, ndërsa smira ndaj njëri-tjetrit u shkakton të gjitha aktiviteteve të pezullohen.
  • Në qoftë se komuniteti nuk është një, dhe një i tërë, numër i pandashëm, mbledhja do të bënte një numër më të vogël si shumëzimi i thyesave, atëherë mbledhja – shtimi – bën më të vogël, ashtu si shumëzimi i thyesave …? [3]
  • Mospranimi ngatërrohet shpeshë me pranimin e mosqënies. Dëshmia për mospranim është mungesa e provës së vërtetuar. Pranimi i mosqënies kërkon provën e mosqënies. Njëra është dyshim, ndërsa tjetra është mohim.
  • Në qoftë se dyshimi në çështjet e besimit shkatërron një ose madje njëqind tregues, ai nuk e dëmton atë që është vendosur; sepse ndodhen me qindra dëshmi.
  • Shumica e muslimanëve duhet të ndiqet, sepse kur ata ndoqën shumicën, Umevitët të cilët ishin të ngadalshëm dhe moskokëçarës, përfundimisht u futën brenda komunitetit të Ehli es-Sunneh vel-xhemaah. Sa për Alevitët, meqenëse ata u mbështetën në pakicë, çështja përfundoi për disa prej tyre – megjithëse ishin të palëkundur – në hyrjen e tyre midis grupit Rafida.
  • Në qoftë se unanimiteti lidhur me të mirën çon në konflikt lidhur me atë që është më e mirë, e drejta është më e drejtë se sa ajo që është më e drejtë. Gjithësecili duhet të thotë rreth rrugës së tij se: “Ajo është e drejtë”, ai nuk duhet të thotë: “Ajo është e vetmja rrugë e drejtë”; ose ai duhet të thotë: “Ajo është e mirë”, por ai nuk duhet të thotë: “Ajo është e vetmja rrugë e mirë.”
  • Në qoftë se nuk do të ishte Parajsa, Ferri nuk do të ishte torturim.
  • Ndërsa koha vjetërohet, Kur’ani bëhet më i ri; shenjat e tij bëhen të dukshme. Ashtu si drita që ndonjëherë shfaqet si zjarr, po ashtu elokuenca e dendur shfaqet si ekzagjerim.
  • Shkallët në nxehtësi ndodhin nëpërmjet ndërhyrjes së të ftohtit; shkallët e bukurisë ndodhin nëpërmjet ndërhyrjes së shëmtisë. Fuqia e parapërjetshme është esenciale, e domosdoshme dhe e brendaqenësishme. Pafuqia nuk mund të ndërhyjë në të; nuk mund të ketë shkallë në të; gjithçka është e barabartë në lidhje me të.
  • Imazhi i diellit, i cili është shkëlqimi i manifestimit të tij, shfaq të njëjtin identitet në sipërfaqen e detit dhe në të gjithë pikëlat e tij.
  • Jeta është nga manifestimi i Unitetit; uniteti gjithashtu është përfundimi i saj.
  • Përderisa evlijatë midis njerëzve, ora e pranimit të duasë në ditën e xhuma, Nata e kadrit në muajin e bekuar të Ramazanit, Emri më i madh prej Emrave të bukur Hyjnorë, dhe exheli në jetë mbeten të panjohura, gjëra të tjera marrin vlerën e tyre dhe rëndësia u jepet atyre. Njëzet vite prej një jete që përfundimi i saj është i papërcaktuar është më e preferueshme se sa jeta e njëmijë viteve që përfundimi i të cilës është përcaktuar.
  • Fundi i mëkatit në këtë dynja është dëshmi për ndëshkimin e tij në Ahiret.
  • Në shikimin e fuqisë, furnizimi, rizku është aq i rëndësishëm sa jeta. Fuqia e sjell rizkun në ekzistencë, Kaderi Hyjnor i vesh atij një ‘veshje të përcaktuar’, përkujdesja Hyjnore e ushqen dhe e mirëmban atë. Jeta është një përmbledhje, një produkt i përcaktuar dhe është e dukshme. Furnizimi nuk është një përmbledhje – e menjëhershme – ai është gradual dhe i shtrirë, dhe i shkakton njeriut të mendojë. Nuk ka vdekje nga uria, sepse njeriu nuk vdes përpara se të mbarojë dhjami dhe lëndët e tjera të depozituara në trup. Domethënë, sëmundja që buron nga heqja dorë prej ndonjë zakoni është ajo që e shkakton vdekjen, dhe jo mungesa e ushqimit.
  • Ushqimi hallall i kafshëve të egra mishngrënëse janë kërmat e panumërta të kafshëve të ngordhura; ato edhe e pastrojnë faqen e tokës, edhe gjejnë ushqimin e tyre.
  • Para se të futet në gojë dhe pasi të kalojë poshtë gurmazit, një kafshatë që kushton një qindarkë dhe njëra që kushton dhjetë, janë të barabarta. Është një ndryshim vetëm për pak sekonda në gojë. Prandaj të harxhosh dhjetë qindarka në vend të një qindarkeje të vetme me qëllim që të kënaqësh dhe t’i bësh qejfin shqisës së të shijuarit, e cila është si një inspektore dhe si një derëtare, do të ishte forma më e keqe e prishjes pa hesap, e çuarjes dëm.
