Lexo PDF

 

Me Emrin e All-llahut, të Cilit i takon lavdërimi! “Dhe s’ka gjë që të mos e lëvdojë Lartësinë e Tij.”[1]

[Kjo Letër përbëhet nga Dy Çështje; e Para u bën thirrje besimtarëve për vëllazëri e dashuri]

 

ÇËSHTJA E PARË

 

Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

“Padyshim që besimtarët janë vëllezër; kështu pra, vendosni pajtimin ndërmjet vëllezërve tuaj.”[2]

“Largojeni (të keqen) me atë që është më e mirë, pastaj, ja! Ai, mes të cilit dhe mes teje pati armiqësi, (do të bëhet) si të ishte mik i ngushtë)”[3]

“Ata të cilët e përmbajnë zemërimin dhe ata të cilët e falin njëri-tjerin, vërtetë All-llahu i do shumë mirëpunuesit.”[4]

Grindja në debat, kundërshtimi midis besimtarëve, anësia, kryeneçësia dhe smira që çojnë në mëri dhe armiqësi ndërmjet tyre, janë qëndrime të papajtueshme e të refuzueshme, janë të dëmshme dhe të mëkatshme; ato i refuzon e vërteta dhe urtësia dhe i refuzon Islami i cili përfaqëson humanizmin më të lartë. Për më tepër, ato shkatërrojnë jetën njerëzore, jetën personale, shoqërore e shpirtërore. Shkurtazi, ato janë helm për jetën e njeriut.

Ne do të parashtrojmë ‘Gjashtë Aspekte’ prej aspekteve të shumta të kësaj të vërtete:

q Aspekti i Parë: Armiqësia e njeriut ndaj vëllait të tij njeri është e mëkatshme dhe e dënueshme nga këndvështrimi i së vërtetës.

O njeri i padrejtë që ushqen mëri e armiqësi ndaj një besimtari! Le të supozojmë se ti je në një anije, ose në një shtëpi dhe së bashku me ty janë nëntë njerëz të pafajshëm dhe një kriminel. Në qoftë se dikush do ta bënte anijen të mbytej, ose do t’i vinte zjarrin shtëpisë, për shkak të atij krimineli, ti do ta kuptoje se sa mëkatar i madh do të ishte ai. Ti do ta kundërshtoje dhe do të bërtisje duke e ngritur zërin në qiell kundra mëkatit të tij. Madje edhe në qoftë se do të ndodhej vetëm një njeri i pafajshëm dhe nëntë kriminelë në anije, përsëri do të ishte në kundërshtim me rregullat e drejtësisë që të mbytej ajo.

Atëherë, në qoftë se ndodhen në personin e besimtarit, i cili është si një banesë Hyjnore dhe si një anije Hyjnore, jo nëntë cilësi të pafajshme, por njëzet të tilla, si besimi, Islami e fqinjësia; dhe në qoftë se ti atëherë ushqen urrejtje e armiqësi kundra tij për shkak të një cilësie penale, kriminale, e cila të dëmton, të mërzit dhe bën të të mbetet hatri nga ai, atëherë të përpiqesh ose të dëshirosh fundosjen e qënies së tij apo djegien e shtëpisë së tij, padyshim edhe ti gjithashtu do të bëje një krim të shëmtuar dhe një akt mizor penal.

q Aspekti i Dytë: Armiqësia është kështu e mëkatshme dhe e dënueshme nga këndvështrimi i urtësisë, sepse është e vetëkuptueshme se urrejtja dhe dashuria janë të kundërta, ashtu si drita dhe errësira; ato nuk mund të bashkohen kurrë në kuptimin e tyre të vërtetë, pra esencat e tyre përkatëse nuk mund të kombinohen.

Në qoftë se dashuria do të gjendej me të vërtetë në zemër, në sajë të mbisundimit të shkaqeve që  e prodhojnë atë, atëherë urrejtja në atë zemër mund të jetë vetëm metaforike dhe merr formën e mëshirës. Besimtari e do dhe duhet ta dojë vëllain e tij, dhe duhet të lëndohet e të vuajë nga çdo gjë e keqe që shikon tek ai. Ai duhet të përpiqet ta përmirësojë e ta reformojë atë jo me ashpërsi por me butësi. Për këtë arsye, hadithi i Profetit thotë:

“Asnjë besimtar nuk duhet të zemërohet me vëllain e tij dhe të rrijë pa i folur për më shumë se tre ditë.” (Buhariu)

Në qoftë se sundojnë shkaqet që sjellin armiqësi dhe urrejtja e vërtetë merr vendin e saj në zemër, atëherë dashuria në atë zemër do të bëhej metaforike dhe do të merrte formën e një dredhie dhe lajke.

O njeri i padrejtë! Shiko tani se sa mëkat i madh është mëria dhe armiqësia ndaj një vëllai besimtar! Në qoftë se ti do të thoje se gurët e vegjël të zakonshëm janë më të vlefshëm se Qabeja dhe më të mëdhenj se sa mali i Uhudit, ky do të ishte një absurditet i shëmtuar. Gjithashtu, besimi, i cili ka madhështinë e malit të Uhudit, po ashtu edhe atributet e tjera islamike, kërkojnë dashuri, pajtim e harmoni, por në qoftë se ti do të preferoje mbi besimin dhe Islamin disa të meta e dobësi të cilat shkaktojnë armiqësi, por që në realitet ato janë si gurët e vegjël, ti do të bëje një padrejtësi të madhe, një budallallëk dhe një mëkat!

Uniteti i besimit bën gjithashtu të domosdoshëm unitetin e zemrave dhe njësia e besimit kërkon njësinë e shoqërisë sonë.

Ti do të ndjeje një lloj lidhje me dikë që jeton me ty në të njëjtin regjiment, do të formoje një lidhje miqësore që vjen si rezultat i qënies së të dyve të nënshtruar ndaj urdhërave të një komandanti të vetëm; ti gjithashtu do të përjetoje një lidhje vëllazërore për shkak të të jetuarit në të njëjtin qytet me dikë. Tani ndodhen lidhje uniteti, lidhje bashkimi dhe lidhje vëllazërie aq të shumta, aq sa numri i Emrave Hyjnorë që ju shfaqen dhe ju demonstrohen nga drita e vetëdijes së besimit.

Krijuesi juaj, Pronari,  i Adhuruari, dhe Furnizuesi i juaj është Një dhe i njëjti për ju të dy; dhe kështu mijëra gjëra janë një dhe e njëjta për ju. Profeti juaj, feja juaj dhe Kibleja juaj janë një dhe e njëjta për ju; po kështu qindra gjëra janë një dhe e njëjta për ju. Atëherë gjithashtu fshati juaj është një, shteti juaj është një, vendi juaj është një dhe dhjetëra gjëra janë një dhe e njëjta për ju. Të gjitha këto gjëra të mbajtura të përbashkëta imponojnë Njësinë dhe Unitetin, bashkimin e pajtimin, dashurinë e vëllazërinë, dhe në të vërtetë edhe kozmosi dhe planetet gjithashtu janë të ndërlidhura e të bashkuar nga zinxhirë të padukshëm.

