Lexo PDF

بِسْمِ اللّهِ الرَّحْمنِ الرَّحِيمِ

اِنَّمَا اَمْرُهُ اِذَا اَرَادَ شَيْئًا اَنْ يَقُولَ لَهُ كُنْ فَيَكُونُ , فَسُبْحَانَ الَّذِى بِيَدِهِ مَلَكُوتُ كُلِّ شَيْءٍ وَاِلَيْهِ تُرْجَعُونَ

Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirploti.

“Sigurisht që urdhri i Tij, kur Ai do një gjë, është vetëm se Ai t’i thotë: “Bëhu!- dhe ajo është e bërë (në çast)” Kështu pra, i lavdëruar është Ai dhe i lartësuar mbi gjithçka që ata ia bashkojnë Atij, në duart e të Cilit është mbizotërimi i çdo gjëje dhe tek Ai ju të gjithë do të ktheheni.[147]

 

[Kjo Fjalë u shkrua që t’i japë intuitë e kuptim nefsit tim të verbër, që të largojë errësirat rreth tij, dhe që t’i sjellë qetësi, duke i treguar atij katër Rreze nga drita e vërsetit të lartëpërmendur].

 

RREZJA E PARË

 

O Nefsi im injorant! Ti thua: “Njësia e Esencës Hyjnore së bashku me përbotshmërinë e akteve Hyjnore, Uniteti i Esencës së Zotit të Gjithëfuqishëm së bashku me Hyjninë e Tij të gjithanshme që s’pranon ndihmë, dhe mëvetësia e Tij me gjithëpërfshirjen e veprave të Tij të pandara me ortakë, qënia e Tij larg e përtej hapësirës dhe njëkohësisht i pranishëm gjithkund; lartësia e Tij e pakufishme së bashku me të qënit afër të gjitha gjërave dhe Qënia e Tij Një i Vetëm dhe megjithatë Ai vetë duke i mbajtur të gjitha veprat në Dorën e Tij, janë prej të vërtetave të Kur’anit. Ti nefs thua: Kur’ani është i gjithurtë, dhe i Gjithurti nuk ngarkon mbi arsyen gjëra të cilat janë të paarsyeshme. Dhe arsyeja shikon një kontradiktë të dukshme ndër-mjet këtyre gjërave. Prandaj unë do të dëshiroja një shpjegim për to që do ta shtynte mendjen për t’u nënshtruar.”

Përgjigjja: Meqenëse çështja është kështu dhe ti e kërkon atë për të arritur qetësinë e sigurinë, atëherë ne themi duke u mbështetur në shkëlqimin e Kur’anit:

Emri “En-Nur“Drita”, i cili është nga Emrat e Bukur Hyjnorë, ka zgjidhur shumë nga problemet dhe vështirësitë e mia. Në dashtë Zoti, Ai do ta zgjidhë gjithashtu edhe këtë problem.

Duke zgjedhur mënyrën e krahasimit, e cila i sjell qartësi mendjes dhe dritë zemrës, ashtu siç tha Imam Rabbani r.a., edhe ne themi:

نَه شَبَمْ نَه شَبْ پَرَسْتَمْ مَنْ , غُلاَمِ شَمْسَمْ اَزْ شَمْسْ مِى گُويَمْ خَبَرْ

Unë nuk jam as nata, as një dashurues i natës;  Unë jam një shërbëtor i Diellit të realitetit dhe prej atij Dielli unë flas.

Meqenëse krahasimi është një pasqyrë më e shndëritshme që refkleton mrekullinë e Kur’anit, edhe ne gjithashtu do ta shikojmë këtë mister me anë të një krahasimi, që vijon:

Një person i vetëm mund të fitojë universalitet nëpërmjet pasqyrave të ndryshme. Ndërsa duke qenë një individ i vetëm, ai bëhet si një universal duke poseduar cilësi të përgjithshme. Për shembull, ndërsa dielli është një qënie e pjesshme e personifikuar, pra një individ i vetëm, veçse ama nëpërmjet objekteve dhe gjërave të tejdukshme, ai bëhet një universal i tillë saqë ai e mbush faqen e tokës me imazhet dhe me reflektimet e tij. Ai madje ka aq shumë tregues e shfaqje, aq sa numri i piklave dhe i grimcave të shndëritshme. Megji-thëse nxehtësia e diellit, drita dhe shtatë ngjyrat në dritën e tij, secila ngërthen, rrethon dhe përfshin të gjitha gjërat që ndodhen përballë tyre, gjithashtu çdo gjë e tejdukshme mban e fsheh në beben e syrit të saj nxehtësinë e diellit, dritën e tij dhe shtatë ngjyrat, së bashku me imazhin e tij; dhe ajo gjë bën një fron për to në zemrën e saj të pastër. Domethënë, për sa ka të bëjë me Unitetin , dielli i rrethon të gjitha gjërat që ndodhen përballë tij, ndërsa në lidhje me Njësinë, dielli është i pranishëm së bashku me shumë cilësi të tij në çdo gjë nëpërmjet një lloji shfaqjeje të esencës së tij.

