SHKREPTIMA E PARË – DUAJA E Hz. JUNUSIT as
Me Emrin e All- llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
“(Kujto) edhe Dhun-nunin (Junusin), kur ai u largua me zemërim dhe mori me mend se Ne nuk do ta ndëshkojmë atë (fatkeqësitë që i ranë)! Por ai thirri nëpër errësirë: “Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Teje, o Allah; i lavdishëm dhe i lartësuar je Ti përmbi çdo të keqe që të mveshin Ty. Vërtet që kam qenë prej të gabuarve.”[1]
“Kujto edhe Ejubin a.s. kur ai i thirri Zotit të Tij: “Vërtet që më ka kapur mjerimi dhe Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve.” [2]
“Por nëse ata kthejnë kurrizin, atëherë thuaju (o Muhammed a.s.m.): “All-llahu është më se i mjaftueshëm për mua. Nuk ka Zot tjetër përveç Atij. Tek Ai unë mbështetem plotësisht dhe Ai është Zoti i Arshit Madhështor”.
“All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.[3]
Nuk ka as fuqi e as forcë veçse nëpërmjet Allahut, Të Lartësuarit, Madhështorit. I Qëndrueshmi i Vetëm, Ti je i Qëndrueshmi i Vetëm!
“Thuaj: Ai është për ata që besojnë udhëzim e shërim.” [4]
[Kjo, pjesa e parë e Letrës së Tridhjetë e Një, përbëhet nga gjashtë shkreptima, secila nga ato paraqet një prej shumë dritave të vërseteve dhe të frazave të lartëpërmendura. Recitimi tridhjetë e tri herë i secilës prej këtyre, dhe veçanërisht ndërmjet Akshamit dhe Jacisë, është një veprim shumë i lavdërueshëm.]
SHKREPTIMA E PARË
Duaja e Hazreti Junus Ibn Meta (Paqja qoftë mbi profetin tonë dhe mbi të) është duaja më e fuqishme, është mjeti më i efektshëm për përgjigjjen e duasë dhe për pranimin e saj. Tregimi i mirënjohur i Junusit a.s. është siç vijon:
Ai u hodh në det dhe u gllabërua nga një peshk i madh. Deti ishte i trazuar, nata e stuhishme dhe e errët, shpresa ishte e këputur. Por ndërsa ishte pikërisht në një situatë të tillë, duaja e tij:
“Nuk ka Zot tjetër përveç Teje. O Allah, lavdia të takon Ty! Në të vërtetë që kam qenë prej të gabuarve”, veproi për të si një mjet i shpejtë shpëtimi. Sekreti i fuqisë së duasë së tij ishte ky:
Në atë situatë të frikshme, të gjitha shkaqet u pezulluan, u ndërprenë, dhe kjo për arsye se ai i cili do të mund ta shpëtonte atë nga ajo situatë, nuk ishte askush tjetër përveç Atij, fuqia e të cilit depërton në brendësi të balenës dhe i Cili ka nën sundim detin, natën dhe qiellin. Nata, deti dhe balena u bashkuan për ta sulmuar atë. Vetëm Ai, urdhërit të të Cilit u nënshtrohen të trija ato, do të mund ta nxirrte atë në bregun e shpëtimit. Madje edhe sikur të gjitha krijesat të bëheshin shërbyesit dhe ndihmësit e tij, ato nuk do t’i bënin asnjë dobi atij; sepse shkaqet nuk kanë asnjë efekt.
Meqenëse Junusi a.s. pa me syrin e sigurisë se nuk kishte asnjë strehim tjetër përveç atij të Shkaktarit të shkaqeve, burimit të shkaqeve, atij iu zbulua kuptimi i Njësisë Hyjnore brenda Dritës së Unitetit Hyjnor, saqë ajo dua e sinqertë e tij ishte në gjendje të nënshtrojë befas natën, detin dhe balenën. Nëpërmjet Dritës së Unitetit Hyjnor ai qe në gjendje ta transformojë barkun e Balenës në diçka që i ngjason brendësisë së një nëndetëseje të sigurt; ai det i dallgëzuar e i trazuar u bë si fushë e qetë, si një vend i këndshëm ekskursioni e shëtitjeje. Nëpërmjet Dritës së Unitetit, ai qe në gjendje -nëpërmjet asaj duaje- ta pastronte faqen e qiellit prej të gjitha reve dhe të vendoste hënën sipër kokës së tij si një fener ndriçues..