Në qoftë se ti, pavarësisht të gjithë kësaj, do të parapëlqeje gjëra të pavlefshme dhe të përkohshme, si një pëlhurë merimangeje, gjëra të cilat u japin shkas grindjes, kundërshtimit, mërisë dhe urrejtjes, dhe ushqen armiqësi ndaj një besimtari, atëherë ti do ta kuptoje – në qoftë se nuk të ka vdekur zemra dhe në qoftë se nuk është shuar mendja jote – se sa e madhe do të ishte shpërfillja jote ndaj asaj lidhje uniteti, mungesa e respektit ndaj asaj lidhje dashurie dhe shkelja jote ndaj asaj lidhje vëllazërie!

q Aspekti i Tretë: Në përputhje me kuptimin e vërsetit:

 “Dhe askush nuk do të mbajë barrën e tjetrit.”[5],  i cili shpreh drejtësinë e pastër, të ushqesh mëri e urrejtje ndaj një besimtari është sikur t’i deklaroje të pavlefshme të gjitha cilësitë e pafajshme që gjenden tek ai për shkak të një cilësie penale dhe, prandaj kjo është padrejtësia më e madhe.

Në qoftë se ti do të shkoje edhe mëtej dhe të përfshije në armiqësinë tënde të gjithë të afërmit e një besimtari për shkak të një cilësie të vetme të keqe të tij, atëherë, në përputhje me vërsetin vijues në të cilin pjesorja aktive – Emri i vepruesit- vjen në formën intensive,  “Sigurisht njeriu është zullumqar i madh”[6], ti do të kishe bërë një mëkat akoma më të madh dhe një shkelje ndaj një të vërtete për të cilën sheriati dhe urtësia e Islamit bashkohen për të të paralajmëruar. Si, atëherë, ti mund ta imagjinosh vetveten tënde të jesh i drejtë, dhe thua: “Unë jam në të drejtën?”

Në shikimin e së vërtetës, shkaku për armiqësi dhe të gjitha format e së keqes janë në vetvete të këqija e të dendura si balta; dhe gjendja e të dendurës është se ajo  nuk kalon dhe nuk reflekton tek të tjerët – përveç asaj të keqeje që e mëson njeriu nga të tjerët – , ndërsa cilësitë e mira që shkaktojnë dashuri janë të ndritshme si vetë dashuria dhe të holla si drita; dhe gjendja e dritës është reflektimi i saj dhe kalimi tek të tjerët; pra është pjesë e funksionit të tyre të përcillen dhe të prodhojnë efekte.

Për këtë arsye, përdoret proverba: “Miku i mikut është mik”, dhe gjithashtu thënia, “Shumë sy pëlqehen për shkak të një syri.”

Kështu, o njeri i padrejtë! Në qoftë se shikimi i së vërtetës është i tillë, ti tani do ta kuptoje, në qoftë se e ke aftësinë për ta shikuar të vërtetën, se sa fyerje e madhe do të ishte të ushqesh armiqësi ndaj vëllezërve të dashur e të pafajshëm dhe ndaj të afërmve të njeriut që e urren.

q Aspekti i Katërt: Armiqësia ndaj besimtarit është e mëkatshme dhe e dënueshme nga këndvështrimi i jetës personale. Dëgjoji katër parimet e mëposhtme të cilat janë baza e këtij aspektit të katërt.

Ÿ Parimi i katërt: Kur e di se rruga jote dhe mendimet e tua janë të drejta, ti ke të drejtë të thuash, “Rruga ime është e drejtë, ose është më e mirë”. Por ti nuk ke të drejtë të thuash, “Vetëm rruga ime është e drejtë”, sepse shikimi yt i padrejtë dhe mendimi yt i shtrembëruar nuk mund të jenë tërësisht vendimtarë e përcaktues dhe, nuk mund t’i deklarojnë të pavlefshme metodat e të tjerëve. Në kohët e hershme një poet tha:

“Syri i kënaqësisë është shumë i errët (i dobët,  i verbër) për të kapur të metat; por syri i urrejtjes është ai që i shfaq të gjitha të ligat.”

Ÿ Parimi i dytë: Duhet të thuash të vërtetën në çdo gjë që ti flet, por nuk duhet t’i thuash të gjitha të vërtetat,” sepse dikush me qëllim të pasinqertë, ndonjëherë mund ta marrë këshillën për të keqe dhe kundërvepron ndaj saj në mënyrë të pafavorshme.

Ÿ Parimi i tretë: Në qoftë se ti dëshiron të ushqesh armiqësi, atëherë drejtoje atë ndaj armiqësisë në zemrën tënde dhe përpiqu ta çlirosh veten tënde prej saj. Ji armik ndaj nefsit tënd urdhërues për të liga dhe ndaj tekave të tij dhe përpiqu ta rregullosh atë, sepse ai të shkakton dëme më shumë se sa çdo gjë tjetër. Mos u përfshi në armiqësi kundra besimtarëve të tjerë për shkak të atij nefsi të dëmshëm. Përsëri, në qoftë se ti dëshiron të ushqesh armiqësi, atëherë ndodhen një mori jobesimtarësh dhe ateistësh; ji armiqësor ndaj tyre. Dije se cilësia e dashurisë është në vetvete e dashur dhe meriton dashuri, po ashtu armiqësia do të marrë armiqësi si përgjigjen e saj të meritueshme. Në qoftë se dëshiron ta shpartallosh armikun tënd, atëherë përgjigjiu të keqes së tij me të mirë, sepse në qoftë se ti i përgjigjesh  me të keqe, armiqësia do të shtohet dhe, megjithëse ai, nga ana e jashtme do të shpartallohej, por zemra e tij do të mbushej me urrejtje ndaj teje, kështu që armiqësia do të vazhdojë.

Ndërsa, në qoftë se ti i përgjigjesh me të mirë, ai do të pendohej e do të bëhej miku yt. Një poet tha:

 

”Në qoftë se ti e trajton fisnikun me fisnikëri, ai do të bëhej i yti; kurse në qoftë se ti e trajton të ligun me fisnikëri, ai do të rebelohej.”

Kjo ka këtë kuptim: Shenja e besimtarit është që të jetë fisnik dhe, ai do të bëhej i nënshtruar ndaj teje nëpërmjet një trajtimi fisnik. Madje edhe në qoftë se dikush, në pamje të jashtme, do të dukej i ulët, veçse ama ai është fisnik për sa ka të bëjë me besimin e tij. Ndodh shpesh që në qoftë se ti do t’i thonje një njeriu të keq, “Ti je i mirë, ti je i mirë”, ai do të bëhej i mirë”, dhe në qoftë se ti do t’i thonje një njeriu të mirë, “Ti je i keq, ti je i keq”, ai do të bëhet i keq. Atëherë dëgjoji këto parime të shenjta të Kur’anit, sepse lumturia dhe siguria do të gjenden në to:

“Dhe kur ata kalojnë pranë ndonjë loje të ligë e bisedë boshe, largohen prej asaj me dinjitet e nder.”[7]

“Por nëse ju i ndjeni dhe i falni (gabimet e tyre), atëherë vërtetë që All-llahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.”[8]

Ÿ Parimi i Katërt: Ata të cilët ushqejnë mëri e armiqësi ndaj vëllezërve të tyre besimtarë, ata së pari mëkatojnë dhe i bëjnë padrejtësi vetes së tyre, përveç padrejtësisë ndaj vëllezërve të tyre dhe përveç tejkalimeve të limiteve të Mëshirës Hyjnore, sepse ai me urrejtje dhe armiqësi i shkakton shpirtit të tij tortura sa herë që kundërshtari i tij merr ndonjë mirësi, dhe lëndohet nga frika prej tij. Në qoftë se armiqësia buron nga smira, atëherë ajo është forma më e ashpër e torturës, sepse smira është dhimbje më e fortë për smirëziun se sa për tjetrin, dhe ajo në radhë të parë djeg dhe shkatërron smirëziun, ndërsa dëmi i saj për personin ndaj të cilit ekziston smira është ose i lehtë ose mosekzistues.