Meqenëse kemi kaluar nga krahasimi për tek diskutimi i përfaqësimit, ne do të tregojmë tre nga shumë lloje përfaqësimi, të cilët do të jenë boshti për të kuptuar këtë çështje.

I pari: Ky është reflektimi i objekteve të dendura materiale. Këto reflektime janë tjetra dhe jo gjëja e reflektuar, ato nuk janë e njëjta, dhe ato janë të vdekura, pa jetë. Ato nuk posedojnë asnjë cilësi tjetër përveç identitetit të tyre të jashtëm. Për shembull, në qoftë se futesh ti, o Said, në magazinën e pasqyrave, atëherë një Said i vetëm bëhet një mijë Saida. Por me jetë je vetëm ti, ndërsa të tjerët janë të vdekur; ata nuk i kanë veçoritë e jetës.

I dyti: Ky është reflektimi i objekteve të ndritshme materiale. Ky reflektim nuk është i njëjti si gjëja e reflektuar. Por në të njëjtën kohë nuk është as tjetra, pasi ajo nuk përmban natyrën e ndritshme të objektit, por ajo posedon shumicën e veçorive të tyre dhe mund të konsiderohet si e gjallë. Për shembull, dielli kur përhap rrezet e tij sipër globit tokësor e shfaq imazhin e tij dhe reflektimin, tek të gjitha pasqyrat. Në secilën nga reflektimet është e pranishme nxehtësia, drita dhe shtatë ngjyrat në dritë, të cilat janë si cilësitë e diellit. Le ta supozojmë diellin që të kishte vetëdije, (nxehtësia e tij të ishte pikërisht fuqia e tij e pastër; drita e tij të ishte pikërisht njohuria  e tij e pastër; dhe shtatë ngjyrat e tij të ishin shtatë cilësitë e tij) atëherë dielli i vetëm do të ishte i pranishëm në të gjitha pasqyrat në të njëjtin moment, dhe do të ishte i aftë ta bënte secilën një fron të tij për vetveten dhe një lloj telefoni.

Një pasqyrë nuk do të ishte pengesë për një tjetër. Ai do të mund të takohej me secilin nga ne nëpërmjet pasqyrave tona. Ndërsa ne megjithëse jemi larg prej tij, ai është më afër nesh se sa vetet tona.

I treti: Ky është reflektimi i shpirtërave të ndritshëm. Ky reflektim është i gjallë dhe njëkohësisht i njëjti si shpirtërat. Por meqenëse ai shfaqet në përputhje me kapacitetin e pasqyrave, ai nuk e nxë plotësisht esencën e shpirtit dhe natyrën. Për shembull, në momentin që  Hazreti Xhebrail a.s. ishte i pranishëm në prezencën e Profetit a.s.m. në formën e –sahabës– Dihije, ai njëkohësisht po bënte sexhde me krahët e tij madhështorë në prezencën Hyjnore para Fronit sublim. Dhe në të njëjtin moment, ai është i pranishëm në vende të panumërta dhe është duke përçuar urdhërat Hyjnorë. Një detyrë nuk është pengesë për një tjetër; kështu, nëpërmjet këtij misteri, Profeti Muhammed a.s.m., esenca e të cilit është dritë dhe natyra e tij është e ndritshme, në këtë botë i dëgjon të gjitha salevatet e kënduara për të nga i gjithë komuniteti i tij dhe në ringjallje do të takohet me të gjithë të pastërtit në të njëjtën kohë. Njëri nuk do të jetë pengesë për një tjetër. Në fakt, disa prej evlijave, të cilët kanë fituar një shkallë të lartë dritësie dhe quhen “El-Ebdal” ‘zëvendësa’ (përfaqësues, plotësues), janë shikuar në shumë vende në të njëjtën kohë, dhe i njëjti person ka kryer shumë akte të ndryshme në të njëjtin moment.

Po, në të vërtetë, ashtu si gjërat si qelqi dhe uji që veprojnë si pasqyra për objektet materiale, gjithashtu, ajri, eteri, dhe disa qënie të botës së shëmbëllesës janë si pasqyra për qëniet shpirtërore; ato bëhen si mjete transporti e përcjelljeje me shpejtësinë e vetëtimës dhe të imagjinatës. Ato qënie shpirtërore futen në mijëra vende për një çast. Kështu, ato ecin dhe udhëtojnë në ato vendbanime të bukura dhe elegante, në ato pasqyra të pastërta me shpejtësinë e imagjinatës.

Meqenëse, pavarësisht qënies të pjesshme e të kufizuara, nëpërmjet misterit të dritësisë, krijesat e pafuqishme e të nënshtruara si dielli dhe si qëniet gjysmëndriçuese të kufizuara nga materia, ashtu si qëniet shpirtërore, mund të jenë prezent në vende të shumta, ndërsa janë në një vend; ata bëhen si universale absolute; dhe ndonëse me një fuqi të kufizuar zgjedhjeje, ata mund të kryejnë shumë punë në të njëjtin moment…

Dhe kështu, çfarë gjëje mund ta fshehë vetveten nga adresimi i Njësisë, i cili është brenda shfaqjes së atributeve  dhe shfaqjes së veprave të Tij nëpërmjet vullnetit të Tij universal, fuqisë së Tij absolute, dhe njohjes së Tij gjithëpërfshirëse?