Dhe kështu krijesat që e kishin shtypur e kërcënuar atë nga të gjitha anët, tani i treguan atij një fytyrë miqësore e të ngrohtë nga çdo drejtim. Kështu, ai doli në bregun e shpëtimit dhe pa përkujdesjen e Zotit Mëshirëplotë nën bimën -pemën- e kungullujëses.
Tani ne jemi në një situatë njëqind herë më të tmerrshme se sa ajo në të cilën Hazreti Junusi a.s. e gjeti vetveten, meqë nata jonë është e ardhmja. Kur ne e vështrojmë të ardhmen tonë me syrin e mospërfilljes, ajo bëhet njëqind herë më e errët e më e frikshme se sa nata e tij. Deti ynë është ky glob rrotullues. Çdo valë e këtij deti mban mbi vete mijëra kufoma, dhe kështu ai është një mijë herë më i tmerrshëm se sa deti në të cilin u hodh Junusi a.s..
Balena jonë është teka e nefsit tonë, i cili është urdhërues për të liga dhe që përpiqet të lëkundë e të shkatërrojë bazat e jetës sonë të amshuar. Kjo balenë është një mijë herë më e dëmshme se sa balena e cila gëlltiti Hazreti Junusin a.s., sepse ajo balenë ishte në gjendje të shkatërronte një jetë, periudha e së cilës ishte njëqind vjet, ndërsa kjo balena jonë përpiqet të asgjësojë e të shkatërrojë një jetë prej qindra miliona vitesh prej viteve të një jete të amshuar.
Meqenëse kjo është gjendja jonë e vërtetë, atëherë ne duhet të imitojmë Hazreti Junusin a.s. duke i larguar vetet tona nga të gjitha shkaqet dhe të kërkojmë strehim drejtëpërdrejt tek Shkaktari i shkaqeve, domethënë, tek Krijuesi ynë. Ne duhet të themi:
“Nuk ka Zot tjetër përveç Teje, O Allah, Lavdia të takon Ty! Vërtet që kam qenë prej të gabuarve.” Dhe të kuptojmë me siguri të plotë se vetëm Krijuesi është Ai që mund ta largojë nga ne dëmin e së ardhmes, këtë botë dhe tekat e nefsit urdhërues për të liga, që janë bashkuar kundra nesh për shkak të mospërfilljes sonë dhe të çudhëzimit. Sepse e ardhmja i është nënshtruar urdhrit të Tij, dynjaja i është nënshtruar autoritetit të Tij, dhe nefsi ynë drejtimit të Tij.
Çfarë shkaku dhe kush tjetër përveç Krijuesit të qiejve dhe të tokës mund t’i dijë mendimet më të holla dhe të fshehta të zemrës sonë; dhe kush tjetër përveç Tij mund ta ndriçojë të ardhmen për ne nëpërmjet krijimit të Ahiretit; dhe kush tjetër përveç Tij mund të na shpëtojë neve nga mijëra dallgët përmbytëse të botës? Jo, ruajna Zot! Asgjë dhe askush tjetër përveç Krijuesit të Vetëm të domosdoshëm, nuk mund të na japë asnjë ndihmë apo ndonjë efekt shpëtimi veçse nëpërmjet lejes dhe urdhërit të Tij.
Duke qenë kjo gjendja, duke e konsideruar atë si një rezultat i lutjes së tij, balena u bë për Junusin a.s. një mjet transporti ose një nëndetëse, dhe deti u bë një fushë e qetë dhe nata u bë një dritë e këndshme për të nëpërmjet hënës; edhe ne gjithashtu duhet të bëjmë të njëjtën lutje:
Nuk ka Zot tjetër përveç Teje, o Allah, Lavdia të takon Ty! Vërtet që kam qenë prej të gabuarve.”