Ilaçi për smirën: Le të reflektojë smirëziu për përfundimin e atyre gjërave që i shkaktojnë atij armiqësi, për të cilat bëhet ziliqar. Atëherë ai do të kuptonte se bukuria, fuqia dhe pasuria që ka rivali i tij, janë kalimtare e të përkohshme. Dobia e tyre është e pakët dhe ankthi që ato shkaktojnë është i madh.

Ndërsa, në qoftë se smira buron nga motive që i përkasin Ahiretit, sigurisht ato motive nuk mund të jenë objekt smire. Por në qoftë se dikush do të kishte smirë ndaj një tjetri edhe për shkak të atyre motiveve, atëherë ai ose do të ishte vetë një hipokrit, duke dashur të shkatërrojë të mirat e Ahiretit ndërsa është akoma në këtë dynja, ose ai e imagjinon personin, ndaj të cilit ushqen smirë, të jetë një hipokrit, duke qenë kështu i padrejt ndaj tij.

Në qoftë se smirëziu do të gëzohej për fatkeqësitë që i bien rivalit të tij dhe hidhërohet nga mirësitë që merr rivali, atëherë ai sikur preket e ofendohet nga mirësia që i kanë ardhur atij prej Kaderit Hyjnor dhe prej Mëshirës Hyjnore; është tamam sikur ai t’i kritikonte dhe t’i kundërshtonte ato. Por dihet se kushdo që kritikon Kaderin Hyjnor ai godet kokën e tij me një Kudhër tek e cila do ta thyejë dhe, cilido që kundërshton Mëshirën  do të privohet nga ajo.

Si do të ishte e mundur që drejtësia dhe ndërgjegjja e shëndoshë të pranonin që përgjigjja ndaj diçkaje, e cila nuk meriton as armiqësinë e një dite të vetme, të ishte urrejtja dhe armiqësia për një vit? Ti nuk duhet që t’ia atribuosh të keqen që të erdhi ty nga vëllai yt besimtar vetëm atij dhe ta dënosh atë për ç’ka ti vuan, për arsyet e mëposhtme:

Së pari: Kaderi Hyjnor ka pjesën e tij në çështje, prandaj ti duhet ta pranosh këtë pjesë të Kaderit me kënaqësi e nënshtrim.

Së dyti: Edhe nefsi e shejtani gjithashtu kanë pjesën e tyre në çështje. Në qoftë se ti do t’i nxirrje si një përfundim i arsyeshëm këto dy pjesë, atëherë nuk mbetet para teje veçse keqardhja dhe mëshira ndaj vëllait tënd në vend të qënies armiqësor ndaj tij, sepse ti e shikon atë të mposhtur në çështjen e tij para nefsit të tij dhe shejtanit të tij. Dhe pastaj ti pret nga ai pendimin për veprimin e tij dhe shpreson që ai të kthehet tek e drejta.

Së treti: Ti duhet të vëresh në këtë çështje edhe fajet e mangësitë në veten tënde, ato defekte të cilat ti nuk i sheh dhe që nuk dëshiron t’i shohësh. Kështu nxirre edhe këtë pjesë gjithashtu së bashku me dy pjesët e mëparshme; dhe atëherë, sa për pjesën e vogël që do të mbetej, në qoftë se ti do t’i përgjigjeshe asaj me falje, amnisti dhe me shpirtmadhësi, në një mënyrë të tillë si ta pushtoje armikun tënd me shpejtësi e pa rrezik, atëherë ti do të kishe shpëtuar nga një mëkat i madh, nga dëmi dhe nga bërja keq tjetrit. Por në qoftë se ti do t’i përgjigjeshe të keqes së tij me një dëshirë të fortë ndaj ndodhive të parëndësishme të dynjasë -si të jetoje përjetësisht në të- me një urrejtje të fortë e të vazhdueshme dhe me një armiqësi të përhershme, nuk ka dyshim se për ty bëhet realitet cilësia (e shprehur në Kur’an) “Dhalum, xhehul”, njeriu bëhet shumë i padrejtë dhe tepër injorant”, dhe me këtë qëndrim do t’i ngjasoje çifutit idiot e të dehur i cili blen copa qelqi dhe akulli duke pandehur se ato janë diamante, që do të zhduken shpejt. Pra, kjo do të ishte shkelja më e rëndë, mëkat, dehje dhe çmenduri.

Atëherë, në qoftë se e do veten, mos e lejo këtë armiqësi të dëmshme dhe dëshirën për hakmarrje të hyjnë në zemrën tënde. Në qoftë se ato kanë hyrë në zemrën tënde, mos i dëgjo çfarë ato thonë, por dëgjo Hafiz Shirazin, njeriun me një intuitë e shikim të brendshëm depërtues tek realiteti, i cili thotë:

“Dynjaja nuk është një pasuri apo një mall i denjë për të hyrë në grindje e luftë për të.”.

Atëherë, në qoftë se e gjithë dynjaja me çfarë përmban ajo, është kështu e pavlefshme, pasi ajo është e përkohshme dhe kalimtare, atëherë, po kur bëhet fjalë për një gjë të vogël e të parëndësishme të saj? Dëgjoje gjithashtu Hafiz Shirazin se çfarë thotë:

“Qetësia në të dyja botët qëndron në kuptimin e këtyre dy Fjalëve: “Trajtimi i shokëve me burrëri e zemërgjërësi dhe trajtimi i armiqve me vetëpërmbajtje e drejtësi.

Në qoftë se ti thua: Unë nuk kam zgjedhje, armiqësia ndodhet brenda qënies sime, ajo është e rrënjosur në natyrën time, kështu që unë nuk mund t’i mbyll sytë dhe nuk mund t’i lë të kalojnë pa u ndëshkuar ata të cilët janë armiqësorë ndaj meje.

Përgjigjja: Në qoftë se karakteri i keq dhe natyra e keqe nuk shfaqin ndonjë efekt dhe, në qoftë se nuk do të veprohej sipas qëllimit të keq, atëherë nuk ka dëm. Në qoftë se ti nuk ke zgjedhje në çështje dhe nuk mund të shpëtosh nga armiqësia, pra je i paaftë ta braktisësh urrejtjen, atëherë vetëdija jote që ti je i mangët në këtë tipar, do të të shpëtonte ty – në dashtë Zoti – nga efektet e këqia të armiqësisë të fshehura brenda qënies tënde, sepse kjo konsiderohet si një formë pendimi dhe kërkimi faljeje për ty.

Në fakt, ne e kemi shkruar këtë çështje të letrës me qëllim që të bëjmë të mundur një kërkim të tillë faljeje, për të dalluar të drejtën nga e shtrembëra dhe për ta ndaluar armiqësinë nga të paraqiturit e saj si e drejtë.

Një ngjarje që ia vlen të vërehet:

Njëherë unë pashë se, si rezultat i qëndrimit të njëanshëm partiak, një dijetar fetar shkoi aq larg e në ekstrem, sa që deklaroi me nënkuptim për një dijetar tjetër me të cilin kishte pikëpamje të papajtueshme politike, se ai ishte jobesimtar; pra arriti të aludonte për të se ai ishte mohues. Gjithashtu ai vlerësoi me respekt të madh një hipokrit i cili ndante me të mendimet e tij. Unë u tmerrova nga këto rezultate të këqija që i kishte shkaktuar përfshirja në politikë dhe ndërkohë thashë duke u lutur :

“O Zot! Të kërkoj mbrojtje nga shejtani dhe nga politika.” Dhe që nga ajo kohë unë u tërhoqa nga politika.

q Aspekti i pestë: Kryeneçësia, partishmëria dhe qëndrimi i njëanshëm, janë tej mase të dëmshme në jetën sociale.