I Shenjti i Vetëm, i Cili është shumë i lartësuar, shumë larg materies, i zhveshur nga lënda, i pastruar dhe i përjashtuar nga çdo kufizim, limit dhe nga errësira e dendësisë; madje të gjitha këto drita dhe qënie të ndritshme janë veçse hije të dendura prej dritave të Emrave të Tij të Bukur; Gjithë ekzistenca dhe e gjithë jeta, bota e shpirtërave dhe Bota e shëmbëllesës janë veçse pasqyra gjysmë-transparente për të shfaqur Bukurinë e Atij të Shenjti Madhështor, Atributet e të Cilit janë gjithëpërfshirëse dhe cilësitë e të Cilit janë universale. Atëherë, çfarë gjëje mund të jetë e vështirë për Të? Çfarë gjëje mund të fshihet nga Ai? Çfarë individi mund t’i shmanget Atij? Dhe cili mund të qëndrojë larg Tij dhe cili personalitet mund të afrohet me Të pa fituar universalitetin?

Në të vërtetë, megjithëse nëpërmjet dritës së tij të pakufizuar dhe reflektimit jolëndor, dielli është më afër teje se sa bebja e syrit tënd, për shkak se ti je i kufizuar, je shumë larg prej tij. Meqenëse ti je i kufizuar, ti duhet të kapërcesh shumë limite dhe të tejkalosh shumë shkallë universale me qëllim që të afrohesh tek ai. Kjo do të bënte të domosdoshme që ti në efekt të kishe madhësinë e përmasës së tokës dhe do të duhet të dilje lart mbi hënën dhe pastaj ti mund të ishe i aftë të afroheshe drejtpërdrejt me shkallëm e nivelit esencial të diellit dhe të takoheshe me të pa perde.

Në të njëjtën mënyrë, Madhështori i Vetëm i bukurisë, dhe Hirploti i Plotësimit është më afër teje se çdo gjë tjetër,. ndërsa ti je pafundësisht larg prej Tij. Në qoftë se zemra jote ka forcë dhe mendja jote ka lartësi e shkëlqim, përpiqu t’i vësh në praktikë reale pikat që erdhën në krahasim…

* * *

 

RREZJA E DYTË

 

O nefsi im i pandjenja e i pavëmendshëm! Ti thua se vërsetet si:

اِنَّمَا اَمْرُهُ اِذَا اَرَادَ شَيْئًا اَنْ يَقُولَ لَهُ كُنْ فَيَكُونُ

 “Sigurisht që urdhëri i Tij, kur Ai do një gjë, është vetëm se Ai t’i thotë asaj: ‘Bëhu!’ dhe ajo është e bërë (në çast),”[148] dhe

اِنْ كَانَتْ اِلاَّ صَيْحَةً وَاحِدَةً فَاِذَاهُمْ جَمِيعٌ لَدَيْنَا مُحْضَرُونَ

 “Dhe do të jetë vetëm një klithmë (thirrje e fuqishme, fryrja e dytë e Surit) e vetme dhe ja! Ç’të shohësh! Ata do të jenë sjellë të gjithë para Nesh!”[149], tregojnë se ekzistenca e gjërave është e menjëhershme, e çastit dhe thjesht nëpërmjet një urdhëri, ndërsa vërsetet si:

صُنْعَ اللّهِ الَّذِى اَتْقَنَ كُلَّ شَيْءٍ  “(E tillë) është mjeshtëria artistike e All-llahut, i Cili përsosi çdo gjë,”[150] dhe  اَحْسَنَ كُلَّ شَيْءٍ خَلَقَهُ  “I Cili e ka krijuar çdo gjë në mënyrën më të mirë.”[151], tregojnë se ekzistenca e gjërave është graduale, ka ardhur shkallë-shkallë, nëpërmjet një fuqie të madhe brenda një njohurie dhe nëpërmjet një arti të hollë brenda një urtësie. Cila është pika e pajtimit midis tyre?

Përgjigjja: Duke u mbështetur në shkëlqimin e Kur’anit, ne themi:

Së pari: Nuk ka kontradiktë midis vërseteve. Sepse disa krijesa janë të mëparshme, si Krijimi i parë, zanafilla, dhe disa të tjera janë të mëvonshme, si ripërtëritja e krijimit…

Së dyti: Rregulli i pafund, mjeshtëria më e skajshme, arti i hollë, krijimi i plotë së bashku me lehtësinë, shpejtësinë, shumësinë dhe shtrirjen të cilat vëzhgohen tek qëniet, dëshmojnë në mënyrë vendimtare ekzistencën e të vërtetave të këtyre dy lloje vërsetesh. Meqenëse kjo është kështu, atëherë ta provosh atë të jetë e vërtetë jashtë kësaj dhe ta bësh atë pikë të diskutueshme, është e panevojshme. Do të ishte më mirë të bëhej pyetja: “Cili është misteri i urtësisë tek ato dy lloje, zanafilla dhe përsosmëria? Cili është kuptimi dhe qëllimi i tyre?” Dhe kështu ne do ta tregojmë këtë urtësi me një analogji në formën e një krahasimi.

