LETRA E PARE – PYETJE NE LIDHJE ME Hz. HIZRIN a.s

Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti. Dhe prej Atij ne kërkojmë ndihmë.

“Me Emrin e Atij të Cilit i takon lavdërimi.” “Dhe s’ka gjë që të mos e lëvdojë lartësinë e Tij.”[1]

Kjo Përbëhet Nga Përgjigje Të Shkurtëra Rreth Katër Pyetjeve

PYETJA E PARË: A është gjallë Hazreti Hizri a.s.? Në qoftë se është gjallë, përse nuk e pranojnë këtë disa dijetarë të rëndësishëm fetarë?

Përgjigjja: Ai është gjallë, por ndodhen pesë shkallë jete, Ai është në shkallën e dytë; për shkak të kësaj disa dijetarë fetarë kanë qenë dyshues rreth saj.

  • Niveli i Parë i jetës është ai i jetës sonë, i cili është shumë i kufizuar.
  • Niveli i Dytë i jetës është ai i jetëve të Hazreti Hizrit a.s. dhe e Hazreti Iljasit a.s., e cila deri në një farë shkalle është e lirë, pa kufizime. Domethënë, ata të dy mund të jenë të pranishëm në vende të shumta në të njëjtën kohë. Ata të dy nuk janë përherë të kufizuar nga kërkesat e gjendjes njerëzore ashtu si ne. Ata të dy mund të hanë e të pinë si ne kur të duan, ata nuk janë të detyruar ashtu si ne. Shenjtorët -evlijatë- janë ata të cilët i zbulojnë dhe i dëshmojnë realitetet e krijimit, dhe njoftimet rreth ngjarjeve të tyre me Hazreti Hizrin janë të njëzëshme, unanimisht, dhe sqarojnë e provojnë këtë nivel jete. Madje ndodhet një shkallë shenjtërie e cila quhet “Shkalla e Hizrit”, një shenjtor që e arrin këtë shkallë merr mësim nga Hizri dhe takohet me të. Por disa herë personi që është në këtë shkallë mendohet në mënyrë të gabuar të jetë Hizri.
  • Niveli i Tretë i jetës është ai i Hazreti Idrisit dhe i Isait (Jezusit) a.s., nivel i cili duke qenë larg nga kërkesat e gjendjes njerëzore futet në një jetë që i ngjason jetës engjëllore dhe fiton një hollësi e përsosuri të ndritshme. Ata janë të pranishëm në qiejt me trupat tokësorë, të cilët kanë hollësinë e trupave prej Botës së shëmbëllesës dhe ndriçimin e trupave si yje.

Hadithi, kuptimi i të cilit është, “Në fund të kohës, Isai (Jezusi) a.s. do të vijë dhe do të veprojë në përputhje me Sheriatin e Muhammedit a.s.m., tregon se në fundin e kohës feja e krishterimit do të pastrohet dhe do të zhvishet nga bestytnitë përballë rrymës së mosbesimit dhe të ateizmit të shkaktuara nga filozofia natyraliste dhe do të transformohet në Islam. Tek kjo pikë, ashtu si personaliteti kolektiv i krishterimit që do ta vrasë personalitetin e frikshëm kolektiv të afetarisë –pafesisë- me shpatën e shpalljes qiellore, po ashtu, duke përfaqësuar personalitetin kolektiv të krishterimit, Hazreti Isai a.s. do ta vrasë Dexhalin, i cili përfaqëson personalitetin kolektiv të afetarisë, domethënë ai do ta vrasë mendimin ateist.