Në qoftë se thuhet: Ndodhet një hadith profetik i cili thotë:           “Ndryshimi në mendime midis popullit të Ummetit tim është një shembull i Mëshirës Hyjnore”, dhe mospërputhja në mendim kërkon partishmëri, anshmëri e përçarje.

Kjo sëmundje e partishmërisë dhe e përçarjes ka një aspekt të mëshirës i cili i çliron të shtypurit, midis njerëzve të zakonshëm, nga elita shtypëse; sepse në qoftë se elita e një qyteti ose e një fshati do të bashkoheshin, ata do t’i shkatërronin njerëzit e zakonshëm të shtypur e të dobët.

Por,  në qoftë se do të ekzistonte partishmëria, i shtypuri do të kërkonte mbrojtje tek njëra nga partitë dhe kështu nga përplasja e mendimeve dhe nga kundërshtimi i pikëpamjeve, e vërteta bëhet e qartë në masën e saj më të plotë.

Përgjigjja: Për  pjesën e parë të pyetjes ne themi: Ndryshimi në mendime që synohet në hadith është një ndryshim pozitiv. Domethënë, secili grup lufton që të çojë përpara dhe të përhapë besimin e tij; Ai nuk përpiqet të shkatërrojë e rrënojë rrugët dhe pikëpamjet e të tjerëve, përkundrazi ai përpiqet t’i përmirësojë dhe t’i reformojë ato. Në hadith refuzohet ndryshimi negativ në mendime, sepse ndryshimi negativ është se çdo grup apo individ synon e përpiqet që të shkatërrojë metodën e të tjerëve dhe të rrënojë pikëpamjet e tjera; motivet e kësaj mospërputhshmërie mendimi janë urrejtja, smira dhe armiqësia. Ky lloj kundërshtimi, në të vërtetë, refuzohet nga këndvështrimi i hadithit, sepse ata që hidhen në grykët e njëri-tjetrit dhe që janë të mbytur me qortimet e njëri-tjetrit për shkak të kontradiktave, pa dyshim ata nuk mund të veprojnë pozitivisht.

Për Pjesën e Dytë të përgjigjjes, ne themi: Në qoftë se partishmëria, anshmëria, është në emrin e së vërtetës, ajo mund të bëhet një strehim për ata që kërkojnë të drejtat e tyre. Ndërsa për sa ka të bëjë me partishmërinë dhe përçarjet që ne i shohim në kohën tonë, të cilat janë tendencioze, të njëanshme dhe egocentrike, sigurisht këto mund të jenë strehë vetëm për të padrejtit  dhe do të ishin pika mbështetje për ta; sepse padrejtësia është e qartë në sjelljet e në qëndrimet e tyre. Madje në qoftë se edhe shejtani do t’i vinte një njeriu me paragjykime e me qëndrime të njëanshme që ta inkurajonte në mendimet e tij dhe të mbante anën e tij, ai njeri do ta lavdëronte e do të kërkonte që bekimet e Zotit të binin mbi shejtanin; ndërsa në qoftë se në palën kundërshtare do të ishte një njeri me një natyrë engjëllore, atëherë ky, ruajna Zot! – do të shkonte aq larg në ekstrem sa të lutej që mallkimet e Zotit të binin mbi të.

Për pjesën e tretë të pyetjes, ne themi: Në qoftë se përplasja e mendimeve  ndodh në emrin e drejtësisë dhe për hir të së vërtetës, atëherë mospërputhshmëria ka të bëjë vetëm me mjetet; ka një unitet lidhur me synimet dhe qëllimet themelore. Një papajtueshmëri e tillë bën të shfaqet çdo aspekt i së vërtetës dhe i shërben drejtësisë dhe të vërtetës. Por në qoftë se polemikat e kontradiktat ndodhin për hir të nefsit tiranik e urdhërues për të liga dhe, nëse shfaqen për hir të egoizmit e të famës, atëherë ajo që shfaqet nga ky lloj, nuk është “Shkreptima e së Vërtetës”, por “zjarri i përçarjes”.

Uniteti i qëllimit është i domosdoshëm, por pikëpamjet e kundërta të këtij lloji nuk do të përkonin kurrë dhe nuk do të gjenin puqje ndokund në globin tokësor.

Meqenëse ata nuk ndryshojnë në mendime për hir të së vërtetës, ata shumëfishojnë njëanshmërinë, ekstremin dhe u japin shkas mosmarrëveshjeve të cilat kurrë nuk do të mund të sheshoheshin e të zgjidheshin.

Shkurtazi: Në qoftë se qëndrimet e besimtarit dhe sjelljet e tij nuk do të ishin në përputhje me parimet e larta udhëzuese të cilat i ka vendosur hadithi Profetik:   “Dashuria për hir të Zotit dhe urrejtja për hir të Zotit, dhe gjykimi për hir të Zotit” në të gjitha çështjet, atëherë hipokrizia dhe përçarja do të sundonin. Po, ai i cili nuk do të udhëhiqej nga ato parime, ai do të bënte padrejtësi në një kohë që dëshiron drejtësi.

Një ngjarje me një mësim të rëndësishëm: Imam Aliu (Zoti qoftë i kënaqur me të) një herë, në një dyluftim e hodhi përtokë një jobesimtar. Ndërsa Imam Aliu qe gati për ta goditur me shpatë, mosbesimtari e pështyu në fytyrën e tij. Imami e liroi atë pa e vrarë. Ndërkohë, mosbesimtari i tha: “Përse nuk më vrave? Imami iu përgjigj: “Unë do të të vrisja ty për hir të Zotit xh.sh., por kur ti më pështyve, unë u zemërova dhe pastërtia e qëllimit tim u turbullua nga tendencat dhe tekat e nefsit tim. Ishte pikërisht kjo arsyeja që unë nuk të vrava ty.” Mosbesimtari iu përgjigj: “Në qoftë se feja juaj qenka kaq e pastër, e paanshme dhe tolerante, sigurisht ajo duhet të jetë e vërteta.”

Një ngjarje tjetër: Njëherë kur një gjykatës shfaqi shenja zemërimi ndërsa po ekzekutonte prerjen e dorës së një vjedhësi, sundimtari i drejtë musliman,  i cili  rastisi ta vëzhgonte, e pushoi atë nga puna, sepse ai i cili ekzekuton urdhrin e Zotit, tendencat dhe tekat e nefsit të tij nuk duhet të kenë pjesë në aktin e tij; atij duhet t’i vijë keq – nga shpirti- për gjendjen e viktimës; dhe ta ekzekutojë vendimin Hyjnor pa zemërim dhe pa mëshirë.

Por, meqenëse diçka nga tendencat e nefsit të tij u përzien gjatë ekzekutimit të vendimit, gjë e cila është në kundërshtim me drejtësinë e pastër, gjykatësi u largua nga detyra.

Një gjendje shoqërore e vajtueshme dhe një sëmundje e rëndë që kanë goditur jetën shoqërore të Ummetit Islam e bëjnë zemrën të qajë: Të harrosh e të ndërpresësh armiqësitë dhe hasmëritë e brendshme kur armiqtë e jashtëm shfaqen dhe sulmojnë është një kërkesë e mirëqenies shoqërore që njihet e përmbushet madje edhe nga njerëzit më primitivë.