Një artizan, një rrobaqepës, për shembull prodhon diçka artistike me shumë vështirësi, përdor shumë aftësi e mjeshtëri dhe bën një model për të. Atëherë ai mund të prodhojë shumë gjëra të ngjashme me të shpejt dhe pa vështirësi. Ndonjëherë, madje, ajo bëhet aq e lehtë saqë sikur ajo të prodhohej me një urdhër dhe fiton një rregull të fuqishëm; si një orë, ajo funksionon dhe sikur puna plotësohet thjesht me t’iu dhënë urdhëri asaj. Në të njëjtën mënyrë, Mjeshtri i Gjithurtë dhe Skalitësi i Gjithëditur, pasi krijoi në fillim pallatin e mahnitshëm të kësaj bote dhe çfarë përmban ai, i dha çdo gjëje të veçantë dhe universale, të tërës dhe të pjesshmes, një masë të përcaktuar dhe një harmoni e përpjesëtim nëpërmjet një rregulli të Paracaktimit Hyjnor, si një model i asaj gjëje.

Atëherë shiko! Duke e bërë çdo shekull një model, Autori i parapërjetësisë ia vesh atë një bote të re të zbukuruar nëpërmjet mrekullive të Fuqisë së Tij. Dhe duke e bërë çdo vit një shkallë (vegël matje), Ai qep dhe thur nëpërmjet çudirave të Mëshirës së Tij qënie të reja të përpunuara me mjeshtëri, secilës sipas atij shtati.

Dhe duke e bërë çdo ditë një rresht, Ai shkruan qëniet e zbukuruara që ripërtërihen gjithmonë në të, nëpërmjet hollësive të urtësisë së Tij.

Për më tepër, Ai i Gjithëfuqishëm Absolut, ashtu siç e bëri çdo shekull, çdo vit dhe çdo ditë një model, gjithashtu Ai i bën faqen e tokës dhe malet e shkretëtirat, kopshtet dhe pemishtet, dhe çdo pemë një model. Ai, në mënyrë të vazhdueshme ngre e sjell në jetë qënie të reja në tokë dhe krijon botëra të reja. Ai lëviz dhe e heq një botë dhe e zëvendëson atë me një botë tjetër të mirorganizuar. Stinë pas stine, Ai shfaq mrekullitë e Fuqisë së Tij dhe dhuratat e Mëshirës së Tij në të gjitha kopshtet e pemishtet. Ai e shkruan secilën si një libër të ri duke treguar urtësi; e përgatit secilën si një kuzhinë të Mëshirës së Tij dhe i vesh ekzistencës një mantel plot art që ripërtërihet gjithmonë. Në çdo pranverë, Ai i vesh të gjitha pemët me veshje të qëndisura me ar, dhe i stolis ato me xhevahire të freskët si perla, ashtu si yjet. Ai i mbush duart e tyre me dhurata mëshire…

Kështu, Ai që i kryen këto çështje me një art pafundësisht të hollë e me një rregull të përkryer, dhe ndryshon me një urtësi të pafundme, me përkujdesje, me fuqi e art të plotë botët udhëtuese të cilat ndjekin njëra-tjetrën dhe që i janë bashkangjitur spangos së kohës, sigurisht Ai është i Gjithëfuqishëm dhe i Gjithurtë. Ai është Gjithëshikues, i Gjithëditur në një shkallë të pafund. Rastësia nuk mund të ndërhyjë në punën e Tij. Ai është i Gjithëlavdishmi i vetëm i Cili thotë:

اِنَّمَا اَمْرُهُ اِذَا اَرَادَ شَيْئًا اَنْ يَقُولَ لَهُ كُنْ فَيَكُونُ , وَمَا اَمْرُ السَّاعَةِ اِلاَّ كَلَمْحِ الْبَصَرِ اَوْ هُوَ اَقْرَبُ

 “Sigurisht që urdhri i Tij, kur Ai do një gjë, është vetëm se Ai t’i thotë asaj: “Bëhu!- Dhe ajo është e bërë (në çast)!,”[152] “Dhe çëshjta e orës (Çastit të fundit) është sa një ‘hap e mbyll sytë’, ose edhe më afër.”[153], të dy këto ajete shpallin plotësimin e fuqisë së Tij, dhe se në lidhje me Fuqinë e Tij, ringjallja dhe Tubimi i madh janë më të lehtat, pa asnjë vështirësi dhe krejtësisht të kollajshme. Meqenëse Urdhri i Tij krijues përfshin fuqinë dhe vullnetin, dhe të gjitha gjërat janë të nënshtruara e të bindura ndaj urdhrit të Tij, dhe Ai krijon pa vështirësi e pa pengesë, me qëllim që të shprehë lehtësinë absolute në krijimin e Tij, Kur’ani i shpjegimit të mrekullueshëm dekreton se Ai e bën këtë thjesht nëpërmjet një urdhri.