  • Kur kënaqësitë bëjnë thirrje, njeriu duhet të thotë: “Sikur unë e kam ngrënë atë”, sepse ai që e bën këtë si parimin e tij, ai ka patur mundësi të ketë ngrënë një xhami e quajtur “sikur unë kam ngrënë”, por ai nuk hëngri.[4]
  • Më përpara nuk ka pasur uri midis muslimanëve; dhe dëshira për të jetuar në rehati dhe me të gjithë të mirat ishte e lejuar. Ndërsa tani ata janë të urritur, dhe nuk ka dëshirë për kënaqësi.
  • Duhet buzëqeshja në fytyrën e dhimbjeve të përkohshme dhe duhet të mirëpriten më shumë se sa kënaqësia e përkohshme; sepse kënaqësitë e shkuara i shkaktojnë njeriut të thotë: “Ah medet!”, “Medet”, dhe ato janë veçse një interpretues i një dhimbjeje të fshehur. Ndërsa dhimbjet e kaluara e bëjnë njeriun të thotë: ‘El hamdu lil-lah’ Lavdi Zotit, i Cili njofton një kënaqësi e mirësi të fshehur.
  • Harresa gjithashtu është një mirësi. Sepse ajo të bën të provosh vetëm dhimbjet e një dite të vetme dhe i bën të tjerat të harrohen.
  • Në çdo fatkeqësi ndodhet një shkallë mirësie, ashtu si shkallët e nxehtësisë – tek të cilat ndërfuten i ftohti – prandaj duhet të falënderohet All-llahu duke menduar në atë që është më e madhe, dhe duke e shikuar mirësinë në më të voglën. Ose përndryshe, në qoftë se e fryn fatkeqësinë, ajo zmadhohet; në qoftë se do të shfaqësh shumë shqetësim për të, ajo do të dyfishohet; dhe imazhi i saj i imagjinuar në zemër do të transformohet në realitet; dhe ajo do ta qëllojë fort zemrën gjithashtu.
  • Në shoqëri, si një tërësi, gjithësecili ka një dritare të njohur si rang, nëpërmjet të cilës për të shikuar e për t’u parë. Në qoftë se dritarja është më e lartë se sa shtati i tij, personi do të bëhet më i gjatë nëpërmjet arrogancës; dhe në qoftë se ajo është më e ulët se sa shtati i tij, ai do të përkulet nëpërmjet modestisë që të shohë e të shihet tek ai nivel. Masa e madhështisë tek njeriu është modestia, ndërsa masa e vogëlsisë tek ai është mendjemadhësia dhe arroganca.
  • Dinjiteti i të dobëtit përpara të fuqishmit, në qoftë se do ishte tek i fuqishmi, do të ishte mendjemadhësi, po kështu modestia e të fortit përpara të dobëtit, nëse do të ishte tek i dobëti, do të ishte poshtërim. Serioziteti i dikujt me autoritet në zyrën e tij është dinjitet, dhe përulësia e tij është poshtërim. Ndërsa serioziteti i tij në shtëpinë e tij është arrogancë, dhe përulësia e tij është modesti. Në qoftë se një ndivid flet për veten e tij, atëherë toleranca e tij, amnistia ndaj keqbërësve dhe vetësakrifikimi janë vepra të mira. Ndërsa në qoftë se ai flet në emër të kolektivit, kjo do të ishte tradhti dhe akt i padrejtë. Njeriu mund ta përmbajë zemërimin për llogari të vetes së tij – dhe mund të mos krenohet për diçka që i përket atij. Por ai mund të krenohet në emrin e kombit pa e përmbajtur zemërimin në emër të tij, dhe për të drejtën e kombit.
  • T’ia dorëzosh çështjen All-llahut në planifikimin dhe në marrjen e masave paraprake është dembeli; ndërsa në pritjen e rezultatit është mbështetje tek All-llahu. Kënaqësia me pjesën e tij dhe me frutin e përpjekjes së tij është kanat- vetëmjaftueshmëri, dhe forcon dëshirën për përpjekje. Ndërsa mjaftueshmëria me atë që ekziston, është mangësi në aspiratë dhe në vullnet.
  • Ashtu siç ndodhet bindje e mosbindje ndaj urdhërave të sheriatit të njohur, po ashtu ndodhet bindje dhe mosbindje ndaj urdhërave krijuese në univers. Për sa ka të bëjë me të parin, shpërblimi dhe dënimi janë kryesisht në Ahiret, ndërsa lidhur me të dytin, ato jepen kryesisht në këtë botë. Për shembull, shpërblimi i durimit është fitorja; ndëshkimi për dembelinë është varfëria; shpërblimi i përpjekjes është pasuria, dhe shpërblimi i qëndrueshmërisë është triumfi. Drejtësia pa barazi nuk është drejtësi.
  • Shëmbëllimi i ndërsjellë është shkaku i kontradiktave; përputhja, përshtatja, është baza e solidaritetit; vogëlsia e karakterit është burimi i arrogancës; dobësia është burimi i mendjemadhësisë; pafuqia është burim i kundërshtimit; dhe kureshtja është mësuesi i njohjes.
  • Nëpërmjet nevojës, dhe veçanërisht nëpërmjet ‘urisë’, fuqia e Krijuesit i mban nën fre të gjitha qëniet e gjalla me në krye njeriun, dhe i ka vënë ato në rregull. Gjithashtu, Ai e ka shpëtuar botën nga anarkia, dhe duke e bërë nevojën profesoreshën e civilizimit, ka siguruar përparimin për njeriun.