Në qoftë se ato fise primitive e vlerësojnë siç duhet interesin e tyre shoqëror, atëherë po ata të cilët pretendojnë të jenë në shërbim të komunitetit Islam, si është e mundur të mos i harrojnë hasmëritë e vogla dhe kështu u përgatisin terrenin sulmeve të armiqve të cilët janë të panumërt dhe kanë marrë pozitat e sulmit, njëri pas tjetrit. Kjo gjendje është një mizori e turpshme, është tradhti që bëhet kundra jetës shoqërore të Islamit.

Një tregim që duhet të reflektohet thellë. Ndodheshin dy grupe nga fisi “Hasanan”, një fis nomadësh, të cilët ishin në armiqësi me njëri-tjetrin. Megjithëse ishin vrarë ndoshta më shumë se pesëdhjetë veta në secilën anë, por kur një fis tjetër i jashtëm i tillë si “Sibgan” ose “Hajdaran” u shfaqën kundra tyre, të dyja grupet armiqësore i harruan armiqësitë e tyre të brendshme dhe luftuan së bashku, sup më sup, derisa fisi kundërshtar u zmbraps, duke mos kujtuar as edhe njëherë mosmarrëveshjet e tyre të brendshme derisa zmbrapsën armikun e jashtëm.

O besimtarë! A e dini se sa e sa shumë fise armiqsh kanë marrë qëndrimin për të sulmuar fisin e njerëzve të besimit? Ndodhen më shumë se njëqind prej tyre, si vargje rrathësh bashkëqendrorë. Besimtarët janë të detyruar të marrin qëndrime mbrojtëse, secili duke mbështetur tjetrin dhe duke i dhënë dorën atij. Atëherë, a do të ishte e përshtatshme për njerëzit  e besimit të cilët me qëndrimin e tyre të njëanshëm e paragjykues dhe me mërinë dashakeqe, të lehtësojnë sulmin e armikut dhe të hapin kanat më kanat dyert për armikun që të depërtojë në vendin e shenjtë të Islamit? Ndodhen ndosha shtatëdhjetë rrathë amiqsh, duke përfshirë të çudhëzuarit, ateistët dhe jobesimtarët, secili prej tyre aq i dëmshëm për ju aq sa të gjitha tmerret dhe vuajtjet e fatkeqësitë e kësaj dynjaje dhe, të gjithë ata ju shohin ju me lakmi, me smirë dhe me urrejtje. Arma juaj e fortë, mburoja dhe kështjella kundra të gjithë atyre nuk është tjetër veçse vëllazëria islame.

Prandaj kuptojeni se sa në kundërshtim me ndërgjegjjen dhe me intereset e Islamit do të ishte lëkundja e kështjellës së Islamit për shkak të amiqësive të vogëla dhe preteksteve të tjera! Mësojeni këtë dhe ejani në vete!

Rrëfehet nga disa hadithe profetike se individë të dëmshëm e të frikshëm si Sufjani dhe Dexhali do të vijnë në fundin e kohës që të udhëheqin hipokritët dhe të pafetë dhe, duke shfrytëzuar përçarjen dhe urrejtjen  ndërmjet njerëzve dhe muslimanëve, atyre do t’u nevojitet vetëm një fuqi e vogël për ta katandisur e shkatërruar humanizmin dhe për ta skllavëruar të gjithë Ummetin Islam.

O njerëzit e besimit! Në qoftë se nuk dëshironi të hyni në gjendjen poshtëruese të skllavërisë, ejani në vete dhe hyni e kërkoni mbrojtje në kështjellën e,  “Padyshim që besimtarët janë vëllezër,”[9] me qëllim që ta mbroni veten tuaj prej atyre shtypësve të cilët shfrytëzojnë mosmarrëveshjet tuaja të brendshme! Ose përndryshe, ju nuk do të ishit të aftë as t’i mbroni jetët tuaja dhe as të mbroni të drejtat tuaja. Është e qartë se në qoftë se dy kampionë janë duke bërë mundje me njëri-tjetrin, madje edhe një fëmijë i vogël do të mund t’i godiste, kur ata janë duke u ndeshur. Në qoftë se do të viheshin në pjatat e peshores dy male me pesha të barabarta, madje edhe një gurë i vogël do të mund ta prishte ekuilibrin e tyre dhe do t’i shkaktonte njërit të ngrihej me pjatën e peshores, dhe tjetrit të ulej.

Kështu, o njerëzit e besimit! Fuqia juaj do të pakësohej e do të bëhej asgjë si rezultat i pasioneve tuaja, i qëndrimeve të njëanshme dhe i paragjykimeve dhe, ju do të mund të shpartalloheshit edhe nga forcat më të vogëla.

Në qoftë se ju do të kishit interes në solidaritetin tuaj shoqëror, atëherë udhëhiquni nga parimi i lartë i hadithit profetik:

“Besimtari për besimtarin është si një ndërtesë e fortë, që  një pjesë e së cilës mbështet tjetrën.” Dhe kështu ju do të shpëtoni nga poshtërimi në këtë botë dhe nga mjerimi në botën tjetër.

q Aspekti i gjashtë: Jeta shpirtërore dhe saktësia e adhurimit do të pësonin humbje si rrjedhojë e armiqësisë dhe e urrejtjes, meqenëse pastërtia e qëllimit, që është mjeti i shpëtimit, do të dëmtohej, sepse një njeri me qëndrim të njëanshëm e paragjykues do të dëshironte epërsi ndaj kundërshtarit të tij në veprat e mira që ai kryen dhe do të ishte i pamundur të vepronte me pastërti për hir të Zotit xh.sh.. Ai gjithashtu do të preferonte, në gjykimin e tij dhe në trajtimet , atë njeri që do të mbante anën e tij; dhe kështu ai nuk do të ishte i drejtë. Prandaj pastërtia e qëllimit dhe drejtësia, të cilat janë themelet e të gjitha veprave dhe akteve të mira, do të humbisnin për shkak të urrejtjes dhe të armiqësisë.

Aspekti i Gjashtë është tej mase i ndërlikuar, por ne do ta presim shkurt këtu, meqë ky nuk është vendi për t’u zgjeruar në të.

* * *

 

 

 

 

 

ÇËSHTJA E DYTË

Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

“Vërtet që All-llahu është Gjithëfurnizuesi, Zotëruesi i fuqisë dhe i Përhershmi më i fortë.”[10] “Dhe sa shumë krijesa të gjalla nuk mbartnin dot ushqimin e tyre! All-llahu është i Cili i ushqen ata dhe ju. Dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.”[11]

O njerëzit e besimit! Ju, tani duhet ta keni kuptuar se sa të dëmshme janë urrejtja dhe armiqësia. Kuptojeni gjithashtu se lakmia është një sëmundje tjetër e frikshme dhe aq e dëmshme për jetën e Islamit aq sa armiqësia. Lakmia shkakton zhgënjim, pakënaqësi, mangësi dhe poshtërim; ajo është shkak privimi dhe servilizmi.

Poshtërimi dhe mjerimi që goditi çifutët, të cilët më shumë se çdo popull tjetër e kanë kapur dynjanë me lakmi, është një provë vendimtare për këtë të vërtetë. Lakmia i shfaq efektet e saj të këqija gjithandej, duke filluar nga sfera më e gjërë e botës së gjallesave dhe duke përfunduar tek individi më i vogël; ndërsa të kërkuarit e mjeteve të jetesës,duke u mbështetur tek Zoti xh.sh., shkakton qetësi dhe shfaq gjithandej efektet e saja të dobishme.