Përfundim: Disa vërsete shpallin bukurinë dhe finesën më të skajshme të Artit dhe plotësimin e pafund të urtësisë në krijimin e qënieve, veçanërisht tek fillimi i krijimit të tyre. Ndërsa vërsetet e tjera përshkruajnë lehtësinë më të skajshme, shpejtësinë absolute, bindjen e pakufishme dhe mospasjen e vështirësisë në rikrijimin dhe në rikthimin e gjërave në veçanti.

 

RREZJA E TRETË

 

O nefsi im plot dyshime, me mendime të këqija dhe që ke tejkaluar limitet! Ti thua se vërsetet si:

بِيَدِهِ مَلَكُوتُ كُلِّ شَيْءٍ , مَا مِنْ دَابَّةٍ اِلاَّ هُوَ آخِذٌ بِنَاصِيَتِهَا , وَ نَحْنُ اَقْرَبُ اِلَيْهِ مِنْ حَبْلِ الْوَرِيدِ

Në Dorën e të Cilit është mbizotërimi i çdo gjëje dhe tek Ai ju do të ktheheni.” “Nuk ka asnjë krijesë të gjallë që Ai të mos e ketë mbërthyer pas ballukeve të ballit (ta ketë nën sundimin e Tij të plotë).”[154] “, dhe “Dhe Ne jemi më afër tij se sa vena e qafës së tij.”[155]

Tregojnë  se Zoti xh. sh. është pafundësisht afër nesh.

وَ اِلَيْهِ تُرْجَعُونَ , تَعْرُجُ الْمَلئِكَةُ وَالرُّوحُ اِلَيْهِ فِى يَوْمٍ كَانَ مِقْدَارُهُ خَمْسِينَ اَلْفَ سَنَةٍ

“Dhe tek Ai ju të gjithë do të ktheheni.”[156]

Melekët dhe Ruhu (Meleku Xhibril) ngjiten tek Ai në një Ditë, përmasat e së cilës janë sa pesëdhjetë mijë vjet.”[157]

Gjithashtu edhe Hadithi i cili thotë: “Zoti xh.sh. është përtej shtatëdhjetë mijë perdeve”, dhe të vërteta të tilla si Mi’raxhi i Profetit a.s.m., tregojnë se ne jemi pafundësisht larg prej Tij. Unë do të doja një shpjegim i cili do ta sillte këtë mister të thellë më afër kuptimit.

Përgjigjja: Dëgjo sa vijon:

Së pari: Në fundin e Rrezes së parë ne thamë: Ndonëse për sa ka të bëjë me dritën e pakufizuar dhe me reflektimin jolëndor, dielli është më afër teje se sa bebja e syrit tënd, e cila është një dritare e shpirtit tënd dhe pasqyra e tij, por meqenëse je i kufizuar dhe i burgosur në materie, ti je tej mase larg prej tij. Ti mund të kesh kontakt me të vetëm nëpërmjet disa reflektimeve të tij, hijeve dhe të takohesh me të me anë të një lloji pasqyre të tij, të shfaqjeve të veçanta dhe nuk mund t’u afrohesh veçse ngjyrave të tij të cilat janë si një kategori e atributeve të tij, dhe disa rrezeve dhe shfaqjeve e tij, të cilat janë si një klasë e Emrave të tij.

Në qoftë se ti dëshiron t’i afrohesh nivelit esencial të diellit dhe të takohesh me esencën e diellit dhe drejtpërdrejtë me vetë atë, atëherë të duhet të tejkalosh shumë kufizime dhe të kapërcesh shumë nivele të përbotshmërisë. Thjesht, pasi ta nxjerrësh veten tënde nga materia, duke u bërë i zmadhuar sa shtrirja e tokës dhe duke u zgjeruar në shpirt si ajri, duke dalur mbi Hënën dhe t’i ngjasosh hënës së plotë, vetëm atëherë ti mund të pretendosh të takohesh me vetë atë (diellin) pa perde dhe t’i afroheshe atij deri diku.

Në të njëjtën mënyrë, i Gjithëlavdishmi Hirplotë, i Bukuri i pashoq, Ekzistuesi i Vetëm i domosdoshëm, Dhënësi i ekzistencës për të gjitha qëniet, Dielli i përjetshëm, Monarku i parapërjetësisë dhe i paspërjetësisë, është më afër teje se sa vetja jote. Dhe ti je pafundësisht larg prej Tij.