Me frazën “Nuk ka Zot tjetër përveç Teje”, ne tërheqim shikimin e Mëshirës Hyjnore për të ardhmen tonë; me frazën, “Lavdia të takon Ty!” ne e tërheqim atë mbi botën tonë; dhe me frazën “Vërtet që kam qenë prej të gabuarve”, ne e tërheqim atë për tek nefset tonë, duke shpresuar që ajo t’i shohë shpirtërat tonë me dhembshuri e përdëllim. Kështu që e ardhmja jonë të ndriçohet me dritën e besimit dhe me ndriçimin e hënës së Kur’anit dhe që frika dhe tmerri i natës të transformohen në qetësi e gëzim.
Pastaj gjithashtu, duke hipur në anijen e të vërtetës së Kur’anit, të cilën e ndërtoi në kantierin e tij Kur’ani Madhështor, ne mund të kalojmë të sigurtë e pa rrezik mbi detin e kësaj banesës sonë tokësore, e cila nëpërmjet ndërkëmbimit të jetës dhe të vdekjes, është e mbushur me kufoma të panumërta, duke i mbajtur ato mbi valët e viteve dhe të shekujve, të cilat i hedh në asgjësi ndërkëmbimi i vdekjes dhe i jetës. Sapo të hipim në atë anije, ne mund të dalim në bregun e shpëtimit dhe mund të përmbushim detyrat e jetës sonë. Stuhitë dhe trazirat e detit do të shfaqen si një varg i imazheve të këndshëm në një ekran dhe, në vend të futjes së frikës e të tmerrit, ato do të kënaqin, ledhatojnë e ndriçojnë shikimin reflektues dhe hulumtues për krijesat. Në sajë të misterit të Kur’anit dhe të ndikimit të atij kriteri dallues midis së vërtetës dhe të shtrembërës, nefsi ynë nuk do të na sundojë më, por do të jetë mjeti ynë mbi të cilin kemi hipur dhe do t’i nënshtrohet drejtimit tonë. Dhe meqenëse ne do ta drejtojmë atë, ai do të jetë për ne një mjet i fuqishëm e i dobishëm për të fituar një jetë të përhershme.
Shkurtazi: Njeriu, në përputhje me natyrën gjithëpërfshirëse të qënies së tij, ashtu siç vuan e ndien dhimbje nga ethet, po ashtu ai vuan nga tërmetet dhe lëkundjet e tokës dhe vuan nga tronditja më e madhe e të gjitha qënieve në ditën e kijametit. Ashtu siç ka frikë ai nga një mikrob shumë i vogël, po ashtu ka frikë meteorët që shfaqen midis trupave qiellorë. Ai ashtu siç do shtëpinë e tij, gjithashtu do botën e gjërë. Ai ashtu siç do kopshtin e tij, gjithashtu do me zell të madh Parajsën e përjetshme dhe mallëngjehet shumë për të.
Meqenëse çështja e njeriut është kështu, atëherë i Adhuruari i tij, Mbështetësi, Strehuesi, Shpëtimtari dhe synimi mund të jetë vetëm Ai i Vetëm, në Dorën e të Cilit janë frerët e drejtimit të qiejve dhe të tokës, të grimcave dhe të planetëve; dhe çdo gjë është nën sundimin e Tij dhe i nënshtrohet urdhërit të Tij…
Prandaj, njeriu duhet që në mënyrë të vazhdueshme të thotë ashtu si Hazreti Junusi a.s.:
Nuk ka Zot tjetër përveç Teje, o Allah, Lavdia të takon Ty! Vërtet që kam qenë prej të gabuarve.”
“Lavdia të takon Ty ! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtet që vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti”.
* * *
[1]Kur’an, 21: 87
[2]Kur’an, 21:83
[3]Kur’an, 3: 173
[4]Kur’an, 41: 44