Kështu, bimët dhe pemët frutdhënëse të cilat janë të nevojshme për ushqimin dhe që konsiderohen një lloj prej gjallesave, ushqimet shpejtojnë me nxitim për tek ato, ndërsa ato vetë qëndrojnë me kënaqësi të rrënjëzuara e të ngulura aty në vendin ku janë , duke u mbështetur tek Zoti dhe duke mos shfaqur asnjë lakmi; madje ato kalojnë shumë përtej kafshëve për sa ka të bëjë me shumimin e tyre dhe në rritjen e atyre frutave që lindin, që vijnë në ekzistencë.

Ndërsa kafshët, në kontrast, e kërkojnë ushqimin e tyre me lakmi, dhe për këtë arsye ato nuk e gjejnë atë veçse në mënyrë të mangët dhe me koston e një përpjekjeje shumë të madhe. Brenda mbretërisë së kafshëve, janë vetëm të vegjëlit e tyre, të cilët e shprehin mbështetjen e tyre tek Zoti xh.sh. nëpërmjet gjuhës së gjendjeve të dobësisë së tyre dhe të pafuqisë dhe, prandaj ato i marrin në masë të plotë ushqimet e tyre të ligjshme e të holla nga thesari i Mëshirës Hyjnore.

Ndërsa kafshët e egra të cilat sulen mbi gjahun me lakmi duke kërkuar ushqimin e tyre nuk e gjejnë atë veçse pasi të kenë bërë përpjekje të mëdha. Këto dy shembuj tregojnë se lakmia është shkak privimi, ndërsa mbështetja tek Zoti dhe kënaqësia, mjaftueshmëria, janë mjetet e Mëshirës Hyjnore.

Në mbretërinë njerëzore, çifutët janë ata që e kapën jetën e dynjasë më me shumë lakmi se sa çdo popull tjetër dhe e deshën dhe e preferuan jetën e kësaj bote mbi atë të Ahiretit më fort se cilido komb tjetër; mirëpo pasuritë e tyre që i kanë fituar me përpjekje të mëdha nëpërmjet kamatës janë pasuri të paligjshme e të pista mbi të cilat ata ushtrojnë një administrim të përkohshëm, dhe ato pasuri u kanë sjellë atyre vetëm pak përfitime; Përkundrazi, kjo i ka bërë ata të marrin goditjet e vrasjes nga dora e popujve të tjerë dhe u ka shkaktuar atyre poshtërimin e mjerimin. Kjo tregon se lakmia është një burim poshtërimi dhe humbjeje.

Ndodhen gjithashtu aq shumë shembuj që tregojnë se lakmitari zbulohet gjithmonë para humbjes, sa që proverba  “Lakmitari është i zbuluar para zhgënjimit dhe humbjes.” (Lakmia e madhe të lë pa gjë) është bërë një e vërtetë e pranuar në përgjithësi.

Meqenëse çështja është kështu, në qoftë se ti e do pasurinë, mos e kërko atë me lakmi por me kënaqësi, mjaftueshmëri, me qëllim që ti ta kesh atë me shumicë. I kënaquri (ai që mjaftohet me atë që ka) dhe lakmitari u ngjasojnë dy njerëzve të cilët u futën në audiencën e një personaliteti të madh. Njëri nga ata të dy tha me vete: “Do të ishte e mjaftueshme që Ai personalitet vetëm të më lejonte të hyj me qëllim që të mund të shpëtoj  nga i ftohti jashtë. Madje edhe në qoftë se ai do të ma bënte me shenjë që të rrija tek vendi më i ulët, unë do ta vlerësoja atë si një mirësi.

Burri i dytë tha me mendjemadhësi, si të kishte ndonjë të drejtë në çështje dhe sikur gjithkush të ishte i detyruar ta respektonte atë: “Mua duhet të më caktohet vendi më i lartë.” Ai hyri me lakmi dhe nguli vështrimin tek më i larti i vendeve duke dashur të ecë përpara drejt tij. Por Pronari i audiencës e ktheu atë prapa dhe e vendosi tek vendi më i ulët. Në vend që ta falënderonte atë siç duhet, ai u zemërua me të dhe e kritikoi dhe, pronari i pallatit mbeti i fyer prej tij.

Ndërsa personi i parë hyri me përulësi dhe shprehu dëshirën të qëndrojë tek vendi më i ulët. Modestia e tij e kënaqi Pronarin e audiencës sa që i bëri ftesë atij që të ulet tek vendi më i lartë. Mirënjohja e tij u rrit dhe falënderimi i tij u shtua.

Tani kjo dynja është si një audiencë e të Gjithëmëshirshmit të vetëm. Sipërfaqja e tokës është si një banket i shtruar nga mëshira e Tij. Gradat e cilësitë e ushqimeve dhe shkallët e mirësisë u përgjigjen vendeve të uljes në audiencë.

Për më tepër, madje edhe tek më e vogla e çështjeve, gjithësecili mund të përjetojë  pasojat më të këqija të lakmisë. Për shembull, çdo njeri do të ndjehej i fyer e i prekur në zemrën e tij nga një lypës i cili i stërlutet me lakmi të madhe në lypje dhe ia refuzon kërkesën e tij, ndërsa atij do t’i vinte keq për lypësin tjetër të urtë dhe i jep atij çfarë kërkon.

Dhe për shembull, në qoftë se je i pamundur të biesh në gjumë natën dhe dëshiron të të zërë gjumi, ti mund t’ia dilje me sukses në qoftë se do ta shpërfillje atë dhe nëse nuk do t’i kushtoje vëmendje. Por në qoftë se ti e dëshiron gjumin me lakmi dhe thua: “Pse s’më mori gjumi, kur do të më zërë gjumi? Atëherë ti do ta largoje gjumin duke e bërë të ikë krejtësisht.”

Një shembull tjetër është ky: Në qoftë se ti pret me lakmi e padurim arritjen e dikujt për ndonjë qëllim të rëndësishëm dhe vazhdimisht thua: “Përse ai nuk ka ardhur akoma, dhe do të humbisje durimin dhe  do të ngriheshe e largoheshe. Por një minutë më vonë personi do të vinte; kështu rezultati i dëshiruar humbi, dhe plani u prish.

Misteri i fshehur në shembujt e këtyre ngjarjeve dhe urtësia e tyre është kjo: Prodhimi i një çyreku buke kërkon disa punë që duhet t’i kryesh në bujqësi; kërkon një fushë për t’u mbjellur e korrur, kërkon drithin për t’u çuar në mulli dhe bukën për t’u pjekur në furrë.

Gjithashtu renditja e të gjitha gjërave shoqërohet me urtësinë e ngadalësimit dhe me një përparim gradual, shkallë-shkallë. Mirëpo lakmitari, për shkak të lakmisë së tij, nuk ngadalësohet në lëvizjet e tij  dhe nuk u përmbahet shkallëve shpirtërore – kalimit shkallë-shkallë – që kërkohet në renditjen e të gjitha gjërave; dhe kështu ai ose do të rrëzohet, ose nuk do të jetë i aftë t’i kalojë shkallët, ose do të lërë mangët një shkelëz dhe, si rrjedhojë, nuk do të ngjitet tek qëllimi i tij i synuar.

O vëllezër të trullosur nga shqetësimi për mjetet e jetesës dhe të dehur me lakminë tuaj për këtë dynja! Lakmia është e dëmshme dhe e rrezikshme; atëherë si e gjeni të kënaqshme për veten tuaj poshtërimin dhe mjerimin për hir të lakmisë suaj – ndonëse në të janë këto dëme e fatkeqësi – dhe pranoni të gjitha llojet e pasurisë pa u shqetësuar fare nëse ato janë hallall apo haram, të ligjshme apo të paligjshme dhe sakrifikoni shumë gjëra të mëdha të Ahiretit.