Në qoftë se ti ke fuqi, aplikoji në praktikë pikat e holla në krahasim…

Së dyti: Për shembull, وَ لِلّهِ الْمَثَلُ اْلاَعْلَى “Dhe Zotit i takon krahasimi më i lartë.Emri “Komandant” midis Emrave të shumtë të mbretit shfaqet në shumë sfera, njëra brenda tjetrës. Ai ka një shfaqje dhe dukje në sfera të shtrira dhe të ngushta, universale dhe të veçanta, duke filluar nga sfera e komandantit të përgjithshëm, mareshallit dhe gjeneralit, pastaj tek sfera e kapedanit dhe rreshterit. Tani në detyrat e tij ushtarake një ushtar i thjesht mban si autoritetin e tij pikën më të vogël të komandës e shfaqur në rangun e rreshterit; Ai është në kontakt dhe lidhet me komandantin e përgjithshëm nëpërmjet manifestimit më të vogël të emrit të tij.

Në qoftë se ai dëshiron të bëjë kontakt me të nëpërmjet emrit të tij esencial dhe të takohet me të nëpërmjet atij titulli, atij do t’i duhej të ngjitej nga rangu i rreshterit për tek rangu universal i komandantit të përgjithshëm. Domethënë, mbreti është shumë afër me ushtarin nëpërmjet emrit të tij, dekretit, ligjit, njohjes, telefonit të tij dhe rregullores, dhe në qoftë se ai mbret do të ishte i ndritshëm dhe prej evlijave, El-Ebdalë, ai do të ishte afër tij me vetë pikërisht praninë e tij. Asgjë fare nuk mund të jetë një pengesë apo bllokim për të. Ndërsa ushtari është tej mase larg. Mijëra shkallë janë pengesa që e ndajnë me të, dhe mijëra perde ndërhyjnë. Por ndonjëherë mbreti është i Mëshirshëm dhe në kundërshtim me praktikën e tij, ai e merr një ushtar në praninë të tij dhe e favorizon atë me mirësinë e tij…

Në të njëjtën mënyrë, i Gjithëlavdishmi i vetëm, Zotëruesi i urdhërit كُنْ فَيَكُونُ “Bëhu!- dhe ajo bëhet ( në çast)! që për Të diejt dhe yjet janë si ushtarët e Tij nën urdhër, Ai është më afër çdo gjëje se sa cilado gjë, ndonëse të gjitha gjërat janë pafundësisht larg prej Tij.

Në qoftë se ti dëshiron të hysh në praninë e Madhështisë së Tij pa perde, ti duhet të kalosh shtatëdhjetë mijë perde drite dhe errësire, domethënë perde materiale e fizike dhe perdet e Emrave dhe të Atributeve Hyjnore, pastaj të ngjitesh tek çdo Emër që ka mijëra shkallë shfaqjeje të veçanta dhe universale, të kalosh nëpërmjet niveleve më të larta të Atributeve të Tij, dhe të ngjitesh tek Arshi, Froni i Tij sublim i cili shfaq Emrin e Tij më të madh. Në qoftë se ti nuk je objekt i favorizimit dhe i tërheqjes Hyjnore, atëherë ti do të të duhej të punoje e të udhëtoje shpirtërisht për mijëra vite. Për shembull, në qoftë se ti dëshiron t’i afrohesh Atij nëpërmjet Emrit të Tij El-Ha’lik “Krijuesi”, ti duhet të kesh lidhje nëpërmjet veçantive të tua së pari, pasi Ai është “Krijuesi Yt”, pastaj të lidhesh me Të si “Krijuesi i të gjithë njerëzve”; atëherë nëpërmjet titullit të “Krijuesit të të gjitha gjallesave”, dhe pastaj në emrin e “Krijuesit të të gjitha qënieve.” Përndryshe, ti do mbeteshe në hije dhe do të gjeje një shfaqje të pjesshme.

NJË PËRKUJTUES: Për shkak të pafuqisë së tij, mbreti në krahasim ka caktuar mareshallë e gjeneralë në shkallët e Emrit të tij komandues. Por i Gjithëfuqishmi i Vetëm Absolut,  بِيَدِهِ مَلَكُوتُ كُلِّ شَيْءٍ ”Në Dorën e të Cilit është zotërimi i të gjitha gjërave”, nuk ka nevojë për ndërmjetësues. Ndërmjetësuesit janë veçse thjesht çështje të jashtme, të dukshme; janë një perde e dinjitetit të Tij dhe e madhështisë. Ata janë lajmëtarët dhe vëzhguesit e sovranitetit të Hyjnisë së Tij brenda adhurimit, mahnitjes, pafuqisë dhe varfërisë. Ata nuk janë ndihmësit e Tij dhe nuk mund të jenë ortakë në sovranitetin e Hyjnisë së Tij.

