بِسْمِ اللّهِ الرَّحْمنِ الرَّحِيمِ , يَا اَيُّهَا النَّاسُ اعْبُدُوا
Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti. “O njerëz! Adhurojeni…”[9]
Në qoftë se dëshiron të kuptosh se çfarë tregtie e madhe dhe çfarë lumturie qëndron në adhurim, si dhe çfarë humbje e madhe dhe çfarë shkatërrimi qëndron në shthurje e mbrapshti, dëgjo dhe kushtoji vëmendje tregimit të mëposhtëm i cili është në formën e një krahasimi.
Njëherë, dy ushtarë morën urdhër për të shkuar në një qytet të largët. Ata u nisën për udhë së bashku, deri sa mbërritën aty ku rruga ndahej në dy drejtime.
Tek vendi ku ndahej rruga ndodhej një njeri i cili u tha atyre: “Rruga në të djathtë nuk shkakton absolutisht asnjë humbje, dhe nëntë nga dhjetë prej atyre që e ndjekin atë marrin një përfitim të lartë dhe përjetojnë një qetësi të madhe. Ndërsa rruga në të majtë nuk sjell asnjë leverdi, dhe nëntë prej dhjetë udhëtarëve të saj pësojnë humbje. Ato të dyja janë të njëjta për sa i përket largësisë, është thjesht një ndryshim i vetëm: Ata të cilët marrin rrugën nga e majta, e cila nuk është e lidhur me ndonjë rregull sistemi e me ndonjë qeveri, udhëtojnë pa pajime e pa armë. Ata ndjejnë një kollajllëk në pamje të jashtme dhe një lehtësi mashtruese. Ndërsa ata që udhëtojnë në rrugën nga ana e djathtë, e cila është nën rregullin ushtarak, janë të detyruar të mbajnë secili nga një çantë pajimesh plot me racione ushqyese që peshon katër kilogramë e ca, dhe një armë shumë të mirë nga ushtria që peshon rreth dy kilogramë me të cilën të mund të mposhtin e të shpartallojnë çdo armik.”
Pasi të dy ushtarët kishin dëgjuar fjalët e njeriut udhëzues, fatbardhi mori rrugën nga e djathta. Ai ngarkoi një peshë prej dhjetë kilogramësh mbi shpinën e tij, por zemra e tij dhe shpirti shpëtuan nga mijëra kilogramë frike dhe nga ndjenja e të qënit i detyruar ndaj të tjerëve.
Sa për ushtarin tjetër, fatziun, ai e braktisi ushtrinë; ai nuk deshi t’i nënshtrohej rregullit dhe sistemit dhe u nis për nga e majta. Ai u çlirua nga mbajtja e një peshe prej dhjetë kilogramësh, por zemra e tij u shtrëngua nga mijëra kilogramë detyrime dhe shpirti i tij u dërrmua nga frikësime të shumta. Ai vazhdoi në rrugën e tij duke lypur nga çdo njeri, dhe duke u trembur përpara çdo objekti e çdo ngjarje. Dhe kur arriti në vendin e duhur, ai u ndëshkua si një kryengritës dhe një dezertor.
Sa për ushtarin, i cili e deshi rregullin e ushtrisë, që e kishte ruajtur mirë çantën e pajimeve dhe armën e tij dhe që kishte marrë rrugën nga ana e djathtë, ai kishte vazhduar në udhën e tij duke mos ndier ndonjë detyrim ndaj dikujt, duke mos patur frikë askënd, dhe me një qetësi të zemrës dhe të ndërgjegjjes derisa arriti në qytetin që synonte. Atje ai mori një shpërblim të meritueshëm si një ushtar i nderuar i cili e kishte kryer mirë detyrën e tij.
Dhe kështu, o shpirt i pabindur!
Dije se njëri nga të dy udhëtarët përfaqëson ata të cilët i nënshtrohen ligjit Hyjnor, ndërsa tjetri përfaqëson ata që ndjekin dëshirat dhe tekat e tyre. Sa për rrugën, ajo është rruga e jetës, e cila vjen nga bota e shpirtërave, kalon përmes varrit duke të të çuar ty në botën e përtejme. Sa për çantën e pajimeve dhe armën, ato të dyja janë adhurimi dhe frika ndaj All-llahut. Dhe megjithëse adhurimi duket i rëndë, nga ana e jashtme, por në kuptimin e tij ai ka një kollajllëk e një lehtësi që nuk përshkruhen, sepse në faljet e urdhëruara, adhuruesi deklaron:
اَشْهَدُ اَنْ لاَ اِلهَ اِلاَّ اللّهُ
“Unë dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut .”