Për shkak të lakmisë suaj ju madje braktisni njërën nga shtyllat më të rëndësishme të Islamit, dhënien e zekatit, ndonëse zekati është për gjithësecilin një mjet për të tërhequr bereqetin dhe për të larguar fatkeqësitë. Ai i cili nuk e paguan zekatin, padyshim do ta humbasë shumën e parave të cilën, ndryshe do ta kishte paguar: ai ose do ta harxhonte atë në ndonjë gjë të padobishme, ose ajo do t’i merrej atij nga ndonjë fatkeqësi.

Në një endërr të vërtetë që m‘u shfaq gjatë vitit të parë të Luftës së Parë Botërore, pyetja vijuese m’u bë mua:

“Cila është arsyeja për këtë uri, për këtë humbje financiare, për këto mundime e lodhje fizike që tani u ka rënë muslimanëve? Unë u përgjigja në ëndërr: “Nga pasuria që na ka dhuruar, All-llahu i Gjithëfuqishëm na kërkoi një të dhjetën (1/10) nga një lloj pasurie, ose një  të dyzetën (1/40)[12] me qëllim që të përfitonim nga duatë e sinqerta që bëhen nga të varfërit dhe me qëllim që të largohej urrejtja dhe smira e tyre ndaj nesh.

Por për shkak të lakmisë dhe pangopësisë sonë ne e refuzuam dhënien e zekatit dhe, si rrjedhojë, Zoti i Gjithëfuqishëm na mori neve tridhjet të dyzetën nga një e dyzeta që duhej të jepej si detyrim dhe, tetë të dhjetat në vend të një të dhjetës që ishte detyrimi.

Gjithashtu, Zoti xh.sh. na kërkoi që të agjërojmë për hir të Tij dhe të përjetojmë një uri e cila përmban shtatëdhjetë urtësi e qëllime të dobishme, dhe kjo u kërkua vetëm për një muaj të çdo viti. Por neve na erdhi keq për nefsin tonë instinktiv dhe nuk e ndërmorëm atë uri të këndshme të përkohshme.. Atëherë Zoti i Gjithëfuqishëm na ndëshkoi ne duke na detyruar të agjërojmë për pesë vite me një uri të mbushur me shtatëdhjetë lloje fatkeqësish.

“Ai gjithashtu na kërkoi ne që nga secila periudhë njëzet e katër orëshe, një orë të shpenzohej në një formë të zbatimit të urdhërave dhe të instruksioneve Hyjnore të cilat janë të këndshme, të larta, të ndritshme e të dobishme. Por me përtacinë tonë ne e lamë pas dore detyrën e namazit. Edhe ajo orë e vetme iu bashkua orëve të tjera dhe shkoi dëm, humbi.

Atëherë, si shlyerje e fajeve, si pranim pendeseje, Zoti i Gjithëfuqishëm na shkaktoi të kryejmë një formë instruktimi e stërvitje fizike që mori vendin e namazit.”

Ndërkohë, unë u zgjova dhe gjatë reflektimit kuptova se një e vërtetë shumë e rëndësishme përfshihej në atë ëndërr. Ashtu siç është provuar e shpjeguar në Fjalën e Njëzet e Pestë, kur krahasohet civilizimi modern me parimet e Kur’anit, e gjithë shthurja morale dhe paqëndrueshmëria në jetën shoqërore të njeriut rrjedhin nga dy burime:

I Pari: Në qoftë se stomaku im është plot, atëherë pse të shqetësohem nëse të tjerët vdesin nga uria?

I dyti: Puno ti, që të ha unë.”

Ajo që i bën të vazhdojnë këto dy shprehje është përhapja e madhe e kamatës nga njëra anë, dhe mosdhënia e zekatit nga ana tjetër. Ilaçi i vetëm i mundshëm për t’i kuruar këto dy sëmundje të mëdha sociale qëndron në zbatimin e zekatit si një parim universal dhe në ndalimin e kamatës, sepse rëndësia e zekatit nuk përkufizohet vetëm tek disa individë apo shoqëri të veçanta, përkundrazi, zekati është mbështetja më thelbësore për lumturinë e jetës njerëzore; madje ai është një shtyllë e fortë me të cilën sigurohet vazhdimësia e jetës reale të njerëzimit. Ndodhen dy klasa njerëzish: Klasat më të larta dhe njerëzit e thjeshtë. Është zekati ai që siguron mëshirë dhe mirëbërësi tek klasat e larta ndaj njerëzve të zakonshëm dhe, respekt e bindje tek njerëzit e thjeshtë ndaj klasave të larta. Në mungesë të zekatit, klasat e larta do të binin duke i sulmuar njerëzit e zakonshëm me mizori e shtypje, ndërsa njerëzit e zakonshëm do të ngriheshin kundra klasave të larta me zemërim e rebelim; do të kishte një luftë të vazhdueshme dhe një konflikt të përhershëm ndërmjet dy klasave të njerëzve. Dhe në fund do të rezultonte në përplasje të kapitalit dhe punës, ashtu siç ndodhi në Rusi.

O njerëzit e fisnikërisë dhe të ndërgjegjjes së shëndoshë!

O njerëzit e bujarisë dhe të mirëbërësisë! Në qoftë se veprat e mirëbërësisë nuk do të kryheshin në emrin dhe me nijetin e zekatit, atëherë do të ketë tre rezultate të dëmshme. Veprimi mund të mos ketë efekt, sepse në qoftë se ju nuk e jepni në Emër të Zotit xh.sh., ju në efekt po impononi obligim, dhe ju po e burgosni e po e ndrydhni atë të varfër të mjerë me një ndjenjë obligimi. Atëherë ju do të ishit të privuar nga duaja e tij, nga ajo lutje e cila do të ishte më e pranueshmja në shikimin e Zotit. Në realitet ju nuk jeni tjetër përveç asaj që u është lënë në amanet shpërndarja e mirësive të Zotit xh.sh. midis shërbëtorëve të Tij.

Por në qoftë se do ta imagjinonit vetveten si pronarët e pasurisë, ky do të ishte një akt mosmirënjohjeje ndaj mirësive Hyjnore që ju keni marrë. Në qoftë se, në të kundërtën, ju do të jepnit në emrin e zekatit, ju do të shpërbleheni për dhënien e tij në emrin e Zotit të Gjithëfuqishëm; ju kështu jepni falënderime për mirësitë që keni marrë.

Edhe personi i varfër gjithashtu nuk do të ishte i detyruar të servilosej para jush, sedra e tij nuk do të plagosej dhe duaja e tij për ju do të pranohej. Shikoje pra se sa i madh është ndryshimi ndërmjet, nga njëra anë, e dhënies aq shumë pasuri aq sa do të jepte dikush zekat, por duke mos fituar asgjë përveç se dëmit të hipokrizisë, formës dhe vënies nën obligim, dhe nga ana tjetër, i kryerjes së akteve të njëjta në emër të zekatit dhe, si rrjedhojë, duke përmbushur një shpërblim, virtytin e sinqeritetit dhe duatë e atyre që i keni ndihmuar.

 

“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë që vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti.”[13]

O Zot, jepi bekime e paqe shkëlqesisë sonë Muhammedit a.s.m. i cili tha:“Besimtari për besimtarin është si një ndërtesë e fortë, një pjesë e së cilës mbështet tjetrën,” dhe i cili gjithashtu tha: “Kënaqësia (mjaftueshmëria) është një thesar i cili kurrë nuk zhduket.”, si dhe jepi paqe familjes së tij dhe shokëve të tij. Dhe lavdërimi i takon Zotit xh.sh., Mbështetësit të të gjitha botërave.