* * *

 

 

 

RREZJA E KATËRT

 

Dhe kështu , o nefsi im përtac! Ashtu si ushtari në krahasimin e mëparshëm i cili u mor tek prania mbretërore thjesht nga favori i tij, realiteti i pesë faljeve në çdo ditë të cilat janë si një lloj Mi’raxhi (ngjitjeje), merren tek prania e të Gjithëlavdishmit Hirplotë, të Bukurit të vetëm të lavdisë, i Cili është i Adhuruari i Vërtetë, si një shembull i një mëshire të pastër. Duke deklaruar, All-llahu Ekber, Zoti është më i madhi!, do të thotë të kapërcesh të dyja botët ose me kuptim, ose me përfytyrim ose me qëllim, derisa të zhvishesh prej kufizimeve të materies, dhe ngjitu duke fituar një shkallë të adhurimit universal, ose tek një hije nga hijet e shkallës universale, ose tek një formë e universalitetit; dhe duke u nderuar me një lloj pranie, është të shfaqësh adresimin اِيَّاكَ نَعْبُدُ “vetëm Ty ne të adhurojmë” (Gjithësecili sipas kapacitetit të vet); dhe kjo është arritja më e madhe. Duke përsëritur, All-llahu Ekber, All-llahu Ekber! në veprimet e faljeve, është një tregues i ngjitjes nëpërmjet shkallëve të përparimit shpirtëror, duke u ngjitur nga sferat e pjesshme të veçanta për tek ato universale dhe është një titull për përmbledhjen e plotësimeve të madhështisë Hyjnore të cilat janë përtej  kapacitetit të njohurisë sonë.

Është sikur çdo All-llahu Ekber!, të ishte një tregues për të kapërcyer një shkallë prej shkallëve të Mi’raxhit (ngjitjes). Për të arritur një hije ose një rreze nga realiteti i faljeve, me kuptim ose me qëllim, ose me përfytyrim, ose me imagjinatë; është mirësia më e madhe dhe lumturia më e lartë.

Përsëritja e shpeshtë e All-llahu Ekber gjatë haxhit bëhet për arsyen e lartëpërmendur, sepse haxhillëku i bekuar është tek niveli universal për çdo haxhi. Ashtu si në një ditë të veçantë, si në një ditë feste, kur që një ushtar i thjeshtë shkon në praninë e mbretit, ashtu siç shkon gjenerali dhe merr favorin dhe nderimin e tij, në të njëtën mënyrë, një haxhi, s’ka rëndësi se sa i ulët mund të jetë midis njerëzve të thjeshtë, kthehet në drejtim të Krijuesit të tij të madhërishëm nëpërmjet titullit Mbështetësi i Plotfuqishëm i të gjitha botëve, ashtu si një evlija i cili ka kapërcyer të gjitha shkallët, dhe nderohet me një adhurim universal. Sigurisht, shkallët universale të Hyjnisë të cilat hapen me çelësin e haxhit dhe horizontet e madhështisë së Hyjnisë të cilat janë të dukshme për syrin nëpërmjet teleskopit të haxhit, dhe sferat e adhurimit të cilat gradualisht zgjerohen në zemrën e haxhiut dhe në përfytyrimin e tij, sa herë që kryen ritet e haxhit, dhe nivelet e madhështisë dhe  faza e fundit e shfaqjeve të cilat japin ngrohtësinë e përmallimit, admirimin, nderimin dhe frikën përpara madhështisë së Hyjnisë, mund të qetësohen veçse meاَلله اَكْبَرُ اَلله اَكْبَرُ  All-llahu Ekber, All-llahu Ekber, dhe ato shkallë të vëzhguara ose të imagjinuara e të zbuluara mund të shpallen vetëm me të (me All-llahu Ekber).

Pas haxhit, ky kuptim gjendet në shkallët e ndryshme të larta e universale në Faljet e Festave, në faljet për shi, në rastet e eklipseve të diellit e të hënës, dhe në faljet e kryera me xhemaat. Kështu, shfaqet rëndësia e riteve të Islamit, sikur  ato të jenë edhe të kategorisë së sunnetit.

سُبْحَانَ مَنْ جَعَلَ خَزَائِنُهُ بَيْنَ الْكَافِ وَ النُّونِ

فَسُبْحَانَ الَّذِى بِيَدِهِ مَلَكُوتُ كُلِّ شَيْءٍ وَاِلَيْهِ تُرْجَعُونَ

سُبْحَانَكَ لاَ عِلْمَ لَنَا اِلاَّ مَا عَلَّمْتَنَا اِنَّكَ اَنْتَ الْعَلِيمُ الْحَكِيمُ

رَبَّنَا لاَ تُؤَاخِذْنَا اِنْ نَسِينَا اَوْ اَخْطَاْنَا , رَبَّنَا لاَ تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ اِذْ هَدَيْتَنَا وَهَبْ لَنَا مِنْ لَدُنْكَ رَحْمَةً اِنَّكَ اَنْتَ الْوَهَّابُ

وَصَلِّ وَ سَلِّمْ عَلَى رَسُولِكَ اْلاَكْرَمِ مَظْهَرِ اِسْمِكَ اْلاَعْظَمِ وَ عَلَى آلِهِ وَ اَصْحَابِهِ وَ اِخْوَانِهِ وَ اَتْبَاعِهِ آمِينَ يَا اَرْحَمَ الرَّاحِمِينَ