  • Skamja të mëson të ligën. Mjerimi është burimi i çudhëzimit; dhe errësira e zemrës është burimi i ngushtësisë së shpirtit.
  • Kur burrat bëhen miqësorë dhe të dhënë pas tekave të nefseve të tyre, gratë bëhen si burra duke qenë të pafytyra. Sa herë që hyn një grua e bukur në një tubim vëllezërish, zgjohet hipokrizia, rivaliteti e smira. Domethënë, zbulimi i grave çon në zbulimin e moraleve të këqija tek njeriu i civilizuar.
  • Fotografitë buzëqeshëse – ato kufoma të zvogëluara – kanë luajtur një rol të madh në shpirtin e ndotur e të mbrapshtë të njeriut modern.
  • Statujat e ndaluara nga sheriati janë ose tirani e gurëzuar, ose epsh i mishëruar, ose hipokrizi e personifikuar.
  • Prirja për t’u zgjeruar e për ixhtihad është prirje për plotësim për ata që kanë hyrë me të vërtetë në sferën e Islamit duke u përshtatur plotësisht me të gjitha çështjet e pakundërshtueshme të islamit;por për dikë tjetër i cili mund të mendohet jashtë asaj sfere dhe që nuk i jep rëndësi asaj, dëshira për t’u zgjeruar është dëshira për të shkatërruar. Në kohë stuhish e tërmetesh duhet të mos e hapësh derën e ixhtihadit dhe, duhet të mbyllësh dritaret e tij gjithashtu. Ata të cilët janë moskokëçarës ndaj fesë, nuk duhen ledhatuar me lejueshmëri, por duhet të zgjohen e të bëhen të vendosur me paralajmërime të rrepta.
  • Të vërtetat e mjera bëhen të pavlefshme në duar të pavlefshme.
  • Globi ynë i ngjason një qënieje të gjallë; ai shfaq shenjat e jetës. Në qoftë se ai do të zvogëlohej me masën e një vezeje, a nuk do të bëhej ai një lloj kafshe? Ose në qoftë se një mikrob do të zmadhohej me përmasën e globit, a nuk do t’i ngjasonte atij? Në qoftë se ai do të kishte jetë, ajo do të kishte edhe shpirt gjithashtu. Në qoftë se bota do të zvogëlohej me përmasën e njeriut dhe yjet të bëheshin si grimcat dhe substancat e qënies së tij, atëherë a nuk do të ishte ajo gjithashtu një qënie e gjallë e vetëdijshme? All-llahu ka shumë si shembujt e këtyre kafshëve.
  • Ndodhen dy sheriate: I Pari është sheriati të cilin ne e njohim; është ai i cili organizon veprat dhe gjendjet e njeriut, atë botë të vogël, dhe është ai sheriat i cili vjen nga Atributi i të Folurit. I Dyti është sheriati më i madh i krijimit, i cili organizon lëvizjet dhe qetësinë e botës – e atij njeriu të madh – dhe është ai sheriat i cili buron nga Atributi i Vullnetit, i Dëshirës; ky mund të quhet gabimisht me emrin “Natyrë”. Melekët janë një komunitet i madh; ata janë mbajtësit, përfaqësuesit dhe mishëruesit e urdhërave krijuese të cilat burojnë nga Atributi i Dëshirës dhe ky quhet sheriati i krijimit.
  • Në qoftë se ti do t’i peshoje e krahasoje shqiset e një organizmi mikroskopik me shqiset e njeriut, do të shikoje një mister të çuditshëm. Njeriu është në formën Ja’sin, në të cilën është shkruar sureja Ja’sin.
  • Materializmi është një murtajë shpirtërore e cila e ka infektuar njeriun me një rrufë të rrezikshme, duke i shkaktuar atij që të marrë zemërimin Hyjnor. Sa më shumë të ngulitet aftësia dhe të zgjerohet kritika, aq më shumë përhapet ajo murtajë.
  • Më i mjeruari, më i dëshpëruari dhe më i trondituri i njerëzve është njeriu i papunë, sepse papunësia është kushëriri i mosekzistencës, ndërsa përpjekja, puna, është jeta e ekzistencës dhe zgjimi i jetës.
  • Përfitimet nga bankat – që janë dyert e kamatës dhe të interesave, janë për mohuesit, të cilët janë më të këqinjtë e njerëzimit, për më tiranët e tyre dhe për më të poshtërit e tyre. Ato janë shkaku i një dëmi absolut për botën e Islamit. Kështu pasuria e të gjithë njerëzimit nuk duhet të merret në konsideratë. Në qoftë se mohuesit janë luftënxitës dhe agresorë, ata gjithashtu janë pa respekt e pa nder.
  • Hutbeja në ditën e xhuma është për të të kujtuar esencat dhe çështjet e pakundërshtueshme të fesë, dhe jo për të të mësuar çështjet teorike. Termat në arabisht t’i kujtojnë këto në një mënyrë më të lartësuar. Në qoftë se hadithet dhe vërsetet Kur’anore do të krahasoheshin me njëri-tjetrin, do të bëhej e qartë se madje edhe më elokuenti i njerëzimit nuk mund ta arrijë elokuencën e vërsetit, dhe hadithi nuk mund t’i ngjasojë ajetit.