* * *

 

 

 

 

 

 

 

 

PËRFUNDIM QË LIDHET ME PËRGOJIMIN

 

Me Emrin e Tij, që s’ka gjë që të mos e lëvdojë lartësinë e Tij.”.”[14]

Në Pikën e Pestë të Rrezes së Parë të Dritës së Parë të Fjalës së Njëzet e Pestë, një vërset i vetëm Kur’anor duke pasur efektin e ‘kritikës dhe të ndalimit’, u tregua për të ngjallur neveri për përgojimin me gjashtë mënyra të mrekullueshme. U tregua gjithashtu se sa gjë e urryer është përgojimi në këndvështrimin e Kur’anit dhe, prandaj nuk mbetet më nevojë për ndonjë shpjegim të mëtejshëm të subjektit. Në të vërtetë, pasi Kur’ani ka bërë deklarimin e tij, nuk ka më as mundësi dhe as nevojë për ndonjë gjë tjetër.

Kur’ani e kritikon dhe e ndalon përgojimin gjashtë herë në gjashtë shkallë në mënyrë të mrekullueshme, ashtu siç e shpreh vërseti vijues:

“A do të pëlqente ndonjëri prej jush të hante mishin e vëllait të tij të vdekur.”[15]

Ky vërset e kritikon dhe e ndalon përgojimin gjashtë herë, në gjashtë shkallë, në mënyrë të mrekullueshme. Kur vërseti u drejtohet atyre personave tashmë të përfshirë në përgojim, kuptimi i tij është si më poshtë:

Siç dihet, hemzeja në fillim të vërsetit është pjesëz pyetëse. Kjo i përshkon si ujë të gjitha fjalët e vërsetit; kështu secila fjalë fiton një kuptim tjetër të ri. Atëherë fjala e parë pyet me hemzen e saj.

A nuk keni ju arsye, e cila është vendi i pyetjes dhe i përgjigjjes, që të mos kuptoni se sa gjë e shëmtuar është kjo?

Me fjalën e dytë:  “A do të pëlqente…”, hemzeja thotë:

A është zemra juaj, vendi i dashurisë dhe i urrejtjes, kaq e prishur sa që të dëshirojë gjënë më të urryer?

Me togfjalëshin e tretë,  “Ndonjëri prej jush…”, hemzeja thotë: Çfarë i ka ndodhur jetës suaj sociale dhe civilizimit, që e merr jetën e saj nga komuniteti, që të gjejë të pranueshme një veprim që helmon kështu jetën tuaj?

Me togfjalëshin e katërt:  “…Të hajë mishin…”, hemzeja thotë: “Çfarë i ka ndodhur humanizmit tuaj që ju po e shqyeni mikun tuaj si bishë e egër?”

Me togfjalëshin e pestë:  “…e vëllait të tij…”, hemzeja thotë? A nuk keni dhembshuri e ndjenjë fisnikërie që ju zhytni dhëmbët tek karakteri i njeriut të lënduar, i cili është vëllai juaj në kaq shumë aspekte? A ka logjikë një njeri i cili kafshon çmendurisht gjymtyrët e trupit të tjetrit?

Dhe me togfjalëshin e gjashtë:  “…të vdekur…”, hemzeja thotë: ku është ndërgjegjja jote? A është kaq e prishur dhe e zhytur në vese natyra jote, sa që të shpërfillë e të mohojë me kaq babëzi, sa të hajë edhe mishin e vëllait të vdekur, kur ai duhet respektuar?

Pra, sipas kuptimit të përgjithshëm të vërsetit Kur’anor, sipas interpretimit të fjalëve të tij, shpifja dhe përgojimi janë të dënueshme e të urryera nga mendja, zemra, humanizmi, ndërgjegjja, natyra dhe nga shoqëria. Atëherë shikojeni se si ky vërset e ndalon këtë krim në gjashtë shkallë të përmbledhura e në gjashtë nivele të mrekullueshëm!

Përgojimi është arma më e urryer që përdoret më gjërësisht nga njerëzit e armiqësisë, të smirës dhe të kryeneçësisë. Njerëzit me sedër nuk do ta përdornin kurrë një armë të shëmtuar si kjo.

Një burrë i shquar njëherë tha:

“Unë kurrë nuk do ta poshtëroja veten time duke cënuar armikun tim me përgojosje, sepse përgojimi është arma e njerëzve të dobët, të ulët e të këqinj.” Përgojimi nënkupton thënien e asaj fjale që do t’i shkaktonte mospëlqim e mërzitje personit për të cilin flitet në qoftë se ai do të ishte i pranishëm dhe do ta dëgjonte. Madje edhe në qoftë se ajo që thuhet është e vërtetë, ajo përsëri është përgojosje. Në qoftë se ajo do të ishte gënjeshtër, atëherë ajo konsiderohet njëherësh edhe përgojim edhe shpifje, pra një mëkat i dyfisht i dënueshëm dhe i neveritshëm.

Përgojimi lejohet vetëm në pak raste të veçanta:

 

I Pari: Në qoftë se ankesa i paraqitet ndonjë zyrtari, me qëllim që me ndihmën e tij të largohet e keqja dhe t’i jepet drejtësia.

 

I Dyti: Në qoftë se një person mendon të bashkëpunojë me një tjetër dhe vjen të kërkojë këshillën tënde dhe, ti i thua atij me pastërti dhe për hir të së mirës së tij dhe e këshillon atë me korrektësi e pa egoizëm: “Mos bashkëpuno me të, sepse do të jetë në dëmin tënd.”

 

I Treti: Në qoftë se qëllimi nuk është për ta zbuluar dikë, për t’i bërë keq e për ta turpëruar, por thjesht për t’i sqaruar e për t’i bërë të vetëdijshëm njerëzit, si shembulli kur thuhet: “Ja, ai budallai i shthurur shkoi në filan vend ku s’duhej.”

 

I Katërti: Kur pesoni për të cilin flitet është një mëkatar i hapur, i paturp, i pashqetësuar për të këqijat që bën dhe, madje ai mburret me gjynahet dhe gjen kënaqësi tek gabimet e tij të bëra; dhe pa ngurrim mëkaton në mënyrën më të hapur. Pra, në rastet e veçanta të mësipërme, lejohet përgojimi për qëllime të pastra, pa ndonjë interes personal, pa paragjykim apo egoizëm. Ndërsa përveç këtyre rasteve, ajo i djeg veprat e mira ashtu siç djeg zjarri drurin.

Në qoftë se njeriu bën vetë përgojim ose e dëgjon atë me dëshirë, atëherë ai duhet të thotë:

“O Zot! Më fal mua dhe atë për të cilin fola keq! Dhe kudo që ta takoj personin e përfolur, duhet t’i kërkojë atij ndjesë, duke i thënë: “Më fal!”

I Qëndrueshmi i Vetëm. Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!

Said Nursi

*  *  *

 

[1] Kur’an, 13: 28

[2] Kur’an, 49: 10

[3] Kur’an, 41: 34

[4] Kur’an, 3: 134

[5] (Kur’an, 6: 164

[6] Kur’an, 14: 34

[7] Kur’an, 25: 72

[8] Kur’an, 64: 14

[9] Kur’an, 49: 10

[10] Kur’an, 52: 58

[11] Kur’an, 29: 60

[12] Një e dhjeta është zekati i drithërave nga prodhimet vjetore në të mbjella; kurse një e dyzeta është prej çfarëdo gjëje që fitohet në tregti gjatë vitit.

[13] Kur’an, 2: 32

[14] Kur’an, 17: 44

[15] Kur’an, 49: 12