Lavdia i takon Atij, i Cili i ka vënë thesaret ndërmjet ‘Kafit’ dhe ‘Nunit’. Kështu pra i lavdëruar është Ai dhe i lartësuar mbi gjithçka që ata ia bashkojnë Atij, në Dorën e të Cilit  është mbizotërimi i çdo gjëje dhe tek Ai ju të gjithë do të ktheheni.”[158]“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtet që vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti.”[159] “Zoti ynë! Mos na ndëshko në qoftë se harrojmë apo biem në gabime.”[160] “Zoti ynë! Mos na i lër zemrat tona të shmangen nga e vërteta pasi Ti na ke udhëzuar dhe na dhuro mëshirë nga mëshira Jote, Ti je Dhuruesi më i Madh.”[161] Dhe jepi bekime e paqe Profetit Tënd fisnik, manifestimit të Emrit Tënd më të madh, familjes së tij, shokëve, vëllezërve dhe ndjekësve. Amin. O më i Madhi i mëshiruesve.

 

* * *

 

 

 

NJË SHTOJCË E VOGËL

 

I Gjithëdituri Fuqiplotë dhe Autori i Gjithurtë, e shfaq fuqinë e Tij, urtësinë e Tij dhe mosndërhyrjen në asnjë mënyrë të rastësisë në ndonjërën prej veprave të Tij, nëpërmjet sistemit dhe harmonisë që e demonstrojnë sundimi i Tij dhe praktikat në univers në formën e ligjeve. Dhe gjithashtu, nëpërmjet përjashtimit nga ligjet, nëpërmjet çudirave të praktikave të Tij, nëpërmjet ndryshimeve sipërfaqësore, diferencave në tiparet individuale, dhe nëpërmjet ndryshimeve në kohët e shfaqjes dhe të zhdukjes, Ai tregon vullnetin e Tij, dëshirën dhe zgjedhjen; me këtë tregon se Ai është Vepruesi me përzgjedhje dhe se Ai nuk është nën asnjë lloj kufizimesh të çfarëdoshme. Kështu, duke grisur perden e monotonisë, e pandryshueshmërisë dhe duke shpallur se çdo gjë ka nevojë për të, në çdo moment, për gjithçka, dhe i bindet Hyjnisë së Tij, Ai largon pakujdesinë dhe i kthen shikimet e njeriut dhe të xhindit nga shkaqet për tek Prodhuesi apo burimi i shkaqeve. Shpjegimet e Kur’anit shikojnë te ky parim.

Për shembull, në shumicën e vendeve, disa pemë prodhojnë fruta një vit, domethënë, u jepet atyre nga thesari i Mëshirës dhe ato me rolin e tyre na i japin neve. Atëherë në vitin vijues, ndërsa të gjitha shkaqet e dukshme për fruta janë të pranishme, ato e marrin frutin, veçse ama nuk e japin; domethënë ato nuk prodhojnë fruta.

Gjithashtu, për shembull, në kundërshtim me domosdoshmëritë e tjera, kohët për rënie shiu janë aq të ndryshueshme saqë ajo është për-fshirë midis “Pesë gjërave të fshehura!, sepse pozita më e rëndësishme në ekzistencë është ajo e jetës dhe e mëshirës. Dhe shiu  është burimi i jetës dhe thjesht mëshirë e pastër. Kështu, uji i jetës dhe shiu i mëshirës nuk futet brenda një rregulli monoton të pandryshueshëm i cili është një perde dhe çon në pakujdesi, por Krijuesi i Gjithëlavdishëm i Cili është i Gjithëmëshirshëm e Mëshirëplotë, Dhuruesi i mirësive dhe Jetëdhënësi, e mban atë drejtpërdrejtë dhe vetëm në Dorën e Tij, pa perde me qëllim që dyert e lutjes dhe ato të falënderimit të jenë të hapura gjithmonë.

Dhe për shembull, ashtu si dhënia e ushqimit, edhe përcaktimi i tipareve të veçanta të fytyrës së njeriut janë secila vepra të një favori të veçantë; ndodhja e tyre në mënyra të paparashikuara tregon në mënyrën më të shkëlqyeshme vullnetin dhe përzgjedhjen Hyjnore.

Ti mund  të bësh krahasime me aktet e tjera Hyjnore, si drejtimi i erërave dhe i motit dhe nënshtrimi i reve…

*  *  *

 

[147] Kur’an, 36: 82-83

[148] Kur’an, 36: 82

[149] Kur’an, 36: 53

[150] Kur’an, 27: 88

[151] Kur’an, 32: 7

[152] Kur’an, 36: 82

[153] Kur’an, 16: 77

[154] Kur’an, 11: 56

[155] Kur’an, 50: 16

[156] Kur’an, 36: 83

[157] Kur’an, 70: 4

[158] Kur’an, 36: 83

[159] Kur’an, 2: 32

[160] Kur’an, 2: 286

[161] Kur’an, 3: 8

***