Domethënë; “Nuk ka Krijues e as Furnizues përveç Atij! Dobia e dëmi janë në Dorën e Tij. Ai është i Gjithurtë dhe nuk bën asgjë për kot; dhe Ai është i Gjithëmëshirshëm, mirësia dhe mëshira e Tij janë me bollëk.” Besimtari beson në çfarë thotë dhe prandaj gjen derën e thesarit të mëshirës në çdo gjë, dhe e troket atë me lutjen e tij. Për më tepër, ai shikon se çdo gjë i ishte nënshtruar urdhrit të Krijuesit të vet, prandaj ai kërkon strehim tek Ai. Ai e vendos besimin e tij tek Ai, mbështetet tek Ai, dhe fortifikohet kundër çdo katastrofe; besimi i jep atij siguri e qetësi të plotë.
Në të vërtetë, si me çdo mirësi të vërtetë, burimi i guximit është Besimi dhe adhurimi. Dhe, si me çdo mbrapshti, burimi i burracakërisë dhe i frikës është mosbesimi dhe çudhëzimi!
Po, për një adhurues me zemër vërtetë të ndriçuar, edhe sikur globi tokësor të bëhej një bombë e të shpërthente, kjo gjë nuk do ta frikësonte atë. Ai do ta shikonte atë me një çudi të këndshme si një mrekulli e Fuqisë së Krijuesit të përjetshëm. Ndërsa i shthururi me zemër të vdekur, edhe sikur të ishte një filozof i famshëm e mendjendritur -prej atyre që konsiderohen si mendjendritur-, në qoftë se do të shihte një kometë në qiell, ai do të dridhej në tokë dhe do të pyeste me shqetësim: “A nuk do ta godasë ajo kometë tokën?” (Në një rast Amerika po tronditej nga frika e një komete të tillë, dhe shumë njerëz lanë shtëpitë e tyre në mes të natës).
Po, megjithëse njeriu ka nevojë për gjëra të panumërta, kapitali i tij është si hiç asgjë… dhe megjithëse ai është i zbulurar para fatkeqësive të pafund, fuqia e tij gjithashtu është si asgjë… Thjesht, shtrirja e kapitalit dhe e fuqisë së tij është vetëm aq sa mund të arrijë dora e tij. Ndërsa shpresat e tij, dëshirat, dhimbjet dhe mundimet arrijnë aq sa mund të shtrihen syri dhe imagjinata. Atëherë, ai që nuk është krejtësisht i verbër mund të shikojë e të kuptojë se çfarë përfitimi i madh, çfarë lumturie e mirësie për shpirtin e njeriut, i cili është kaq i dobët, i varfër e i nevojshëm, janë adhurimi, shpallja e Njësisë së All-llahut, mbështetja tek Ai dhe nënshtrimi ndaj Tij.
Është e qartë se një rrugë e padëmshme është më e preferuar se sa një rrugë e dëmshme, madje edhe në qoftë se mundësia e sigurisë së saj do të ishte vetëm një në dhjetë.
Por në rrugën e adhurimit e cila është çështja jonë këtu, ka nëntë prej dhjetë mundësive të saj që të çojnë tek një thesar i lumturisë së përjetshme, si dhe është e padëmshme. Ndërsa është vërtetuar nga dësh-mia e ekspertëve -e cila është në shkallën e konsensusit- dhe e dëshmitarëve të panumërt se përveç qënies pa dobi, madje edhe shthurja e pohon këtë, rruga e ligësisë dhe e shthurjes përfundon në mjerim të përjetshëm. Dhe sipas njoftimeve të atyre që u janë zbuluar të fshehtat nga krijimi, kjo është absolutisht e sigurt.
Shkurtazi: Si në botën tjetër, lumturia në këtë botë, gjithashtu, qëndron në adhurim dhe duke qenë ushtarë të bindur ndaj All-llahut të Gjithëfuqishëm. Meqenëse është kështu, ne në mënyrë të vazhdueshme duhet të themi: اَلْحَمْدُ لِلّهِ عَلَى الطَّاعَةِ وَالتَّوْفِيقِ “Lavdi All-llahut për bindjen dhe suksesin”!, dhe duhet ta falënderojmë Atë që jemi Myslimanë.
* * *
[9] Kur’an, 2: 21