  • Niveli i Katërt i jetës është ai i shehidëve, martirëve. Sipas Kur’anit, martirët kanë një nivel jete më të lartë se sa ai i të vdekurve të tjerë në varret e tyre. Meqenëse martirët i sakrifikuan jetët e tyre të kësaj bote në rrugën e së vërtetës, Zoti i Gjithëfuqishëm me bujarinë e Tij të plotë u dhuron atyre në Botën e ndërmjetme një jetë që i ngjason jetës së kësaj dynjaje, por pa hidhërime e vuajtje. Ata nuk e dinë se kanë vdekur.. por dinë se vetëm kanë shkuar në një botë më të mirë.. Ata gëzojnë një lumturi të plotë dhe nuk vuajnë dhimbjet e ndarjes dhe shoqërimin e vdekjes. Sigurisht shpirtërat e të vdekurve janë të amshuar, të pavdekshëm, mirëpo ata e dinë se kanë vdekur. Lumturia dhe kënaqësia që ata përjetojnë në ‘Berzah’, në Botën e ndërmjetme nuk janë të barabarta me ato të martirëve.

Ashtu si, në qoftë se dy burra në ëndrrat e tyre futen në një pallat të bukur i cili i ngjason Parajsës, ku njëri e di se është në ëndërr dhe se kënaqësia dhe gëzimi janë të mangët dhe, ndërkohë mendon me vete: “Sapo të zgjohem, e gjithë kjo kënaqësi do të zhduket,” ndërsa burri tjetër nuk e di se është në ëndërr dhe, kështu ai përjeton një gëzim të vërtetë dhe një kënaqësi reale. Mënyra se si martirët dhe të vdekurit e tjerë përfitojnë nga jeta në Botën e ndërmjetme është kështu e ndryshme, është vërtetuar nga ngjarje dhe rrëfenja të panumërta duke dhënë sigurinë më të madhe se martirët arrijnë këtë mënyrë jete dhe mendojnë se ata janë të gjallë. Në të vërtetë, ky nivel jete është ndriçuar e provuar në raste të përsëritura nga shumë ndodhi si Hazreti Hamzai r.a., prijësi i martirëve, duke i mbrojtur ata që iu drejtuan për ndihmë e strehim dhe duke ua plotësuar atyre nevojat e kësaj bote.. dhe duke i nxitur të tjerët për plotësimin e tyre.

Madje edhe unë vetë kisha një nip, djalin e motrës, ai ishte njëri nga studentët e mi dhe quhej ‘Ubejd’. Ai u vra në Luftën e Parë Botërore pranë meje në vendin tim dhe u bë një martir, shehid. Atëherë, ndërsa po mbahesha si rob lufte në një vend tri muaj largësi, unë, në një ëndërr të vërtetë, u futa në varrin e tij, i cili ishte në formën e një banese nën tokë, ndonëse unë nuk e dija se ku ishte varrosur ai. E pashë atë të jetonte në nivelin e jetës së martirëve. Ai, në mënyrë të qartë, mendoi se unë isha i vdekur dhe tha se kishte qarë shumë për mua. Ai mendoi se ai vetë ishte i gjallë, por duke u tërhequr nga pushtimi rus, kishte ndërtuar për vete një shtëpi të bukur nën tokë. Kështu, kjo ëndërr e pjesshme me disa kushte dhe shenja –më dha një bindje të plotë– me shkallën e të dëshmuarit dhe të shikuarit, lidhur me të vërtetën e lartëpërmendur.

  • Niveli i Pestë i jetës është ai i shpirtërave të të vdekurve në varret e tyre. Po, vdekja është një ndryshim banese, një çlirim i shpirtit nga detyrat; ajo nuk është asgjësim, mosekzistencë dhe shkuarje në asgjësi. Shumë dëshmi si ndodhitë e panumërta të shpirtërave të shenjtorëve duke marrë forma dhe duke u shfaqur për ata që zbulojnë realitetet, të vdekurit e tjerë duke pasur lidhje me ne ndërsa janë në gjendje zgjimi apo në gjumë dhe duke na treguar ata prej gjërave që janë në harmoni me realitetin, dëshmi të tilla si këto ndriçojnë dhe provojnë këtë nivel jete. Në fakt, “Fjala e Njëzet e Nëntë” rreth pavdekshmërisë së shpirtit të njeriut e demonstron këtë nivel jete me prova të pakundërshtueshme.

[1] Kur’an, 17: 44