* * *

Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

O All-llah! O i Gjithëmëshirshëm! O Mëshirëplotë! O i Vetëm! O i Gjallë i Përjetshëm! O Vetekzistues i Përjetshëm! O Gjithëgjykues! O i Drejtë! O i Shenjtë!

Për hir të Emrit Tënd më të madh, dhe në nderim të Kur’anit të shpjegimit të mrekullueshëm, dhe në nderim të Profetit Tënd më të nderuar, mbi të cilin qofshin paqja dhe bekimet e Tua, jepu lumturi të përjetshme në parajsë botuesve të këtij libri të koleksionit të “Letrave” të Bediuzzamanit, dhe mbi të gjithë ata që i ndihmojnë. Amin! Dhe jepu atyre sukses të përhershëm e të vazhdueshëm në shërbim të besimit dhe të Kur’anit. Amin! Dhe për secilën fjalë të letrave shkruaju një mijë merita në librat e veprave të tyre të mira. Amin! Dhe jepu atyre vazhdimësi, qëndrueshmëri dhe sinqeritet në publikimin e “Risale-i Nurit”. Amin!

O më i Gjithëmëshirshmi i mëshiruesve! Jepu lumturi në këtë botë dhe në tjetrën të gjithë studentëve të “Risale-i Nurit”. Amin! Mbroji ata nga e keqja e shejtanëve midis xhindeve dhe njerëzve. Amin! Dhe fali gabimet e këtij të pafuqishmi dhe të këtij Saidi të dobët. Amin!

Në emrin e të gjithë studentëve të Risale-i Nurit

Said Nursi

* * *

[1] Këto vepra që të gjitha qenë shkruar në turqisht me përjashtim të Isharatul Ixhaz dhe Kizil Ixhaz, të cilat qenë shkruar në arabisht. E para u përkthye në turqisht në 1950 nga vëllai i Bediuzzamanit, AbdulMexhidi. (Përkthyesi)

[2] Një plumb i vetëm me të cilin qëlloi një ushtar serb mbi princin trashëgimtar të Austrisë ishte shkak për ndezjen e Luftës së Parë Botërore, dhe shkaku i tridhjetë milionë viktimave.

[3] Është e mirënjohur në Aritmetikë, se shumëzimi dhe mbledhja shtohen: Katër herë katër bëjnë gjashtëmbëdhjetë. Ndërsa në thyesa, në kontrast, shumëzimi dhe mbledhja bëjnë më të vogël: Një e treta e shumëzuar me një të tretën bëjnë një e nënta. Pikërisht në të njëjtën mënyrë, në qoftë se nuk ka tërësi integrale, saktësi dhe unitet midis njerëzve, duke i shumëzuar ata bëhen më të vegjël, më të prishur e pa vlerë.

[4] Kjo xhami ndodhet në lagjen Fatih Sulltan Mehmet në Stamboll, dhe thuhet se ndërtuesi i saj i kurseu paratë e domosdoshme për ndërtimin e xhamisë duke thënë “sikur unë kam ngrënë” sa herë që shikonte diçka që dëshironte për ta ngrënë, por ama nuk e hante atë gjë. Dhe që këtu erdhi ky emërtim.